Close
Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 38
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Kontrata e sterilizimit “u zhduk” nga arkiva e Ministrisë së Shëndetësisë, SPAK pas dy ditësh: E gjetëm, ishte në…/ Beqaj do rimerret në pyetje për udhëtimet me biznesmenin

    Ilir Beqja është vendosur të thirret sërish për të dëshmuar. Ky fakt ka dalë ditën e djeshme nga vetë Prokuroria e Posaçme që ka në duar dosjen e koncesionit të ‘sterilizimit’ prej afro tre vjetësh dhe që veprimet konkrete u zhvilluan vetëm pak ditë më parë.

    Emri:  ilir-beqaj-spak.jpg

Shikime: 1165

Madhësia:  26.3 KB

    Beqja do të ripyetet konkretisht për rolin e tij të dalë në lidhjet miqësore mes dy biznesmenëve, ndërkohë që Gjykata e Posaçme edhe kërkoi që hetimet të orientoheshin edhe në anën e të gjithë praktikës së ndjekur nga vetë ish-ministri si titullari i institucionit ku janë kryer veprimet.

    Po ndërkohë që në pranga janë vendosur vartësi i asaj kohe i Beqjas dhe biznesmeni që përfitoi koncesionin, SPAK ditën e djeshme ka treguar se ka gjetur kontratën origjinale të sterilizimit. SPAK, në fakt, ditën e shtunë bëri me dije zyrtarisht se në sekuestrimin e dokumentacionit të bërë 3 vjet më parë në ministrinë e Shëndetësisë nuk ishte kjo kontratë, por dje treguan se kontratën e kishin gjetur nëpër institucionet e tjera, por pa treguar se në çfarë godine ka qenë e lënë kjo kontratë.

    DOSJA

    Zhvillime të reja janë bërë me dije për dosjen e koncesionit të sterilizimit që po hetohet nga SPAK, teksa ndodhen pas hekurave një ish-zv.ministër Shëndetësie dhe një biznesmen. SPAK do të rimarrë në pyetje ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, në lidhje me udhëtimet me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staçini. Ende nuk është vendosur se kur do të thirret për t’u ripyetur ish-ministri, pasi GJKKO orientoi SPAK të hetonte rreth rolit të tij. Dje ishministri deklaroi se të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale dhe vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicie për fajësi.

    Udhëtime dhe njohje të mëparshme deri në dhënien e një koncesioni me vlerë 100 milionë euro janë në brendësi të dosjes së Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

    Në dosjen thuhet se Ilir Beqja, atë kohë ministër i Shëndetësisë, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe administratori i shoqërisë koncesionare Sani Service kanë kryer udhëtime së bashku. Ashtu siç zbulohen edhe udhëtimet e ishzv.ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj me biznesmenin Rrapaj.

    Gjatë hetimeve paraprake, më datë 15 nëntor 2021 është bërë këqyrje e sistemit TIMS për të dhënat e shtetasve Ilir Rrapaj, administrator i Investal, Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të procedurës së komisionit të dhënies së Koncesionit, Umbro Staccini, shtetas italian, administrator i Tecnosanimed dhe një nga aktorët kryesorë të Koncesionarit Sani Service, Ilir Beqja, titullari i Autoritetit kontraktor dhe Admir Daca, administrator i Sani Service.

    Nga procesverbali, u vërejtën edhe hyrjet dhe daljet e këtyre personave nga territori i Republikës së Shqipërisë ku rezultoi se:

    Shtetasit Ilir Rrapaj, Ilir Beqja dhe Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas, nga Italia, më datë 15 qershor 2014 përkatësisht në orën 21:12, 21:14 dhe 21:10.

    Nga këqyrja e të dhënave nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rezulton se më datë 15 qershor 2014 është bërë postim mbi takimet e kryera nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj më datë 13 qershor 2014. Kjo periudhë përkon me veprimet përgatitore të Koncesionit.

    – Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepja kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Romë, në datë 26 mars 2015, përkatësisht në orën 16:34 dhe 16:25 (kjo periudhë përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave).

    Për këtë udhëtim Klodian Rjepaj, ka marrë “autorizim për shërbimin jashtë vendit”, datë 18 mars 2015 për të marrë pjesë në një vizitë pune në rajonin e Umbrias, Itali, për takime zyrtare me autoritetet e larta shëndetësore të rajonit në zbatim të marrëveshjes midis rajonit të Umbrias dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Kemi gjetur edhe kontratën origjinale të ‘Sterilizimit’”

    SPAK, ditën e djeshme (21 Gusht) ka bërë një sqarim për kontratën e koncesionit të sterilizimit. Kontrata është gjendur në institucione të tjera dhe jo në Ministrinë e Shëndetësisë. Nisur nga lajmi i bërë publik dy ditë më parë se skandali shkon edhe më tej kur rezulton se në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka një kontratë origjinale të këtij koncesioni.

    Në dosjen e SPAK-ut thuhet se në datën 8 tetor të vitit 2021 është marrë vendimi i sekuestrimit të dokumenteve të këtij investimi partneritet publik-privat.

    “Origjinali nuk u gjet në Ministrinë e Shëndetësisë. Disponojmë kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit. Kontrata origjinale u gjet në institucione të tjera. Origjinali është edhe në institucione të tjera. Kotrata origjinale u sekuestrua tek koncesionari”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

    NJOFTIMI I SPAK

    “Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/1, datë 19 shkurt 2020”.

    Panorama

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    ‘Kosto të papërballueshme’: Ministria e Shëndetësisë bëri një vesh shurdh për ankesat e spitaleve

    Të dhënat e siguruara nga hetimi tregojnë se zbatimi i kontratës së sterilizimit shkaktoi konflikte mes koncesionarit dhe spitaleve rajonale dhe lokale dhe i ngarkoi këto të fundit me kosto shtesë të faturave të energjisë dhe të ujit, ndërsa ankesat e tyre nuk morën zgjidhje nga Ministria.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  beqja.jpg

Shikime: 1157

Madhësia:  38.7 KB
    Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ish ministri Ilir Beqaj, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA

    Më 24 gusht 2018, Spitali Rajonal i Durrësit i shkroi Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkoi ndihmën e saj për “zgjidhjen e problematikës” me koncesionarin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

    Shërbimi i koncesionarit në Durrës kishte filluar në mars 2018, por drejtuesit e spitalit nuk kishin pasur asnjë informacion lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj kontrate. Pas mbërritjes së kontratës dhe anekseve të saj me email në korrik, Spitali Rajonal i Durrësit kishte vërejtur se instrumentet e përdorura në mikrokirurgji nuk ishin pjesë e kësaj kontrate.

    “Duke qenë se kompania në fjalë ka marrë të gjitha ambientet e përdorura më parë për proceset e sterilizimit dhe duke kërkuar heqjen e instrumenteve të përdorura në mikrokirurgji, në këtë repart ka vazhduar aktiviteti duke përdorur setet e mësipërme,” thuhet në shkresën e cituar në vendimin e gjykatës.

    Spitali Rajonal i Durrësit informonte më tej se kishte vendosur që ta kryente vetë sterilizimin për pajisjet e mikrokirurgjisë, por druhej se ky veprim mund të sillte kontradikta me koncesionarin, ndaj kërkonte “ndërhyrjen e Autoritetit për zgjidhjen e problematikës”.

    Spitali Rajonal i Durrësit nuk ishte i vetmi që pati probleme me zbatimin e kontratës koncesionare që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

    Të dhënat e siguruara nga vendimi i Gjykatës së Posaçme për kontratën PPP të sterilizimit tregojnë se mosllogaritja e saktë e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale nga komisioni i dhënies së koncesionit ka sjellë tejkalimin e tavaneve buxhetore në favor të kompanisë koncesionare Sani Service, duke e vënë të gjithë sistemin shëndetësor nën presion.

    Më 8 gusht 2018, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u ka kërkuar spitaleve ku ofrohet shërbimi i koncesionit të ndiqen propozimet e dhëna në memo nga grupi i punës. Pesë ditë më vonë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH i është drejtuar atij, duke e informuar se “financimi i kontatës koncesionare po bëhej i papërballueshëm”.

    Ankesat për faturat e energjisë dhe ujit

    Hetimet 3-vjeçare të prokuorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi e mbyllën rrethin e të akuzuarve me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe anëtarët e komisionit, por gjyqtari Erion Bani arsyetoi se ka indicia se ish-Ministri Ilir Beqaj paracktoi fituesit, nuk ndaloi konfliktin e interesit dhe bëri udhëtime me përfituesit e konçesionit, prej nga ngrihen dyshime dhe për veprën penale të korrupsionit.

    Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i kompanisë koncesionare, Sani Service u shkaktoi spitaleve publike kosto të shtuara të faturave të energjisë dhe të ujit, duke rënduar gjendjen financiare të tyre.

    Këto kosto iu ngarkuan spitaleve publike gjatë procesit të negocimit të kontratës koncesionare, sipas gjykatës në shkelje të studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit të koncesionarit.

    Përveç problemeve me instrumentet e mikrokirurgjisë, në spitalin rajonal të Durrësit ka pasur konflikte edhe për operimin e centralit të sterilizimit dhe faturat e energjisë dhe të ujit.

    Spitali i Durrësit ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë se SaniService kryente aktivitetin e tij prodhues pa pagesë qiraje dhe pa paguar konsumin e energjisë elektrike dhe të ujit që shërbejnë për funksionimin e procesit produktiv të centralit të sterilizimit, në kundërshtim me projektin teknik të kontratës. Operatori koncesionar ka refuzuar gjithashtu një kërkesë të Spitalit Durrës për të instaluar matësit e energjisë elektrike dhe të ujit me qëllim monitorimin e konsumit që rridhte prej aktivitetit të tij.

    Në këto kushte, Spitali i Durrës ka instaluar me shpenzimet e veta matësin, prej nga ka rezultuar se konsumi nga operatori ka qenë rreth 550 mijë lekë në muaj, vlerë që është cilësuar e pamundur për t'u përballuar.

    Në janar 2019, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një kërkesë edhe nga Spitali i Lushnjes për të likujduar kostot e shpenzimeve për energji elektrike dhe ujë që shpenzonte koncesionari.

    “Me matës të veçantë, shpenzimet për ujë dhe energji elektrike faturohen në muaj me vlerë 600,000 lekë, ose në vlerë vjetore 7-8 milionë lekë me këtë konsum. Kërkohet ndërhyrje nga Autoriteti Kontraktor për dhënien e fondeve për këto shpenzime,” shkruante asokohe Spitali i Lushnjes.

    Në përgjigjen për Spitalin e Lushnjes, Ministria e Shëndetësisë justifikohet se është e detyruar të zbatojë përcaktimet kontraktuale të parashikuara në kontratë.

    “Kjo pikë do të negociohet me SaniService, por përsa kohë nuk ka përfunduar ky proces, do të vazhdojnë me të njëjtat kushte,” citohet përgjigja e Ministrisë në vendim.

    Faturimi i energjisë dhe ujit në kurriz të spitaleve publike është vlerësuar si favorizim për kompaninë koncesionare dhe dëm ekonomik edhe gjatë një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

    Sipas raportit, ky problem nuk u amendua në kontratë pas negociatave të kryera nga Ministria e Shëndetësisë me kompaninë koncesionare, duke vazhduar në të njëjtën gjendje.

    Kostot e sterilizimit

    Në fund të vitit 2018, rritja e kostove të procesit të sterilizimit përtej parashikimeve buxhetore në kontratë ka shkaktuar dhimbje të shtuara koke për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

    Kjo i ka detyruar spitalet që të nxjerrin në punë autoklavat e vjetra për të mbajtur nën kontroll kostot, por kjo ka shkaktuar konflikte shtesë me kompaninë koncesionare.

    Më 18 tetor 2018, spitali “Shefqet Ndroqi” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kujton se në takimet e kryera më parë për problemet e shfaqura pas mbërritjes së koncesionarit, është këmbëngulur për përdorimin e burimeve të brendshme të vetë strukturës për sterilizimin me atoklavë.

    Gjithashtu, drejtuesit e spitalit “Shefqet Ndroqi” e kanë njoftuar Ministrinë se në takimet me SaniService, këta të fundit kanë pretenduar se përdorimi i autoklavës me avull për sterilizim të paketimeve të mjekimit me temperaturë të ulët ‘konsiderohet shkelje e kontratës së koncesionit”.

    “Kërkohet konfirmim ose jo të sterilizimit të paketimit të mjekimit me autoklavë me avull të vetë institucionit,” shkruante spitali “Shefqet Ndroqi”.

    Edhe kompania koncesionare është ankuar në Ministrinë e Shëndetësisë se disa prej spitaleve publike nuk e marrin shërbimin e seteve të personalizuara për disa prej ndërhyrjeve që konsiderohen si mikrokirurgji.

    “Në disa spitale nuk rezulton përdorimi i rregullt i seteve kirurgjikale të vendosura në dispozicion sipas kontratës koncesionare. Kërkohet ndërhyrja e MSHMS për verifikimin e shkaqeve që sjellin mospërdorimin e setit të personalizuar,” citohet në vendim letra e kompanisë SaniService.

    Edhe QSUT i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të lejojë sterilizimin e seteve kirurgjikale që disponohen nga vetë shërbimet për t'u përdorur si paketime të mjekimit të plagëve për pacientët që paraqiten në urgjencë.

    Por, ministria i ka kthyer përgjigje duke thekusar se shërbimi i sterilizimit të seteve kirurgjikale është një nga shërbimet që ofron koncesionari SaniService.

    Gjykata thekson se kërkesat e spitaleve për përdorimin e seteve të vjetra me qëllim përballimin e numrit në rritje të ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk kanë marrë një pëgjigje të saktë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila u ka kërkuar vetëm që të mos kalohet numri i ndërhyrjeve dhe buxheti.

    “Nuk janë marrë masat nga Autoriteti Kontraktor për zgjidhjen e problematikave dhe në shumicën e rasteve, janë lënë pa përgjigje kërkesat e spitaleve…,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

    Kërkesat e spitaleve nuk janë reflektuar gjithashtu në negociatat e Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë koncesionare dhe sipas vendimit të gjykatës, nuk kanë qenë pjesë e amendimit të kontratës.


    BIRN
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 25-08-2023 më 12:37

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Ilir Beqaj mbrohet nga hetimet e SPAK me emisionin e paguar nga PPP-ja e ‘sterilizimit’

    Ish-ministri nën hetim ka hedhur në rrjet disa video në mbrojtje të PPP-së së sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale, të marra nga një emision televiziv për të cilën kompania koncesionare ‘Sani Service’ paguante 5 mijë euro në muaj.

    Nga Vladimir Karaj

    Skedarët e Bashkëngjitur 182089
    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar ndaj lajmeve në media se është marrë nën hetim nga SPAK në lidhje me rolin e tij në skandalin e kontratës të partneritetit publik privat për sterilizim e instrumenteve kirurgjikale.

    Beqaj ka postuar në faqjen e tij në Facebook një seri intervistash, ku shfaqen mjekë të njohur, përfshirë edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, ndërsa ngrenë lart me superlativa kontratën PPP për menaxhimin e integruar të instrumenteve kirurgjikale.

    “Më mirë se vetë mjekët, askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare,” shkruan Beqaj, në një postim që shoqëron intervistat.

    Intervistat janë marrë nga emisioni televiziv ‘Hipokrati' në Top Channel, i transmetuar në shkurt të vitin 2020. Ajo që Beqaj dështon t'i shpjegojë ndjekësve të tij në Facebook dhe opinionit publik është fakti që ky emision kishte gjatë kohës së transmetimit një kontratë sposorizimi 6 mujore me kompaninë koncesionare ‘Sani Service' shpk me vlerë 5 mijë euro në muaj.

    Gjithashtu, Beqaj nuk përmend faktin se producent i emsionit ‘Hipokrati' është Raimond Cimbi, një ish-drejtor prokurimesh në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë kohës që Beqaj ishte ministër.

    I pyetur nga BIRN mbi shpërdarjen e videove propagandistike nga një emision që përmban ‘reklama të fshehura', për PPP e sterilizimit, Ilir Beqaj deklaroi se fakti që ato ishin paguar nga ‘Sani Service' nuk i hidhte poshtë.

    “Mjekët e vënë theksin tek instrumentet e rinj modernë, materialet e buta trup e shtrat njëpërdorimësh, dezinfektim steril të sallave. Evidentojnë statistika të sakta dhe ulje ditëqëndrimi në spital,” tha ai.

    Të enjten, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi arrestimin e ish.zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe një prej pronarëve të kompanisë koncesionare ‘Sani Service', Ilir Rrapaj.

    Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për mashtrim me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

    SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore, një prej tyre ndaj rektorit e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

    Por gjyqtari i masës së sigurisë, Erion Bani çmoi se provat në dosje ishin të mjaftueshme për të inicuar ndjekje penale edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe atij të Financave, Shkëlqim Cani.

    I pyetur për këtë fakt, prokurori Edvin Kondili i tha BIRN se hetimet për dy ish-ministrat po vazhdonin nga SPAK.

    Në faqen 145 të vendimit të Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë ndaj Rrjepajt, Rrapajt dhe të tjerëve, shkruhet se në 1 nëntor 2019, kompania koncesionare ‘Sani Service' lidhi një kontratë me “Inov Production”, me administrator Raimond Cimbi, për bashkëpunimin në kuadër të emisionit “Hipokrati” që transmetohet në Top Channel.

    “Pagesa që do të kryhet nga SaniService është 5000 euro në muaj nga data 01.11.2019 deri në datë 31.04.2020 (muaji prill ka 30 ditë)”, citohet kontrata në vendimin e gjykatës.

    Beqaj nuk iu përgjigj pyetjeve mbi ligjshmërinë dhe etikën e këtij transaksioni që transferonte paratë e taksapaguesve për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale në pagesa reklamash për kompaninë e produksionit të ish-zyrtarit të ministrisë së Shëndetësisë.

    Ai ndërkohë pranoi se e njihte producentin e emisionit ‘Hipokrati'.

    “Gjatë kohës që unë kam qenë ministër i Shëndetësisë, R.Cimbi (Raimond Cimbi) ka punuar si drejtor drejtorie në MSH(Ministrinë e Shëndetësisë”, shkroi Ilir Beqaj nëpërmjet aplikacionit ‘Whatsapp'.

    Ilir Beqaj, i cili drejton sot Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës, po hetohet nga SPAK me lidhje me veprimit dhe mosveprimet e tij dhe shkeljet e procedurave të dhënies së koncesionit të sterilizimit kompanisë ‘Sani Service', në pronësi të biznesmenit shqiptar Ilir Rrapaj dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.

    Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.

    Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjykatës kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.


    BIRN

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    “Sterilizimi”/ Një nga të dyshuarit, kushëri i parë i ish-ministrit, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit. SPAK nën hetim Beqjan

    Emri:  Beqja-1.jpg

Shikime: 1162

Madhësia:  23.3 KB

    Një prej anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro është kushëri i parë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Bëhet fjalë për Genc Byrazerin, për të cilin me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të, nën dyshimet për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

    Byrazeri u caktua anëtar i komisionit të koncesionit me urdhrin nr.359 të datës 18 gusht 2014, firmosur nga kushëri i tij i parë, ministri i shëndetësisë së kohës, Ilir Beqaj, i cili sipas orientimit të gjykatës, po hetohet nga SPAK nën dyshimet se ka favorizuar dukshëm kompaninë fituese, kjo në dëm të interesave të shtetit.

    Komisioni pjesë e të cilit ishte dhe Byrazeri, kishte detyrë të përgatiste studimin e fizibilitetit, që nga hetimet e SPAK rezultoi se përmbante të dhëna të rreme.

    Si shkelje të rëndë, SPAK evidenton edhe fshehjen e konfliktit të interesit mes Ilir Rrapaj, biznesmenit tashmë nën arrest që me kompaninë e tij zotëron 40 për qind të koncesionit me ish zv.ministrin e shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ndërkohë në asnjë moment nuk përmendet fakti që Beqaj dhe një prej anëtarëve të komisionit janë kushërinj të parë. Ky aspekt, ngre edhe me shumë dyshime për rolin e Beqajt në këtë koncesion që dyshohet se u paracaktua. në lidhje me koncesionin e sterilizimit me urdhër të SPAK u arrestua biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe ish zv.ministri Klodian Rjepaj, dy zyrtarë u dërguan në ‘arrest shtëpie’, 4 të tjerë përfshirë dhe kushëririn e ish ministrit do të hetohen nën masën e detyrimit për paraqitje.

    Balkanweb

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Rama: Sterilizimi një nga punët më të bukura që kemi bërë

    Emri:  rrmaok-750x500-1.jpg

Shikime: 1168

Madhësia:  31.2 KB

    Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së sotme për media deklaroi se koncesioni i sterilizimit është një nga punët më të bukura të qeverisë së tij

    Gjatë fjalës së tij, ai tha sa i përket atyre që kanë shkelur kontratën apo janë nën akuzë, do paguajnë.

    Duke iu referuar sërish kësaj çështje ai thotë ka shumë që i rezistojnë tundimeve por ka dhe nga ato që bien pre, pasi pushteti është një kafshë e egër që do shumë punë për tu zbutur.

    “100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto PPP që kemi bërë. 100 herë. Sepse veprat janë ato që mbeten, ndërkohë që sigurisht problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, nuk janë të lidhura me ata që s’kanë gjë në dorë. Kur ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe kur kam thënë që dua një drejtësi që të godasë majtas, djathtas dhe të ecë vetëm drejt nuk kam bërë propagandë, e kam ditur këtë qe vjen.

    Nuk e kam ditur kujt do t’i ndodhë, por e kam ditur këtë që vjen. Shumë socialistë të korruptuar? Socialistët janë 1 mln kurse të korruptuarit janë shumë pak, janë asgjë në raport me fuqinë e PS. E rëndësishme është që sterilizimi është një nga punët më të bukura që ne kemi bërë. Shkoni pyesni mjekët nëpër spitale. Kam marrë mesazhet pa fund nga profesorë, mjekë që ishin të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej që s’ishte rasti. Dhe pse? Sepse me atë kontratë dhe me atë transformim ne kemi ndryshuar mjekësinë shqiptare në hallkën më delikate që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve.

    Nëse në procesin e asaj kontrate individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin ose atdheun do paguajnë. Kështu funksionon. Kur ne zgjedhim ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj kafshe shumë e egër. Është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka shumë që nuk e mbajnë.

    Por, s’mund të bëjmë parashikime paraprake se kush do i rezistojë tundimit dhe kush jo. Në proces njerëzit janë natyra të ndryshme. Ka disa më të fortë, e disa më të dobët. Ka nga ata që pyesin dhe ata që s’pyesin për ato që pushteti ta jep si tundim. Them se duhet ta shohim si diçka pozitive dhe përgjegjësi individuale që dikush nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë 1 rrugë e 2 punë dhe rezultateve të punës. Ndaj ju them, për sterilizimin shkoni dhe pyesni ata që përdorin instrumentet mjekësore se çfarë thonë. Keni pasur një sistem të ndërhyrjeve kirurgjikale mesjetare, keni kaluar nga epoka bronzit në epokën e sotme”, tha Rama.

    Koha Jone

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Pronarë e punëtorë të “Sterilizimit”, hapën kompani për mbifaturim të vetvetes

    Emri:  640-0-1692441251-lll-1692805842.png

Shikime: 1134

Madhësia:  370.1 KB

    Një skenar i ngjashëm, ashtu siç përshkruhet tek libri “Financieri” ka ndodhur dhe tek koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ku pronari shqiptar Ilir Rrapaj dhe ata italianë, por dhe drejtorët e kompanisë koncesionare, hapën një seri kompanish duke faturuar vetveten.

    Faturimi i vetvetes dhe lidhja e kontratave të shërbimit me kompani të treta të hapura nga vetë pronarët e koncesionit, ishte në kundërshtim me kontratën e sterilizimit, pasi firma “Sani Service” në pikën 4 të kontratës ka pretenduar se:

    ”…ka të gjithë informacionin, pajisjet, sistemet dhe personalin e nevojshëm dhe të kualifikuar me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo kontratë…”

    E veç hapjes së kompanive, rezulton në dosjen e SPAK se vetë pronarët e koncesionit, kanë lidhur kontrata shërbimi dhe shpërblimi me vetveten, duke faturuar qindra mijëra euro në llogaritë e tyre.

    Një skemë mjaft e dyshimtë që krijon bindjen për pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe korrupsion, duke krijuar metastaza niptesh tatimorë, ku qëllimi ka qenë mbifaturimi financiar i vetvetes

    “Ora News” mëson se një gjë e tillë është kryer duke përdorur kartat e identitet për hapjen e kompanive në emër të pronarëve të koncesionit, punëtorëve të koncesionit, fëmijëve të tyre, nipave dhe grave.

    Skema është e qartë: vetë shisnin, vetë blinin.

    Sindromës për hapjen e një kompanie tregtare, nuk i ka shpëtuar dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili në datën 18 qershor 2018 ka themeluar nipt fizik me emrin tregtar “Health Protection International.

    Sipas dosjes së SPAK, miliardat e buxhetit të shtetit kanë kërcyer dhe qarkulluar nga xhepi në xhep, mes një grushti të vogël njerëzish që punonin dhe kishin pronësinë e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

    Kërcitja me “top” të parave publike, është vënë re që në 25 nëntor 2015, plot 15 ditë para se Ilir Beqaj të firmoste kontratën e sterilizimit me vlerë 100 milion euro.

    Pronari kryesor i koncesionit me 40 për qind të aksioneve në “Sani Service”, Ilir Rrapaj, ka vendosur të shpërblejë veten e tij me 120 mijë euro.

    Shpërblimi ka ardhur përmes një kontrate konsulence që Ilir Rrapaj ka bërë me kompaninë koncesionare “Sani Service” të Ilir Rrapaj.

    I njëjti mekanizëm është bërë dhe me Elisabetta Anzanello, e cila është Drejtoreshë në “Sani Service” dhe njëherësh gruaja e italianit aksioner në “Sani Service”, Umbro Staçini. Anzanello, ka fituar shpërblim 162 mijë euro, ndërsa burri i saj Umbro, ka faturuar 120 mijë euro.

    Ky skenar është përdorur dhe për të faturuar 198 mijë euro nga “Sani Service” tek kompania mëmë e saj dhe pronarja “Ujet S.R.L”

    Pra që në hapat e para të koncesionit, pronarët kanë shpërblyer financiarisht pronarët me shifra mbi 100 mijë euro.

    Ndërsa në kohët në vijim vetë pronarët dhe punëtorët e koncesionit rezultojnë të kenë hapur një zinxhir kompanish, për të faturuar me miliarda lekë vetveten.

    Mes dhjetëra kontratave është zbuluar një dokument ku shfaqet bashkëpunimi profesional me shoqërinë shqiptare “Eumedica Senior” me administrator Umbro Staçini, pronar i “Sani Service” për ofrimin e shërbimit të mbikëqyrjes dhe koordinimin e aktiviteteve të planifikimit dhe projektimit të kompleteve proceduriale të instrumenteve kirurgjikale, identifikimin e furnitorëve të instrumenteve kirurgjikale dhe shërbime tjera konsulence organizative, me afat një vjeçar me ripërtëritje në heshtje nëse nuk parashikohet ndryshe, kundrejt shpërblimit me tarifë fikse vjetore 120 mijë Euro pa TVSH.

    Ndërsa për vitin 2019, do të jetë 50 mijë euro për pesë muaj. Kjo tarifë fikse është përveç kostove dhe rimbursimeve të shpenzimeve, si dhe bonusit të parashikuar sipas formulës përkatëse.

    Ilir Rrapaj, pronari kryesor i koncesionit të sterilizimit “Sani Service”, hapi dy kompani të tjera si “Globalsher” dhe “AlbaMed 2014”, ku në këtë të fundit 40 për qind aksioneve është Drejtoresha e kompanisë së sterilizimit Elisabetta Anzanello.

    Përmes faturave fizike të shitjeve që gjenden në dosjen penale kuptohet qartazi se “Globalsher” e Ilir Rrapaj është faturuar nga “SaniService” e Ilir Rrapaj, për shërbimet e mirëmbajtjes “Full Risk” të instrumenteve, aparatura procesi, impiante, mirëmbajtje vjetore në vlerën 696.752.500 lekë dhe 321.811 euro.

    Por koncensionarin ka deklaruar në paragrafin 4 të Kontratës Koncesionare, pika e se:”…ka të gjithë informacionin, pajisjet, sistemet dhe personelin e nevojshëm dhe të kualifikuar me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo kontratë…”.

    Pra edhe pse ka deklaruar këtë, vërehet se janë nënshkruar kontrata dhe kryer pagesa për shërbime konsulence profesionale për Ilir Rrapaj, Umbro Staçini, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed”, “Ujet”, “Eumedica Senior”, “AlbaMed 2014”, “GlobalSher”, “Gama Service”, “Steralb” dhe “Sitec”, ndërkohë që këta janë ortakët e vetë firmës konçesionare “SaniService”.

    Këto kontrata shërbimi janë në vlera të konsiderueshme dhe janë të vazhdueshme përgjatë kohëzgjatjes së koncesionit, duke qenë në fuqi edhe tani.

    Por SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk kanë gjendur dokumentacion justifikues për shërbimet konkrete që koncensionari “Sani Service”, ka marrë nga vetë shoqëritë apo individët, që janë pjesë e organikës së tij.

    Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, shërbimet e mirëmbajtjes për impiantet, aparaturat e procesit dhe instrumentet kirurgjikale janë nënkontraktuar tek “Globalsher” që sapo ishte formuar dhe nuk kishte asnjë kapacitet ekonomik, teknik dhe profesional që të kryente këto shërbime.

    “…ndërkohë që koncensionari ka parashikuar në dokumentet e ofertës në plan biznes se për mirëmbajtjen do të ngrihej një qendër teknike nga koncensionari. Një gjë e tillë nuk është realizuar…”-thuhet në vendimin e gjykatës së posaçme.

    Ndërkohë pas nënkontraktimit të kontratës nga “SaniService” i Ilir Rrapaj dhe “Globalsher” i Ilir Rrapaj, ky i fundit i ka dhënë shërbimet me nënkontraktim tek subjektet të tjera si “Florjan Biçaku PF”, “Servet Biçaku PF”, “Me-Sys s.r.l”, “Comfort Sh.p.k”. etj.

    Këto subjekte kanë faturuar rreth 44.000.000 lekë “Globalsher” për të njëjtat shërbime që kjo kompani e Ilir Rrapaj, i fundit ka faturuar konsencionarin SaniService të Ilir Rrapaj shumën prej 696.752.500 lekë dhe 321.811 euro.

    Në vendimin e gjykatës thuhet se nuk ka dokumentacion që të provojë mirëmbajtjen e bërë nga “Alba light” e Altin Nervaj. Gjithashtu, në deklarimet e bëra në SPAK nga Servet Bicaku dhe Florian Bicaku, rezulton se mirëmbajtja e impjanteve dhe aparaturave të procesit është bërë nga ata në të gjitha centralet e sterilimit në të gjithë Shqipërinë.

    Në deklarimin e bërë nga Bledar Rrokaj, mirëmbajtja e instrumenteve bëhet nga kompania “Me-Sys s.r.l”. Po ashtu, Bledari ka shpjeguar se kur instrumentet kirurgjikale të dërguara tek “Me-Sys s.r.l”, për riparime nuk riparohen dot, atëherë zëvendësimi i instrumenteve bëhet nga “SaniService” dhe jo nga “Globalsher”.

    “…Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me një shërbim “Full Risk” të marrë nga “GlobalSher”….-thuhet në vendimin e gjykatës së posaçme.

    Gjithashtu nga Raporti i Kontrollit Tatimor i datës 18 Maj 2018, konstatohet se dhe shërbimet e furnizimit që “Globalsher” ka bërë për “SaniService”, janë shërbime që futen në kategorinë e konsulencës.

    Pasi “Globalsher” i Ilir Rrapaj furnizon “SaniService” të Ilir Rrapaj me produkte që nuk i disponon, por i merr nga kompani të tjera. Në këtë rast “Globalsher”, konstatohet se shërben vetëm si ndërmjetëse.

    Sipas dokumenteve, Artan Lleshi veç rrogës mujore prej 4 milion e 564 mijë lekë të vjetra si Drejtor i Shërbimit Tregtar në këtë koncesion, ka mundur të përfitojë mbi 1.1 miliard lekë dhe përmes kompanisë “Gama Service”.

    Lleshi, hapi kompaninë “Gama Service” duke prerë fatura tatimore me vlerë 1 miliard e 169 milionë lekë tek kompania konçesionare, ku ai ishte emëruar drejtor, pikërisht nga shoku i tij i klasës, Ilir Rrapaj.

    Të gjitha këto shitje i ka bërë vetëm me “SaniService”. Ky subjekt ka bërë blerje gjithsej në vlerën 85.692.575 lekë. Nga këto blerje, ka kryer edhe me subjektin “Eumedica Senior” të Umbro Staçini, në vlerën 15.008.804 lekë nga muaji Korrik 2020 deri Dhjetor 2021, si dhe “Steralb” i Xhon Çaushaj, nip i Ilir Rrapaj në vlerën 14.239.057 lekë nga muaji Tetor 2020 dhe Dhjetor 2021.

    Po kështu kompania “Albamed 2014″ me ortak Ilir Rrapaj 60% dhe Elisabetta Anzanello 40%, vërehet se ka të deklaruara fatura shitje në vlerën gjithsej në vlerën 38.659.793 lekë. Nga këto shitje i ka bërë vetëm me “SaniService”.

    Ky subjekt ka bërë blerje në një total në vlerën 54.872.150 lekë, kryesisht nga “Neëster Systems srl” shoqëri italiane, në vlerën 8.424.906 lekë nga muaji Prill 2017 deri në Mars 2019.

    Nga “Tecnosanimed srl” shoqëri italiane, në vlerën 25.1563519 lekë nga muaji Qershor 2016 deri në muajin Janar 2019. Nga “Geonet Sistemi srl” shoqëri italiane, në vlerën 17.933.512 lekë në muajin Dhjetor 2016.

    Gjithashti “Eumedica Senior” kompania e Umbro Staçini ka deklaruar fatura shitje gjithsej në vlerën 358.817.451 lekë. Këto shitje i ka bërë tek kompania e tij “SaniService”, në vlerën 49.368.240 lekë, “Gamaservice” e Ilir Rrapaj në vlerën 1 14.561.815 lekë, “Martin Italia srl” shoqëri italiane në vlerën 274.307.237 lekë dhe “Santelara Global M” shoqëri turke, në vlerën 10.337.079 lekë.

    Umbro Staçini është ortak me “Tecnosanimed” tek subjekti konçesionar “SaniService” dhe ka qenë ortak tek “Eumedica Senior”, aktualisht administrator dhe tek “Albamed 2014”.

    Ndërsa Artan Lleshi është Drejtor i “SaniService” dhe ortak i “Gama Service”. Po kështu vajza e Artan Lleshit, Bora Lleshi ka hapur një kompani duke u bërë ortake e vetme aktuale e subjektit “SITEC”.

    Ndërkohë më parë ortak i këtij subjekti ka qënë Mitat Rrapaj, vëllai i Ilir Rrapaj. Të gjitha kompanitë e regjistruara kanë si adrresë të njëjtë “SaniService”.

    Po kështu nga verifikimet e “Ora News” del qartë se Drejtori i Komunikacionit në këtë koncesion, Altin Biba, i cili paguhet me një rrogë mujore prej 1 milion e 775 mijë lekë të vjetra, ka kapur një Nipt si person fizik. Nip-ti rezulton të jetë hapur në 23 Maj 2017.

    Me të njëjtin objekt veprimi si Altin Biba është hapur dhe një nip-t tjetër fizik me emrin Kleanti Lumi, i cili rezulton të jetë punonjës në kompaninë koncesionare, duke mbajtur detyrën e nënpunësit të Transportit të Mallrave, duke u paguar me një rrogë mujore prej 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra.

    Lumi ka hapur nip-tin në 18 qershor 2018, por lista e hapjes së nip-teve të dyshimtë deri në këtë fazë, vijon me Borana Beqirin, teknike-operatore në “Sani Service”. Beqiri paguhen me një rrogë prej 1 milionë e 260 mijë lekë të vjetra si operatore.

    Lista vijon me Kristi Timkon, teknik i proceseve të teknologjisë së informacionit në “Sani Service”, i cili merr një rrogë prej 1 milionë e 775 mijë lekë të vjetra.

    ORA NEWS

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Sterilizimi/ Rama del garant për pagesat e biznesmenit të burgosur Ilir Rrapaj

    Kur vendosi burgosjen e zv.ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj për abuzimet me paratë e koncensionit të sterilizimit, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi ndërprerjen e koncesionit para afatit. Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Erion Bani abuzimet në tenderin 100 milionë euro ishin të tilla që sterilizimi duhet ndalur menjëherë.

    Në pikën 20 të vendimit, gjykatësi sugjeron se një kopje t’i dërgohet Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për “marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndëtësisë, përfaqësuar nga Ministri Z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë “Sani Service” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca”

    Vendimi i Banit, që përfshin nisjen edhe nisjen e hetimit për Ilir Beqajn dhe Shkëlqim Canin u pasqyrua gjerësisht në media.

    Udhëzimi që jepet në këtë vendim për ta ndërprerë sterilizimin u kundërshtuan nga kryeministri Edi Rama, që ishte sot në ambjentet e spitalit Shefqet Ndroqi. Bashkë me mjekët ai vizitoi një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, ku ri-investimi i instrumenteve të rinj pritet kryhet në vitin e 7-të të këtij partneritetit, pra këtë vit.

    “Kur ndodhi në fillim ajo që u lajmëruan masat e sigurisë, për atë grupin që ka bërë procesin, kam marrë disa mesazhe. Por më shumë sesa pak mesazhe nga mjekë, që edhe ndonjë as nuk e njihja, se ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë. Dhe, ku do shkojmë? Dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje. Dhe nuk ka shanse, sepse qëllimi jonë i përbashkët dhe arsyeja që e kemi bërë këtë, ka qenë që t’ju japim, ju në dorë instrumentet e klasit më të lartë sot dhe janë të klasit më të lartë sot. Nuk ka qenë që hajde të bëjmë këtë dhe pastaj ju kapni ça të kapni. Kush sheh me këtë rast ‘’kapni ça të kapni’’, ka tjetër drejtim, atje ku e dimë” – u shpreh Rama.

    Me këtë vizitë, Rama jep një mesazh të dyfishtë. Në njërën anë për drejtuesin e ILDKP, që të mos i bindet urdhrit të gjykatës. Në anën tjetër për biznesmenin e burgosur Ilir Rrapaj që paratë të vazhdojnë të kalojnë tek ai dhe ortakët e tij.

    Video

    Ky qëndrim i Ramës, që këmbëngul se paratë e taksave tona duhet të vazhdojnë të kalojnë tek biznesmeni i burgosur Ilir Rrapaj, të kujton të njëjtën situatë me atë të inceneratorëve.

    Edhe pse Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja ishin shpallur në kërkim, qeveria Rama nuk i ndali pagesat deri kur inceneratori i Tiranës u vu nën sekuestro nga SPAK.

    Vetëm se në Sharrë nuk ekziston asnjë incenerator dhe sa më parë të ishin ndërprerë pagesat, aq më shumë para do të ishin kursyer nga buxheti i shtetit. Kostot e fryra të sterilizmit kanë qenë shpeshherë problem për spitalet dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

    Për vitin 2018 kompanisë private iu paguan 17 milionë euro, nga 10 milionë që ishte parashikuar në kontratë. Për këtë, në vitin 2019 të gjithë spitalet e vendit u urdhëruan të ulin operacionet e planifikuara, në dëm të pacientëve që kishin nevojë për t’u operuar.

    Lapsi

  8. #18
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    “Rrjepaj dhe Rrapaj ishin shokë shkolle”, gazetarja e BIRN: Ilir Beqaj duhet të procedohej penalisht, ka dijeni për…

    Emri:  fgdhdfghfdghdfg.jpg

Shikime: 1123

Madhësia:  32.8 KB

    Gazetarja e BIRN Aleksandra Bogdani, e ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me aferën e sterilizimit dhe hetimet e SPAK në lidhje me të.

    Bogdani u shpreh se të akuzuarit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, gjë që ka sjellë konflikt të pastër interesi në dhënien e këtij koncesioni.

    Ajo shtoi se edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do duhet të ishte proceduar penalisht nga drejtësia pasi ka pasur dijeni për komunikimet mes vartësit të tij dhe biznesmenit Rrapaj dhe njohjen e tyre.

    Video

    “Sterilizimi është dosja që është mbajtur më gjatë në SPAK. Kësaj dosje i mungon hetimi pasuror dhe është prekur shumë pak ndjekja e parave të sterilizimit. Kreu i komisionit të dhënies së koncesionit, Rrjepaj ishte shok klase i vjetër me Ilir Rrapajn që përfitoi koncesionin. Ky ishte konflikt i pastër interesi.

    Kompania është favorizuar edhe gjatë procedurave të negociatave duke zhytur në borxhe spitalet për faturat e energjisë. Hetimet janë të paplota. Nga të dhënat e dosjes Beqja duhet të ishte nën procedim penal. Nuk ka marrë asnjë veprim për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrapajt dhe Rrjepajt. Ai ka qenë në dijeni të qartë që këta persona kishin lidhje miqësore të vjetër”, u shpreh ajo.

    Video

    Balkanweb

  9. #19
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Koncesioni “i ndotur” i sterilizimit/ Si u zbulua abuzimi nga SPAK, miqësia e zv.ministrit me biznesmenin, nga “Mjekësia”, te afera 100 mln euroshe

    Emri:  sterilizimi.jpg

Shikime: 1121

Madhësia:  23.4 KB

    Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka sjellë detaje të reja nga dosja e SPAK për koncesionin e sterilizimit që solli disa urdhra arresti.

    Një koncesion që në letra, dukej i qepur pastër, ashtu si edhe vetë sterilizimi i setit të pajisjeve kirurgjikale, nëpër spitale.

    Aty ku kishin hedhur firmën në dokumente, por që pas hetimeve të gjata disavjeçare të kryera nga SPAK, ky koncesion në fakt do të rezultonte të ishte më i ndotur se edhe vetë sallat operatore, që po ata kishin tenderuar për t’i shpëtuar nga mikrobet.

    Në pranga këtë herë do të përfundonin vetë zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe CEO i koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitale, biznesmeni Ilir Rrapaj.

    Po cilat ishin gjetjet e SPAK lidhur mbi koncesionin e Sterilizimit dhe përse ky tender i aq shumë lëvduar nga vetë kryeministri Rama, përfundoi ashtu si shumë sivëllezër të tij të ngjashëm në dyert e drejtësisë?

    Cila është lidhja e zv.ministrit të Shëndetësisë Rjepaj me biznesmenin Rrapaj, dhe çfarë i nxori ata zbuluar në këtë marrëdhënie?

    A është Klodian Rjepaj, i vetmi zyrtar madhor, i përfshirë në këtë mega aferë, që përfundoi në bisturinë e sterilizuar tashmë të drejtësisë?

    Po për të kuptuar më mirë se si ‘Sterilizimi’ përfundoi në prangat e SPAK, është me vend të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht 10 vite më parë.

    Në vitin 2013, periudha kur në qeverisje, rikthehet Partia Socialiste, e cila mori pushtetin pas një mungese 8-vjeçare me divizën e duarve të pastra.

    Ardhje në pushtet ku fillojnë dhe bien në sy edhe disa marrëdhënie klienteliste, midis ministrave të rinj dhe biznesmenëve deri në këtë kohë të panjohur për tregun shqiptar.

    Raporte të padukshme që shpejt do të konkretizoheshin me marrëveshje bashkëpunimi dhe koncesione të majme për cilindo biznesmen që do të dorovitej me të tilla shuma parash.

    Një histori e tillë e ngjashme duket të jetë edhe kjo e koncesionit të ‘Sterilizimit’

    prej 9.6 miliardë lekësh i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, që prej 4 vitesh ka përfunduar në duart e SPAK.

    Tenderi i dyshimtë sot i gllabëron buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro në vit.

    Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, gjithçka nis e merr jetë në vitin 2013, periudhë në të cilën ministër i Shëndetësisë do të emërohet Ilir Beqaj, një ish-basketbollist i Dinamos të viteve ‘80, që një pjesë të mirë të aktivitetit të tij sportiv, e kishte ndarë me Edi Ramën, shoku i tij i rinisë së hershme, që në vitin 2013 do të zgjidhej kryeministër i Shqipërisë.

    Në kabinetin e tij do të bënte vend, në postin e Ministrit të Shëndetësisë, edhe për mikun e vjetër, Ilir Beqaj.

    Ndër operacionet e tij të para që do të ndërmerrte si ministër, do të ishte edhe ai për kurimin rrënjësor të Shëndetësisë.

    Në këtë kuadër, bisturia e parë për ta shpëtuar tashmë njëherë e mirë këtë shëndetësi nga lëngimi i thellë, ku sipas socialistëve e kishin lënë demokratët, do të ishte ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitale.

    Madje, për ta bërë sa më të besueshme divizën e tyre se epoka kur shëndetësia ishte lënë pas dore kishte marrë fund, më 22 nëntor të vitit 2013, qeveria Rama organizoi në pallatin e Brigadave në Tiranë edhe Nismën “Thuaj po Shqipërisë”.

    Të pranishëm në këtë tubim ishin profesionistët më të mirë shqiptarë në fushën e mjekësisë, të thirrur në këtë sallë nga vende të ndryshme të botës.

    Por ndërsa në sallë binin tek-tuk në sy emra të njohur të shkencës së mjekësisë, midis tyre vihet re si pjesëmarrës i ulur në radhët e para të karrigeve, një personazh deri në këtë moment i panjohur për publikun, që për kohën nuk duket se prodhonte ndonjë lajm kush e di se çfarë.

    Por në vazhdim do të përbënte edhe fillesën e një hetimi të gjatë, nga ku do të rezultonte se personi i ulur përballë kryeministrit Rama dhe drejtuesve të lartë të Shëndetësisë, nuk do të ishte edhe aq rastësisht i përzgjedhur të qëndronte në radhët e para të karrigeve. Ky personazh, do të ishte Ilir Rrapaj, një biznesmen që punët e tij si afarist deri në këtë kohë i kishte zhvilluar në Peruxhia të Italisë.

    Aty ai ishte pronar i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi, sipërmarrje që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar, vetë biznesmenin Ilir Rrapaj.

    “Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 Nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar.

    Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe Zvmministrit Klodian Rjepaj”, thuhet në dosjen hetimore.

    Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’

    Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK.

    Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim.

    Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj.

    “Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias.

    Koordinatorë shkencorë për dy institucionet janë caktuar Ilir Beqaj dhe Prof. Gianni Bidini.

    Gjatë një kontrolli të kryer në faqen e ‘facebook’ të Ministrisë së Shëndetësisë vërehet postimi i një albumi fotografik me të njëjtin titull dhe në të njëjtën datë.

    Në këto fotografi vërehet shtetasi Ilir Rrapaj në krah të zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në anën e delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë ku ndodhet dhe ministri Ilir Beqaj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

    Kjo foto duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’.

    Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit.

    Ky person del të jetë Umbro Staccini (Umbro Staçini), njeriu që siç shikohet edhe në këtë foto të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër” në vitin 2018, i jepet nga Departamenti i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, certifikata e mirënjohjes, për kontributin e çmuar që sipas këtij Fakulteti ai ka dhënë në dhurimin dhe sigurimin e pajisjeve kirurgjikale në Shërbimet Universitare të Kirurgjisë.

    “Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staccini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’. Gjithashtu vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”, thuhet më tej në dosje.

    Umbro Staccini, duket se ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në takimet që më pas Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të zhvillojë në Umbria të Italisë me drejtues të rëndësishëm të këtij rajoni.

    Siç ishte edhe pritja që drejtuesja e këtij rajoni, i bëri ministrit Beqaj, në fund të vitit 2014, ku edhe në këtë takim, sipas fotove të verifikuara nga SPAK, nuk mungon biznesmeni Ilir Rrapaj që duket se ka shërbyer si një lloj xholi midis drejtuesve të lartë shqiptarë të shëndetësisë dhe Umbro Staccinit, që nga ana e tij ka shfrytëzuar lidhjet me politikën vendase, me qëllim për të konkretizuar marrëveshje të rëndësishme në fushën shëndetësore midis Shqipërisë dhe Italisë.

    Menjëherë pasi është firmosur ky memorandum bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Rajonit të Umbrias, sipas dokumentacionit që ka siguruar SPAK, në muajin prill 2014 ministri Ilir Beqaj thërret në takim shefat e shërbimit të Kirurgjisë.

    Qëllim i takimit del të jetë mundësia e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit.

    Marrëveshja ndërkohë u dërgohet edhe katër dikastereve të tjerë ministrorë që firmosin pa hezitim.

    “Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 Prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore.

    Në muajin maj të vitit 2014, duket se tashmë se gjithçka është e kopsitur për sa i përket marrëveshjes së sterilizimit midis Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë në njërën anë dhe rajonit të Umbrias në Itali në krahun tjetër.

    Madje sipas dokumentacionit të siguruar nga SPAK, në Shqipëri vjen edhe vetë Presidentja e Rajonit të Umbrias, për të cilën shtrohet edhe një pritje zyrtare.

    Por ndërsa memorandumi i bashkëpunimit kishte si synim pjesëmarrjen e 20 kompanive italiane të interesuara për të ofruar shërbimet e tyre në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, çuditërisht në vendin tonë vjen vetëm njëra prej këtyre kompanive.

    Sipas dosjes hetimore “më 21 deri më 23 Janar 2014 në Shqipëri vjen delegacioni italian me kryesues Prof.Gianni Bidini të Universitetit të Peruxhias, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar në datat 16-18 Dhjetor 2013”.

    “Ku nga këqyrja e e-mail eve të zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj rezulton se pjesë e këtij delegacioni italian kanë qenë edhe Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini. Dokument që është përkthyer dhe është futur në dosjen e përgatitjes së projektit të koncesionit, por në të cilin janë hequr emrat e llir Rrapaj dhe Umbro Staccinit, si pjesë e delegacionit”.

    Por ndërsa ishin bërë gjithë këto ecejake ministrore për të formuluar një studim fizibiliteti cilësor dhe të qëndrueshëm për të siguruar sterilizimin e duhur të pajisjeve kirurgjikale në spitale, duket se Ministria shqiptare e Shëndetësisë, zgjodhi rrugën më të shkurtër për ta bërë sa më shpejt këtë studim.

    Duke përdorur pjesë të studimit të fizibilitetit të përgatitur po vetë nga delegacioni italian i mbërritur në Tiranë, ku pjesë e këtij delegacioni ishin edhe Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini, dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’, që në vitin 2015 do të fitonin koncesionin prej 100 milionë euro të sterilizimit, çka rriti dyshimin te SPAK, mbi një klientelizëm të mundshëm midis tyre dhe drejtuesve të Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë; si dhe një paracaktim të fituesit të koncesionit.

    “Dokumenti është përkthyer dhe është futur në dosjen e përgatitjes së projektit të koncesionit, por në të janë hequr emrat e llir Rrapaj dhe Umbro Staccini si anëtarë të delegacionit.

    Gjithashtu pjesë të këtij dokumenti janë bërë edhe pjesë e Studimit të Fizibilitetit të procedurës së dhënies se koncesionit”, thotë dosja. Por ato që do ta nxirrnin zbuluar zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, do të ishin komunikimet e tij me e-mail me biznesmenin Ilir Rrapaj, komunikime të cilat i përkasin viteve 2013-2014, ku del se është ky i fundit që e udhëzon zv/ministrin e Shëndetësisë se çfarë duhet të bëjë për koncesionin e sterilizimit.

    “Nga të dhënat e e-maileve të periudhës dhjetor 2013-Mars 2014 midis Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, vihet re se Rjepaj merr udhëzime nga Ilir Rrapaj për veprimet që duhet të kryejë në lidhje me Rajonin Umbria.

    Po kështu nga komunikimet del se zv.ministri i Shëndetësisë ka marrë nga Rrapaj edhe draftet e studimit të Universitetit të Peruxhias, që më pas janë bërë pjesë e studimit të fizibilitetit.

    Në këto komunikime Ilir Rrapaj në e-mailet e dërguara ka të shënuar se është ‘Promotor biznesi-Confimi Italia’ dhe adresë e-mail info@investital.com, website www.investital.com.

    Në fundin e këtyre e-maileve gjendet logo e kompanisë Investital ashtu siç është edhe në dokumentet e ofertës së bërë nga bashkimi i operatorëve ekonomikë të kryesuar nga Servizi Italia.

    Në tekstin e dërguar nga Ilir Rrapaj për Klodian Rjepaj kuptohet se kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri tjetrin”, thuhet në dosje.

    Janë pikërisht këto marrëdhënie miqësore dhe kjo shpirtmadhësi e treguar nga ministria e kohës e Shëndetësisë, që çoi SPAK drejt një tjetër investigimi, atë, të gjetjes së fijeve të padukshme të këtij flirtimi që i siguroi biznesmenit Ilir Rrapaj, koncesionin prej 100 milionë euro të Sterilizimit.

    Hulumtim rezultoi surprizues edhe për vetë hetuesit, të cilët zbuluan se si zv/ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj kishte përfunduar studimet në të njëjtin auditor me biznesmenin Ilir Rrapaj.

    Rjepaj rezulton po kështu se studimet i ka kryer në intervale të ndryshme kohore, madje duke përsëritur edhe vitin akademik.

    “Me vendimin e datës 2 Nëntor 2021, në Universitetin e Mjekësisë u krye këqyrja e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga shtetasi Klodian Rjepaj.

    Nga kjo këqyrje rezultoi se Klodian Rjepaj ka ndjekur studimet në vitet akademike 1990-1998, të ndara ne dy periudha. Fillimisht ai rezulton se ka ndjekur studimet në vitet 1990-1994. Në vitin akademik 1994-1995 ai del se nuk ka frekuentuar studimet. Një vit më pas në sezonin 1995-1996, Rjepaj ka shënimin ‘Përsërit vitin’.

    Po kështu për vitin 1996-1997, ai nuk ka shënime në regjistër.

    Nga këqyrja e mëtejshme rezulton se Klodian Rjepaj ka kryer studimet në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.

    Ajo që bie në sy në këto regjistra është se në këto vite ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Fejzo Rrapaj, nga ku del se në ‘Regjistri 8 Mjekësi’, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasit Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992-1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike”, thuhet në dosje.

    Interesant është në hetimin e kryer nga oficerët e policisë gjyqësore, fakti që dy studentët Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, i kanë vazhduar dhe ndërprerë studimet në mjekësi në të njëjtën periudhë. Ndërkohë që miqësia e tyre studentore, si në një simbiozë vëllezërish gjaku, përsëritet edhe në vazhdim, kur të dy rezultojnë se kanë përsëritur sezonin akademik, në Fakultetin e Mjekësisë, në të njëjtin vit.

    “Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet.

    Po kështu në vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin ‘Përsërit vitin’. Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër”, deklaron Prokuroria në dosje.

    Por ky regjistër ka rezultuar një xhevahir i vërtetë për gjetjet e SPAK, pPasi ndërsa kërkonin për emrat e Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, përpara tyre shfaqet edhe një tjetër zbulim ngazëllues, një emër që duket se plotëson trion e atij që 18 vite më pas do të ishte koncesioni i Sterilizimit.

    Ky emër do të ishte Artan Lleshi. Edhe ky në të njëjtin kurs studentësh me Rjepaj dhe Rrapaj.

    “Në ‘Regjistrin 7’, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, tre rreshta më sipër vërehet emri i shtetasit Artan Lleshi, i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.

    Artan Lleshi rezulton të jetë Drejtor në kompaninë koncesionare ‘SaniService’ që nga krijimi i saj.
    Gjithashtu, ai është Administrator i kompanisë ‘Gamaservice’, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga koncesionari ‘SaniService’ për periudhën prill 2020-dhjetor 2021”.

    Në lidhje me njohjen e Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, SPAK mori në pyetje edhe një bashkëstudente dhe kolege të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

    D.N, pohoi se Rjepaj dhe Rrapaj ishin të dy nga Vlora.

    Miqësi që duket se ka lindur në këtë qytet dhe është përforcuar më pas edhe në kohën e studimeve.

    “Më datë 22 dhjetor 2021 në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale u pyet edhe shtetasja D. N.

    Ajo deklaron se: ‘Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992.

    Në dijeninë time Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe është rikthyer përsëri më vonë për të kryer studimet. Klodiani është nga Vlora dhe ka bërë shkollën fillore me bashkëshortin tim. Ilir Rrapajn e njoh pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet. Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin”, thuhet në dëshminë e bashkëstudentes.

    Pra, tashmë për Prokurorinë e Posaçme ishte e qartë, se miqësia e hershme midis Rjepaj dhe Rrapaj që datonte nga koha kur ata ishin shokë në qytetin e Vlorës dhe më pas në të njëjtin kurs studimi në Fakultetin e Mjekësisë, kishte ushqyer më pas koncesionin e Sterilizimit.

    Rjepaj, në cilësinë e zv/ministrit të Shëndetësisë kishte rigjetur pas 18 vitesh edhe njëherë shokun e vjetër të bankave të shkollës, tashmë biznesmen, për të krijuar këtë lidhje klienteliste.

    (BalkanWeb)

  10. #20
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,144
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Sterilizimi/ Xama: Dosja tregon dëmin ekomomik dhe inkriminim e zyrtarëve të lartë në korrupsion. Sako: U ul numri i operacioneve me qëllim…

    Emri:  ola-xama.jpg

Shikime: 1116

Madhësia:  25.6 KB

    Gazetarja Ola Xama dhe eksperti i ekonomisë Pano Sako, të ftuar në studion e emisionit “Në Shënjestër”, nga gazetarja Klodiana Lala, në News24, diskutuan për koncesionin e sterilizimit.

    Xama tha se dosja e sterilizimit ndahet në dy pjesë, ajo ekonomike dhe inkriminimi i zyrtarëve të lartë në këtë çështje.

    Ndërsa Sako foli për shqetësimet dhe dyshimet e para për koncesionin e sterilizimit dhe për denoncimin e bërë nga Nisma Thurje në SPAK. Ai argumentoi se dyshimet u bënë më të qarta nga ulja e numrit të operacioneve në mënyrë të kujdesshme me qëllim që tarifën ta mbanin të lartë por edhe të mos e kalonin kufirin.

    Pjesë nga diskutimi në studio:

    Ola Xama: Do e ndaja dosjen në dy pjesë, pjesa ekonomike dhe provat, faktet që SPAK ka zbuluar për inkriminim e zyrtarëve të lartë. Cili është konflikti që SPAK ka ngritur? Sterilizimi është zierja në temperaturë të lartë të mjeteve kirurgjikale që ulin riskun për infeksione. Sipas SPAK dhe auditit, e ofronin vetë qendrat spitalore.

    U vendos që sterilizimin do bëhej me koncesion. Rrjepaj me Beqajn kanë zhvilluar takime në Itali, ku SPAK ka zbuluar se pjesëmarrës kanë qenë pronarët e ardhshëm. Kompania ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë njohje dhe konflikt interesi, por hetimi ka treguar të kundërtën.

    Pano Sako: Shqetësimi ka nisur në vitin 2018. Çfarë është kjo gjë që pengon kryerjen e operacioneve? Këtu morëm spunton dhe pamë disa njolla të errëta. E para ishte që qendra e sterilizimit ishte dhënë falas koncesionarit. E para kemi mjekët që pengohen për kryerjen e operacioneve dhe kjo nuk është normale. Spitalet nuk kishin mjaftueshëm para për ta bërë këtë. Dyshimet ishin, por nuk kishim prova dhe fakte e ndaj bëmë denoncim pranë SPAK-ut. Na bëri përshtypje fakti që kompania ishte regjistruar në Kosovë. Aty e kuptuam se këto skema kanë të njëjtën panoramë, marrë shakë së edhe nga skandali i inceneratorëve. U kujdesën që të ulnin numrin e operacioneve me qëllim që tarifën ta mbanin të lartë por edhe të mos e kalonin kufirin. Kjo ishte skema e zbërthyer. Falsifikimi i numrit të operacioneve u bë për të mos kaluar kufirin e shpenzimeve.

    Xama: Ka edhe një mendim subjektiv. Çfarë do të kisha bërë unë? Nëse do kisha njohje me një kompani të madhe që do zgjidhet problem, njohja nuk do ishte problem nëse do jepte shërbim të madh. Unë nuk mënoj se nuk ka njeri budalla që të bëjë burg për shokun apo të pasurojë shokun dhe jo veten. Nuk kemi hetim pasuror. Kam parë bilancet e Sunny Service, ku në 4 vite ka dalë me fitim dhe 4 vite me humbje. Prokuroria ka marrë bilancet, kontratat dhe rezulton se 70-80% të shërbimeve i nënkontraktojnë. Pra nuk është e aftë të kryejë sterilizimin. Kjo kompani nuk ka qenë e aftë të jepte shërbimet.

    (BalkanWeb)

Faqja 2 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 25-11-2024, 13:39
  2. Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 34
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 11:03
  3. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-10-2023, 11:03
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-07-2017, 14:46
  5. Vodhen Computerat e NATO-s, policia Kosovare arreston dy hajdutet.
    Nga Kryqi i Paqes në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-08-2009, 11:35

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •