Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Beograd, rrugëton me një histori shekullore mbi supe

Emri:  katedra-e-gjuhes-shqipe.jpg

Shikime: 1408

Madhësia:  45.3 KB

NGA DR. ERMIR NIKA*

Çdo shqiptar që ka jetuar apo thjesht ka kaluar nga Beogradi e di fort mirë që edhe në kryeqytetin e fqinjit tonë gjejmë një pjesëz Shqipërie. Kjo, jo vetëm falë rastësive sesa nga ekzistenca e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit.

Studiuesit janë në një mendje kur nxjerrin në pah faktin se shkencëtari i parë, i cili seriozisht filloi ta studiojë gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariæ (1888-1957), katolik i Raguzës, i cili studioi në Grac dhe në Vjenë. Në vitin shkollor 1920-1921, në kuadër të seminarit Gramatika Krahasuese e Gjuhëve Indoevropiane, u përfshi edhe Historia e Gramatikës së Gjuhës Shqipe. Ky konsiderohet si fillim i Albanologjisë në Universitetin e Beogradit.

Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur!

Andon Zako Çajupi

Jeta përbëhet nga kryqëzime të njëpasnjëshme udhësh, ku fundi gjithmonë duket i largët, ndonëse mbetet destinacioni i pandryshuar i njeriut. Në këtë rrugëtim, i cili në çdo kohë pasohet edhe nga udhëtarë të tjerë, çdokush lë mbi viset ku u end udhëtimi i tij gjurmën prej nga mund të kalojnë të tjerë e të tjerë pasardhës.

Edhe ne shqiptarëve na është dashur që nëpër ato vende ku kemi shkelur e kemi mundur të ndërthurim fatet tona, të vendosim shenjat tona; që pasardhësit të kuptojnë se jeta e njeriut ndërtohet gjithmonë në raport me tjetrin.

Kështu ishte e thënë që një pjesë jo e vogël e historisë sonë të kishte pika takimi dhe një bashkëjetesë shumëshekullore me fqinjin tonë, popullin serb.

Të pranosh tjetrin ka qenë dhe do të mbetet një sfidë jo fort e lehtë e njeriut përballë vetvetes, por rrethanat ndonjëherë përbëjnë destinet për çdo komb apo dukuri shoqërore.

Çdo shqiptar që ka jetuar apo thjesht ka kaluar nga Beogradi, e di fort mirë që edhe në kryeqytetin e fqinjit tonë gjejmë një pjesëz Shqipërie. Dhe kjo jo vetëm falë rastësive, sesa nga ekzistenca e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit.

Thuhet e përflitet se dikur Beogradi paskësh qenë një ndër qendrat e Albanologjisë. Madje, shumë nga studiuesit janë në një mendje kur nxjerrin në pah faktin se shkencëtari i parë, i cili seriozisht filloi ta studiojë gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariæ (1888-1957), katolik i Raguzës, i cili studioi në Grac dhe në Vjenë. Në vitin shkollor 1920- 1921, në kuadër të seminarit nga Gramatika Krahasuese e Gjuhëve Indoevropiane, u përfshi edhe Historia e Gramatikës së Gjuhës Shqipe. Ky konsiderohet si fillim i Albanologjisë në Universitetin e Beogradit. Shumë shpejt doli revista Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologijiu (Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnologjinë) (1923-1926), e para e këtij lloji në botë, pronar i së cilës u bë profesori i universitetit, etnologu i famshëm Tihomir R. Gjorgjeviç. Revista shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor botëror dhe u bë nga më të njohurat. Për këtë revistë punoi një numër i madh i shkencëtarëve të njohur të Serbisë dhe të huaj.

Këshilli i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Beogradit, më 31 maj të vitit 1925, ka marrë vendimin të themelohet Seminari për “filologjinë shqipe”, i cili i është besuar Henrik Bariæ. Për lektor me honorar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe është zgjedhur Xhevat Korça, në vitin 1925, emigrant i Shqipërisë, ish-drejtor i gjimnazit në Shkodër. Ai, gjatë vitit akademik 1927-‘28, ka mbajtur “Kursin e gjuhës shqipe për fillestarë”, pas të cilit është larguar nga Beogradi. Si lektor – vullnetar, për shkak të mungesës së mjeteve, është zgjedhur Vojisllav Dançetoviç në vitin 1935, serb i Kosovës, i lindur në Vushtrri, i cili dinte të fliste shqip mirë. (Dançetoviç, po atë vit e ka mbaruar romanistikën në Zagreb). Në vitin 1937, ky seminar është suprimuar, gjatë kohës së afrimit të Shqipërisë dhe Italisë. Në këtë fakultet, seminari për Gjuhën Shqipe e ka rifilluar punën në vitin shkollor 1948-‘49, dhe për ligjërues është zgjedhur Vojisllav Dançetoviç. Në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1949, dy muaj është suprimuar. Pas kësaj e ka vazhduar punën normalisht.

Për asistentë janë zgjedhur Anton Çetta dhe Idriz Ajeti në vitin 1950, të cilët po ashtu e kanë kryer romanistikën në Universitetin e Beogradit. Më vonë, të dy janë bërë shkencëtarë prestigjiozë. Në vitet ‘60, Seminari për Albanologji në Fakultetin Filologjik të Beogradit e ka vazhduar punën si degë e veçantë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilin e ka udhëhequr dr. Vojisllav Dançetoviç, dhe pas vdekjes së tij dr. Halit Tërnavci dhe një kohë si lektore e pastaj si docente dr. Gjystina Shushka.

Për nevojat e mësimit janë angazhuar në vitet ‘80 profesorët e Universitetit të Kosovës, dr. Latif Mulaku (për Gjuhë Shqipe) dhe dr. Latif Berisha (për Letërsinë Shqipe), mirëpo kjo praktikë është ndërprerë në vitin 1990 për shkaqe politike, për çka kjo katedër ka pësuar dëme të mëdha. Këto studime i kanë kryer një numër i madh i intelektualëve të Kosovës, profesorë, shkencëtarë, shkrimtarë, kryeredaktorë të gazetave, ndër të cilët janë edhe dr. Gani Luboteni, dr. Latif Mulaku, dr. Latif Berisha, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku etj. Nga kjo katedër kanë dalë magjistrat e parë nga fusha e Filologjisë në Kosovë, Mehdi Bardhi (1958) me temën “Disa veçori në vokalizmin e së folmes së Hasit” dhe Hilmi Agani (1958) me temën “Krijimtaria lirike e Naim Frashërit”.

Duke iu referuar studiueses së mirënjohur Naila Mama – Imami, e cila aktualisht është Përgjegjëse e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit, pikërisht në kryeqytetin serb, gjenden disa rrugë të cilat edhe sot e kësaj dite mbajnë emra të cilët lidhen drejtpërdrejt me historiografinë shqiptare, ku mund të përmendim rrugët:

“Skender-begova” ulica (Rruga e Skënderbeut) – gjendet në pjesën e vjetër të Beogradit, në Dorqol, dhe quhet sipas heroit më të madh të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, që nga viti 1896. Një nga rrugët më të vjetra në qendër të Beogradit “Makedonska”, prej vitit 1872 deri 1896 është quajtur ulica “Kastriotova” (Rruga e Kastriotit), në kohën kur është menduar se ai ka qenë me origjinë serbe.

