Paqartësia institucionale pengon kërkimin e viktimave të komunizmit në Shqipëri

Tre dekada pas rënies së komunizmit, shqiptarët janë ende në kërkim të eshtrave të njerëzve të dashur të vrarë nga shteti, me institucionet publike që shmangin përgjegjësinë.

Nga Erald KapridheNajada Pendavinji

Emri:  Photo-1-1280x674-1.jpg

Shikime: 78

Madhësia:  46.5 KB
Portrete të 36 viktimave të zhdukura të regjimit komunist. Nga e majta në të djathtë: Ahmet Hoxha, Akile Tasi, Aleksander Lipe, Aurel Daberdaku, Ciprian Nika, Dervish Bejko, Enver Bicakani, Giueseppe Terrusi, Selman Ndreu, Xhemal Farka, Hamit Matjani, Koli Rodhe, Man Neza, Samije Fazo, Shpresa Sejko, Mark Cuni, Zef Prela, Myzafer Pipa, Muco Sharra, Namik Meqemeja, Ndoc Naraci, Ndue Gjon Progni, Ndue Perlleshi, Prek Cali, Reshit Kacaniku, Sali Saliaj, Ludovik Nikaj, Selim Rama, Maliq Ibro, Sokol Sejko, Sulejman Mara, Sejko, Teme Sejko, Trifon Xhagjika, Xhelal Hardolli, Gjelosh Deda. Foto kortezi e familjarëve të të zhdukurve.

Në qershor 2019, Dashurie Bishka udhëtoi për në fshatin Shën Vasil në Shqipërinë e jugut e shoqëruar nga një grup oficerësh policie me një hartë të vjetër topografike dhe një urdhër zhvarrimi.

Bishka ishte aty në emër të bashkëshortit të saj të ndjerë, Josifit, i cili kishte kaluar 20 vitet e fundit të jetës së tij duke kërkuar eshtrat e të atit, Stavri Bishkës.

I shpallur fajtor për “përvetësim të pasurisë” nën regjimin e mëparshëm komunist të Shqipërisë dhe i dënuar me 25 vjet burg, Stavri vdiq në vitin 1977 në kampin e punës së detyruar “Reparti 305 Përparim” në Shën Vasil.

Familja e tij nuk e mori kurrë trupin e tij dhe vendi ku u varros mbeti mister për katër dekada, derisa të afërmit e Stavrit bënë një kallëzim në prokurori.

Ata donin që eshtrat e tij “të preheshin pranë varreve të të parëve tanë në qytetin e Beratit”, tha mbesa e Stavrit, Nertila Mija Bishka.

Ndërsa numri i saktë nuk dihet, autoritetet shqiptare vlerësojnë se rreth 6,000 shqiptarë vdiqën nga torturat ose ekzekutimet jashtëgjyqësore ose u qëlluan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin midis viteve 1944 dhe 1991, kur Shqipëria drejtohej nga një diktaturë paranojake, staliniste.

Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, të afërmit e të zhdukurve kanë kërkuar të gjejnë eshtrat e tyre, por kanë marrë pak ndihmë nga shteti.

Në vitin 2018, kryeministri Edi Rama bëri një zotim të ri për gjetjen e të zhdukurve nëpërmjet një marrëveshjeje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP.

Por që nga ajo kohë, sipas të dhënave të Arkivit Online të Viktimave të Komunizmit, Kujto.al, janë dhënë vetëm tre urdhra zhvarrimi për 107 vendvarrime të identifikuara. Njëri ishte për Stavri Bishkën, tjetri u krye privatisht dhe i treti nuk u ekzekutua kurrë.

Tashmë, qeveria shqiptare po ndryshon sërish strategjinë e saj, duke e kthyer çështjen në një çështje administrative dhe jo penale. Por ICMP-ja tha se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.

“Nuk mund të ketë një shoqëri demokratike dhe të lirë të ndërtuar mbi varre të paligjshme dhe mbi trupat e atyre që nuk u identifikuan kurrë, ndërsa ata që kryen këto krime nuk u dënuan kurrë”, tha Luigj Ndou, kreu i marrëdhënieve të ICMP-së me qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës fqinje.

“Ne shpresojmë dhe besojmë se Shqipëria ka potencialin për ta çuar përpara këtë çështje”, tha ai. “Në fund të fundit, ne nuk po e bëjmë këtë për të vdekurit, por për të gjallët. Ne po e bëjmë këtë për të shëruar plagët e së kaluarës.”

Gërmime private

Emri:  Photo-2-1280x853-1-1140x760.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  45.7 KB
Autoritetet shqiptare kanë identifikuar 107 vende të dyshuara varrimi. Foto: AIDSSH.

Midis 1 shkurtit dhe 1 majit, Kujto.al zhvilloi një pyetësor online, duke kontaktuar familjarët e 175 personave të zhdukur nën sundimin komunist.

- Pesëdhjetë e pesë për qind thanë se kishin kryer kërkime private për eshtrat e të dashurve të tyre.
- Rreth 71 për qind e atyre që kryen kërkime të pavarura nuk arritën të gjenin një varr; pjesa tjetër ia doli.
- Gjysma e të gjithë të anketuarve thanë se të afërmit e tyre ishin ekzekutuar me ose pa gjyq; 23 për qind thanë se ata kishin vdekur gjatë vuajtjes së dënimit në burg ose internim; rreth 7 për qind raportuan se shkaku i vdekjes ishte tortura gjatë marrjes në pyetje; 6 për qind thanë se të afërmit e tyre u ekzekutuan ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin.
- Rreth 62 për qind thanë se kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve, si Ministria e Brendshme, Autoriteti i Regjistrimit ose policia. Gjashtëdhjetë e një për qind kishin një opinion negativ për përgjigjen nga autoritetet.


Taip Hoxha nga Gjirokastra, në Shqipërinë e Jugut, ishte mes atyre që u përgjigjën.

Tashmë 77-vjeç, Hoxha ka kaluar tre dekada duke kërkuar eshtrat e vëllait të tij, Ahmetit, i cili u pushkatua më 31 janar 1979 në Mirditë, pasi tentoi të arratisej nga burgu më famëkeq i Spaçit.

Kërkimi i tij e çoi Hoxhën në institucionet më të larta të shtetit, por gjëja më e afërt që mundi të gjente ishte një hartë e vjetër ku shkruhej “në rrugën e Kaçinarit”, diku në Mirditë.

“Kam nevojë për ndihmën e shtetit për të bërë gërmimin, përndryshe si mund ta gjej vendin e saktë?” tha ai.

Madje, Hoxha takoi dy pjesëtarë të skuadrës së pushkatimit që ekzekutuan vëllain e tij, duke gjetur emrat e tyre në një faksimile të urdhrit të ekzekutimit.

“Nuk u kërkova asgjë tjetër, vetëm trupin”, tha ai. “Ku është varri? E tillë ishte koha në atë epokë, thjesht bëre detyrën, thjesht na trego trupin.”

Por ata refuzuan.

Në skajin tjetër të vendit, në qytetin verior të Shkodrës, një histori të ngjashme kishte edhe Pjetër Deda, një 70-vjeçar me sy bojqielli.

“Të gjithë pasurinë që kisha, e shpenzova në kërkim të vëllait tim, Gjeloshit”, tha ai.

Pjetri, Gjeloshi dhe babai i tyre u etiketuan “armiq të shtetit” nga policia sekrete famëkeqe e Shqipërisë, Sigurimi, dhe u dënuan për agjitacion dhe propagandë.

Një pjesë të dënimit e vuajtën së bashku në Spaç, por Gjeloshi u vu sërish nën hetim dhe u transferua në një burg tjetër, në Pukë, më 22 mars 1978. Ata nuk dëgjuan më kurrë për të.

Pas rënies së komunizmit, Pjetri tha se i thanë se vëllai i tij ishte ekzekutuar, por ai ende nuk e ka gjetur varrin e tij.

“Nuk kam lënë gur pa lëvizur”, tha ai.


“Të tilla ishin ligjet e kohës”

Deri në vitin 2018, kur Shqipëria iu drejtua ICMP-së, vendi kishte miratuar rreth 24 akte legjislative në lidhje me të zhdukurit. Besohej gjerësisht se autoritetet kishin të gjithë informacionin e nevojshëm për t'i gjetur ata.

“Për ne, dukej shumë e lehtë”, tha Ndou. Por ICMP-ja nuk e kishte marrë parasysh burokracinë shqiptare.

Pas marrëveshjes së vitit 2018, ekspertët e ICMP-së u angazhuan për të ndihmuar në identifikimin e mbetjeve të gjetura gjatë një gërmimi privat të një varri masiv në malin e Dajtit, në lindje të kryeqytetit, Tiranë, dhe një vend të dytë pranë një ish-kampi internimi në Ballsh.

Por u desh shumë kohë dhe përpjekje vetëm për të marrë një urdhër zhvarrimi nga prokuroria e Tiranës për rastin e Dajtit me këmbënguljen e ICMP-së, e cila arriti në përfundimin se tre viktimat e identifikuara ishin torturuar para vdekjes. Urdhri i Ballshit nuk u ekzekutua kurrë.

“Për momentin, qëndrimi i prokurorisë është se këto janë krime të vjetra dhe nuk përbëjnë çështje penale, sepse kanë tejkaluar parashkrimin”, tha Ndou.

Kjo, tha ai, “u mohon të drejtën familjarëve jo vetëm për të ditur, por edhe për të gjetur drejtësi”.

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë mohoi pengimin e punës së ICMP-së, duke thënë se çështja ishte administrative.

“Prokurori e ka firmosur urdhrin për zhvarrimin në Ballsh, por nuk është në juridiksionin e saj zbatimin e këtij urdhri”, tha Kostaq Beluri, kreu i Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, duke e drejtuar gishtin nga policia.

Ministria e Brendshme, e cila është përgjegjëse për policinë, nuk iu përgjigj një kërkese për koment. As kabineti i Ramës, Këshilli i Ministrave.

Beluri tha se ligji ishte i qartë. Nëse një person është ekzekutuar me urdhër të një gjykate, ky nuk është domosdoshmërish një krim, tha ai. “Ai është ekzekutuar me vendim gjykate; të tilla ishin ligjet e kohës.”

Dyshime për të dhënat

Emri:  Photo-3-1280x746-1-1140x664.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  22.0 KB
Eduart Mjeshova kujton çastin e hidhur kur gjetën eshtrat e xhaxhait të tij në një ish-kompleks ushtarak në Gjirokastër. Foto: Kujto.al.

Nuk ka asnjë bazë të dhënash zyrtare të të zhdukurve në Shqipërinë e periudhës së komunizmit.

Shifra e përdorur nga autoritetet – afërsisht 6,000 – vjen nga kërkimet e bëra në mesin e viteve '90 për ndërtimin e një pavijoni përkujtimor brenda Muzeut Kombëtar.

Kastriot Dervishi, i cili punoi si studiues në projekt, tha se shifra prej 6,000 “nuk duhet të konsiderohet kurrë zyrtare apo arkivore”.

Lista përmban shumë gabime, tha ai, duke përfshirë dyfishimin dhe madje përfshirjen e njerëzve që rezultuan të ishin gjallë.

Dervishi vlerësoi gjithashtu se rreth 2,000 mund të jenë gjetur në vitet e para pas rënies së diktaturës.

“Gjetja e atyre që kanë mbetur bëhet gjithnjë e më e vështirë”, tha ai.

Në qytetin e Korçës në Shqipërinë juglindore, Ylli Merdani, kreu i shoqatës lokale të të përndjekurve, dëshmoi një përpjekje të shtetit për të hedhur dritë mbi këtë çështje në fillim të viteve 1990.

Duke cituar të dhënat arkivore, Merdani – i cili kaloi 25 vjet si i burgosur politik në komunizëm – tha se vetëm në Korçë u ekzekutuan 238 persona, duke përfshirë tre gra, por një komision i posaçëm i ngritur në vitin 1992 arriti të gjente vetëm eshtrat e 40 personave.

“Në disa raste ishin tre, katër apo edhe më shumë bashkë në një gropë”, tha Merdani. “Duart e tyre ishin ende të lidhura me tela me gjemba, ose dy deri në tre persona ishin të lidhur bashkë.”

“Eshtrat e gjetura u varrosën me nder dhe emrat e tyre u gdhendën në një pllakë në një ngastër toke të varrezave të qytetit.”

Shumica e trupave, megjithatë, besohet se janë gjetur si rezultat i përpjekjeve private të familjarëve të tyre.

Në verën e vitit 1996, burra të familjes Mjeshova nga Berati përdorën kazma dhe lopata për të gërmuar në një ish-kompleks ushtarak në Gjirokastër, duke kërkuar eshtrat e Pelivan Mjeshovës.

Mjeshova u ekzekutua kur tentoi të arratisej nga Shqipëria.

Nipi i tij, Eduarti, kujton momentin e hidhur kur gjetën eshtrat e tij.

“Palltoja ushtarake që kishte veshur natën kur u ekzekutua, pasi u kap duke u arratisur, ishte ende e paprekur në eshtrat e tij”, tha ai. “Ishte një gëzim i madh për ne, sepse shumë familje të tjera nuk i kanë gjetur eshtrat.”

Sipas Ndout, të paktën qindra të tjerë mbeten të zhdukur dhe Shqipëria ka detyrimin t'i gjejë.

“Deri më tani, familjarët kanë raportuar pak më pak se 1,000 njerëz në Institutin e ish të Përndjekurve Politikë, Autoritetin e Dosjeve dhe qendrën online të ICMP-së”, tha ai.


“Askush nuk e merr kazmën”

Në vitin 2022, qeveria shqiptare ndryshoi sërish strategjinë e saj, duke transferuar përgjegjësinë për këtë çështje nga ministria e brendshme tek Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit – një organ shtetëror i krijuar në vitin 2015 për të hedhur dritë mbi të kaluarën komuniste të vendit.

Parlamenti votoi krijimin e një strukture të posaçme brenda Autoritetit që do të kishte për detyrë gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të zhdukur.

Gentiana Sula, drejtuese e Autoritetit, tha për Kujto.al se aktualisht institucioni po punon me arkivin shtetëror për të ndërtuar një bazë të dhënash të vendeve të mundshme të varrimit. Deri më tani, janë identifikuar 107 vende të dyshuara varrosjeje.

“Të gjitha këto ia kemi përcjellë pushtetit vendor, duke thënë: ‘Është detyra juaj t'i ruani dhe të mos i prekni këto vende'”, tha Sula, gjyshi i të cilës, tregtari i pasur nga Tirana, Sulejman Mara, mbetet i zhdukur.

“Ai ishte vetëm 42 vjeç”, tha ajo. “Ata i kthyen familjes vetëm një orë dore dhe u thanë se ai vdiq nga një atak në zemër.”

Sula tha se për të zhbllokuar realisht kërkimin, qeveria duhet t'i japë Autoritetit autoritetin ligjor për të koordinuar me institucionet.

Një dispozitë e tillë tashmë është hartuar, por Beluri, nga Prokuroria e Përgjithshme, tha se ajo bie ndesh me marrëveshjen e vitit 2018 me ICMP-në dhe komprometon pavarësinë e prokurorisë publike.

“Projektvendimi i paraqitur për shqyrtim cenon thelbësisht pavarësinë e Prokurorisë, pasi disa pika përcaktojnë detyrime për Prokurorinë që nuk burojnë nga ligji”, tha ai.

Ministria e Brendshme gjithashtu ka kundërshtime, duke besuar se përgjegjësia për zhvarrosjet duhet të transferohet nga policia te kryetarët e bashkive lokale.

Dervishi, studiuesi, ishte skeptik se qasja e re do të funksionojë.

“Problemi sot”, tha ai, “është se askush nuk e merr kazmën për të hapur varret e identifikuara.”


BIRN