Prokurorët e Antimafias italiane kanë kërkuar 187 vite burg, për 16 të arrestuar të konsideruar anëtarë të mafias shqiptare me aktivitet kriminal në Romë.
Kapo i këtij klani mafioz është shqiptari 37 vjeçari Elvis Demçe, ndaj të cilit është kërkuar 20 vite burg, pasi ka pranuar dënim me rit të shkurtuar e po aq është kërkuar për rivalin e tij në aferat kriminale, Shqiptari Ermal Arapaj.
Kërkesa e Prokurorisë ka pësuar një reduktim me 1/3 e dënimit, për 5 nga të arrestuarit që kanë kërkuar dënim të shkurtuar, e ndaj 11 të tjerëve do të kryhet një gjykim i zakonshëm.
Ndaj të 16 të arrestuarve rëndon akzua e pjesëmarrjes në aktivitet mafioz.
Bosi shqiptar Elvis Demçe ishte në aleancë kriminale me kapo ultrasin e tifozerisë së skuadrës së Lazios Fabrizio Piscitelli, i ekzekutuar në gusht të 2019 në një park të Romës.
Rival në aferat e drogës, Elvis Demçe kishte shqiptarin Ermal Arapaj, i cili me grupin e tij kontrollonte trafikun e drogës në zonën Castelli Romani, e disa territore të caktuar të bregdetit roman.
Shqiptari Elvis Demçe, 37 vjeç, prej shumë vitesh banues në Romë, u arrestua më 18 janar 2022 nga Antimafia Italiane, nën akuzën kapo i një organizate kriminale mafioze, narkotrafikante.
Në banesën e tij, u gjetën prova të rëndësishme mbi lidhjen me klanin mafioz të Fabrizio Piscitello, i njohur me nofkën Diabolik.
Hetimet ndaj Demçes u gërshetuan me hetimet për vrasjen e kapos së tifozerisë laziale Fabrizio Pischitello, e zbardhën ambiciet e shqiptarit për të kontrolluar tregun e drogës në Romë, e për t'u bërë siç thotë ai "Narkotrafikanti më i fuqishëm i epokës moderne" mëson Ora News.
Elvis Demçe kishte një profil të lartë kriminal me ambicien, për të vënë nën kontroll trafikun e drogës në të gjithë kryeqytetin italian.
Përgjimet zbardhën disponueshmërinë e menjëherëshme të tij financiare, si dhe në sasi të mëdha droge, për të konsoliduar aktivitetin kriminal pak muaj pas vrasjes, në gusht të 2019, të Diabolik.
Dosja hetimore e antimafias zbardh se Elvis Demçe, gjatë bisedave me besnikët e tij Nikolin Shkrepi e Francesco Bastianelli, projekton se si duhet të jetë e ardhmja e tyre.
"Duhet të bëjmë jetën e narkotrafikanëve të rezervuar, të këqinj sa është e nevojshme, të mbajmë sytë hapur e të takohemi vetëm kur të jetë e nevojshme, për aktivitetin tonë. Drekat e darkat, duhet t'i bëjmë jashtë Rome. Në Romë duhet të jemi një fantazëm, e gjatë verës t'i gëzojmë luksit, por vetëm jashtë (Italisë). Kjo do të thotë të jesh profesionistë", thotë ai në bisedat me anëtarët e bandës.
Në përgjimet e autoriteteve italiane, zbardhet se Demçe ka projektuar mbërritjen nga Maroku përmes autobuzëve të linjës, të 1000 kg hashash i blerë në Spanjë, e po ashtu përmes një shqiptari tjetër përpiqet të vendos lidhje me kartelin kolumbian, të Golfit.
Në bisedën e përgjuar Elvis Demçe, i kërkon mikut të tij "duhet të më bësh narkotrafikantin më të fuqishëm të epokës moderne. Unë kam lindur për këtë jetë, nuk është çështje lekësh , por kjo është natyra ime vëlla, thotë ai, mëson Ora News.
Elvis Demçe i vetëquajtur me nofkën Spartaku, konfermon se është vënë në hetim pas vrasjes së Diabolik, kapo ultrave të tifozerisë së Lazios, Fabrizio Pischitelli që ai e quan "Diablo ynë".
"Jam rritur në hijen e tij, thotë Demçe, e krenohet duke u shprehur, se "jo më kot sot është ai që kontrollon zonën Ponte Milvio, që më parë ishte në duart e Diabolik.
Hetimet e Antimafias Italiane mbi kriminalitetin roman, konfirmojnë rolin e rrezikshmërinë gjithnjë e më të lartë, që mafia shqiptare ka në këtë qytet.
Burimi: ORA NEWS
Krijoni Kontakt