Close
Faqja 4 prej 8 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 75
  1. #31
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Edi Rama i dhuron portin e Shëngjinit Italisë për të strehuar refugjatët afrikanë

    Një propagandë transadriatike me refugjatë

    Marrëveshja Rama-Meloni për procesimin e kërkesave për azil në Shqipëri të refugjatëve që mbërrijnë në Itali vështirë se do të zgjidhë problemin italian apo evropian të azilkërkuesve, por dukshëm do të ndihmojë qeverinë italiane që të karikojë votuesit e vet, ndërsa arsyet se pse Rama sillet në këtë mënyrë mbeten për t’u parë.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Rama-Meloni-.jpg

Shikime: 838

Madhësia:  49.6 KB
    Kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni gjatë firmosjes së marrëveshjes për emigrantët. Foto: Screenshot nga videoja e shpërndarë nga kryeministria.


    Le ta nisim nga shifrat. Këtë vit, në brigjet e Italisë kanë mbërritur 127 mijë refugjatë. Ata që mbërrijnë, aplikojnë për azil. Autoritetet italiane marrin gjashtë muaj deri në një vit për të procesuar kërkesat dhe për të gjykuar nëse azilkërkuesi është një person të cilit i rrezikohet jeta në vendin e origjinës dhe ka nevojë për mbrojtje në bazë të ligjit ndërkombëtar, apo është një emigrant ekonomik, kërkesa e të cilit refuzohet dhe ai urdhërohet të kthehet në vendin e vet apo kthehet me forcë. Sipas kryeministrit Edi Rama, Italia ka në plan që rreth tre mijë njëherësh nga këta azilkërkues, të kalojnë kohën e pritjes së tyre jo në Itali, por në Gjadër, në Shqipëri. Dhe nëse marrim parasysh afatin gjashtëmujor të procesimit, kjo është një shifër e papërfillshme në raport me numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve që mbërrin në Itali. Por edhe nëse koha e trajtimit të kërkesave shkurtohet dhe vendimet merren, fjala vjen, brenda një muaji, sërish në një vit në Shqipëri do të “procesohen” një pjesë shumë e vogël e azilkërkuesve.

    Shifrat janë problemi i parë. Problemi i dytë, të cilit Rama dhe Meloni nuk i kanë dhënë përgjigje është: pse në Shqipëri dhe jo në Itali? Çfarë logjike ekonomike ka që Italia të investojë për ndërtim kampi refugjatësh në Shqipëri, të paguajë koston e transportit të tyre nga Italia në Shqipëri dhe nga Shqipëria e kthim pas, (në rast përgjigjeje pozitive), në një kohë që azilkërkuesi është sakaq në Itali?

    Të sugjerosh se pjata e supës apo kostoja e strehimit të një refugjati në Shqipëri është më e lirë se sa në Itali, aq më e lirë sa të justifikojë edhe koston e transportit, ky duket një ushtrim aritmetikor paksa i pagjasë.

    Por fakti që Meloni ka zgjedhur Gjadrin në vend të Barit, Napolit apo një nga qindra qytetet e fshatrat e Italisë dhe fakti tjetër që shifra e azilkërkuesve të transferuar kurrsesi nuk e zgjidh problemin, gjasat janë që kjo është një masë për konsum politik të brendshëm.

    Meloni, kryeministre e Italisë dhe drejtuese e një partie të etiketuar gjerësisht si ekstrem i djathtë, është duke masturbuar votuesit e vet me idenë se ajo ka forcë t'i hedhë azilkërkuesit e padëshirueshëm në anën tjetër të Adriatikut, ku miku i saj, Edi Rama, i cili supozohet se është kryetar i një partie të majtë, është shumë i lumtur t'ia presë topin e propagandës Melonit.

    Rama nuk ka shprehur ndonjë shqetësim për shtetasit e vet që rrezikojnë jetën me gomone për të kaluar La Manche. Për rrjedhojë, vështirë të presësh ndonjë ndjeshmëri në lidhje me të drejtat e refugjatëve më së shumti afrikanë që mbërrijnë në Itali. Vetëm se përpjekja e tij për ta paraqitur këtë si veprim human është diçka që të bën për të vjellë. Të gjitha aktet e bëra nga qeveria e tij dhe ajo paraardhëse, si pranimi i refugjatëve iranianë apo atyre nga Afganistani janë gjëra të cilat meritojnë lavdërim. Janë veprime humane në një botë aspak humane. Kjo e fundit nuk ka kurrfarë lidhjeje me to. Kjo nuk është të mikpresësh refugjatë, por të dhunosh refugjatë.

    Rama, kryeministër i një qeverie të korruptuar, dukshëm është në pozicion komod politik për të bërë edhe këtë dhunim të të drejtave të azilkërkuesve që synojnë të mbërrijnë në Bashkimin Evropian dhe jo në parajsën imagjinare të propagandës së tij në Shqipëri.

    Ai është në gjendje ta bëjë këtë edhe duke parë se si, një pjesë e popullsisë, përfshirë disa politikanë të opozitës që po ushqejnë fobitë e zakonshme të shqiptarëve ndaj të huajit, veçanërisht azilkërkuesit afrikan, në një vend që sot e kësaj dite vijon të prodhojë edhe vetë azilkërkues falsë në vendet e BE-së. Veçanërisht fabula e “koshit të mbeturinave” është e neveritshme, pasi i vë refugjatët në kategorinë e mbeturinave. Shqiptarët duhet të kundërshtojnë marrëveshjen jo për të refuzuar refugjatët, por për t'i mbrojtur të drejtat e tyre.

    Por në finale, gjithçka duket e lidhur me propagandën dhe asgjë me zgjidhjen reale të problemit të azilkërkuesve, të cilin, Italia, pasi ka tentuar pa sukses ta zgjidhë në kuadër të BE-së, po përpiqet ta zgjidhë me propagandë. Meloni po kërkon t'i thotë votuesve të vet të ekstremit të djathtë: “shikoni, problemin me refugjatët, e zgjidha, po i dërgoj në Shqipëri te miku im Edi Rama,” pavarësisht se në praktikë, shumica dërrmuese e azilkërkuesve do të mbeten në Itali.

    BIRN

  2. #32
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Edi Rama i dhuron portin e Shëngjinit Italisë për të strehuar refugjatët afrikanë

    Refugjatët në Gjadër, qeveria italiane miraton marrëveshjen me Shqipërinë

    Emri:  Meloni-Rama.jpg

Shikime: 821

Madhësia:  44.8 KB

    Qeveria italiane i ka hapur rrugë miratimit të marrëveshjes Rama-Meloni për transferimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri. Këshilli i ministrave ka dhënë miratimin e tij për projektligjin që ratifikon marrëveshjen e lidhur mes liderëve të dy vendeve.

    Protokolli i prezantuar nga dy krerët e qeverive, Giorgia Meloni dhe Edi Rama, parashikon krijimin e strukturave në Shqipëri për të mirëpritur emigrantët që kanë zbarkuar në brigjet italiane.

    Kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se marrëveshja ka nisur të ideohet në gushtin e kaluar gjatë pushimeve të Melonit në Dhërmi, por që pas bërjes së saj publike, kreu i qeverisë ka dhënë detaje kryesisht vetëm për mediat italiane.

    Koha Jone

  3. #33
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Albanistan: Marrëveshja me Italinë për emigrantët afrikanë miratohet pa debat në Kuvend

    Marrëveshja me Italinë për emigrantët miratohet pa debat në Kuvend

    Marrëveshja Rama- Meloni për ngritjen e një kampi të ngjashëm me burgun në territorin shqiptar, jo vetëm që nuk shkaktoi debat, por u propozua të që hynte në fuqi menjëherë, pa pritur afatin e dekretimit të Presidentit të Republikës.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Rama-Meloni-.jpg

Shikime: 918

Madhësia:  49.6 KB
    Kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni gjatë firmosjes së marrëveshjes për emigrantët. Foto: Screenshot nga videoja e shpërndarë nga kryeministria.

    Komisionet Parlamentare kaluan në shqyrtim dhe miratim brenda disa orëve të hënën projektligjin për ratifikimin e protokollit mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për emigracionin, që parashikon ngritjen në territorin e Shqipërisë të qendrave për emigrantët.

    Nëpërmjet mbledhjeve online, komisioni i Jashtëm, i Ligjeve dhe më pas ai i Sigurisë, si komision përgjegjës e miratuan protokollin pa debat, në mungesë edhe të deputetëve të opozitës, ndërsa ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, bënë prezantimin e kësaj marrëveshjeje.

    Marrëveshja pritet të kalojë të enjten në seancë plenare dhe të hyjë në fuqi menjëherë, pa kaluar procedurat pritëse për dekretin e Presidentit të Republikës. Propozimi erdhi nga kryetari i komisionit të Sigurisë, Nasip Naço.

    “Këtu thuhet që ‘hyn në fuqi 2 javë pas botimit në Fletoren Zyrtare', a do t'i ishit dakord që t'i kërkojmë Presidentit që të japë miratimin dhe kjo marrëveshje të hyjë në fuqi menjëherë?”- pyeti Naço ministrin Balla, i cili mbështeti idenë dhe më pas komisioni votoi ndryshimin e nenit përkatës.

    Marrëveshja u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe u bë publike disa ditë më vonë.

    Rama u angazhua që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare.

    Sipas Ballës, ky vendim i qeverisë shqiptare lidhet me përgjegjësitë e vendit në procesin e integrimit europian dhe si shenjë solidariteti me vendin fqinj italian. Ndërkohë Bashkimi Europian nuk u konsultua për këtë marrëveshje, sipas ish-ambasadorit në Tiranë, Luigi Soreca.

    Më tej, ministri ripërsëriti faktin se pala italiane do të marrë përsipër gjithë kostot financiare, jo vetëm të ndërtimin dhe funksionimit të kampeve, por edhe të shpenzimeve të sigurisë në perimetrin e jashtëm të tyre.

    “Shqipëria i jep në përdorim qeverisë italiane një sipërfaqe pasurie shtetërore për ngritjen e strukturave,“ tha Balla, duke shtuar se nuk bëhej fjalë për “asnjë formë të cedimit të territorit”.

    Sipas Ballës, numri i emigrantëve që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë nuk mund të kalojë shifrën 3 mijë dhe koha e qëndrimit të tyre do të jetë 28 ditë, sa ç'është afati i shqyrtimit të kërkesës për azil.

    Që nga publikimi i saj kjo marrëveshje është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut.

    Amnesty International e cilësoi atë të paligjshme dhe e pazbatueshme, ndërsa një grup prej 29 organizatash të tjera, të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut, iu drejtuan qeverisë shqiptare në një letër të hapur duke kërkuar tërheqjen nga kjo marrëveshje, pasi sjell shkelje të këtyre të drejtave dhe ‘burgosje të padrejtë'.

    BIRN

  4. #34
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Gjykata Kushtetuese: Marrëveshja e Ramës me Italinë për refugjatët afrikanë është antikushtetuese

    Refugjatët në Gjadër, Gjykata Kushtetuese rrëzon Ramën. Pezullohet ratifikimi në Kuvend

    Emri:  672-380-1702214315xrama-meloni-refugjatet-883.jpg

Shikime: 3856

Madhësia:  47.4 KB

    Gjykata Kushtetuese rrëzon Edi Ramën, pasi bën me dije se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

    Seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00. 30 deputetë të Bardhit dhe Berishës dorëzuan në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët, duke e cilësuar si anti-kushtetuese.

    Pak orë para se Gjykata Kushtetuese të dilte me njoftimin ku sqaron se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët kundër marrëveshjes me Italinë, Gazment Bardhi akuzoi institucionin nëpërmjet një deklarate ku shprehej se vonesa për të marrë në shqyrtim kërkesën është e koordinuar me Ramën.

    “Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës. Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00″, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

    Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

    Koha Jone

  5. #35
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Gjykata Kushtetuese: Marrëveshja e Ramës me Italinë për refugjatët afrikanë është antikushtetue

    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese intervistë për ''Corriere della Sera'': Ja pse pezulluam marrëveshjen për emigrantët me Italinë

    Emri:  -640-0-holta-1702569141.jpg

Shikime: 828

Madhësia:  35.8 KB

    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka dhënë një interviste për gazetën italiane, Corriere della Sera në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimit të marrëveshjes me Italinë për transferimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri.

    “Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Zaçaj, gjatë një bisede telefonike me Corriere.

    Kryetare, të sqarojmë ndërkohë pyetjen: a i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?
    “Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve.

    Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin.

    Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në brendësi të protokollit të nënshkruar”.

    Çfarë kontestojnë tridhjetë deputetët?

    “Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit.

    Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje ka nevojë për autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale.

    Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve”.

    Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.

    Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?

    “Sepse pas ratifikimit, Gjykata – sipas rregullave tona – nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”.

    A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?

    “Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris përsëri: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje”.

    Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t’ju detyruar të shtyni vendimin.

    “Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim.

    Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024, Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo”.


    ORA NEWS

  6. #36
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Gjykata Kushtetuese: Marrëveshja e Ramës me Italinë për refugjatët afrikanë është antikushtetue

    Pezullimi i marrëveshjes për emigrantët, Rama: Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese

    Emri:  rama9-1.jpg

Shikime: 819

Madhësia:  30.8 KB

    Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes së emigrantëve, kryeministri Edi Rama e konsideron një të drejtë kushtetuese.

    “Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese. Detyra e saj për të shqyrtuar një marrëveshje ndërkombëtare para ratifikimit. Nuk shoh asgjë që të lidhet me detyrat e mia”, tha kreu i qeverisë, i pyetur sot nga gazetarët, gjatë një konference për shtyp.

    Koha Jone

  7. #37
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Edi Rama i dhuron portin e Shëngjinit Italisë për të strehuar refugjatët afrikanë

    Von Der Leyen, letër udhëheqësve të BE-së në përkrahje të marrëveshjes Shqipëri – Itali për migrantët

    Emri:  Capture-52.jpg

Shikime: 812

Madhësia:  24.6 KB

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për marrëveshjen përmes së cilës Shqipëria do të presë mijëra emigrantë të kapur në det dhe të transferuar atje nga autoritetet italiane, megjithëse Gjykata Kushtetuese shqiptare vendosi të marrë në shqyrtim çështjet ligjore të marrëveshjes duke e vonuar futjen në fuqi të saj.

    Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, që filluan një takim të nivelit të lartë të enjten në Bruksel, zonja von der Leyen vlerësoi “nismat e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë “marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë”.

    “Ky shërben si një shembull i të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shkroi zonja von der Leyen, në një letër që përshkruan përparimin e bërë për ndalimin e hyrjes pa autorizim brenda bllokut evropian.

    Sipas marrëveshjes pesëvjeçare që u nënshkrua muajin e kaluar, Shqipëria do të strehonte deri në 36,000 emigrantë për një vit, ose rreth 3,000 në muaj, të cilët përpiqen të hyjnë në Itali pa dokumentacionin e duhur, kryesisht në udhëtime të rrezikshme përmes detit.

    Marrëveshja do të përfshinte njerëz që janë shpëtuar ose “kapur” nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare. Ata emigrantë të kapur në ujërat territoriale të Italisë do të ruajnë të drejtën e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së, për të aplikuar për azil në Itali dhe gjithashtu do të shqyrtohen kërkesat e tyre atje.

    Shqipëria do t’i strehonte emigrantët në dy objekte, njëra në portin e Shëngjinit, ku do merren të dhënat personale dhe bëhet verifikimi i parë i migrantëve, dhe tjetra në Gjadër, ndërsa Italia do të përshpejtonte kërkesat e tyre për azil. Italia do të mbetet ligjërisht përgjegjëse për migrantët gjatë gjithë procesit. Roma do t’i mirëpriste ata nëse do t’u jepej mbrojtje ndërkombëtare ose do të organizonte kthimin mbrapsht nga Shqipëria nëse u refuzohet kërkesa.

    Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulli të paktën përkohësish ratifikimin e marrëveshjes. Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj tha se një seancë publike do të mbahet më 18 janar për të përcaktuar nëse marrëveshja shkel kushtetutën e Shqipërisë.

    Vendimi u mor pasi opozita shqiptare u ankua te Gjykata Kushtetuese, duke argumentuar se strehimi i migrantëve në këtë mënyrë do t’u mohonte atyre “çdo të drejtë që Kushtetuta shqiptare u ofron individëve” dhe do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

    Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, organ mbikëqyrës i të drejtave të njeriut që nuk është pjesë e BE-së ngriti gjithashtu shqetësime të enjten për marrëveshjen Itali-Shqipëri.

    “Ndalimi jashtë-territorial i refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, siç parashikohet në memorandum, mund t’i privojë ata nga garancitë thelbësore”, thuhet në një raport, të përpiluar pas një vizite në qershor në Itali nga Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatioviç.

    Raporti vuri në dukje se marrëveshja “karakterizohet nga shumë paqartësi ligjore. Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe përgjegjësinë për shkeljet”.

    Në letrën e saj, Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen vuri në dukje se komisioni ka dhënë 473 milionë euro për të ndihmuar në forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së, veçanërisht në rritjen e mbikëqyrjes së kufirit tokësor, përfshirë pajisjet e monitorimit elektronik dhe sistemet e reja kompjuterike.

    “Investime të ngjashme nevojiten për pajisjet e mbikëqyrjes kufitare për kufijtë detarë pasi mbikëqyrja ajrore para-kufitare është thelbësore për të parandaluar mbërritjet e parregullta dhe humbjet e jetëve në det”, shkroi ajo. Ajo vuri në dukje se komisioni është “i gatshëm të vazhdojë të sigurojë financim të qëndrueshëm për këto iniciativa të rëndësishme”.

    Pasi mbi një milion emigrantë hynë në BE në vitin 2015, BE-ja arriti një marrëveshje me Turqinë, duke përfshirë miliarda euro ndihmë për refugjatët sirianë në territorin e saj, bisedime të shpejta për anëtarësim dhe stimuj për viza, për të bindur presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të parandaluar njerëzit që të vazhdojnë rrugën për në Evropë.

    Pavarësisht kostove dhe prishjes përfundimtare të marrëveshjes, ajo reduktoi me shpejtësi mbërritjet e emigrantëve nga Turqia. E inkurajuar nga rezultatet, BE-ja ka vazhduar të punojë në marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera nga të cilat migrantët largohen ose kalojnë tranzit për të shkuar në Evropë.

    “Agjencitë e BE-së kanë vazhduar të zgjerojnë përpjekjet e tyre në Afrikën e Veriut, duke ndërtuar marrëdhënie me Tunizinë, Egjiptin dhe Marokun”, tha zonja von der Leyen në letrën e saj.

    Zonja Von der Leyen tha gjithashtu se komisioni ka vazhduar “të shumëfishojë dhe thellojë partneritetet tona të migracionit” gjatë vitit 2023, duke përfshirë Bangladeshin, Irakun, Nigerinë dhe Pakistanin.

    VOA

  8. #38
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Edi Rama i dhuron portin e Shëngjinit Italisë për të strehuar refugjatët afrikanë

    Pezullimi i marrëveshjes së refugjatëve, reagon Meloni: E respektoj

    Emri:  auto_eeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeee1702664784.jpg

Shikime: 813

Madhësia:  30.8 KB

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni thotë se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që mori për shqyrtim paktin për strehimin e emigrantëve ilegalë në vendin tonë.

    Meloni u shpreh në një prononcim për mediat, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë nuk cënon paktin mes dy vendeve.

    “Nuk mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ndikon në paktin me Italinë, por ne nuk do të ndërhyjmë në vendimet e një organi të një vendi sovran”, tha kryeministrja Giorgia Meloni në një konferencë për shtyp në përfundim të Këshillit Evropian në Bruksel.


    Syri

  9. #39
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Marrëveshja: Gati të investojmë 300 milion euro të kthejmë Shqipërinë në zorrën e trashë të Italisë

    Marrëveshja me Italinë për emigrantët/ “L’espresso” zbardh raportin teknik: Ndërhyrjet për kampin do të kushtojnë 300 mln euro

    Emri:  Meloni-Rama-2.jpg

Shikime: 893

Madhësia:  43.6 KB

    Një dokument i pazbuluar që lidhet me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët afrikanë është publikuar nga mediat italiane. Bëhet fjalë për raportin teknik të kampit të emigrantëve, i nënshkruar nga Biagio Mazzotta, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit, që zbulon me detaje çfarë përmban marrëveshja e firmosur nga Rama dhe Meloni në Itali.

    Protokolli i nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria ka një vlerë prej 230 milionë eurosh. Për më tepër, janë edhe 75 milionë të tjera për eksportin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor italian me Shqipërinë. Fatura totale shkon më shumë se 300 milionë euro.

    Sipas dokumentit, e terë zona ku do të ngrihet kampi i refugjatëve nuk është e pajisur me kanalizim publik. Për kanalizimin e ujerave të zeza, është e nevojshme të ndërtohet një rezervuar me kapacitet të përshtatshëm për të zbrazur periodikisht me një mjet përpunimi ose është e nevojshme të ndërtohet një impiant për pastrimin e tyre.

    Zona është e lidhur me rrjetin elektrik publik në tension të mesëm përmes kabllove ajrore. Në dokument theksohet se rastet e mungesës së energjisë elektrike janë të shpeshta, prandaj është e nevojshme të furnizohet zona me gjeneratorë për furnizimin me energji elektrike dhe funksionimin e vazhdueshëm të kompjuterëve dhe serverave.

    Uji i pijshëm merret nga një depo me një pompë, që nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë qendrën. Është e nevojshme të parashikohet ndërtimi i rezervuarëve për të siguruar ujin në kamp.

    Zona në tërësi nuk është urbanizuar, prandaj është e nevojshme të ndërmerren hapa për largimin e dherave, prerjen e pemëve, shembjen e rrënojave ekzistuese, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës, për hyrjen në zonë dhe brenda saj. Po ashtu, sipas marrëveshjes, përdorimi i personelit të Ministrive të Brendshme, të Drejtësisë, e të Shëndetësisë në Shqipëri, përfshirë udhëtime, ushqim dhe strehim, kërkon fonde shtesë prej 57,7 milionë eurosh. Sipas gazetës italiane l’Espresso, 10 Qendrat e Përhershme të emigrantëve në territorin italian kanë kushtuar 52 milionë euro për katër vjet, ndërsa transformimi i Shëngjinit dhe veçanërisht Gjadrit do të kushtojë të paktën pesë herë më shumë për pesë vitet e ardhshme.

    Gazeta L’Espresso paralajmëron se do të ketë një shërbim të dedikuar tërësisht për marrëveshjen me Shqipërinë dhe çdo ditë do të publikojë ato që i cilëson si anët e errëta të paktit Rama-Meloni.

    Video

    Balkanweb

  10. #40
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Edi Rama i dhuron portin e Shëngjinit Italisë për të strehuar refugjatët afrikanë

    ‘Italianët pyesin se çfarë përfiton Shqipëria’/ Zhulali: Teoria e Ramës për refugjatët e pabesueshme

    E ftuar në Task Force në SYRI TV me Sonila Meçon, ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilda Zhulali ka folur për rrëzimin e paktit Rama-Meloni për refugjatët, nga ndërkombëtarët.

    Zhulali bëri një paralelizëm ndërmjet procedurës së ndjekur nga parlamenti italian dhe atij shqiptarë në lidhje me këtë marrëveshje problematike, duke theksuar se në parlamentin shqiptar, në komisionin e jashtëm nuk kishte asnjë pyetje, nuk kishte as kureshtje, as dyshime asgjë.

    Zhulali: Shteti italian edhe pse është ai që ka nevojë për të zgjidhur problemin e emigrantëve, edhe pse qeveria italiane është ajo që është e interesuar që kjo marrëveshje të kalojë sa më shpejtë, ndoshta pa zhurmë, ndoshta pa vëmendjen e duhur, megjithatë është një shtet serioz që ndjek të gjitha procedurat e duhura dhe i kushton vëmendje të gjithë zërave që vijnë për ta skanuar këtë marrëveshje, nëse ajo qëndron në të gjitha termat dhe aspektet e saj, qoftë politikë, ligjor, ekonomik apo nqs është i zbatueshëm ky protokoll dhe a do të prodhojë një zgjidhje të qëndrueshme për italinë, a do ta zgjidhë problemin e emigracionit dhe a do të mund të përbënte një model për vendet e tjera europiane.

    Më vjen mirë që shikoj këtë seancë kaq serioze në parlamentin italian dhe do të kishte qënë mirë që e njëjta seancë të ndodhte në Shqipëri, veçanërisht për faktin se ne do të ishim shteti pritës i këtyre refugjatëve.

    Të gjithë gazetarët italinë që kanë ardhur kanë treguar vëmendje ndaj kësaj marrëveshje dhe kanë bërë një pyetje, çfarë përfiton Shqipëria nga kjo marrëveshje? Pse po e pranon Shqipëria këtë marrëveshje? Dhe askush nuk është bindur nga teoria e kryeministrit Edi Rama se kjo bëhet se refugjatët shqiptarë gjetën mikpritjen në Itali por ata kërkojnë të dijnë çfarë vallë e shtyn Shqipërinë që ta pranojë këtë marrëveshje sepse ajo është problematike.

    Ndërsa në parlamentin shqiptar, në komisionin e jashtëm nuk kishte asnjë pyetje, nuk kishte as kureshtje, as dyshime asgjë. Pati një seancë që u zhvillua online madje një nga deputetët po bënte shëtitje dhe bënte sikur merrte pjesë në komision, të tjerët e morën me lehtësi. Por nuk pati asnjë senacë serioze që duhet të binte ata në radhë të parë se kanë përgjegjësi politike ndaj qytetarëve shqiptarë që ata përfaqësojnë.

    Këtë procedurë normale që duhet të bënte çdo shtet serioz nuk e pamë në parlamentin shqiptar por e pamë në parlamentin italinë.

    Video


    Syri

Faqja 4 prej 8 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 16-09-2024, 22:21
  2. Vatikan: Kryeministri Rama takon Papën, krenohet me refugjatët afganë
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 28-11-2021, 02:38
  3. Albanistan: Fondet e BE-së u përdorën nga Rama për blerje votash
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-05-2021, 09:56
  4. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 17-03-2021, 21:19
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2018, 20:55

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •