Me urdhër të SPAK, policia ka ndaluar mbrëmjen e sotme në Rinas, dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin.
Ndalimi i tij, është bërë ndërsa ai ishte kthyer nga Vlora për në Rinas ku po priste bashkeshorten e cila po kthehej nga Gjermania. Oficerët OPGJ e kanë kontaktuar Malltezin në mjedisin e aeroportit ku i kanë komunikuar se ndaj tij ka urdhër ndalimi.
Ndalimi i Malltezit është bërë për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, dhe kthimin e kësaj zone në fushë ndërtimi. Gjithashtu për këtë çështje është shpallur ndalimi edhe për ndërtuesin dhe zhvilluesin e kësaj zone, Fatmir Bektashi i cili ndërtoi aty 19 kulla.
Por surpriza në këtë rast është fakti se i pandehur si i dyshuar është edhe ish kryeministri Berisha në kohën e drejtimit të qeverisë prej të cilit është bërë edhe privatimimi i trojeve të kësaj prone. Ndaj Sali Berishës Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masë detyrim paraqitje dhe bkkolim të pashaportës dhe ndalim të daljes jashtë shteti.
Prokuroret që i kane marrë këto masa janë ish shefi i SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Dosja e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani u denoncua në SPAK nga taulant balla në vitin 2020 për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal.
Për pastrimin e produkteve të veprës penale parashikohet 5-10 vite burg, ndërsa kur vepra kryhet në bashkëpunim, siç edhe pretendohet në denoncim, parashikohet një dënim jo më pak se 15 vjet me burgim.
Në denoncim pretendohej se trashigimtarët e kësaj toke që i ishte shitur më parë italianëve gjatë pushtimit, përpos rikthimit të saj morën edhe sipërfaqe plus. Pra se morën 26 mijë m2 tokë, nga 24 mijë që mund t’u takonin, duke përvetësuar kështu edhe 4 mijë m2 pronë publike që i takonte ish klubit Partizani.
Vetë Berisha gjatë një konference urgjente për shtyp e ka konsideruar veprimin e SPAK-ut si politik dhe e ka lidhur atë me radikalizimin e aksionit opozitar në parlament duke e parë si një kundërpërgjigje ndaj tij.
“Mos i ngatërrojmë gjërat, ajo që nisi ditën e enjte është pa kthim. Edi Rama përpiqet ti mpleksë, por me dështim” tha asi për gazetarët pasi doli nga selia mbrëmjen e së shtunës vonë.
Ndërsa në Partinë Demokratike janë të skandalizuar me atë që ata e quajnë shkelje kushtetute për të kufizuar lirinë e lëvizjes së një deputeti, pa marrë më parë miratimin e Kuvendit.
“Tashmë është praktikë e konsoliduar e parlamentit të Shqipërisë se prokuroria duhet të kërkojë leje nga Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin jo vetëm për arrestin, por dhe çdo lloj mase tjetër kufizimi të lirisë të çdo shtetasi shqiptar, që është deputet. Urdhëri për detyrim paraqitje të deputetit Sali Berisha kufizon lirinë kushtetuese për të lëvizur lirshëm brenda vendit” tha për mediat zv/kryetari i PD Oerd Bylykbashi.
Por edhe marrja e pashaportës për të mos udhëtuar jashtë është sipas juristëve të PD një shkelje tjetër e kushtetutës. “Nenin 73 i Kushtetutës, detyron që në rast të arrestit apo të çdo lloj kufizimi në çdo formë të lirisë së një deputeti, duhet të kërkohet paraprakisht miratimi i parlamentit,” këmbënguli Bylykbashi.
Këto episode si dhe nxitimi i policisë së shtetit për ti’a behur në selinë e PD-së i kanë bërë opozitarët që ta konsiderojnë atë që ndodhi si një puç të përgatitur nga Edi Rama.
©Lapsi.al
Krijoni Kontakt