Pyetësori Kombëtar Studentor/ Studentët e Universiteteve Private më të kënaqur me institucionin dhe mësimdhënien se ata në universitetet publike

Vlerësim më të lartë për institucionin, programin e studimit, stafin akademik, literaturën e lirinë e mendimit. Gjetjet e Sondazhit të parë Kombëtar Studentor tregojnë se studentët e institucioneve private të arsimit të lartë janë shumë më të kënaqur se kolegët e tyre nga institucionet publike.

Nga Bordi i Akreditimit u hodh ideja që ky sondazh të kryhet çdo vit, ndërsa ministrja e Arsimit tha se gjetjet u shërbejnë të gjithëve, nga institucionet shtetërore, te universitetet e maturantët që këtë vit do të bëjnë zgjedhjen e arsimit të lartë

Pjesëmarrja në të parin sondazh të këtij lloji në rang kombëtar, ka qenë e ulët, megjithatë është një tregues për institucionet shtetërore dhe grupet e interesit për të kuptuar perceptimin e vetë studentëve në lidhje me cilësinë e universiteteve ku ndjekim programet e studimit, cilësia e stafit akademik, mësimdhënia e mësimnxënia apo aspekte të tjera si aksesi në teknologji, shprehja e mendimit të lirë apo trajtimi i barabartë.

Agjencia e sigurimit të cilësisë ASCAL, në bashkëpunim me Bordin e Akreditimit dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, organizuan të shtunën një takim informues, mbi gjetjet e sondazhit, me rektorët e të gjithë institucioneve të arsimit të lartë në vend, publike e private dhe me disa përfaqësues të senateve studentore.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi vuri në dukje numrin e ulët të pjesëmarrës në këtë sondazh, me vetëm 21 përqind të studentëve, ku numër edhe më të ulët shënuan studentët nga institucionet e arsimit të lartë publik. Të pyeturit ishin kryesisht studentë të ciklit Bachelor, me pothuajse 61 përqind të pjesëmarrjes, ndërsa pjesa tjetër u përkisnin cikleve të tjera si master profesional, të shkencave apo programe të tjera specializimi.


Megjithatë, shtoi ministrja Kushi, përveçse detyrim i Ligjit për Arsimin e Lartë, gjetjet e këtij sondazhi janë të rëndësishme për të gjithë institucionet, duke nisur nga Ministria e Arsimit të Lartë. “…që nëpërmjet këtyre rezultateve mund të rishikojë politikat dhe të hartojë të reja e të bëjë zgjedhjet e duhura; u vlejnë edhe institucioneve të arsimit të lartë, publike e jo publike, drejtuesve të institucioneve, për të riparë vizionin e tyre, për të përmirësuar ato aspekte në të cilat studentët kanë vlerësime të ulëta dhe u vlejnë studentëve apo maturantëve që po vlerësojnë alternativat për të zgjedhur programet e studimit apo universitetet ku do të vazhdojnë arsimin e lartë”, tha zonja Kushi.

Ajo theksoi se në përgjithësi përgjigjet e studentëve kanë qenë pozitive. Edhe për cilësinë e stafit akademik, studentet kanë vlerësime pozitive; vetëm 10 përqind e kanë vlerësuar si mesatare apo të ulët.
“Për mua, e rëndësishme është të dimë sa të besueshme janë këto rezultate. Pjesëmarrja është shumë e ulët, sepse 21 përqind, nuk është një nivel që besueshmëria të jetë e lartë”, shtoi ministrja e Arsimit. Kushi tha se është detyrë e ASCAL-it, por edhe vetë universiteteve si ti stimulojmë e ndërgjegjësojmë studentët që të marrin pjesë më masivisht në sondazhin e ardhshëm.

Ky sondazh u krye gjatë periudhës mars-qershor të vitit të kaluar dhe në të morën pjesë 39 institucione të arsimit të lartë, 14 publikë dhe 25 privatë. Kryetarja e Bordit të Akreditimit, Shqiponja Telhaj, tha se sondazhi iu është dërguar më shumë se 100 mijë studentëve në të gjithë vendin. Ajo vuri në dukje se përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes e shënonte Universiteti i Tiranës, me vetë 8.2 përqind.
Studentët e Universitetit Europian të Tiranës, ndërkohë, morën pjesë me 29.6 përqind dhe në përgjithësi pjesëmarrja e studentëve nga universitetet private ishte më e lartë.
Të anketuarit vlerësuan disa fusha si mësimdhënia dhe mësimnxënia; burimet në funksion të mësimdhënies; organizimi dhe realizimi i programeve; mbështetja dhe zëri i studentëve si edhe vlerësimi i përgjithshëm i programit dhe i institucionit.

Mbi nivelin e cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri, rreth 50 përqind e të pyeturve nga institucionet publike u shprehën “së paku mirë”, ndërsa nga institucionet private vlerësimi me “së paku mirë” ishte 69 përqind.
“Ka një diferencë mes institucioneve publike dhe atyre private”, nënvizoi Telhaj.
Të pyetur nëse do të kishin zgjedhur sërish të njëjtin program studimi apo institucion, studentët nga universitetet publike ishin në rreth 60 përqind “së paku përgjithësisht dakord”, ndërsa nga ata privatë 80 përqind.

Cilësia e programit të studimit u vlerësua në masën 75 përqind “së paku mirë”, nga studentët e institucioneve publike të arsimit të lartë dhe në rreth 87 përqind , prej studentëve të IAL-ve private. Edhe mbi cilësinë dhe kualifikimin e personelit akademik, studentët nga universitetet private u shprehën “së paku mirë” me afro 88 përqind, në dallim me studentët nga IAL-të publike me afro 71 përqind. Në thuajse të njëjtat shifra është vlerësuar edhe cilësia e mësimdhënies, ku 88 përqind e studentëve në universitetet private shprehen “së paku mirë” dhe 65 përqind e vlerësojnë “shumë mirë”, përballë atyre nga universitetet publike me 68 përqind që e vlerësojnë “së paku mirë” dhe vetëm 38 përqind e kanë vlerësuar me “shumë mirë”.
Dallim i konsiderueshëm vihet re edhe në pjesëmarrjen në aktivitete studimore dhe kërkimor shkencore. Studentet nga universitetet private vlerësojnë me gati 83 përqind inkurajimin nga stafi akademik dhe institucioni për të marrë pjesë në aktivitete të këtij lloji, ndërsa nga Publiku rreth 61 përqind janë shprehur “kryesisht dakord”.

Studentët e universiteteve private shprehen në masën 81 përqind “së paku kryesisht dakord” për vlerësimin dhe notat në mënyrë korrekte, ndërsa ata të IAL-ve publike në masën 59 përqind. Pakënaqësitë mbi vlerësimet e pamerituara ishin më të larta tek studentët e universiteteve publike me afro 37 përqind dhe vetëm 20 përqind tek të pyeturit nga universitetet private. Edhe në problematika të tjera sa i përket integritetit akademik, si plagjiatura apo provime të kopjuara që tolerohen nga stafi akademik, studentët e IAL-ve publike që pranonin se kishte “së paku disa problematika” ishin në 14 përqind dhe vetëm në rreth 7 përqind tek ato private. MË shumë ankesa për mungesë të ndihmës së mjaftueshme nga profesorët për të dhënë më të mirën, kishin studentët e universiteteve publike me 28 përqind dhe vetëm 21 përqind tek ato privat. Studentët e universiteteve private u shprehën në 80 përqind të kënaqur me cilësinë dhe aksesin në bibliotekë, në dallim me kolegët e tyre të IAL-ve publike në vetëm 48 përqind. Dallime të ngjashme u vunë re edhe tek aksesimi i bibliotekës online, me 73 përqind të studentëve nga universitetet private të kënaqur, përballë 37 përqind të atyre publike.
Vetëm 45 përqind e studentëve nga IAL-të publike shpreheshin të kënaqur me literaturën bazë të rekomanduar, përballë kolegëve të tyre nga IAL-të private me 79 përqind.
“Kemi vënë re që literatura bazë është shpesh shumë e vjetruar dhe ka probleme dhe kjo vihet re edhe këtu. Për ne si bord është si një e dhënë shtesë”, tha Telhaj duke e cilësuar si shqetësuese vlerësimin nën 50 përqind nga studentët e IAL-ve publike sa i përket literaturës. Megjithatë, shtoi ajo, gjetjet duhen marrë me rezerva, për shkak edhe të pjesëmarrjes së ulët në sondazh.

E njëjta situatë, vlerësoi kryetarja e Bordit të Akreditimit, vihet re edhe te teknologjia. Institucionet private i kanë dyfish më të kënaqur studentët se ata publikë.
Edhe në lidhje me pritshmëritë e të nxënit, 84 përqind e studentëve nga institucionet private janë shprehur dakord se ato janë të përcaktuar qartë, që në fillim, për çdo lëndë, në programin e tyre të studimit. Nga publiku, studentët janë shprehur “përgjithësisht dakord” në 61 përqind.
Shprehja e mendimit të lirë vlerësohet me 87 përqind tek studentëve nga IAL-të private dhe afro 64 përqind tek ata publikë. Edhe në trajtimin e barabartë të studentëve, dakordësia është më e lartë tek studentët nga universitetet private, me më shumë se 82 përqind dhe vetëm 58 përqind nga kolegët e tyre të institucioneve publike.

Zonja Telhaj sugjeroi që sondazhi të kryhet çdo vit, duke theksuar se pjesëmarrja është e rëndësishme në besueshmërinë e gjetjeve dhe përpunimin e tyre, më pas, nga ekspertët e fushës. Po ashtu ndër sugjerimet ishte edhe bërja publike e të dhënave dhe renditja e universiteteve në bazë të tyre, por po ashtu edhe renditja e programeve. Universiteti Europian i Tiranës, u vlerësua vitin që shkoi nga agjencia britanike e vlerësimit QAA, duke i kaluar me sukses dhe vlerësim maksimal pa kushte të dhjetë standardet europiane të arsimit të lartë.


Gazeta MAPO

https://gazetamapo.al/pyetesori-komb...tetet-publike/