Ulica “Majke Angeline” (Rruga e Nënës Angjelinë) mban emrin e bijës së Arianitit, e cila është e martuar në Shkodër më 1460 me princin serb Stefanin e Verbër. Ai ishte i biri i Gjurgj Brankoviqit nga Smedereva, të cilit për dënim i ka nxjerrë sytë në vitin 1441 dhëndri i tij Sulltan Murati II. Angjelina u është përkushtuar të varfërve dhe të sëmurëve, për çka në Srem e kanë quajtur “Nënë Angjelina”. Në shenjë përkujtese për të, Kisha Ortodokse Serbe e kremton 12 gushtin si Ditë të Shën Angjelinës. Në fillim të shek. XVII kulti i saj është përhapur edhe në Rusi. Prej vitit 1940, në Beograd një rrugë në komunën Zvezdara quhet sipas saj.

“Kondina” ulica (Rruga e Kondës) quhet sipas një shqiptari ortodoks nga Shqipëria Jugore, i cili ka treguar trimëri të madhe në vitin 1806, kur Beogradi është çliruar nga turqit. Kjo rrugë në qendër të Beogradit, e mban emrin e tij prej vitit 1872.

“Skadarska” ulica (Rruga e Shkodrës) konsiderohet si një nga rrugët më atraktive në Beograd, në të cilën gjenden disa kafene të vjetra shumë të vizituara, dhe këtë emër e ka marrë qysh në vitin 1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur edhe me emrin Skadarlija. Me të njëjtin emër quhet edhe një rrugë e vogël në Zemun.

“Albanska” ulica (Rruga e Shqipërisë) gjendet në një nga komunat më të vjetra të Beogradit, në Palilulë. Këtë emër e ka marrë në vitin 1927, dhe e ka pasur deri në vitin 1972, kur është ndryshuar në ulica “Albanske spomenice” (Rruga e Përkujtimores së Shqipërisë). Emrin e ka marrë sipas asaj që kanë mbajtur mend ushtarët serbë, të cilët janë tërhequr në kushte shumë të rënda përmes Shqipërisë në vitin 1915. Në komunën e Zemunit, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu, një rrugë po ashtu është quajtur “Albanska” ulica, dhe këtë emër e mban edhe sot e kësaj dite.

“Dracka” ulica (Rruga e Durrësit) gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, në Dorqol, dhe këtë emër e ka marrë në vitin 1930 sepse ai qytet në Shqipëri u ka mbetur në kujtesë të bukur ushtarëve serbë gjatë viteve 1912-1913. “Lješka” ulica (Rruga e Lezhës), e cila gjendet në komunën e Çukaricës, e ka marrë këtë emër në vitin 1930 për shkak të kujtimeve të cilat i kanë pasur ushtarët e ushtrisë serbe në vitin 1912, kur më 18 nëntor e kanë çliruar këtë qytet nga turqit, dhe më 1915 kur në rrugët e ngushta të këtij qyteti, në rrugën në drejtim të Durrësit, kanë kaluar shumë ushtarë të rraskapitur serbë dhe civilë, duke u tërhequr para ushtrisë austriake.

“Palata Albanija” (Pallati i Shqipërisë) gjendet në vendin ku para Luftës së Parë Botërore, në qendër të Beogradit, ka qenë kafeneja “Albanija”, emër të cilin pronari ia ka dhënë për nder të luftëtarëve serbë të cilët në vitin 1912-1913 kanë luftuar në Shqipëri. Është ndërtuar në vitin 1939 dhe ka qenë ndërtesa më e lartë në atë kohë në Jugosllavi, të cilën e kanë quajtur “Pallati i Shqipërisë”, sipas kafenesë në fjalë, dhe me këtë emër beogradasit e quajnë edhe sot e kësaj dite.

Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Beograd, sapo kaloi një shekull të ekzistencës së saj dhe ndërkohë ka cikur shekullin tjetër, aty ku nis mijëvjeçari i ri. Duket se akademikët, në të dyja skajet ku janë vendosur vendet e tyre, sikur e kanë lënë pas politikën dhe intensitetin e saj bipolar. Ata kanë ndërtuar një urë ku cilido mund të njohë e të prekë vlerat e qëndrueshme, të cilat kanë fatin t’i krijojnë vetëm kulturat.

* Shef i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës

Panorama