Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 17 prej 17
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm 6 të arrestuar, ku shkuan 24 terroristët serbë? Eksperti zbulon të vërtetën

    Vrasja e policit në veri të Kosovës, Sveçla për REL: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiçit dhe jo vetëm

    Emri:  1686747721_svecla1.jpg

Shikime: 296

Madhësia:  21.4 KB

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

    Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Në intervistën dhënë REL-it, ministri Sveçla thotë se Radoiçiç nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

    Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

    Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

    “Vuçiç, Qeveria serbe të përfshirë”

    Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, Millan Radoiçiq ka pranuar sot [29 shtator] se ka organizuar sulmin në Banjskë. Si e komentoni këtë veprim të tijin dhe a mendoni se ka vepruar i vetëm në përgatitjen e sulmit, ashtu siç ka thënë?

    Xhelal Sveçla: Absolutisht nuk është e vërtetë. Millan Radoiçiq e ka pranuar një fakt, pasi është dëshmuar pjesëmarrja e tij në këtë sulm terrorist. Por, të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka.

    Ne e dimë shumë mirë se ai ka qenë jashtëzakonisht i afërt me Aleksandar Vuçiqin, i cili ka qenë ministër i propagandës në kohën e qeverisjes së Millosheviqit. Ai, edhe pse është president i Serbisë, vazhdon të jetë ministër i propagandës.

    Tendenca e tyre tash është që ta minimizojnë presionin ndaj Serbisë, duke dashur që ta lokalizojnë fajtorin. Fajtori dihet, ai është Aleksandar Vuçiq dhe idetë e tij ekstremiste në raport me gjithë rajonin, jo vetëm me Kosovën.

    Sasia dhe llojet e armatimeve që janë zënë më 24 shtator në Banjskë është e pamundur të mblidhen nga një individ, edhe nëse ai është jashtëzakonisht i fuqishëm, siç është Millan Radoiçiq. Ka armatim ushtarak, ka armatim të vitit të prodhimit më 2021, 2022 – gjë që tregon se nuk janë mbetje të luftës së viteve 1998/99, apo edhe më herët në Ballkan, por janë armatime të dala drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Këtë e kemi dëshmuar, duke prezantuar dokumente, të cilat i kemi zënë, ku bëhet pranim-dorëzimi i këtij armatimi.

    Po ashtu, nuk është rast i izoluar, meqenëse armatime të ngjashme, me seri prodhimi të përafërta, ne kemi zënë edhe më herët në Zveçan, më 23 qershor, pastaj edhe më 7 gusht dhe më 5 shtator – qoftë në Zveçan, qoftë në Mitrovicë të Veriut. Do të thotë, ka qenë një plan i mirorganizuar, detajisht i përpunuar, i cili iu ka dështuar falë vendosmërisë, gatishmërisë për sakrificë dhe profesionalizmit të policisë së Kosovës. Por, plani ka qenë shumë më i madh. Vuçiqi është i përfshirë. Është edhe Qeveria e Serbisë e përfshirë. Siç duket, edhe vetë Rusia është e përfshirë në këtë skenar.

    Radio Evropa e Lirë: Cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës pas daljes së Radoiçiçit sot?

    Xhelal Sveçla: Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë.

    Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.

    Po ashtu, do të kërkojmë që të gjitha inkursionet apo agresionet e Serbisë të ndalen njëherë e përgjithmonë, përfshirë edhe tërheqjen e ushtrisë nga afërsia e kufirit tonë.

    Mendojmë se ka rreziqe. Ne jemi vigjilentë. Po përgatitemi që të përballemi dhe t’i përgjigjemi suksesshëm çfarëdolloj sfide, duke qenë se kemi përvoja tashmë jashtëzakonisht të këqija, qoftë me Serbinë, qoftë me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç.

    Radio Evropa e Lirë: A do të kërkoni ekstradimin e Radoiçiçit dhe përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë mes, marrë parasysh që Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje ekstradimi?

    Xhelal Sveçla: Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.

    Radio Evropa e Lirë: Bazuar në informacionet që mund t’i ndani me ne – sa njerëz janë të përfshirë në hetimet që po bëni?

    Xhelal Sveçla: Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme – për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë – dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80.

    Radio Evropa e Lirë: A keni pasur ndonjë kontakt me Policinë e Serbisë ose me Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë atje, pas sulmit në Banjskë?

    Xhelal Sveçla: Jo, nuk kemi pasur ndonjë kontakt. Ne mendojmë që ata janë të përfshirë drejtpërdrejt. Njëri ndër të vrarët është ish-truprojë e Aleksandar Vulinit, i cili është kreu i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, i cili, në të njëjtën kohë, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe. Do të thotë, jemi në një situatë paradoksale, kur ti realisht ke të bësh me figura, të cilat jo vetëm se janë kriminelë, por janë edhe të sanksionuar nga bota demokratike.

    Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do ta hetojë vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku. Cili është komenti juaj?

    Xhelal Sveçla: Po si do ta hetojë ai vrasjen kur shpalli tri ditë zie për vdekjen e terroristëve gjatë sulmit të tyre në një shtet sovran? Do të thotë, ky grup terrorist vrau policin në detyrë, në pritë. Nuk ishte Afrim Bunjaku… nuk ishte pjesë e betejës, ai u vra në pritë, në momentin e parë të arritjes së patrullës sonë policore për të hetuar lidhur me barrikadën që këta terroristë kishin vendosur… dhe ai politikisht po i mbron këta, shpalli ditë zie.

    Nuk është duke i arrestuar terroristët, të cilët janë kthyer në Serbi. Prandaj, nuk i besoj kësaj qasjeje cinike të presidentit të Serbisë, kur thotë se ai do ta hetojë vdekjen e policit. Ai po mundohet që ta zbusë realisht këtë presionin që mund t’i vijë apo duhet t’i vijë nga bota demokratike.

    Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe më herët që po hetoni përfshirjen e mundshme ruse. Çfarë provash keni mbledhur deri më tani?

    Xhelal Sveçla: Po, ne në një nga veturat… janë 24 vetura të terrenit, të cilat janë zënë në këtë fshat të mbushura me municione dhe materiale. Në njërën nga këto vetura kemi gjetur materiale ruse, po ashtu janë dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë, që i janë dhënë donacion ushtrisë së Serbisë. Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë.

    Radio Evropa e Lirë: A e keni identitetin e ndonjë rusi të përfshirë, që dyshohet se është i përfshirë?

    Xhelal Sveçla: Ne, në vazhdimësi, po punojmë në identifikimin e të gjithë këtyre terroristëve. Është fakt që disa prej tyre nuk kanë komunikuar me pjesëtarët tjerë të grupit dhe në asnjë moment nuk kanë hequr maskat nga koka e tyre. Kjo na bën shumë për të dyshuar në këta individë. Por, unë besoj që shumë shpejt, njësitë tona të specializuara të policisë së Kosovës, por edhe të agjencisë kosovare të inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët tanë, do t’i identifikojnë edhe ata.

    Radio Evropa e Lirë: Dyshoni se janë mercenarë apo hetimet janë në vazhdim…

    Xhelal Sveçla: Unë, t’ju them të drejtën, nuk besoj shumë në mercenarë, në kuptimin e pagesave. Ky është projekt politik i Serbisë dhe Rusisë dhe ata shfrytëzojnë struktura të besuara të tyre. Do të thotë, ne jemi dëshmitarë se në Nish ka një qendër kinse humanitare ruse, e cila dihet botërisht se është qendër inteligjence, përmes së cilës ata përgjojnë të gjithë rajonin dhe në të cilën ka edhe ushtrime të ndryshme – qoftë për inteligjencë, qoftë për veprime në terren – dhe besojmë se edhe kjo qendër është e përfshirë në këtë sulm.

    Çdo veprim agresiv ndaj Kosovës “do ta marrë përgjigjen e duhur”
    Radio Evropa e Lirë: Përmendët më herët rrezikun për përshkallëzime të reja. Çfarë jeni duke bërë për t’i ulur kërcënimet e tilla?

    Xhelal Sveçla: Po, patjetër se vërehen shenja të grumbullimit edhe të forcave ushtarake, por edhe të grupeve të ndryshme përreth kufirit të Kosovës. Ne, në vazhdimësi, jemi duke bashkëpunuar dhe duke u koordinuar me [misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë] EULEX-in dhe [misionin e NATO-s në Kosovë] KFOR-in, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë.

    Po ashtu, jemi duke u konsoliduar si polici e Kosovës në mënyrë që çfarëdo veprimi agresiv ndaj Republikës së Kosovës, i çfarëdolloj përmase, ta marrë përgjigjen e duhur.

    Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni vendimin e NATO-s për të shtuar praninë e forcave të KFOR-it në Kosovë?

    Xhelal Sveçla: Ky është i mirëseardhur. Ne kemi kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit, përfaqësuesit e NATO-s. Ne, po ashtu, kemi kërkuar patrullime të përbashkëta të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ju e dini shumë mirë se kemi një vijë shumë të gjatë të kufirit që ndan këto dy vende. Po ashtu, terreni është goxha i vështirë, na duhet të kemi edhe pajisje të veçanta për të vëzhguar çfarëdolloj lëvizjeje rreth kufirit. Dhe ky mendoj se është lajm i mirë.

    Radio Evropa e Lirë: Cili do të ishte një mesazh i juaji për qytetarët në veri të Kosovës?

    Xhelal Sveçla: Qytetarët në veri të Kosovës, në vazhdimësi, marrin mesazhe pozitive nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Do të thotë, këta qytetarë janë shtetas të barabartë në vendin e tyre të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës janë aty për t’iu shërbyer dhe për t’i mbrojtur ata. Kjo u dëshmua edhe më 24 shtator, kur ne kishim një betejë shumë intensive me terroristët, por, në asnjë moment, asnjë qytetar i yni civil as nuk është rrezikuar nga ne, as nuk është dëmtuar.

    Për më shumë, nuk kemi ankesa nga këta qytetarë drejtuar sjelljes së zyrtarëve tanë policorë. Më lejoni t’ju përmend edhe një fakt: UNPD-ja ka bërë një vlerësim të besueshmërisë së qytetarëve ndaj policisë së Kosovës në atë zonë – në fakt, ka bërë më shumë se një – në kohën kur ne kishim policë të ish-strukturave paralele të integruar në policinë e Kosovës, do të thotë para dorëheqjes së tyre, para dorëheqjes së 547 policëve…

    Besueshmëria në policinë e Kosovës në atë zonë ka qenë 15 për qind, për dallim prej pjesës tjetër të Kosovës. Tash është bërë edhe një matje, po ashtu nga UNDP-ja, dhe besueshmëria është rritur për 33.8 për qind.

    Do të thotë, është më shumë se dyfishuar besueshmëria e qytetarëve në ato komuna veriore ndaj policisë së Kosovës. Unë jam i bindur që kjo besueshmëri do të rritet, për shkak se edhe bashkëpunimi me qytetarët atje është duke u rritur në vazhdimësi.

    REL

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm 6 të arrestuar, ku shkuan 24 terroristët serbë? Eksperti zbulon të vërtetën

    Radoiçiç pranoi se organizoi sulmin terrorist në Veri, reagon për herë të parë Vuçiç: Ai duhet të….

    Emri:  4545788.jpg

Shikime: 290

Madhësia:  28.3 KB

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Millan Radoiçiçi “do të duhet t’i përgjigjet” ftesës së organeve kompetente shtetërore. Ky është reagimi i parë i Vuçiçit pasi Radoiçiçi mori përgjegjësi për organizimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

    Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkaq në përleshje me Policinë u vranë edhe tre sulmues.

    “Unë jam i sigurt se autoritetet kanë arsye të bëjnë pyetje, dhe se a do ta ndjekë penalisht prokurori dhe për çfarë krimi, kjo nuk është pyetje për mua. Është pyetje për prokurorin dhe organet e tjera kompetente shtetërore”, tha Vuçiç.

    “Nëse dikush mendonte se ai [Radoiçiçi] do të ikte ose do të fshihej, ai nuk do ta bëjë”, shtoi ai.

    Ai gjithashtu vlerësoi se Radoiçiçi është “krenar” për rolin e tij në sulmin e armatosur dhe se “ai dhe djemtë që morën pjesë në të [sulm], e shohin atë [sulmin] në një mënyrë tjetër”.

    “Nuk mendoj se dikush ka të drejtë ta vrasë dikë, do të duhet të bëhen disa pyetje, ndoshta ai nuk ka pasur rol në atë pjesë, pra prokurori do të gjejë diçka tjetër, ose nuk do të gjejë gjë, kjo është një pyetje për prokurorinë. E di që policia duhet të mbledhë informacione, pastaj vjen prokurori dhe merr vendim”, tha Vuçiçi.

    Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiçi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

    Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

    Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    REL

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm 6 të arrestuar, ku shkuan 24 terroristët serbë? Eksperti zbulon të vërtetën

    Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës

    Emri:  Screenshot_24-3-655x375-1.jpg

Shikime: 298

Madhësia:  45.6 KB

    Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha të martën se ka arrestuar ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiçin, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.

    Në një njoftim të ministrisë së Brendshme serbe thuhet se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe ai i është dorëzuar Prokurorisë së Lartë në Beograd. Në njoftim thuhet se janë kryer bastisje në pronat e tij, por nuk jepen më shumë hollësi.

    Më 29 shtator ai mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit të tij mbetën të vrarë pas përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën e 24 shtatorit.

    Sulmi u cilësua si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kërkuan vënien e sulmuesve para drejtësisë. Prishtina akuzoi Beogradin për mbështetjen dhe pajisjen e grupit që kreu sulmin.

    Milan Radoiçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara që nga dhjetori i vitit 2021, tha të premten në një deklaratë të transmetuar nga avokati i tij se “nuk e ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Serbisë, strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre”, për sulmin.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të ndërmarrin veprime ndaj Milan Radoiçiçit dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

    Sulmi i 24 shtatorit është ngjarja më e rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë fundjavës shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.

    Beogradi mohoi të ketë ngritur shkallën e gatishmërisë së trupave, por pohoi se e ka ulur praninë e tyre në zonën përreth kufirit të Kosovës.

    Koha Jone

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,999
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës

    Lirohet Millan Radoiçiç, i ndalohet hyrja në Kosovë

    Emri:  Capture-18.jpg

Shikime: 293

Madhësia:  17.9 KB

    -Botuar në radion “Europa e Lirë”-

    Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiçin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.

    Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiçin, pas intervistimit.

    Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

    Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

    Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

    Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

    Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

    Radoiçiq e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve

  5. #15
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-10-2013
    Postime
    8

    Për: Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës

    Rama si Nikola Pashiqi.

  6. #16
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    3,215

    Për: Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës



    “Skenari i terroristëve” - "Brenda bazave të paramilitarëve serbë në Veri" - Inside Story

  7. #17
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    3,215

    Për: Arrestohet Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit në veri të Kosovës



    Kërkesa e madhe - Kurti: Ma dorëzo Milanin! Vuçiq hesht - 16.05.2024

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Zgjedhjet në veri të Kosovës, KQZ shpall rezultatet
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-04-2023, 11:50
  2. Kush janë shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës?
    Nga PLAKU në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 40
    Postimi i Fundit: 21-04-2012, 02:38
  3. Policia e Kosovës në veri i raporton MUP-it? !!!
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 28-05-2011, 08:13
  4. Demonstrata e gaz lotsjellës në veri të Kosovës
    Nga Selami2006 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-05-2009, 13:22
  5. Rrezikimi i integritetit teritorial ne veri te Kosoves
    Nga Nertili në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-09-2006, 05:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •