Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    A po bëhet Kina gati të pushtojë me forcë Tajvanin?

    Historia e ndarjes Tajvan-Kinë

    Emri:  Capture-30.jpg

Shikime: 105

Madhësia:  23.8 KB

    Nga “Zëri i Amerikës”-

    Tajvani ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, një ekonomi të fortë dhe ushtrinë e vet.

    Megjithatë, ndonëse ka të gjitha vetitë e një shteti, ka mosmarrëveshje për statusin e vërtetë të Tajvanit.

    Kina e sheh Tajvanin si një krahinë të shkëputur dhe është zotuar se një ditë do ta rimarrë atë, ndërsa udhëheqësit e Tajvanit thonë se është sovran, pavarësisht nëse ata shpallin zyrtarisht pavarësinë.

    Për shkak të mosmarrëveshjeve, vetëm 15 shtete, kryesisht ato më të vogla, e njohin Tajvanin.

    Si arriti Tajvani në këtë pikë?

    Gjatë shekullit të 17-të, Tajvani u kolonizua për një kohë të shkurtër nga holandezët, por për dy shekujt në vijim ishte pjesë e perandorisë kineze.

    Në vitin 1895, Japonia mori ishullin, duke sunduar atje për 50 vjet. Japonia hoqi dorë nga kontrolli i Tajvanit duke ia dorëzuar Kinës, pas disfatës së saj në Luftën e Dytë Botërore.

    Në vitin 1949, lufta civile e Kinës midis komunistëve dhe qeverisë nacionaliste përfundoi.

    Udhëheqësi i atëhershëm Chiang Kai-shek humbi ndaj ushtrisë komuniste të Mao Ce Dunit dhe u zhvendos me qeverinë nacionaliste, trupat dhe mbështetësit e saj në Tajvan.

    Ishulli është sunduar në mënyrë të pavarur nga Kina që atëherë.

    Gjatë sundimit të Chiang të Tajvanit, ai pretendoi se autoriteti i qeverisë së tij shtrihej në të gjithë Kinën, të cilën ai donte ta rimarrë nën kontroll.

    Këtu e ka origjinën edhe emri zyrtar i Tajvanit: Republika e Kinës, ose ROC.

    Shumë vende perëndimore, si dhe Kombet e Bashkuara, e njohën qeverinë e Chiang-ut si autoritetin legjitim të Kinës deri në vitet 1970, kur e kaluan njohjen e tyre në Republikën Popullore të Kinës të sunduar nga partia komuniste.

    Qeveria e Chiang sundoi Tajvanin sipas një ligji të diskutueshëm ushtarak.

    Pas vdekjes së Chiang, djali i tij, Chiang Ching-kuo, ndërmori hapa për të demokratizuar qeverinë.

    Politikat demokratike vazhduan të forcoheshin nën Presidentin Lee Teng-hui, i cili hapi rrugën për zgjedhje të drejtpërdrejta.

    Zgjedhjet e para të lira legjislative u zhvilluan më 1992 dhe zgjedhjet e para presidenciale më 1996.

    Përfundimisht, ishulli zgjodhi presidentin e tij të parë, i cili nuk ishte nga partia nacionaliste mbizotëruese e Chiang, e njohur gjithashtu si Kuomintang.

    Chen Shui-bian i Partisë Demokratike Progresive mori pushtetin në vitin 2000, duke alarmuar Kinën me deklaratat e tij në mbështetje të pavarësisë.

    Pas marrjes së detyrës, Chen tha se nuk do të shpallte pavarësinë për sa kohë që Kina nuk sulmonte.

    Kina miratoi një ligj në 2005 që e lejonte të përdorte forcën kundër Tajvanit nëse shpallte pavarësinë.

    Pekini ka propozuar formulën “një vend, dy sisteme” për Tajvanin, të njëjtën politikë që ka përdorur në Hong Kong.

    Udhëheqësit e Tajvanit e kanë refuzuar atë dhe propozimi është bërë më i papëlqyeshëm që nga shtypja e Kinës ndaj lirive të Hong Kongut.

    Shumica e tajvanezëve mbështesin status quo-në, me një treçereksh tjetër që mbështet status quo-në, por gjithashtu po dëshiron çdo herë e më shumë pavarësinë, dhe vetëm një shifër e vogël që favorizojnë pavarësinë e menjëhershme ose bashkimin me Kinën.

    Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të madh në politikën e Tajvanit.

    Marrëdhëniet zyrtare diplomatike përfunduan në vitin 1979 kur SHBA njohu Republikën Popullore të Kinës. Megjithatë, SHBA-ja ka vazhduar të sigurojë Tajvanin me armë mbrojtëse.

    Se sa larg do të shkonte Uashingtoni për të mbrojtur Tajvanin kundër Kinës nuk është e qartë.

    Pavarësisht tensioneve prej dekadash midis Kinës dhe Tajvanit, të dyja palët kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar lidhjet.

    Në vitin 1987, Tajvani filloi t’i lejonte banorët të udhëtonin drejt Kinës. Në vitin 1993, ata mbajtën bisedimet e para të drejtpërdrejta.

    Në vitin 2010, Pekini dhe Taipei nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë.

    Disa banorë tajvanezë shqetësohen se lidhjet ekonomike do të rrisin ndikimin e Kinës mbi ishullin, ndërsa të tjerë besojnë se kjo do të promovojë paqen.

    Tensionet u lehtësuan disi kur Partia Kuomintang e Tajvanit rimori pushtetin në fund të viteve 2000.

    Por zgjedhjet e vitit 2016 të kandidatit pro-pavarësisë së Partisë Demokratike Progresive, Tsai Ing-wen, me një rekord prej 8,2 milionë votash, u panë si një vërejtje ndaj Kinës.

    Që nga rizgjedhja e saj, Kina ka ndërmarrë veprime gjithnjë e më agresive kundër Tajvanit, duke përfshirë avionë luftarakë që fluturojnë rregullisht pranë ishullit.

    Gjatë dekadave, banorët në Tajvan e kanë parë veten më shumë si tajvanezë sesa si kinezë. Gati 30 vjet më parë, më pak se një e katërta e identifikonin veten si tajvanezë, ndërsa sot, gati dy të tretat e identifikonin veten si tajvanezë.

    Në vitin 2021, 63.3% e shihnin veten si tajvanezë, 31.4% e shihnin veten si tajvanezë dhe kinezë dhe 2.7% e shihnin veten vetëm si kinezë.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: A po bëhet Kina gati të pushtojë me forcë Tajvanin?

    Kina e ndalon dialogun me SHBA pas vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan

    Emri:  Capture-31.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  22.2 KB

    Kina njoftoi të premten se po ndalonte dialogun me Shtetet e Bashkuara në një numër fushash, përfshirë midis komandantëve ushtarakë të nivelit strategjik dhe bisedimet për mjedisin, duke e përshkallëzuar kështu situatën edhe më tej pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan.

    Ministria e Jashtme e Kinës tha se po pezullonte gjithashtu bashkëpunimin me Uashingtonin për parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafikut të drogës, fusha këto ku krahas ndryshimeve mjedisore zyrtarët amerikanë shohin mundësi për bashkëpunim.

    Kina ka reaguar me zemërim pasi zonja Pelosi e vizitoi ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron si territorin e tij sovran, duke shënuar kështu vizitën e nivelit më të lartë nga zyrtarë e Shteteve të Bashkuara, në 25 vjetët e fundit. Në kuadër të reagimit të ashpër, Kina nisi të enjten stërvitje ushtarake në detet dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit. Stërvitjet, më të mëdhatë të kryera ndonjëherë nga Kina në ngushticën e Tajvanit, janë planifikuar të vazhdojnë deri në mesditën e së dielës.

    Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të premten se gjithsej 68 avionë ushtarakë dhe 13 anije të marinës kineze po kryenin stërvitje në ngushticën e ndjeshme të Tajvanit. Disa prej tyre, thanë ata, kaluan edhe një pjesë të zonës jozyrtare neutrale që ndan të dy palët, një lëvizje që ministria e përshkroi si “dëmtim të status quo-së”.

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni i ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur Pekinit se nuk kërkon një krizë për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan, e cila u zhvillua të mërkurën gjatë një turneu të delegacionit të Kongresit amerikan në Azi.

    “Nuk ka asnjë justifikim për këtë reagim ushtarak ekstrem dhe përshkallëzues,” tha zoti Blinken në një konferencë shtypi ndërsa po merrte pjesë të Forumit Rajonal ASEAN në Kamboxhia. Ai shtoi, “tani, ata i kanë çuar aktet e rrezikshme në një nivel të ri.”

    Zoti Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin veprime për të provokuar krizë, por do të vazhdojnë të mbështesin aleatët rajonalë dhe të kryejnë lëvizje standarde ajror dhe detare përmes ngushticës së Tajvanit.

    “Ne do të fluturojmë, lundrojmë dhe operojmë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar”, tha ai.

    FRONTI DIPLOMATIK

    Shtëpia e Bardhë thirri ambasadorin kinez Qin Gang të enjten për të dënuar veprimet e qeverisë kineze. Kjo pasoi thirrjen nga Pekini të ambasadorit amerikan, Nicholas Burns, në fillim të kësaj jave, për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan.

    Përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për të komentuar mbi ndalimin e bisedimeve dhe bashkëpunimit nga ana e Kinës në disa fusha.

    Deklarata kineze nuk e thotë nëse do të pezullojë bisedimet ushtarake në nivelet më të larta, të tilla si me Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin dhe Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley.

    Ndonëse këto bisedime kanë qenë të rralla, zyrtarët kanë thënë se është e rëndësishme që të ketë bisedime në rast urgjence ose aksidenti.

    Pekini njoftoi veçmas se do të vendoste personalisht sanksione ndaj zonjës Pelosi dhe familjes së saj në kuadër të reagimit kinez ndaj vizitës së saj në Tajvan që Pekingu e cilësoi si veprim “të mbrapsht” dhe “provokues”.

    Gjatë vizitës në Japoni, zonja Pelosi tha se udhëtimi i saj në Azi asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim të ndryshojë status-quon e rajonit.

    “FQINJ I KEQ”

    Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se ushtria e ishullit kishte dërguar avionë dhe anije dhe kishte vendosur sisteme raketore me bazë tokësore për të monitoruar anijet dhe avionët që kaluan për një kohë të shkurtër vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit.

    Të enjten, Kina lëshoi disa raketa në ujërat përreth Tajvanit.

    Ministria e mbrojtjes e Japonisë, e cila po ndjek stërvitjet, fillimisht raportoi se katër nga raketat fluturuan mbi kryeqytetin e Tajvanit, gjë që është e paprecedentë.

    Më vonë, ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se raketat ishin lartë në atmosferë dhe nuk përbënin kërcënim.

    SHQETËSIMET E JAPONISË

    Duke iu përgjigjur stërvitjeve kineze, presidenti Tsai Ing-wen tha se Tajvani nuk do të provokonte konflikte, por do të mbronte me vendosmëri sovranitetin dhe sigurinë e tij kombëtare.

    Tajvani është vetëqeverisur që nga viti 1949, kur komunistët e Mao Ce Dunit morën pushtetin në Pekin pasi mposhtën nacionalistët Kuomintang (KMT) të Chiang Kai-shek në një luftë civile, duke bërë që qeveria e udhëhequr nga Kuomintang të vendosej në Tajvan.

    Duke folur pas takimit me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kryeministri japonez deklaroi se e ka “informuar zonjën Pelosi se fakti që raketat balistike të Kinës kishin rënë pranë ujërave japoneze, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe se Japonia i kishte dënuar ashpër veprime të tilla,” tha Kishida.

    Ministria e Jashtme e Kinës tha se kishte thirrur ambasadorin për Japoninë dhe një diplomat kanadez në Pekin të enjten lidhur me një deklaratë që ata e quajtën “të gabuar” të vendeve të Grupit të Shtatë (G7) për Tajvanin, dhe gjithashtu kishte bërë ankesa te të dërguarit e BE-së.

    VOA

Tema të Ngjashme

  1. Lideri i ISIS kerkon te pushtoje Romen
    Nga Darius në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 49
    Postimi i Fundit: 18-09-2014, 05:52
  2. Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 31-05-2009, 07:29
  3. Force e armatosur apo force civile?
    Nga Sabriu në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-03-2008, 08:15
  4. Prishtina bëhet gati për të hapur ambasadat
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 29-02-2008, 10:18
  5. A i intereson Shqiperise te njohi Tajvanin
    Nga ganoid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 29-01-2003, 10:01

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •