Intervista/Në 98- vjetorin e lindjes së ish-prokurorit të përgjithshëm Bedri Spahiut, flet i biri, Spartaku

"Marrëdhëniet e tim eti me Enverin dhe Mehmetin"

Armand JONUZI, Erion HABILAJ

Bedri Spahiu nuk e ka vlerësuar kurrë Enver Hoxhën. Djali i tij, Spartaku, thotë i bindur se i ati e ka shpërfillur gjithmonë ish-udhëheqësin, pasi e quante njeri pa principe. Por tjetër mendim kishte Bedriu për Mehmet Shehun, të cilin e quante sa njeri mizor, aq edhe njeri me dinjitet. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer" në 98-vjetorin e lindjes të Bedri Spahiut, djali i tij, Spartaku rrëfen momentet e fundit të jetës së ish-prokurorit në vitet '46-'50. Mendimet që kishte ai për dy nga drejtuesit e diktaturës komuniste, Enverin dhe Mehmetin. Spartaku rrëfen edhe parashikimin e të atit për fundin tragjik të Mehmet Shehut pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, si dhe çfarë mendonte për vdekjen e dyshimtë të ish-krahut të djathtë të Enver Hoxhës.

Si i kujtoni ju momentet e ditëlindjes së babait tuaj?

Ato momente kanë mbetur gjithmonë në mendjen time. Kjo për faktin se në periudhën më të gjatë të kohës që ka jetuar babai, ne nuk e kemi pasur pranë për shkak të burgosjes së tij. Por ne kemi pasur mamanë shumë të kujdesshme për këtë punë. Ajo gjithmonë kujdesej të kujtonte ditëlindjen e babait në çdo përvjetor, edhe kur ai ndodhej i burgosur apo i internuar. Babai pjesën më të madhe e kaloi në burg. Kur iku, ne na la të vegjël, kur erdhi na gjeti të mëdhenj, unë isha 28 vjeç kur ka dalë babai nga burgu. Mamaja kujdesej gjithmonë që çdo 13 korrik t'i dërgonim letra urimi babait dhe njëkohësisht me rastin e ditëlindjes të babait ajo do të bënte gjithmonë ndonjë ëmbëlsirë për ta kujtuar.

A i mbani mend momentet e fundit të babait tuaj?

Babai vdiq në moshën 90 vjeç dhe në momentet e fundit ai ishte bërë shumë i heshtur, nuk fliste me asnjeri. Tri ditët e fundit të jetës së tij ai i kaloi duke qëndruar në kolltuk dhe as nuk hante dhe as nuk pinte. Babai nuk vuante nga asnjë sëmundje para se të vdiste, ai vdiq nga pleqëria.

A ju ka lënë babai ndonjë amanet?

Babai im, të gjitha amanetet që ka pasur, i ka lënë në librat që ka shkruar. Janë tre libra të babait tim, të titulluar "Testamenti" 1, 2 dhe 3, të cilët unë i kam botuar, pasi në to janë amanetet e tij. Madje një libër i tij i quajtur "Maja e Preshës" ka dalë nga botimi vetëm pak kohë më parë. Po përveç disa materialeve që janë botuar, babai ka lënë edhe shumë materiale të tjera, të cilat nuk janë botuar ende. Edhe ato unë mund t'i botoj më vonë.

Si e priti babai juaj ndryshimin e regjimit komunist në vitet '90?

Rrëzimin e regjimit komunist në vendin tonë babai e priti me optimizëm. Madje këtë e reflektoi edhe në një shkrim që bëri tek gazeta "Republika" në atë periudhë, me titullin ""Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun". Artikulli u prit shumë mirë dhe shumë njerëz e përgëzonin dhe i kërkonin që ai të vazhdonte të shkruante akoma që të zbardhte shumë ngjarje. Por më pas babai u zhgënjye shumë edhe nga ta që erdhën në pushtet.

Sipas jush, pse e shkroi babai juaj këtë artikull-pendesë?

Babai im pendesën e kishte shprehur me kohë. Ai artikull ishte i njëjtë me ato që ai kishte shkruar në burg në vitet '60. Këtë mund ta gjeni tek libri "Testamenti Politik". Madje kur doli në shtyp artikulli me titullin "Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun" unë u habita dhe i thashë babait se pse u vendos ky titull në këtë shkrim, ti e ke bërë që në vitet '60. Por babai më tha se nuk ka gjë dhe më pas heshti.

Si e vlerësonte Bedri Spahiu Enver Hoxhën?

Për babanë tim Enveri nuk ekzistonte(!) Kur ka bërë babai dorëshkrimet e para në vitin 1959 dhe ia ka dorëzuar Mehmet Shehut, i thotë që po t'i dërgoj ty dorëshkrimet e mija, sepse pozita jote zyrtare e tillë është. Pasi dihet që Mehmet Shehu në atë kohë ishte kryeministër. Unë e di që je kriminel nga natyra, por të paktën je njeri me taban. Ndërsa Enver Hoxha është një njeri pa princip dhe unë tregoj mospërfilljen time për të. Në të gjithë dorëshkrimet e babait që kam marrë në Kryeministri në Arkivin e Shtetit, në Komitetin Qendror, në Ministrin e Brendshme, të cilat unë i kam në shtëpi, nuk kam parë askund të përmendet Enver Hoxha. Babai i kishte vënë vizën Enverit. Ai kishte thënë se ai është njeri pa principe dhe unë nuk merrem me të.

Si priti babai juaj vrasjen e Mehmet Shehut?

në vitin 1978 ne kemi qenë si familje në internim. Në këtë kohë ne dëgjuam për prishjen e marrëdhënieve me Kinën zyrtarisht, pasi de facto vendi ynë i kishte prerë marrëdhëniet kohë më parë. Unë e pyeta babanë, se si do të bëhet tani? Dhe ai më thotë tanimë si rregull Enver Hoxha do të godasë Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Por, tha babai, ai do t'i lerë edhe për pak kohë, se ka goditur shumë persona. Pra për babanë, vrasja e Mehmetit ishte diçka që pritej, dhe ai e kishte parashikuar atë tre vjet para se ajo të ndodhte.

Cili është varianti i Bedri Spahiut lidhur me vdekjen e Mehmet Shehut?

Për babanë, Mehmet Shehu nuk kishte vrarë veten, por e kishin vrarë. Madje, pas shembjes së regjimit, Bashkimi, djali i Mehmet Shehut ka ardhur dhe e ka pyetur babanë se ç'mendonte lidhur me raportin e Mehmetit me Enverin, dhe ai i ka thënë se këta nuk bënin dot pa njeri-tjetrin. Dhe Bashkimi e ka përmendur këtë në librin e tij. Bashkimi ngul këmbë se Mehmet Shehu është vetëvrarë, ndërsa babai ngulte këmbë se e kanë vrarë.

Cilët ishin faktet që babai mendonte se Mehmeti nuk e vriste veten?

Kur e kam pyetur babanë se ku e bazonte ai këtë fakt, që Mehmetin e kishin vrarë, ai më tha se e njihte mirë, dhe mendonte që Mehmeti nuk ishte një natyrë që të vriste veten. Pasi, sipas tij, ai ishte me karakter të fortë dhe nuk ishte nga ata tipa që të vriste veten.

A ka pasur Bedri Spahiu në qeli ndonjë prej atyre që kishte arrestuar dhe dënuar vetë?

Babai ka qenë në qeli me shumë nga ata që kishte dënuar vetë. Ai ka pasur në qeli edhe shumë njerëz me pikëpamje të djathta. Por me të gjithë ata babai nuk pati asnjë problem, madje ata e ndihmuan shumë dhe që të gjithë kanë folur mirë për babanë tim. Po kështu edhe unë, kur jam arrestuar, kam pasur mundësi që të kem në qeli disa persona që janë dënuar nga babai im, por edhe këta janë sjellë mirë me mua dhe më kanë përkrahur.

Si e ndjente veten babai që ndodhej në qeli me ata persona, të cilët i kishte arrestuar vetë?

Të gjithë janë sjellë shumë mirë me babanë. Duhet thënë që më mirë flisnin ata që vuanin dënimin me babanë se ata që quheshin komunistë.

Çfarë ndjesie pati babai juaj për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në fillim të viteve '90?

Babai ishte një tip jo emocional dhe nuk pati ndonjë reagim të dukshëm lidhur me këtë episod. Ai ishte natyrë e mbyllur.

Cili ishte pengu më i madh i babait tuaj?

Nuk më kujtohet ndonjë peng në veçanti.

Po për Ramiz Alinë çfarë mendonte babai juaj?

Në artikullin që nxori babai, në fillim të viteve '90, "Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiu", diku në shkrim thotë që "doli nxënësi më i fortë se mësuesi", domethënë e nxjerr Ramiz Alinë më të keq se Enver Hoxhën. Madje një shok burgu i babait më ka thënë që në vitin '82, kur doli Ramizi, në skenë: Dëgjo, mor djalë, çfarë më ka thënë babai yt në vitin 1972, kur e kishin pyetur për Ramizin, ai është "një mi gjirizi që do të bëjë karrierë". Dhe ky cilësim është bërë në vitin 1972.

A ka ndonjë drejtues tjetër të kupolës drejtuese të sistemit të kaluar, të ketë shfaqur një lloj pendese për kohën që ishte në drejtim si babai juaj?

Deri tani nuk kam dëgjuar një rast të tillë. Babai është i vetmi që i ka lënë me shkrim ato që ai mendonte. Ai ka tre libra testamenti, i parë, i dytë dhe i tretë. Testamenti i tretë titullohet "Pendimi" në turqisht. Këto libra janë shkruar në vitin '66, që ishte shumë e vështirë, pasi sot është kollaj të flasësh.

Tirana Observer
13 Korrik 2006