Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 14 prej 14
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,995
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Samiti i Proçesit të Berlinit, krerët e Evropës mblidhen në Tiranë

    Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë: Kosova ende kërcënohet me pushtim nga Serbia

    Emri:  ZKP-ZKM-16-10-2023-8-600x360-1.jpg

Shikime: 136

Madhësia:  22.4 KB

    Kryeministri Albin Kurti ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në veriun e Kosovës në Samitin e sotëm të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Tiranë.

    Në sesionin e parë me temën “Integrimi i rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i konvergjencës me BE”, Kurti zgjodhi të fliste për “aktin e ligë të sponsorizuar nga Serbia”. Pasi e falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz për organizimin e këtij samiti, Kurti nisi të tregojë për kërcënimin e Serbisë me luftë ndaj Kosovës.

    “Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.

    “Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi ai.

    Kurti tha se “qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku”. Ai foli më tej për përgjegjësinë e liderëve “për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët”.

    “Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, tha Kurti.

    Ai tha se vitin e kaluar u nënshkruan tri marrëveshje, ndërsa shtoi se progresi “mund të ishte edhe më i shpejtë”.

    “Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, tha Kurti.

    Ai tha se e mirëpret marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe “marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira”.

    “Ne mbështesim “Planin me katër hapa” të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së”, tha Kurti.

    Kryeministri i Kosovës tha se janë të vetëdijshëm “për hendekun thelbësor të standardeve të jetesës me BE-në, i cili do të kërkojë kohë për t’u mbyllur”.

    “Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshme për rajonin tonë. Kosova, një demokraci e gjallë, është e përgatitur të përballet me sfida të reja dhe të përqafojë një të ardhme më të ndritshme. Në këtë drejtim, ne jemi të kënaqur që kemi krijuar Observatorin e Konvergjencës”, tha Kurti.

    Balkanweb

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,995
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Samiti i Proçesit të Berlinit, krerët e Evropës mblidhen në Tiranë

    “Dy republika, një komb”/ Një ditë pasi u shmangën në stadium, Albin Kurti mesazh të fortë Ramës

    Emri:  Kurti-Rama-scaled-e1628717323181-1536x863.jpg

Shikime: 139

Madhësia:  20.3 KB

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dërguar ditën e sotme dy mesazhe të forta në lidhje me bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    Jo më larg se dje Kurti ndoqi nga afër kombëtaren shqiptare në stadiumin “Air Albania”, aty ku ndodhej edhe Edi Rama, por dy liderët nuk u shfaqën pranë njëri-tjetrit.

    Kurti kujtoi ditën e sotme datëlindjet e Migjenit dhe të Dritëro Agollit, të cilët Rama nuk i përmendi aspak.

    “E kanë quajtur “uragan i ndërprerë” dhe “poet i mjerimit”, për vrullin dhe thellësinë e poezive dhe tregimeve të tij, në të cilat Migjeni ka fiksuar me tone të forta kritike gjendjen sociale në Shqipërinë e kohës kur jetoi. Veprat “Mollë e ndalueme”, “A don qymyr zotni”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Të birt’ e shekullit të ri”, sikur pothuajse çdo tekst a skicë e Migjenit, tashmë janë kthyer në tekste klasike të letërsisë shqipe.

    Kur Migjeni vdiq, Dritëro Agolli ishte vetëm 7 vjeçar dhe ndryshe prej tij, ai e pati fatin të jetonte gjatë, deri në moshën 85 vjeçare. Një jetë shumë e dendur për nga aktiviteti publik dhe veçanërisht e përshkuar nga një vepër artistike e larmishme nga pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë.

    Romanet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” si dhe “Arka e djallit”, janë shtyllat më të larta të prozës së Agollit, dy vepra të tejkoshme…”, u shpreh Kurti në rrjetet sociale.

    Vetëm një orë më pas, Kurti bëri një tjetër postim dhe këtë herë me mesazh me më shumë impakt.

    Ai ka treguar arritjet e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë në dy vite e gjysmë. Ai shkroi se sipas tij ka dy republika me Shqipërinë dhe Kosovën, por një komb.

    “Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit. Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”, ka thënë ai duke e mbyllur me fjalët: “Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, shkroi ai në Facebook.

    Balkanweb

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,995
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Samiti i Proçesit të Berlinit, krerët e Evropës mblidhen në Tiranë

    BE me plan ekonomik të kushtëzuar për vendet e Ballkanit

    Samiti i 10-të i procesit të Berlinit u mbajt të hënën në Tiranë, ku liderët e Bashkimit Europian premtuan një plan për rritjen ekonomike për zhvillimin e tregut rajonal në Ballkanin Perëndimor, por të kushtëzuar nga reformat.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Foto-familjare.jpg

Shikime: 119

Madhësia:  49.4 KB

    Në ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, i cili e mbajti të izoluar Shqipërinë për afro gjysmë shekulli nga Perëndimi, kryeministri Edi Rama zgjodhi ish-mauzoleumin e tij për të pritur liderë të Bashkimit Europian dhe homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e radhës së Procesit të Berlinit.

    Samiti i 10-të i procesit të inicuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014 u mbajt për herë të parë në një vend jo anëtar të BE-së.

    Kryeministri Rama ishte kujdesur për notat e spektaklit të aktivitetit, që ironikisht përfundoi me mungesën e përkthimit në konferencën finale për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Në hyrjen e COD në kryeministri të pranishmit ndoqën një performancë baleti të koreografit Angjelin Preljocaj, ndërsa tryezës kryesore të diskutimit i parapriu shfaqja e një dokumentari mbi historinë e ndërtesës dhe të vendit, ku Rama ishte edhe narratori.

    “Bashkë me 2.2 milionë shqiptarëve të tjerë na ishte mësuar që të mos vinim tek ju, të mos i shtrëngonim duart me ju, dhe nëse ju do të guxonit të vinit këtu, t'u vrisnim,” thotë ai ndër të tjera në videon 7 minutëshe.

    Gjatë fotos familjare, liderët u bënë spektatorë të një shfaqje artistike me valle popullore ku përfaqësoheshin të gjitha pakicat etnike në Shqipëri.

    Përtej fasadës së një fronti të bashkuar në një synim të përbashkët, samiti nuk i fshehu dot problemet mes vendeve të rajonit.

    Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se kishte ardhur në Tiranë që t'i kërkonte Ramës që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, të lejohej të bënte betimin nga paraburgimi, ku ndodhet që në maj.

    Pas një rikonstruksioni total, Piramida u përurua si kampus për degën e re të Kolegjit Europian të Bryzhit në një ceremoni tjetër të veçantë gjatë ditës, ndërsa liderët e BE-së vunë theksin tek nevoja për reforma të shpejta për përafrimin e vendeve të Ballkanit me ekonomitë e vendeve anëtare.

    Plan i ri për rritjen ekonomike

    Emri:  rama-Scholz-Michel-1140x760.jpg

Shikime: 132

Madhësia:  39.4 KB
    Kryeministri Rama me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Foto: Nensi Bogdani.

    Presidentja e KE-së, von der Leyen, foli me optimizëm për një plan të ri rritjeje ekonomike për realizimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe nxitjen e këtyre vendeve drejt anëtarësimit të plotë brenda 2030-ës.

    Ajo tha se bëhej fjalë për një paketë investimesh prej 6 miliardë euro, e cila, -“do të kondicionohet nga reformat në secilën fushë ku do të investohet”.

    “Pavarësisht këtij optimizmi, mbetet shumë për t'u bërë,” tha ajo duke e konsideruar planin e ri si mundësi për dyfishuar potencialin ekonomik të rajonit.

    Synimi kryesor i këtij plani është futja e Ballkanit në tregun e përbashkët të BE-së, por para se të ndodhë kjo, sipas von der Leyen, “Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e përbashkët rajonal, që do të rriste GPB e tyre me 10%”.

    Kryeministri Rama foli për “detyrat e shtëpisë që duhen bërë” dhe nuk shfaqi padurimin e mëparshëm në raport me procesin e integrimit në BE.

    Optimist për këtë proces ishte në fakt presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i cili në fjalën e tij hapëse të samitit artikuloi dhe një datë kur BE do ishte gati të hapte sërish dyert e zgjerimit.

    “Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në BE. Ka qenë një rrugë shumë e ngadaltë. Zhgënjyese. Por tani, besoj që duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-ën për t'u zgjeruar,” tha ai duke shtuar se lufta në Ukrainë e kishte kthyer vëmendjen e Brukselit tek zgjerimi.

    Sulmi i 24 shtatorit nga një grup terrorist serb në Veri të Kosovës ishte në vëmendje të samitit të Tiranës, ku liderët e Bashkimit Europian e dënuan njëzëri dhe theksuan nevojën për pajtim dhe për të ecur drejt së ardhmes.

    “Mos i lini fantazmat e së shkuarës t'u vjedhin të ardhmen,” tha Michel duke u drejtuar përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.


