Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla merr detyrën e ministrit të Brendshëm

    Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla merr detyrën e ministrit të Brendshëm

    Emri:  1688740944_rama.jpg

Shikime: 512

Madhësia:  28.7 KB

    Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një reagimi në Twitter ka bërë të ditur se të hënën do t’i dorëzojë zyrtarisht Presidentit të Republikës, Bajram Begaj propozimin për shkarkimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi.

    Ndërsa thekson se do të propozojë ministër të ri të Punëve të Brendshme, Taulant Ballën.

    Postimi i plotë:

    “Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, shkruan Rama në “Twitter”.

    Emri:  IMG_4471.jpg

Shikime: 442

Madhësia:  37.4 KB


    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla merr detyrën e ministrit të Brendshëm

    Prapaskenat e shkarkimit të Çuçit, ultimatumi dhe takimi që nuk ndodhi me Ramën

    Emri:  cuci.sdgdf_.jpg

Shikime: 415

Madhësia:  21.9 KB

    “Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit”. Këto ishin fjalët e Bledi Çuçit në dhjetor 2020 kur mori detyrën nga Rama pas dorëheqjes së detyruar të Sandër Lleshajt. Sot më shumë e rëndësishme është të dimë se çfarë ndodhi 48 orët e fundit që çoi në shkarkimin e kreut të Ministrisë së Brendshme sesa si e mban mend publiku Bledi Çuçin në këto dy vite e gjysmë.

    Lapsi.al mëson nga burime të besueshme prapaskenat që sollën largimin e Çuçit. Publikimi i pamjeve të dhunës barbare të Rrajave në Krujë ndaj dy qytetarëve dhe hezitimi i Policisë së Shtetit për të vepruar menjëherë për shkak të mburojës politike që ata kishin, e detyruan Edi Ramën të bënte “kurban” Ministrin e Brendshëm.

    Ai i ka parë pamjet e rënda teksa orvatej në vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u dukur si lider global, si udhëheqës europian që kishte marrë përsipër të ndërmjetësonte edhe kriza të mëdha, ndërkohë që në Shqipëri në fakt qeveris me një mendësi kriminale. Dhe çfarë ndodhi me Rrajat në Krujë, është fytyra e vërtetë e pushtetit të Edi Ramës brenda vendit.

    I xhindosur keq nga pamjet e dhunës barbare të pushtetit të tij në Shqipëri teksa ai vetë shpërfaqej si lider i madh në shtetet e rajonit, Rama iu kishte lënë ultimatum dy ministrave të tij, Bledi Çuçi e Ulsi Manja ta mbyllnin këtë ngjarje pa zbritur ai nga Beogradi në Rinas. Ministri i Brendshëm duhet të arrestonte Rrajat dhe Ministri i Drejtësisë të sigurohej që ata të mbesnin në burg përmes sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për vëllezërit e deputetit të PS-së, Rrahman Raja dhe djalin e këtij të fundit Rexhep Rraja.

    Me tone kërcënuese Rama kishte kërkuar kontroll banese të deputetit Rrahman Rraja nën dyshimet sipas policisë se brenda saj fshiheshin vëllezërit e tij. Por pa një autorizim nga Kuvendi kontrolli ishte ligjërisht i pamundur. Ndërkohë që po kthehej nga Beogradi, Rama kishte thirrur urgjentisht në Tiranë ministrin Çuçi, i cili mbrëmjen e djeshme nuk ndodhej në kryeqytet. Çuçi mbërriti në Tiranë vonë pas mesnate tregon burimi për Lapsi.al, por një takim mes tij dhe Ramës nuk ndodhi për arsye që nuk dihen.

    Emri:  WhatsApp-Image-2023-07-08-at-2.25.01-PM.jpg

Shikime: 446

Madhësia:  27.3 KB

    Rama nuk e priti Çuçin as paraditen e sotme teksa ai qëndroi i ngujuar për mbi 5 orë në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Gjatë gjithë ditës së sotme nuk ka pasur një takim mes tij dhe Edi Ramës. Shkarkimin nga detyra Çuçi e ka mësuar nga Twitteri i shefit të tij njësoj siç mësoi edhe emërimin në dhjetor 2020 teksa ishte brenda një serre me domate bashkë me Luigi Soreca-n në Lushnje.

    Me siguri diçka ka parandjerë prej së premtes në drekë kur Rama kishte lëshuar ultimatumet e tij kërcënuese ndërkohë që orët po kalonin dhe Rrajat nuk po arrestoheshin. I zënë ngushtë edhe kësaj radhe nga zullumi i trashur i pushtetit të tij kriminal që mbronte banditë si Rrajat, Edi Rama sakrifikoi Bledi Çuçin, që duhet thënë se pavarësisht bilancit negativ me Policinë e Shtetit, nuk ka pasur akuza për korrupsion e afera si ministrat e tjerë të Rilindjes e as ka qenë shumë i atakuar nga opozita.

    Siç mëson Lapsi.al firma për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe zëvendësimit të tij me Taulant Ballën, është hedhur nga Rama mbrëmjen e së shtunës pasi ai ishte kthyer nga Vlora ndërkohë që policia dështoi edhe gjatë ditës së shtunë për të arrestuar vëllezërit dhe djalin e deputetit të dorëhequr tashmë Rrahman Rraja.

    Vetë Çuçi bëri një reagim formal ku falenderoi Ramën e i uroi suksese Taulant Ballës. Pakkush priste diçka më shumë prej tij. Mister është fakti se pse Rama vendosi ta shkarkonte dhe jo t’i kërkonte që ai të jepte vetë dorëheqjen si një formë më e butë largimi. Por jo, kreut të organizatës së Rilindjes i duhej një akt më i fortë për t’ja hedhur publikut në përpjekjen mjerane për të thënë se ai nuk toleron dhe se s’ka gisht fare në këtë ngjarje.

    E vërteta është që Rrajat kishin mburojën politike të Edi Ramës prej kur Rilindja erdhi në pushtet, jo thjesht në kohën kur Çuçi shërbeu si Ministër i Brendshëm. Forca e Rrajave buronte nga Rama së pari dhe më pas shpërndahej në mënyrë kapilare përmes të gjithë shërbëtorëve të tij në të gjitha nivelet e pushtetit të Rilindjes. Bledi Çuçi ndoshta nuk do të mbahet mend as si Ministër i Brendshëm e as si Ministër i Policisë apo Rendit. Thjesht një nga ministrat e radhës që u emërua në Twitter pa dijeninë e tij dhe u shkarkua po me një cicërimë pa dijeninë e tij nga kreu i organizatës së Rilindjes.

    ©LAPSI.al

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla merr detyrën e ministrit të Brendshëm

    Dritëhijet e Ministrit të ri të Brendshëm Taulant Balla në lidhje me krimin

    Emri:  Balla-dhe-Rama-te-perqafuar.jpg

Shikime: 427

Madhësia:  50.6 KB

    Kur Edi Rama e la prap jashtë qeverisë në shtator të vitit 2021, gazetarët e pyetën Taulant Ballën nëse ishte i mërzitur me kryeministrin. Dihej se që nga dita e parë që Rama mori pushtetin, Balla synoi Ministrinë e Brendshme. Sapo gazetarët e ngacmuan pak, Balla i kujtoi Ramës se në Elbasan kishte pasur rezultatin më të mirë si deputet i PS-së dhe se kryeministri i kishte një borxh Elbasanit, ku ai kishte qenë drejtues politik.

    Ministria e Brendshme është shpërblimi për shërbimet që Taulant Balla i ka bërë Edi Ramës prej vitesh, kur është përdorur si mashë që nxjerr gështenjat përvëluese nga zjarri. Urdhrat e Ramës shpesh e kanë futur Ballën në marrëdhënie që e kompromentojnë figurën e Ministrit të ri të Brendshëm.

    Lapsi.al ka sjellë vetëm disa nga denoncimet dhe marrëdhëniet që tregojnë se në rastin e Taulant Ballës është e vështirë të kuptohet ku nis politika dhe ku mbaron krimi.

    Emri:  Edmond-Bego.jpg

Shikime: 428

Madhësia:  63.1 KB
    Edmond Bego majtas, Aldo Bare djathtas


    Miqësia me Edmond Begon

    Në verën e vitit 2018, opozita e akuzoi Taulant Ballën për lidhjet me Mond Begon, një biznesmen me një të kaluar të errët si një prej anëtarëve të bandës së Lushnjes. Në rininë e tij, Bego kishte qenë një prej kapitenëve të bandës së Aldo Bares me vendqëndrim në Milano, Itali.
    Sa për një prezantim të Edmond Begos, vlen të kujtohet një paragraf i La Repubblica i vitit 2009, si më poshtë:

    “Baza e parë logjistike e grupit kriminal ishte në Torino. Kohët e fundit organizata po i zgjeronte kufijtë e saj. Ishin ndarë në dy pjesë në Itali: një bazë në Milano, që drejtohej nga Edmond Bego, shqiptar 36 vjeç. Tjetra në Romë, drejtohej nga Enver Dondollaku, shqiptar, 31 vjeç. Droga vinte nga portet e Barit dhe të Ankonës, e fshehur me mjeshtëri nëpër kamionë. Pastaj transportohej nëpër Itali në shumë pika shpërndarjeje”- shkruante e përditshmja italiane në atë kohë.

    Shumë vite më pas, mes Ballës dhe Begos ka lindur një miqësi, të cilën Taulant Balla e pranoi në një konferencë për mediat. Ai tha se Bego ishte “një njeri i thjeshtë dhe i zakonshëm”, viktimë e luftës politike PD-PS. Madje sipas Ballës, Bego po trajtohet pa të drejtë nga media, sepse “një person nuk mund të vuajë të njëjtin lajm, si para 10 vitesh, kur e ka kryer dhe pasi e ka kryer një vepër të caktuar penale”.

    “Personin në fjalë sigurisht që e njoh. njoh bashkëshorten e tij, dy fëmijë të shkëlqyer, nxënës shembullorë, moshatarë me tim bir” u shpreh Balla, duke dalë garant se mbrojtje politike Mond Bego nuk kishte pasur kurrë nga PS.

    Emri:  Ardian-Capja-Taulant-Balla-Ravik-Gurra-Edi-Rama-1024x576-1.jpg

Shikime: 435

Madhësia:  38.7 KB
    Akuzat për përfshirjen në vrasjen e avokatit Ravik Gurra

    Në fund të vitit të kaluar, Ardian Çapja, një prej kokave të fisit të përfshirë në vrasje dhe trafik droge në Elbasan deklaroi në sallën e gjyqit se një politikan me emrin “Taulant” është i përfshirë në vrasjen e avokatit të tij Ravik Gurrës.

    7 vite më pas, Ardjan Çapja ka folur në gjyqin që po zhvillohet kundër tij për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit.

    Sipas tij, gjatë hetimeve të masakrës së shkurtit të vitit 2016 doli në përgjime emri i një politikani me emrin Taulant, por përgjimet u fshinë me urdhër të gjykatës.

    “Pas masakrës së 3 Shkurtit 2016 unë nuk kam dalë më nga shtëpia. Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmend sepse më rrezikohet familja” deklaroi Çapja.

    Nga dokumentat që publikoi më pas Lapsi.al, rezultoi se politikani ishte Taulant Balla dhe se ishte plotësisht e vërtetë se përgjimet që e implikonin në biseda si ndërmjetës mes njerëzve të botës së errët, me ministra socialistë janë asgjësuar me një vendim të gjykatës dhe Prokurorisë së Elbasanit.

    Me kërkesë të prokurorit Pertef Asllani, gjykatësja Zamira Vyshka ka vendosur në 17 shkurt 2016, që të gjitha ato përgjime, në rrjetën e të cilave kishte rënë politikani me emrin Taulant të prisheshin.

    Nga numri i celularit që përfundon me “399” kuptohet se bëhej fjalë pikërisht për politikanin e lartë të PS. Çapja tha se avokati Ravik Gurra ishte vrarë sepse do të publikonte përgjimet.

    “Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmënd sepse më rrezikohet familja” ka thënë Çapja në sallën e gjyqit.

    Emri:  Vila-e-Gentian-Sharres.jpg

Shikime: 431

Madhësia:  38.3 KB
    Vila e Gentian Sharres


    Lidhjet me Gentian Sharrën dhe elementët e tjerë kriminalë në Elbasan

    Pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, prokuroria zbardhi skenën e ngjarjes, duke zbuluar emrat e njerëzve që ndihmonin Taulant Ballën në fushatën e PS.

    Emri:  Mehmet-Greca.jpg

Shikime: 425

Madhësia:  25.1 KB
    Mehmet-Greca

    Mes tyre ishte Mehmet Greca.

    Sipas raportimeve në mediat britanike, Mehmet Greca ka një të shkuar kriminale. Ai është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge, pasi u arrestu në vitin 2016 me 51 kilogramë kokainë dhe 80 mijë paund në cash.

    Vlera e kokainës përllogaritej në 5 milionë paund britanikë.

    Emri:  Screenshot 2023-07-09 at 1.39.12 PM.jpg

Shikime: 435

Madhësia:  26.4 KB

    Në vendin e ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani ishte edhe Kelment Xhaferi, një i skeduar më herët nga policia.

    Atëherë policia e shpalli në kërkim Kelment Xhaferin dhe e akuzoi për “Vrasje në rrethana cilësuese, të mbetur në tentativë, në dëm të disa personave”. Më vonë akuzat ndaj tij u rrëzuan.

    Megjithatë fillimisht ai u dyshua si personi që plagosi dy ish-policët në vendin e ngjarjes, Pavlo Vuksanin dhe Emiljano Prengën, që ishin pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës të Partisë Demokratike.

    Kelmend Xhaferri është një personazh i njohur në qytetin e Elbasanit, sidomos nga përplasja me Policinë në tregun agro-ushqimor kur bashkë me Suel Çelën sulmoi policët që u tërhoqën nga frika se rrezikonin jetën.

    Emri:  WhatsApp-Image-2022-06-29-at-11.41.14-AM.jpeg

Shikime: 437

Madhësia:  41.0 KB
    Gent Sharra majtas dhe Talo Cela djathtas

    Në vendin e krimit ishte edhe Gentian Sharra, një person me cv të pasur kriminale, si bashkëpuntor i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit në grabitje të ndryshme, mes të cilave edhe ajo e Rinasit.

    Sharra meriton vëmëndje të veçantë për nga reputacioni që gëzon në Ebasan, por edhe si përfitues i fondeve publike.

    Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, Sharra u shndërrua në përfitues të fondeve publike nëpërmjet kompanisë së bashkëshortes së tij, Olta Sharra. Disa qindra miliona lekë janë përfituar dhe vazhdojnë të përfitohen nëpërmjet tenderave të dhënë nga Bashkitë e Elbasanit, Librazhdit dhe të Cërrikut si shpërblim për ndihmën që ka dhënë ai gjatë fushatës së Partisë Socialiste në Elbasan.

    Sharra u shpall në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe pasuritë e tij, rreth 5 milion euro u sekuestruan nga SPAK.

    Emri:  5551989404980163556_n-1.jpg

Shikime: 424

Madhësia:  37.4 KB
    Miqësia me Rrajat

    Duket absurde që Bledi Çuçi u shkarkua për mungesë të reagimit ndaj Rrajave dhe në vend të tij erdhi Taulant Balla që me Rrajat ka një histori të njohur si ndërmjetës. Bëhet fjalë për historinë e Xhisiela Malokut.

    Emiljano Nuhu ishte polici i vetëm i Krujës që pranoi të regjistrojë denoncimin e Xhisiela Malokut, ish e dashura e rrahur dhe kërcënuar nga Rexhepi, djali i deputetit të zonës, Rrahman Rraja.

    Kur sapo kishte marrë kallëzimin e Xhisielës, Emiljanon e ndoqën kushërinjtë e Rexhepit nga Kruja në Tiranë. Njëri prej tyre, Ramazan Rraja ia tha troç: “Ligjin në Krujë e bëjmë ne. Nëse duam mund të shkrijmë edhe Komisariatin e Krujës”.

    Mosbesues për këto fjalë, polici Emiljano Nuhu i shkruajti një letër të gjatë eprorit të tij Ardi Veliut. Në letrën që Lapsi.al e ka publikuar të plotë, polici i përshkruante djemtë e fisit Rraja si “të pushtetshëm, impulsivë, që lëvizin gjithmonë të armatosur dhe që nuk goditen nga strukturat e Policisë lokale”.

    Çfarë bëri Ardi Veliu? I çoi informacionin Taulant Ballës. Sepse Rrajat, duke qenë fis i madh në Krujë janë një aset i rëndësishëm i Partisë Socialiste që çfo zgjedhje prodhojnë një deputet më shumë për PS.

    Siç tregoi më vonë polici Emiljano Nuhu, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i shkoi në komisariat për ta bindur të mbyllte dosjen.
    Bashkë me Ballën ishte deputeti i PS, Rrahman Rraja, kryetari i bashkisë Artur Bushi dhe vëllai i deputetit, Xhelal Rraja. Ky i fundit, siç tregoi Emiljano Nuhu nga arratia, ishte i armatosur dhe në nerva e sipër i vuri pistoletën në kokë për t’i thënë të mos regjistronte denoncimin e Xhisiela Malokut.

    “Ata kanë qenë në komisariat dhe detaji që unë kam nga zyra ime janë fjalët e tyre që ata më kanë thënë me ironi, që janë shprehur nga deputeti Taulant Balla dhe Artur Bushi që: ‘hiqe pistoletën nga koka e oficerit se nuk i bën oficeri këto gabime’ dhe kam qenë nën trysninë e armës së zjarrit brenda zyrës time” tregoi Emiljano Nuhu, pasi iku nga Shqipëria me gjithë familjen për të fituar azil politik në Zvicër.

    Pasi denoncoi publikisht Rrajat dhe manipulimin që kishte bërë Taulant Balla në komisariat, Emiljano Nuhu u përball me sharjet e kryeministrit Edi Rama.

    Kryeministri doli publikisht dhe e quajti “horr“, “shpifës me uniformë”, një njeri “në shërbim të opozitës” apo një polic që “kishte sabotuar hetimet” për të përfituar azilin politik. Nuhu u arratis, ndërsa Rrajat u shfaqën 7 vjet më vonë fiks siç i kishte përshkruar ai, impulsivë dhe të armatosur, duke i mbajtur pistoletën në kokë njeriut që i kishte acaruar.

    I vetmi që mungonte në videon që u publikua ishte Taulant Balla, ministri i brendshëm që është përfolur për lidhjet me krimin me shumë se të gjithë paraardhësit e tij.

    Lapsi.al

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama shkarkon Bledi Çuçin, Taulant Balla merr detyrën e ministrit të Brendshëm

    Rama emëron ‘Tualetin’ ministër, për ta shpëtuar nga arrestimi!

    Nga Sali Berisha/

    Miq, tre muaj më parë dhe në vazhdim kam denoncuar në Parlament lidhjet direkte të Taulant Ballës me Gentian Sharrën dhe ekzistencën në prokurori të dhjetëra orëve komunikimi mes Ballës dhe Sharrës, si dhe ndërhyrjen direkte të “Tualetit”, për të fituar në mënyrë të paligjshme tenderët kompania e Gentian Sharrës, në emër të bashkëshortes. Mbi bazën e këtyre provave dhe regjistrimeve, Balla është thirrur në prokurori më shumë se një herë. Pikërisht, në momentin kur prokuroria kishte vendosur heqjen e imunitetit dhe eventualisht arrestimin e Ballës, Edi Rama në një akt mafioz dhe të papërgjegjshëm, për ti shpëtuar lëkurën atij, e emëron “Tualetin” Ministër të Brendshëm.

    Këtu më poshtë keni artikullin e gazetarit, Klodian Tomorri kushtuar aferës së ndërhyrjes korruptive të “Tualet” Ballës, për dhënien e tenderëve kompanisë së bashkëshortes të Gentian Sharrës dhe thirrjes së Ballës, për shumë orë në SPAK për këtë çështje.

    Ju ftoj ta lexojeni sipas dëshirës.

    Tenderi i ushqimeve, akuzat për lidhje me bandat dhe një proverb amerikan

    9 KORRIK, 2023

    Klodian Tomorri

    “Set a thief to catch a thief” është një proverb amerikan, i cili nënkupton se personi më i mirë për të kapur një kriminel është po një kriminel. Llogjika pas proverbit është e thjeshtë. Një person i pandershëm e ka më të lehtë të mendojë se si do të veprojë një tjetër person i pandershëm. Kjo më erdhi në mend kur Edi Rama nxorri dy copa letre në twitterin e tij duke njoftuar shkarkimin e Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm dhe emërimin e Taulant Ballës në këtë post.

    Në gjithë elitën drejtuese të maxhorancës socialiste, Taulant Balla është ndoshta një nga njerëzit me të ekspozuar dhe më të përfolur për lidhje me bandat apo krimin e organizuar. Kohë më parë në media u publikua fakti se kreu i grupit Parlamentar të socialistëve ishte kapur gabimisht në përgjime me bandat e Elbasanit. Por pasi oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët transkriptuan 50 orët e përgjimeve, kuptuan se kishin hapur kutinë e Pandorës. Prokuroria iu drejtua me kërkesë urgjente gjykatës, e cila urdhëroi shkatërrimin e përgjimeve.

    Në fund të vitit të kaluar, Ardian Çapja, lëshoi një deklaratë bombë në gjykatë për masakrën e 3 shkurtit të vitit 2016 në Elbasan. “Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmënd sepse më rrezikohet familja,” deklaroi Çapja në sallën e gjyqit.

    Madje, dëshmia e tij kishte akuza edhe më të forta, duke e lidhur dhe vrasjen e avokatit Ravik Gurra me politikanin Taulant. “Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut, aty ke gjithë të vërtetën. Prokurorit Ridvan Suka i kam bërë kallëzim për moshetimin e ngjarjeve. Unë i kam vajtur në zyrë dhe i kam kërkuar që të zbardhë ngjarjen e 2016, por ai ka heshtur dhe shkak ka qenë përgjimi i politikanit Taulant” ka thënë Çapja në sallën e gjyqit.

    Dyshimet ishin se bëhej fjalë për Taulant Ballën, ish drejtues politik i Partisë Socialiste në Elbasan, që tashmë do të jetë ministri i ri i Brendshëm. Këto dyshime u forcuan edhe më shumë kur u publikua numri i telefonit në përgjim, i cili përputhej plotësisht me numrin e Taulant Ballës. I akuzuar vazhdimisht për lidhje me krimin, zoti Balla i ka mohuar gjithmonë akuzat.

    Akuzat e Çapjas mbetën vetëm në letrat e gjykatës. Por Taulant Balla do të mpleksej prapë me drejtësinë. Disa muaj më parë SPAK sekuestroi telefonin e drejtorit të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në ministrinë e Brendshme, Endri Mullai dhe këshilltarit të Taulant Ballës, Eraldo Xhani. Sekuestrimet erdhën në kuadër të një hetimi për tenderat e blerjes së ushqimeve për burgjet. Tenderi me vlerë mbi 2 milionë euro ishte fituar nga kompania e Gentian Sharrës dhe SPAK kishte indicie të forta se kontrata ishte dhënë me korrupsion.

    Sekuestrimi i telefonave nuk i shuajti dyshimet e prokurorëve. Përkundrazi, i forcoi më tej ato. Një muaj më parë, Taulant Balla u thirr në SPAK. Ndonëse pasi doli nga ndërtesa e SPAK, Balla deklaroi se ishte thirrur për kallëzimin që kishte bërë ndaj Sali Berishës për privatizimin e kompleksit Partizani, ky ishte një mashtrim. Tre burime të pavarura i thanë Oligarkia.al se Balla u thirr për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për tenderin e Gentian Sharrës. Prokurorët kishin gjetur në celularin e Eraldo Xhanit, mesazhe të cilat detyruan prokurorët të thërrisnin Taulant Ballën për t’u marrë në pyetje. Hetimi për tenderat e ushqimeve të burgosurve vazhdon dhe telefonat e Eraldo Xhanit dhe Endri Mullait qëndrojnë të sekuestruar në SPAK.

    Edi Rama është në dijeni të të gjitha këtyre fakteve. Por kjo nuk e pengoi atë që të propozojë Taulant Ballën për postin e ministrit të Brendshëm. Kjo lëvizje e Ramës ka lënë të habitur edhe shumë figura të lartë brenda vet maxhorancës. Pse kryeministri vendosi t’i besojë postin e ministrit të Brendshëm një personi me background kaq problematik? Këtë përgjigje sot nuk e di askush. Por dy janë versionet që fliten nën rrogoz brenda maxhorancës.

    Ose situata në Fushë Krujë ka dalë totalisht jashtë kontrollit dhe tani Edi Rama po vepron sipas parimit “vendos hajdutin për të kapur hajdutin” ose kjo lëvizje ishte për ta shpëtuar Taulant Ballën nga hetimet e SPAK. Në çdo rast, shqiptarët tashmë kanë ministër të brendshëm një nga zyrtarët më të akuzuar për lidhje me krimin. Këtë standard nuk e kanë as vendet më të kriminalizuara në botë. Prova e radhës se Partia Socialiste është qelbur aq shumë nga pushteti, saqë nuk prodhon dot më normalitet, por vetëm rekorde negative.




    Syri

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 22-12-2017, 01:10
  2. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 27-08-2015, 08:41
  3. Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 15-03-2013, 21:09
  4. Taulant Balla: PS i ka fituar zgjedhjet
    Nga limbo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 21-08-2009, 20:45
  5. Taulant Balla: Rama ka parate per te blere deputete te djathte
    Nga palushi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 02-08-2009, 18:37

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •