INSTAT shtyn pa afat zhvillimin e censusit
Procesi më i rëndësishëm statistikor i dekadës i shty, zyrtarisht për shkak të dështimit të një tenderi për blerjen e Ipad-eve që duhej të përdoreshin për raportimin automatik të të dhënave nga intervistuesit derë më derë.
Që kur u shpik dy mijëvjeçarë më parë si mjet i organizimit të përgjithshëm të shtetit, regjistrimi i përgjithshëm i pronave dhe njerëzve është konsideruar si akti themelor i ekzistencës së një shteti. Por ky akt themelor nuk pritet të zhvillohet në kohën e përcaktuar këtë vit për një arsye jo shumë bindëse, mosprokurimit në kohë të një sasie pajisjesh elektronike tableta, të cilat duhej të përdoreshin nga Instituti i Statistikave për raportimin në kohë reale të të dhënave të grumbulluara nga intervistat derë më derë.
Të enjten, Instituti i Statistikave njoftoi shtyrjen e censusit për diku rreth vitit të ardhshëm, koha e papërcaktuar.
“Instituti i Statistikave (INSTAT), njofton shtyrjen e aktivitetit të grumbullimit të të dhënave në terren të Censit të Popullsisë dhe Banesave për vitin e ardhshëm,” thuhet në njoftim.
“Në kushtet e mossigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren, është i pamundur realizimi i këtij aktiviteti,” thuhet më tej në deklaratë.
Censusi, të cilit INSTAT i referohet kësaj here me termin Censi, planifikohej të mbahej në tetor të vitit 2020, por kjo nuk doli e mundur për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Afati i ri ishte kryerja e Censit në një periudhë disajavore duke filluar nga tetori i këtij viti.
INSTAT hapi tenderin për blerjen e tabletave dhe baterive ndihmëse me vlerë 233 milionë lekë në mars të këtij viti. INSTAT publikoi një shtojcë në kriteret e tenderimit, në të cilat i lehtësoi kushtet për pjesëmarrësit, përfshirë detyrimin që të mos kishin një pikë shërbimi të vetën si dhe që të kishin kryer punë të ngjashme sa 15% e fondit limit, nga 35% që ishte në thirrjen e parë. Ky ndryshim nuk zgjidhi punë dhe tenderi duket se dështoi.
Kjo është hera e parë që Shqipëria tenton të bëjë regjistrim popullsie bazuar në pajisje elektronike.
Censusi i parë i shtetit shqiptar është zhvilluar në vitin 1923. Censusi aktual do të mbajë numrin 12. Emri i Censusit ka pësuar ndryshime. Në kohën e komunizmit quhej Regjistrimi i Popullsisë, ndërsa në vitin 2001 u quajt Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave. Në vitin 2011 u vendos të quhej Censusi, ndërsa këtë herë është vendosur të quhet Censi.
Regjistrimi i popullsisë faktike si dhe vendbanimeve të popullsisë faktike ka rëndësi të madhe për planifikimin e investimeve publike, për alokime buxhetore për shërbime publike, të tilla si kopshtet, shkollat e shërbimet shëndetësore.
BIRN
Krijoni Kontakt