Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 17 prej 17
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrim dip

    Mjeku Ilir Alimehmeti: Ligji për studentët e mjekësisë është izolim

    Emri:  auto_dsfdgh1689455828.jpg

Shikime: 300

Madhësia:  30.3 KB

    Mjeku Ilir Alimehmeti thotë se shumë pak personel ikën nga Shërbimi i Urgjencës 127, i cili trajtohet ndryshe.

    Në emisionin “FactCheck”, ai shtoi se me këtë kuadër ligjor me këtë terren në të gjithë diskutimet dalin problem mbështetja financiare, mbështetja profesionale dhe roli dinjitoz i mjekut në Shqipëri dhe siguria në punë.

    Sipas tij, po të ndodhë diçka që ligjërisht mjeku në spital është i pambrojtur, nuk ka asnjë mbrojtje për stafin mjekësor, pasi shëndetësia ka dhe raste nuk shkojnë ashtu siç duhet ku pacientë dhe familjarë kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, por nuk mund ta kërkojnë te individi por te shteti.

    Sa i përket ndryshimeve në ligjin për studentët e mjekësisë, të cilët do të jenë të detyruar të qëndrojnë për 5 vite në Shqipëri pas studiemeve, Alimehmeti deklaroi se këto ndryshime në ligj shkojnë drejt konceptit të privatizimit të universiteteve publike, duke nisur nga fakti që flitet për një kosto dhe tarifë. Sipas tij, vetë titulli i VKM për krijimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, thotë që nga IAL, bëhet në IALPP.

    “Gjë e mirë është që qeveria të kuptojë që ka një problem me burimet njerëzore. Kjo gjë shtrohet karshi farmacistëve, laborantëve, mamive? Çfarë të ndalon ty? Liberalizimin na e dha Europa, izolimin po e bëjmë vetë! Problematikën do e ndjejmë pas një viti, por që këtë shtator do të ndjejmë rënie të numrit të studentëve të Mjekësisë, mund të shkojnë që 18 vjeç jashtë. Po t’i mbështesësh mjekët që sot qëndrojnë. Nuk mund të presim vitin 2039, problematika e situatës është sot, humbën shumë vite pa ndërhyrë. Kjo nuk bëhet në terma për ti shërbyer popullsisë.

    Syri

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrim dip

    Kur ilaçi është më i keq se sa sëmundja

    Plani i qeverisë shqiptare për të mbajtur mjekët e rinj në Shqipëri kundër dëshirës së tyre, me një kontratë skllavëruese, ka shumë gjasa që do të prodhojë shërbim shëndetësor edhe më të keq se sa ky që kemi.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Studentet-e-mjekesise-ne-proteste--2048x1365.jpg

Shikime: 275

Madhësia:  41.8 KB
    Studentët e mjekësisë në protestë kundër punës së detyrueshme pas diplomimit. Foto: Nensi Bogdani.

    Imagjinoje veten në spital pas pesë apo gjashtë vitesh. Je duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Një organ do të duhet të hapet dhe pastaj të qepet sërish. Ndërhyrje rutinë. Shpresoj të shkojë çdo gjë mirë për ty. Unë vetë, kam arsyet e mia të mos ndjehem rehat nëse do të isha në këtë situatë. Mjeku që është duke bërë ndërhyrjen ka gjasa nuk është i lumtur. Ai mundet të harrojë të bëjë diçka siç duhet ose e bën punën shkel e shko.

    Arsyeja se pse ai është i palumtur nuk lidhet me ty si pacient, lidhet me qeverinë. Vetëm se pasojat ka gjasa që do t'i vuash ti, sepse qeveria përbëhet nga anëtarë të pasur, të pasur mjaftueshëm sa mund t'i lejojnë vetes të shkojnë në spitale private, brenda apo jashtë vendit, ku mjekët janë të lumtur me jetën e vet dhe nuk i detyron kush të rrinë aty ku janë.

    Kjo është pak a shumë situata në të cilën ne do ta gjejmë veten në rast se qeveria vijon me planin e saj për të mbajtur me dhunë dhe kundër dëshirës së tyre mjekët e diplomuar rishtash në sistemin shëndetësor shqiptar. Mjekë dhe mjeke të palumtur përkundrejt një kërkese në rritje për shërbime shëndetësore. Sipas qeverisë, ata duhet të shërbejnë me detyrim për një numër vitesh para se të kenë të drejtë të fusin diplomën në xhep për të vajtur për të punuar aty ku u pëlqen, qoftë në spitalet private në Shqipëri apo në spitale në vende të tjera, fjala vjen, Gjermani.

    Nuk më ngjan se është pespektivë shumë e këndshme. Imagjino, nëse je 25 vjeç, i aftë dhe plotësisht i trajnuar si mjek, dëshiron që minimalisht të shohësh botë me sy (dhe nuk mendoj se ka ndonjë shqiptar apo ndonjë qenie në planetin tokë që në moshën 25 vjeç nuk e ka menduar së paku disa herë që të ikë nga një vend në një tjetër), por je i detyruar të punosh në Shqipëri. Mundesh që me të vërtetë të mos kesh nga t'ia mbash. Me diplomën e mbyllur në kasafortë, ndoshta ia vlen të presësh që të punosh si mjek në vend që të punosh si pjatalarës. Por vështirë se ka ndonjë lloj mënyre që të të detyrojë ta bësh punën mirë, saktë, me pasion. Ti vetë e ke në dorë të mos e bësh. Në një sistem pune ku çdo minutë vlen, mundesh të shkosh pesë minuta me vonesë në sallën e operacionit, ose të rrëkëllish një birrë në pesë minuta pushim.

    Kjo që po përpiqet të bëjë Rama me mjekët nuk është në fakt hera e parë në historinë e njerëzimit ku kontrata apo ligje duan t'i mbajnë njerëzit kundër vullnetit të tyre në një punë të caktuar. Në kohët e vjetra quhej skllavëri. Më vonë, në mesjetë, quhet bondage. Njerëzit, p.sh., nënshkruanin kontratë të tillë kur emigronin në Amerikë. Dikush i paguante kalimin e oqeanit me anije, në shkëmbim, emigranti detyrohej të punonte një numër vitesh te ferma e pronarit, zakonisht 12 vjet. Britanikët tentuan pa sukses të përdornin një skemë të tillë në Australi. Ata transportuan atje të dënuar për krime të vogla, ose njerëz krejtësisht të pafajshëm dhe tentuan t'i përdorin si punëtorë krahu me kontratë. Por në një vend ku toka ishte e pafundme, punëtorët i hoqën qafe gardianët, disa raste thjesht duke ikur, në disa raste të tjera, duke i hequr qafe në mënyra më koherente, duke i vrarë.

    Ekspertët dhe joekspertët e ekonomisë kanë debatuar gjerë e gjatë. Hipoteza kryesore është që skllavëria ofron punë më pak cilësore se sa punëtori që hyn në marrëdhënie kontraktuale me vullnet të lirë. Në të gjitha rastet, këto lloj debatesh janë bërë për skllevër të përdorur për punë të rëndomta. P.sh., për të punuar tokën. Adam Smith besonte se puna e skllavit nuk ka kurrfarë leverdishmërie. Njeriu për nga natyra dëshiron të hajë sa më shumë dhe të punojë sa më pak. Nëse pagesa nuk kushtëzohet me sasinë dhe cilësinë e punës, nuk vlen. Eric Williams besonte se në kushte të caktuara, kur ka tokë me bollëk, cilësia e punës ka rëndësi dytësore në raport me sasinë e për rrjedhojë, puna e skllavit është me leverdi. Në fakt, mendon ai, akumulimi i kapitalit nga puna e papaguar e skllavit është ajo që i ka dhënë formë kapitalizmit siç e njohim ne sot. Të tjerë gjykojnë se skllavëria apo bondazhi si ky që po përpiqet të përdorë Rama, nuk është një sistem i njëjtësuar, që është parë përgjatë historisë së njerëzimit siç e shohim ne sot. Skllavi mund të punojë mirë në rast se ka perspektivë të shpërblehet për këtë, fjala vjen, duke u bërë i lirë, ose duke u ushqyer apo paguar më mirë.

    Natyrisht që në lidhje me mjekët, pyetja nuk është nëse ata do të punojnë pa dëshirë dhe do të punojnë keq, pyetja është se çfarë shërbimi mund të presësh nga një i ri që mbahet në punë kundër vullnetit të tij? Dhe me çfarë premtimi qeveria mundet t'i bindë ata të injorojnë kushtin poshtërues që u kanë imponuar dhe… ta dashurojë kontratën shtrënguese. Asgjë nga këto nuk vlen. Një mjek i detyruar kundër dëshirës së vet nuk do të të japë shërbim cilësor. Problemi që ne kemi me mungesë mjekësh mbetet njësoj i pazgjidhur.

    Qeveria mundet me të drejtë të argumentojë se kostoja e arsimimit të një mjeku është kështu dhe ashtu dhe se mjekët e rinj kanë, qoftë edhe në rrafsh moral, detyrim për të shlyer në vendin ku janë arsimuar një pjesë të kostos që taksapaguesit kanë paguar për arsimimin e tij. Por ky argument nuk vlen nëse nuk shihet në kontekst. Arsimi i lartë publik në Shqipëri është i subvencionuar nga taksapaguesit në një masë të konsiderueshme dhe nga tarifat në një pjesë më të vogël. E pse dikush që është mjek duhet të ketë një kontratë të tillë shtrënguese, ndërsa një ekonomist, jurist apo tjetër, nuk e ka?!

    Për më shumë, problemi i largimit të mjekëve në Shqipëri është ana e dukshme e një krize më të gjerë. Shqiptarët po largohen në masë edhe pa qenë mjekë. Një krizë demografike me përmasa të përbindshme po akumulohet mbi kokat tona. Largimi i një kamarieri 25 vjeç heq nga skema e sigurimeve shoqërore një kontribues që duhet të punojë për pensionin e një pensionisti. Është një krizë që ka shumë gjasa që do të dënojë gjeneratën e sotme të shqiptarëve të mbyllin sytë me pensione edhe më të varfra se sa gjenerata e mëparshme.

    Në vend që të gjejë zgjidhje të tilla jofunksionale si skllavërimi me kontratë i mjekëve të rinj, qeveria duhet të vrasë mendjen se pse shqiptarët po largohen. Dukshëm nuk është pabarazia ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Një mjek në Gjermani mund të paguhet më shumë se sa në Shqipëri, por një i ri që shkon ta nisë nga zero atje do të duhet të paguajë qira. Në fund, pabarazia ekonomike vështirë se e shpjegon dëshirën e madhe për emigrim. Është më e mundur që mjekët dhe jomjekët po duan të ikin nga keqqeverisja dhe korrupsioni. Për këtë nuk vlejnë kyçjet e diplomave në kasafortë.


    BIRN

  3. #13
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    09-07-2020
    Postime
    280

    Ku gabojnë Studentët e Mjekësisë dhe ku gabon Shteti shqiptar

    Një pyetje shterruese që studentët dhe ata që i shtyjnë këta studentë,- të lënë pasdore studimet dhe auditorët dhe të merren me të ashtuquajturën të drejtat dhe liritë e njeriut që u qënkan mohuar sipas qëndresës qytetare apo të disa politiqenëve të foltores.
    Historia është fare e thjeshtë. Shqipëria për shkak të emigracionit ka mungesa kryesisht në profesione të veçanta për të cilat mund të gjëndet punë lehtësisht në perëndim si p.sh, mjekësia, infermjeria për të cilat po shkruaj.
    Realisht në Shqipëri ka 1 mjek për 1000 banorë dhe 3 infermjerë për 1000 banorë, në krahasim më nevojat e banorëve të Shqipërisë por edhe në krahasim më shërbimet shëndetësore në vëndet e Ballkanit dhe në Europë, ku dihet se psh. Greqia që është vënd në BE ka 6 mjekë për 1000 banorë dhe infermjerë deri në 10-12 infermjerë për 1000 banorë.
    Pra Shqipëria është në gjëndje të pafavorshme që të ketë një shërbimë shëndetësor dhe kujdes mjekësor normal për banorët e saj. Shkaqet e emigrimit të mjekëve dhe infermjerëve dihen sepse janë kryesisht ekonimoko-financiare si:
    -Rroga e ulët,
    -Mungesa e kontratave optimale të punës me mjekët dhe infermjerët që punojnë brënda dhe jashtë banimit të tyre, njëlloj si kontratat e punës për mjekë dhe infermjerë në BE dhe në Angli dhe SHBA, Zvicër, ku në to përveç pagës së mirë, janë edhe banesa, dhe facilitetet e tjera për familjen, fëmijët etj,
    -Probleme të infrastrukturës, mitmarrjes, korrupsionit në Spitalet publike me të cilat sipas `Qëndresës qytetare` stuentët duhet të largohen nga Shqipëria sepse kushtet janë të këqia?!
    -dëshira për të shkuar jashtë shtetit , ose tu diplomuar dhe punuar në një universitet apo spital perëndimor
    Këto janë katër problemet që kanë feedback negativ në të rinjtë shqiptarë të cilët mbështeten për tu larguar nga Shqipëria.
    Është e vërtetë se shteti shqiptar nuk ka bërë aq sa duhet për të rritur rrogat e punonjësve profesionistë mjekësorë por edhe të të tjerëve, është e vërtetë se piramida e pagave shtetërore dhe publike ka nevojë për një rishikim dhe revizionim rrënjësor, sepse për punonësit mjekësore të sistemit publik duhen shtuar disa eelementë kardinalë krahaas ngritjes së rrogës bazë, që do të rrisnin pagën, si ato në formë bonusesh të larta si: pagesa për punë jashtë orarit, pagesa për konsultat, pagesa për operacionet e vështira dhe për ata që punojnë në reanimacion, kirugji, djegie, etj, për ata që janë roje `on duty`, përzgjedhja e mjekëve dhe infermjerëve që punojnë në spitalet terciale të bëhet jo vetëm me intervistën por edhe me kontrollet e dijes (ngritja tekniko profesionale që bëhej në të kaluarën) çdo vit, kërkimi shkencor dhe dërgimi i studentëve jashtë shtetit për specializime etj.
    Por çfarë kanë gabim studentët e mjekësisë të cilët po protestojnë ndoshta edhe të shtyrë nga politika për të nxitur çregullime sociale dhe aspak për të mirën e tyre?
    Gabimi kryesor i tyre nuk është tek të drejtat dhe liritë e njeriut të sanksionuara me ligj të cilat nuk duhet të preken por problem qëndron tek të drejtat dhe liritë e komunitetit të familjes dhe të gjithë vëndit përsa i përket kujdesit shëndetësor dhe mjekësor ndaj pacientit si dhe ndaj popullsisë për të parandaluar sëmundjet.
    Shteti ka detyrim për të ruajtur dhe u kujdesur për shëndetin e popullatës, pacientëve në qëndrat shëndetësor,spitale shtëpi, azile, cerdhe e kopshte e shkolla, prandaj shteti, duke parë se këto detyrime janë dëmtuar për shkak të emigracionit -ka të drejtën të marrë masat përkatëse.
    Studenët kanë edhe një gabim tjetër të cilën nëse nuk e dinë për Mjekësinë do ta mësonin gjatë viteve të studimit 5 vjecar dhe viteve të specilizimit të cilat janë disa vjeçare.
    Gabimi është moral dhe etik sepse së pari Betimi i Hipokratit thotë : ``Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal``.
    Mendoj se studentët e sotëm dhe të nesërm që kanë hyrë në mjekësi mendokan se mjekësia është vetë për të fituar para.
    Jo. Mjekësia përveç fitimit të parave ka dhe tre rregulla kryesore që duhet ti dini:
    Së pari, duhet të jesh humanist, pra të ndihmosh cdo njeri që ka nevojë mjekësore për aq sa mjeku di,
    Së dyti, duhet të kesh moralin e duhur për të ndihmuar nga ana profesionale mjekësore të sëmurin,
    Së treti, mitmarrja dhe rrushfeti janë të dënuara në këtë profion shumë më rreptë se në profesionet e tjera.
    Këto element studentët e sapo hyrë në Mjekësi nuk i dinë, dhe kjo është gafa e Provimeve të maturë. Pse? sepse ata që duhet të hyjnë në Fakultetin e Mjekësisë duhet edhe të intervistohen për të pare jo vetëm inteleigjencën e personit, por në rradhë të parë për të parë nëse është humanist pra nëse është njerëzor ky person që do punojë si mjek apo jo, sepse mjek I mirë nuk është vetëm ai që del me dhjeta, por më shumë, ai që ndihmon të sëmurin dhe është njerëzor
    Së fundmi studentët duhet të dinë edhe këtë element kardinal tjetër: Po mirë mor studentë të nderuar që keni fituar konkursin; Ju doni patjetër ti ikni jashtë shtetit, dhe nuk doni të mbani asnjë përgjegjësi përfamiljen komunitetin ku keni jetuar dhe për atdheun. Po kaq të papërgjesheëm jeni ?
    Kush do të kujdeset për familjen tuaj, për komunitetin tuaj, në fund të fundit edhe për atdheun? Do ti leni të vuajnë të mos kenë shërbim dhe kujdes mjekësor?
    Çfarë duhet të bëjë shteti për këtë problem/ tju lejë të ikni pa mbajtur asnjë përgjegjësi/ çfarë jeni ju fëmijë që duan të mos ju merret lodra nga dora?
    Atëhere shteti do të jetë i detyruar të marrë mjekë dhe infermjerë nga bota, indianë, tajlandezë, filipinas, bangladeshas, për të mjekuar prindërit tuaj, komunitetin tuaj, atdheun tuaj dhe tonin.
    Po përse duhet ta bëjë këtë gjë në të ardhmen shteti kur ju mund të punoni dhe kontribuoni disa vjet në Shqipëri me kontrata njëlloj sin ë perëndim?
    Atëhere mos abuzoni me lirinë e të drejtat e njeriut ashtu si ju thonë disa politiqenër apo si qëndresa qytetare, por kujtoni se edhe Familja, komuniteti ku jetoni, edhe Atdheu kanë të drejtën dhe liritë e tyre për tu kujdesur dhe mjekuar nga ana shëndetësore.
    Ku ka gabuar shteti në ligjin për studentët?
    Në Kushtetutën e Shqipërisë egiston neni 17 i cili thotë:1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
    2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
    Pra qeveria duhet të bazohet në këtë nen për të bërë ligjin që studentët pasi të mbarojnë universitetin të punojnë për një farë kohe në Shqipëri duke i shërbyer vëndit.
    Këtë e aplikojnë shumë shtete për interesin e kombeve të tyre. Pse të mos e përdorë edhe Shqipëria?
    Në përfundim mund të them që ligji i përpiluar në Parlament është jo i plotë dhe duhet rregulluar bazuar në Nenin 17. Dhe këtu duhet të përfshihen edhe mjekët që dalin nga Universitetet private, pavarësisht nëse paguajnë apo jo.
    Problemi është një Emergjencë Kombëtare dhe duhet zgjidhur si i tillë.

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrin dip

    Studentët e mjekësisë ndërpresin bojkotin, pasi rektorati pranoi të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

    Rektorati i Universitetit të Mjekësisë ka pranuar kërkesat e studentëve, për të pritur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mbi kontratën për punësim të detyrueshëm pas përfundimit të studimeve. Pas vendimit studentët ndërprenë bojkotin.

    Nga Nensi Bogdani

    Emri:  Studentet-e-mjekesise-prej-nje-muaji-kane-bojkotuar-auditoret-duke-protestuar-per-ligjin-e-mirat.jpg

Shikime: 250

Madhësia:  90.0 KB
    Studentët e mjekësisë prej një muaji kanë bojkotuar auditorët, duke protestuar kundër ligjit të miratuar në Parlament që i detyron të punojnë në vend pas studimeve. Foto: Nensi Bogdani

    Studentët e mjekësisë ndërprenë të hënën pas një muaji bojkotin e vitit akademik, pasi rektori i Universitetit të Mjekësisë ka pranuar kërkesat e tyre të shprehura gjatë protestave dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit që i detyron të nënshkruaj kontrata pune deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Studentët kanë paditur ligjin e miratuar në Parlament mbi punën e detyruar në vend pas diplomimit, si shkelje të kushtetutës.

    “Sot është zhvilluar një takim midis studentëve të mjekësisë dhe rektoratit, ku studentët kërkuan të mos u paraqitet asnjë kontratë deri në një vendim përfundimtar të Gjyaktës Kushtetuese, kërkesë e cila është pranuar nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata”, i tha BIRN Kristi Trako, përfaqësues i studentëve të mjekësisë në Senatin Akademik të UMT-së.

    Protestat e studentëve të mjekësisë kanë nisur që prej muajit Qershor kur flitej për mundësinë e një projektligji që do i detyronte ata të punonin në Shqipëri të paktën pesë vite pas diplomimit, projektligj ky i cili më pas u miratua në Parlament më 21 Korrik 2023.

    Pas pothuajse një muaji bojkot nga ana e studentëve, rektorati ka rënë dakord edhe për zëvendësimin e këtyre ditëve të humbura mësimi.

    “Rektorati ka dhënë garanci se do të përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura, dhe se do të këtë një takim me Ministrinë e Arsimit, por nuk ka akoma një datë të caktuar për këtë të fundit”, është shprehur më tej kryetari i Bordit Kombëtar Studentor Gevio Tabaku për BIRN.

    Nga ana tjetër, studentët kanë pranuar t'i rikthehen auditorëve, por gjithmonë duke mbajtur nën vëmendje premtimet e rektoratit.

    “Ka një lloj besimi në reagim institucional, por gjithsesi do mbahet nën vëmendje përgjatë gjithë kohës”, i tha BIRN Kristi Trako.

    Edhe sipas Gevio Tabakut, nëse këto pika nuk do të respektohen, studentët do i rikthehen bojkotit dhe përshkallëzim të tij.


    BIRN

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrin dip

    Rama për studentët e mjekësisë: Shqiptarët s’paguajnë taksa për popullin gjerman

    Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste se studentët e mjekësisë po pretendojnë të kenë studime me kosto zero të paguar nga taksapagesit shqiptar që më pas të shkojnë e të shërbejnë në Gjermani.

    Ai tha se nëse studentët e kanë ndarë mendjen për të ikur jashtë shtetit atëherë duhet të paguajnë tarifë, e cila gjithsesi nuk është e plotë. Rama tha se në këtë sektor shteti nuk mudn të rrijë të shikojë e të përgatisë studentët që sa mbarojnë shkollën, ikin të ofrojnë shërbimet jashtë vendit.

    “Mjekësia, kostoja e studimeve të mjekësisë në Shqipëri është 1/16 e kostos reale dhe nuk ka krahasim me koston e studimeve në Gjermani, nuk ka fare. Një nga arsyet se sot në Gjermani ka një problem me mjekët është kostoja shumë e lartë e studimeve. Bukur, atëherë për çfarë arsyeje të gjithë ju, që doni ti bëni studimet me kosto thuajse zero, të marrin diplomë për faktin se kostoja reale mbulohet nga taksat e të gjithëve ju doni të ikin në Gjermani direkt. Për çfarë paguan taksa sistemi shqiptar, për popullin gjerman. Ne kemi një sistem në shkollën e magjistraturës, që është e qartë që kush mbaron shkollën është i detyruar të punojë këtu. Si është e mundur që të pranojmë ne këtu.

    Nëse do të ikë në Gjermani duhet të paguajë tarifën, që nuk është e plota, por një tarifë tjetër. Merr diplomën më pas shko në Gjermani. Por nëse do të marrësh diplomën me tarifën që të paguajnë taksapaguesit shqiptar, ke një detyrimin që një periudhë kohe deri në 5 vite tua kthesh këtu investimin që kanë bërë te ti. Europa është turrur për ’mish njeriu’ dhe konkurrenca më e madhe do të jetë kush të kapi krahun e punës. Në një sektor të tillë nuk mund të rrimë të shikojmë si kalojnë vitet në universitet studentët dhe më pas ikin.

    Euronews

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrin dip

    Gjykata Kushtetuese rrëzon pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë

    Gjykata Kushtetuese njoftoi rrëzimin e pjesshëm të ligjit të miratuar në muajin Korrik 2023 për studentët e mjekësisë, që do t’i detyronte ata të punonin në vend për një minimum prej pesë vitesh, pa të drejtën e diplomimit.

    Nga Nensi Bogdani

    Emri:  perberja2023_popup_2412.jpg

Shikime: 228

Madhësia:  33.7 KB
    Anëtarët e Gjykatë Kushtetuese. Fotoaqja online e gjykatës.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi në seancën plenare të së enjtes, rrëzimin e pjesshëm të nismës së qeverisë për ligjin e studentëvë të mjekësisë.

    Specifikisht, më 25 Janar u shfuqizua detyrimi për punësimin e detyruar në vend për pesë, tre dhe dy vite.

    “Ligji i miratuar me shpejtësi, me mllef dhe me mungesë profesionalizmi nga Parlamenti Shqiptar për të kushtëzuar jetën e studentëve të mjekësisë për pesë vite është rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese”, tha Migen Qiraxhi nga organizata Qëndresa Qytetare, i cili e cilësoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese si një fitore absolute të studentëve.

    “Gjykata kushtetuese me shumicë votash vendosi shfuqizimin e fjalëve “pesë vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5 vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “tre vjet”, në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “tre vjeçar”, në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “dy vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “dy vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b” të ligjit nr.60/2023”, shkruan njoftimi i Gjykatës Kushtetuese.

    Parlamenti miratoi më 21 Korrik të vitit që lamë pas projektligjin e qeverisë që do i detyronte studentët e mjekësisë në Shqipëri të punonin në vend të paktën për pesë vite, duke u mbajtur atyre diplomën pas përfundimit të studimeve.

    Ligji në fjalë u prit me protesta të shumta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë, të cilët e paditën atë në Gjykatën Kushtetuese.

    Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.

    Në njoftimin e gjykatës theksohet se edhe pse kufizimi është vendosur për interes publik të garantimit të kujdesit shëndetësor, ky kufizim nuk është proporcional me afatet e shlyerjes së detyrimeve për punësim.

    “Afati pesë vjeçar është i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim”, citon njoftimi i Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky afat tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve.

    Gjykata i caktoi Kuvendit detyrimin për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore brenda tre muajve pas këtij vendimi.

    “Studentët ndoqën rrugën dhe formën e reagimit qytetar, institucionale por edhe atë në rrugë. Ata ia dolën të fitonin dhe ky është një shembull i cili duhet marrë nga çdo qytetar”, tha Migen Qiraxhi.

    “Kushdo që mendon se kundër qeverisë nuk mund te ankohesh dhe nuk mund të protestosh sigurisht që e pati gabim“, përfundoi ai.


    BIRN

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qeveria e Rilindjes: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrin dip

    3 vite punë me detyrim për mjekët e rinj, qeveria reflekton ndryshimet në projektligj për studentët e mjekësisë

    Emri:  proteste-studente.jpg

Shikime: 235

Madhësia:  67.6 KB

    Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të projektligjit që detyronte studentët e mjekësisë që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar disa ndryshime në projektligj. Pas argumentit të Gjykatës Kushtetuese që afati 5 vjetor është jo-proporcional, qeveria propozuar që ky afat për studentët e mjekësisë të ulet në 3 vite.

    Ligji parashikonte 5 vite punësim të detyruar për studentët e mjekësisë të vitit të parë, që tashmë me rishikimin ulet në 3 vite, ndërsa për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt detyrimi për të dhënë kontributin ulet nga 3 vite në 2 vite, ndërsa ata që ishin në vitin e pestë dhe të gjashtë të studimit parashikohej detyrimi 2 vit, kufizim i cili minimizohet në 1 vit.

    “Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike”,-thuhet ndër të tjera në projektligj.

    Koha Jone

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Qeveria e Rilindjes kërkon 50 vjet burg për armëmbajtje pa leje!
    Nga Vinjol në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 30-03-2016, 17:07
  2. Qeveria e Rilindjes: Tatimorët do të marrin 6 rroga shtesë çdo vit!
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 21-12-2015, 13:29
  3. Përgjigje: 126
    Postimi i Fundit: 27-07-2015, 18:34
  4. Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 08-05-2014, 09:10
  5. shqiperi edhe Kosova Duhet te marrin mesim nga Bavaria
    Nga dardani8 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 11-09-2012, 15:45

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •