Gjykimi i Jeton Lamit/ Si u varros dosja e Ervis Martinajt
Me vendimin që mori gjykata e Lezhës për të dënuar me 2 vite e 10 muaj burg Jeton Lamin, efektivin e Operacionales që shoqëronte Ervis Martinajn, janë zeruar shanset që policia dhe prokuroria të zbulojë çfarë ndodhi me zhdukjen e tij. Dënimi, pa rrëfimin e rolit të Jeton Lamit, praktikisht ka varrosur dosjen e zhdukjes së Martinajt, një histori që ngerthen majat e krimit, politikës dhe biznesit qindra miliona euro të kumarit.
Efektivi i Operacionales Jeton Lami ishte njeriu kyç që mund të zbërthente të vërtetën për Ervis Martinajn, që nga lëvizjet e tij, kontaktet në politikë, pagesat për shefat e korruptuar të policisë apo destinacionin e fundit për ku u nis për të mos u kthyer asnjëherë.
Por gjyqi për Jeton Lamin u mbyll me shpejtësi. është lënë të kalohet fakti se 28-vjeçari nuk tregoi asgjë nga ato që di për zhdukjen e bosit të kumarit.
Në fakt, pasi u arrestua në 24 Gusht të vititi të kaluar, Jeton Lami pranoi të rrëfehet vetëm tek një njeri; Drejtorin e atëhershëm të Policisë, Gledis Nano. Për disa orë, ata qëndruan bashkë në qeli dhe Nano dëgjoi me veshët e tij gjithçka që dinte Jeton Lami. Mësoi jo vetëm për hasmëritë e Martinajt, por edhe për destinacionin e tij të fundit dhe çka është më e rëndësishme, u njoh me emrat e shefave të policisë që ishin në listë-pagesën e biznesit të kumarit.
Ky rrëfim duket se i kushtoi karrierën. Fill pas bisedës me Jeton Lamin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u takua me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi tek i cili raportoi gjithçka kishte mësuar, që nga lëvizjet e Martinajt tek emrat e policëve të korruptuar.
Bledi Çuçi i premtoi një përgjigje ditën e hënën. Dhe ashtu ndodhi.
Në takimin e radhës, të hënën e datës 29 Gusht Lapsi.al raportoi një takim të tensionuar në zyrën e Çuçit. Aty, Gledis Nano mori ftesën për të dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
“Arsyeja” që i dha Çuçi ishin rezultatet e dobëta për rendin dhe sigurinë gjatë sezonit turistik.
I tensionuar nga përgjigjia e Çuçit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë takoi kryeministrin Edi Rama. Shpresa e tij naive ishte se Rama do t’i jepte një përgjigje tjetër nga ministri.
Lapsi.al mësoi se Rama u tregua i mirëkuptueshëm me Gledis Nanon, por në fund i tha të vepronte siç e kishte këshilluar ministri. Në fund të fundit, urdhri për shkarkimin kishte ardhur direkt nga Rama.
I vendosur për të kërkuar të dretën e tij, Gledis Nano pati një takim në ambasadën amerikane. Lapsi.al mësoi se Gledis Nano tregoi në ambasadë edhe një herë dëshminë e Jeton Lamit, për përfshirjen e shefave të policisë në listë-pagesat e Ervis Martinajt, për këshillën për t’u dorëhequr dhe për faktin se i kishte pranuar Ramës dorëheqjen, e cila pritej të zyrtarizohej në datën 31 Gusht në mbledhjen e qeverisë, të mërkurën.
Një burim i Lapsi.al tha se përpjekjet e ambasadores amerikane për ta mbajtur në detyrë Gledis Nanon ranë në vesh të shurdhër.
Vetë Rama më vonë gjatë një interviste në Opinion tha se në këtë takim, Gledis Nano ia konfirmoi dorëheqjen, por më pas ndryshoi mendje.
“Ai ma kishte konfirmuar mua dorëheqjen. Iu kërkua dorëheqja sepse situata e kohës së fundit ishte problematike. Kjo kërkonte një ndryshim të lidershipit të saj në krye të policisë së shtetit” – është shprehur Rama gjatë intervistës në Opinion.
Me largimin e Gledis Nanos nga drejtimi i policisë, mori fund edhe ajo pak përpjekje për zbardhjen e të vërtetës mbi Ervis Martinajn. Drejtori i ri, Muhamet Rrumbullaku kur u pyet nga gazetarët mbi këtë çështje në dhjetor të vitit të kaluar tha se “policia e Shtetit është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit”. Por me kalimin e kohës kuptohet se çështja u varros për të mos u diskutuar më asnjëherë.
Në vend se të gjurmonin bandat kriminale që zhdukën Ervis Martinajn, policia i është vënë pas familjes së tij.
Disa aksione të forcave speciale janë zhvilluar për të kontrolluar shtëpitë e Martinajve në Fushë-Kuqe ku janë gjetur armë dhe municione. Një nga operacionet u zhvillua natën e Krishtlindjeve dhe dy javë më pas u bastisën vilat që Vis Martinaj kishte marrë me qira në Surrel, përballë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama.
Familjarët e Martinajt akuzojnë pikërisht Edi Ramën si ideator dhe ekzekutor të zhdukjes së nipit të tyre.
Xhaxhai i Ervisit, Faik Martinaj tha se Edi Rama ishte sponsor politik i rrëmbimit dhe zhdukjes së nipit të tij, duke u shprehur 100% i bindur për akuzat.
Sipas tij zhdukja e Ervis Martinajt nuk ishte thjesht përplasje mes bandash, por një ekzekutim i organizuar nga nivelet e larta të politikës dhe të biznesit, në shërbim të të cilëve u vunë 6 banda.
Gjatë një interviste në Report Tv, Faik Martinaj e quajti Edi Ramën “organizator”, “ideator” dhe “iniciator” të vrasjes së Ervis Martinajt.
“Ato ishin 6 banda të lidhura me qeverinë me mbështetje politike kundërshtare. Kaq është e vërteta” u shpreh xhaxhai i Ervis Martinajt. “Hasmi të vret, nuk e zhduk kufomën” tha ai, duke bërë dallimin për vrasjet mes bandave.
Një tjetër moment ku familja Martinaj i bazon akuzat ndaj kryeministrit është një thirrje që Edi Rama e ka bërë në miting gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, kur ai thotë se “ia dimë targat një drejtori të basteve”.
“Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënuar, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth. Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut” u shpreh Faik Martinaj.
Që nga zhdukja e Ervis Martinajt, në gusht të vitit 2022 ka pasur shumë deklarata nga policia se së shpejti do të dilet me një version zyrtar, por ende nuk ka asnjë rezultat. Në vend të kësaj, i është hapur rrugë vendimit të qeverisë për biznesin e basteve, që ishte edhe fusha ku sundonte Martinaj.
Lapsi.al
Krijoni Kontakt