Kush janë 11 personat që kanë drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme nga '45 deri më sot

Fundi tragjik i kryeprokurorëve

Armand JONUZI

Tetë kryeakuzues të drejtësisë shqiptare që nga viti 1945 e deri më sot e kanë mbyllur karrierën e tyre nën akuzë dhe vetëm dy, e kanë mbyllur me nder. Këto ditë në parlament, beteja politike do përcaktojë nëse kryeprokurori aktual Sollaku, do të rradhitet si i nënti apo si i treti. Nëse i kthehemi historisë, i pari kryeprokuror i vendit pas çlirimit ishte Bedri Spahiu. Ai ishte vetëm 37-vjeç, kur i dhanë postin e prokurorit të Përgjithshëm në vitin 1945, kur vendi sa kishte dalë nga Lufta, ndonëse nuk kishte as eksperiencë dhe as arsimin e duhur në fushën e drejtësisë. Bedri Spahiu do të bëhej i famshëm gjatë kohës së drejtimit të organit të akuzës nga ai, për gjyqet kundër e intelektualëve shqiptarë dhe atë të Koçi Xoxes. Ylli i tij do të binte po aq shpejt sa u ngrit, pasi në vitin 1955 akuzohet nga ai sistem që ai mbrojti aq shumë dhe e burgosin. Pasardhësi i tij do të ishte Josif Pashko. Ai ishte një nga figurat e njohura komuniste gjatë kohës së Luftës. Josif Pashko drejtoi prokurorinë e Përgjithshme për disa vjet dhe mbahet mend për vazhdimin e "gjyqit special" të nisur nga Bedri Spahiu në vitin 1947. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Josif Pashko do ngjiste shkallët më të larta të nomenklaturës komuniste të asaj kohe.

Nga akuzues në të akuzuar

Siri Çarçani do të merrte postin e prokurorit pas Pashkos, ndryshe nga të parët, ai kishte eksperiencë në fushën e drejtësisë, pasi kishte qenë për shumë kohë hetues. Ai do të shkëlqente me akuzat kundër bandave diversante, që në vitet '50 kishin mësyrë në Shqipëri, si dhe me gjyqet kundër personave që akuzoheshin si agjentë jugosllavë. Siri Çarçani e mbajti për shumë kohë postin e prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Njeriu që do të merrte postin e prokurorit të Shqipërisë pas Çarçanit ishte Aranit Çela. Ai do të njihej për dorën e hekurt dhe dënimet e rënda që do të jepte gjatë kohës që drejtonte organin e akuzës. Ai vinte nga një eksperiencë e gjatë në këtë fushë dhe do të arrinte të ngjiste shkallët më të larta të organit të drejtësisë, duke u bërë edhe kryetar i Gjykatës së Lartë, post të cilin e mbajti deri në fund të regjimit komunist. Në vitet e '90 ai u akuzua në lidhje me dënimet e rënda që kishte dhënë gjatë kohës që drejtonte Gjykatën e Lartë. Prokurori i pestë në regjimin komunist do të ishte Dhori Panariti, i cili para se të merrte postin e shefit të akuzës shqiptare, kishte një eksperiencë të madhe pune si hetues. Edhe ai ndoqi rrugën e paraardhësit të tij dhe pati jetëgjatësi në mbajtjen e postit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai është akuzuar së bashku me shumë të tjerë që kanë dhënë dënime politike gjatë kohës që ka drejtuar organin e akuzës. Një nga personat që ka drejtuar për në kohë të gjatë organin e akuzës, dhe prokurori i fundit i regjimit komunist ka qenë Rrapi Mino. Ai do të mbetet gjatë në historinë e prokurorisë si njeriu që drejtoi akuzën ndaj "grupit armiqësor" të Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, në vitin 1982, si dhe për dënimet e rënda që jepte për "armiqtë e Partisë". Ai arrestohet në vitet '90 me akuzën për krime kundër njerëzimit së bashku me ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Aranit Çelën dhe ish-shefin e Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizin.

Karriera me fund tragjik e prokurorëve

Më 24 maj 1996, Gjykata e Faktit e Tiranës, e dënon Rrapi Minon me burgim të përjetshëm, për akuzën e ngritur, por pak kohë më vonë akuza bie dhe prokurori fiton pafajësinë. Njeriu i parë që do të drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme, me ardhjen e demokracisë në vend, do të ishte Petrit Serjani, i cili kishte një përvojë pune të admirueshme në organin e akuzës. Ai u emërua në postin e prokurorit të Përgjithshëm nga Parlamenti i parë pluralist në maj të vitit 1991 dhe e mbajti këtë post për më shumë se një vit. Gjatë kohës që ai drejtoi organin e akuzës do të mbahet mend për arrestimin e së vesë së diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxhës e shumë anëtarëve të Byrosë Politike. Ai ishte i pari prokuror që hetoi çështjen e depozitimit të arit shqiptar në Zvicër, në vitin 1991. Personi që mund të ketë mbajtur më pak postin e prokurorit të Përgjithshëm gjatë këtyre 61 viteve është Maks Haxhia. Juristi i njohur zëvendësoi në korrik të 1992 Petrit Serjanin, pas votimit në Parlament, i cili dominohej nga Partia Demokratike. Por do të ishte prapë ky Parlament që do ta shkarkonte vetëm 3 muaj më vonë, në nëntor të vitit 1992, pasi e akuzuan se nuk kishte vepruar për arrestimin e ish-funksionarëve të lartë të regjimit komunist. Njeriu që demokratët do të zëvendësonin Haxhinë, do të ishte Alush Dragoshi. Prokurori Dragoshi e mbajti postin e kreut të akuzës për më shumë se 4 vjet. Në vitin 1997 ai i dorëzon Parlamentit shqiptar kërkesën për dorëheqjen e tij, e cila i pranohet. Alush Dragoshi do të mbahet mend për akuzën kundër kreut të opozitës së asaj kohe, Fatos Nanos, akuza që do të binin më vonë. Arben Rakipi do të ishte njeriu që do të vinte në postin e Prokurorit të Përgjithshëm pas largimit të Dragoshit. Ai do të mbahet mend si njeriu që i ndryshoi pamjen organit të akuzës. Arben Rakipit i ra barra më e rëndë të drejtonte prokurorinë në kohën kur vendi po dilte nga trazirat e vitit 1997 dhe krimet ishin të shumta. Kreu i akuzës do të mbahet mend për akuzat e të fortëve të '97-ës si dhe zbardhjen e vrasësve të deputetit demokrat Azem Hajdari e shumë krimeve të tjera që kishin pushtuar vendin në atë kohë. Arben Rakipi e mbajti postin e prokurorit të Përgjithshëm për gati 4 vjet e gjysmë, pasi u shkarkua nga Parlamenti në mars të vitit 2002. I fundit i "mohikanëve" është Theodhori Sollaku. Ai është emëruar prokuror i Përgjithshëm në vitin 2002, pas shkarkimit të Arben Rakipit dhe vazhdon ta mbajë akoma këtë post. Gjatë kohës që ai është në drejtimin e organit të akuzës janë asgjësuar shumë banda kriminale dhe bashkëpunimi me prokuroritë e vendeve të tjera është rritur. Por siç duket shifra e personave që kanë drejtuar organin e akuzës në vitet e regjimit komunist me ata të 15 viteve demokraci mendohet të barazohet.

Bedri Spahiu
Ka lindur më 13 korrik 1908 në qytetin e Gjirokastrës. Ai u vu në postin e Prokurorit të Përgjithshëm me gradën gjeneral major. Kërkoi me dhjetëra dënime me vdekje në gjyqin special të 1945-ës, në gjyqin e deputetëve më 1947 dhe në gjyqin e Koçi Xoxes më 1949.

Siri Çarçani
Është një nga prokurorët e Përgjithshëm në periudhën e sistemit komunist dhe ka zënë vendin e Bedri Spahiut. Ka qenë në krye të organit gjyqësor deri në momentin që në këtë post erdhi Josif Pashko.

Josif Pashko
Pas Siri Çarçanit, në krye të prokurorisë vendoset Josif Pashko, një kuadër i vjetër Lufte, por edhe një hetues me përvojë dhe karrierë të gjatë pune në gjykata të ndryshme.

Aranit Çela
Është një nga kryeprokurorët më të dëgjuar në regjimin e kaluar, pasi nën drejtime tij janë shumë gjyqe, që janë cilësuar politike. Largohet si kryeprokuror, pasi kalon në Gjykatën e Lartë.

Arben Rakipi
U emërua në postin e kryeprokurorit në gusht të vitit 1997. edhe ai si parardhësi i tij Dragoshi qëndroi më shumë se katër vjet në atë post. Ai u shkarkua nga parlamenti më 18 mars të vitit 2002.

Theodhori Sollaku
Në vitet 1992-2002 ka qenë anëtar i grupeve të punës për hartimin e ligjeve kushtetuese dhe të Kushtetutës së re. Në vitin 2002 zgjidhet prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, duke marrë postin e Arben Rakipit.

Alush Dragoshi
Alush Dragoshi, ishte prokurori që zëvendësoi Maks Haxhinë pas shkarkimit të tij në nëntor të vitit 1992. ai qëndroi në krye të akuzës për më shumë se katër vjet dhe u largua në gusht të vitit 1997

Dhori Panariti
Një tjetër kryeprokuror në regjimin e realizmit socialist është dhe Dhori Panariti, i cili zuri vendin e Aranit Çelës, kur ky i fundit u bë kryetar i Gjykatës së Lartë, post që e mbajti deri në vitin 1982.

Rrapi Mino
Më 23 nëntor te vitit 1982, me urdhër të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Rrapi Mino emërohet prokuror i Përgjithshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në fund të viteve '80, ku zëvendësua nga Petrit Seriani.

Petrit Serjani
Petrit Serjani u lind më 16 shtator 1949, në Vlorë. Në maj 1991 emërohet kryeprokuror me vendim të Parlamentit, post që e mbajti deri në korrik të vitit 1992, ku u zëvendësua nga Maksim Haxhia

Maks Haxhia
Maks Haxhia është emëruar kryeprokuror në muajin korrik të vitit 1992. ai është kryeprokurori që qëndroi më pak në detyrë pasi u shkarkua tre muaj më vonë pas emërimit

Historiku i Prokurorisë së Përgjithshme

Në vështrimin historik, prokuroria është përfshirë në pushtetin gjyqësor ose ka funksionuar pranë tij. Portreti i prokurorisë në vite, në etapa të ndryshme ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit, ka pësuar ndryshime në fizionominë e tij. Periudha 1913-1920 shënon hapat e para për krijimin e institucioneve të shtetit të ri shqiptar. Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, morën masa për riorganizimin e drejtësisë së shtetit të pavarur shqiptar. Me "Kanunin e Zhurisë", të miratuar në vitin 1913, u parashikua krijimi i Gjykatës së Diktimit.

Periudha 1920-1939

Në vitet '20-'40 problemet kryesore në fushën e së drejtës, që paraqisnin rëndësi të madhe për shtetin tonë, ishin reforma ligjore dhe riorganizimi i organeve gjyqësore dhe aftësimi i kuadrove të tyre. Në Kushtetutën e vitit 1946, prokuroria trajtohet në kapitullin "Gjykatat dhe Prokuroria", duke u përcaktuar si organ i Kuvendit Popullor. Në Kushtetutën e vitit 1976, prokuroria trajtohet në një krye të veçantë, pas Gjykatës dhe Hetuesisë, dhe nuk bëhet përcaktimi i raporteve të saj me pushtetin gjyqësor apo pushtetin ekzekutiv. Ndryshimet e mëdha demokratike në vitet '90, pasuan reforma të thella ligjore dhe strukturore edhe në prokurori, duke ia kthyer asaj fizionominë dhe portretin e duhur institucional, si dhe duke e përfshirë prokurorinë në pushtetin gjyqësor. Aktualisht, prokuroria është konceptuar si organ i një lloji të veçantë, "sui generis", e vetmja në llojin e vet, dhe ndonëse nuk përfshihet as në pushtet gjyqësor e as në pushtet ekzekutiv, ka karakteristika të përbashkëta të këtyre dy pushteteve. Prokurorët emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm".

Tirana Observer
23 Prill 2006