    BIRN

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,995
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Samiti i Proçesit të Berlinit, krerët e Evropës mblidhen në Tiranë

    Charles Michel: “Zgjerimi i BE-së është një investim në paqe dhe prosperitet”

    Përpara një takimi të rëndësishëm në Tiranë të hënën, Presidenti i Këshillit Evropian thotë për BIRN se si BE-ja ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të realizuar procesin e integrimit.

    Nga Përparim Isufi

    Emri:  Rama-Charles-Michel-ne-samitin-e-berlinit-.jpg

Shikime: 123

Madhësia:  37.1 KB
    Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministri Edi Rama gjatë Samitit të Berlinit që mbahet në Tiranë më 16 tetor 2023. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.


    Ndërsa kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, përgatitet për një takim të nivelit të lartë që mbledh liderët e Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe gjashtë aspirantëve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i kërkon rajonit të bëjë lëvizje të guximshme në procesin e tyre të integrimit dhe që BE-ja t’i mbajë dyert hapur.

    Takimi është pjesë e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit, një nismë e mbështetur nga BE-ja për të nxitur bashkëpunimin rajonal midis Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për të ndihmuar përpjekjet e tyre për integrim evropian, të cilat deri më tani kanë rezultuar në disa nisma dhe angazhime.

    “Procesi i zgjerimit është një investim në paqe, në siguri, në prosperitet. Ka përgjegjësi, por edhe përfitime dhe përfitimet mund të jenë më të prekshme përpara se të presim vendimin përfundimtar”, tha Michel për BIRN në një intervistë telefonike të premten.

    Duke folur për BIRN nga zyra e tij në Bruksel, Michel tha se takimi i së hënës do të jetë një mundësi që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor “të sqarojnë se cilat janë qëllimet tona të përbashkëta”.

    “Liderët evropianë do të jenë të pranishëm së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ne mund të identifikojmë hapat e ardhshëm”, tha Michel.

    “Është një moment shumë i përshtatshëm sepse Komisioni Evropian supozohet të publikojë raportin e tij në javët në vijim dhe Këshilli Evropian do të mblidhet në dhjetor, dhe gjithashtu sepse një javë më parë në Granada, Spanjë, 27 liderët e BE-së filluan diskutimi për reformat që do të nevojiten nga ana e BE-së”, shtoi ai.

    Takimi pason dhunën e re në Kosovë

    Emri:  Mitrovice-foto-1140x641.jpg

Shikime: 121

Madhësia:  40.5 KB
    Rrethimi i manastirit të Banjskës, i treguar nga kryeministri Albin Kurti gjatë një konference për shtyp të dielën më 24 shtator 2023. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.


    Diplomati belg, i cili mori drejtimin e Këshillit Evropian në 2019, beson se një dialog i ngushtë ndërmjet lidershipit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie të madhe, “për t’u siguruar që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se ekziston një dritare e veçantë mundësish që nuk duhet humbur”.

    Por takimi i Tiranës vjen në sfondin e një incidenti të rëndë në veriun e paqëndrueshëm të Kosovës ku, më 24 shtator, një grup serbësh të armatosur vranë një oficer të Policisë së Kosovës në një pritë, ndërsa tre nga sulmuesit u vranë të njëjtën ditë pasi policia rrethoi grupin në fshatin verior të Banjskës, rreth 55 kilometra në veri të Prishtinës.

    Incidenti ishte një goditje ndaj përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të kapërcyer dallimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një procesi dialogu që filloi në vitin 2011 dhe rezultoi në një marrëveshje verbale midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në mars të këtij viti.

    Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshjeje as që ka filluar, ndërsa Kurti pohon se gjërat kanë ndryshuar që nga sulmi.

    Presidenti i Këshillit Evropian, i cili e dënoi incidentin e Kosovës, thotë se përdorimi i dhunës “nuk është mënyra evropiane për zgjidhjen e problemeve”.

    Michel po i bënte komentet e tij disa momente pasi partia serbe e Kosovës e mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, bëri një kthesë dhe pranoi të merrte pjesë në zgjedhjet komunale në komunat veriore me shumicë serbe – nëse kryetarët aktualë shqiptarë të Kosovës japin dorëheqjen dhe nëse autoritetet njoftojnë një datë të re zgjedhjesh.

    “Ky është një mesazh i rëndësishëm, për të bërë progres kur bëhet fjalë për zgjedhjet në veri të Kosovës, sepse ka një njoftim për zgjedhjet që do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm, kështu që të gjithë palët e interesuara duhet të punojnë së bashku për të bërë të mundur organizimin e këtyre zgjedhjeve”, shtoi Michel.

    Duke folur për sulmin vdekjeprurës në veri të Kosovës, për të cilin pala kosovare fajëson Serbinë, Michel tha se hetimet janë duke vazhduar.

    “Ka hetime në vazhdim dhe BE-ja është gjithmonë në anën e së vërtetës dhe le të bëjmë të mundur që ekipi i hetimeve të sqarojë se çfarë ka ndodhur. Ata që janë të përfshirë, autorët, duhet të dalin para drejtësisë, bazuar në atë hetim”, tha ai.

    Koha për të ndaluar “retorikën përshkallëzuese” në Bosnje

    Emri:  701px-Milorad_Dodik_mod.jpg

Shikime: 127

Madhësia:  39.7 KB
    Lideri politik serb i Bosnjes Milorad Dodik. Foto: Wikimedia Commons.

    I pyetur për deklaratat e përsëritura secesioniste të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, Michel tha: “Retorika përshkallëzuese nuk është zgjidhja. Nuk do të sjellë asnjë zgjidhje. Retorika inflamatore nuk është mënyra e duhur.”

    Bosnjës dhe Hercegovinës iu dha statusi i vendit kandidat për në BE vitin e kaluar dhe kreu i Këshillit Evropian kujton një takim që ai mbajti vitin e kaluar me liderët politikë të Bosnjës.

    “Kam pasur të drejtë që u kam besuar liderëve të ndryshëm politikë në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse pas atij takimi, u zhvilluan zgjedhjet dhe pas kësaj ne ishim në gjendje t’i jepnim statusin kandidat Bosnjës dhe Hercegovinës, që është një sinjal shumë i rëndësishëm që ne në anën e BE-së duam t’u besojmë liderëve politikë në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Michel.

    “Tani u takon liderëve politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë të tregojnë se sa sinqerisht duan të bëjnë përparim në rrugën drejt BE-së”, shtoi ai.

    Duke folur për Maqedoninë e Veriut, bisedimet e anëtarësimit të së cilës në BE janë peng i miratimit të amendamenteve kushtetuese në përputhje me kërkesat bullgare, Michel tha se pret që parlamenti i Maqedonisë së Veriut të miratojë ndryshimet, siç propozohet nga qeveria.

    “Dëshiroj të përgëzoj vendimin e marrë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për të miratuar ndryshimet kushtetuese në parlament. Qeveria po bën atë që duhet, për të bërë të mundur që parlamenti të marrë një vendim, por ne i dimë vështirësitë për të marrë një shumicë prej dy të tretash”, thotë ai.

    “E di që shumica dërrmuese e njerëzve në Maqedoninë e Veriut e shohin të ardhmen e tyre brenda BE-së dhe unë u them atyre mos u dorëzoni, bëni shumë të qartë se ju dëshironi të ardhmen tuaj brenda BE-së për më shumë prosperitet, për më shumë siguri, për më shumë. stabilitet dhe, sinqerisht, shpresoj se do të jetë e mundur të zgjidhet kjo çështje në parlament herët a vonë, dhe nëse do të ishte më shpejt, do të ishte më e mira”, shtoi ai.

    Michel thotë se si vendet e BE-së ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë gati për fazën tjetër të zgjerimit, të parashikuar për vitin 2030.

    “Kam bërë propozimin që në vitin 2030 të jemi gati nga të dyja palët. Duhet të jetë një ambicie e qartë dhe ndiej se ka gjithnjë e më shumë mbështetje”, tha Michel.

    “Nëse nuk caktoni një afat, edhe nëse nuk është një afat ligjor, atëherë ekziston një tundim për t’u zvarritur nga të dyja palët”, tha ai.

    “Mendoj se nëse jemi të sinqertë, nëse jemi shumë të vendosur, koha është e dobishme dhe jam shumë i kënaqur që Josip Borrell dhe komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, mbështesin idenë se koha është e dobishme, për të na detyruar të jemi aktive dhe të punojmë drejt këtij qëllimi”, përfundoi ai.


    BIRN

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 07-12-2022, 00:59
  2. Katolikët e gjithë Evropës në shtator në Tiranë
    Nga Mexhid Yvejsi në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 73
    Postimi i Fundit: 09-09-2011, 23:21
  3. Tiranë: Besimtaret myslimane mblidhen per iftarin
    Nga Drini_i_Zi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-09-2008, 17:54
  4. Ministrat e Drejtesise se Ballkanit mblidhen ne Tirane
    Nga StormAngel në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-10-2004, 20:41
  5. Implikimet e procesit global të shekularizmit
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 04-07-2004, 15:51

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •