KRISTOFOR KISI
KRYEPESHKOPI I PARË KANONIK I KISHËS ORTODOKSE
Tiranë, 2020
Autor: ANDREA LLUKANI
Redaktor: Prof. dr. Hajri Shehu
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
KRISTOFOR KISI
KRYEPESHKOPI I PARË KANONIK I KISHËS ORTODOKSE
Tiranë, 2020
Autor: ANDREA LLUKANI
Redaktor: Prof. dr. Hajri Shehu
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
PARATHËNIE
Kristofor Kisi (1890-1958) ka lindur në lagjen “Kala” të Beratit në vitin 1890. Studimet e larta i ndoqi në “Shkollën Patriarkale” të Halkit ku u diplomua në vitin 1906. Tema që mbrojti diplomën ishte “Mbi prejardhjen e jetës monakale”. Me përfundimin e studimeve teologjike më 1908 u kthye në atdhe dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Para Luftës Ballkanike vajti në Kostandinopojë dhe në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore. Ai ishte kryefamulltar në Makrohor. Më vonë u hirotonis episkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923. Pikërisht këtë vit, duke parë përpjekjet e otodoksëve shqiptarë për autoqefali, Imzot Kristofori u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ku mori në drejtim Mitropolinë e Beratit duke pasur titullin "Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës". Më 21 nëntor 1923 Imzot Kristofori së bashku me Imzot Jerotheun dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin në kishën e "Shën Gjergjit" në Korçë. Në vitin 1929 u tërhoq në manastir duke mos marrë pjesë në veprimet antikanonike, që po kryheshin në Kishën Ortodokse Shqiptare. Më 1934 Imzot Kristofori zuri vendin e "Mitropolitit të Korçës" dhe në vitin 1937 u zgjodh Kryetar i Sinodit të Shenjtë dhe Kryeepiskop i gjithë Shqipërisë. Për shumë vjet qëndroi në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1942 Kryeepiskop Kristofori u thirr prej mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuelit III, Jakomonit dhe iu bë presion, që në vendet vakante të dorëzoheshin episkopë unitë dhe të bëhej konvertimi i popullsisë ortodokse të Shqipërisë në uniate. Kryeepiskopi Kristofor i detyruar nga kushtet e vështira që po kalonte Kisha Ortodokse nën sundimin fashist në fillim pranoi, por ndërkohë u mundua që ta shtynte çështjen për më vonë. Ai thirri teologun Irine Banushi dhe i propozoi që të dorëzohej në gradën episkopale, duke shmangur kështu një rrezik të madh për kishën. Më 1948 Kryeepiskopin Kristofor e internuan dhe më 17 qershor 1958 ai vdiq në rrethana të dyshimta në kishën e "Shën Prokopit". Ai nuk pranoi që të mohonte kryqin për lavdinë tokësore, që i ofroi regjimi komunist, prandaj e helmuan. Varrimi i Kryeepiskopit Kristofor Kisi u bë më datën 18 qershor 1958. Arkivoli që mbante lipsanin e tij u vendos në mesin e kishës katedrale të “Ungjillëzimit” në Tiranë. Ceremonia e përmortshme u kryesua nga Fortlumturia e tij, Paisi, me pjesëmarrjen e Episkopit Ndihmës Sofronit, Arkimandrit Dhanil Çulit, Stavrofor Thoma Popës, Ikonom Marko Papajanit, Saqellar Petro Doçit, Kryedhjakonit Sotir Kanxherit etj. Në prani të të afërmve dhe besimtarëve të shumtë që kishin mbushur kishën, foli Sekretari i Sinodit të Shenjtë, Niko Çane, i cili theksoi virtytet e të ndjerit. Ndër të tjera ai përmendi ndershmërinë, urtësinë dhe kulturën e gjerë të Kryeepiskopit Kristofor(1).
1) -Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 178-180; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 132; Dhimitër Beduli, Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit, Ngjallja, tetor 1996, faqe 10; Kristofor Beduli, At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Tiranë 2004, faqe 37-38; Personalitet madhor i Kishës sonë Orthodhokse, Ngjallja, korrik 1996, faqe 9. 3
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-01-2024 më 00:13
KREU I PARË
KONGRESI I BERATIT
Nismëtari për mbledhjen e kongresit ishte kryetari i Bashkisë së Durrësit, Kostë Paftali. Ky i fundit duke u nisur nga qëllimi i mirë për eleminimin e përçarjes(2) midis ortodoksëve shqiptarë(3) mori nismën, që të organizonte kongresin. Për këtë qëllim u dërgoi telegrame(4) qarqeve ortodokse të prefekturave dhe nënprefekturave të Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës. Çdo rreth zgjodhi dy delegatë dhe u tregua kujdes i veçantë që ata t’i përfaqësonin denjësisht. Peshën më të rëndë nga ana organizative dhe kanonike e mbajti Visarion Xhuvani, si njohës i mirë i kanoneve kishtare dhe i ligjeve të shtetit, si anëtar i Këshillit Kombëtar i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës.
Më 10 shtator të vitit 1922, në sallën e shkollës qendrore të qytetit të Beratit, u mblodhën delegatët e kongresit kishtar(5), që ishin dërguar nga ortodoksët e prefekturave dhe të nënprefekturave për të paraqitur letër kredencialet. Për verifikimin e tyre u zgjodh një komision i posaçëm me kryetar Perikli Konën, sekretar Vasil Llapushin dhe anëtarë atë Vangjel Çamçen, Stathi Kondin dhe Taq Budën.
Mbas një pune serioze dhe cilësore përgatitore, Kongresi (Fig.1) u mblodh në sallën e shkollës së Mangalemit ditën e hënë më 11 shtator 1922. Kryetari i komisionit të mandateve Perikli Kona ia dha fjalën Kryetarit të Bashkisë së Beratit, i cili u uroi të pranishmëve mirëseardhjen. Mbas fjalës përshëndetëse të iniciatorit Kostë Paftali e mori fjalën përfaqësuesi i qeverisë Zenel Prodani, mbas tij arkimandrit Visarion Xhuvani dhe mbas tij delegati i Pogradecit, atë Vasil Marku(6). Punimet e Kongresit u kryesuan nga atë Josif Qirici nga Korça në shenjë respekti për atë qytet që ishte pararendësi i përpjekjeve për autoqefalinë e kishës shqiptare. Atë Josifi njoftoi të pranishmit se qëllimi i mbledhjes së Kongresit të Beratit ishte shpallja e Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare.
Menjëherë pas tij, arkimandrit Visar Xhuvani shpalli pavarësinë administrative të Kishës Ortodokse të Shqipërisë sipas vendimit: "Të gjithë Delegatët e Kongresit, Klerik e Laik, me një zë dhe entuzjazëm në emër të gjithë klerit dhe popullit ortodoks shqiptar, duke u bazuar edhe në faktin se Shqipëria u njoh prej gjithë shteteve të botës si një shtet i pavarur dhe sovran dhe mbi këtë bazë sipas kanoneve të shenjta të të Kishës Ortodokse në shtet të pavarur - kishë e pavarur, duke pasur për shembull edhe kishat autoqefale të Rusisë, Greqisë, Rumanisë etj, deklarojmë në emrin e Trinisë së Shenjtë të njëqenishme dhe të pandarë Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, "de fakto" sepse "de jure" ka qenë që prej ditës së shpalljes së indipendencës politike të shtetit shqiptar, duke mbajtur lidhje shpirtërore, dogmatike e apostolike me Patriarkanën Ekumenike dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale të botës. Rroftë Kisha Autoqefale"(7). Të pranishmit u ngritën më këmbë dhe brohoritën "Rroftë Kisha Autoqefale" dhe në vijim nënshkruan. Sipas vendimit të Kongresit të Beratit Kisha Ortodokse e Shqipërisë ishte autoqefale prej vitit 1912, atëherë kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Ky fakt bazohej në parimin "kishë e pavarur në shtet të pavarur". Problemi ishte që nuk kishte asnjë episkop në Shqipëri. Që një kishë të ishte autoqefale duhej të kishte të paktën katër episkopë të dorëzuar në mënyrë kanonike. Kongresi i Beratit kërkoi edhe ndihmën e qeverisë që t’i bëhej kërkesë Patriarkanës Ekumenike për njohjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë, si dhe për emërimin e dy mitropolitëve me origjinë shqiptare të propozuar nga këshilli.
Në ditën e tretë të punimeve Kongresi votoi Statutin(8) e parë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhej nga 14 artikuj. Në nenin I, Statuti përcaktonte se Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë ishte pjesë e pandarë e Kishës së Përgjithshme Ortodokse. Ajo përbëhej nga ortodoksët e shtetit shqiptar dhe sundohej prej episkopëve kanonikë, duke ruajtur kanonet e shenjta apostolike e sinodike. Statuti përcaktonte se kisha do të drejtohej nga sinodi i cili do të përbëhej prej peshkopësh kanonikë nën kryesinë e një mitropoliti. Ky sinod do të kishte titullin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë. Kisha do të drejtohej nga Këshilli i Lartë Kishtar, derisa të zgjidheshin episkopët kanonikë me pëlqimin nga Patriarkana Ekumenike ose nga kishat e tjera simotra vrenda dy vjetëve. Episkopët që do të dorëzoheshin do të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Kishtar pasi të betoheshin me ndërgjegje priftërore para Perëndisë për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë. Në nenin X, Statuti përcaktonte se gjuha e kishës qe shqipja. Meqenëse mungonin përkthimet kishtare Paqësoret(9), Ungjilli(10), Apostulli(11) dhe lutja Ati ynë do të lëçiteshin detyrimisht në shqip. Këshilli i Lartë Kishtar do të bashkonte të gjitha episkopatat e atyre viseve që patën mbetur jashtë kufirit të shtetit shqiptar. Librat për përdorimin liturgjik do të njiheshin vetëm nëse kishin vulën e Këshillit të Lartë Kishtar. Duhet theksuar se deri në atë kohë qenë përkthyer këta libra liturgjikë kishtarë nga Fan Noli: "Shërbesat e Javës së Madhe"12, “Librë i shërbesave të Shënjta të Kishës Orthodoxe”(13), "Të kremtet e mëdha të Kishës Orthodhokse"(14), "Triodi i vogël"(15), "Lutësorja"(16) dhe "Pesëdhjetore e vogël"(17). Tre muaj pasi të qe krijuar Sinodi i Shënjtë, një Asamble Kishtare do të mblidhej për të miratuar statutin dhe rregulloren përfundimtare. Statuti u këndua para kongresit dhe u pëlqye e u nënshkrua nga delegatët pjesëmarrës.
Autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ishte Këshilli i Lartë ose siç quhej ndryshe Sinodi Provizor. Ky Këshill do të merrej me çështjet e drejtimit të kishës deri në krijimin e Sinodit Episkopal. Kryetar i Këshillit të Lartë Kishtar u zgjodh delegati i Pogradecit, atë Vasil Marku(18). Këshilli i Lartë Kishtar përbëhej nga katër klerikë dhe katër laikë. Anëtarët klerikë të Këshillit të Lartë Kishtar (1922-1923) qenë: Kryetar Atë Vasil Marku, Anëtarë klerikë: zëvendësmitropoliti i Durrësit, Arkimandrit Visar Xhuvani, zëvendësmitropoliti i Korçës, Atë Josif Qirici, zëvendësmitropoliti i Beratit Atë Anastasi dhe zëvendësmitropoliti i Gjirokastrës Atë Pano Çuçi. Anëtarët laikë qenë: Z. Simon Shuteriqi për mitropolinë e Durrësit, Z. Dhosi Havari për mitropolinë e Korçës, Z. Tol Arapi për mitropolinë e Beratit dhe Z. Stathi Kondi për mitropolinë e Gjirokastrës(19). (Fig.2)
Në Kongresin e Beratit u diskutua edhe për Rregulloren(20) e Kishës Shqiptare, ku u bënë propozime të ndryshme, që kishin të bënin me të ardhurat e kishave dhe të manastireve, duke zgjedhur një komision për kontrollin e tyre. Në nenin I, Rregullorja përcaktonte se Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë përbëhej nga katë episkopatat: të Korçës, të Durrësit, të Beratit dhe të Gjirokastrës. Episkopatat do të vepronin sipas rregulloreve të Patriarkanës Ekumenike; zëvendësitë lokale do ti drejtoheshin zëvendësmitropolitit dhe ky i fundit Këshillit të Lartë Kishtar. Në nenin 3 të Rregullores përcaktoheshin detyrat e kryetarit të Këshillit të Lartë Kishtar. Mbledhjet e Këshillit do të drejtoheshin nga kryetari ose në rast mungese të tij, nga ai që e pasonte në shkallë kryepriftërore. Mbledhjet që të quheshin të ligjshme duhet të kishin më shumë se gjysmën e anëtarëve. Vendimet e mbledhjeve duhet të miratoheshin me shumicë votash dhe në rast barazie fitonte ana e kryetarit. Një anëtar i Këshillit nëse mungonte pa arsye në dy mbledhje shpallej i rrëzuar dhe vendin e tij e zinte një tjetër. Në kopetencë të këshillit qe zgjedhja e arkëtarit, ndërsa me emërimet e personelit merrej kryetari. Arkëtari nuk duhej të bënte pagesa pa nënshkrimin e kryetarit, ndërsa kryetari nuk duhej të urdhëronte pagesa pa vendimin e këshillit. Neni 9 dhe i fundit përcaktonte pagesat e anëtarëve të këshillit dhe të personelit kishtar.
Kongresi u mor me çështjen se ku do të vendosej selia e Këshillit të Lartë Kishtar. Delegati i Kavajës, Pal Xhumari propozoi që si qendër e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të ishte qyteti i Korçës(21). Ky propozim u aprovua njëzëri nga kongresi. Në përfundim atë Josif Qirici nënshkroi telegramin, me anë të së cilit njoftoheshin kishat autoqefale se Kongresi i Beratit shpalli Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare të Shqipërisë. Në fletoren zyrtare të Shtetit Shqiptar të vitit 1922 shpallja e Kongresit u quajt ditë historike.
Megjithatë, zbatimi i vendimeve të Kongresit të Beratit nuk eci me atë shpejtësi që kërkonte koha. Përplasjet e brendshme filluan të përçanin anëtarët e Këshillit të Lartë Kishtar. Përfaqësuesi laik i Mitropolisë së Durrësit në Këshillin e Lartë Kishtar, Simon Shuteriqi me anën e një telegrami i kërkoi pleqësive kishtare të zgjidhnin një zëvendësmitropolit tjetër në vendin e Visar Xhuvanit(22). Pleqësitë zgjodhën atë Dhimitër Dhimitrukën(23). Në muajin nëntor 1922 Xhuvani shkoi në Korçë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Lartë Kishtar, por atë Vasil Marku nuk e pranoi me pretendimin se qe i shkarkuar. Visar Xhuvani e kundërshtoi, duke ia bërë të qartë se asnjë anëtar i këshillit nuk do të zgjidhej nëse pyeteshin pleqësitë kishtare. Zgjedhja e tij ishte bërë nga delegatët e Kongresit të Beratit. Nuk vonoi shumë dhe kryepleqtë e fshatrave të Shpatit kërkuan riemërimin e arkimandrit Visar Xhuvanit si zëvendësmitropolit i Durrësit(24). Edhe pleqësia kishtare e lagjes Shën Koll të Elbasanit e mbështeti fuqishën Visarin. Gjithashtu edhe 100 besimtarë nga Lagjja Kala e Elbasanit, e mbështetën Xhuvanin. Ndër ta kishte emra të njohur si: Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Taja, Jeftimi Buda, Jan Nosi etj(25). Në këtë situatë Këshilli i Lartë Kishtar vendosi të mos pranonte asnjë anëtar klerik nga Mitropolia e Durrësit derisa të zgjidhej mosmarrëveshja. Kështu prej 26 dhjetorit 1922 deri më 1 janar 1924 Mitropolia e Durrësit mbeti pa zëvendësmitropolit.
Në Mitropolinë e Drinopojës, Këshilli i Lartë Kishtar pati emëruar atë Pano Gjirokastrën si zëvendësmitropolit. Zgjedhja e tij solli grindje pas një takimi që pati me Komisionin Hetimor të Lidhjes së Kombeve. Atë Pano Gjirokastra qe shprehur se meshimi në gjuhën shqipe(26) do të ishte i detyruar për të krishterët shqipfolës. Inspektori i administratës, Vasil Dilo në emër të ortodoksëve të qytetit kërkoi zëvendësimin e tij. Prania e atë Pano Gjirokastrës sillte përçarje me grekomanët e fshatrave përreth Gjirokastrës, prandaj vetëm pak kohë pas emërimit atë e shkarkuan.
Në vendin e tij u zgjodh atë Thanas Nikolla(27).
Patriarkana Ekumenike e informuar për zhvillimet që po ndodhnin në Shqipëri, më 11 shtator 1922 vendosi krijimin e një komisioni që do të shqyrtonte çështjen shqiptare. Në përbërje të komisionit qenë katër ish-mitropolitët e dioqezave shqiptare, ndërsa kryetar u zgjodh Mitropoliti i Rodhit. Një nga anëtarët e komisionit, Joakim Martiniani(28) vuri në dijeni anëtarin e Këshillit të Lartë të Shtetit, Sotir Pecin. Ish-mitopoliti i Beratit, Joakimi rendi në zyrën e Konsullatës Shqiptare, në Stamboll dhe njoftoi konsullin Nezir Leskovikun se komisioni kërkonte dërgimin e një përfaqësie nga ortodoksët e Shqipërisë. Gjithashtu, e bëri me dije se Patriarkana Ekuemnike kishte vendosur të dërgonte Mitropolitin e Meletit, Jerotheun(29) si eksark patriarkal në Shqipëri. Jerotheu mbërriti në Korçë më 30 nëntor 1922, ku u takua me anëtarët e Këshillit të Lartë Kishtar dhe deputetët ortodoksë që kishin dalë për ta pritur. Më 2 dhjetor 1922 Jerotheu meshoi në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Në fjalën e tij tha se ishte i dërguar nga patriku Meleti IV për çështjen e autoqefalësë së kishës shqiptare. Jerotheu i dërgoi Patriarkanës Ekumenike raportin përkatës dhe i kërkoi dërgimin e një delegacioni nga kisha shqiptare për t`u sqaruar(30). Delegacioni u nis në maj të vitit 1923 dhe kryesohej nga Kryetari i Këshillit të Lartë atë Vasil Marku, i cili i paraqiti Patriarkanës Ekumenike vendimet e Kongresit të Beratit, si dhe u parashtroi dëshirën e shtetit shqiptar për krijimin e një kishe autoqefale, sikundër qe vepruar në Greqi, Serbi dhe Rumani. Në këtë pikë Patriku Ekumenik, Meleti IV kundërshtoi njësimin me shtetet e tjera, pasi Shqipëria nuk kishte shumicë të popullsisë ortodokse. Delegacioni u kthye në Shqipëri pa rënë dakort me autonominë e pjesshme që parashikonte Patriarkana, gjë që ishte në kundërshtim me vendimet e Kongresit të Beratit.
Për të fuqizuar kishën ortodokse me kandidatë për episkopë, Jerotheu më 15 dhjetor 1922 ngriti atë Vangjel Çamçen në rangun e arkimandritit. Ndërkohë, Patriku Meleti IV thirri Jerotheun në Stamboll, duke e njoftuar se misioni i tij në Shqipëri kishte mbaruar. Jerotheu u dëshpërua pa masë. Disa muaj pas kthimit të delegacionit në Shqipëri, më 17 gusht të vitit 1923 Mitropoliti i Sinadës, Kristofor Kisi (Fig.3) erdhi vullnetarisht për t`i shërbyer çështjes së kishës shqiptare. Patriarkana urdhëroi ndalimin e çdo lloj veprimtarie kishtare të Kisit. Mirëpo as Jerotheu dhe as Kisi nuk iu bindën urdhërit të Patriarkanës(31).
Në tetor 1923 Këshilli i Lartë Kishtar kishte emëruar Jerotheun, Mitropolit të Korçës dhe Kristofor Kisin, Mitropolit të Beratit. Në muajin nëntor 1923 u bë fronëzimi i tyre. Më 4 dhjetor 1923 Jerotheu dhe Kristofori dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin (Fig.4) në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Shërbesa u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, Pandeli Evangjeli, kryebashkiakut Vasil Avrami, si dhe të mjaft personaliteteve të tjerë. Pas dorëzimit në gradën episkopale, Theofan Noli do të fronëzohej në fillim të janarit 1924. Vetëm Mitropolia e Gjirokastrës mbetej pa episkop.
Këshilli i Lartë Kishtar në vitet 1923-1925 përbëhej nga: Atë Vasil Marku, Kryetar; Anëtarët klerikë: Mitropoliti i Durrësit, Hirësi Theofan Noli; Mitropoliti i Korçës, Hirësi Jerothe Jaho; Mitropoliti i Beratit, Hirësi Kristofor Kisi; Zëvendësmitropoliti i Gjirokastrës, Atë Thanas Nikolla. Anëtarët laikë: për Durrësin, Simon Shuteriqi; për Korçën Dhosi Havjari; për Beratin, Tol Arapi dhe për Gjirokastrën, Stathi Kondi(32).
Menjëherë pas dorëzimit, Imzot Theofani mori në dorë drejtimin e lëvizjes kishtare shqiptare. Tashmë tre mitropolitët e kishës shqiptare i dërguan Patriarkanës Ekumenike vendimin për krijimin e sinodit me pjesëmarrjen e Theofan Nolit, Mitropolit të Durrësit; Hirësi Kristoforit, Mitropolit i Beratit dhe Hirësi Jerotheut, Mitropolit i Korçës. Qenë plotësuar kushtet për dorëzimin e mitropolitit të katër, që ishte Arkimandrit Vangjel Çamçe, i cili do të dorëzohej Mitropilit i Gjirokastrës, duke formuar Sinodin e Shenjtë me pjesëmarrjen e katër mitropolitëve: Theofanit, Jerotheut, Kristoforit dhe Vangjelit. Ndërkohë me trazirat e vitit 1924, Imzot Theofani u detyrua të largohej nga Shqipëria(33), vetëm pak ditë përpara se të fronëzohej Kryeepiskop. Kjo ishte brenga më e madhe e Nolit.
2) - Noli nuk mori pjesë në Kongresin e Beratit, që të mos kishte përplasje midis rrymave kishtare. Qëllimi i kongresit ishte që të bindte Patriarkanën Ekumenike të pranonte një përfaqësi nga kisha shqiptare për të diskutuar për çështjen e dhënies së autoqefalisë. Prandaj në marrëveshje me qeverinë Noli qëndroi i mënjanuar, sepse pjesëmarrja e një episkopi të vetëshpallur do të ngjallte reagimin e Patriarkanës Ekumenike. Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 115.
3) - Dy rrymat midis delegatëve të kongresit qenë: 1-Fanolistët, që përfaqësoheshin nga delegatët e Mitropolisë së Korçës atë Josif Qirici, Dhosi Havjari, atë Jorgji, Anastas Çekrezi, Oshënar Sofroni, Dhimitri Ndini, atë Vangjel Çamçe, Thomo Prifti, Stathi Kondi, Vasil Zoto, Vasil Marku etj. 2- Përkrahësit e Visar Xhuvanit qenë: Gjergj Manushi, Kostë Paftali, Leonidha Nishku, Rist Gjybabiç, Gjok Nikolliç etj. Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 118.
4) - Në telegram shkruhej: “I nënshkruemi tue marrë parasysh përçamjen dhe mosmarrëveshjet që po vazhdojnë ndërmjet vëllezënve shqiptarë ortodoksë mbi çashtje që i përkasin kishës ortodokse, me që kjo gjendje po damton jo vetëm çashtjen fetare ortodokse por damton rreptësisht edhe shtetin tonë shqiptar si dhe kombin, po marr leje me i propozue vëllezënve shqiptarë që të formohet sa ma parë nji kongres për me shërue këtë plagë të hapun dhe në mbrojtje të dinjitetit si komb e si fe”. Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 647, Dosja nr. 206, fl. 1-2.
5) - Delegatët qenë sipas rretheve: Korça - Ikonom Papa Josifin dhe Dhori Havjarin. Pogradeci - Atë Vasil Marku dhe Thanas P. Kërxhallin. Bilishti - Atë Josifin dhe Anastas Çekrezin. Kolonja – Oshënar Sofronin dhe Dhimitër P. Ninin. Leskoviku – Atë Vangjel Çamçen dhe Thanas Priftin. Berati – Perikli Konën dhe Dhimitër Tutulanin. Fieri – Loni Xhoxhën dhe Dhimitër Qilicën. Durrësi – Arkimandrit Visar Xhuvanin dhe Gjergji Manushin. Përmeti – Dr. Kondin dhe Vasil Kotën. Vlora – Tol Arapin dhe Jani Seranin. Lushnja – Tun Gjergjin dhe Llazar Bozon. Kavaja – Pal Xhumarin dhe Andrea Ikonomin. Tirana – Papa Simonin dhe Mark Hobdarin. Elbasani – Vasil Llapushin (Fig.6) dhe Simon Shuteriqin. Shpati – Taq Budën dhe Dhimitër Papariston. Dibra – Leonidha Nishkun dhe Kostë Paftalin. Libohova – Spiro Katin. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 7-8; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 57; Visarion Xhuvani, në kishë, në parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 56; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Si nisi lëvizja për shqiptarizimin e kishës ortodokse autoqefale, Tema, 10-11 prill 2005, faqe 9; Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016; faqe 119; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 187; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 85-86; Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 22; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 47.
6) - Kaliopi Naska, Kongresi themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale në Berat, në 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e shkencave, Tiranë 1993, faqe 14-15.
7) - Fletore Zyrtare, Nr. 49, datë 26.10.1922; Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 7; Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 22-23; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 47-48.
8) - Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Dhori Koti, Korçë 1923; Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 8-10; Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 57-59; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 58-60; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Si nisi lëvizja për shqiptarizimin e kishës ortodokse autoqefale, Tema, 10-11 prill 2005, faqe 9; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Si betoheshin episkopët e kishës ortodokse shqiptare, Tema, 12 prill 2005, faqe 9; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 184-186; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 87-90.
9) - Paqesoret janë lutje, të cilat fillojnë me fjalët “me paqe” ose “për paqen”. Quhen paqesore, sepse nëpërmjet tyre kërkojmë paqen e Perëndisë. Me anën e paqesoreve lutemi për shpëtimin e shpirtrave, për qëndrimin e mirë të kishave të Perëndisë dhe për bashkimin e të gjithëve, për ata që hyjnë në kishë me shprestari dhe frikë Perëndie. Lutemi për peshkopët, priftërinjtë, dhiakonët dhe për gjithë popullin, për kombin, presidentin, qytetin dhe vendin, për begatinë e pemëve, për udhëtarët, për të sëmurët, vuajtësit dhe robërit. Dhiaku: Me paqe le t’i lutemi Zotit. Dhiaku fton besmirët që t’i luten Zotit me paqe, qetësi dhe në heshtje. Besimtarët duhet të jenë të përkushtuar tek Perëndia dhe të ndjekin paqësisht lutjen e përbashkët. Andrea Llukani, Si kusari thërres, komenti i liturgjisë hyjnore të Joan Gojartit, Trifon Xhagjika, Tiranë 2010, faqe 8-9.
10) - Me Ungjill kuptojmë librin liturgjik të kishës, i cili përmban pjesë nga të katër librat e shenjtë atë të Matheut, Markut, Lukës dhe Joanit, të cilët flasin për jetën dhe mësimdhënien e Isu Krishtit. Pjesët ungjillore lëçiten gjatë Liturgjisë Hyjnore ose nëpër shërbesa të tjera të kishës. Ungjilli simbolizon Krishtin, prandaj vendoset mbi Tryezën e Shenjtë. Andrea Llukani, Si kusari thërres, komenti i liturgjisë hyjnore të Joan Gojartit, Trifon Xhagjika, Tiranë 2010, faqe 21-22.
11) - Apostulli përmban pjesë nga Veprat e Apostujve dhe letrat e Dhiatës së Re, për të dielat, të kremtet, ditët e zakonshme dhe për shërbesa të ndryshme. Kisha ka një seri të caktuar të këndimeve të Apostullit për çdo ditë të vitit, me përjashtim të ditëve të javës së Kreshmeve të Mëdha. Apostulli zakonisht lëçitet prej lexuesit (anagnostit) nga solea e kishës. Pas mbarimit të “Shenjt Perëndi ...” dhiaku del te Dera e Bukur. Lexuesi (anagnosti) thotë vargun e parë të Apostullit. Andrea Llukani, Si kusari thërres, komenti i liturgjisë hyjnore të Joan Gojartit, Trifon Xhagjika, Tiranë 2010, faqe 20-21.
12) - Në vitin 1908 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik "Shërbesat e Javës së Madhe", 103 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himne dhe lexime të Javës së Madhe dhe të Pashkëve.
13) - “Librë i shërbesave të Shënjta të Kishës Orthodoxe” është përkthyer prej të përndershmit At Theofan Nolit dhe është botuar në Boston Mass të Amerikës në vitin 1909. Libri përmban shërbesat e Mbrëmësores, Mëngjesores, Blata e Hyjshme, Mesha e Gojartit, Pagëzimi, Martesa, Rrëfimi, Prehja për të vdekurin, Bekimi i Vogël i Ujit, Hymne prej Lutjesores, dhe Zbritësoret e Motit. Në fund të librit gjendet një fjalor i termave të kishës, i cili jep shpjegimin e termave teologjikë shqip-greqisht. Libri përfundon me listën e ndihmëtarëve. Në parathënien e librit lexojmë: “Po u fal shqiptarëve Ortodoxë këtë librë e cila ësht’ e dyta, dhe pandeh që përdorja e saj do t’i siellë një shërbim vëndit tonë. I kam dhënë zotim kombit t’im t’u ap vëllezërve të mi bashkëfetarë librat më të nevojshme për të praktikuar faljen e tyre më gjuhën kombëtare, dhe zotimin t’im do t’a mbaroj ndofta brënda në pak kohë, në qoftë se Shqipëtarët janë gati të më ndihin, sikundër më ndihnë më të shtypurit e këtyre dy librave. Më të kthyer të kësaj libre u përpoqa të mos largohem nga texti gërqisht dhe besoj që u dhashë Shqipëtarëve një kthim exakt të lutjeve të kishës Orthodoxe...”. Kthenjësi. Librë e Shërbesave të shënta të Kishës Orthodoxe, kthyer nga gërqishtja prej priftit Orthdox Fan S. Noli, Boston Mass 1909; Mehmet Gëzhilli, Fan S. Noli, Argeta LMG, Tiranë 2003, faqe 20.
14) - Në vitin 1911 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik "Të kremtet e mëdha të Kishës Orthodhokse", 318 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himne dhe lexime të të kremteve kryesore.
15) - Në vitin 1913 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik "Triodi i vogël", 270 faqe, botuar nga qeveria rumune në Bukuresht dhe përmban himne dhe lexime të Kreshmëve të dhe Pashkëve.
16) - Në vitin 1914 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik "Lutësorja", 96 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himnet e së Dielës në tetë zëra, Kanunin e Vogël dhe Kanunin e Madh të Shën Mërisë. Në përkushtimin e librit lexojmë: "Motrës s'ime të dashur Shirma Noli, me lutje që të gjejë në qiell lumturinë që i mohoi kjo botë. Këtë vepër i detikoj".
17) - Në vitin 1914 Imzot Theofani përktheu librin liturgjik "Pesëdhjetore e vogël", 94 faqe, botuar nga Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë. Ky libër përmban himnet dhe leximet e të Dielave nga Pashkët deri te Rushajet dhe të Dielën e gjithë Shenjtorëve. Në përkushtimin e librit lexojmë: "Tim eti që më rriti e më mësoj, dhe që vdiq i lënduar se më pa prift, i detikoj këtë libër duke i lypur ndjesë". Fan Noli, Pesëdhjetore e Vogël, Boston, Mass 1914, faqe 3.
18) - Fanolistët propozuan emrin e atë Vangjel Çamçes për kryetar të Këshillit të Lartë Kishtar. Arkimandrit Visar Xhuvani ishte një kandidaturë tjetër e mundshme. Megjithatë qeveria dhe fanolistët u pajtuan me kandidaturën e atë Vasil Markut. Ky i fundit ishte prift i martuar dhe nuk mund të pretendonte për gradën episkopale. Kjo ishte edhe arsyeja që Visar Xhuvani pranoi që atë Vasil Marku të zgjidhej kryetar i Këshillit të Lartë Kishtar. Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 121.
19) - Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 11; Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 124; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 184.
20) - Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 10-11; Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 59-60; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 61-62; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 188- 189.
21) - Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Argeta LMG, Tiranë 2000, faqe 162.
22) - Në telegram është shkruar: Dhimogjerondisë, Zgjidhni antarin klerik, Zv Mitr. të Përgj. të Dioqezës së Durrësit tjetër në vend të Arqimandrit Vissar Xhuvanit. Simon Shuteriqi. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 12; Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 62; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 64.
23) - Në telegram është shkruar: Kryesisë së Kishës. Korçë. Në vend të Arqimandrit Vissar Xhuvanit kemi zgjedhur Papa Dhimitrukën anëtar Klerik të Këshillit të Lartë Kishtar si dhe për Zv. Mitrop. të Përgj. të Dioqezës së Durrësit. Dhimogjerondia. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 12; Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 62; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 64.
24) - Pamë në gazetën “Post’ e Korçës” që shkruente se Elbasani ka protestuemun zgjedhjen e Arkimandrit Xhuvanit si zavendës i Përgjithshëm të Mitropolitit të Durrësit. Kjo nuk asht e drejtë se Dhimogjerondia e lagjes Kala nuk përfaqëson edhe lagjen e Shinkollit e Krahinën e Shpatit, të cilat pas vendimit të Kongresit Kishtar të Beratit në nyjën 4 të statutit pranojnë si zavendës të përgjithshëm të Mitropolisë së Durrësit Arqimandrit Xhuvanin. Vijojnë firmat e kryepleqve.
25) - Pamë në gazetën “Post’ e Korçës” se populli Orthodhoks i Elbasanit ka protestuemun zgjedhjen e Hirsisë së Tij Vissar Xhuvanit për zavendës të përgjithshëm të Mitropolitit të Durrësit që e zgjodhi Kongresi Kishtar i Beratit. Ky protestim nuk asht i vërtetë dhe ne të nënshkruemit populli Orthodhoks i lagjes Kala t’Elbasanit qëndrojmë në vendimin e Kongresit të Beratit dhe njofim për zavendës të përgjithshëm Mitropoliti të Mitropolisë sonë të Durrësit Hirsinë e Tij Arkimandrit Vissar Xhuvanin dhe as ndonji pleqësi (Dhimogjerondi) etj, nuk njofim kompetent për me veprue kundra këtij emnimi të Arkimandritit të përmendun dhe këtë kemi vendosë edhe më 1919; dhe vazhdimi në detyrën e sipërme të Arkimandritit V. Xhuvani asht dëshira jonë. Vijojnë firmat.
26) - Alqi Jani, Papapano Gjirokastra-figurë e shquar e kishës shqiptare, në 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e shkencave, Tiranë 1993, faqe 88-92.
27) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 123-124.
28) - Joakim Martiniani ka lindur në Voskopojë, më 1875. Studimet e larta i ndoqi në shkollën teologjike të Halkit. Në vitin 1903 u dorëzua dhjak në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, nga Patriku Ekumenik Joakimi III. Më 4 korrik të vitit 1911 Joakim Martiniani u zgjodh mitropolit i Beratit, ndërsa ceremonia e fronëzimit u celebrua më 10 korrik 1911. Sapo mbërriti në Berat, mitropoliti Joakim ngriti një shkollë hierartike në manastirin e Ardenicës. Në Vlorë ngriti shtypshkronjën, ku botonte një gazetë të përjavshme. Mitropoliti Joakim iventarizoi pasuritë e paluajtshme të manastireve. Me interesimin e tij u restaurua manastiri i Zvërnecit. Gjithashtu ndërtoi një bibliotekë të pasur në mitropolinë e Beratit, e cila u dogj më 14 shtator të vitit 1913. Në vitin 1920 vajti në Korfuz dhe nuk e jeluan të kthehej në mitropolinë e tij. Dr. Dion Tushi, Joakim Martiniani, Kërkim, Nr. 6, Tiranë 2010, faqe 59-62.
29) - Jerotheu (+1956) ka lindur në fshatin Çarshovë të Përmetit. I ati quhej Andon Jaho dhe e ëma Kostandina. Janaqi vitet e fëmijërisë i kaloi në vendlindje. Në moshën e rinisë vajti tek i ati në Stamboll për të ndjekur studimet e larta në Shkollën Teologjike të Halkit, të cilat i përfundoi në vitin 1907. Tema me të cilën mbrojti diplomën ishte: “Hirotonia dhe zgjedhja kanonike e Fotit”. Pas përfundimit të studimeve përqafon jetën monakale dhe ushtrohet në Skitin e Shën Anës duke marrë emrin Jerothe. Vite më vonë e gjejmë Kryefamulltar në Kalqedoni të Stambollit. Duke ngjitur njëra pas tjetrës shkallët e hierarkisë kishtare arriti që më 12 janar të vitit 1914 të hirotoniset Episkop i Melitopojës. Pas Kongresit të Beratit, Patriarkana Ekumenike vendosi të dërgonte Mitropolitin e Melitopojës, Jerotheun si eksark patriarkal, i cili mbërriti në Korçë më 27 nëntor 1922. Hirësia e Tij Jerotheu i dërgoi Patriarkanës Ekumenike raportin përkatës më 8 dhjetor 1922 duke i kërkuar që të dërgonte në Shqipëri Mitropolitin e Sinadonit Kristofor Kisin. Me ardhjen e këtij të fundit, më 4 dhjetor 1923 Jerotheu dhe Kristofori dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Imzot Jerotheu u zgjodh Mitropolit i Beratit. Me interesimin e Imzot Jerotheut u botua Revista “Zëri i Orthodhoksisë”. Kjo revistë u botua në qytetin e Korçës ndërmjet viteve 1924- 1925. Kjo ishte edhe revista e parë e Kishës Orthodhokse. Dhimitër Beduli, Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit, Ngjallja, tetor 1996, faqe 10; Ilia Spiro Vasili, Si e gjeta Episkopin Jerotheos, Ngjallja, gusht 1996, faqe 9; Ilia Spiro Vasili, Jeta dhe veprimtaria e dhespotit Jerotheos, Ngjallja, maj 2003, faqe 9,10; Kristofor Beduli, Revista Zëri i Orthodhoksisë, Ngjallja, qershor 2002, faqe 4; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 133-134.
30) - Në letrën që i dërgoi Kryetarit të Këshillit të Lartë, eksarku patriarkal Jerotheu ka shkruar: Fort i përndershëm! Duke bekuar vendimet dhe statutin e Kongresit Kishtar që u mblodh në Berat në shtator të vitit 1922, sipas qarkores së imët që bëri kleri dhe populli ortodoks i Shqipërisë, si Eksark Patriarkal që jam i them dhe e shtyj Atërisht Këshillin Kishtar të Përzier, që ndodhet në veprim dhe punon si e do puna me goditje, i them pra këtij Këshilli të shkojë me çapa të fortë e të sinqertë udhës që ka hapur Kongresi i Beratit me anën e Statutit, i cili u vërtetua plotësisht nga Qeveria e Ndershme Shqiptare. Urime të dala nga thellësia e zemrës së Patrikut Ekumenik për forcimin dhe përparimin e Qeverisë Shqiptare dhe të Kishës Ortodokse të Shqipërisë u shfaqën dhe po shfaqen me anën time zyrtarisht si Eksark Patriarkal që jam dhe kam besim të patronditur se në kohën që e do puna Kisha e Madhe e Krishtit ka për ta njohur edhe Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila sapo u lind duke e siguruar këtë plotësisht sipas zakonit me anë të Tomit Kishtar sikundër urdhërojnë Kanonet e Shenjta. Korçë 19.12.1922. Urimtar i flaktë me Krishtin ndaj Perëndisë. Eksarku Patriarkal Jerotheu, i Melitopojës. Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 141, Dosja nr. 438, viti 1922.
31) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 131-138.
32) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 139.
33) - Fan S. Noli, Vepra II, Zgjedhur dhe përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, Dudaj, Tiranë 2003, faqe 350; Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë, 1992, faqe 25; Dhimitër Beduli, Kishë dhe kulturë, Instituti i dialogut dhe komunikimit, Tiranë 2006, faqe 49; Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Argeta LMG, Tiranë 2000, faqe 164.
DORËZIMI I VISARIONIT NË GRADËN EPISKOPALE
Më 24 mars 1925 Ministria e Brendshme i kërkoi Këshillit të Lartë Kishtar, që në vendin e Theofan Nolit të emërohej arkimandrit Visar Xhuvani. Besimtarët e Elbasanit(34), Pogradecit(35) dhe të Tiranës(36), kërkonin emërimin e Visarit. Këshilli i Lartë Kishtar duke marrë parasysh kërkesën e tyre më 28 mars 1925 e emëroi arkimandrit Visar Xhuvanin zëvendësmitropolit të Durrësit, Gorës dhe Shpatit. Me emërimin e Visar Xhuvanit, Këshilli i Lartë Kishtar në vitet 1925-1925 përbëhej: Kryetar: Atë Vasil Marku; Anëtarë Klerikë: Zëvendësmitropolit i Durrësit, arkimandrit Visar Xhuvani; atë Vangjel Çamçe, Mitropolit i Korçës, Hirësi Jerotheu; Mitropolit i Beratit, Hirësi Kristofori; Zëvendësmitropolit i Gjirokastrës, atë Thanas Nikolla. Anëtarë laikë: Simon Shuteriqi për Durrësin; Vasil Rusi; Dhosi Havjari për Korçën; Tol Arapi për Beratin dhe Stathi Kondi për Gjirokastrën37.
Në prill 1925 Visar Xhuvani iu drejtua dy episkopëve Jerotheut dhe Kisit, nëse ata qenë të gatshëm ta dorëzonin në gradën episkopale. Përgjigja e Jerotheut ishte se nuk mund të dorëzonte asnjë episkop pa lejen e Patriarkanës Ekumenike, ndërsa Kristofori pranoi me kushtin që të gjendej një episkop kanonik, për kryerjen e dorëzimit. Në këto kushte Visar Xhuvani më 3 maj 1925, duke marrë bekimin e patrikut të Serbisë, Dhimitrit u dorëzua në gradën episkopale në Manastirin e Savinës në Kotorr prej dy episkopëve rusë; Ermogenit të Ekaterinosllavit dhe Mihailit të Aleksandrovskit.
Dorëzimi i Visarionit në gradën episkopale solli pështjellime në kishë, sepse nuk ishte emëruar nga Këshilli i Lartë Kishtar, kryetari i të cilit Atë Vasil Marku nuk e njohu dorëzimin. Madje, ai njoftoi ministrin e Drejtësisë, Petro Poga, se dorëzimi ishte i paligjshëm. Atë Vasil Marku kërkoi ndalimin e Xhuvanit nga shërbesat fetare. Më 16 maj 1925 erdhi përgjigja nga ministri Poga, i cili theksonte se Xhuvani nuk duhej të lejohej të meshonte si episkop. Në këto kushte Këshilli i Lartë Kishtar emëroi anëtari laik të Këshillit të Lartë Kishtar Vasil Rusi si zëvendësmitropolit të Durrësit. Më 19 qershor 1925 Pleqësia Kishtare e Elbasanit38 kërkoi emërimin e Visarionit, Mitropolit të Durrësit.
34) - Sot më 8 Mars 1925 u mblodh Dhimogjerondija nën Kryesinë e Zavendës Mitropolitit Ikonom At Dhimitrukës, dhe pasi bisedoi gjatë e gjanë, vendosi me zana të përbashkëta, sa vijon: Tue marrë parasysh dëshirën e nevojat fetare të popullit të qytetit e të rrethit t’Elbasanit, të çfaqun edhe dy herë ma parë me vendime të posaçme, bamun në muejt Shtatuer e Nanduer të vitit 1919, si dhe propozimin e bamun në Kongresin Orthodhoks të Beratit, ashtu edhe cilsinat e duhuna të Hirsisë së Tij Arkimandrit Dr. Vissar Xhuvanit, të kërkohet prej Këshillit të Naltë Kishtar dorzimi i Tij sa ma shpejt si Episkop për Episkopatën Tonë. Për me i mbërri këtij qëllimi, t’i njoftohet ky vendim Dhimogjerondinavet të qytetevet tjera t’Episkopatës me lutje që ta përkrahin këtë inisiativë, tue i u drejtue edhe ato Këshillit të Naltë Kishtar në Korçë. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 21.
35) - Tue marrë parasysh dëshirën e nevojat fetare të popullit të qytetit tonë dhe të rrethit të Pogradecit dhe tue marrë parasysh cilësinat e duhuna të Hirsisë së Tij Arqimandrit Dr. Vissar Xhuvanit, të kërkohet prej Këshillit të Naltë Kishtar dorzimi i Tij sa ma shpejt si Episkop i Episkopatës sonë. Për me i a mbërri këti qëllimi t’i njoftohet ky vendim Dhimogjerondinavet të qyteteve të tjera t’ Episkopatës me lutje që ta përkrahin këtë inisiativë, tue i-u drejtue së bashku Këshillit të Naltë Kishtar në Korçë. Pogradec 14-III-925. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 21-22.
36) -Sot më 19-III-925 të nënshkruemit me dëshirë vllaznore si pas vendimit t’Elbasanit D. 8-III-925 dhe Pogradecit d. 14-III-925 vendosën sa vijon: Tue marrë parasysh nevojat fetare të qytetit tonë Tiranës dhe tue marrë parasysh cilsinat e duhuna të Hirësisë së Tij Arqimandritit Dr. Vissar Xhuvanit, të kërkohet prej Këshillit të Naltë Kishtar dorzimi i Tij sa ma shpejt si Episkop t’Episkopatës sonë. Për me ai mri këti qëllimi ti njoftohet ky vendim qyteteve të tjera të Episkopatës me lutje që ta përkrahin këtë inisiativë, tue iu drejtue edhe këshillit të Naltë Kishtar në Korçë për këtë punë. Parësia dhe populli i Tiranës. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 19-20.
37) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 157.
38) - Sot më 19 Qershor 1925, u mblodh Dhimogjerondija e Elbasanit dhe mbasi bisedoi mbi bazë të vendimevet të saj, dhanun ma parë, si dhe tue marrun para sysh dëshirën e gjithë popullit të qytetit e të qarkut bashkë me atë të krahinës së Shpatit, vendosi me zana të përbashkëta, që të kërkojë nga kryesia e Kishës, njohjen e Hirsisë së Tij Episkop Vissarion Xhuvanit si Episkop dhe emnimin e Tij për Mitropolit t’Episkopatës sonë. Dhe për këtë qëllim vendosi që n’emnin e kësaj Dhimogjerondije, t’i drejtohet Kryesisë së Kishës kjo lutje telegrafike: “Të shtyemun nga dëshira e gjithë popullit Orthodhoks të qytetit e të qarkut së bashku me krahinën e Shpatit, i paraqisim rishtazi Qendrës sonë Shpirtnore lutjen për me pranue në gji të Kishës së Shenjtë Episkopin Vissarion Xhuvani, tue e emnue Mitropolit t’Episkopatës së Durrsit”. Elbasan më 19 Qershuer 1925. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 31.
PROTOKOLLI I TIRANËS
Në vitin 1926 Patriarkana Ekumenike, me ndërmjetësinë e qeverisë greke dërgoi në Shqipëri Mitropolitin e Trapezuntës Krisanthin si eksark patriarkal, që të bisedonte për çështjen e autoqefalisë. Patriku Ekumenik Vasili, më 13 prill 1926 i shkroi një letër Ahmet Zogut, ku theksonte përkujdesjen atërore patriarkale ndaj ortodoksëve shqiptarë. Krisanthi mbërriti në Tiranë në fillimmaji të vitit 1926. Këshilli i Ministrave ngriti një komision të posaçëm për të biseduar me Krisanthin. Në përbërje të komisionit qenë: Kreu i Senatit, Pandeli Evangjeli, Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Koço Kota, senatorët Pilo Papa, Andon Beça, deputetët Mihal Kaso, Vasil Rusi, Dr. Simonidhi dhe Vasil Bamiha. Bisedimet nisën më 24 maj 1926 dhe zgjatën 40 ditë. Më 6 qershor 1926, komisioni i deputetëve dhe senatorëve dhe Mitropoliti i Trapezuntës, Krisanthi nënshkruan marrëveshjen përfundimtare, që u quajt Protokolli i Tiranës(39). Marrëveshja përcaktonte krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Protokolli i Tiranës kishte tetë nene si edhe një shtojcë. Neni i parë përcaktonte se Kisha Ortodokse Shqiptare do të përbëhej nga pesë mitropoli, të cilat qenë: e Tiranës, e Korçës, e Gjirokastrës, e Beratit dhe e Durrësit. Neni i dytë theksonte se: Mitropoliti i Tiranës, do të ishte Kryeepiskopi i Kishës Ortodokse Shqiptare dhe njëkohësisht Kryetar i Sinodit të Shenjtë. Neni tre përcaktonte se në mitropolitë e paplotësuara me mitropolitë komisioni i posaçëm ortodoks do të propozonte tre emra, të cilët do të emëroheshin nga Patriku Ekumenik. Neni i katërt theksonte për bashkësitë ortodokse se do të përdorej gjuha amtare, që ishte shqipja. Protokolli i Tiranës theksonte gjithashtu, se të drejtat e pakicës etnike greke do të përmbusheshin nga Shpallja për Mbrojtjen e Pakicave, që qe dorëzuar në Lidhjen e Kombeve. Neni i shtatë përcaktonte se Shqipëria do të dëmshpërblente Patriarkanën Ekumenike për manastiret stavropigjike(40), të cilat kalonin në varësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Neni i tetë theksonte se Patriarkana Ekemenike do të bekonte autoqefalinë e kishës, duke dorëzuar Tomosin përkatës. Shtojca e Protokollit të Tiranës bënte fjalë për tre emrat e propozuar në tre mitropolitë vakante për të formuar Sinodin e Shenjtë(41). Krisanthi ia kishte bërë të ditur qeverisë shqiptare se Tomosi do ti dorrëzohej në Lidhjen e Kombeve. Gjithashtu si parakusht qe shfuqizimi i Statutit të miratuar në Kongresin e Beratit dhe i Këshillit të Lartë Kishtar. Heqja nga detyra e Mitropolitit të Durrësit, Theofan Nolit etj. Krisanthi ishte takuar edhe me Visarion Xhuvanin në Tiranë. Në bisetë me të Visarioni kishte pranuar se kishte shkelur kanonet, por jo deri në atë shkallë sa vetëshpallja e Nolit. Mitropoliti i Trapezuntës, Krisanthi u largua nga Shqipëria më 17 qershor 1926. Gjatë kohës së bisedimeve Visarion Xhuvani botoi dy vëllimet e librit "Çashtje politiko-religjoze Kostandinopoli-Tiranë". Në vëllimin e parë(42) argumentonte përse Kisha në Shqipëri duhej të ishte kombëtare, ndërsa në vëllimin e dytë(43) sqaronte përse Kisha Shqiptare duhet të ishte autoqefale. Visarion Xhuvani(44) në atë kohë ka shkruar për gjendjen e mjeruar të Kishës Ortodokse Shqiptare. Më 19 maj 1927 Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike kishte vendosur për dhënien e Autoqefalisë së Kishës Shqiptare, sipas protokollit të Tiranës. Patriku Ekumenik, Vasili sqaronte se ishte e rëndësishme të ruhej fryma e nenit të pestë të Protokollit, që siguronte pavarësinë e plotë të Kishës Ortodokse Shqiptare. Pranimi i marrëveshjes do të shoqërohej me dorëzimin e pesë mitropolitëve. Pas kësaj një përfaqësi do të dërgohej në Stamboll për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Tomosit. Ndërkohë që komisioni i posaçëm ortodoks falënderoi Patriarkanën Ekumenike për pranimin e Protokollit të Tiranës, i cili i jepte zgjidhje çështjes kishtare. Mitropoliti i Trapezuntës, Krisanthi i dërgoi një letër Patrikut Ekumenik, Vasilit, ku i thoshte që ta zvarriste çështjen. Në këto rrethana, qeveria shqiptare kishte vetëm dy zgjidhje. E para ishte të priste kërkesat e reja që do të paraqiste Krisanthi, të cilat do të shqyrtoheshin nga komisioni i posaçëm, do të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave dhe më pas do ti përcilleshin Patriarkanës Ekumenike për miratim. Ndërsa zgjidhja e dytë ishte krijimi i Sinodit të Shenjtë, duke e vënë Patriarkanën Ekumenike para një fakti të kryer(45).
39) - Fatmira Rama, Sinodi i parë shqiptar dhe Kongresi i dytë panortodoks i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare, 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1993, faqe 62.
40) - Manastiret që administroheshin direkt nga Patriku i Kostandinopojës dhe gëzonin statusin e manastirit stavropigjik në Shqipëri qenë: manastiri i Cepos, manastiri i Kamenës, manastiri i Spilesë në Saraqinisht, manastiri i Prodhromit në Voskopojë dhe manastiri i Drianos në Zervat të Dropullit. Andrea Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, (Monografi), Trifon Xhagjika, Tiranë 2019.
41) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 170-171.
42) - Visarion Xhuvani, Çashtje politiko-religjoze Kostandinopoli-Tiranë, Pjesa I, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926.
43) - Visarion Xhuvani, Çashtje politiko-religjoze Kostandinopoli-Tiranë, Pjesa II, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926.
44) - Xhuvani në broshurën Kujtim vepre dhe intrige duke përshkruar gjendjen e kishës ka shkruar: 1) Shumica e Priftnavet t’Episkopatës së Gjinokastrës në Shqipni meshtojnë në Kishë n’emën të ish Mitropolitit të Gjinokastrës Vasilit, që Kongresi Kishtar i Beratit e ka rrëzue zyrtarisht si antishqiptar. Këtë përmendin për kryefetar rrethi i katundevet të Prefekturës së Gjinokastrës edhe sot. 2) Në Episkopatën e Beratit-Vlonë, Episkopi Em. Kristofori përmend (kujton) në meshë rregullisht Patrikun e Kostandinopojës edhe çdo Episkop t’Orthodhoksëvet deri sot. 3) Në Episkopatën e Korçës-Përmet, Episkopi Emz. Ierotheu meshton gjithashtu si i sipërmi në emën të Patrikut të Kostandinopojës, dhe vetëm në emën të Tij. 4) Në Episkopatën e Durrsit-Tiranë-Elbasan kleri meshton në emën të çdo Episkopie Orthodhokse (që do me thanë në emën të nji kishe indipendente po pa Episkop kryetar dhe pa Episkop të kësaj Episkopate, të Durrsit). 5) Në Shkodër kleri meshton në emën të Patriarhut të Serbisë. 6) Në qytetin Korçë mbrenda At Vasil Markoja, nji Prift që asht Kryetar i Kishës Orthodhokse Kombëtare Autoqefale të Shqipnisë (d.m.th. ka gradën e Patrikut, përveç titullit), dhe ky, kur meshton atje përmend edhe Episkop Ierotheun, i cili si thamë meshton në emën të Patrikut të Kostandinopojës. 7) Imz. Ierotheu dhe Imz. Kristofori a) erdhën në Shqipni, b) morën Episkopata të cilave Episkopë ishin të tjerë sipas pikpamjes kanonike të Patriarhisë së Kostandinopojës, - dhe c) dorzuen Episkop Fan Nolin, pa lejen e patriarhisë, kishës, nga e cila kur erdhën këtu urdhënoheshin, dhe nën juridiksionin e së cilës ishin kur erdhën këtu, si edhe sot prej Patriarhisë së Kostandinopojës njifen për Episkopë të asaj kishe. Por ajo Patriarhi nuk bani asnji veprim kundra tyne tash 5 vjet, sa do që Eksarhu, delegati Patriarhal Imz. Krisanthi, kto ditë në Shqipni tha se Patriarhia Imz. Ierothenë dhe Kristoforin i njef për Episkopë që vepruen në Shqipni kundra rregullavet dhe kanonevet Ierarhike disiplinore. 8) Statuti i Kishës dhe vendimet themeltare të Kongresit Kishtar të Beratit, si u spjegue në kët libër, u shkelën keq, sidomos nyji i 10-të që i përket gjuhës shqipe në Meshë. 9) Vendimi i Kongresit Kishtar të Beratit për zv. Mitropolit të Gjinokastrës dhe antar klerik në Këshillin e N.K. të asaj dioqeze u shkel prej Këshillit të Naltë Kishtar. 10) Vendimi i Kongresit K. të Beratit që na emnonte ne provizorisht Zv. Mitropolit të përgjithshëm të dioqezës së Durrsit dhe pasandaj për Mitropolit definitiv, si u spjegue në kët libërzë, u shkel. 11) Mbasi Imz. Ierotheu, Imz. Kristofori dhe Këshilli i Naltë Kishtar e lanë Kishën 4 vjet pa Sinodh Episkopal pse nuk donin të dorzonin nji Episkop të katërt që të mos formohet kështu Sinodhi Episkopal Shqiptar. Visarion Xhuvani, Kujtim vepre dhe intrige, shtypshkronja Tirana, Tiranë 1926, faqe 22-23.
45) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 182-186.
KRIJIMI I SINODIT TË SHENJTË
Që të sanksionohej plotësisht autoqefalia e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nevojitej të krijohej një sinod, i cili do të udhëhiqte kishën. Por, që të formohej Sinodi i Shenjtë nevojiteshin të paktën katër episkopë, ndërsa në Shqipëri në atë kohë kishte mbetur vetëm një episkop, që ishte Visarioni. Atë Vasil Marku, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë Kishtar, e emëroi zyrtarisht Visarionin, Mitropolit të Durrësit dhe Tiranës. Gjithashtu e ngarkoi me detyrën që të shkonte në Beograd për të kërkuar ndihmë për zgjidhjen e çështjes së Sinodit të Shenjtë. Për të dorëzuar episkopët e tjerë nevojiteshin të ishin të paktën dy mitropolitë, prandaj Visarioni vajti në Shkodër, ku kërkoi ndihmën e mitropolitit serb, Imzot Viktorit. Kështu më 12, 13 dhe 17 shkurt të vitit 1929 në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë u bë dorëzimi i episkopëve nga Imzot Visarini dhe Imzot Viktori. Kryeministri Koço Kota, kur mësoi se Visarioni ja kishte dalë mbanë i telefonoi sekretarit të tij, Dr. Zoi Xoxa dhe i kërkoi që ta shoqëronte për të shkuar në kishë(46).
Në meshën e datës 12 shkurt 1929 në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, Hirësi Visarioni me Hirësi Viktorin dorëzuan në gradën episkopale arkimandrit Vangjel Çamçen, i cili pas dorëzimit mori emrin Agathangjel. Në ceremoninë e dorëzimit merrnin pjesë Kryeministri Koço Kota, deputetë, përfaqësuesi i Mbretit, kolonel Sereqi etj. Visarion Xhuvani foli për vullnetin e Mbretit dhe qeverisë për zgjidhjen e çështjes së Sinodit të Shenjtë. Hirësi Agathangjeli në fjalën e tij, vlerësoi vullnetin e Mbretit dhe të Kryeministrit dhe u zotua që do të plotësonte detyrat e ngarkuara. Më 13 shkurt 1929 Imzot Vizarioni, Imzot Viktori dhe Imzot Agathangjeli dorëzuan në gradën episkopale atë Efthim Konomin, i cili mori emrin Eugjen(47). Më 17 shkurt 1929 në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë u dorëzua në gradën episkopale Thanas Ambrozi.
Të nesërmen më 18 shkurt 1929 Këshilli i Lartë Kishtar formoi Sinodin e Shenjtë(48) (Fig.5) të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhej nga: 1- Visarion Xhuvani, Mitropolit i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. 2-Agathangjel Çamçe, Episkop i Beratit dhe Vlorës. 3-Thanas Ambrosi, Episkop i Gjirokastrës, Delvinës dhe Himarës. Ndërsa Eugjeni u caktua Episkop ndihmës i Kryeepiskopit. 4- Ikonom i Madh Mitrofor Atë Vasil Marku. Mitropolia e Korçës kishte mbetur pa mitropolit, prandaj Pleqësia Kishtare vendosi që Hirësi Visarioni të ishte zëvendësisht Mitropolit i Korçës(49).
Në mbledhjen e parë të Sinodit, pas votimit të anëtarëve të zgjedhur Fortlumturia e tij, Visarioni u zgjodh kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë. Hirësi Eugjeni u emërua ndihmës i Kryeepiskopit, si Episkop i Peshkopisë. Dr. Zoi Xoxa u emërua Sekretar i Sonodit. Rezidenca e Sinodit të Shenjtë u caktua në Korçë. Sinodi ngriti një komision për përkthimin e librave liturgjikë, në përbërje të së cilit qenë emra të njohur si prof. Aleksandër Xhuvani, Zoi Xoxa, Mihal Sherko etj.
Sinodi i Shenjtë me anën e një shkrese(50) iu drejtua Kryeministrit Koço Kota. Mesha e parë episkopale u celebrua më 24 shkurt 1929, në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Gjatë meshën atë Vasil Marku u dorëzua Ikonom i Madh Mitrofor. Në përfundim të liturgjisë atë Vasil Marku i dorëzoi Fortlumturisë së Tij, Visarionit, kryqin historik të Kongresit të Beratit. Kjo ishte shenja simbolike e dorëzimit përfundimtar të kryesisë së kishës.
Më 21 shkurt 1929 Patriarku Ekumenik, Vasili u dërgoi një letër kishave autoqefale që qenë në varësinë e tij, me anën e së cilës i njoftonte se një prift kundërshtar duke bashkëpunuar me një episkop të huaj kanë bërë dorëzimin e parregullt të episkopëve, në kundërshtim me Protokollin e Tiranës, pavarësisht se nga kisha mëmë qenë bërë të gjitha përpjekjet për shpalljen kanonike të autoqefalisë. Patriarkana Ekumenike, si pushteti më i lartë kishtar i quajti antikanonike dorëzimet e Visarion Xhuvanit, Agathangjelit, Eugjenit dhe Ambrozit. Në mbledhjen e radhës së Sinodit të Shenjtë të patriarkanës Elumenike, që u mbajt më 5 mars 1929 u vendos mosnjohja e Ikonomit të madh Mitrofor Vasil Marku(51). Sinodi theksonte se qeveria shqiptare kishte izoluar Imzot Kristoforin dhe kishte dëbuar Imzot Jerotheun(52).
Më 16 mars 1929 Fortlumturia e Tij, Kryeepiskop Visarioni u dërgoi një qarkore mërgatave shqiptare në Uashington, Ankara, Aleksandri, Bukuresht, Sofje dhe Athinë, ku i njoftonte për krijimin e Sinodit të Shenjtë. Ai kërkoi mbështetjen e gjithë shqiptarëve për këtë fitore historike të arritur me aq mund e përpjekje. Mërgatat e Bullgarisë dhe të Turqisë e mirëpritën lajmin dhe menjëherë nisën falënderimet e urimit. Theofan Noli qortonte rrugën e ndjekur për krijimin e Sinodit të Shenjtë, me ndihmën e Kishës të Serbisë, mirëpo nga ana tjetër ishte optimist se kjo rrugëzgjidhje shmangu vendosjen e kishës nën tutelën e kishës së Greqisë. Përfundimisht vetëm kisha e Trinisë së Shenjtë në Boston(53) u bashkua me Kishën Shqiptare më 14 qershor 1933. Një kundërshtar i flaktë ishte Koço Tasi, i cili nisi një fushatë kundër zgjidhjes së gjetur për çështjen kishtare. Tasi ishte mbështetës i një Kishe Autoqefale të drejtuar nga episkopë shqiptarë, me gjuhë meshimi shqipen, por i frikësohej një sundimi të mundshëm të shumicës myslimane mbi pakicën ortodokse(54).
46) - Zoi Xoxa, Kujtimet e një gazetari, 55, Tiranë 2007, faqe 126.
47) - Atë Efthim Konomi (Imzot Eugjeni) ka lindur në vitin 1870, në Hoshtevë të Zagorisë. Fillimisht ka punuar si mësues dhe më vonë ka studiuar teologji në Athinë. Pasi u dorëzua prift në Kavallë u kthye në atdhe dhe u emëruan në Mitropolinë e Korçës, ku është shquar për atdhetari. Alqi Jani, Të njohim dhe nderojmë klerikët e Kishës Ortodokse të Shqipërisë: Episkopi Eugjen Hoshteva, Republika, 27 maj 2009, faqe 14-15.
48) - Fatmira Rama, Sinodi i parë shqiptar dhe Kongresi i dytë panortodoks i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare, 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1993, faqe 65.
49) - Fan S. Noli, Vepra II, Zgjedhur dhe përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, Dudaj, Tiranë 2003, faqe 353; Nos Xhuvani, Visarion Xhuvani apostull i atdhetarizmit dhe i ortodoksisë shqiptare, Tiranë 2003, faqe 70; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 163; Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 182-204; Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Argeta LMG, Tiranë 2000; faqe 166; Fatmira Rama, Sinodi i parë shqiptar dhe Kongresi i Dytë Paortodoks i Kishës Autoqefale Kombëtare, në në 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e shkencave, Tiranë 1993, faqe 64-65; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 98; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, 1929, si u krijua Sinodi i parë i KOASh-it, Tema, 16 prill 2005, faqe 9.
50) - Në shkresë thuhet: “I shkëlqyeshëm Kryeministër! Sipas vendimit të marrun më datë 18 shkurt 1929 nga ana e hierarkisë shqiptare dhe në bazë të kanoneve kishtare, si dhe në konformitet të plotë me statutin kishtar të votuem në Berat, u formue Sinodi i Parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kini mirësinë me pranue nderimet tona të nalta. Kryetari i Sinodit të Shenjtë, Kryeepiskop i Tiranës, Durrësit, Fortlumtunia e Tij, Visarioni”.
51) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 230-231.
52) - Në vitin 1929 Imzot Jerotheu pasi u largua nga Shqipëria u vendos në Skitin e Shën Anës në Shën Elefteri Vuleftira në Malin Athos. Për 27 vjet rresht ka qenë i vetmi episkop në Malin e Shenjtë. Imzot Jerotheu fjeti përgjithmonë më 1 shkurt të vitit 1956. Ceremonia e përmortshme u zhvillua më 2 shkurt në katedralen e Shën Dhimitrit në Selanik. Fjalën e rastit e mbajti teologu me origjinë nga Përmeti Vasil Joanidhi. Varri i Imzot Jerotheut është në Skitin e Shën Anës në Malin Athos. Ilia Spiro Vasili, Si e gjeta Episkopin Jerotheos, Ngjallja, gusht 1996, faqe 9; Ilia Spiro Vasili, Jeta dhe veprimtaria e dhespotit Jerotheos, Ngjallja, maj 2003, faqe 9,10; Andrea Llukani, Enciklopedia e krishterë, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 133-134.
53) - Kryesia e Kishës Autoqefale, mori nga Bostoni i Amerikës këtë telegram: “Kisha Shën Trinia dëshiron të jetë nën juridiksionin e Kishës Autoqefale të Shqipnisë dhe në pranohemi lajmëronani telegrafisht se përgjigja asht pague stop. Jemi kundër Peshkopatës këtushme se s’ka lidhje me Kishën në Shqipni. Për komisionin: Kristo Josef, Kryetar d.v. Boston, më 25-X-1930”. Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 208.
54) - Koço Tasi, Shqiptarëvet të Krishten bashkëpunëtorë të Muhamendanëvet, Athinë 1929.
KONGRESI I KORÇËS
Imzot Visarioni menjëherë filloi të konsolidonte strukturat e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai thirri Kongresin e dytë(55) (Fig.5) Kleriko-laik në qytetin e Korçës më 16 qershor të vitit 1929. Organizimi i Kongresit kishte nevojë për fonde dhe ato në pjesën më të madhe u siguruan nga shteti shqiptar i kohës. Në Kongres u zgjodhën intelektualët e shquar të vendit(56), klerikë me merita kishtare, tregtarë dhe zanatçinj, të gjithë bij të bindur dhe besimtarë të aftë për të mbrojtur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Platforma kishtare e Kongresit u përcaktua me vëmendje të madhe nga Visarion Xhuvani. Në të u parashikuan vendimet e pritshme, detyrat e komisioneve për organizimin e Kongresit dhe ceremonitë festive. Bazën kryesore të Kongresit e përbënte zgjidhja e drejtë e interesave fetaro-kombëtare, sigurimi i indipendencës dhe i tërësisë territoriale të vendit. Vendimet e tij duhej të mos lejonin në të ardhmen asnjë veprim që të binte ndesh me interesat kishtaro-kombëtare dhe brezat e rinj të ishin syhapur e të kujdeseshin për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në të gjitha materialet e Kongresit vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të kanoneve të shenjta. Sinodi i Shenjtë kishte vendosur që Kongresin e dytë do ta drejtonte kjo pari: Kryetar Imzot Visarioni, nënkryetar Vasil Avrami, kryesekretar Dr. Zoi Xoxa dhe kujdestar Thoma Papapano. Më 16 qershor të vitit 1929, të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë u mblodhën në Korçë për të filluar punimet e Kongresit të dytë Kishtar. Në fjalën e tij Imzot Visarioni parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kongresi vazhdoi punimet 15 ditë. Mbasi miratoi statutin në parim, vendosi të krijojë një komision të posaçëm të përbërë nga: Mitrofor Vasil Marku, Vasil Avrami, Dhimitër Kacimbra, Taq Buda, Vasil Bakalli, Athanas Shundi, Llazar Bozo, Nikolla Haxhinasto, Kristaq Ikonomi, Thoma Papapano, Mihal Cani, Milto Maksakuli dhe dr. Zoi Xoxa, të cilët do t’i jepnin statutit formën përfundimtare. Mbas 15 ditë diskutimesh në orën 7.30 të datës 29 qershor të vitit 1929 të gjithë delegatët firmosën dokumentet për tu miratuar në statut përfundimtar. Ky Statut(57) e vuri në themele të qëndrueshme Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në vijim Kongresi i dytë kishtar i Korçës shqyrtoi Rregulloren(58) e Administrimit të Përgjithshëm të Kishës, cila përcaktonte të drejtat dhe detyrat e çdo forumi drejtues të Kishës. Për hartimin e Rregullores të Administrimit të Përgjithshëm të Kishës kontribut të shquar kanë dhënë dhespotët Agathangjel e Ambroz, Ikonomi i Madh Mitrofor Vasil Marku, si dhe avokat Ilia Kota, Vasil Avrami, Thoma Papapano, dr. Mihal Cani, Kristaq Zaguridhi, Vasil Bakalli, dr. Zoi Xoxa e në mënyrë të veçantë Kov Deliana. Me punën e tyre të përbashkët më 20 korrik të vitit 1929 u miratua Rregullorja. Më 9 korrik të vitit 1929 u dekretua ligji për komunitetet fetare, i cili zëvendësonte atë të vitit 1923. Sipas ligjit të ri komunitetet fetare duhet të ishin persona moralë, të cilët gëzonin të drejtat e përcaktuara me ligj. Komunitetet fetare gëzonin të gjitha të drejtat që parashikonte ligji, vetëm kur statuti i paraqitur prej tyre, pranohej nga Këshilli i Ministrave dhe dekretohej prej Mbretit. Statutet nuk duhet të binin ndesh me ligjet e shtetit. Në to theksohej që kryetarët e komuniteteve fetare të ishin shtetas shqiptarë mbi moshën 25-vjeçare dhe prej fisit e gjuhës shqiptarë. Emërimi i tyre dekretohej me dekret mbretëror. Ministria e Drejtësisë kontrollonte zbatimin e legjislacionit dhe miratonte buxhetet dhe rregulloret e komuniteteve fetare(59). Statuti i miratuar në Kongresin e Korçës, më 14 gusht 1929 u botua në Fletoren Zyrtare(60).
Në Kongresin e Korçës u vendos ndarja kishtare në bazë dioqeze duke formuar dioqezat e Korçës, Durrësit, Beratit dhe Gjirokastrës. Prej vitit 1922 e deri më mars 1930 qendra kishtare ishte Korça, ndërsa duke filluar nga prilli i vitit 1930 qendra kishtare kaloi në Tiranë duke marrë emrin Mitropolia e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Rezidenca e Sinodit të Shenjtë u vendos në shkollën dykatëshe, në oborrin e kishës së Ungjillëzimit(61).
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me Sinodin e Shenjtë, me Statutin dhe me Rregulloren e Administrimit të Përgjithshëm përmbushi kërkesat kanonike të Autoqefalisë dhe e meritonte Tomin e Patriarkanës së Stambollit. Për fat të keq nuk ndodhi kështu, u deshën edhe gati nëntë vjet që të ulej zemërimi i Patriarkanës Ekumenike. Kjo e fundit arriti të bllokonte ndërkombëtarizimin e Kishës Shqiptare. Kryepiskop Visarioni ka qenë pjesëmarrës në Mbledhjen e Përbotshme të Kishave në Montro të Zvicrës, që u mbajt në gusht të vitit 1935, ku u takua me Përfaqësuesin e Patriarkanës Ekumenike dhe të dërguarin e Kishës së Greqisë. Prej aktivizimit të Kryepiskop Visarionit nëpër veprimtaritë ndërkombëtare, qëndrimi i disa kishave ortodokse ndaj kishës sonë filloi të ndryshojë. Kjo u duk në telegramet e urimit për Krishtlindjet e vitit 1935 që mori Fortlumturia e Tij nga primatët e kishave të Serbisë, Rumanisë, Polonisë dhe të Bullgarisë(62). Përpjekjet e Visarionit vijuan me dërgimin e dy telegrameve: më të parin uroi Mbretin e Grekëve, Jorgo II, për rikthimin në detyrë dhe më të dytin njoftoi Patrikun Ekumenik, Foti, se kishte meshuar greqisht me rastin e Krishtlindjeve. Visarioni e përfundonte telegramin e tij me një lutje drejtuar Tërëshenjtërisë së Tij, Patrikut Elumenik duke i kërkuar ndjesë(63), por nuk mori përgjigje. Patriarkana kërkonte me çdo kusht dorëheqjen e tij. Në 26 maj të vitit 1936, Kryepiskop Visarioni dha dorëheqjen(64) nga kryesia e kishës.
55) - Fatmira Rama, Sinodi i parë shqiptar dhe Kongresi i dytë panortodoks i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare, 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1993, faqe 65.
56) - Delegatët e këtij Kongresi qenë: Delegat i Tiranës Kryepeshkop Visarioni d.v. Delegat i Tiranës Dr Athanas Shundi d.v. Delegat i Tiranës Dr Zoi Xoxa d.v. Delegat i Shpatit Taq Buda d.v. Delegat i Shkodrës Atë Velisha Popoviq Delegat i Shkodrës Naim Plevneshi d.v. Delegat i Shkodrës Mitro Llazareviq d.v. Delegat i Korçës Ik. i M. Mitrofor at Vasil Marko d.v. Delegat i Korçës Stavraq Ballauri d.v. Delegat i Korçës Thoma Turtulli d.v. Delegat i Korçës Vasil Avrami d.v. Delegat i Korçës Sotir Kotta d.v. Delegat i Përmetit Dhimitri Kacimbra d.v. Delegat i Gjinokastrës Thoma Papapano d.v. Delegat i Gjinokastrës Kostandin Lito d.v. Delegat i Gjinokastrës Episkop Ambrozi d. v. Delegat i Gjinokastrës Ikonom Papavlashi Delegat i Libohovës Dhimosthen Haxhoglu d.v. Delegat i Leskovikut Andon Kito d.v. Delegat i Lushnjës Llazar Bozo d.v. Delegat i Vlorës Kristaq Ikonomi d. v. Delegat i Vlorës Atë Isaia d.v. Delegat i Vlorës Kristo Karbunara d.v. Delegat i Delvinës Mihal Maksakuli d.v. Delegat i Sarandës Apostol Dhima d.v. Delegat i Konispolit Loli Qesko d.v. Delegat i Durrësit Kristaq Zaguridhi d.v. Delegat i Durrësit Vasil Bakalli d.v. Delegat i Durrësit Moisi Popa d.v. e Delegat i Kavajës Kleanth Mineu d.v. Delegat i Himarës Dr Mihal Cane Delegat i Beratit Episkop Agathangjeli d.v. Delegat i Beratit Dr Nikolla Haxhistasa d.v. Delegat i Beratit Ikon. at Theodhor Brisku d.v. Delegat i Fierit Jovan Xoxa d.v. Delegat i Mallakastrës Ikonom atë Polizoi d.v. Delegat i Kolonjës (Ersekë) Petro Prodani d.v. Delegat i Bilishtit Petro Ilia d.v. Delegat i Tepelenës Dhimitër Mole d.v. Delegat i Elbasanit Kostaq Cipo d.v. Delegat i Elbasanit Kov Deliana d.v. Delegat i Elbasanit Dhimitër Papajani d.v. Delegat i Poradecit Spiro Naço d.v. Delegat i Dibrës Stavrofor Ik. Josifi d.v. Delegat i Dibrës Dr Filip Papajani d.v. Delegat i Dibrës Gavril Lasku d.v. Komisioni i Qeverisë pranë Kongresit Panorthodhoks Shqiptar në Korçë: Vasil Bidoshi d.v. Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 215; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 206-207; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 104-106; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Historia e fshehur e Kongresit të dytë të KOASh-it, Tema, 5-6 qershor 2005, faqe 12-13.
57) - Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Argeta LMG, Tiranë 2000, faqe 165; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 226-241; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Si zgjidhej kryepeshkopi ortodoks në bazë të Statutit, Tema, 7 qershor 2005, faqe 12-13; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Kryetari i KOASh Visarion Xhuvani shpjegon statutin, Tema, 8 qershor 2005, faqe 12-13; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 187; Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, faqe 107-121.
58) - Rregullore mbi Administrimin e Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë; Andrea Llukani, Kanonet dhe statutet e Kishës Ortodokse, Trifon Xhagjika, Tiranë 2011, faqe 209- 223; Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi, Na flet Visarion Xhuvani, Tekno Paper, Tiranë 2008, faqe 246-260; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Çfarë parashikonte Rregullorja e KOASh-it, Tema, 9 qershor 2005, faqe 12-13; Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi, Roli i Mbretit Zog në krijimin e KOASh-it, Tema, 10 qershor 2005, faqe 12-13.
59) - Dekret-Ligjë mbi formimin e Komunitetet Fetare, Korçë, 1929, në “Fletorja Zyrtare”, Nr. 38, 16 korrik 1929, faqe 1-3.
60) - Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Korçë, 1929, në “Fletorja Zyrtare”, Nr. 45, 14 gusht 1929, faqe 1-8.
61) - Shkolla qe dykatëshe dhe kishte 6-7 dhoma dhe dy sallone. Kristofor Beduli, At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Neraida, Tiranë 2004, faqe 16.
62) - Andrea Llukani, Visarion Xhuvani martir i Kishës Ortodokse, 55, 21 maj 2004, faqe 18.
63) - Telegram: Nalt Shenjtënisë së Tij FOTIOS, Patriarh Ekumenik. Mbas Meshës hyjnore të soçme në gjuhën Helenike të Krysostomit, në të cilën kemi lutun Zotin për Shenjtënin Tuej, tue marrë kurajo prej ndjenjave dhe inspiratave që festat e Lindjes së Shpëtimtarit Tonë Jisu duhet të Na sjellin dhe tue dëshirue me besue se, mbas të shtatit vit, asht hedhun ma nga ana e Patriarhisë së Shenjtë në harresën e ndjesës çdo vepër e padëshirueshme atje, por e cila u konsiderue si detyrë e domosdoshme nga ana e Jonë për të mirën e Orthodhoksisë së Shqipnisë dhe tue qenë të sigurtë se i Madhi i Parë ndër të Parët e Orthodhoksisë mallëngjehet kur konstaton sinqeritetin e Kryebijvet të Vet. Ju lutemi me respektin ma të thellë e me devocion me denjue me pranue përshëndetjet dhe urimet ma të mira të Modestisë Sonë si dhe ato të Orthodhoksisë Shqiptare për jetëgjatësinë dhe lumtuninë e Shenjtënisë Suej dhe të lavdueshmes Patriarhisë Ekumenike stop. I lutemi gjithashtu Shenjtënisë Suej me bekue Modestin Tonë si edhe grigjën Tonë të vogël shpirtnore, të cilën Zoti i mëshirshëm Na e ka besue me anë të hirit të Perëndisë e për me i shërbye Orthodhoksisë këtu, e cila ka nevojë ma shumë se kurdoherë sot për solidarësinë e të gjitha Kishave Motra më Jesu Krishtin. Puthim të Djathtën Tuej të Shenjtë. VISARION. Kryepeshkop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipnisë. Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 302; Revista Predikimi, Tiranë, 25.12.1935.
64) - Më 29 maj 1936 gazeta “Arbënia” botoi të plotë aktin e dorëheqjes së Kryetarit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipnisë. Visarion Xhuvani, në Kishë, në Parlament dhe në burg, Vepra, botimet 55, Tiranë 2007, faqe 311-321.
TOMI I AUTOQEFALISË
Më 4 janar 1933 Kristofor Kisi, me anën e një letre i parashtroi Kryeepiskop Visarionit se ishte i gatshëm ti shërbente kishës shqiptare, pasi kishte kaluar katër vjet i mbyllur në manastir. Pretendimi i Kisit ishte mitropolia e Korçës, e cila kishte mbetur pa episkop. Xhuvani nuk iu përgjigj kërkesës së Kisit. Mirëpo, Kisi me ndërmjetësinë e Koço Kotës mundi të siguronte një takim me Mbretin Zogu I. Gjatë takimit Kisi i kërkoi të merrte drejtimin e një episkopate. Në nëntor 1933 Sinodi i Shenjtë e emëroi Kristofor Kisin Mitropolit të Korçës. Në këto kushte Sinodi i Shenjtë përbëhej nga: Fortlumturia e Tij, Visarioni, Mitropolit i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit; Hirësi Kristofor Kisi, Episkop i Korçës; Hirësi Agathangjel Çamçe, Episkop i Beratit; Hirësi Ambroz Nikolla, Episkop i Gjirokastrës, Delvinës dhe Himarës; Hirësi Eugjen Hoshteva, Episkop Ndihmës i Peshkopisë dhe Ikonomi i Madh Mitrofor Vasil Marku(65). Në vitin 1934 Eugjeni dha dorëheqjen dhe u tërhoq në vendlindjen e tij, në Hoshtevë, ndërsa Episkop Ambrozi ndërroi jetë më 20 maj 1934. Sinodi i Shenjtë ia besoi Kisit mbikëqyrjen e Episkopatës së Gjirokastrës.
Më 1936 qeveria shqiptare dërgoi në Athinë kryeministrin Koço Kota për të biseduar me përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike. Pas kësaj në nëntor të vitit 1936 erdhën në Tiranë Pandelejmon Kotoko, Pandeli Evangjeli dhe Vasil Avrami për të biseduar me Kristofor Kisin. U vendos që një delegacion i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë i përbërë nga Imzot Kristofori dhe Josif Kedhi të shkonte në Athinë më 20 shkurt 1937 për të biseduar me Mitropolitin e Trapezuntës Krisanthin. Pas bisedimeve në Athinë delegacionit iu shtuan edhe dy kandidatët për episkopë Evlogjio Kurilla dhe Pandelejmon Kotoko. Kështu përfaqësia u nis për në Konstandinopojë më 28 mars 1937 dhe në prani të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike nënshkruan marrëveshjen. Çështja para se të jepej Tomosi ishte falja e episkopëve. Agathangjel Çamçe e dorëzoi kërkesën për falje më 10 mars 1937, ndërsa Atë Vasil Marku më 20 mars 1937. Patriarkana Ekumenike i fali.
Më datën 11 prill 1937 në Kishën e "Trinisë së Shenjtë" të Halkit u bë dorëzimi në gradën episkopale i Pandelejmonit, dhe po atë ditë në Kishën e "Shën Gjergjit" në Fanar u dorëzua Evlogjio Kurilla. Kështu më 12 prill 1937 Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës nëshkruan Tomin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Tomi iu dorëzua Imzot Kristoforit duke e caktuar atë si Kryeepiskop të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ceremonia e dorëzimit të Tomit u zhvillua në Sallën e Madhe të Patriarkanës, me pjesëmarrjen e Patrikut Ekumenik Veniaminit, anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës, Konsullit të Shqipërisë në Stamboll Asaf Çaçulit etj(66). Pas dhënies së autoqefalisë dy mitropoli u bënë episkopata, kurse episkopata e tretë, ajo e Gjirokastrës, u formua nga ndarja e Mitropolisë së Drinopolit. Patriarkana Ekumenike, si çmoi mirë nevojat fetare dhe kishtare të popullit ortodoks të Shqipërisë, i cili ndodhet në eparhitë e Korçës, Durrësit, Beratit dhe të Gjirokastrës, njoftoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë me anën e Tomit(67) Patriarkal e Sinodik, që u lëshua më 12 prill 1937(68).
Para se të shpallej autoqefalia ishin bërë këto veprime kishtare prej Patriarkanës: 1-Duke marrë parasysh se qyteti i Tiranës, që ndodhet në mitropolinë e Durrësit, është shpallur kryeqytet i Mbretërisë Shqiptare vendosi të marrë këtë titull: “Mitropolia e Tiranës, Durrësit dhe e Elbasanit”. Episkop i kësaj mitropolie u zgjodh me votim të rregullt, episkopi i Sinadës Kristofor Kisi. 2-Duke gjykuar të nevojshme vendosi që mitropolia e Beligradit të marrë titullin: “Episkopata e Hirëshme e Beratit, Vlorës dhe Kaninës”. Episkop i kësaj episkopate u zgjodh me votim të rregullt Agathangjel Çamçe (pasi më parë iu hoq dënimi dhe u njoh dorëzimi i tij në gradën episkopale). 3-Për mitropolinë e Korçës u vendos që të marrë titullin: “Episkopata e Hirëshme e Korçës”. Episkop i kësaj episkopate u zgjodh me votim të rregullt Evllogjio Kurilla. 4-Gjirokastra si pjesë e shkëputur nga mitropolia e Drinopolit formoi një episkopatë të veçantë duke marrë titullin: “Episkopata e Gjirokastrës”(69). Episkop i kësaj episkopate u zgjodh me votim të rregullt Pandelejmon Kotoko(70). Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Delegacioni në pëbërje të së cilit qenë katër hierarkët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë mbëriti në atdhe, të Dielën e Dafinës më 25 prill të vitit 1937. Me rastin e shpalljes së autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe mbreti Zog. Nga episkopi i Gjirokastrës Pandelejmon Kotoko u lexua(71) përmbledhja e Tomit Patriarkal për dhënien e autoqefalisë shqiptare. Më 24 maj 1937 Kryeepiskopi Kristofor me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Kostandinopojës Veniaminit. Sinodi (Fig.6) i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga Kryehirësia e Tij, Kristofori Kryeepiskop i Durrësit, Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe Mitropolit i Beratit, Evllogjio Kurilla(72) Mitropolit i Korçës dhe Pandelejmon Kotoko Mitropolit i Gjirokastrës. Në përbërje të Sinodit të Shenjtë ishte edhe Ikonomi i Madh Mitrofor Atë Vasil Marku. Sipas Tomit të Autoqefalisë, organi më i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ishte Sinodi i Shenjtë, i cili përbëhej prej episkopëve kanonikë. Kryetar i Sinodit të Shenjtë do të ishte gjithnjë Kryeepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, i cili ka për detyrë që të kujtojë emrat e Primatëve të Kishave Ortodokse Autoqefale. Gjithashtu në Tomin e Autoqefalisë theksohet që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë duhet të marrë Miron e Shenjtë nga Patriarkana Ekumenike. Kjo e fundit njoftoi të gjitha Kishat Autoqefale të Aleksandrisë, Antiokisë, Jerusalemit, Greqisë, Polonisë, Qipros, Ivirisë, Sebisë dhe Rumanisë. Në maj të vitit 1937 Patriarkana Ekumenike i dërgoi Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Miron e Shenjtë. Gjithashtu ofroi edhe dy bursa studimi për në Shkollën Patriarkale të Halkit. Mbledhja e parë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u bë më 9 korrik 1937 me qëllim që hierarkët të qenë njohur me nevojat e grigjës së tyre.
Në 17 prill të vitit 1937 Visarion Xhuvani i drejtohet me anën e një letre Mitropolitit të Trapezundës, Krisanthit, me anë të së cilës i lutet që të ndërhyjë në Patriarkanën Ekumenike të Stambollit, që ajo të heqi dorë nga zhveshja e funksioneve të tij. Me anë të kësaj letre Xhuvani i drejtohet Patrikut Ekumenik Veniaminit I. Letrën ia dorëzoi(73) Krisanthit më 28 prill 1937 ambasadori i Shqipnisë në Athinë, Rauf Fico. Përgjigja e Kostandinopojës qe e shpejtë, Visarioni falet, i njihet grada episkopale, por i jepet e drejta Sinodit të Tiranës që të vendosë për detyrën e re të tij. Më 5 gusht 1937 Visarion Xhuvani udhëtoi drejt Stambollit, ku u prit nga Patriku Veniamin. Gjatë takimit Xhuvani e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Patrikut Veniamin(74).
65) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 270-271.
66) - Apostolou Glavina, H Orthodhoksi Aftoqefali Eklisia tis Alvanias, Iperesia Dhimosievmaton, Thesaloniki 1998, faqe 66.
67) - Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Argeta LMG, Tiranë 2000, faqe 168.
68) - Viron Koka, Përpjekjet për njohjen e Kishës Ortodokse Autoqefale nga Patriarkana (vitet 20-30), 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1993, faqe 74.
69) - Tomi Patriarkal dhe Sinodik për krijimin e Episkopatës së Gjirokastrës. +Veniamini me mëshirë të Perëndisë, Kryepiskop i Konstandinopojës, i Romës së Re dhe Patrik Ekumenik. Kisha ka për detyrë të saj të kujdeset për drejtimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve kishtare dhe duke patur të drejtën e vjetër të krijimit apo të suprimimit të dioqezave, sipas nevojave të çdo kohe, të rregullojë pjesërisht apo tërësisht qenien dhe qeverisjen e tyre. Meqënëse edhe në këtë rast, në mbledhjen e tanishme të Sinodit u pa se një pjesë e Mitropolisë së Shenjtë të Drinopolit e Gjirokastrës, pas shpalljes në kohët e fundit të pavarësisë së Mbretërisë Shqiptare, përfshihet në territorin e saj, u gjykua se është më e dobishme dhe më e përshtatshme me gjendjen e tanishme, të shkëputet nga kjo pjesa tjetër e dioqezës së shenjtë të lartpërmendur dhe të nderohet e të ngrihet në dioqezë kishtare më vete, sot për sot nën vartësi dhe drejtim nga Froni ynë i Tërëshenjtë Patriarkal, Apostolik dhe Ekumenik dhe që në të ardhmen të bëjë pjesë edhe kjo në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që po formohet. Modestia jonë, duke gjykuar bashkë dhe me mitropolitët tanë të hirshëm, vëllezërit tanë të dashur bashkëmeshtarë më shpirtin e shenjtë, vendosëm dhe caktuam sinodikisht që: Pjesa e Mitropolisë së Tërëshenjtë të Drinipolit dhe Gjirokastrës, që ndodhet në Mbretërinë e Shqipërisë, të jetë që tani e tutje dioqezë kishtare më vete, me nderimin dhe vlerësimin e një aspirate dhe me emrin: "Episkopatë e Hirshme e Gjirokastrës", kryeprifti i vendosur në të me zgjedhje kanonike të emërohet: "Episkop i Hirshëm i Gjirokastrës" duke gëzuar të gjitha të drejtat që u takojnë kryepriftërinjve në aktivitet. Prandaj, si dëshmi, vërtetim dhe konfirmim të qëndrueshëm të atyre që gjykuan dhe vendosën kishtarisht, u bë dhe Tomi ynë Patriarkal e Sinosik, i regjistruar dhe i nënshkruar në Kodikun e Kishës sonë të madhe e të Shenjtë të Krishtit. Në vitin shpëtimtar 1937, muaji mars (30), periudhë e V-të, Patriku i Konstandinopojës Veniamin, Maksimi i Kalqidonës, Joaqimi i Dherkonit, Polikarpi i Prusës, Thomai i Prinqiponisë, Gjermanoi i Sardës, Gjenadi i Iliopojës dhe Thirës, Leonti i Theodoropojës, Konstandini i Irinopojës, Meleti i Kristopojës, Dorotheu i Laodicesë, Gjermanoi i Enit.
70) - Veprimet e fundit Patriarkale dhe Sinodike të Kishës së Kostandinopojës, Orthodhoksia, Kostandinopojë, viti XII, 1937.
71) - Viron Koka, Përpjekjet për njohjen e Kishës Ortodokse Autoqefale nga Patriarkana (vitet 20-30), 70-vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1993, faqe 74.
72) - Evllogjio Kurilla ka lindur në fshatin Ziçisht të Korçës në vitin 1880. Studimet e larta teologjike dhe filozofike në Universitetin e Athinës i ka përfunduar në vitin 1912, ndërsa më 1935 mbrojti doktoratën me temë "Voskopoja dhe Akademia e saj". Po këtë vit u emërua profesor i historisë në Universitetin e Selanikut. Evllogjio Kurilla ka marrë pjesë në përfaqësinë, e cila u nis për në Kostandinopojë më 28 mars 1937 dhe në prani të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike ka nënshkruar marrëveshjen për dhënien e Tomit të Autoqefalisë të Kishës Ortodose të Shqipërisë. Më 11 prill të vitit 1937 u dorëzua Mitropolit i Korçës në Kishën Patriarkale të "Shën Gjergjit" në Fanar. Imzot Kurilla organizoi shkollën katekiste të së dielës, themeloi korin kishtar nën drejtimin e Sotir Kozmosit, mblodhi materiale folklorike etj. Meritë e tij ishte çelja e seminarit "Jovan Banga" në qytetin e Korçës. Me gjithë këtë aktivitet produktiv Imzot Kurilla nuk u vlerësua, por përkundrazi qeveria shqiptare më 29 shtator të vitit 1939, me anën e një shkrese të firmosur nga Xhafer Ypi e njoftonte se duhej të largohej nga Korça, me pretendimin se nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Pasi u largua nga Shqipëria Imzot Kurilla u emërua profesor i historisë në Universitetin e Athinës. Emrin e Evllogjio Kurillës mbajnë shumë libra, artikuj, transkriptime, fjalime dhe predikime. Si specialist i paleografisë ai ka transkiptuar shumë kodikë dhe dorëshkrime që gjendeshin në Bibliotekën e Athinës. Ai ishte një njeri i shquar në fushën e letrave dhe të teologjisë. Në një libër të tij, botuar në vitin 1935, Kurilla ka shkruar se Voskopoja është themeluar nga shqiptarët dhe më tej është populluar nga popullsia shqiptare dhe vllahe. Gjithashtu ai theksonte se në Voskopojë u ngjiz ideja e bashkimit shqiptar dhe e shkrimit të gjuhës shqipe. Ky pohim dhe disa të tjera si ky, qenë shkaku që në vitin 1942 në një mbledhje të Senatit Akademik të Universitetit të Athinës, Evllogjio Kurillën e akuzuan si nacionalist shqiptar dhe tradhëtar, i cili e kishte kthyer katedrën e historisë së Universitetit të Athinës në një katedër antikombëtare. Imzot Evllogjio Kurilla vdiq më 21 prill të vitit 1961 në Athinë. Shërbesa e përmortshme u zhvillua në Mitropolinë e Athinës me pjesëmarjen e Kryeepiskopit të Greqisë Theoklitit dhe hierarkëve të tjerë. Për jetën dhe veprimtarinë e Mitropolitit të Korçës Evllogjio, foli episkopi i Gjirokastrës Pandelejmoni. Dr. Dion Tushi, Pjesë monografie për Evllogjio Kurillën, Tempulli, Nr. 14, Korçë 2009, faqe 70-75; Pëllumb Xhufi, Shekulli i Voskopojës, Toena, Tiranë 2010, faqe 23; Foti Cici, Midis shqiptarësisë dhe grekësisë, Globus R, Tiranë 2006, faqe 204-206.
73) - Teksti i letrës ka shpëtuar dhe ruhet në arkivin e Mitropolitit të Trapezundës Krisanthit.
74) - Ardit Bido, Kisha Ortodokse Shqiptare, UETPRESS, Tiranë, 2016, faqe 288.
SINODI I VITIT 1942
Në vitin 1942 Kryeepiskop Kristofori thirri teologun Irine Banushi (Fig.7) dhe i propozoi të dorëzohej në gradën episkopale. Në shkurt të vitit 1942 Ilia u dorëzua në gradën episkopale në manastirin e Shën Naumit(75), që në atë kohë ishte në administrimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë(76). Pas dorëzimit ai mori emrin Irine dhe me vendim të Sinodit të Shenjtë të K.O.A.Sh-it u emërua Episkop i Strugës(77), Prespës dhe Caredvorit. Pas bashkimit të trojeve shqiptare gjatë pushtimit italian, u bë edhe riorganizimi i kishës. Kështu katër episkopatave ekzistuese iu shtuan edhe ato të Prizrenit, të Peshkopisë dhe Strugës(78). Mitropolit i kësaj të fundit u emërua Imzot Irine Banushi.
Gjithashtu Imzot Agathangjeli qëndroi në fronin e Mitropolitit të Beratit deri në maj të vitit 1942. Agathangjeli u fronëzua Mitropolit i Korçës, post të cilin e mbajti nga viti 1942 deri më 1946 kur edhe fjeti përgjithmonë më Zotin. Vendin e Imzot Agathangjelit si Mitropolit i Beratit e zuri Imzot Visarion Xhuvani. Pas këtyre zhvillimeve Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në vitin 1942 përbëhej nga Fortlumturia e Tij, Kristofor Kisi, Kryeepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Agathangjel Çamçe, Mitropolit i Korçës, Imzot Visarion Xhuvani, Mitropolit i Beratit dhe Imzot Irine Banushi episkop i Strugës, Prespës dhe Caredvorit. Gjithashtu anëtar i Sinodit të Shenjtë ishte edhe Ikonomi i Madh Stavrofor Vasil Marku.
75) - Në kohën që Konferenca e Ambasadorëve ia ktheu manastirin Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene panairi i Shën Naumit zhvillohej regullisht. Për lehtësimin e pelegrinazhit të shtetasve shqiptarë në manastirin e Shën Naumit, Konferenca Ambasadorëve më 6 nëntor 1925, hartoi një rezolutë. Disa nga nenet e rezolutës janë: “U lejohet shtetasve shqiptarë, që në përputhje me dispozitat e këtij protokolli, të kalojnë lirshëm dhe gjatë gjithë vitit kufirin për të kryer pelegrinazh në manastirin e Shën Naumit. Kalimi i kufirit do të bëhet nga rruga, që nis nga fshati shqiptar Tushemisht, në jug të liqenit të Ohrit dhe të çon në manastirin e Shën Naumit, ose udha që ndjek pjesën e poshtme të luginës së Çëravës. Pelegrinazhi duhet të bëhet gjatë ditës, që nga lindja e diellit deri në perëndim të tij dhe pa armë. Pelegrinët duhet të jenë të pajisur me karta identiteti të lëshuara në gjuhën serbe e shqipe nga nënprefekti kompetent shqiptar. Këto karta përveç përshkrimit fizik të pelegrinit, do të përmbajnë datën e krijimit të tyre si dhe firmën dhe vulën e autoritetit që i ka lëshuar. Ato do të jenë të vlefshme për një vit dhe do të mund të rinovohen pas skadimit të këtij afati. Me hyrjen e tyre në territorin e Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene, pelegrinët, të pajisur me karta do të duhet të paraqiten në postën kufitare, e cila do të ngjisë vizën e saj dhe datën e kalimit mbi kartë. E njëjta procedurë do të duhet të kryhet në dalje. Pelegrinët mund të qëndrojnë në territorin e Mbretërisë Serbe-Kroate e Sllovene maksimumi tri ditë”. Kaliopi Naska, Shën Naumi dhe diplomacia e kohës, Kristalina-KH, Tiranë 2012, faqe 673.
76) - Në vitin 1925 Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu i dhuroi Mbretit të Serbisë Pashiq Manastirin e Shën Naumit në shkëmbim të disa kullotave në Vermosh. Kjo marrëveshje u miratua edhe nga parlamentet e të dy vendeve. Historiani Paskal Milo në lidhje me këtë marrëveshje thotë: “Zakonisht nuk është praktikë dhurimi i tokave të një shteti dhe ky ishte një veprim i gabuar dhe i dënueshëm duke ditur që Konferenca e Londrës e kishte njohur Shën Naumin si tokë shqiptare”. Ndërsa Akademiku Arben Puto në lidhje me dhurimin e Shën Naumit thekson: “Sipas të drejtës ndërkombëtare ky akt dhurimi nuk mund të kontestohet, pasi marrëveshja është miratuar edhe nga parlamentet e të dy vendeve”. Mbreti i Serbisë Pashiq mbështeti Ahmet Zogun që të vinte në pushtet dhe ky i fundit i dhuroi një nga manastiret më të bukur të Shqipërisë. Ahmet Zogu me mbështetjen politike që i dhanë serbët mundi të rrëzonte kryeministrin Fan Noli. Në vitin 1941 manastiri i Shën Naumit iu kthye Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Të gjitha konferencat e fuqive të mëdha, si për shembull Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1922, Traktati i Firences i vitit 1913, Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës dhe vendimi i 31 dhjetorit të vitit 1924, që u morën me përcaktimin e kufinjve të Shqipërisë e njohën manastirin e Shën Naumit si manastir shqiptar. Paskal Milo, Ja si e humbën Shën Naumin, Gazeta Shqiptare, 29 gusht 2003, faqe 7.
77) - Sipas Dhimitër Bedulit episkopata e Strugës në atë kohë kishtë 35 famulli dhe 36 famulltarë (priftërinj e dhjakonë).
78) - Episkopatat e Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, pas bashkimit të tokave të liruara, me dekretin e këshillit të Nalt qenë: Tiranë-Durrës, Korça, Berati, Gjirokastra, Prizreni, Peshkopia dhe Struga; Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, Tiranë 1992, faqe 29.
LËVIZJA UNITE NË SHQIPËRI
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 propaganda e romano-katolikëve për t’i kthyer ortodoksët në uniatë u intensifikua edhe më tepër sa që në vitin 1942 ata vepronin me 10 misione në Shqipërinë e Jugut. Por edhe qeveria shqiptare e asaj kohe ishte në shërbim të fashistëve dhe ushtronte presion ndaj Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për një kthim të mundshëm të ortodoksëve në unitë. Kështu më 16 gusht 1939 mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanuel III, Jakomoni ka njoftuar Pallatin Kixhi për një kthim të ortodoksëve në uniatizëm. Kryeepiskopi Kristofor nga njëra anë e kishte pranuar marrëveshjen me arbëreshët e Italisë dhe nga ana tjetër përpiqej që ta shtynte çështjen me qëllim që të fitonte kohë. (Fig.8) Anën e Kryeepiskopit Kristofor kanë mbajtur edhe Mitropoliti i Beratit Agathangjeli dhe Ikonomi i Madh Stavrofor Vasil Marku, ndërsa kundër kthimit në uniatizëm ishin Mitropoliti i Korçës Evllogjio dhe Mitropoliti i Gjirokastrës Pandelejmoni, të cilët kërkuan me ngulm që të ruhej status-quoja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këto kushte Kryeepiskopi Kristofor deklaroi se ishte gati për të mbledhur Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për të shpallur bashkimin me kishën romano-katolike. Nëse Sinodi i Shenjtë do ta pranonte bashkimin atëherë edhe popullsia ortodokse do ta pranonte patjetër duke marrë parasysh edhe trysninë e pushtimit fashist. Vendimi i Kryeepiskopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u prit mirë në Romë, megjithatë në Selinë e Shenjtë që në atë kohë drejtohej nga papa Piu XII nuk kishte unitet mendimi për rrugën që duhej ndjekur gjatë kthimit të ortodoksëve shqiptarë në uniatë. Disa qenë të mendimit për një bashkim të menjëhershëm me kishën romano- katolike, ndërsa të tjerë qenë për një kthim të shkallëzuar. Por me kapitullimin e Italisë fashiste më 1943 dështuan edhe planet e romano-katolikëve për t’i kthyer ortodoksët në uniatë(79). (Fig.9)
Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës nga okupatorët nazistë, më 4 nëntor 1944 u dogj Selia e Kryesisë së Kishës Ortodokse Autoqefale (Mitropolia) dhe bashkë me të u dogj edhe arkivi. Kjo ishte një humbje e madhe për komunitetin ortodoks të Shqipërisë, sepse në arkiv qenë të depozituara dokumente me vlerë historike për bashkësinë ortodokse(80). Duhet theksuar se testamentet e ndryshme dhe akte të tjera të rëndësishme, që u përkisnin zëvendësive mitropolitane mbaheshin në arkivin e Kryesisë së Kishës në Tiranë.
79) - Roberto Moroco della Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1993, faqe 216.
80) - Arkivi Qendror i Shtetit, Kisha Ortodokse Autoqefale, Fondi 536, Dosja Nr. 995, fl. 1-2; Kristofor Beduli, At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Neraida, Tiranë 2004, faqe 16.
Krijoni Kontakt