Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Qeveria e Qametit derdh qindra miliona euro për plehrat, por nuk investon për fermerin shqiptar

    ‘Në dorë të Zotit’: Bashkitë i lënë fermerët në mëshirë të kushteve të motit

    Ndryshimet klimatike dhe keqmenaxhimi prej dekadash i sistemit të ujitjes po kërcënojnë bujqësinë në qarkun e Korçës, e cila mbetet kryesisht e varur nga kushtet e motit.

    Nga Dhorjela Çule

    Emri:  Bledar-Bebri-fermer-2048x1536.jpg

Shikime: 371

Madhësia:  65.0 KB
    Bledar Bebri, fermer nga fshati Turhan tregon se mesatarisht për vaditjen me pompë i nevojiten 40 litra naftë për çdo ha sipërfaqe të kultivuar. Foto: Dhorjela Çule.


    Teksa prisnin të vilnin plantacionet me mollë në fund të shtatorit, fermerët e fshatit Qatrom në bashkinë e Korçës u dëmtuan në masë nga breshëri. Fermerët janë të mësuar me këtë dhe e njohin rrezikun e bujqësisë nga tekat e motit.

    Por në Korçë, kostove financiare të ndryshimeve klimatike u mbivendosen telashe të tjera që i shtyjnë fermerët e vegjel drejt shkatërrimit.

    Nuri Sheno, një prej fermerëve të fshatit, ka 7 mijë rrënjë mollë në 3 parcela. Ai tregon se përveç shpenzimeve të zakonshme, ai harxhoi këtë vit edhe 700 mijë lekë plus për të hapur një pus për vaditjen e pemëtores së tij. Kostos së hapjes së pusit i është shtuar edhe pagesa për shtrirjen e rrjetit elektrik, i nevojshëm për vënien në funksion të pompave, si dhe fatura e kripur e energjisë elektrike.

    “Kanalet vaditëse kanë dalë jashtë funksionit këtu e 30 vite më parë. Dikur uji vinte nga rezervuari i Gjançit dhe siguronte vaditjen e çdo pëllëmbë tokë. Tani të gjitha nevojat e tokës për ujë na kanë mbetur ne mbi kurriz,” tha Sheno.

    Korça në juglindje të Shqipërisë përbën një qark me profil bujqësor, por sipërfaqja e tokës që mbulohet nga sistemi ujitës varion nga 15 deri në 25% e totalit.

    Sipas bashkisë së Korçës, nevojat për ujitje nuk mbulohen në disa fshatra fushorë, ndërsa në ata malorë, ujitja mbetet në varësi të reshjeve që mbushin përrenjtë dhe rezervuarët.

    “Në fshatrat malorë si Dishnica, Mborja, Lubonja, Vithkuqi, Panariti, Lavdari, etj ujitja bëhet duke shfrytëzuar ujërat e lira të përrenjve dhe ato të rezervuarëve të ndërtuar në këto zona”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.

    Toka bujqësore pa ujë

    Emri:  Fshati-Dishnice-Ne-korce--scaled.jpg

Shikime: 333

Madhësia:  60.5 KB
    Fshati Dishnicë në Korçë, ku fermerët vuajnë mungesën e ujit. Foto: Dhorjela Çule.

    Fermerët e fshatit Qatrom në Bashkinë e Korçës janë fokusuar kryesisht tek prodhimi i mollës, kulturë e cila gjatë gjithë ciklit të prodhimit kërkon vaditje sistematike. Por në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe temperaturave ekstreme të verës, edhe kulturat e tjera kanë nevojë për më shumë ujë. Pavarësisht kësaj situate, në pjesën më të madhe të zonave bujqësore të juglindjes, bashkitë nuk kanë arritur të përmbushin këtë detyrim jetik për sektorin.

    Për të zgjidhur problemin me vaditjen, shumica e fermerëve kanë instaluar pompa që punojnë me naftë, edhe pse kostoja e vaditjes me to del më e lartë se përdorimi i energjisë elektrike.

    Bledar Bebri, fermer nga fshati Turhan tregon se mesatarisht për vaditjen me pompë i nevojiten 40 litra naftë për çdo ha sipërfaqe të kultivuar. Edhe pse çmimi i naftës ka pësuar rritje të ndjeshme, fermerët gjatë kësaj vere janë detyruar të vaditin më shpesh për shkak të thatësirës.

    “Kam 150 dynym tokë dhe këtë vit mbolla patate, qepë dhe grurë. Vetëm për pataten këtë verë kam bërë 6 vaditje. Për perimet duhet më shumë vaditje sesa për grurin. Harxhimi është shumë i madh dhe nuk e di nëse kur t'i shes prodhimet do arrij të mbuloj kostot,” tregon Bebri.

    Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Vullnet Gjolla, për shumë fermerë mungesa e sistemit të ujitjes mbetet shqetësim ndaj ata detyrohen të përdorin pompat për të siguruar sasinë e nevojshme të ujit për parcelat e tyre.

    “Gjatë takimeve që bëjmë me fermerët, shpesh na është ngritur ky shqetësim, të cilin e kanë adresuar edhe tek bashkitë respektive. Përmes skemave mbështetëse të naftës qeveria ka lehtësuar fermerët edhe në aspektin e përdorimit të saj për vaditje, por gjithsesi infrastruktura mbetet përgjegjësi e pushtetit vendor,” thotë Gjolla, i cili shton se nevojat për ujë po rriten vit pas viti për shkak të ndryshimeve të klimës.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në Bashkinë e Korçës sistemi ujitës mbulon vetëm 5566 hektarë tokë bujqësore nga 20,328 hektarë gjithsej ose 25% të totalit. Probleme ka edhe në sipërfaqen e mbuluar nga sistemi vaditës, ku për 710 ha sistemi nuk është funksional.

    Më shqetësuese është gjendja në bashkinë e Pogradecit, ku vetëm 15% e tokave janë të mbuluara me sistem vaditës. Bashkia sqaron se më pak se gjysma e sistemit është në gjendje funksionale.

    “Sipërfaqja e tokës bujqësore në Bashkinë Pogradec është 16.187 ha, nga të cilat 2550 ha është e mbuluar me sistem vaditës. Sistemi vaditës është funksional në 1260 ha dhe 1290 ha jo funksional,” thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion. Në një situatë të ngjashme është edhe bashkia e Devollit, në të cilën nga 15,000 ha tokë bujqësore, 4000 ha ujiten me rrjedhje të lirë ndërsa 2500 ha të tjerë vaditen me sistemin e pompave ekzistuese.

    Sipas kryetarit të bashkisë Devoll, Eduard Duro, për 2000 ha të tjerë vaditja sigurohet nga vetë fermerët, nëpërmjet puseve dhe pompave.

    Vetëm bashkia e Maliqit rezulton diçka më mirë dhe ka sistem funksional ujitës në 44% të sipërfaqes së tokës bujqësore.

    Mungesa e sistemit vaditës në një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqeve bujqësore i ka detyruar fermerët që të gjejnë vetë zgjidhje duke hapur puse, por kjo praktikë e tyre konsiderohet e dëmshme dhe me pasoja afatgjata për bujqësinë.

    Ndryshimet klimatike

    Emri:  Toka-bujqesore-ne-Korce--scaled.jpg

Shikime: 333

Madhësia:  51.6 KB
    Toka bujqësore në Korçë. Foto: Dhorjela Çule.


    Sipas ekspertit të bujqësisë, Albert Kopali, nga mungesa e ujit të mjaftueshëm për vaditje pritet që deri në vitin 2025 të ketë një rënie të prodhimit bujqësor në masën 10% në të gjithë vendin. Eksperti e vë theksin tek përshtatja e sektorit të bujqësisë me ndryshimet klimatike të cilat po sfidojnë fermerët.

    “Sasia e ujit të përdorur në sektorin e bujqësisë nuk arrin të kompensohet nga rreshjet, ndaj është e nevojshme të ndërhyhet me politika të përshtatshme. Nga njëra anë duhet që sektori të mbështetet më shumë tek ujitja me pika dhe nga ana tjetër fermerët duhet të ndërgjegjësohen për praktikat e punimit të tokës, të cilat duhet të përqëndrohen në sipërfaqe dhe jo në thellësi,”tha ai.

    Kopali nuk e sheh zgjidhjen te hapja e puseve, që sipas tij krijon më shumë probleme se sa zgjidh. “Ai ujë që harxhohet përmes puseve është e pamundur që të zëvendësohet natyralisht nga reshjet, sidomos në kushtet kur kemi deficit ploviometrik,” shtoi ai.

    Por për fermerët mundësitë janë të pakta.

    Ata që nuk kanë mundur të vetëfinancojnë hapjen e puseve në parcela, kanë ndryshuar llojin e kulturave, duke u orientuar drejt atyre që kërkojnë më pak ujë.

    Këtë zgjidhje ka gjetur prej disa vitesh Gëzim Rovi, fermer nga fshati Dishnicë në bashkinë e Korçës. Gjatë verës që shkoi, Rovi mbolli vetëm 500 metra tokë me perime nga 12 dynymë gjithsej, ndërsa pjesën tjetër e mbolli me grurë – një kulturë që kërkon më pak vaditje.

    “Jam 75 vjeç dhe nuk kam mundësi as të investoj për pus dhe as të vadit me krahë ndaj mbjell grurë. Kam vetëm 500 metër tokë mbi rrugë që vaditet nga uji që sjell centrali elektrik i fshatit dhe aty mbolla perimet,” thotë i moshuari.

    Ai tregon se para viteve '90, e gjithë toka bujqësore e Dishnicës vaditej nga uji që vinte nga Prespa e Vogël dhe kanali i Vëntrokut, kanali primar i cili shpërndante ujë në të gjithë sistemin ujitës të fushës së Korçës.

    “Sot jemi të gjithë në pikë të hallit. Shumica prej nesh nuk kanë mundësi të hapin puse për të vaditur dhe çdo gjë e kemi lënë në dorë të Zotit. Po ra shi do marrim prodhim, në të kundërt nuk do sigurojmë dot as bukën për vete,” thotë ai.

    Investime minimale

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga dalja jashtë funksionit e sistemit të ujitjes, për shumicën e fshatrave të juglindjes ku bujqësia vazhdon të jetë intensive, nuk është gjetur asnjë zgjidhje.

    Edhe kur sistemi i ujitjes ishte kompetencë e pushtetit qendror, por edhe 7 vite pas reformës administrative e cila ngarkoi me përgjegjësi bashkitë për vënien në funksion të kanaleve të dyta dhe të treta, situata jo vetëm nuk u përmirësua, por është bërë më e vështirë.

    Ligji 139/ 2015 “Për vetëqeverisjen vendore” ngarkon bashkitë që përmes strukturave të tyre të bëjnë të mundur shfrytëzimin,rehabilitimin,rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit të kaluar në pronësi.

    Nga ana tjetër me të njëjtën përgjegjësi e ngarkon pushtetin vendor edhe ligji nr 24/2017 “Për administrimin e ujitjes dhe kullimit”, ku përcaktohen detyrimet e bashkive për të garantuar ujitjen e sipërfaqeve të tokave bujqësore që kanë në administrim dhe marrjen e masave për të parandaluar përmbytjet.

    Nga ana tjetër, kuadri ligjor e ndan një pjesë të përgjegjësisë për ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore edhe me pushtetin qendror, duke i lënë këtij të fundit detyrimin për të investuar në kanalet e para, digat dhe rezervuarët.

    Rritjes së interesit të fermerëve për të zgjeruar aktivitetin bujqësor dhe kultivuar masivisht tokat bujqësore bashkitë e juglindjes i janë përgjigjur me investime minimale, të cilat më tepër janë fokusuar tek kullimi sesa tek mirëmbajtja dhe rehabilitimi i sistemeve vaditëse.

    Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Korçës pohon se për periudhën 2021 -2023 ka investuar 10.4 milionë lekë për sistemin e kullimit në të gjithë territorin që administron, por për vitin aktual nuk ka parashikuar në buxhet asnjë lek për sistemin e vaditjes.

    Kërkesat e përsëritura të fermerëve për të ndërhyrë në sistemet e ujitjes kanë rënë në vesh të shurdhër edhe për bashkinë e Pogradecit, e cila përgjatë 3 viteve ka ndërtuar vetëm rrjetin vaditës të fshatit Bahçallëk dhe ka rikonstruktuar kanalin ujitës të fshatit Stropckë. Për vitin aktual, bashkia ka parashikuar në buxhet për sistemin ujitës 7,579,371 lekë që do të shkojnë për pastrim kanalesh, mirëmbajtje dhe ndërtim.

    Bashkia e Maliqit ka investuar në 3 vite 9,4 milionë lekë për sistemin e vaditjes ku përfshihet kanali i ujitjes, pjesë e funksionimit të stacinit të pompimit Pojan dhe rehabilitimi i kanaleve ujitës në fshatrat Çaushli, Velitërne, Zvirinë.

    Minimalisht është investuar edhe nga bashkia e Devollit, e cila nuk bën të ditur vlerën e investimit, por sqaron se gjatë këtij viti ka ndërhyrë për pastrimin e 200 km kanale vaditëse dhe 80 km kanale kullues me mjetet e bashkisë.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Qametit derdh qindra miliona euro për plehrat, por nuk investon për fermerin shqiptar

    Bujqësia e “braktisur” nga bankat

    Emri:  672-380-1701366855xbujqesia-753.jpg

Shikime: 304

Madhësia:  30.2 KB

    Bankat u dhanë bujqve shqiptarë 568 milionë lekë kredi gjatë tetorit. Në raport me një vit më parë, kredia për sektorin më të madh të ekonomisë u rrit me 365 milionë lekë, apo 17,8%. Pavarësisht rritjes së mbështetjes, në raport me totalin e huave të dhëna, bujqësia zuri vetëm 1,85%.

    Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehet: “Faktori kryesor është mungesa e certifikimit të tokës, parcelizimi, informaliteti i lartë, mungesa e siguracionit, si edhe kosto e lartë e prodhimeve në mënyrë që planet e biznesit të dalin sipas kërkesave që kanë institucionet financiare”.

    Marrë në harkun e 10 muajve, fermerët shqiptarë kanë mundur të marrin nga bankat 2,2 miliardë lekë kredi, nga 1,8 miliardë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. Hapja e sektorit bankar ndaj bujqësisë konsiderohet e rëndësishme nga përfaqësues të këtij sektori, veçanërisht pas pezullimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Europian dhe ulja e buxhetit në dispozicion për vitin e ardhshëm.

    “Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Duhet të ketë një hapje ndaj fermerëve edhe nga institucionet financiare jobanka, pra shoqëritë e kursim-kredisë”, theksoi Rrapaj.

    Për të inkurajuar kreditimin e sektorit, deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar projektligjin “Për Dëftesat Tregtare Mbi Produktet Bujqësore.” Sipas relacionit të projektligjit, dëftesa tregtare do t’i mundësojë prodhuesit që pasi e ka çuar mallin te grumbulluesi, ta dorëzojë atë në një nga bankat në vend duke mundur të marrë kredi.
    Agim Rrapaj u shpreh: “Kjo nuk e mbush boshllëkun e krijuar, por e lehtëson shumë. Shpresoj të mos jetë vetëm kjo, por edhe institucionet financiare premtuan se do të mbështesin me garanci sovrane sektorin”.

    Ndonëse mbetet sektori që kontribuon më së shumti në ekonominë shqiptare me rreth 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, bujqësia vijon të mbetet një sektor i nënkredituar, gati i braktisur nga bankat.

    A2cnn

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Qametit derdh qindra miliona euro për plehrat, por nuk investon për fermerin shqiptar

    Bujqësia hyn në fazë agonie, thellohet rënia në tremujorin e tretë

    Emri:  -640-0-2092e99ea5eec8c7f61b8cfd13d368bf.jpg

Shikime: 307

Madhësia:  58.5 KB

    Që nga fillimi i dekadës së kaluar, bujqësia ka frenuar ritmet e rritjes në mënyrë të qëndrueshme, por dy vitet e fundit sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

    Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në tremujorin e tretë të këtij viti, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.4%, kjo ishte rënia më e madhe që nga tremujori i katërt 2021 ku moti i keq dëmtoi prodhimin e sezonit.

    Vitin e kaluar bujqësia qëndroi në vend numëro, teksa ekonomia e vendit u rrit me 4.86%. Këtë vit pritshmëritë janë që PBB-ja e vendit të zgjerohet me rreth 3.7 për qind, por për 9-mujorin sektori paraqitet më rënie.

    Ecuria negative duket se po vjen nga blegtoria. Numri i krerëve në blegtori ka pësuar rënie me rreth 20 për qind në dy vitet e fundit. Blegtoria është dega kryesore e bujqësisë, pas prodhimit në fusha, sera dhe pemëtore.

    Nga ana tjetër qeveria parashikon rritje prodhimit në bujqësi në vitin 2024 me2.8% në një kohë që fondet buxhetore janë shkurtuar.

    Në buxhetin 2024, sektori i bujqësisë do të marrë të paktën 9% më pak financime se plani i këtij viti, i finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023. Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë buxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që janë këtë vit.

    Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit me ulje 28%, ose rreth 25 milionë euro.

    Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive që ka gjetur me ndarjen e fondeve në vendin tonë.

    Në të kundërt, fondet për planifikimin dhe menaxhimin janë rritur me 22% dhe ato për sigurinë ushqimore me 36%.

    Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme, Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954 vitin e kaluar. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë pasi vetën 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.

    Vetëm Shqipëria spikat si një vend në Rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.

    Monitor

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Qametit derdh qindra miliona euro për plehrat, por nuk investon për fermerin shqiptar

    SYRI TV/ Fermerët heqin dorë nga toka në Maliq: Gruri mbeti stok, e duan me 25 lekë për kg

    Video

    Fushat e Maliqit në Korçë duket se do të kenë shumë pak sipërfaqe të mbjella me grurë këtë sezon krahasuar me një vit më parë. Mungesa e tregut për prodhimin e vitit të kaluar, rritja e kostove të punimit dhe inputeve bujqësore, dhe braktisja që shteti po i bën bujqësisë, ka detyruar fermerët në Korçë të lënë tokat djerrë

    SYRI TV

    Mjetet bujqësore nuk janë ndezur pothuajse fare për këtë vit. Fermerët duket të vendosur të mos punojnë tokën dhe për pasojë ta lënë djerrë atë.

    Shkak, sipas tyre, është kostoja e lartë e punimit dhe fitimet e ulëta nga prodhimi.

    Kryesisht, në fshatrat e Maliqit, fermerët kanë vendosur që këtë vit të mos mbjellin më grurë, kulturë bujqësore e cila në zonën e Korçës mbillet tani.

    Nëpër magazinat e fermerëve gjen tonelata me grurë, misër apo drithëra të tjera, të cilat nuk janë shitur prej vitit të kaluar.

    Në të tilla kushte, shumë fermerët kanë vendosur të rikthehen dhe njëherë, ndoshta përgjithmonë, në emigracion.


    Syri

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 05-11-2023, 20:46
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-04-2023, 11:54
  3. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 23-09-2022, 13:17
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-05-2022, 08:53
  5. Qeveria gjermane investon 14 milion euro për turizmin e Pogradecit
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 09-02-2007, 08:14

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •