Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 38
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizimit

    Emigranti shqiptar fiton koncesionin 100 milion USD të Sterilizimit


    Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit.

    Nga Elton Qyno 13:06 | 24/11/2015

    Emri:  Rrapaj-Rama.jpg

Shikime: 2538

Madhësia:  28.0 KB
    Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë” | Foto nga : Facebook


    Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

    Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

    Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

    Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

    Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

    Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si:”S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

    Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.

    KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues. [Kliko këtu për të shkarkuar vendimin e KPP-së]

    Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013.

    Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë.

    I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”

    “Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin me objekt ‘Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale…', rezulton se z. Ilir Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose Operatorëve Ekonomikë (OE) që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi,” u shpreh Beqaj.

    Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë mohon që oferta e konsorciumit ku përfshihet Rrapaj të jetë mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat si “shpifje.”

    Rrapaj nga ana tjetër refuzoi t'i komentonte kontaktet e tij me ministrin Beqaj, duke u mjaftuar me pretendimin se procedura e dhënies së koncesionit kishte qenë sipas tij e suksesshme.

    Tenderi i dyshimtë

    Emri:  beqaj-rrapaj.jpg

Shikime: 2506

Madhësia:  41.8 KB
    Ilir Rrapaj gjatë nje takimi të ministrit Ilir Beqaj me ambasadorin Italian në Tiranë dhe kreun e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini, më 11 dhjetor 2014 | Foto nga : Ministria e Shëndetësisë

    Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.

    Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

    Ky shërbim parashikohet të ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

    Vlera e fondit limit të koncesionit është arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Është marrë në studim viti 2013 dhe është vlerësuar numri total i ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë përllogaritur përafërsisht shpenzimet e kryera në blloqet operatore, kryesisht në spitalet rajonale dhe ato universitare, të cilët kanë aktivitet të shkuar kirurgjikal,” tha Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN.

    “Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use,” e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale,” shtoi ajo.

    Ministria sqaroi më tej se analiza e situatës ishte kryer pasi kishte mbledhur informacion nëpërmjet një pyetësori dhe kishte arritur në përfundimin që sistemi i menaxhimit, sterilizimit dhe mirëmbajtjes së sallave kirurgjikale apo instrumenteve kishte probleme serioze.

    Sipas ministrisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.

    Me datën 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 Maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.

    Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë.

    Sipas “Action Laundry” përllogaritet që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.

    Kompania me qendër në Durrës pretendon se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë (17.8 milionë euro).

    Më 8 qershor, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga Action Laundry ka paraqitur një ankesë në KPP duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga Servizi Italia S.p.a.

    Me datë 22 qershor, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e Action Laundry dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.

    Anëtarët e KPP në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se:… “Në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”

    Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.

    Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.

    Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.

    Sipas “Action Laundry,” rivlerësimi i dytë i pikëve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë sërish i pasaktë dhe i dyshimtë, pasi pikët akorduar konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia janë rritur ndjeshëm.

    “Konkretisht në rivlerësimin e dërguar, oferta e shoqërisë “Servizi Italia” SPA rezulton përsëri e renditur në vendin e parë, por nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e mëparshëm, tani çuditërisht është vlerësuar me 91.03 pike,” Action Laundry i tha BIRN.

    “KVO-ja ka gabuar në vlerësimin me pikë të ofertës tonë, e cila rezulton të jetë oferta fituese e procedurës, sepse në finale shoqëria jonë për të njëjtin shërbim të kërkuar nga Autoriteti Kontraktor ka ofruar vlerën 753.500.000 lekë, ndërkohë që shoqëria ” Servizi Italia” SPA ka ofruar vlerën 1.003.780.000 leke,” shtoi ajo.

    Action Laundry gjithashtu nënvizon që oferta e konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia për një periudhë 10-vjeçare tejkalon dhe fondit limit prej 9.6 miliardë lekësh.

    E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë pretendimet e “Action Laundry” si të pavërteta.

    “Nuk është e vërtetë që oferta e “Servizi Italia” është mbi fondin limit. Këtë spekulim, e ka bërë konkurrenti tjetër, i cili ka vendosur në mënyrë arbitrare volumet vjetore të çdo grupndarjeje të llojit të ndërhyrjes kirurgjikale,” tha Ministria në një përgjigje me postë elektronike.

    “As në realitetin e shërbimit kirurgjikal në Shqipëri, dhe as në dokumentat e tenderit të garës së koncensionit nuk ekziston e dhëna se realizohen çdo vit 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale me intesitet të lartë. Në realitet, ndërhyrjet me intesitet të lartë janë disa herë më pak. Rritja artificiale e volumit të grupndërhyrjeve me çmim të lartë për njësi është kryekëput e pasaktë,” shtoi ajo.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë konkurrenti që është ankuar, ka “shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materieleve mjekësore njëpërdormëshe të ofertës fituese.”

    Ajo shtoi që vlera prej 1 miliardë lekë që pretendohet se është kosto e vjetore e shërbimit të ofruar nga Servizi Italia është e pavërtetë, por nuk saktësoi se cila është kosto e këtij shërbimi.

    Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k.

    Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.

    Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro. [Kliko këtu për ekstraktin e SaniSerice sh.p.k]

    Lidhjet midis Ilir Rrapajt dhe Ilir Beqajt

    Emri:  rrapaj-beqaj2.jpg

Shikime: 2478

Madhësia:  44.6 KB
    Ilir Rrapaj, ministri Ilir Beqaj dhe z/ministri Klodian Rrjepaj, më dt. 19 Dhjetor 2013, gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Shëndetësisë në Rajonin e Peruxhias, Itali. | Foto nga : Facebook

    I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90' dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro. [Kliko këtu për të shkarkuar esktraktin e Ali Pashe Tepelena SAS]

    Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.

    Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.

    Fotot të siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.

    Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.

    Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.

    Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.

    Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.

    “Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi,” tha Beqaj gjatë nënshkrimit të Memorandumit në Tiranë me presidenten e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini.

    Beqaj shtoi Memorandum i Bashkëpunimit është paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes :”Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.”

    Tre kompanitë fituese të koncesionit për pajisjet kirurgjikale, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed janë pjesë e “Polo Biomedical Umbria,” por mbetet e paqartë nëse Protokolli i Bashkëpunimit ka luajtur ndonjë rol në procedurën e prokurimit.

    Kompania e Rrapajt, Investital Llc është regjistrua në Prishtinë në korrik të vitit 2014. Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruhet si një agjenci investimesh, me interesa në sektorin e industrisë, turizmit dhe shëndetësisë.

    Duke komentuar fotot ku shfaqet përkrah Ilir Rrapajt, ministri Beqaj pranoi që biznesmeni nga Peruxhia në të paktën një okazion zyrtar ishte i ftuar i ministrit të shëndetësisë.

    “Fotoja e parë duhet të jetë shkrepur në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë, në një darkë që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shtroi për nder të Ambasadorit Italian, z. Massimo Gaiani, dhe një grupi përfaqësuesish të Rajonit të Umbrias, këshillit drejtues akademik të Universitetit Shtetëror të Peruxhias (Università degli Studi di Perugia) dhe dhomës tregtare Confimi Impresa (Konfederata Italiane e Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme),” tha Beqaj.

    Ai shtoi në një komunikim të dytë se nga nëntori 2013, deri në dhjetor 2014 ishte takuar katër herë më biznesmenin Ilir Rrapaj, në cilësinë e tij si përfaqësues Confimi Impresa.

    I kontaktuar nga BIRN, Ilir Rrapaj u shpreh se fitues të koncesionit për setet kirurgjikale ishin shpallur kompanitë më të mira, duke përmendur “Servizi Italia”.

    I pyetur mbi akuzat e Partisë Demokratike se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses.”


    Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Koncesioni i sterilizimit u kushton 3.2 milionë USD shqiptarëve në 10 muajt e parë

    Nga Lindita Çela 11:44 | 27/05/2017

    Emri:  beqaj-receta-elektronike.jpg

Shikime: 2466

Madhësia:  23.9 KB
    Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ghatë një konference për shtyp në shtator pë recetën elektronike | Foto nga : LSA

    Të dhënat e siguruara në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm tregojnë se koncesionari i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka mbuluar rreth 14 mijë ndërhyrje kirurgjikale me një kosto prej rreth 320 milionë lekësh gjatë 10 muajve të parë të operimit të tij.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, i fituar nga konsorciumi Sani Service u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 320 milionë lekë gjatë 10 muajve të parë të operimit.

    Pagesa e mësipërme përfshin vetëm setet kirurgjikale të ofruara nga koncesionari për rreth 14 mijë operacione të kompleksitetit të lartë, të mesëm dhe të ulët, të kryera në qendrën universitare “Nënë Tereza” gjatë muajve Maj 2016-Mars 2017.

    Përveç seteve sterile kirurgjikale, kontrata koncesionare parashikon që kompania të ofrojë edhe materiale mjekësore një përdorimëshe apo dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Por vlera e përfituar nga këto shërbime mbetet ende e panjohur, pasi koncesionari e ka filluar këtë shërbim në Prill 2017.

    Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i vuri në dispozicion BIRN pasqyrat përmbledhëse të ndërhyrjeve kirurgjikale të mbuluara nga Sani Service për 10 muajt e parë të operimit. Kërkesës për numrin e materialeve të sterilizuara me avull, të destinuara për aktivitete ndihmëse, FSDKSH u përgjigj se “nuk disponon ende informacion statistikor”.

    Kontrata e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u firmos mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sani Service në dhjetor 2015 për një afat 10 vjeçar me një vlerë të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.

    Kompania koncesionare Sani Service përbëhet nga bashkimi i kompanive Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed.

    Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital Llc- një kompani e vogël me kapital 1 mijë euro e regjistruar në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

    Ndërkohë, paketa e mbetur e aksioneve të koncesionit ndahet në 15 për qind për Servizi Italia, 15 për qind për Tecnosanimed dhe 15 për qind për U.Jet S.r.l.

    Në dokumentet e tenderimit, Ministria e Shëndetësisë shpjegoi se shërbimi i dhënë me koncesion do të ofrohet në spitalet universitare dhe ato rajonale të vendit. Sipas studimit të fizibilitetit që i parapriu koncesionit, numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në këto spitale arriti në 50 mijë gjatë vitit 2013.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se deri në fund të marsit 2017, Sani Service e kishte shtrirë aktivitetin e saj vetëm në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe në maternitetin Koço Gliozheni.

    Me shtrirjen e këtij shërbimi në të gjitha spitalet universitare dhe rajonale-siç edhe parashikohet në kontratë, vlera e këtij shërbimi pritet të rritet shumëfish në vitet e ardhshme.

    Kontrata koncesionare

    I vendosur nën kritika për politikën e dhënies me koncesion të shërbimeve të kushtueshme në shëndetësi, kryeministri Edi Rama është mburrur vazhdimisht se kjo praktikë ka bërë të mundur modernizimin e shërbimeve.

    Në qershor 2016, Rama inspektoi funksionimin e koncesionit të sterilizimit të kompanisë Sani Service dhe e quajti atë” një operacion të jashtëzakonshëm…dhe një tjetër hap me rëndësinë funksion të rilindjes së sistemit shëndetësor”.

    Megjithatë, kontrata e koncesionit të cilën BIRN e disponon, tregon se shqiptarët do ta paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë këtë shërbim. Në kontratën e lidhur, çmimet për njësi për pajisjet e seteve kirurgjikale janë ndarë në tre kategori, atë të kompleksitetit të lartë, të kompleksitetit të mesëm dhe të kompleksitetit të ulët.

    Seti kirurgjik për ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë do të kushtojë 37.700 lekë, ai për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm 22.300 lekë dhe për ndërhyrjet me kompleksitet të ulët 13.900 lekë.

    Sipas FSDKSH, Sani Service ka mbuluar me sete kirurgjikale 14 528 ndërhyrje kirurgjikale gjatë periudhës Maj 2016-Mars 2017. Nga këto, 3217 ndërhyrje kanë qenë të kompleksitetit të lartë, 5024 ndërhyrje të kompleksitetit mesatar dhe 6287 ndërhyrje të kompleksitetit të ulët.

    Llogaritë matematikore tregojnë se Sani Service është paguar 320 705 400 lekë për setet kirurgjikale për të trija kategoritë ose rreth 3.2 milionë dollarë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

    Kompania koncesionare ka ofruar gjithashtu instrumente të sterilizuara me avull për pacientët ambulantë dhe sterilizim me temperaturë të ulët, të cilat kushtojnë respektivisht 266 dhe 1090 lekë për njësi. Por Fondi sqaroi për BIRN se ky shërbim ka filluar më 8 Prill 2017.

    Kontrata koncesionare përcakton që marrëdhënia mes FDSKSH dhe kompanisë të procedohet përmes raporteve ditore dhe atyre mujore të ndërhyrjeve të planifikuara kirurgjikale.

    “Personeli spitalor duhet të njoftojnë koncesionarin në lidhje me shërbimet e përfituara duke i dërguar këtij të fundit një informacion ditor dhe mujor. Informacioni ditor do të përfshijë ndër të tjera, numrin identifikues, tipin e ndërhyrjes, datën, klasifikimin e ndërhyrjes, paketime me avull, ose me temperaturë të ulët, të kryera nga struktura spitalore,” thuhet në nenin 5 të kontratës.

    Kontrata përcakton penalitete për autoritetin kontraktor, në rastet kur përdoren më shumë materiale sterile se ato të përcaktuara apo kur vonohet disbursimi i pagesave.

    Në rastin e parë, kompanisë i lind e drejta të paguhet për çmimin më të lartë plus 40 euro, ndërsa në rastin e pagesave të vonuara, kompania duhet të paguhet bashkë me një interes prej 7 për qind.


    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor

    Pesë vjet pas nënshkrimit, kontrata e seteve kirurgjikale po i kushton gjithnjë e më shtrenjtë financave të shëndetësisë, ndërkohë që mjekët dhe kirurgët i kanë rikthyer sytë nga autoklavat e vjetra për të kryer detyrën dhe mbajtur kostot nën kontroll.

    Nga Anila Hoxha 18:20 | 23/11/2020

    Emri:  Ilustrimi-per-sterilizimin.jpg

Shikime: 2471

Madhësia:  63.7 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN.

    Pas një operacioni rutinë në spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, kirurgu kthehet në zyrë me një pajisje në dorë, që sapo e ka marrë fshehurazi nga salla e operacionit. Ai e vendos atë mbi tavolinë, e çmbështjell nga një copë letër higjienike dhe tregon me gisht elektrobisturinë në ngjyrë blu, ende të paketuar në qese.

    “Ky instrument do të hidhej në mbeturina,” tha kirurgu, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit. “Ky është shembulli flagrant sesi shpërdorohen paratë tona,” shtoi ai gjatë bisedës së zhvilluar në zyrën e tij, në mesin e tetorit.

    Elektrobisturia mbi tavolinën e kirurgut është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë [me TVSH] për çdo ndërhyrje.

    Mjeku thotë se ka për qëllim që ta shpëtojë instrumentin duke e sterilizuar “ilegalisht” atë –në mënyrë që të kursejë para përmes përdorjes në një seri operacionesh të tjera.

    Episodi i spitalit të Traumës nuk është një rast i izoluar. Të gjendur nën presionin e çmimeve të shtrenjta të seteve kirurgjikale, mjekët i kanë kthyer sytë tek autoklavat e vjetra, që janë rikthyer tashmë në qarkullim në disa prej spitaleve të rëndësishme të Tiranës.

    Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total.

    Pagesat realizohen sipas skemës “përdor dhe paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë.

    BIRN intervistoi mjekë dhe kirurgë të spitave të ndryshme të Tiranës, të cilat pohuan se formula e zgjedhur i rrit shpeshherë kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej.

    Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj.

    Kontrata PPP është gjithashtu një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe po hetohet prej 11 muajsh për tre vepra penale që lidhen me korrupsionin.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e mbrojti kontratën në një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria.

    “Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq,” tha Beqja, firmëtar i kontratës.

    “Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” shtoi ai.

    Kompania koncesionare, SaniService nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Dhurimi i stacionit të sterilizimit

    Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.

    Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

    Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

    Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një hetimi të zhvilluar në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.

    Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

    Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja.

    Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

    “Ky koncesion pikërisht për të ruajtur këtë investim, parashikon ta jetësojë këtë qendër, duke e vënë në punë atë,” deklaroi në Prokurori një nga anëtaret e komisionit.

    Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.

    Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.

    Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.

    “Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.

    Prokuroria e Tiranës iu rikthye arsyeve se pse Ministria e Shëndetësisë zgjodhi procedurën PPP përballë prokurimit të zakonshëm në seancën e pyetjeve me anëtarët e komisionit, ndërkohë që këta të fundit dhanë si argument mungesën e fondeve për investim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ishte edhe kryetar i komisionit i tha Prokurorisë se rinovimi i instrumenteve kirurgjikale kapte shifrat e 11 milionë eurove, ose dyfish e gjysmë mbi zërin që Ministria e Shëndetësisë kishte në dispozicion për investime.

    “Skema PPP është më e favorshme për shkak të investimit fillestar të madh, që nuk përballohet nga shteti si dhe për shkak të marrjes së riskut totalisht nga privati,” shton Rrjepaj në dëshmi.

    Ndryshe nga parashikimi në studimin e fizibilitetit, Ministria e Shëndetësisë paguan çdo vit një faturë edhe më të shtrenjtë sesa investimi fillestar prej 11 milionë eurosh –me kosto që luhaten në një mesatare vjetore prej 1.6 miliardë lekësh ose gati 13 milionë euro.

    Fryrja e kostove

    Emri:  beqja.jpg

Shikime: 2475

Madhësia:  38.7 KB
    Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ish ministri Ilir Beqaj, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA

    Në dy maternitetet e Tiranës, Koço Gliozheni dhe Mbretëresha Geraldinë, janë rikthyer instrumentet tradicionale për një pjesë të madhe të lindjeve natyrale. Metoda e vjetër e sterilizimit me autoklavë funksionin gjithashtu në gjysmë-ilegalitet, pas kërkesave verbale të eprorëve për të ulur përdorimin e seteve.

    Një mjek gjinekolog i tha BIRN se setet kirurgjikale janë të panevojshme për lindjet natyrale.

    “Ndryshe nga operacionet, një lindje natyrale ka nevojë për dy-tre instrumente ndaj na është kërkuar verbalisht, nën rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që në këto raste të minimizohet përdorimi i paketave me instrumenta të sterilizuar,” tha ai.

    Si shumë kolegë të tij, edhe mjeku gjinekolog pranoi të intervistohej nga BIRN me kushtin që të mos i përmendej emri.

    “Ne realizojmë mesatarisht 30 ndërhyrje dhe lindje në ditë. Të blesh një set kirugjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja…E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirugjikale?” pyeti ai.

    Dy maternitetet e Tiranës u fajësuan pjesërisht për rritjen e kostove në vitin 2018, pasi një grup kontrolli nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi se për lindjet natyrale ishin përdorur paketa të kompleksitetit të ulët. Mjekët u këshilluan që për lindjet normale të përdornin sete të sterilizimit me avull, të cilat kushtojnë 319 lekë copa.

    Pjesa tjetër i faturohet mikrokirurgjive, të cilat nuk numëroheshin si ndërhyrje përpara dhënies së shërbimit me koncesion.

    Kirurgu Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe pjesë e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit e mburri koncesionin si “gjëja më e mirë” për sistemin shëndetësor. Megjithatë, Gjata pranoi se një kategori mikrondërhyrjesh nuk deklaroheshin më parë dhe nuk ishin llogaritur. Ai përmendi në këtë kategori ndërhyrje të tilla si rrethprerja (syneti), heqja e një thoi apo e një nishani.

    “Pas futjes së koncensionarit duheshin deklaruar, pasi do të përdoren setet kirurgjikale. Kanë rezultuar të jenë rreth 8 mijë të tilla në të gjithë vendin dhe sigurisht kanë rritur numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke rritur edhe kostot,” tha kirurgu Gjata.

    Lindjet natyrale dhe mikrokirurgjitë nuk janë të vetmet ndërhyrje që sollën rritje të paparashikuar të kostove. Mjekët përmendën si arsye edhe grupimin e instrumenteve brenda një seti apo mungesat e shpeshta të paketës së vogël prej 319 lekësh, që i detyron ata të shpërdorojnë setet kirurgjikale.

    “Problemi qëndron se për një ndërhyrje, ne mund të hapim edhe deri në tre sete, sepse nuk gjejmë dot të gjitha instrumentet që na duhen në njërin set,” tha njëri prej kirurgëve. “Unë në sallë operacioni mendoj se si të shpëtoj jetën e pacientit dhe jo sa lekë po harxhoj,” shtoi ai, duke pohuar se presioni mbi kostot rëndon vazhdimisht mbi punën e tyre.

    Një ish-drejtues i njërit prej spitaleve universitare u ankua se koncesionari e ofron rrallë paketën e vogël të sterilizuar në avull dhe kjo i detyron mjekët që të shpërdorojnë shpesh sete për të përdorur qoftë edhe vetëm një instrument.

    “Kjo mendoj se është kleçka që e rrit shumë koston që duhet t'i paguajmë pastaj në fund,” tha kirurgu, pa dashur që t'i përdoret emri.

    Kirurgu urolog, Artan Koni, i cili denoncoi në SPAK kostot e shtrenjta të sterilizimit i tha BIRN se rigrupimi i instrumenteve brenda një seti është një formulë që nuk funksionon.

    “…asnjëherë nuk mund të bësh një renditje optimale të seteve, sepse operacioni nuk shkon asnjëherë siç do ti,” tha Koni. “Mund të ndodhë që gjatë operacionit të duhet diçka që nuk e parashikon dhe nuk e planifikon dot. Ndaj do të ketë gjithmonë përdorim të dy ose tre seteve,” shtoi ai.

    Cilësi vs. kosto

    Cilësia e dobët e instrumentave kirurgjikalë dhe infeksionet e larta spitalore ishin dy argumentet kryesore në favor të dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit në sallat kirurgjikale. Rinovimi i instrumentarit dhe ulja e infesioneve spitalore mbeten edhe sot argumente në mbrojtje të saj.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kontrata e sterilizimit ishte e nevojshme dhe treguesi më i mirë për këtë është shkurtimi i ditëve të qëndrimit në spital për pacientët që i janë nënshtruar operacioneve.

    “Edhe ecuria e infeksioneve prej SARS-CoV-2 në sallat kirurgjikale që prej marsit 2020 e në vijim [zero mjekë apo infermierë të sëmurë me COVID-19] provon se nëpërmjet kësaj kontrate është arritur cilësi maksimale në sterilitetin e sallave operatore,” pretendoi Beqja.

