Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,058
    Postimet në Bllog
    18

    Shqipëria e Rilindur Socialiste: Nuk ka të ndalur eksodi i mjekëve nga vendi

    Shëndetësia shqiptare lëngon nga eksodi i pandalshëm i mjekëve

    Largimi i mijëra mjekëve gjatë dekadës së fundit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të tranzicionit shqiptar – me pasoja të rënda në sistemin shëndetësor dhe në jetët e qytetarëve.

    Nga Entela Barjamaj

    Emri:  Eksodi-i-mjekeve-2048x1448.jpg

Shikime: 117

Madhësia:  50.2 KB

    Më 7 dhjetor 2018, Enkelejda Rexhepit nga qyteti verilindor i Bulqizës i nisën papritur dhimbjet e lindjes dhe priti më kot një ambulancë. Asokohe 31-vjeç, Rexhepi ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe priste trinjakë.

    Së bashku me të shoqin morën taksi dhe u nisën drejt spitalit, por aty nuk kishte gjinekolog.

    Gruaja tregon se u detyrua ta bënte lindjen e parë me ndihmën e mamisë dhe të mjekut të përgjithshëm, ndërsa një mjek specialist po fluturonte me helikopter nga Tirana për t’i shpëtuar jetën.

    “Ai pyeste vazhdimisht nëse kishte mjek anestezist, nëse kishte sallë operacioni apo mjek që ta ndihmonte, por asgjë nga këto nuk ishte në spital,” kujton Enkelejda pesë vjet më vonë.

    Përballë mungesave të mëdha në spital, mjeku i tha Enkelejdës “të bëhej e fortë” dhe e kreu ndërhyrjen pa anestezi. Dy foshnjet e para lindën gjallë, por ndërruan jetë pas dy orësh në spitalin e Bulqizës, ndërsa i treti lindi i vdekur.

    Enkelejda i tha BIRN se kjo ishte trauma më e madhe e jetës.

    “Nuk e përballoja dot atë humbje, ishte shumë e vështirë. Një dhimbje e papërshkrueshme,” shtoi ajo mes lotëve.

    Shqipëria nxjerr çdo vit 150-200 mjekë specialistë, por numri i tyre është i pamjaftueshëm për të plotësuar vakancat e krijuara ndër vite – veçanërisht në spitalet e bashkive të largëta si ai i Bulqizës. Në anën tjetër, vendi humbet një numër thuajse të barabartë mjekësh çdo vit në një eksod të pandalshëm të bluzave të bardha drejt Perëndimit.

    ‘Brain drain’ ose ikja e trurit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të trazicionit shqiptar, i reflektuar gjatë dekadës së fundit me largimin masiv të personelit shëndetësor nga vendi.

    Prej vitit 2014, Shqipëria llogaritet të ketë eksportuar rreth 1500 mjekë vetëm në Gjermani, ndërsa largime ka pasur edhe drejt Italisë, Anglisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Francës.

    Eksodi ruan një trend rritës edhe gjatë tre viteve të fundit, kur sipas Urdhrit të Mjekut 490 mjekë u pajisën me ‘certifikatën e sjelljes së mirë’– një dokument që u mundëson atyre punësimin jashtë shtetit.

    “Ne jemi duke humbur 100-150 mjekë në vit,” thotë me shqetësim Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

    “Kjo është një lëvizje e ‘trurit’ që shkon nga vendet ku paguhen më pak drejt atyre që paguhen më shumë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se këtë situatë po e vuajnë më shumë zonat e largëta të vendit.

    Kriza e injoruar e mjekëve

    Emri:  Rama-Manastirliu-1140x760.jpg

Shikime: 51

Madhësia:  29.5 KB
    Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë inaugurimit të spitalit qendror. Foto: Facebook.

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama e relativioi për vite me radhë problemin e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga vendi – duke e konsideruar këtë një efekt anësor global të lëvizjes së lirë.

    Por Rama ndryshoi qëndrim gjatë muajve të fundit, ndërsa qeveria e tij po prezanton politika për të frenuar eksodin e bluzave të bardha.

    Gjatë një Kongresi Shëndetësie të zhvilluar në fillim të marsit, Rama deklaroi rritjen me 50 mijë lekë në muaj të pagës së mjekëve specialistë dhe premtoi rritje edhe për kategoritë e tjera. Por ai prezantoi edhe kushte, duke paralajmëruar rritje të kostove të studimit për studentët që nuk do të pranojnë të kontribuojnë për vendin.

    “Nuk mundet dot Shqipëria të financojë sistemin shëndetësor gjerman. Ne nuk mund të cënojmë interesin tonë, nuk mund të pranojmë që 1 student të paguajë 1/16 e kostos dhe në fund, studenti të marrë diplomën dhe të ikë në Gjermani,” tha Rama.

    Ndonëse të vonuara, lëvizje të tilla janë mirëpritur në një pjesë e komunitetit mjekësor të vendit.

    “Kur në fillim thosha ‘po na ikin mjekët’, më thonin që ka mjekë sa të duash..,” kujton rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

    Ai e quan një ogur të mirë faktin që politika është ndërgjegjësuar dhe “po harton politika për të mbajtur trurin e shëndetësisë në vend”.

    Të tjerë kanë dyshime nëse vendi i vogël i Ballkanit mund të hartojë strategji të suksesshme për adresuar të gjitha shkaqet që i shtyjnë mjekët drejt largimit.

    Gazmend Koduzi, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dikur kordinator i Partisë Demokratike për Shëndetësinë, i tha BIRN se qeveria do të duhej të kryente një reformë të mirëfilltë të sistemit shëndetësor për të siguruar paga më të larta, kushte më të mira pune si dhe mundësi më të mira për karrierë.

    “Nëse nuk merren masat përkatëse, përgatitja e një strategjie të zhvillimit të burimeve njerëzore bazuar në evidencë si dhe zbatimi i reformave esenciale në sistemin shëndetësor, gjendja pas disa kohësh do të jetë e trishtë,” tha Koduzi.

    Shaqir Qerama është ndër të paktët mjekë të rinj të brezit të tij që synon të ndërtojë një karrierë në Shqipëri. Pasi përfundoi studimet në një universitet privat, Qerama po kryen specializimin për hematologji në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

    “Nga 40 veta që ishim në klasë, kemi ngelur vetëm 3 në Shqipëri. Të gjithë kanë ikur në Gjermani,” thotë ai me keqardhje.

    Për të frenuar hemorragjinë e mjekëve drejt Perëndimit, qeveria ka vendosur një pagesë për mjekët specializantë në këmbim të detyrimit për të punuar për tre vjet atje ku ka më shumë nevojë, por Qerama e ka refuzuar këtë ofertë.

    “Mjekësia në rrethe është më shumë se 20 vite pas,” tha Qerama, ndërsa shtoi se nëse do t’i duhej të punonte jashtë Tiranës, nuk do të kishte mundësi ta ushtronte profesionin ashtu siç duhet.


    Nëse nuk emigrojnë, qëndrojnë në Tiranë

    Emri:  Screenshot 2023-04-25 at 1.29.06 PM.jpg

Shikime: 52

Madhësia:  11.1 KB

    Shqipëria mban vendin e fundit në rajon për numrin e mjekëve në raport me popullsinë dhe kriza e emigrimit e bën edhe më të vështirë ngritjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore për të plotësuar nevojat e vendit.

    Gjithashtu, mjekët janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke penalizuar popullatën e varfër që jeton në zonat më të thella të vendit.

    Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike, të ndara në spitale universitare, rajonale dhe bashkiake. Spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.

    Për të mbuluar vakancat në spitalet rajonale dhe ato bashkiake, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar prej vitesh një sistem patronazhimi si dhe ka inkurajuar transferimin e mjekëve në zonat e thella në këmbim të një bonusi bujar financiar.

    Por të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se vetëm një numër i kufizuar mjekësh u janë përgjigjur këtyre thirrjeve.

    Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se kishte punësuar 314 mjekë gjatë vitit 2022 për të mbuluar vakancat, 140 prej të cilëve mjekë specialistë.

    Punësimet e reja e kanë çuar numrin e mjekëve të angazhuar në sistemin spitalor të të gjitha niveleve në 2800 mjekë, ndërsa numri i vakancave sipas Ministrisë është aktualisht 76 pozicione.

    Ministria shtoi gjithashtu se kishte aktualisht të angazhuar në programin e patronazhimit 47 mjekë të specialiteteve të ndryshme, ndërsa përmes programit të bonusit ishin mbështetur 24 mjekë.

    “..Programi i incentivave financiarë, bonusi për mjekët, i cili mbështet mjekët që ofrojnë shërbime shëndetësore të specializuara larg vendbanimit rezulton një program efektiv që ka ofruar më shumë shërbime afër vendbanimit për qytetarët në të gjithë vendin dhe ka mbështetur 24 mjekë,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim.

    Megjithatë, të dhënat e pjesshme të siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se spitalet rajonale dhe ato bashkiake vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara të mjekëve specialistë dhe kanë të pambuluara shërbime shumë të rëndësishme për pacientët.

    Spitali rajonal i Elbasanit i tha BIRN se kishte aktualisht 86 mjekë në detyrë dhe 22 vakanca ose 25% të numrit total të mjekëve. Edhe spitali rajonal i Korçës – më i rëndësishmi në juglindje të vendit tha se kishte në punë 76 mjekë dhe 6 vakanca; mes të cilave 1 mjek ortoped, 1 mjek hematolog, 1 mjek kardiolog, 1 mjek neonat, si dhe 2 mjekë për urgjencën.

    Spitalet bashkiake të vendit vuajnë mungesa edhe më të mëdha dhe nuk po munden që të rekrutojnë staf të specializuar.

    Ekspertët e shëndetësisë janë të shqetësuar për vakancat e shumta në spitalet rajonale dhe bashkiake dhe e konsiderojnë plotësimin e tyre një sfidë të vështirë për t’u përmbushur.

    Rektori Gjata thotë se edhe nëse nuk ikin jashtë shtetit, pjesa më e madhe e studentëve apo specializantëve të mjekësisë dëshirojnë të qëndrojnë në Tiranë, pavarësisht ofertave financiare të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Ofertat financiare për të ikur me kontratë jashtë Tiranës janë shumë të favorshme, por jo të gjithë e pranojnë këtë ide,” tha ai.

    Për pedagogun Koduzi, mungesa e mjekëve ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës.

    “Mungesa e mjekëve e ul aksesin ndaj shërbimit shëndetësor dhe si pasojë përkeqëson gjendjen shëndetësore të popullatës,” thotë Koduzi, ndërsa paralajmëron se Shqipëria do të përballet me largime edhe më të mëdha mjekësh me avancimin e integrimit në BE.


    Pasojat i vuajnë pacientët

    Emri:  Urgjenca-e-Spitalit-Rajonal-Durres.-Foto-Geri-Emiri-1140x760.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  35.1 KB
    Pacientë në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit. Foto: Geri Emiri.

    Qyteti i Shkodrës ka një ndër spitalet më të rëndësishme rajonale, por prifti ortodoks, Aleksandër Petani merr rrugën drejt Tiranës sa herë që i duhet të kalibrojë kardioverterin [ICD] që e mban në jetë.

    Petani i ka mbijetuar dëmtimit të kolonës dhe disa infarkteve, ndërsa zemra e tij rreh rregullisht me ndihmën e aparaturës së implantuar.

    “Kam apartatin e vendosur në trup, jam i lidhur me pesë tela. Sa herë që aparatura bën goditje për të rikthyer zemrën në punë, pas dy ditësh maksimumi duhet të paraqitem te mjeku që të kalibrojë përsëri aparaturën,” tregon Petani. Por në Shkodër mungon një mjek për këtë specialitet.

    Udhëtimet e shpeshta drejt Tiranës janë një kosto e shtuar fizike dhe ekonomike për priftin ortodoks dhe bashkëshorten e tij.

    “Na duhet të marrim makinë në dispozicion që shkon diku te tetë mijë lekë si dhe të rezervojmë një dhomë hoteli te 25 euro. Ai nuk e përballon dot udhëtimin dhe lodhjen. E kemi të pamundur, si nga ana finaciare ashtu edhe fizike,” thotë Vjollca, bashkëshortja e tij.

    Rreth 130 kilometra në juglindje të Shkodrës, spitali i Bulqizës përballet me trauma të shumta për shkak të aksidenteve në minierë, por i mungojnë mjekët specialistë.

    Mjeku i përgjithshëm, Fatos Hoxha thotë gjithashtu se kushtet e punës lënë shumë për të dëshiruar.

    “Edhe për ne vetë si mjekë është shumë e vështirë kur nuk kemi mundësi t’u ofrojmë ndihmë pacientëve për shkak të mungesave që kemi,” tha Hoxha për BIRN.

    Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018, spitali i Bulqizës lidhi kontratë me një mjeke gjinekologe, por ajo u largua pas një kohe të shkurtër. Shkak sipas njërës prej mamive u bënë kushtet e vështira të punës.

    “Ne kemi nevojë për një mjek gjinekolog dhe një reanimator. Duhet të kemi disa kushte që mjeku të mos përfundojë duke bërë detyrat e mia si mami,” thotë mamia që punon prej 29 vitesh në këtë spital.

    Dy vjet pas humbjes së tre foshnjeve, Enkelejda Rexhepi ngeli sërish shtatzanë dhe e gjeti spitalin sërish pa gjinekolog. Ajo u detyrua të udhëtojë drejt Peshkopisë për kontrollet e saj periodike, por trauma ishte ende e freskët.

    “Pas asaj që më kishte ndodhur e kisha me frikë që udhëtoja deri në Peshkopi për të bërë vizitat. Duhet të kemi edhe ne si qytet një mjek gjinekolog,” tha ajo. “Është në lojë jeta e njerëzve dhe nuk dua që asnjë nënë të kalojë atë që kalova unë,” përfundoi ajo.


    BIRN

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    5,939

    Për: Shqipëria e Rilindur Socialiste: Nuk ka të ndalur eksodi i mjekëve nga vendi

    Largimi i mijëra mjekëve nga Shqipëria gjatë dekadës së fundit është një problem serioz dhe ndër fenomenet më të neglizhuara të tranzicionit shqiptar. Largimi i mjekëve ka pasur pasoja të rënda në sistemin shëndetësor dhe në jetët e qytetarëve, në mënyra të ndryshme:

    1. Largimi i mjekëve ka lënë një boshllëk të madh në sistemin shëndetësor dhe ka rritur presionin mbi mjekët që mbeten, duke i bërë ata të punojnë në kushte të vështira dhe të shtuara.

    2. Largimi i mjekëve ka rënduar shërbimet mjekësore në zonat rurale dhe në qytete të vogla, ku shpesh mungon një numër mjaftueshem i mjekëve dhe i infermierëve.

    3. Largimi i mjekëve ka rritur kostot e kujdesit shëndetësor, pasi qytetarët janë detyruar të shkojnë jashtë Shqipërisë për trajtim ose të paguajnë tarifa shume të larta për shërbime mjekësore private.

    4. Largimi i mjekëve ka rënduar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke u privuar nga kujdesi mjekësor i nevojshëm dhe duke u ekspozuar në rrezik të sëmundjeve dhe dëmtimeve të tjera.

    Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se ndryshimet në sistemin shëndetësor nuk mund të ndodhin vetëm përmes rritjes së pagave dhe investimeve në infrastrukturë. Është e rëndësishme të ndërmerren hapa për të përmirësuar kushtet e punës, të rritet mbështetja për mjekët në periudha të vështira dhe të ndërmerren masa për të rritur motivimin dhe përkrahjen e mjekëve, duke i bërë ata të ndjehen më të vlerësuar dhe të motivuar për të qëndruar në Shqipëri.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,058
    Postimet në Bllog
    18

    Për: Shqipëria e Rilindur Socialiste: Nuk ka të ndalur eksodi i mjekëve nga vendi

    Zëri i Amerikës/ Ikja e mjekëve nga Shqipëria për shkak të politizimit të sistemit shëndetësor

    Në Shqipëri përshkallëzimi i largimit të mjekëve nga vendi, gjatë viteve të fundit ka marrë tiparet e asaj që quhet rrjedhje e trurit. Kjo ka nxitur disa studiues të Universitetit të Sussex-it në Britani, të kryejnë një studim mbi arsyet e këtij emigrimi si dhe të faktorëve që do të ndikonin në rikthimin e tyre.

    Ndër shtysat kryesore në të dyja rastet, studimi veçon faktorët ekonomikë, edukimin, stabilitetin politik dhe luftën ndaj korrupsionit. Emigrimi i mjekëve është një shqetësim dhe për vendet e rajonit, por në Shqipëri ky fenomen ka pasoja më të rënda për shkak të dobësive në sistemin shëndetësor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari, bisedoi me autorë të studimit dhe mjekë mbi gjetjet e tij dhe sjell materialin në vazhdim.

    Për më shumë se tre dekada, emigracioni në Shqipëri është në një shkallë të lartë dhe bazuar në të dhënat e INSTAT, sot rreth 38% e popullsisë jeton jashtë vendit. Studiuesit konstatojnë me shqetësim se emigrimi po merr formën e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”, dhe se rreth 50% e flukseve emigratore në dhjetë vitet e fundit kanë këtë tipar. Një prej elementëve të tij është largimi i mjekëve nga vendi. Një studim i fundit i Universitetit të Sussex-it, në Britani, sjell një panoramë shqetësuese të asaj që ndodh sot në sistemin shëndetësor shqiptar. Një prej autorëve të këtij studimi Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se ai bazohet në pyetësor dhe intervista me mjekë të larguar nga vendi në 30 vitet e fundit. Ai sjell gjetje mbi arsyet e emigrimit të mjekëve, ku vendin kryesor me mbi 50% e mbajnë ato ekonomike të ndjekura nga edukimi, dhe pasiguritë mbi të ardhmen në Shqipëri.

    “Në rast se shohim grupin e parë të faktorëve, del standardi i jetesës dhe përmirësimi i kushteve të punës. Dhe nëse do të shohim arsimimin, theksi vihet tek arsimimi personal. Ndërsa faktori i tretë ka të bëjë me atë se si e shohin ata të ardhmen në Shqipëri. Rreth 10% nuk shohin perspektivë në Shqipëri dhe prandaj mendojnë se emigrimi është rrugëzgjidhja më e mirë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

    Sipas këtij studimi, largimi i mjekëve nga vendi, është përshkallëzuar vitet e fundit. Në atë që ai e konsideron diaspora e prej më shumë se 2500 mjekëve, bëjnë pjesë ata të larguar në vitet 90, kryesisht në SHBA, me mundësi të pakta për ta ushtruar profesionin, studentët që përfundojnë studimet për mjekësi jashtë vendit dhe nuk kthehen në Shqipëri, që përbëjnë 1/3-ën e tyre, si dhe mjekët e larguar gjatë viteve të fundit, me destinacion vendet e BE kryesisht Gjermaninë dhe Italinë.

    “Janë të paktën 2500, që mund të jenë jashtë vendit. Shifrat mund të jenë dhe më të larta. Urdhri i mjekut gjatë 5 viteve të fundit raporton, 800 mjekë të larguar nga Shqipëria. Burimi i dytë i informacionit do të ishin të dhënat e OECD-së, që bëjnë fjalë për një mijë mjekë nga Shqipëria që ndodhen në vendet e tjera. Por këtu nuk raportohen ata mjekë që kanë marrë nënshtetësinë e vendit pritës. Burim i tretë urdhri i mjekut në vendet pritëse. Gjermania përshembull, deklaron se janë mbi 980 mjekë në vitin 2021, nga Shqipëria rreth 6 herë më shumë se në vitin 2012”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

    Zëri i Amerikës bisedoi më disa mjekë brenda dhe jashtë vendit mbi gjetjet e këtij studimi. Ata mendojnë se ai është një këmbanë alarmi për autoritetet. Sipas tyre, sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor në vend, ka bërë që mjekët të punojnë në kushte të papërshtatshme dhe të mos ofrojnë shërbim cilësor. Autoritetet kanë marrë masa duke rritur pagat e punonjësve në sistemin shëndetësor, për të frenuar largimet e mjekëve, por sipas këtij studimi, paga është një prej arsyeve të largimit, por jo kryesorja.

    “Mjekët ikin, sepse sipas këtij studimi por dhe të tjerëve para tij, nuk janë të kënaqur me kushtet e punës, me sigurinë në punë, me opsionet që u ofrohen në Shqipëri për të patur një karrierë profesionale që zhvillohet sipas rregullave të lojës dhe me ndershmëri. Nëse shihet vetëm paga, problemi nuk merr zgjidhje. Sot mjekësia nuk ofrohet vetëm nga njohuritë e mjekëve, sot mjekësia është teknologji. Nëse nuk ka udhëzues të praktikës klinike, të përshtatura me mundësitë që ka sistemi, nëse nuk ka protokolle të trajtimit të sëmundjeve, edukim në vazhdim për t’i zbatuar këto, nëse nuk ka medikamente të fjalës së fundit, mjeku nuk mund ta ushtrojë profesionin si duhet”, u shpreh për Zërin e Amerikës Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Autorët e studimit mendojnë se largimi i mjekëve është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor në kushtet kur Shqipëria ka tregues të ulët të numrit të mjekëve për banorë, 188 për 100 mijë banorë, kur në vendet e BE është 374 dhe në Gjermani 446. Ajo renditet ndër vendet e fundit në rajon dhe Europë. Një element tjetër i studimit lidhet me arsyet që do të rikthente mjekët në vend, që gjithashtu janë pak a shumë të njëjta me ato të largimit, ndër të tjera kushtet ekonomike, stabiliteti politik, lufta ndaj korrupsionit dhe reformimi i sistemit shëndetësor.

    “Duhet investuar më shumë në sistemin shëndetësor, në raport me PBB, duhet një reformim i këtij sistemi, që të luftohet nepotizmi, korrupsioni, të rritet numri i studentëve të mjekësisë, dhe të bëhen përpjekje që ky emigrim të kthehet në qarkullues, duke bashkëpunuar me vendet pritëse të mjekëve”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

    Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, i cili punon në Gjermani, prej disa vitesh, kur flet për ndikimin politik në çështjet e organizimit dhe të drejtimit të mjekësisë, si një prej kushteve që vendosin mjekët për t’u kthyer në Shqipëri, sjell përvojën e tij personale.

    “Kur flas me kolegët në Shqipëri, për fat të keq më thonë se ndiejnë politizim të tejskajshëm në sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha kontrollin përmes strukturave që ka ngritur partia në pushtet.

    Madje miq të mi më thonë se edhe kur më ndjekim në rrjete sociale nuk mund të komentojnë ose të bëjnë pëlqime në statuset e mia se i kontrollojnë shefat”- vijoi Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Ndërsa mjeku toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë Alban Haxhi, vë theksin te vështirësitë që kanë hasur ndër vite studentët e mjekësisë për t’u specializuar, me gjithë disa lehtësira të kohëve të fundit.

    “ Janë lehtësuar kohët e fundit, por deri para pak viteve ka qenë shumë e vështirë, të arrije një specializim. Dhe kjo bëhej përmes miqësive, s’ka patur konkurrencë, kishte kritere penalizuese me qëllim që të fitonte ai që ishte paracaktuar. Këta janë faktorë që e vështirësojnë punën por dhe mungesa e trajnimeve e minispecializimeve. Shumë prej tyre mjekët i kryejnë jashtë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dr.Alban Haxhi, mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

    Si mjek që disa vite ka drejtuar një prej shërbimeve të urgjencës në vend, zoti Haxhi, veçon disa mangësi të sistemit, pavarësisht përmirësimeve.

    “Ajo që vihet re, është mungesa e theksuar e aparaturave, dhe aty ku janë, kanë probleme, s’kemi dhe stafin e kualifikuar për t’i mirëmbajtur. Këto i penalizojnë mjekët për të qenë funksionalë. Shpeshherë ne bëjmë një analizë mjekësore, nuk bëjmë një tjetër, i dërgojmë në sektorin privat, një shërbim e mbulojmë, një jo. Shpeshherë dhe disa analiza të tjera që nuk bëhen fare në Shqipëri i dërgojmë jashtë. Janë disa hallka që e bëjnë shumë të vështirë diagnostikimin e sëmundjes dhe e vështirësojnë punën e mjekut”- vijoi Dr. Alban Haxhi mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

    Largimi i mjekëve drejt vendeve të zhvilluara është një fenomen që ka prekur dhe vende të Ballkanit, kjo edhe për shkak të kërkesave në rritje në disa vende të BE, kryesisht në Gjermani. Por në Shqipëri pasojat e këtyre largimeve janë më të mëdha për shkak të dobësive të sistemit shëndetësor dhe numrit të ulët të mjekëve për banorë.

    Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të fushës, për të përgatitur një mjek duhen 20 vite, ndaj dhe shqetësimi për largimin e tyre nga vendi, konsiderohet një kambanë alarmi. Shpenzimet e Shqipërisë për shërbimet publike në shëndetësi, sipas këtij studimi që i referohet të dhënave të Eurostat janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, 3.2% të PBB-së në raport me 5 apo 6 % në Serbi dhe Bosnjë Hercegovinë, apo me mesataren prej 8.1% në BE. Sot mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen nëse është e drejtë që vende me nivel të lartë varfërie si Shqipëria të paguajnë shtrenjtë për edukimin e mjekëve që më pas ata të largohen për të plotësuar boshllëqet në sistemet shëndetësore të vendeve të pasura? Përgjigja e kësaj pyetje sipas studiuesve gjendet në lirinë e funksionimit të kërkesës dhe ofertës në tregjet globale si dhe në përpjekjet serioze të autoriteteve qeveritare për të frenuar largimin e mjekëve nga vendi.

    VOA

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    5,939

    Për: Shqipëria e Rilindur Socialiste: Nuk ka të ndalur eksodi i mjekëve nga vendi

    Është e vërtetë që disa mjekë në Shqipëri kanë zgjedhur të largohen për shkak të politizimit të sistemit shëndetësor. Politizimi i sistemit shëndetësor është një fenomen i cili ndodh kur vendimmarrja në fushën e shëndetësisë bazohet në kritere politike dhe jo në kriteret e nevojave shëndetësore të pacientëve. Kjo mund të çojë në pengesa në përfundimin e trajtimit adekuat të pacientëve dhe në mungesën e resurseve të nevojshme për shërbimin shëndetësor.

    Politizimi i sistemit shëndetësor mund të shkaktojë ndikim të drejtpërdrejtë në karrierën dhe punën e mjekëve. Mund të ndodhë që për të arritur në pozicione të larta drejtuese apo për të përfituar privilegje të veçanta, mjekët duhet të lidhen me figura politike dhe të jenë pjesë e rrjetit politik. Kjo sjellje politike e sistemave shëndetësore shpesh rezulton në korrupsion, pabarazi dhe mosfunksionim të strukturave shëndetësore.

    Në rastet kur mjekët ndihen të pakënaqur me politizimin e sistemit shëndetësor dhe mungesën e kushteve të favorshme për punën e tyre, ata mund të vendosin të emigrojnë në vende të tjera ku sistemet shëndetësore janë më të stabilizuara dhe ofrojnë më shumë mundësi për zhvillim profesional. Në disa raste, mjekët shqiptarë zgjedhin të punojnë në vende të zhvilluara të Evropës Perëndimore apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Emigrimi i mjekëve është një problem serioz për Shqipërinë, pasi ndikon në mungesën e specialistëve dhe kualifikimeve të nevojshme për të siguruar një kujdes shëndetësor cilësor për popullatën vendase. Kjo situatë detyron shqiptarët që të kenë nevojë për kujdes mjekësor të kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke krijuar kostot e mëdha të udhëtimit dhe ndjekjes së trajtimit jashtë vendit.

    Qeveria dhe institucionet shëndetësore shqiptare duhet të angazhohen për të adresuar problemet e politizimit të sistemit shëndetësor dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për punën e mjekëve, duke iu ofruar kushte të mira të punës, investime

    në infrastrukturë shëndetësore dhe luftimin e korrupsionit. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një sistem shëndetësor i fortë dhe tërheqës për mjekët e talentuar dhe të kualifikuar.

    Largimi i mjekëve nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit është një problem i madh që ka prekur sistemet shëndetësore të këtyre vendeve. Ky fenomen është përfshirë në një debat më të gjerë mbi globalizimin dhe lirinë e lëvizjes së personelit shëndetësor në tregjet globale.

    Në një anë, të drejtat e individëve për të lëvizur në kërkim të mundësive të reja dhe të punësimit janë të rëndësishme. Në një tjetër anë, këto lëvizje mund të çojnë në dobësimin e sistemeve shëndetësore të vendit të origjinës dhe në një mungesë të personelit mjekësor që mund të çojë në dëmtim të shëndetit publik të popullsisë.

    Qeveritë e vendeve si Shqipëria duhet të bëjnë përpjekje për të mbajtur mjekët e tyre në vend dhe përt’i inkurajojnë ata të qëndrojnë në sistemin shëndetësor vendas. Kjo mund të bëhet përmes ofertave më të mira të punës, rritjes së pagave dhe kushteve të punës, si dhe përmes investimeve në sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën shëndetësore të vendit.

    Një tjetër mundësi është të rritet numri i studiuesve mjekësorë në vend, duke krijuar një numër më të madh të mjekëve të trajnuar në Shqipëri dhe duke reduktuar kështu nevojën për t’i rekrutuar mjekë nga vende të tjera.

    Duke krijuar një sistemi shëndetësor më të fortë dhe më të qëndrueshëm, Shqipëria mund të inkurajojë mjekët e saj të qëndrojnë në vend dhe të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të popullsisë së saj.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-09-2016, 23:57
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-04-2016, 18:32
  3. Shqipëria e Rilindur: Ulet me 3% paga mesatare, rriten çmimet
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 03-09-2015, 16:02
  4. Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 01-09-2015, 11:17
  5. Shqipëria e Rilindur: Rritet ndjeshëm çmimi i vezëve
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 25-12-2014, 19:01

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •