Në një intervistë për Euroneës Albania kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se çështja kombëtare është vënë në pikëpyetje nga kryeministri Edi Rama.
Për Metën, Edi Rama është figura më e errët e historisë së Shqipërisë duke kaluar dhe atë të Esat Pashës i cili sipas kryetarit të Partisë së Lirisë edhe ka luftuar për Shqipërinë në një kohë kur nuk kishte kushtetutë dhe shtet ligjor.
“Çështja jonë kombëtarë është vënë në pikëpyetje nga figura më e errët në gjithë historinë e Shqipërisë që e ka lënë pas prej kohësh edhe Esat Pashën që është pikërisht Edi Rama. Dhe e ka lënë pas Esat Pashën, se Esat Pasha dhe ka bërë ndonjë luftë për Shqipërinë dikur një herë e një kohë. Dhe jo vetëm kaq por në kohën e tij nuk kishte as kushtetutë Shqipëria, nuk kishte as Gjykatë Kushtetuese dhe nuk kishte një traditë solide si një shtet me interesat e veta sovrane dhe kombëtare,” – u shpreh Meta.
Referendumi, Ilir Meta: Mjeti që do të detyrojë partitë të japin llogari
Kreu i Partisë së Lirisë tha në një intervistë për Euronews Albania se kërkesa për referendum është pikërisht mjeti që do të detyrojë partitë të japin llogari.
“Kemi nisur konsultimet tona, edhe me faktorë të tjerë, edhe politikë, edhe të shoqërisë civile që e kanë ngritur këtë çështje si një domosdoshmëri për të rivendosur demokracinë në Shqipëri në baza të shëndetshme dhe unë jam i bindur se shumë shpejt referendumi do të jetë mjeti më i fuqishëm, do të jetë shpata e Demokleut të çdo qytetari të Shqipërisë, ndaj çdo parlamenti, qeverie, kryeministri, presidenti dhe ndaj gjithë klasës politike,” – u shpreh Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë theksoi se përmes referendumit, klasa politike do të detyrohet të përulet ndaj popullit dhe do t’i nënshtrohet llogaridhënies.
Sipas tij, referendumi do të mundësojë ndëshkimin e çdo politikani që tenton të cenojë sistemin demokratik.
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet ndaj Ilir Metës.
SPAK sqaroi këtë të mërkurën se ka kërkuar nga KQZ një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën ‘si pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme për padinë e bërë nga ish-deputeti Halit Valteri.
Në qershor të këtij viti, Vlateri paditi ish-presidentin me akuzën se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim. Pjesë padisë është edhe Monika Kryemadhi dhe Vangjel Tavo.
Kandidat për Bashkinë Tiranë? Meta: Lidhjen e kam të fortë që kur isha kryeministër
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për Euronews Albania tha se bashkia Tiranë ka përjetuar një degradim fatal në vitet e qeverisjes nga Partia Socialiste.
I pyetur lidhur me mundësinë e kandidimin për bashkinë Tiranë, siç është përfolur kohët e fundit në media, meta nuk e mohoi, ndërsa tha se çdo kandidat i opozitës do të jetë triumfues.
Ai tha se lidhjen me Tiranën e ka të fortë që kur ishte kryeministër, kur siç tha ka marrë vendime të rëndësishme në të mirë të kryeqytetit.
“Secili kandidat i opozitës ka mbështetjen time. Kam një lidhje të fortë me Tiranën ku kam qenë kryeministër. Vendimi për t’ia kthyer parkun Rinia kryeqytetit, Lanën dhe e patë çfarë ndodhi kur ky njëri i pati të gjitha në dorë, që shkatërroi gjithçka që ka lidhje me identitetit tonë”, tha Meta.
‘Rama fshihet pas fustanit të grave’, Meta: Ka ardhur koha e përballjes burrërore
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania se akuzat për lobim ndaj tij nuk qendrojnë dhe për këtë është shumë i qartë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Gjatë intervistës me gazetaren Esmeralda Mulaj, Meta nënvizoi se Rama fshihet pas fustanit të grave, por tani ka ardhur koha e përballjes burrërore.
“Nuk ekziston asnjë çështje, këto janë streset e lavrës dhe regjimit të larvave. Është shumë e qartë në Departamentin e Drejtësisë prej kohësh, gjithçka tjetër është përrallë. Nuk ndalojmë askënd që të fshihet pas fustani të grave, aq më tepër Ramën që kështu ka nisur politikën dhe kështu do e përfundojë. Tani ka ardhur koha e përballjes burrërore”, tha Meta.
‘Nuk ka dosje për Ilir Metën’: Falsifikim skandaloz me metoda të Sigurimit
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për Euronews Albania e cilësoi një manipulim të shëmtuar me metoda të ish-sigurimit të shtetit dosjen në të cilën përmendet edhe emri i tij.
Meta tha se nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Metën.
“Mendoj se që nga 25 korriku kam dalë përballë të gjithë atyre që kanë kohë të gjatë që punojnë kundër interesave kombëtare të interesit të shtetit, kundër interesit publik. Dosjet janë hapur në mënyrë të vazhdueshme që nga ‘92 dhe ne kemi qenë gjithmonë mbështetës të hapjes së tyre. por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me hapje dosjesh, kemi të bëjmë me një proces të shëmtuar të manipulimit të dosjes së një ish-student, jo Ilir metës, nuk ka ekzistuar kurrë një dosje për Ilir metën, që është përndjekur nga Sigurimi i Shtetit”, tha Meta.
Ish-presidenti përsëriti se në shtator do padisë Autoritetin e Dosjeve për falsifikim.
‘SPAK po përdoret’, Ilir Meta intervistë ekskluzive për Euronews Albania
Kreu i Partisë së Lirië, Ilir Meta shprehet në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania se mbiemri i tij është Metaj dhe se është bërë publike edhe certifikata e tij personale.
Ai u shpreh se nuk ka kuriozitet për nisjen e hetimeve të SPAK-ut dhe nënvizoi se Prokuroria e Posaçme le të kërkojë kudo formularë për të.
Ai shtoi se se SPAK po përdoret, pasi të gjithë e dinë se kush është Ilir Meta.
“Mendoj se kjo është një pyetje krejt pa kuptim. Me certifikatë që kur kam lindur edhe sot e kam Metaj, për lehtësi në komunikimi me publikun kjo është një çështje tjetër. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë ai që më njohin të gjithë. Nuk ka rëndësi kjo çështje, certifikata është bërë publike, në ndihmë të SPAK. Formularët të shkojë SPAK-u t’i kërkojë që nga çerdhja”, u shpreh Meta.
‘Revolucion anti-korrupsion’, Meta: Edi Rama i ka bërë shantazh SPAK-ut
Kreu i Partisë së Lirsë, Ilir Meta u shpreh për Euronews Albania se Edi Rama i ka bërë shantazh SPAK-ut.
“Unë nuk e di të ketë pasur ndonjë shqetësim nga dikush për ndonjë deklaratë tjetër. Ajo që mund t’ju them unë që Edi Rama i ka bërë shantazh SPAK dhe e mban tërë kohës në shantazh. Ju thotë që ju jeni krijesa jonë. Jam politikan që jam ballafaquar gjithmonë me drejtësinë”, tha Meta.
Meta shtoi me tej se drejtësia nuk duhet të gjunjëzohet nga Rilindja dhe paralajmëroi revolucion anti-korrupsion.
“Edi Rama mashtrimet më të mëdha, krimet më mëdha i ka bërë duke spekuluar me gjoja SHBA-në. Rama është shkelës i ligjit amerikan. Ka marrë në qafë edhe një qytetar shqiptar, z.Bilal i cili ka ngrënë dhe burgun dhe ky ka shpëtuar më një marrëveshje bashkëpunimi”, tha ai më tej.
Çfarë do të ndodhë në shtator? Përgjigjet Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania se në muajin shtator do të ketë një rikthim të shpresave dhe do të jetë një energji e re për të vendosur shtetin ligjor.
Meta hodhi akuza ndaj qeverisë Rama, të cilën e quajti kriminale.
“Ajo që ka filluar të ndodhë është e qartë, është një rikthim i shpresave, i aktivizimit të qytetarëve për të rifituar të drejtat që kanë humbur për shkak të një qeverie kriminalë. Kjo qeveri ka përzënë rreth 700 mijë shqiptarë. Energji e re për të vendosur shtetin ligjor dhe drejtësinë”, u shpreh Meta.
Ai nënvizoi më tej se Rama ka demotivuar të rinjtë dhe se në shtator ata (qeveria) do të shpartallohen.
“Mezi po e presim shtatorin, tani jemi në një fushë do të e drejta e vërteta. Ata gjithmonë kanë stisus dhe do të shpikin. Ata gjithmonë janë mundur dhe këtë radhë do të shpartallohen. Nuk është një gropë, por është humnerë për ta”, tha ai.
300 euro ora për studion ligjore, Meta tregon pse nuk e paditi gazetën austriake
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se kishte hequr dorë nga padia për revistën austriake ‘Kronen Zeitung’ që e kishte akuzuar për lobim dhe korrupsion për arsye ekonomike.
Në një intervistë për Euronews Albania nga Jala, Meta tregoi se kompani që merren me çështjet e shpifjeve të mediave në Austri, e kishin sugjeruar të hiqte dorë pasi shpërblimi do të ishte shumë modest ndërsa shpenzimet kolosale.
“Kjo gjë m’u vlerësua e panevojshme nga kompanitë që merren me çështjet e shpifjeve të mediave në Austri. Gjyqi ishte i fituar, por sipas ligjeve austriake dëmshpërblimi do ishte modest, ndërkohë shpenzimet e gjyqit që mund të zgjaste pa fund, ishin shumë të mëdha. 300 euro ora për një studio ligjore. Ato që ka shkruar gazeta janë shpifje, nuk kemi ndërmend të harxhomë energji të kota. S’ka nevojë t’i kthej përgjigje, njihet si një gazetë që prodhon skandale. Heqja dorë nga padia ishte rekomandim i miqve të mi politikanë në Austri”, tha Meta.
Media austriake akuzonte kreun e Partisë së Lirisë se kishte paguar 700 mijë dollarë për lobime në SHBA.
Euronews
Krijoni Kontakt