Familjet shqiptare janë aq të varfra sa detyrohen që pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre t’i çojnë për t’u ushqyer.

Emri:  ushqime-cmime.jpg

Shikime: 1135

Madhësia:  36.0 KB
Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për ushqime (të matura sipas standardit të fuqisë blerëse), në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose asaj që prodhon ekonomia në një vit, në 2022. Kjo shifër është më e larta në Europë dhe shumë më tepër sesa mesatarja prej 6.3% e PBB-së së Bashkimit Europian.

Pas Shqipërisë në vend të dytë është Mali i Zi, me 22.7% të PBB-së, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina (20.7%), Maqedonia e Veriut (20.6) dhe më e ulëta është në Serbi, me 14.5% të PBB-së (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Europian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (89.7) dhe malit të Zi (85.8%). Më të lirat në rajon janë çmimet në Maqedoninë e Veriut, me 68.2% e mesatares së BE-së.

Për bukë e drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja europiane. I dyti pas nesh është Mali i Zi me 3.4% të PBB-së.

Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, ndër më të shtrenjtat në Europë, ndonëse jemi një vend ku bujqësia sjell rreth 20% të ekonomisë.

Shpenzimet rekord janë dhe për vajra e yndyra, në 1.5% të PB-së, nga 0.2% që është mesatarja europiane, ndërkohë që këto produkte blihen gati 9% më shumë sesa mesatarja europiane.

Për fruta e perime shpenzohet 11.8% e PBB-së, sërish më e larta në Europë, nga 1.4% që është mesatarja europiane. I dyti pas nesh është Bosnjë Hercegovina me 7.1% të PBB-së. Frutat e perimet kushtojnë sa 72% e mesatares europiane.

Edhe për mishin, Shqipëria kryeson, me shpenzime që arrijnë në 6% të PBB-së, nga 1.4% që është mesatarja e BE-së. Mishi kushton sa 73% e mesatares së Bashkimit Europian.

Për peshkun shpenzimet janë sa 1.1% e PBB-së, nga 0.4% mesatarja e BE-së. Peshku kushton sa 81% e mesatares europiane. Ndonëse Shqipëria është një vend bregdetar, në Maqedoninë e Veriut mund ta gjesh peshkun më lirë, sa 68.5% e mesatares së BE-së, sipas Eurostat.

Monitor