Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Brukseli i shqetësuar: Edi Rama ka shkarrë ngë binarët, injoron parlamentin e qytetarët e vendit

    BE e shqetësuar për kontrollin e paktë të parlamentit dhe qytetarëve mbi Ramën

    Raporti i progresit të Komisionit Evropian për këtë vit, i publikuar të mërkurën, tërheq vëmendjen në shumë raste te mungesa e kufizimit të pushtetit të qeverisë dhe kërkon forcimin e masave të kontrollit nga parlamenti dhe nga shoqëria shqiptare mbi qeverisjen.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  20230613_230236_130623_4_016-1_A39hDUH.jpg

Shikime: 201

Madhësia:  29.9 KB
    Kryeministri Edi Rama duke folur gjate nje konference per shtyp | Foto: LSA

    Në së paku tre raste, Raporti i Progresit të Shqipërisë në rrugën për anëtarësim në BE, vëren me shqetësim pushtetin pa limit të qeverisë dhe mungesën e kufizimit të këtij pushteti nga parlamenti, nga gjyqësori dhe nga shoqëria shqiptare në tërësi, në një ndryshim tonaliteti në krahasim me raportet e viteve të kaluara që ngre dyshime për funksionimin demokratik të Shqipërisë.

    Raporti i Progresit është një dokument kyç që Komisioni Evropian harton çdo vit për vendet kandidate, me synim për të matur ecurinë e reformave në këto vende dhe shkallën e afrimit të tyre me standardet që duhet të plotësohen për anëtarësim. Raporti vlerëson Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate në 31 fusha një herë në vit. Zhvillimet që nga raporti i kaluar vlerësohen me “regres”, “jo progres”, “pak progres”, “shumë progres” dhe “progres i shkëlqyer” ndërsa gjendja në të cilën vendi është në një fushë të caktuar merr një nga këto nota: “hapat e parë”, “pak nivel përgatitjeje”, “relativisht i përgatitur”, “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “nivel i lartë përgatitjeje”. Raportet e progresit të përgatitura nga Komisioni Evropian janë kritikuar në të shkuarën për përdorimin e një gjuhe të butë dhe për një dashamirësi të ekzagjeruar ndaj vendeve kandidate apo prirje për të zbukuruar punën e këtyre vendeve për reformat që nevojiten për anëtarësim, me qëllim që raportet të mos shërbejnë si ushqim për forcat politike euroskeptike apo ksenofobe në vendet e ndryshme anëtare. Pavarësisht kësaj, vërejtjet dhe shqetësimet e Komisionit, të cilat dallohen mes rreshtave, bartin mesazhet për politikanët e vendeve kandidate.

    Vërejtjet mbi pushtetin pa kufi të kryeministrit Edi Rama dallohen në komentet e Komisionit në prezantimin e përgjithshëm të raportit si dhe në kapitujt për demokracinë, në të cilin qeverisë i bëhet thirrje “të vetëpërmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së”, si dhe në kapitujt për administrimin buxhetor apo për mungesën e kufizimit efektiv gjyqësor të veprimeve të dyshuara abuzive të agjencive ligjzbatuese si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

    “Mbikëqyrja e ekzekutivit nga parlamenti mbeti i kufizuar,” vërehet në kapitullin që flet për gjendjen e demokracisë. Veçanërisht dy janë pikat në të cilat Brukseli ngre shqetësime: Mungesa e gadishmërisë së kryeministrit Edi Rama për t'iu përgjigjur kërkesave për interpelancë nga deputetët e opozitës dhe refuzimi nga socialistët i kërkesave të opozitës për komisione hetimore parlamentare.

    “Deputetët dorëzuan tre kërkesa për interpelancë dhe një mocion për debat me kryeministrin. Kryeministri mori pjesë personalisht në një prej tyre,” vëren raporti.

    Komisioni Evropian duket se hedh poshtë alibinë e socialistëve për të mos miratuar kërkesat e opozitës për komisione parlamentare si të pabazë dhe të paligjshme.

    “Gjatë periudhës së raportimit, opozita kërkoi krijimin e dy komisioneve hetimore, por shumica i refuzoi të dyja, pavarësisht faktit se e drejta e opozitës për të nismuar komisione të tilla garantohet nga kushtetuta. Argumenti i shumicës në të dyja rastet ishte që ka nevojë fillimisht të rishikohet ligji mbi Komisionet Hetimore Parlamentare, i cili është në proces. Gjithsesi, ligji aktual mbetet në fuqi,” vëren Komisioni Evropian.

    Komisioni ngre shqetësime të veçanta për praktikën e parapëlqyer të qeverisë së kryeministrit Edi Rama (praktikë që ka qenë përdorur edhe nga qeveria para tij e ish-kryeministrit Sali Berisha) për ndryshimin e buxhetit të shtetit disa herë në vit përmes Akteve Normative. Aktet Normative janë instrumente ligjore të veçanta të parashikuara në kushtetutë si mjete që ndihmojnë qeverinë për të vepruar në kushtet e një situate emergjente të papritur, fjala vjen, në rastet e një katastrofe natyrore, në të cilën, urgjenca nuk lejon hapësirë për ndjekjen e procedurave të zakonshme parlamentare. Në këtë rast, qeveria merr një akt normativ i cili ndryshon buxhetin dhe krijon linja të reja shpenzimesh pa miratim paraprak nga parlamenti. Por ndryshimi i buxhetit të shtetit disa herë në vit me një praktikë të tillë ngre pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e demokracisë dhe rolit mbikëqyrës të parlamentit mbi ekzekutivin. Sepse në sistemet demokratike, parlamenti është ai që autorizon shpenzimet buxhetore ndërsa qeveria vetëm sa i ekzekuton shpenzimet që ka autorizuar parlamenti.

    “Gjatë viteve të fundit, përfshirë vitin 2022, rishikimet buxhetore janë bërë kryesisht përmes akteve normative, të cilat shpesh kanë mungesë transparence dhe konfirmohen nga parlamenti pas faktit të kryer. Situatat e paqarta ekonomike kanë justifikuar këtë deri në një farë mase, por rikthimi te procedura më e rregullt e rishikimit të buxhetit duket e përshtatshme,” vëren Komisioni Evropian.

    Shqetësime për praktikat e ndryshimit të buxhetit me akt normativ nuk ka shprehur vetëm Brukseli. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur ka kërkuar mospërdorimin e këtij instrumenti. Të dyja këshillat kanë rënë në vend të shurdhët. Aktualisht nuk mbahet mend rasti kur procedura e rregullt parlamentare të jetë përdorur për ndryshimin e buxhetit.

    Komisioni vëren se “e drejta e qytetarëve për administrim të mirë duhet të forcohet më tutje,” një mënyrë e butë për të thënë se aktet normative i hapin rrugën keqadministrimit të fondeve buxhetore. Për shembull, më 23 tetor të këtij viti, qeveria depozitoi në kuvend ndryshime në buxhetin 2023 me akt normativ. Supozohet që paratë duhet të zhvendosen nga projektet me ecuri të dobët në zbatim te projektet me ecuri më të mirë, por gjithkush ka të drejtë të dyshojë se si qeveria ka mundësi të shpenzojë shuma të konsiderueshme parash në një periudhë fare të shkurtër kohore në fund të vitit, ndërsa ka qenë e paaftë të shpenzojë këto para në ecurinë normale të një viti kalendarik.

    Shqetësimi i tretë i madh mbi moskufizimin e qeverisë ligjet me aktivitetin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, një agjenci e cila është kritikuar për veprime të paligjshme edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe për procedurat e shpronësimit për interes publik të ndjekura nga Rama. Shqetësuese, sipas Brukselit është fakti që qytetarët që kanë ankesa ndaj këtyre procedurave nuk kanë akses në sistemin e drejtësisë dhe përballen për rrjedhojë me ekzekutime vendimesh arbitrare pa mbrojtje gjyqësore.

    “Ankesa të shumta vijojnë të ngrihen mbi veprimet e agjencive qeveritare përgjegjëse për shpronësimin e pronave për interes publik dhe për shembjen e ndërtimeve të paligjshme, gjë që është një arsye për shqetësim,” shkruhet në Raportin e Progresit.

    “Organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi kanë theksuar se qeveria e zbaton ligjin në mënyre selektive. Autoritetet duhet të sigurojnë që parimet e ligjshmërisë dhe transparencës, ndalimit të përdorimit arbitrar të pushtetit ekzekutiv dhe të drejtës për gjykim të drejtë dhe kompensim efikas respektohen në tërëso në rastet e shpronësimeve dhe shembjes së pronave,” thuhet në raport.

    Qeveria e kryeministrit Edi Rama shembi vitin e kaluar një hotel, për të cilin tha se ishte i paligjshëm. Urdhri i shembjes u lëshua një ditë të premte dhe shembja u bë ditë të dielë, efektivisht duke ndaluar pronarin e objektit të kërkojë pezullim të urdhrit të shembjes në gjykatë dhe duke eliminuar mbikëqyrjen gjyqësore të veprimeve të ekzekutivit.

    Raporti thekson gjithashtu në disa raste nevojën e forcimit të mbikëqyrjes së aktivitetit të qeverisë nga qytetarët dhe shoqëria civile.

    “Kontrolli i punës së qeverisë nga publiku duhet të përmirësohet më tutje. Mbikëqyrja parlamentare mbi performancën e qeverisë, përfshirë agjitë nën qeverinë, duhet të forcohet. Monitorimi rregullator dhe institucional si dhe kuadri raportues për performancën e qeverisë janë ende të fragmentarizuara,” shkruhet në raport.

    BE kërkon gjithashtu krijimin e një institucioni të ri të pavarur për vlerësimin e rreziqeve fiskale.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Brukseli i shqetësuar: Edi Rama ka shkarrë ngë binarët, injoron parlamentin e qytetarët e vendi

    Zbulohet drafti: Kufizime për opozitën dhe mbyllje dyersh për komisionet hetimore


    Përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvend nga deputetja Ermonela Felaj, mazhoranca synon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore si dhe të zhvillojë seanca të mbyllura me pretendimin e mbrojtjes së sekretit tregtar, atij shtetëror dhe moralit shoqëror.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Felaj-1.jpg

Shikime: 126

Madhësia:  35.5 KB
    Deputetja socialiste, Ermonela Felaj. Foto: LSA.

    Qeveria shqiptare parashikon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare, përmes një projektligji të depozituar të enjten në Kuvend nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

    Drafti i siguruar nga BIRN parashikon gjithashtu që të mbyllë dyert e këtyre komisioneve për publikun përmes interpretimeve evazive për mbrojtjen e të dhënave personale të dëshmitarëve, mbrojtjen e sekretit tregtar, atij shtetëror apo mosdëmtimin e “moralit shoqëror”.

    Sipas ligjit aktual “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, mjafton kërkesa e 35 deputetëve dhe “Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit”.

    Por sipas draftit të Felajt, Kuvendi është i detyruar ta ngrejë komisionin në varësi të objektit të tij; kur çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit, kur objekti fokusohet në çështje dhe subjekte konkrete dhe kur ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes.

    Përcaktimi i objektit ka qenë në vijimësi mollë sherri mes opozitës dhe mazhorancës, e cila i ka cilësuar kërkesat për komisione hetimore të opozitës si tentativa për të hetuar individë dhe jo çështje që kishin të bënin me zbatimin e ligjit.

    Ndonëse komisionet hetimore janë vlerësuar si një mekanizëm në duart e minorancës për të ofruar transparencë, drafti i dorëzuar në Kuvend parashikon një seri rrethanash për mbylljen e dyerve të këtyre komisioneve.

    Mbledhje të mbyllura parashikohen gjatë dëshmive në komision, me arsyetimin se publiciteti mund të dëmtojë dëshmitarët ose të dhënat që paraqiten në komision.

    Ky propozim vjen në dy variante.

    Në variantin e parë, publiku përjashtohet nga mbledhjet me vendim të ndërmjetëm në rastet kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror.

    Në variantin e dytë, drafti parashikon mbylljen e dyerve në rastet kur “publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit”.

    Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe vetëm nëse komisioni e gjykon të nevojshme. Gjithashtu, ligji i ri detyron të gjithë anëtarët e komisionit që të mbajnë konfidenciale informacionet që dalin në këto mbledhje të mbyllura.

    Duke mbrojtur këto propozime, deputetja Ermonela Felaj tha të enjten për mediat se dëshmitarët nuk mund të trajtohen si të akuzuar. Sipas saj, deputetët që bëhen anëtarë të këtyre komisione mund të shkelin Kodin Penal, sepse nuk e njohin dhe mund ta shndërrojnë komisionin në një organ që nuk është.

    “Në Bundestagun gjerman nuk ndodh që të thirren dëshmitarë që janë të akuzës penale pa marrë lejen e prokurorit, ndërkohë në ligjin tonë nuk gjejmë garanci për dëshmitarin,” theksoi Felaj.

    Por propozimi i saj kundërshtohet nga opozita.

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, që drejtoi komisionin e fundit hetimor parlamentar për aferën e inceneratorëve, i tha BIRN se, dëshmitë nuk kanë pse të mbahen me dyer të mbyllura, as duke iu referuar rastit gjerman.

    “Mund të ketë mbledhje të komisioneve me dyer të mbyllura kur shqyrtohet dokumentacion me natyrë sensitive, por ne në rastin tonë, nuk kemi pasur sepse qeveria nuk na dha informacione të tilla,” tha Tabaku.

    Propozimet e tjera kanë të bëjnë me kërkesën për prova, që me ligjin aktual ishte e drejtë e çdo anëtari të komisionit.

    “Vendimarrja e lidhur me provat, realizohet me vendim të ndërmjetëm dhe si e tillë ajo i nënshtrohet shumicës që kërkon kjo lloj vendimmarrje,” propozon Felaj. E njëjta gjë parashikohet të ndodhë dhe me kërkesën për dëshmitarët.

    Që pas komisionit të bujshëm për aferën e inceneratorëve, mazhoranca ka refuzuar çdo kërkesë tjetër të opozitës, duke mohuar të drejtën kushtetuese për të kontrolluar qeverisjen, me pretendimin se ligji në fuqi ka nevojë për rregullime. Rrëzimi i kërkesave për komisionet hetimore parlamentare e ka shtyrë opozitën e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha që të radikalizojë qëndrimin e vet në Kuvend.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 15-01-2023, 21:02
  2. Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 01-11-2022, 11:58
  3. Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 24-08-2014, 12:45
  4. Ilir Meta: Edi Rama do te jete kryeminister i vendit
    Nga AlbaneZ në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 73
    Postimi i Fundit: 26-06-2013, 11:39
  5. Përgjigje: 159
    Postimi i Fundit: 21-06-2009, 12:50

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •