Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Rilindja Komuniste: Kartonat e socialistëve kufizojnë të drejtën e opozitës të hetojë qeverinë

    “Amendamentet Felaj”: PS miraton në mënyrë njëanshme ndryshimet ligjore për komisionet hetimore

    Mazhoranca miraton ndryshimet në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore duke kufizuar të drejtën e opozitës për ngritjen e tyre. Këto ndryshime u cilësuan “mekanizma kontrolli” nga deputetja e opozitës Jorida Tabaku.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  20230921_193143_210923_3_022-2_uUGs2Kv.jpg

Shikime: 225

Madhësia:  44.2 KB
    Nënkryetarja e parlamentit, Ermonela Felaj dhe Ministrja e Shtetit për marrëdheniet me parlamentin, Elisa Spiropali duke votuar gjatë një seance parlamentare, | Foto: LSA

    Deputetët socialistë në komisionin parlamentar të ligjeve miratuan të martën ndryshimet ligjore për funksionimin e komisioneve hetimore sipas propozimeve të koleges Ermonela Felaj të depozituara vetëm 12 ditë më parë në Kuvend.

    Në rendin e ditës ishin futur për shqyrtim dhe dy projektligje të propozuara nga deputetët e opozitës Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho të depozituara në prill të vitit 2022, por nismëtarët nuk u paraqitën në mbledhjen online.

    Gjatë diskutimeve deputetët e PS-së argumentuan se ndryshimet disiplinonin punën dhe praktikën e funksionimit të këtyre komisioneve dhe si nevojë e interpretimeve që Gjykata Kushtetuese i kishte bërë ligjit që daton në vitin 2002 gjatë vendimmarrjeve të saj.

    “Këto ndryshime disiplinojnë si sjellje ato që kthehen në normë të detyrueshme “- tha kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka, relatore e projektligjit, duke shtuar se “rregullat e vendosura në ligj do të krijojnë konsolidimin e një praktike të mirë në këtë veprimtari parlamentare”.

    Ndryshimet parashikojnë synon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare dhe që që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve evazive për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, shtetëror apo kur publiciteti mund të sjellë përhapjen e të dhënave sekrete.

    Nismëtarja e ligjit tha se për mbledhjet me dyer të mbyllura është marrë si model ligji i Bundestagut gjerman dhe kodi i procedurës penale.

    Po ashtu, i jepet përparësi në vendimmarrje rolit të mazhorancës politike, në rolin e sekretarit dhe vendimet me shumicë të anëtarëve, por sipas nismëtares Felaj këto ndryshime kanë hequr mekanizmat bllokues të punës në komisione.

    Pandeli Majko kërkoi nga kolegët që të ketë një komunikim dhe konsensus me opozitën duke vlerësuar propozimet e Tabakut dhe e konsideroi komisionin hetimor për inceneratorët “si një nga komisionet më serioze dhe si një model për t'u konsideruar”.

    Po ashtu, Felaj, tha se do merren në konsideratë ato propozime të draftit të Tabakut që reflektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke i cilësuar të përafërta me propozimet e saj.

    Por socialistët nuk pranuan propozimin e Tabakut për përbërjen me numër të barabartë anëtarësh mes opozitës e mazhorancës dhe strukturën me dy sekretarë, duke vijuar të mbajnë shumicën dhe sekretarin e komisionit, të cilit i jepet rol kyç në detyrimin që të kundërfirmosë shkresat për provat dhe dëshmitarët.

    Pas mbledhjes, Tabaku i cilësoi ndryshimet e bëra nga PS si instrumente të mazhorancës për të kontrolluar këto komisione.

    “Ky ligj qartësisht ka shkaktuar probleme për mazhorancën sepse duke zbatuar ashtu siç ishte vuri para drejtësisë ministra”- tha ajo për mediat, duke iu referuar komisionit të fundit hetimor për inceneratorët të drejtuar nga Tabaku.

    Sipas saj, socialistët nuk e ndryshuan ligjin për të reflektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por “e ndryshuan për ta bërë atë si instrument që sa herë do qeveria të pengojë një komision hetimor siç ka bërë deri më sot”.

    Që pas komisionit të bujshëm për aferën e inceneratorëve, mazhoranca ka refuzuar çdo kërkesë tjetër të opozitës, duke mohuar të drejtën kushtetuese për të kontrolluar qeverisjen, me pretendimin se ligji në fuqi ka nevojë për rregullime.

    Rrëzimi i kërkesave për komisionet hetimore parlamentare e ka shtyrë opozitën e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha që të radikalizojë qëndrimin e vet në Kuvend duke tentuar të bllokojë veprimtarinë parlamentare.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rilindja Komuniste: Kartonat e socialistëve kufizojnë të drejtën e opozitës të hetojë qeverinë

    Pa audio dhe opozitën: Si i mbylli PS dyert e komisioneve parlamentare

    Konferenca e Kryetarëve miratoi një vendim të debatueshëm për t’i kaluar online mbledhjet e komisioneve parlamentare, i cili nuk reflektohet në procesverbalin e mbledhjes së 1 nëntorit, por vetëm në një aneks të veçantë.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  PHOTO-2022-05-24-17-47-42.jpg

Shikime: 163

Madhësia:  31.7 KB
    Konferenca e kryetarëve | Foto: Kuvendi i Shqipërisë

    Konferenca e Kryetarëve e 1 nëntorit nuk pati debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, edhe për faktin se përveç deputetit Dashamir Shehi, pesë përfaqësuesit e tjerë të PD-së munguan ose u larguan nga mbledhja.

    Në mbledhjen me dyer të mbyllura, sipas zbardhjes së diskutimeve në procesverbal, të pranishmit diskutuan edhe për sjelljen e opozitës, e cila sapo kishte nisur protestën për bllokimin e punës së komisioneve si reagim ndaj rrëzimit të kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

    Megjithatë, sipas administratës së Kuvendit, zbardhja në letër nuk përfshin një moment të vetëm gjatë mbledhjes disa orëshe kur sistemi audio ‘nuk ka funksionuar', gjatë së cilit mazhoranca miratoi vendimin e debatueshëm për kalimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online.

    Çuditërisht, vendimi për kalimin e komisioneve parlamentare online – i cili reflektohet në një aneks të veçantë të procesverbalit të mbledhjes, nuk kujtohet nga deputeti i vetëm i opozitës në sallë, Dashamir Shehi.

    “Nuk u diskutua fare,” tha Shehi në një bisedë telefonike,- “sepse po të ishte diskutuar do ta kundërshtoja si abuzim me të drejtën parlamentare”.

    Sipas rendit të ditës, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve përfshinte prezantimit e projektligjit të buxhetit 2024 nga ministri i Financave, Ervin Mete dhe të kalendarit për miratimin e tij, si dhe miratimin e draft-kalendarit të punimeve të Kuvendit për tre javët në vazhdim.

    Kalimi i mbledhjeve në internet i dha mundësi mazhorancës që t'i bënte bisht përpjekjes së opozitës për bllokimin e komisioneve parlamentare, duke kaluar një seri aktesh të debatueshme, përfshirë një marrëveshje me Italinë për ngritjen e qendrës së refugjatëve në Lezhë – e pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, ndryshimin e Rregullores së Kuvendit dhe ndryshimin e ligjit për Komisionet Hetimore.

    Rregullorja e Kuvendit parashikon që praktika online përdoret në rastet e “gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësisë natyrore”. Kalimi i punimeve online u kundërshtua nga opozita si anti-ligjor dhe tentativë për shuar zërin opozitar.

    Mbledhjet e komisioneve parlamentare nëpërmjet aplikacionit Zoom u përdoren për herë të parë në vitin 2020 pasi qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së COVID-19. Socialistët tentuan ta vijonin praktikën edhe në sesionin parlamentar në vitin 2021, por pas kundërshtimit të opozitës u tërhoqën.

    Sipas procesverbalit të zbardhur të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve më 1 nëntor, të siguruar nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, në këtë mbledhje nuk rezulton që të jetë propozuar, diskutuar apo miratuar një vendim që do të ndryshonte katërcipërisht mënyrën e funksionimit të Kuvendit në 2 muajt e ardhshëm.

    Në zbardhjen fjalë për fjalë të diskutimeve në procesverbalin e mbledhjes së 1 nëntorit, kuptohet që përfaqësuesit e mazhorancës ishin të shqetësuar për situatën ku komisionet nuk po arrinin dot të bënin mbledhje normale. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e quajti situatën “një kurth”.

    “Të shpëtojnë sa më shpejt nga ky kurth, dhe neve do të na kenë këtu, si në Konferencën e Kryetarëve, ashtu edhe si shumicë, të gatshëm për t'u përgjigjur në lidhje me të gjitha detyrat dhe kërkesat e tyre kushtetuese,” citohet Spiropali në transkriptin e mbledhjes.

    Nga procesverbali kuptohet që në fund të mbledhjes është miratuar draft-kalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën 6-24 nëntor 2023 dhe draft-kalendari i diskutimit për buxhetin e ri, por asnjë dokument për zhvillimin e mbledhjeve online.

    I vetmi deputet i opozitës në mbledhje, Dashamir Shehi, kërkoi nga mazhoranca që të reflektojë dhe t'i japë hapësirë opozitës në jetën parlamentare referuar kërkesave për hetimin parlamentar.

    “Në qoftë se ju shumicën që keni sot do ta përdorni si çomangë për të goditur çdo gjë që sipas ideve tuaja ju duket e gabuar, unë them se keni zgjedhur rrugën e keqe brenda fushës së parlamentarizmit,” citohet t'u drejtohet ai kolegëve socialistë.

    Të martën, drejtoresha juridike e Kuvendit, Merita Qato i dërgoi BIRN me foto në aplikacionin Whatsapp një dokument me titullin “aneks-procesverbali”, një gjë e pazakontë për dokumentet të tilla, ku thuhej se propozimi dhe miratimi i vendimit për të kaluar mbledhjet online u bë në mungesë të regjistrimit audio – video.

    Sipas këtij dokumenti, propozimi ishte bërë nga deputetët Arben Pëllumbi dhe Eduard Shalsi dhe kishte gjetur mbështetjen e gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

    “Ky aneks procesverbal mbahet për arsye se propozimi, diskutimi dhe miratimi I kërkesës së deputetëve u zhvillua në mungesë të regjistrimit audi – video”- shkruhet në fund të tij dhe firmosur nga Lindita Nikolla, Ermonela Felaj, Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, Klotilda Bushka, Mimi Kodheli, Eduard Shalsi, Arben Pëllumbi dhe Nasip Naço.

    Dokumenti duket i shkruar me nxitim, me gabime ortografike dhe pjesërisht me ‘e' në vend të ‘ë' dhe emrat e deputetëve me shkurtime, ndryshe nga procesverbali i plotë që koordinatori për informim vuri në dispozicion të premten.

    Qato nuk qe në gjendje të japë përgjigje se pse ky dokument nuk ishte bashkëngjitur procesverbalit të plotë të mbledhjes të nisur po nga Kuvendi dhe se pse në procesverbal nuk reflektohej ekzistenca e një aneksi. Ndërkohë ajo pretendoi se deputeti Dashamir Shehi nuk e ka emrin në aneks sepse u largua nga mbledhja dhe nuk ishte në momentin që u mor vendimi për mbledhjet online.

    Shehi tha se iku nga mbledhja pasi u miratua kalendari 3-javor i punimeve, moment që përkon dhe me mbylljen e mbledhjes në transkriptin e procesverbalit.

    “Por mund ta kenë bërë më vonë, një vendim formal, mund ta bëjnë në çdo kohë,” sugjeroi ai, duke shtuar se, -“po i bëjnë formalisht në sallë të seancave plenare, jo më aty që janë 7 veta”.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-09-2023, 17:36
  2. Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 22-04-2021, 15:02
  3. Vdes Rilindja e Frashërllinjve. Lind Rilindja e Hashashllinjve.
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 10-09-2015, 17:24
  4. Kartonat "gabim i gjyqtarëve" apo "stimulim i lojtarëve"!?
    Nga viganv në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 28-06-2006, 11:28
  5. Berisha kerkon te hetoje per pasurite.
    Nga Vinny_T në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 25-04-2003, 03:41

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •