Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Moderator Maska e AdmiraL
    Anëtarësuar
    25-05-2004
    Vendndodhja
    Rheinfelden - Baden-Württemberg
    Postime
    772

    Shqipëria e viteve 1920 në zemrën e Eugène dhe Helene Pittardit

    Emri:  Pittard-1130x635.jpg

Shikime: 555

Madhësia:  40.7 KB
    Helene Pittard duke iu shpërndarë beze për këmisha, malësorëve para një kishe (Foto: Eugene Pittard, 1921)


    Librat e ndryshëm historikë të botuar, veçanërisht këto dy dekadat e fundit, kanë nxjerrë në pah shumë personalitete të botës evropiane e të përtej Atlantikut që i janë përkushtuar Shqipërisë në çastet më të vështira të saj – pas krijimit të shtetit shqiptar nga Ismail Qemal Vlora dhe prijësit e tjerë shqiptarë. Ishte koha kur Shqipërisë i duhej të luftonte kundër politikave shoviniste të fqinjëve të saj e po ashtu dhe të politikave hegjemoniste të vendeve të mëdha.

    Dy nga këto figura ishin gjithashtu dhe zviceranët Eugene dhe Helene Pittard. Është botuar libri voluminoz prej një mijë faqesh i publicistit Kudret Isaj me titullin “Udhëtimi i mbramë i Eugene dhe Helene Pittard: Krijimi i Kryqit të Kuq Shqiptar, Gjenevë-Tiranë”, për çka autorit i është dashur të punojë prej 10 vjetësh dhe të kërkojë në arkivat e Zvicrës apo ato familjare e më gjerë. Dhjetë vjet punë që u kurorëzuan me një libër të botuar nga “Les Livres Rama” që na shfaq jo vetëm jetën e tyre dhe veprimtarinë për Shqipërinë, por dhe botën shqiptare të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX.

    Padyshim që figura kryesore është ajo e Eugene Pittard, akademik dhe antropolog i njohur në rrethet evropiane, por dhe një humanist i madh e njeri politik i cili ndihmoi fuqimisht në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe që më vonë, në vitin 1924, ishte i deleguari i Shoqatës së Kombeve për shpërndarjen e ndihmave në veriun shqiptar gjatë kohës së krizës së bukës të vitit 1924. Por, Pittard ishte njëkohësisht një mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për pranimin e Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve dhe në mbrojtjen e kërkesave shqiptare kundër politikës shoviniste serbe. Por, krahas kësaj, një vend të veçantë autori i lë zonjës Helene Pittard, gazetare e njohur dhe shkrimtare, e cila e shoqëroi burrin e saj në të gjitha viset shqiptare në një kohë mjaft të vështirë social-politik, por dhe në udhëtime tepër të vështira nëpër male, çka na kujtojnë udhëtimet e Edith Durhamit.

    Helene Pittard apo Dufour nga familja e saj, ishte vajza e një aristokrati të njohur të Gjenevës, njeri politik dhe mjaft i njohur në rrethet e kulturës. Helena, që në rini kishte pasionin e poezisë dhe eksperienca që kaloi gjatë disa viteve në Londër e lansoi në shkrimet publicistike. Më pas ajo ishte korrespondente e “Journal de Geneve” për artin dhe që e re filloi botimin e romaneve të saj të para. Por, një interes të veçantë ajo i kushtoi Shqipërisë.

    Udhëtimin e tyre të parë drejt Shqipërisë ata e bënë në vitin 1910. Dhe, ja si e përshkruan autori Kudret Isaj kur ata zbarkojnë në Shkodër në 2 korrik të atij viti: “Pronari i Hotel Grand-it, për të shprehur mikpritjen e tij, i ftoi miqtë zviceranë të pinin diçka freskuese në verandën e hotelit. Disa çaste më pas kamerieri u afrua me një tabaka kristali në duar dhe i gostiti klientët me nga një shurup të ftohtë trëndafili dhe me kafe turke. Para se të uleshin të hanin drekë në restorantin e hotelit, ata u bënë dëshmitarë të një skene tipike orientale. Sapo zunë vend në tavolinë, drejt tyre afrohet një kamerier i cili mbante në duar një ibrik të kuq bakri dhe një legen të të njëjtit material. Kamerieri me përkulje në gjysmë harku, u afroi ibrikun me ujë që të lanin buzët dhe duart me ujë të parfumuar prej atari, një esencë trëndafili e cila përdorej aso kohe kudo në hotelet dhe në restorantet e Shkodrës. Pasi mysafirët lanë duart, pronari i Hotel Grand-it, të cilin e thërrisnin Sokrat Shkreli, iu afrua Eugene Pittardit dhe bashkëshortes së tij dhe u vë një shishe vere të bardhë në tryezë duke u thënë: ‘Këtë shishe verë e keni prej rrushit të bahçes sime. Kam një sahat që e kam zbritur me çikrik këtë shishe në pus dhe e kam ftohur për zotërinë tuaj. Ne akoma nuk kemi frigorifer në hotelin tonë. Mos kini merak për mungesën e etiketës në shishen e verës. Unë bëhem garant me jetën time, nëse ju ndodh gjë’. ‘Gruaja ime Mici është austriake’, vijoi Sokrat Shkreli. ‘A e besoni se ajo e gatuan tavën e krapit si me qenë shkodrane denbabaden. E ka mësuar prej një shoqes së saj, kushërirës së Cuk Markut, mbretit të tavës së krapit, i cili e ka patur lokalin te pazari i vjetër te Ura e Bunës. Gjysh stërgjyshat tanë tregojnë se një Shaban Baku në kohën e Turqisë ka qenë me nam në Shkodër për gatimin e tavës së krapit dhe ka shërbyer në vitet 1800 si kuzhinier në oborrin e sulltanit. Shkodranët e motit e piqnin krapin në një tjegull të nxehtë’. “Sa të piqet tava e krapit në furrë”, vijon Sokrat Shkreli, pronari i Hotel Grand-it, ‘po ju bëj pak muhabet, se ne në Shkodër nuk mund ta presim ndryshe mikun që na troket në derë. Sikurse e dini, shkodranët kanë humor dhe vdesin për të treguar barsoleta’. ‘Një doktor më ka treguar’, e mbyll tregimin e tij Sokrat Shkreli’, që një buzëqeshje vë në lëvizje 17 muskuj të fytyrës. Nuk ju lë të ikni në Zvicër pa ju mësuar një barsoletë shkodrane’”.

    “Jo shumë larg hotel Grand-it, në një kopësht me rrush, shegë dhe fiq ndiheshin tingujt e ëmbël të një violine. Një grup burrash me fustanella këndonin me zë të lartë një këngë melodioze, jonet e së cilës hynin pa trokitur në të gjitha shtëpitë e lagjes. Helena për një çast e zhvendosi në mendjen e saj grupin e burrave nga Shkodra në Gjenevë dhe mendoi se ata në qytetin e Kalvinit me siguri do të ishin proceduar për prishje të qetësisë publike, madje do të kishin paguar një faturë të kripur. Ndërsa, këtu kryetari i Beledijes (kryetari i bashkisë), Muharrem Gjylbegu, mund t’i përgëzonte ata për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit. Helena, tejet kureshtare, e pyeti Sokrat Shkrelin t’i tregonte me dy fjalë se ç’përmbajtje kishte ajo këngë që ata burra e këndonin me aq pasion. Helena e pati të pamundur të mos e shprehte hapur habinë e saj kur pronari i Hotel Grand-it i shpjegoi se ata burra po u këndonin një jare trëndafilave të Shkodrës. Pasi u çlodhën pak nga vapa e ditëve të para të korrikut të vitit 1910, Eugene Pittard me bashkëshorten e tij u vunë në udhë drejt Konsullatës Austro-Hungareze, e cila shërbente edhe si rezidencë e konsullit Adolph Ritter von Zambaur …”

    Një nga takimet interesante me personalitetet e qytetit siç ishte dhe ajo me Kel Marubin, ishte dhe takimi me Kolë Idromenon, me të cilin ajo botoi një intervistë të panjohur deri më sot nga historiografia shqiptare. Helene Pittard e pyet rreth artit të tij e në veçanti për historinë e “Zojës së Shkodrës” dhe katedrales së qytetit të ndërtuar në vitin 1848. Idromeno i flet për Marin Barletin dhe udhëtimin e Skënderbeut drejt Italisë, për fluturimin e afreskut nga katedralja për në kishën e Genezanos pranë Romës, më 25 prill 1467, për t’iu lutur Papës për të ndihmuar Skënderbeun. Dhe, më së fundi kthimin e imazhit të “Zojës së Shkodrës”. Idromeno i tregon për tërmetin e vitit 1905 dhe restaurimin e kubesë së kishës, kujton se si e ndihmonte babai i tij Arseni, kur ai lidhej me litarë për të krijuar afreskun e Shën Marisë me Jezunë fëmijë dhe se si, për të pikturuar këtë afresk, ai kishte shkuar deri në kishën e Genezanos dhe sesi gjatë dhjetë ditëve e shikonte atë pareshtur me lotë në sy. Në kthim ai kishte pikturuar afreskun në kishën agostine pranë kalasë.

    Me shumë interes do të ishte vite më vonë takimi i tyre me patër Gjergj Fishtën më 14 prill 1924. “Patër Gjergj Fishta”, shkruan autori, “u rrëfen Pittardëve për banorët shqiptarë të bjeshkëve të Hotit dhe të Grudës, të cilët ndarja e padrejtë e kufijve i la nën administrimin e Malit të Zi”. “Për t’i shpëtuar masakrave dhe reprezaljeve, qindra banorë të kësaj krahine”, vijoi të tregojë Gjergj Fishta, “kanë ardhur kohët e fundit si refugjatë në Shkodër për të kërkuar ndihmë dhe ushqim”. “Refugjatët”, vijoi ai, “janë të zhgënjyer, ngaqë kanë dëgjuar që në shpërndarjen e ndihmave ushqimore bëhen padrejtësi”.

    Noëlle Roger (Helene Pittard) përshkruan në ditarin e saj skenën kur patër Gjergj Fishta po i shoqëronte ata kur po i shpërndanin këmisha një grupi refugjatësh. Papritur një grupi tjetër refugjatësh që nuk kishin mundur të merrnin këmisha, iu ishin errur sytë nga zemërimi në një shkallë të atillë, sa u nisën të sulmojnë dhe të përmbysin automobilin, brenda të cilit ndodheshin Eugene Pittard me bashkëshorten e tij. Mendimi i parë që i erdhi ndërmend vetëtimthi patër Gjergj Fishtës ishte të mbronte miqtë zviceranë dhe t’ia bënte të qartë turmës së papërmbajtur që miqtë e huaj mbrohen me jetë dhe se mund të kalonin vetëm mbi trupin e tij. Do të ishte patër Gjergj Fishta i cili do të dilte ballë për ballë turmës së yshtur nga urrejtja e verbër dhe në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë si dhe të gjenit të tij shqiptar do të bëhej barrikadë para tyre.

    Duke shfletuar ditarin e Helene Pittardit (Noëlle Roger), dashur pa dashur njihemi me itinerarin e udhëtimeve që Eugene Pittardit me bashkëshorten e tij ka bërë në krahina të ndryshme të Shqipërisë së veriut. Që në ditët e para të qëndrimit në Shkodër, Pittardët vizituan fshatrat Kastrat, Boriç, Koplik, Hot, Prekal, Dukagjin.

    Në datën 10 prill 1924, Pittardët lanë Shkodrën pas dhe u nisën në drejtim të Pukës për të verifikuar listat e banorëve në nevojë dhe për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Rruga zgjatohej mes maleve në shtigje të rrezikshme, në buzë të humnerave, sa ishte e pamundur që të shkonin në Pukë me automobil. Ani pse pronari i Hotelit Evropa u tha Pittardëve se për të shkuar në Pukë duhej të llogarisnin 14 orë udhëtim me kalë, ata nuk u tërhoqën nga vendimi i tyre. Lumi Drin fatmirësisht nuk ishte përmbytur nga shirat e pranverës, kësisoj ata e kapërcyen lumin mbi shpinën e kuajve. Ftohja e motit dhe rënia e temperaturave e bëri të pamundur që Eugene Pittard me bashkëshorten e tij të vijonin udhëtimin në drejtim të Kukësit. Në kthim, ata e kaluan lumin Drin me varkë, pasi sipas udhërrëfyesit kalimi me kuaj ishte i pamundur për shkak të reshjeve të dendura.

    Viti 1921 ka qenë për Helene Pittardin vit i mbresave të mëdha, veçanërisht në Shkodër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, e Kolonjë, ku ata u pritën me entuziazëm nga populli dhe politikanët shqiptarë. Me krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar, ashtu si Eugene Pittard, edhe Helene u zgjodh si kryetare Nderi e institucionit të ri shqiptar në ndihmë të popullatës. Po atë vit, gjatë udhëtimit në Korçë ajo u takua me gruan e Themistokli Gërmenjit, Evdhoksinë, e cila ishte kryetare e shoqatës së grave “Perlindja”. Madje, çifti Pittard pas kthimit të tyre, u lidh me një avokat francez që të rihapte gjyqin rreth dënimit të padrejtë të Themistokliut meqë disa gjyqtarë nuk kishin qenë dakord me këtë vendim të ashpër, bërë fill pas një letre të kryeministrit Venizellos drejtuar qeverisë franceze.

    Viti 1924 ishte tepër i vështirë për çiftin Pittard. Shqipëria po përjetonte krizën e bukës, veçanërisht në veri për çka, dhe Helenës iu desh të udhëtojë me kalë drejt maleve të veriut për ditë të tëra, të shkojë në zonën e Dukagjinit, në Prekal, Gomsiqe etj., të cilat janë fiksuar në fotografitë e shumta të kësaj kohe. Në këto vite, Helene Pittard sensibilizoi në mënyrë të ndjeshme donacionet evropiane me të cilat bashkëpunonte, siç ishin dhe fondacioni Lady Carnavon, Këshilli i Britanisë së Madhe, fondi “Save the Children” në Londër si dhe Vatikanin. Në Shqipëri atë e shohim gjithnjë mes grave malësore duke shpërndarë misër, veshmbathje, ilaçe për të sëmurët. Në Shkodër ajo bëri porosi tek rrobaqepësit e qytetit për të qepur veshje dhe këmishë për të vobektit. Fotografitë e kësaj kohe janë vërtetë emocionante. Herë-herë, në vendet ku pushojnë një çast, duket figura e saj tek ka nxjerrë ditarin dhe shkruan mbresat e ditës.

    Helene Pittard ishte një nga feministet e para dhe një humaniste e madhe, e ngjashme me Edith Durhamin. Si publiciste dhe shkrimtare ajo zgjodhi pseudonim emrin Noëlle Roger, çka lidhej me emrat e dy vëllezërve të saj. Veç 54 romaneve dhe novelave të saj, ajo shkroi edhe drama për teatër, siç ishte ndër të tjera dhe drama “Rrëmbimi i Evropës” i shfaqur në Gjenevë dhe Paris dhe që lidhej me legjendën e kohës antike. Emrin e saj e gjen gjithashtu në gazetat e ndryshme të këtyre viteve. Për gjithë veprimtarinë e saj ajo u nderua edhe nga Franca me Medaljen e Akademisë si dhe Legjionin e Nderit. Po kështu, u nderua dhe me çmime e medalje nga Rumania apo fondacione letrare e humaniste të Evropës. Për Shqipërinë ajo mbetet padyshim një figurë jo vetëm humaniste por dhe letrare që duhet zbuluar.

    Nga: Luan Rama
    Forca MILAN - is Champion and only Champion!

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shqipëria në zemrën e Helene Pittardit

    Eugene Pittard, një humanist zviceran në Shqipërinë e viteve 1920

    Emri:  eugene.jpg

Shikime: 408

Madhësia:  31.5 KB

    Nga Fatmira Nikolli | 08 Tetor, 2024 18:04

    Loboi për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, zbuloi zonën arkeologjike të Trenit në Prespë, solli ndihma humanitare gjatë zisë së bukës më 1924. Figura e harruar e akademikut, antropologut dhe arkeologut zviceran Eugene Pittard u soll sot në vëmendje në një aktivitet, që solli të plotë përmasat e tij intelektuale, shkencore dhe humanitare. Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber vlerësoi lidhjen mes dy vendeve përmes tij.

    “Sot festojmë jetën dhe veprën e një intelektuali zviceran, kontributet e të cilit për Shqipërinë, kanë lënë një gjurmë të dukshme në historinë e dy vendeve tona. Ai është pa dyshim një trashëgimi e vërtetë zvicerano-shqiptare. Ai u bë zëdhënës ndërkombëtar i Shqipërisë në një moment delikat. Pittard kontribuoi fuqishëm për të drejtat e vendit, për sovranitetin, dhe luajti një rol viytal në pranimin e Shqiëprisë në Lidhjen e Kombeve”, tha Huber.

    Studiuesi Luan Rama, vërejti në fjalën e tij, pikërisht shumansinë e figurës së Pittard dhe gruas së tij Helene Pittard, me të cilën erdhën në Shqipëri dhe takuan figurat më të njohura politike e kulturore të Shqipërisë së viteve 1920.

    VIDEO

    “Kanë ardhur në Shqipëri në një moment mjaft delikat. Misioni i tyre ishte politik, kulturor, arkoelogjik e antropologjik”, tha Rama, për zviceranin që themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar.

    Kudret Isaj, autor i një studimi për lidhjen e Pittard me Shqipërinë, tregoi marrëdhënien e Pittard me presidentin Amerikan Woodrow Wilson, duke ndihmuar për fatet e Shqipërisë.

    Shteti shqiptar në atë kohë e emëroi Prof. Eugène Pittard Konsull të Përgjithshëm Nderi në Gjenevë. Botimi i një libri në shqip dhe në frëngjisht do të mundësojë njohjen më të gjerë të historisë së harruar të çiftit zviceran. Ngjarja synon zbulimin e kësaj figure të harruar, që bëri për Shqipërinë gjithë çfarë mundi në një kohë që vendit i rrezikohej e ardhmja.

    Balkanweb
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 08-10-2024 më 15:47

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Shqipëria në zemrën e Helene Pittardit

    “Dritë-shkronja”/ Fotografitë e zviceranit Eugène Pittard, një dëshmi dashurie për shqiptarët në vitet 1921-1924

    Luan Rama | 02 Tetor, 2024 17:06

    Emri:  fdgdgdfgdfg.jpg

Shikime: 404

Madhësia:  41.8 KB

    Krahas veprës së tij si një humanist i madh, shkencëtar e politikan që mbrojti Shqipërinë në dekadat e para të krijimit të shtetit shqiptar që gjenden në Muzeun Etnografik të Gjenevês, një nga kontributet e zviceranit Eugène Pittard ishte dhe dëshmia e tij fotografike përmes rreth dyqind e ca klisheve nga veriu dhe jugu shqiptar duke fotografuar njerëzit e thjeshtë, mikpritjen shqiptare, vende dhe ngjarje historike, pamje që sot nuk ekzistojnë më dhe që janë një referencë për studjuesit dhe antropologët shqiptarë, etnografët dhe sociologët, për të vënë në dukje atë çka përfaqësonte Shqipëria në vitin 1921 apo në vitin 1924. Nëse në vitin 1913, fotografi i njohur zviceran Fred Boissonnas fotografoi Epirin dhe jugun shqiptar gjer në Çamëri, Delvinë apo Gjirokastër, mision ky i kërkuar nga kryeministri grek Venizellos në kohën e Luftës Ballkanike dhe pushtimin e trojeve shqiptare në jug, veçanërisht i Çamërisë, Eugène Pittard vinte në Shqipëri me misionin e humanistit internacionalist për të ndihmuar një vend të coptuar nga fqinjët dhe që duhej mbrojtur në arenën ndërkombëtare siç do të bënte konkretisht me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Fan Noli në Gjenevë që Shqipëria të pranohej anëtare e Shoqatës së Kombeve.

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-10-02-at-16.59.43-768x581.jpg

Shikime: 410

Madhësia:  46.7 KB

    Dëshmitar i historisë

    Fotografia në vetvete është dëshmi historike dhe humane, një dëshmi e statusit të një kombi dhe të vlerave më themelore të tij. Rëndësia historike e fotografive të Eugène Pittard është se ai na ka dokumentuar jo vetëm imazhet njerëzore dhe të shumë prej qyteteve të Shqipërisë së asaj kohe, të trashëgimisë historike, arkeologjike, kulturore apo etnografike, por gjithashtu dhe një nga momentet e vështira të jetës shqiptare gjatë vitit 1921 siç ishte « Kriza e Bukës », çka nuk e gjejmë në arkivat tona në dimensione të tilla me imazhe mbresëlënëse sa ç’janë fotografitë e tij. Ajo që i kanë bërë përshtypje këtij misionari humanist dhe i dërguar për shpëndarjen e ndihmave në emër të Shpqatës së Kombeve janë më së shumti imazhet prekëse të njerëzve të goditur nga kjo krizë e në veçanti grupet e grave me fëmijët e tyre. Ai i ka fotografuar më së shumti ato në Tiranë e Shkodër por dhe në fshatrat përreth dhe në ato të veriut si në Juban, Koplik, Kastrat, Dibër e gjetkë. Janë fytyra që s’flasin por që në vetvete, në sytë dhe qëndrimin e tyre kanë një lloj stoicizmi për të ruajtur dinjitetin e tyre, siç i shohim ato kur janë mbledhur në sheshe dhe rrugët e Tiranës, në Lezhë, apo në sheshin para « Hotel Europa » në Shkodër.

    Një sërë fotografish i kushtohen misionit të tij humanist në shpërndarjen e ndihmave në kuadrin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe zviceran, fotografi ku spikat në veçanti flamuri zviceran apo gra që mbajnë ndihmat në duar. Në disa nga prej këtyre fotografive është dhe gruaja e Pittard, publiçistja e njohur dhe shkrimtarja Noëlle Roger, e cila na shfaqet duke shkruar, duke shpërndarë ndihma, gjer dhe veshje për malsorët e mjerê gjatê krizës së bukës tê vitit 1924.

    Imazhi i një populli

    Që në vizitën e tyre të parë në Shkodër në vitin 1910, gjatë qëndrimit në qytetin historik dhe takimet me përsonalitetet e shumta të qytetit, kohë kur Pittard nuk e kishte në duar aparatin e tij fotografik, çifti zviceran u takua dhe me artistin Kolë Idromeno, piktorin dhe fotografin e famshëm që artin e fotografisë e kishte quajtur “dritë-shkronjë”, ku ishte drita në “camera oscura” që tregonte imazhet e botës reale, ishte ajo që shkruante përmes dritës duke treguar portretet njerëzore, objektet, peizazhet, jetën përreth. Më shumë se një dekadë më pas, në vitin 1921, Eugène Pittard do të vinte me një mision të caktuar. Kësaj rradhe ai kishte marrë me vete dhe aparatin e tij fotografik si dhe filmat e suporteve të ndryshme bashkë me trikëmbëshin apo “stativin” e tij mbi të cilin vendosej atëherë aparati fotografik. Qëllimi ishte të fotografonte këtë vend jo aq të njohur nga bota perëndimore, Europa dhe vendet e tjera të këtij rruzulli. Kjo do të ishte Shqipëria e vitit 1921 apo siç mund të thoshte ai “Shqipëria ime”. Një nga shqetësimet e para duket se për të ka qenë fotografimi i fytyrës njerëzore si dhe të tregonte, si antropolog që ishte, fytyrën dhe tipin shqiptar, identitetin e tij si popull, për çka kishin shkruar për udhëtimet e tyre në Shqipëri edhe jo pak udhëtarë, gjeografë, etnografë e historianë francezë gjatë shekullit XIX. Por kjo, edhe për arësyen se më së pari duhet të dëshmohej jeta e popullit, siç kishin bërë në vitin 1913 studjuesi i gjeografisë humane, francezi Jean Bryhnes dhe fotografi i tij Auguste Léon, duke fotografuar për Arkivin e Albert Kahn tipin shqiptar dhe mjedisin e tij veçanërisht në Tiranë, Durrës, në fshatrat përreth apo dhe në Çamëri e Kosovë. Fotografitë e Pittard janë vërtet impresionante. Mjafton të shohim nga afër portretet e dy grave mirditore, një prej të cilave me ngarkesë në kurriz, të cilat vështrojnë drejt objektivit. Janë fytyra të mirësisë që e kanë pranuar jetën në përballje me vështirësitë. Sytë e tyre shkëlqejnë nga një dritë gati mistike. Një fotografi e jashtëzakonshme ku imazhi flet shumë për gjendjen e tyre, forcën që kanë për të mbijetuar paqësisht. Pittard nuk harron të fotografojë gidën e tyre, rrugët dhe itineraret shqiptare, vendet historike, vendet e kultit dhe fytyrat e refugjatëve veriorë të zbritur gjer në Tiranë për të shpëtuar nga uria.

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-10-02-at-16.59.44-1.jpg

Shikime: 407

Madhësia:  56.6 KB

    Kronisti

    Eugène Pittard nuk ishte një fotograf profesionist siç ishin profesionistët dhe fotografët me emër në Shqipëri si Marubët apo Kolë Idromeno të cilët kishin atelierët e tyre dhe kontaktet me prodhuesit e pllakave dhe filmave në Perëndim, veçanërisht në Francë. Fotografitë e tij shqiptare janë në natyrë çka e bëjnë atë një lloj kronisti që donte të dëshmonte botën shqiptare, jetën e përditëshme të një populli, shqiptarët në dinjitetin e tyre, pa dashur të bëhet interpretues i skamjes, por të dëshmojë botën shqiptare, qytetarinë, vende dhe ngjarje, atë çka ai pikëtakonte në udhëtim e sipër, imazhe që do të përbënin më pas dëshmi historike të Shqipërisë së asaj kohe. Në gjithçka që fotografon, ndjehet dashuria e atij që fotografon pas aparatit fotografik. Ai fikson pritjen e jashtëzakonshme që i bëjnë shqiptarët kudo që shkon, në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër e gjetkë nëpër malet shqiptare. Pritja për mikun zviceran është e jashtëzakonshme. Ka një entusiazëm popullor në fytyrat e miqve shqiptarë, në mikpritjen e tyre tradicionale dhe që është një nga virtutet e tyre të veçanta, e cila shfaqet dhe në vallet që hidhen në sheshe për të treguar dashurinë për mikun që vjen nga larg, i cili është solidar dhe tregon dashuri për ta. Është një kronikë plot imazhe, ku rreth 200 fotografi i përkasin udhëtimit në vitin 1921 dhe 37 udhëtimit në vitin 1924, në pllaka xhami, « plaques de verre » dhe në « negativ souple », imazhe që së bashku, pa inskenime fallco, e që tregojnë dashurinë e shqiptarëve për humanistët e mëdhenj, miqtë e vërtetë, mbojtësit e tyre në arenën ndërkombëtare siç ishte Pittard por dhe për ndihmën konkrete në hallet e tyre për të përballuar skamjen dhe mjerimin në këtë periudhë të historisë kur Shqipëria në Lushnjë sapo bëhej me një qeveri të sajën.

    Si kronist që është, përmes objektivit fotografik ai i jep hapësirë kuadrit, i jep ajër që të fiksojë jo thjesht ardhjen e tyre por atmosferën e mikpritjes shqiptare apo jetës së këtij populli. Interesante është dhe fotografia kur gruaja e tij, Noëlle, gjendet në portën e një shtëpie beratase bashkë me të zotin e shtëpisë pas kthimit të tyre nga mali i Tomorrit dhe ku objektivi nuk është afruar drejt tyre thjesht për të fiksuar një kujtim personal. Për Pittard ka rëndësi të fotografojë më gjerë, d.m.th. të fiksojë në kuadër, në plan të parë, një fëmijë dhe pak më tutje fshatarë me gomerë apo dhe qytetarë që po ecin në rrugë. Këtë ia ofron vetë çasti, jeta. Kështu fotografia jep një informacion më të gjerë për shikuesin. Në mjedisin e një pazari të Tiranës ai fikson njerëzit, dyqanet dhe në sfond qiparizin e madh pranë një xhamie me një torë të ngritur dhe të këputur, ndoshta nga Lufta e Parë Botërore.

    Pittard është një udhëtar që kërkon të zbulojë botën shqiptare dhe ta fotografojë atë. Kështu fotografon ndërtesën e famshme në Durrës të qeverisë së Princ Vidit në vitin 1914 e cila mbahej ende në këmbë por si gërmadhë, pasi ajo ishte bombarduar gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1918. Është një fotografi befasuese që sot nuk e gjen në arkivat shqiptare apo gazetat e kohës. Atij i pëlqen të fotografojë shtëpitë tradicionale dhe historike, shtëpinë e Kongresit të Lushnjës, shtëpitë toptanase, kështjellën e rrënuar tashmë të Ali Pashës, atë të Këlcyrës nga larg, xhaminë e Sulejman Pashës, krijuesit të qytetit të Tiranës, kishën ortodokse të Tiranës, monumentin e varrit të Skënderbeut në Lezhë apo një va për të kaluar lumin e Drinit në Vaun e Dejës, ku në shënimet e tij për këtë fotografi kanë mbetur vetëm gërmat « Va », pasi emri është shuar. Fotografi të rralla që sot do të pasurojnë dëshmitë mbi Shqipërinë e atyre viteve. Interesante janë gjithashtu dhe fotografitë e Petrelës, veçanërisht shtëpia e ngritur mbi një nga torrat e fortesës bizantine, të përshkruar nga kronistja bizantine, Ana Komnena, vajza e bazileusit Aleksi I-rë i Bizancit, mbi luftrat kundër normandëve të Robert Guiscard.

    Padyshim që fotografitê më interesante janë ato gjatë udhëtimit tê tyre tepër të vêshtirë në veriun shqiptar duke u nisur nga Shkodra drejt Koplikut, Kastratit, Hotit, Gomsiqes, Pukës, Mirditës dhe Kaçinarit, duke kaluar nê terrene të vêshitra, midis furtunës dhe rrebesheve apo urave tê prishura për tê parê nga afêr nevojat e malsorëve, çka me njê realizëm spikatês i përshkruan publiçistja Helen Pittard në reportazhet e saj « Përmes Shqipërisë » botuar në « Revues des Deux Mondes » nê Paris dhe ku mes të tjerash, ajo vë nê dukje dhe interesin e veçantê tê Pittard për tê fotografuar fytyrat e këtyre njerêzve të varfêr por shumê dinjitozë. Këto fotografoi janë nga më impresionantet, tê fiksuara nê udhêtim e sipër.

    Emri:  fgdfgdgg.jpg

Shikime: 402

Madhësia:  66.8 KB

    Artisti

    Arti i fotografisë është një art më vete dhe këtë Eugène Pittard na e ka dëshmuar më së miri përmes fotografive të tij në suporte të ndryshme dhe dimensione 9cm x 12cm apo 10,5 cm x 6,5cm si dhe në film fotografik. Sigurisht udhëtimet e tij të mëparshme nëpër Ballkan i kanë shërbyer që të fiksojë imazhe në shërbim të shkencës, përvojë që e ka ndihmuar të arrijë të perfeksionohet si një fotograf i vërtetë duke u vënë pas objektivit të aparatit të tij për të fotografuar njerëz, tipat njerëzorë, veçanërisht të popujve ballkanikë, vendet, natyrën dhe vetë atmosferën e kohës në të cilën ata jetonin. Nga fondi i tij fotografik në Shqipëri ne e ndjejmë më së miri se ai di të fotografojë bukur, të kompozojë në mënyrë mjeshtërore, të zgjedhë se me çfarë suporti të fotografojë natyrën apo portretet dhe që brenda atij kuadri që i shfaqet të kapë detaje që i vlejnë për ti vënë ato në pah duke i shtuar imazhit diçka njerëzore, njeriun, siç e shohim dhe në një fotografi të një rrapi shumëshekullor në Tiranë, disi nga larg, ku në plan të parë është një figurë e vogël, një fëmijë, që shton ndjesinë që ka shikuesi ndaj këtij imazhi. Dhe neve na pëlqen kur rrugët dhe sheshet janë me njerëz. Janë ata që i japin jetë imazhit dhe për Pittard duket se kjo është themelore.

    Pittard-it nuk i mungon fryma poetike në fotografitë e tij. Një fotografi e mrekullueshme është ajo që mban titullin “Porte bonheur”, ku nga një mur ngrihet një degëz ku mbi të njerëzit kanë lidhur shirita rrobash apo shamish, për të shprehur një “ex-voto”, një dëshirë që ndoshta fati do ta realizojë, shprehje kjo e supersticioneve që ekzistonin në atë kohë, siç na e dëshmojnë dhe shumë udhëtarë të huaj apo antropologët dhe studjuesit e folklorit shqiptar. Më së shumti, kjo frymë poetike shihet në peizazhet e tij, në rrjedhjet e lumenjve dhe sfondet e natyrës përtej, në Berat apo lumin e Vjosës përgjatë fushave të Myzeqesë, malet dhe vargmalet e Nëmërçkës apo Dibrës, që për një shkencëtar si ai, specialist i antrologjisë njerëzore, janë të veçanta. Të tilla janë peizazhet e lumit Osum dhe përmbytjet në brigjet e Beratit, me shtëpitë që ngrejnë kokat mbi ujë çka mund ti krahasosh me imazhet e fotografëve më të shquar të fillimit të shekullit XX siç ishin ato të përmbytjeve të Senës në Paris nga Roger-Viollet, etj. Ai e ka drejtuar objektivin rrafsh me ujin, çka për kohën është një gjetje e rrallë fotografike, duke fiksuar në objektivin e tij tre-katër fotografi të mrekullueshme dhe unike në sojin e vet. Po kështu është dhe fotografia tjetër e përmbytjeve në fshatrat e Lezhës, çka sugjeron relievi dhe pozicioni gjeografik i cili ka një bukuri të jashtëzakonshme. Të ngjan me një tabllo në bardh e zi, mbi të cilën nderet një heshtje poetike ku bukuria e imazhit ia fsheh trishtin që mbart thellë në vetvete. Në një tjetër fotografi ku karvani i këtyre udhëtarëve ka ndalur, me sa duket në zonën e Mbishkodrës, për një çast ata janë ulur të shlodhen. Por Eugène Pittard e ka mendjen të fotografojë pasi i pëlqen ajo skenë. Ai e kompozon pushimin e udhëtarëve midis dy trungjesh ku nga njëra anë janë kuajt që shlodhen dhe nga ana tjetër Noëlle dhe shoqëruesit e tyre, malsorë dhe ushtarakë. Është syri i mprehtë dhe artistik i artistit! Në fotografinë “transportuesit e lëndës drusore”, kemi të bëjmë me një lloj skene që i ngjan afreskut. Edhe këtu transportuesit janë ndalur të shlodhen nga rruga e gjatë. Kuajt qëndrojnë të heshtur me ngarkesat e tyre, burrat me dërrasat në duar vështrojnë nga fotografi, ndërkohë që tre gra veshur në të zeza përfitojnë nga koha e lirë të bëjnë çorape leshi dhe ku një e katërt pas tyre i ka ende degëzat e lidhura mbi shpinë.

    Një mjeshtri më vete janë valltarët e Gjirokastrës që për ardhjen e humanistit të madh hedhin vallen në pritjen e tij por dhe në një mjedis të brendshëm, ku drita diellore e ndihmon atë të fotografojë lëvizjen dhe hiret e valles, ku fustanella ka elegancën e vrullit dhe fytyrat e tyre burrërore një ndjesi krenarie. Ata vallzojnë, nuk pozojnë, është një fotografi “instantané” e çastit, e kapur në lëvizje, çka e bën atë grup valltar tepër njerëzor dhe plot jetë. Fotografitë e Pittard vijnë për herë të parë në Shqipëri, kthehen që ti shohim ne, pasardhësit e atyre shqiptarëve që kanë jetuar para një shekulli dhe janë fiksuar në celuloid nga miku i madh zviceran. Peizazhet dhe imazhet e qyteteve dikur tashmë kanë ndryshuar, progresi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare është i jashtëzakonshëm por këto fotografi na bëjnë të mendojmë për rrugën e përshkuar të popullit tonë gjatë një shekulli. Ato janë një referencë e forcës, identitetit të lashtë kulturor dhe dëshirës së tij për tu integruar në Europën e qytetëruar.


    Balkanweb

Tema të Ngjashme

  1. Shqipëria e viteve ’20, nga banditët te zonjat e zbuluara
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-07-2013, 10:48
  2. Sa e ngjashme Shqipëria 2013 me Shqipërinë e viteve '20
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-06-2013, 21:26
  3. Arkeologu: Objektet ilire, më kërkuan t’i bëja helene
    Nga angmokio në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-04-2013, 23:40
  4. Më pushuan nga puna, objektet ilire më thanë t’i bëja helene
    Nga Akili-A në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 28-04-2013, 19:04
  5. Shqiperia pas 19 viteve eksporton energji
    Nga ardita04 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 21
    Postimi i Fundit: 04-02-2009, 17:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •