Sondazhi i Monitor, 66% e votuesve përdorin paranë cash si mjetin kryesor të pagesave

Emri:  Leke.jpg

Shikime: 72

Madhësia:  32.7 KB

Paraja fizike është instrumenti dominues i pagesës mes shqiptarëve.

Sipas një sondazhi të kryer nga Monitor në faqen e saj të internetit dhe në rrjetet sociale, rezulton se rreth 66% e votuesve përdorin paranë fizike si mënyrën më të shpeshtë për të kryer pagesat e produkteve dhe shërbimeve që blejnë.

Mënyra e dytë më e përdorur e pagesës është karta e debitit, me 24% të votave në sondazh, e ndjekur nga karta e kreditit me 8% të votave. Teknologjitë e tjera të pagesave elektronike, si për shembull pagesat me QR Code, janë mënyra për e përdorur e pagesës për 2% të votuesve në sondazh.

Megjithatë, rezultatet e sondazhit shfaqin disa diferenca të konsiderueshme në varësi të kanalit të përdorur për votim. Sondazhi në faqen e internetit monitor.al dhe në faqen facebook të Monitor ka rezultuar me një peshë më të lartë të pagesave cash, afërsisht 71%, e ndjekur nga pagesat me kartë debiti, me 19% dhe pagesat me kartë krediti me afërsisht 8%.

Ndërkohë, në sondazhin e kryer nëpërmjet Linkedin, pagesat cash kanë një peshë ndjeshëm më të ulët, me 53% të votave, ndërsa pagesat me kartë debiti më të lartë, me 36% të votave, të ndjekura nga ato me kartë debiti me 9%. Përqindja e votuesve që shprehen se përdorin pagesat e tjera elektronike është afërsisht e njëjtë në të dy sondazhet, në nivelin e 2%.

Diferenca në sondazhe mund të shpjegohet me faktin që audienca e Linkedin mund të ketë një shkallë më të lartë të përfshirjes financiare dhe përdorim më të madh të instrumenteve alternative të pagesave, në raport me pagesat cash.

Rezultatet e sondazhit nuk përfaqësojnë domosdoshmërish raportet në përdorimin e instrumenteve të pagesave të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, por në përgjithësi preferencat e një audience shqipfolëse që jeton në vende të ndryshme të Botës. Duke qenë se në ekonomitë më të zhvilluara përdorimi i instrumenteve të pagesave jo cash është më i lartë, kjo mund të shpjegojë një peshë relativisht të lartë të pagesave alternative (kryesisht pagesat me kartë) në rezultatet e sondazhit.

Megjithatë, statistikat tregojnë se numri dhe vlera e pagesave me kartë janë në rritje të ndjeshme në vitet e fundit në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e pagesave më kartë për 9-mujorin 2023, arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 26.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë 9-mujorit, numri total i pagesave me kartë arriti në 10.2 milionë, ndërkohë që për të gjithë vitin e kaluar numri i këtyre pagesave kishte qenë afërsisht 10.7 milionë.

Rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 32% për 10-mujorin e këtij viti.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 18 570, në rritje me 14.4% që nga fillimi i këtij viti.

Emri:  p3.jpg

Shikime: 29

Madhësia:  25.1 KB
Burimi: Sondazhi i Monitor

Emri:  p4.jpg

Shikime: 27

Madhësia:  24.0 KB
Burimi: Sondazhi i Monitor


Revista Monitor