Paratë informale në sektorin e ndërtimit janë hedhur prej vitesh në Shqipëri, por studimet tregojnë se pas 2017-s pati një fluks të pazakontë të tyre.
Një raport i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar vlerëson se në tre vite, vetëm në Tiranë dyshohet të jenë pastruar mbi 1.2 miliardë euro nga krimi i organizuar. Studimi i financuar nga projekti gjerman GIZ analizon të dhënat e sektorit bankar dhe ato të raportuara nga ndërtuesit për vitet 2017, 2018 dhe 2019.
Në 2019-n, leje ndërtimi për godina mbi 6 kate u dhanë për 141 kompani. Studimi i Nismës vlerëson se 59 për qind e tyre nuk kishin burimet financiare për të përfunduar ndërtimet për të cilat morën lejet.
Bankat zakonisht kreditojnë 50 deri në 70 për qind të kostos së ndërtimit të një godine shumëkatëshe. Në 2019-n, ato raportuan se kanë kredituar me 200 mln euro ndërtimin, që do të thotë se kosto totale e investimeve në ndërtim në atë vit duhej të ishte 400 deri në 500 mln euro.
Por, në vitin 2019 të dhënat zyrtare raportuan aktivitet ndërtimor me kosto 950 milionë euro, me një shifër prej 550 mln euro të pambuluar. Duke hequr nga kjo shumë pjesën që janë pagesa të qytetarëve për ndërtuesit përmes kontratë-porosive të apartamenteve, studimi vlerëson se të paktën 500 mln euro është shuma e pastruar nga krimi i organizuar vetëm për atë vit.
Me të njëjtën logjikë, raporti thotë se në 2018 janë pastruar 570 milionë euro dhe në vitin 2017-të 320 milionë euro.
Veç Shqipërisë, studimi ka analizuar të dhënat edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Sipas tyre, Shqipëria ka nivelin më të lartë të ekonomisë së paligjshme, pra i transaksioneve financiare që kryhen jashtë sistemit për të fshehur origjinën e të ardhurave.
Ky nivel në Shqipëri është rreth 22 për qind të saj, në Maqedoni ky nivel është 10 për qind dhe në Kosovë 8 për qind.
Euronews
Krijoni Kontakt