    Kirurgu Arben Gjata kujton se në kohën që po jepej koncesioni i sterilizimit, ai përdorte ende një bisturi të markës “Urna”, që ishte donacion i qeverisë amerikane i vitit 1945. Ai thotë se operon sot me instrumente të markës “Martin”, që i konsideron ndër më cilësoret në Europë.

    “Të krahasosh kushtet me të cilat operojmë sot, me ato që kishim para dhënies me koncension të sterilizimit, është njësoj si të kesh një supermakinë e të thuash se gazi ‘69 i kohës së Enverit ishte më i mirë se harxhonte pak,” tha Gjata, duke i konsideruar ankesat për koncesionin si politike.

    “Sigurisht që kemi debate me koncensionarin, sepse ka vegla që na prishen apo na amortizohen dhe kërkojmë që të na sjellë të reja, por të vësh në dyshim cilësinë më duket e pakuptimtë,” shtoi ai.

    Por kirurgu urolog, Artan Koni bën një llogari të thjeshtë matematikore, ndërsa thotë se setet kirurgjikale po blihen “sa frëngu pulën”.

    Sipas Konit, sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte rreth 215 mijë euro në vit në rang kombëtar, ndërkohë që koncesionarit i paguhen deri në 16 milionë euro. Mjeku shton në llogari edhe kosto të supozuara të blerjes nga e para të instrumentarit dhe arrin në përfundimin se koncesionari paguhet në një vit aq sa shërbimi kushton në 10 vite.

    “Pak a shumë, kirurgët për një operacion marrin 15 mijë lekë të vjetra, por minimalisht i japin [koncesionarit] 130 mijë lekë për setin,' tha Koni për BIRN.

    “Mendoj se që kjo kontratë ishte keq që në konceptim, sepse nuk mund t'i jepet me koncension privatit një shërbim i tillë. Nuk ka logjikë, as mjekësore, as ekonomike, asnjë vend në Evropë nuk e ka me koncension,” shtoi ai.

    Ulje çmimesh? Jo, ulje ndërhyrjesh

    Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1.6 miliardë lekë të planifikuara për t'u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2.1 miliardë -duke mbartuar një pjesë të detyrimeve edhe për vitin 2019.

    Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare.

    Negociatat me kompaninë SaniService u mbyllën në janar 2020 me amendimin e kontratës. Ministria arriti të reduktonte me 25% çmimet vetëm për setet që tejkalojnë tavanin e parashikuar në kontratë prej 63 mijë ndërhyrjesh. Ministria tha gjithashtu se kjo zbritje shtrihet edhe për paketimet në avull mbi limitin prej 63 mijë setesh.

    E pyetur nga BIRN për luhatjen e madhe të numrit të operacioneve nga njëri vit në tjetrin, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se kishte arritur t'i ulte ato përmes programimit më racional nga spitalet si dhe monitorimit në kohë reale të interventeve sipas tipologjisë për çdo repart.

    BIRN mësoi se në negociata ishin diskutuar edhe formula të tjera, të cilat nuk ishin pranuar nga Ministria e Shëndetësisë.

    Rektori Gjata i tha BIRN se ai vetë kishte sugjeruar shtimin e një seti të katërt në vend të reduktimit të miratuar.

    “I sugjerova Ministrisë së Shëndetësisë dhe koncensionarit që të ofrojë edhe një paketë të katërt të instrumenteve të sterilizimit, me një kosto prej 2-3 mijë lekë të reja, që do të përdorej për të realizuar ato që ne i quajmë mikrokirugji apo edhe lindjet natyrale,” tha Gjata.

    “Koncensionari ishte dakord, por propozimi u refuzua nga Ministria e Shëndetësisë, pasi juristët e konsiderojnë si ndryshim të termave të kontratës dhe kjo mund të sillte pasoja ligjore,” shtoi ai.

    Për kirurgun Artan Koni, rishikimi i kontratës nuk ka prekur asgjë nga fitimet e koncesionarit, por ka shtuar presionin indirekt ndaj mjekëve.

    “Thonë që kemi caktuar një numër mesatar operacionesh, por kjo në mënyrë indirekte shkakton një lloj presioni tek mjekët, që u duhet t'i shtyjnë ato,” tha Koni. “Nga këto keqllogaritje buxheti është boshatisur, por në vend që të uleshin kostot, u ulën operacionet,” përfundoi ai.


    BIRN

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Ish-ministrat Beqja dhe Cani, nën hetim për koncesionin e sterilizimit

    Pas hetimeve 4-vjeçare për koncesionin e kushtueshëm të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa zyrtarë të tjerë të lartë janë nën hetim.

    Nga Vladimir Karaj 14:42 | 17/08/2023

    Emri:  Ilir-Beqja.jpg

Shikime: 2474

Madhësia:  37.5 KB
    Ish-ministri Ilir Beqja duke hyre ne nje mbledhje te Asamblese se Partise Socialiste. Foto: LSA.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ndërkohë që ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten në zbatim të masave të arrestit të firmosura nga Gjykata e Posaçme thuajse dy muaj më parë.

    Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për mashtrim me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

    SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.

    Drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj u lanë në arrest shtëpie, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi do të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes.

    Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një nga katër projektet e Partneritetit Publik Privat të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë, i cili i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 7.9 miliardë lekë [76 milionë euro] deri në fund të vitit 2022.

    Ajo është një ndër dosjet e para të denoncuara në Prokurorinë e Posaçme që prej vitit 2019, ndërkohë që vendimarrja vjen pas më shumë se katër vitesh hetime.

    Në njoftimin për shtyp, SPAK bëri me dije se kishte regjistruar procedimin penal në janar të vitit 2020 dhe se i ishte drejtuar gjykatës për masat e arrestit në qershor 2023, pasi kishte kryer “një numër jashtëzakonisht të madh veprimesh hetimore”. Masat e sigurisë u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 23 qershor, por SPAK nuk sqaron në njoftim ekzekutimin e tyre thuajse pas dy muajsh.

    I pyetur nga BIRN, prokurori i çështjes, Edvin Kondili e lidhi vonesën e ekzekutimit të masave të sigurisë me faktin që biznesmeni nën akuzë, Ilir Rrapaj nuk ndodhej në Shqipëri.

    “Ka qenë një taktikë e jona, sepse e dinim që do të vinte edhe personi tjetër nën hetim,” tha ai, duke nënkuptuar se arrestimi i ish-zv.ministrit Rrjepaj mund të sillte si pasojë largimin e biznesmenit Ilir Rrapaj.

    Kërkesa e SPAK për masat e sigurisë ndaj tetë personave nën akuzë, pa përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe atë të Financave, Shkëlqim Cani është vlerësuar si minimale nga gjykata.

    “Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” tha në një bisedë telefonike gjyqtari Erion Bani, i cili shqyrtoi masat e sigurisë.

    Prokurori i çështjes, Kondili i tha BIRN se ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani janë nën hetim për rolin e tyre në dhënien e koncesionit të sterilizimit.

    Beqja, i cili drejton sot Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës, nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN, ndërsa ish-ministri Shkëlqim Cani deklaroi pas një séance pyetjesh në SPAK të enjten se kishte dhënë miratimin pas plotësimit të kërkesave sipas ligjit.

    “Unë nuk jam ministri që kam bërë pagesat. Kur ka filluar koncesioni unë jam larguar nga detyra,” tha Cani, ndërsa mohoi të kishte njohje me biznesmenin Rrapaj.

    Në një investigim të publikuar në vitin 2015, BIRN zbuloi se Ilir Rrapaj, një ish-emigrant shqiptar në Itali, u bë përfituesi kryesor i koncesionit të sterilizimit pasi vendosi kontakte me ish-ministrin Ilir Beqja dhe zyrtarë të tjerë socialistë.

    Përmes kompanisë së tij të vogël me kapital 1 mijë euro të regjistruar në Prishtinë, Investital LLC, Rrapaj mori 40% të aksioneve në konsorciumin që fitoi koncesionin. Aksionet e tjera zotëroheshin nga kompanitë italiane Servizi Italia me 30%, Tecnosanimed me 15% dhe U.Jet me 15%.

    Kontrata koncesionare shkaktoi ‘dhimbje koke' në Ministrinë e Shëndetësisë pas nisjes së zbatimit të saj për shkak të kostove të larta, çka e detyroi ministrinë që ta rinegocionte atë.

    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    ‘Promotori i biznesit’: Si u “amnistua” Ilir Beqaj nga SPAK për shkeljet në koncesionin e sterilizimit

    Hetimet 3-vjeçare të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi e mbyllën rrethin e të akuzuarve me ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe anëtarët e komisionit, por gjyqtari Erion Bani arsyeton se ka indicie që ish-ministri Ilir Beqaj paracaktoi fituesit, nuk ndaloi konfliktin e interesit dhe bëri udhëtime me përfituesit e koncesionit – ç’ka sipas tij ngre dyshime edhe për veprat penale të korrupsionit.

    Nga Aleksandra Bogdani dhe Klodiana Lala 09:46 | 19/08/2023

    Emri:  20220912_195617_120922045-5_40LJm0n.jpg

Shikime: 2447

Madhësia:  40.7 KB
    Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj duke folur gjatë një seance të komisionit për Ekonominë dhe Financat, | Foto: LSA

    Tre dekada më parë, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj ishin dy shokë klase dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Ata u takuan sërish në Tiranë njëzet vjet më vonë; i pari si zv.ministër i Shëndetësisë dhe i dyti si sipërmarrës i vogël në Itali, i cili e quante veten një “promotor biznesi”.

    Rrapaj u kthye në vendlindje në nëntor 2013 për të marrë pjesë në nismën “Thuaji po Shqipërisë” – një takim me mjekë të diasporës – dhe pozoi përkrah kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe mikut të tij të vjetër, Klodian Rrjepaj.

    Më pas, Rrapaj u shfaq në një seri takimesh zyrtare në Umbria të Italisë në vitet 2013-2014 përkrah ministrit Beqaj dhe zv.ministrit Rrjepaj, të trumbetuara në media si “bashkëpunime ndërkombëtare”, por që sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e një koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në favor të biznesmenit Rrapaj.

    Koncesioni i sterilizimit është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama' në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

    Pasi hetoi për 3 vjet, Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi në gjykatë arrestimin e ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe masa më të buta sigurie për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

    Emri i Ilir Beqjajt mungonte në kërkesën e SPAK, por pasi shqyrtoi provat, gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme çmoi se shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore ngrihen në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë.

    Ai vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe ndjekja penale duhet të zgjerohej edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe katër anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike, KPP, që kishin rrëzuar më parë një ankesë ndaj fituesve.

    Sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me “qëllimin e vetëm për shpalljen fitues” të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.

    Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.

    Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

    Gjykata çmon gjithashtu se dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kanë qenë dorështrënguar edhe me veprat penale; ndërsa vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

    “Nga ana e prokurorisë duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në këtë drejtim, fakt i cili nuk rezulton nga fashikulli hetimor,” arsyeton gjyqtari Bani, i cili sugjeron se “për këtë nevojitet hetim pasuror”.

    Provat kundër ish-ministrit Beqaj

    Emri:  rrapaj-beqaj2.jpg

Shikime: 2464

Madhësia:  44.6 KB
    Ilir Rrapaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Beqaj më dt. 19 Dhjetor 2013,gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Shëndetësisë në Peruxhia. | Foto nga : Facebook

    Në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.

    Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.

    Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.

    Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.

    “Nga analiza e të gjithë provave të para në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.

    Sipas dosjes, Beqaj ishte në dijeni të marrëdhënies së ngushtë miqësore mes zëvendësit të tij dhe Rrapajt si dhe të përfshirjes së këtij të fundit në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, që i hapi më pas rrugën fitores së tij.

    Nga sekuestrimi i postës elektronike të Rrjepajt, hetuesit veçojnë dy emaile të dërguara nga Ilir Rrapaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.

    “I dashur Fra'! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj.

    Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.

    Gjithashtu brenda një jave në qershor 2014, Rrapaj dhe ortaku i tij Italian kanë ardhur në Tiranë dhe janë kthyer në Itali, ndërsa dy krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, Beqaj dhe Rrjepaj kanë udhëtuar gjithashtu drejt Italisë.

    Më 15 qershor 2014, Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj janë kthyer së bashku në Tiranë nga Roma me të njëjtën linjë avioni.

    “Vetëm një muaj pas udhëtimit me avion, Rrapaj krijon në Prishtinë shoqërinë Investital, e cila do të bëhej më pas fituese me 40% e koncesionit. Kjo kompani u themelua gjithashtu vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i Ministrit të Shëndetësisë “Për ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit” dhe ka pasur vetëm një të punësuar, Ilir Rrapajn,” thuhet në vendim.

    Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit, që sipas gjyqtarit Bani duhej të përbënin indicie për hetime të mëtejshme në drejtim të veprës penale të korrupsionit.

    Më 25 shtator 2016, ish-ministri Beqaj dhe administratori i kompanisë koncesionare, Admir Daca kanë udhëtuar me të njëjtin avion të “Austrian Airlines” drejt Vienës, ndërsa më 23 maj 2017, Beqja dhe Rrjepaj janë kthyer në Shqipëri nga Roma me të njëjtin avion me Ilir Rrapajn dhe Umbro Staccini.

    Udhëtimi i fundit në dosje është identifikuar më 13 mars 2018, kur Beqaj, Rrjepaj, Rrapaj dhe Staccini kthehen me të njëjtën makinë nga dogana e Morinit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    Falsifikimi i kostove

    Emri:  Rrapaj-Rama.jpg

Shikime: 2436

Madhësia:  28.0 KB
    Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë” | Foto nga : Facebook

    Përveç paracaktimit të fituesve dhe përfshirjes së tyre në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, Gjykata e Posaçme argumenton në vendim se kostot e procesit të sterilizimit janë fryrë në mënyrë artificiale, për ta prezantuar koncesionin si një procedurë më të favorshme se sa prokurimi publik.

    Në llogaritjen e kostove të shërbimit janë përfshirë edhe shpenzime për medikamente mjekësore, të cilat i kanë fryrë shifrat me 56%. Gjithashtu, gjykata vlerëson se në studimin e fizibilitetit është ulur qëllimisht numri i ndërhyrjeve të parashikuara nga 63 mijë në 50 mijë operacione në vit, duke sjellë si pasojë rritjen e çmimeve për secilin nga intensitetet e ndëhyrjeve në pasqyrat financiare.

    Mungesa e verifikimit të të dhënave në studimin e fizibilitetit nga Ministria e Financave është një nga arsyet se pse gjyqtari Bani e ka orientuar prokurorinë drejt hetimit të rolit të ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani.

    Në nëntor të vitit 2014, Cani refuzoi të jepte dakordësinë për koncesionin me arsyetimin se “nuk ka argumentim të qartë pse dhënia me koncesion është procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik”. Gjithashtu, ai kërkoi që analiza krahasuese duhej të kryhej në mënyrë të qartë dhe të dallueshme për secilin shërbim të planifikuar për t'u dhënë me koncesion.

    Por një muaj e gjysmë më vonë, Cani e miratoi në parim propozimin për financim, ndonëse nuk pati asnjë ndryshim në studimin e fizibilitetit.

    “Po ashtu, mbetet e paqartë përgjigja e Ministrisë së Financave lidhur me faktin se ajo e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale. Nëse kjo e fundit e shikon dokumentacionin vetëm nga pikëpamja formale, a mund të konsiderohet formalisht në rregull një dokument i panënshkruar,” ngre pikëpyetje gjyqtari Bani, duke iu referuar faktit se studimi i fizibilitetit nuk ishte i firmosur nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

    Pas një séance pyetjesh në Prokurori të enjten, Cani u tha gazetarëve se e kishte dhënë miratimin pasi ishin plotësuar kriteret ligjore dhe mohoi të kishte njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj, ndërsa ish-ministri Ilir Beqja nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN.

    Në vendimin prej 348 faqesh, hetimet e SPAK vihen në pikëpyetje edhe sa i përket veprave penale të regjistruara apo mungesës së hetimit pasuror, për të cilat gjyqtari i orienton prokurorët që t'i vazhdojnë hetimet.

    Sipas Banit, nga aktet e administruara ka indicie të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme të vazhdojë hetimet edhe për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv si dhe ato të pastrimit të produkteve të veprës penale.

    “Kjo do të provojë nëse e gjithë veprimtaria kriminale e paramenduar në detaje nga personat në hetim është bërë thjesht për shkak të marrëdhënieve të ngushta të personave nën hetim, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj si dhe për shkak të njohjeve personale të këtij shtetasi… me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj apo për rrjedhojë të përfitimit të parregullt që rrjedh nga korrupsioni i zyrtarëve që kanë marrë pjesë në këtë procedurë,” përfundon Bani në vendim.


    BIRN

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    VOA: SPAK mund të arrestojë një numër të madh zyrtarësh për koncensionin e sterilizimit

    Emri:  Capture-103.jpg

Shikime: 2466

Madhësia:  31.8 KB

    -Zëri i Amerikës-

    Në Tiranë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme SPAK për koncensionin 10-vjeçar të sterilizimit mund të përfshijnë një numër më të madh zyrtarësh për shpërdorim detyre.

    Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e orientoi Prokurorinë e Posaçme që të shtrijë hetimet edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë; për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish ministrin e Financave Shkëlqim Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.

    Në vendimin prej 348 fletëve mbi arrestet me burg për ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, Gjykata thekson se provat e SPAK-ut evidentojnë shkelje ligjore edhe nga dy ish ministrat dhe 4 komisionerët.

    Arrestimi i ish zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit të sterilizimeve spitalore Ilir Rrapaj nën akuzat e mashtrim, falsifikim dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

    Por kjo duket se është vetëm fillimi i pjesës së dukshme të aferës korruptive të koncensionit 100 milionë dollarë të nënshkruar në dhjetor 2015 nga ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

    Dy prej protagonistëve të procesit, Rrapaj dhe Rrjepaj, janë tashmë në arrest me burg, dy të tjerë – drejtorët ekonomikë dhe juridikë janë në arrest shtëpie, katër komisionerë të koncensionit në detyrim paraqitje, ndërsa GJKKO e ka orientuar SPAK të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit Ilir Beqaj dhe ish ministrit të financave Shkëlqim Cani.

    Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thekson në vendim se “pavarësisht qëndrimit të prokurorisë, nga analiza e provave të administruara dhe të para në unitetin e tyre, në to evidentohen shkelje të akteve ligjore e nënligjore, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale për ish ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe ish ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik”.

    GJKKO vëren se nga moria e të dhënave hetimore del se fituesi i këtij koncensioni ishte paracaktuar nga drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë para se të nisnin procedurat formale, madje fituesit parapërgatitën dokumente dhe përshtatën kriteret ligjore në mënyrë që të siguronin fitoren.

    Hetimet kanë vërejtur shkeljen e barazisë së konkurrentëve në garë, fryrje artificiale dhe shumëfishimin e kostove dhe çmimeve, falsifikimin e dokumenteve dhe shifrave statistikore, kalimin e qendrës së re të sterilizimeve të QSUT-së në përdorim të koncensionarit, llogaritje të pasakta ekonomike dhe shkelje ligjore, gjë që ka nxitur dyshimet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

    Në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit të tyre dhe 6 zyrtarëve të shëndetësisë thuhet se ish ministri Beqaj dhe zëvendësi i tij Rrjepaj kishin njohje dhe takime të vazhdueshme qysh nga dhjetori i vitit 2013 me biznesmenin Rrapaj, pra dy vjet para se ky të fitonte koncensionin e sterilizimeve spitalore.

    Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vërejti gjatë hetimeve se, në emailet mes tyre ish zëvendësministri Rrjepaj merr udhëzime nga biznesmeni Rrapaj për veprimet, që duhet të kryejë në rajonin e Umbrias, pjesë nga studimi i fizibilitetit me logot dhe adresat e kompanisë Investital, në komunikime ku tregohet se ata të dy kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri-tjetrin.

    Ata kanë studiuar për mjekësi në të njëjtat vite, i kanë ndërprerë ato në të njëjtin vit dhe i kanë rinisur në të njëjtin vit.

    Biznesmeni Rrapaj, ish ministri i Shëndetësisë Beqaj dhe zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.

    Po ashtu biznesmeni Rrapaj dhe ish zëvendës ministri Rrjepaj udhëtuan së bashku me avion drejt Italisë në mars 2015, periudhë që përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave, vërejnë hetuesit.

    Kompanitë operatore fituese ishin informuar për detaje të koncensionit të patën 6 muaj para se të shpallej kontrata 10-vjeçare, madje ata e dinin më herët se kjo procedurë do të ishte koncension dhe jo prokurim i zakonshëm.

    Rrapaj bëri një regjsitrim formal të kompanisë së tij në Prishtinë si subjekt tatimor, ku deklaroi si punëtor të vetëm të kompanisë veten e tij me pagë 200 euro, ndërsa ajo nuk ka si veprimtari dizinfektimin e sallave kirurgjikale.

    SPAK vëren se operatorët fitues kanë patur dijeni të plotë për procedurat e koncensionit dhe kanë parapërgatitur dokumentacionin para se kontrata të shpallej më 13 shkurt 2015.

    Ilir Rrapaj mbante kontakte të vazhdueshme me ministrinë e Shëndetësisë, dhe sipas hetimeve ai e regjistroi kompaninë e tij Investital LLC në Prishtinë një muaj pasi fluturoi në Itali me dy drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë, Beqaj e Rrjepaj, dhe një muaj para se të dilte urdhëri i ministrit për ngritjen e komisionit mbi dhënien e koncensionit.

    Rrapaj ka udhëtuar edhe me automjetet e zyrtarëve drejtues të ministrisë së shëndetësisë, mes të tjerave, edhe drejt Kosovës.

    Pasi ish ministri Beqaj dhe biznesmeni Rrapaj nënshkruajnë kontratën e koncensionit 10 vjeçar për afro 100 milionë dollarë në dhjetor 2015, një varg fluturimesh ajrore të tjera drejt Italisë kanë kryer ata, si dhe ish zëvendësministri Klodian Rrjepaj së bashku me administratorë të kompanisë fituese në vitin 2016 dhe 2017.

    Ndërsa koncensioni është duke u zbatuar në vitin e tetë të tij, dhe 8 persona janë në hetim, GJKKO-ja orientoi SPAK-un që krahas masave të deritanishme, të zgjerojë hetimet mbi përgjegjësitë penale të dy ish ministrave Beqaj dhe Cani si dhe 4 komisionerëve të prokurimeve.

    VOA

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Vonesa për arrestimet për koncesionin e sterilizimit? Flet prokurori Kondili: Ishte taktika jonë, pasi…

    Emri:  shkelqim-cani-ilir-beqja-1536x864.jpg

Shikime: 2451

Madhësia:  48.7 KB

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ndërkohë që ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten në zbatim të masave të arrestit të firmosura nga Gjykata e Posaçme thuajse dy muaj më parë.

    Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për mashtrim me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal. SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.

    Drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj u lanë në arrest shtëpie, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi do të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes. Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një nga katër projektet e Partneritetit Publik Privat të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë, i cili i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 7.9 miliardë lekë [76 milionë euro] deri në fund të vitit 2022.

    Ajo është një ndër dosjet e para të denoncuara në Prokurorinë e Posaçme që prej vitit 2019, ndërkohë që vendimmarrja vjen pas më shumë se katër vitesh hetime. Në njoftimin për shtyp, SPAK bëri me dije se kishte regjistruar procedimin penal në janar të vitit 2020 dhe se i ishte drejtuar gjykatës për masat e arrestit në qershor 2023, pasi kishte kryer “një numër jashtëzakonisht të madh veprimesh hetimore”. Masat e sigurisë u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 23 qershor, por SPAK nuk sqaron në njoftim ekzekutimin e tyre thuajse pas dy muajsh.

    I pyetur nga BIRN, prokurori i çështjes, Edvin Kondili e lidhi vonesën e ekzekutimit të masave të sigurisë me faktin që biznesmeni nën akuzë, Ilir Rrapaj nuk ndodhej në Shqipëri. “Ka qenë një taktikë e jona, sepse e dinim që do të vinte edhe personi tjetër nën hetim,” tha ai, duke nënkuptuar se arrestimi i ish-zv.ministrit Rrjepaj mund të sillte si pasojë largimin e biznesmenit Ilir Rrapaj. Kërkesa e SPAK për masat e sigurisë ndaj tetë personave nën akuzë, pa përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe atë të Financave, Shkëlqim Cani është vlerësuar si minimale nga gjykata.

    “Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” tha në një bisedë telefonike gjyqtari Erion Bani, i cili shqyrtoi masat e sigurisë. Prokurori i çështjes, Kondili i tha BIRN se ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani janë nën hetim për rolin e tyre në dhënien e koncesionit të sterilizimit.

    Beqja, i cili drejton sot Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës, nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN, ndërsa ish-ministri Shkëlqim Cani deklaroi pas një séance pyetjesh në SPAK të enjten se kishte dhënë miratimin pas plotësimit të kërkesave sipas ligjit. “Unë nuk jam ministri që kam bërë pagesat. Kur ka filluar koncesioni unë jam larguar nga detyra,” tha Cani, ndërsa mohoi të kishte njohje me biznesmenin Rrapaj.

    Në një investigim të publikuar në vitin 2015, BIRN zbuloi se Ilir Rrapaj, një ish-emigrant shqiptar në Itali, u bë përfituesi kryesor i koncesionit të sterilizimit pasi vendosi kontakte me ish-ministrin Ilir Beqja dhe zyrtarë të tjerë socialistë. Përmes kompanisë së tij të vogël me kapital 1 mijë euro të regjistruar në Prishtinë, Investital LLC, Rrapaj mori 40% të aksioneve në konsorciumin që fitoi koncesionin. Aksionet e tjera zotëroheshin nga kompanitë italiane Servizi Italia me 30%, Tecnosanimed me 15% dhe U.Jet me 15%. Kontrata koncesionare shkaktoi ‘dhimbje koke’ në Ministrinë e Shëndetësisë pas nisjes së zbatimit të saj për shkak të kostove të larta, çka e detyroi ministrinë që ta rinegocionte atë.

    BIRN

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Koncesioni i sterilizimit! Ç’tregonte sistemi TIMS për ish-zv.ministrin dhe biznesmenin. Detaje nga GJKKO: Rrezik largimi i tyre

    Emri:  1692370162_hfsa.jpg

Shikime: 2454

Madhësia:  33.3 KB

    Rreziku i largimit nga Shqipëria për tiu shmangur hetimeve, ka qenë argumenti kryesor me të cilin SPAK ka kërkuar në gjykatë, arrestimin e ish-zv.ministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit fitues të koncesionit të sterilizimit, Ilir Rrapaj ky i fundit i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda.

    “Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht zhvillimin normal të procedimit penal, duke pasur parasysh pasojat e veprës dhe marzhin e dënimit të veprës penale që dyshohet se kanë konsumuar që dënohet në 7 dhe 10 vjet burgim. Gjithashtu gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS. Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë”, shkruhet në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani.

    Kujtojmë se tetë persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, tetë vite pas firmosjes së koncensionarit të sterilizimit dhe tre vite pasi çështja u kallëzua në SPAK. Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncensionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë përfundoi nën arrest me burg për shpërdorim detyre. Së bashku me të edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe që kryeson konsorciumin.

    Veç tetë personave, GJKKO i ka sugjeruar SPAK-ut që të ushtrojë ndjekje penale edhe për gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

    Koha Jone

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Koncesioni i sterilizimit dhe aksioni nga SPAK, reagon Ilir Beqaj: E vërteta për baltën e hedhur

    Emri:  ilir-beqaj.jpg

Shikime: 2454

Madhësia:  36.5 KB

    Nga Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë

    Prej disa ditësh opinioni publik e ka vëmendjen kryesore te e ashtuquajtura afere e “sterilizimit”. Duke qënë se çështja është ende në hetim e gjykim nuk e parë të udhës të shprehem publikisht. Aq më tepër që kam marrë vesh nga media që gjyqtari ka kërkuar që të hetohem edhe unë. Por për çfarë po i ofrohet publikut ndjej se duhet informoj për disa gjëra që në fakt janë përsëritje të atyre gjërave që kam thënë në publik në vite.

    Nuk është fjala për një koncesion. Nuk është një drejtë apo e mirë publike që iu dha një privati për ta shfrytëzuar për të bërë biznes për qëlllime të tij. Eshtë një patneritet publik – privat ku një operator privat (në këtë rast një bashkim operatorësh privatë) kontrakohet që të ofrojë një shërbim që shteti duhet ta kryejë për qytetarët e vet.

    Kontrata nuk përbën thjesht dhe vetëm vënie në punë të një centrali sterilzimi në QSUT. Kontrata i kërkon një operatori privat që për të gjithë sallat operatore në Shqipëri ku shërbejnë çdo ditë rreth 430 kirurgë të ofrohet për çdo ndërhyrje kirurgjikae një set instrumenatsh kirurgjikalë i personalizuar sipas asaj klase dhe tipi ndërhyrje kirurgjikale STERILË, një set me veshje njëpërdorimësh të tipit TNT për shtratin operator dhe trupën mjekësore, dezisfektimi i sallës së operacionit dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme që krijohen nga veshjet që përdoren dhe përpunimi i tyre në mbetje urbane të parrezikshme. I janë dhënë një operatori të vetëm për të patur vetëm një PËREGJEGJËS për rrezikun e infeksionit spitalor.

    Zbatimi i sukseshëm i kësaj kontrate në vite ka sjellë që në sallat e kirurgjisë të spitaleve publike shqiptare të ulet ndjeshëm infeskioni spitalor dhe të ulet me tëpaktën 1,8 ditë ditëqëndrimi i një pacienti në spital.

    Nuk ëshyë vetëm centrali i QSUT-së, por një rrjet centralesh që ka atë të QSUT-së si primar.

    Kontrata ka furnzuar të gjithë kirurgjinë shqiptare me më shumë se 100 mijë instrumenta kirugjikal të rinj e modernë.

    Në shtator 2013 kur unë kam marrë detyrën e Ministrit, vendimi që sterlizimi në QSUT do të kryhej jashtë sallave të opereacionit ishte marrë prej vitesh. Në spitalin e ri të ndërtuar në 2009 me konsulence të marrë nëpërmjet Bankës së Këshillit të Europës ishte lënë në katet nëntokë një mjedis për të instaluar një central, ndërsa po prej disa vitesh ishte blerë një central. Nuk ishte inaguruar sepse të inagurohet do të thotë të fillojë punë. Nuk ishte vënë ndonjëherë në punë dhe në shtator 2013 pajisjet kishin dalë edhe nga periudha e garancisë.

    Për zbatimin e kontratës kontraktori ka të punësuar rreth 250 vetë nga të cilat në centralin e QSUT-së janë vetëm 30 vetë. Kjo dëshmon se kontrata merr përsipër shumë më tepër sesa vënia në punë e centralit. Por përveç vënies në punë të centralit, nuk ishte parashikuar se si do të shkonin instrumenta sterilë nga godina e centralit në kirurgjinë pedriatrike, në neurokirurgji, kardiokirurgji, në kirurgjinë onokologjike etj. Për atje kalohet nga ambjentet e jashtme QSUT. Kush do i transportonte dhe me se do i transportonte pa cënuar sterilitetin e instrumentave kirurgjikalë. Kush do I kthente përsëri në central për sterilizuar t’I rishtaz.

    Meqënse se po thuhet se centrali i sterlizimit i QSUT i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transprtotonte instrumentat e sterlizuar për tek spitali I Traumës, tek seicili nga dy maternitetet, tek spitali Shefqet Ndroqi. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përqëri në central për t’u sterilizuar rishtaz. Nga zbatimi i kontratës rezulton se vetëm në QSUT përdoren 935 kontenierë për instrumenta, 22 tavolina lëvizëse dhe 80 dollapë për depozitimin e kontenierëve të set-eve pranë depozitave të çdo salle operatore. Në të gjithë vendin janë 3500 kontenierë instrumentash, 53 tavolina lëvizëse dhe 190 dollapë.

    Meqënse se po thuhet se centrali i sterlizimit i plotëson të gjitha nevojat e Shqipërisë, kush dhe me se do i transportonte instrumentat e sterlizuar për tek spitali i Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Sarandës, Vlorës, Elbasanit etj, etj. Kush do i sillte dhe me se do i sillte përsëri në central për t’u sterilizuar rishtaz.

    Kush do i përballonte shpeznimet e këtij sterilzimi dhe trasporti? QSUT për të gjithë Shqipërinë? Sa duhet të paguanin spitalet e tjera për këtë shërbim? Spitalet në Shqipëri nuk janë realtete ekonomikë që ofrojnë shërbime për spitale të tjerë.

    Prandaj ishte e nevojshme një Operator i vetëm.

    Në vitin 2014 nuk i kishim as dijet, as njohuritë dhe as paratë për ta bërë vetëm një sipërmarrje të tillë. Në vitin 2014 qëllimi kryesor ishte ndalimii rrënimit të asaj çfarë gjetëm dhe shlyrja e 40 milionë USD borxhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme.

    Siç e thashë edhe më lart, janë të punësuar rreth 250 vetë. Vetëm shpenzimet e shpërblimit të tyre kushtojnë rreth 250 milionë lekë në vit. Dhe nëse shërbehen rreth 60 mijë operacione më vit, rezulton që vetëm shpenzime personeli për një ndërhyrje kirurgjikale janë reth 4 mijë lek.

    Megjithatë më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare.

    Në vijim janë dëshmitë e disa mjekëve të nderuar e të respektuar. I kërkoj ndjesë që po i përdor pa lejen e tyre por gjenden lirshëm nëse kërkon në Google. Po i ripostoj në vijim të këtij shënimi.

    Dhe së fundmi diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtështetit me “miqtë” e mi Umbro Staccini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me siparmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam fimosur kontrata me ta.

    Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Wizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicia për fajësi.

    Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qënë edhe Admir Daca. Mundet. E kam njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “Ilir Beqaj në ANEA” në Google dhe ju del lajmi i asaj vizite. Pse kam qënë dhe me kë kam qënë. Por po e ripostoj.

    Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qënë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale.

    Tema

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,120
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston njerëzit e Edi Ramës në shëndetësi, vodhën $100 milionët e kontratës së sterilizi

    Duhet revoltë qytetare për sterilizimin, Berisha: Zhdukja e kontratës origjinale, banditizëm për të fshehur vjedhjen

    Emri:  sali-berisha-4.jpg

Shikime: 2460

Madhësia:  34.7 KB

    Teksa thotë se duhet një revoltë qytetare për çështjen e sterilizimit, zhdukjen e kontratës origjinale të koncesionit të sterilizimit, Sali Berisha e konsideron banditizëm për të fshehur provat e vjedhjes.

    Në një reagim në Facebook, Berisha akuzon ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se ka zhdukur kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit dhe e ka zëvendësuar atë me një kontratë të falsifikuar.

    “Zhdukja e kontratës origjinale të sterilizimit nga Beqja është banditizëm ekstrem. Ky akt ngjason me atë të vrasësit, që për të zhdukur gjurmët e krimit djeg trupin e viktimës pasi e ka ekzekutuar atë“.

    Postimi i plotë

    Zhdukja e kontratës origjinale të sterilizimit nga Beqja është banditizëm ekstrem. Ky akt ngjason me atë të vrasësit, që për të zhdukur gjurmët e krimit djeg trupin e viktimës pasi e ka ekzekutuar atë.

    Të dashur miq! Kriminel me mandat ministri, anëtarë qeverie si Beqja, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve të tij të tmerrshme, prej qindëra milionë euro me koncesionet e tij, ka zhdukur origjinalin e kontratës së sterilizimit.

    Zhdukja e origjinalit të kontratës së sterilizimit, por dhe kontratave të tjera nga kasaforta e ministrit, që e ka firmosur atë pasi gjendet se vetëm me sterilizimin ai ka vjedhë dhjetëra milionë euro, është një akt kriminal i shëmtuar, i ngjashëm me atë të një vrasësi, që për të fshehur vrasjen dhe zhdukur gjurmët e krimit të vet, djeg kufomën e viktimës së tij. Me zhdukjen e kontratës origjinale dhe zëvendësimin e saj me një kontratë të falsifikuar, Beqja kërkon të fsheh të gjitha klauzolat e kontratës, në të cilat është bazuar vjedhja e hapur e parave publike nga koncesionari i tij.

    Të dashur qytetar dhe qytetare, shikoni pra se kush janë ata që drejtojnë Ministritë e vendit dhe ulen në karrigen e anëtarit të qeverisë. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të rëndë kriminal shtetëror, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që të ngrihemi sot ose kurrë kundër kësaj organizate kriminale, që quhet qeveri dhe kryesohet nga Edi Rama dhe nuk ndalet para asnjë krimi për plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë.

    Vetëm revolta qytetare e qëndrueshme gjerë në dëbimin nga pushteti të këtyre kriminelëve me mandat, është rruga e vetme e shpëtimit të çdo qytetari të ndershëm dhe Shqipërisë nga kthetrat e tyre.

    Koha Jone

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 25-11-2024, 13:39
  2. Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka
    Nga Duke_Of_Arberia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 34
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 11:03
  3. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-10-2023, 11:03
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-07-2017, 14:46
  5. Vodhen Computerat e NATO-s, policia Kosovare arreston dy hajdutet.
    Nga Kryqi i Paqes në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-08-2009, 11:35

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •