Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Rama vë në shënjestër mediat, shkatërron pronën private të Irfan Hysenbelliut

    Qeveria sulmon pronat e Hysenbelliut dhe pretendon se media e tij po i bën shantazh

    Fadromat e Ministrisë së Brendshme shembën dy pishina në një resort turistik nën pronësinë e pronarit të mediave, Irfan Hysenbelliu, një përshkallëzim tjetër i një konflikti që vijon prej muajsh mes qeverisë dhe këtij biznesmeni, ndërsa opozita deklaroi se liria e medias është në rrezik.

    Emri:  Irfan-Hysenbelliu-LSA-1.jpg

Shikime: 331

Madhësia:  44.4 KB

    Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit shembën mëngjesin e së premtes dy pishina në kompleksin “Prestige” në bregdetin e Durrësit, në atë që Ministria e Brendshme e cilësoi një aksion për rivendosjen e ligjshmërisë, ndërsa pronari i resortit, biznesmeni Irfan Hysenbelliu dhe media nën pronësinë e tij shpalli se gjendej nën një sulm të qeverisë për shkak të vijës së vet editoriale.

    Zëdhënësi i kryeministrit, Endri Fuga hodhi poshtë akuzat se kryeministri Edi Rama po përdor pushtetin shtetëror në një konflikt të karakterit politik, ndërsa Ministria e Brendshme akuzoi Hysenbelliun se përdor mediat nën pronësinë e tij për të sulmuar zyrtarët e shtetit që, sipas saj, “po zbatojnë ligjin”.

    Dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI, e konsideruan aksionin një sulm kundër lirisë së medias, ndërkohë që mediat kryesore audiovizive, të cilat perceptohen si proqeveritare, e konsideruan ngjarjen jolajm dhe nuk raportuan për të.

    Zëvendëspresidentja e ‘Hysenbelliu Group’, Fabiola Hysenbelliu deklaroi për gazetën “Panorama” se sulmi i qeverisë ndaj Prestige Resort lidhet drejtpërsëdrejti me linjën editoriale të medias nën pronësinë e Hysenbelliut.

    “Kjo situatë ishte e planifikuar nga zoti Edi Rama. Ai është mundur të negociojë për editorialin e News 24 dhe Panorama. Ne jemi këtu për t’i thënë; ne nuk ndryshojmë editorianlin,” deklaroi ajo.

    Ministria e Brendshme deklaroi nga ana e saj se veprimet në “Prestige Resort” janë pjesë e një fushate më të gjerë kundër informalitetit.

    “Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre,” deklaroi ministria në një faqe në Facebook. [Link]

    “Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit,” shtoi ajo.

    Pyetur nga BIRN në lidhje me akuzën se kryeministri po përdor pushtetin shtetëror në konfliktin me Hysenbelliun, zëdhënësi Endri Fuga deklaroi “nuk ka lidhje”.

    Ndërsa deputetë dhe funksionarë të ndryshëm të opozitës, përfshirë Partinë e Lirisë dhe Partinë Demokratike në grupin mbështetës të Sali Berishës, deklaruan se kemi të bëjmë me një sulm kundër lirisë së medias.

    “Partia Demokratike dënon me ashpërsi këtë sulm ndaj medias së lirë e të pavarur!,” deklaroi Albana Vokshi, deputete e PD-së. “PD dënon dhunën shtetërore të pushtetin privat të Edi Ramës ndaj biznesit shqiptar!” shtoi ajo.

    Irfan Hysenbelliu është pronar i News 24, Balkanweb dhe gazetës Panorama, ndërsa ka interesa të tjera ekonomike në sektorin e ndërtimit, turizmit dhe prodhimit të birrës. Ai është pronar i Birra Korça dhe aksioner maxhoritar i Birra Tirana.

    Fokus Media Group, kompania që ka nën pronësi televizionin News 24, kontrollon rreth 7.4% të tregut televiziv në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2020.

    Përgjatë muajve të fundit, media nën pronësinë e tij ka akuzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi për korrupsion dhe pasuri të paligjshme. Ky i fundit duket se ka urdhëruar kontrolle tatimore mbi Birrën Tirana, për të cilat u deklarua se është gjetur evazion fiskal si dhe detyrime tatimore të papaguara me vlerë 1.7 milionë euro.

    Në maj, tre zyra të ndryshme të tatimeve kanë depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tre urdhra bllokimi të shit-blerjes së aksioneve të Birrës Tirana për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara. [Link]

    Tregu i medias në Shqipëri konsiderohet se është nën ndikim të tërthortë të pushtetit politik, ku qeveria përdor pushtetin për të kontrolluar median dhe ku pronarët përdorin median për të promovuar interesat e veta.

    Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me liritë themelore të njeriut shkruan: “Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar veprimet e qeverisë kundrejt bizneseve të tyre të tjera.” [Link]

    Gjithsesi, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, agjencia shtetërore që merret me ndërtimet pa leje, ka një reputacion jo më të mirë se sa media.

    Në raportin e vet të vitit 2018 për Klimën e Investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit vërejti: “Ka pasur raportime të besueshme se qeveria ka shembur disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Qytetarët kanë dorëzuar ankesa se INUK ka injoruar kërkesat e qytetarëve për të shembur disa ndërtime pa leje, ndërsa kanë zgjedhur të shembin ndërtesa të tjera, për të cilat qytetarët nuk janë ankuar.”

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama vë në shënjestër mediat, shkatërron pronën private të Irfan Hysenbelliut

    “Askush s’e ka fituar betejën me median e lirë”/ Ndërhyrja e paligjshme në “Prestige Resort”, loja e Edi Ramës për të vënë në kontroll median më të fuqishme në vend

    Dikujt që nuk ka qenë 3 ditët e fundit në Shqipëri dhe është i panjohur me ngjarjet e aktualitetit, mund t’i duket e çuditshme që skrepat e fadromat kanë nisur mësymjen ndaj “Prestige Resort” në Golem.

    I maskuar me emrin e operacionit “Bregdeti ynë” dhe i kamufluar si një përpjekje për t’i rikthyer plazhistëve rërën, ky akt i paligjshëm nuk ka të bëjë aspak me një operacion urbanistik. Ai është në rradhë të parë, një operacion politik. Nëpërmjet policëve dhe fadromave të paligjshme të IKMT-së nuk synohet vetëm shkatërrimi i një pishine. Qëllimi nuk është rrënimi i betonit, por i ngrehinës mediatike më të fuqishme në Shqipëri, e cila përmbledh mes të tjerash, televizionin informativ më të shikuar, portalin informativ më të klikuar dhe gazetën më të lexuar.

    “News 24”, “Balkanweb”, “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, revista “Psikologji” janë pjesë të këtij grupi mediatik që kanë bërë historinë e medias shqiptare së post-komunizmit.

    Në krye të këtij operacioni politik, qëndron Edi Rama. Fadromat janë etapa e fundit e një përpjekje të vjetër të pushtetit për të kontrolluar këtë grup mediatik.

    Ky operacioni ka kaluar në 4 faza: Joshja, tentativa për blerje, presioni dhe në fund, faza e dëshpërimit. Rruspa.

    Le t’i marrim me radhë.

    Edi Rama dhe enturazhi i “Rilindjes” u përpoqën ta joshin në të gjitha mënyrat grupin mediatik dhe tentuan ta vendosin nën kontroll duke përdorur “karrotën”. Vetë Rama tregohej i dashur dhe i afërt, duke arritur deri aty sa nën pishat e “Prestige Resort” skiconte me dorën e tij modelin e pishinave apo jepte ide për ngjyrën e hotelit. Ai mendoi se duke qëndruar afër grupit mediatik, do ta kishte të lehtë të bënte kryeredaktorin duke vendosur në detaje politikën editoriale të grupit. Por, ai nuk ia doli. Sepse “Hysenbelliu Group” bënte biznes të ligjshëm e të ndershëm dhe nuk u var kurrë nga paraja publike që Rama ishte mësuar të daroviste klientët e vet.

    Ndaj, operacioni politik kaloi në fazën e dytë. Njerëz me dhe pa biznes, me ‘background’ të qartë dhe të paqartë shpalosën ofertat e tyre për ta blerë dhe për ta vënë nën kontroll qeveritar të gjithë grupin mediatik. Në fund të fundit, blerësit nuk synuan zhvillimin, por rrënimin e grupit mediatik.

    Por, këtyre u mbeti sharra në gozhdë. Autoriteti i mediave të sipërcituara mbeti i pacënuar dhe ato vazhduan të jenë pikë referimi në mjedisin e brishtë mediatik shqiptar.

    Dihet që propaganda për kryeqeveritarin është gjithçka. Ndaj, operacioni i tij politik kaloi në fazën e tretë, atë të presionit.

    Ai urdhëroi të gjitha agjencitë qeveritare të mësynin mbi median dhe bizneset duke “krehur” letrat në kërkim të shkeljes më të vogël. Dëshpërimi e solli që ai t’i dërgonte një shkresë televizionit “News 24” për lirimin e hapësirës ku ky TV operon prej 2 dekadash. Gjykata ia rrëzoi poshtë këtë letër presioni.

    Por, siç dihet, një autokrati i duket sikur po e kërcënon, kur ti je thjesht në të drejtën tënde. Ai nuk mund ta kuptojë dot që dikush e shumëkush të mos i bindet. Sepse autokrati sundon me vasalë, nuk qeveris me rregulla demokratike.

    Ndaj, si fazë të katërt të operacionit politik për vënien nën thundër të grupit të mediave ai përdori dhunën fizike.

    Në fillim prishi një mur e më tej rrethoi me fadroma dhe ekskavatorë qindra turistë të huaj në “Prestige Resort” në Golem.

    Nëse ky do të ishte një film, fare mirë mund të ekranizohej si një skenë e Luftës së Dytë Botërore, ku tanket naziste ndërhyjnë në zonat urbane duke shkatërruar gjithçka, në Europën Qendrore në fund të viteve ’30.

    Dhuna fizike, pra shkatërrimi me “tanket” e IKMT-së janë faza e fundit dhe e dëshpërimit të një qeverie dhe një kryeministri që synon të kontrollojë grupin më të rëndësishëm informativ në vend.

    Askush nuk e ka fituar betejën me median e lirë. Rama këtë e di më mirë se kushdo. Kur bie fuqia e fjalës dhe vendin e zë fuqia e dhunës, aty ka nisur fillimi i fundit. Por kur të vijë fundi, nuk do të mjaftojë një pishinë për të larë mëkatet e Edi Ramës.

    Gazeta Shqiptare

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama vë në shënjestër mediat, shkatërron pronën private të Irfan Hysenbelliut

    Investigimi/ Tre mëkatet e Ramës me Irfanin

    Emri:  IMG-20220903-WA0001.jpg

Shikime: 271

Madhësia:  39.1 KB

    Kur fadromat e IMKT ia behën për të shkallmuar “Prestige resort” të bisnesmenit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, ky i fundit u mbrojt me argumentin se ai gjithçka e kishte me leje, madje të firmosur dhe vetë nga Edi Rama, në 2016-ën, prandaj qëllimi i ruspave të qeverisë ishte që të ndryshonte vijën editoriale të mediave të tij, përmes shantazheve të paligjshme. Për të vërtetuar këtë nënpunësit e “Presige resort” publikuan edhe faksimilen e lejes të KKRT të nënshkruar nga kryeministri (poshtë).

    Emri:  leja-e-prestige-resort.jpg

Shikime: 265

Madhësia:  41.2 KB

    Me të dalë ky dokument si dhe një fotografi e shefit të qeverisë duke drekuar me biznesmenin Hysenbelliu, në shoqëri të Taulant Ballës, Arben Ahmetajt dhe Behgjet Pacollit, pikërisht buzë pishinës që është duke u shkatërruar nga fadromat e IKMT-së, u detyrua të bënte një sqarim ministria e brendëshme.

    Në të pretendohej se shkallmimi po bëhej për interes publik dhe nga ky aksion do ti ktheheshin qytetarëve 4 mijë metra tokë të zaptuara. Ministria e Brendshme pretendonte se leja ishte dhënë me dy kushte, ku theksohej ajo do të jepej vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse dhe asnjëra prej tyre nuk është plotësuar (poshtë).

    Emri:  6311d0c9dc645302415960_470107178487973_5555869432377659723_n.jpg

Shikime: 286

Madhësia:  31.0 KB

    Po cili nga këto dy versione, aq larg nga njëri-tjetri, është më pranë së vërtetës? Lapsi.al i ka parë ato me lupë, ka analizuar të gjitha të dhënat, natyrisht duke e vëzhguar çështjen nga interesi i publikut dhe rëmbimi ose jo i hapsirave që i përkasin qytetarëve. Duke u nisur nga ky princip qeveria Rama ka bërë së paku tre shkelje flagrante.

    Së pari, ato 4 mijë metra hapsirë publike, për të cilat ministria e brendëshme bën sikur i dhimsen sot, qeveria ia kishte falur Irfan Hysenbelliut. Sikurse duket edhe në master planet që i kanë publikuar të njëjtat të dyja palët, në hartë vëzhgohet qartë se bllokimi i rërës dhe ndalimi i vijueshmërisë së bregut të detit si një pronë e të gjithëve, është parashikuar në harten e firmosur nga Rama. Pra nëse biznesmeni do kishte paguar taksat dhe do kishte plotësuar kushtet e pretenduara teknike, ai do ta gëzonte sot, këtë pronë të të gjithëve, me bekimin e Ramës. Madje ai do përvetësonte edhe një pjesë të detit duke ndërtuar një mol për skafe i cili fatmirësisht nuk është ndërtuar ende. Po ashtu, leja e Ramës parashikon një hotel shumë katësh, ndryshe nga plani fillesar i Mak Albania (të gjitha qeveritë nga ajo Meksi, Nano, Meta, Majko, Berisha e kanë zbatuar këtë parim), që prish rregullin e kësaj zone që ndërtimet e betonit mos ngrihen mbi lartësinë e pishave.

    Pra, kur ishte mirë me Irfan Hysenbelliun, kur donte të joshte mediat e tij, Edi Rama se kishte për gjë tu grabiste qytetarëve ato 4 mijë metra, për të cilat ministria e brendëshme qurravitet tani.

    Emri:  Screenshot_20220902-151826_Facebook.jpg

Shikime: 280

Madhësia:  57.1 KB

    Së dyti janë disa foto që flasin shumë (këtu lart) ku duket dhënësi i lejes i veshur me tuta adidas qe drekon për shtatë palë qefe me përfituesin e saj në shoqërinë e hierarkëve të PS dhe qeverisë. Kushdo që e ka parë “Prestige resort” e kupton se në kohën ku po konsumohet kjo drekë hoteli është ngritur, pishinat janë ndërtuar dhe shefi i qeverisë po shijon jetën buzë saj. Po ka një pyetje: Kur leja është që në mars 2016, dhe kur taksat nuk janë paguar prej kohësh dhe kushtet teknike nuk jasnë plotësuar gjithashtu, si shkon kryeministri në një objekt që i ka borxh shtetit që ai drejton? Si mund të pijë verë rrehat rehat shefi i qeverisë me një biznesmen që i ka borxh publikut? Si e ka marrë me vete edhe bacën Behgjet Pacolli, të cilit i ka dhënë aeroportin e Vlorës, apo për ti dhënë edhe atij shembullin se ne pijmë bashkë edhe kur ti si paguan taksat?

    Në një vend normal, vetëm kaq do të mjaftonte, jo për të shkuar ruspat tek Irfani, po që një kryeministër të jepte dorëheqje. Shoqërimi i Ramës në publik, me një biznesmen që tallet me lejen e firmosur prej tij dhe rrefuzon të paguajë borxhin, do të shpjegohej me promovimin e këtij modeli.

    Por në vendin kur Rama të bën të mirë kur je me të, dhe të shkallmon pronën kur e kritikon edhe kjo mund të shitet si normale.

    Së treti, qeveria pretendon se futi ruspat ngaqë biznesmeni nuk kishte paguar taksat. Po a zgjidhet konfikti për taksat me shkallmim prone. A i kanë shkuar fadromat edhe biznesmnëve të tjerë që i kanë borxh psh. tatimeve? Ky pretendim është qesharak. Ky aksion ka qëllim vetëm hakmarrjen dhe prandaj për të bërë të munduar atë u ndryshua një ditë më parë drejtori i IKMT-së duke e zëvendësuar me Dallëndyshen e famshme. Prandaj u zgjodhen tre ditë fundjave (prishjet vazhdonin edhe këtë të shtunë), ende pa mbaruar sezoni, që përdhunimi ndaj atij që s’i bindet padronit të bëhej në sy të publikut dhe sa të më shumë njerëzve. Prandaj ruspat, mjetet e rënda dhe policët ecnin me arrogancë, në rërë, në sy të pushuesve me roba banjo. Ato marshonin me justifikimin se po i rikthenin hapsirën publike qytetarëve, por duke harruar se kur Rama e kishte mirë me Irfanin ai ia kishte rëmbyer plazhin qytetarëve duke privatizuar dhe rërën dhe bregun e detit (faksimilja lart).

    Lapsi

  4. #4
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    26-07-2014
    Postime
    201

    Për: Rama vë në shënjestër mediat, shkatërron pronën private të Irfan Hysenbelliut

    Lufte mes bandash rivale. Per fat te mire kesaj radhe nuk pati viktima ne qytetare te pafajshem.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 16-04-2021, 16:40
  2. Rama vë në shënjestër bizneset e vogla: "Luftë informalitetit!"
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 04-09-2015, 11:29
  3. Adi Krasta: Edi Rama po shkaterron TVSH dhe godet hapur median e lire
    Nga Xhuxhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 22-07-2014, 11:41
  4. Berisha ambasadorit britanik: Rama po shkatërron shtetin ligjor
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 15-01-2014, 20:37
  5. Qëndrimi i Berishës mbi pronën private, qëndrim komunist?
    Nga miushi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 06-09-2007, 16:51

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •