Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,178
    Postimet në Bllog
    22

    Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënien më të madhe historike të lirisë së medias

    Emri:  gazetaret-pa-kufij-764x450-1.jpg

Shikime: 4264

Madhësia:  38.2 KB

    Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Por, sipas treguesit që u publikua të martën, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit. Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.

    Kosova ndërkaq ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.

    Nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim për 33 vende. Ajo radhitet sivjet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të. Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të. Organizata Gazetarët pa Kufij vlerëson se demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online, ndërkohë që bëjnë luftëra propagandistike kundër demokracive.

    Propaganda një kërcënim botëror për median e lirë

    Agresioni kundër Ukrainës (e cila radhitet në vendin e 106-të të treguesit) nga Rusia (që është në vendin e 155-të) në fund të shkurtit, pasqyron këtë proces, pasi konfliktit fizik i parapriu një luftë propagandistike, thuhet në raport. Kina, që është në vendin 175-të, një nga regjimet autokratike më represive në botë, thuhet më tej, përdor arsenalin e saj legjislativ për të kufizuar popullsinë e saj dhe për ta shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, veçanërisht popullsinë e Hong Kongut i cili ka rënë ndjeshëm në renditjen e tij në treguesin e lirisë së shtypit duke u radhitur në vendin e 148-të.

    Përplasjet midis “blloqeve” po rriten, thuhet në raport, siç shihet ajo midis Indisë së nacionalistit Narendra Modi (që radhitet 150-ta) dhe Pakistanit (i 157-ti). Mungesa e lirisë së shtypit në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë në konfliktin midis Izraelit (në vendin e 86-të) dhe Palestinës (në vendin e 170-të) dhe shteteve arabe Sipas organizatës, polarizimi i medias po ushqen dhe po forcon ndarjet e brendshme sociale në shoqëritë demokratike si Shtetet e Bashkuara, që radhiten në vendin e 42-të, pavarësisht zgjedhjes së presidentit Joe Biden.

    Rritja e tensionit social dhe politik po nxitet nga mediat sociale dhe mediat e reja veçanërisht në Francë, e cila është e 26-ta. Shtypja e mediave të pavarura po kontribuon në një polarizim të mprehtë në “demokracitë joliberale” si Polonia, e cila radhitet e 66-ta, ku autoritetet kanë forcuar kontrollin e tyre mbi transmetimin publik dhe strategjinë e tyre për “ri-polonizimin” e mediave private. Treshja e vendeve nordike që radhitet në krye të treguesit, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, vazhdon të shërbejë si një model demokratik ku lulëzon liria e shtypit. Situata është cilësuar si “shumë e keqe” në një numër rekord prej 28 vendesh. Të dhjetë vendet më të këqija në botë për lirinë e shtypit përfshijnë, Sirinë, Irakun Kubën, Vietnamin, Mianmarin, Kinën, Turkmenistanin, Iranin, Eritrenë dhe Korenë e Veriut.

    VOA

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,178
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënien më të madhe historike të lirisë së medias

    Pse turfulloi Rama kundër raportit për degradimin e lirisë së mediave

    Emri:  reporter-sans-frontiere.jpg

Shikime: 764

Madhësia:  39.5 KB

    Kryeministri Rama nuk e ka duruar dot grisjen e fasadës së vendit të lirive. Ai ka reaguar me forcën e një armiku të shtypit kundër raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij, që e uli Shqipërinë me 20 vende në klasifikimin e përvitshëm të lirive të medias, duke e renditur atë të 103-ën.

    Për të hartuar klasifikimin e përvitshëm, që mbështetet në raportimet e gazetarëve, analizën e profesorëve universitarë dhe në atë të specialistëve, Reporterët Pa Kufij bazohen në pesë tregues si konteksti politik, kuadri legjislativ, konteksti ekonomik, konteksti socio- kulturor dhe siguria e ushtrimit të punës për gazetarët (poshtë tabela se me sa pikë renditet Shqipëria në secilin prej tyre).

    Emri:  indicateur-shqiperia.jpg

Shikime: 763

Madhësia:  22.0 KB

    Lajmi i keq është se Shqipëria renditet si vendi me lirinë më të keqe të shtypit në rajon, madje rrokullisja nga vendi i 83 në të 103-tin e ka distancuar dukshëm nga fqinjët e saj.

    Kosova radhitet sivjet në vendin e 61-të, ndryshe nga një vit më parë kur ishte e 78-a. Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të. Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të.

    Pikërisht ky degradim i paimagjinueshëm e ka yshtur kryeministrin Rama të reagojë me një postim violent në Twitter ku pretendon se jo vetëm në Shqipëri liria e gazetarëve nuk mungon, por ajo ka shkuar deri në abuzim.

    “Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!

    E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!”.

    Emri:  rama-liria-e-mediave.png

Shikime: 770

Madhësia:  92.4 KB

    Natyrisht kur bëhet fjala për mjedisin e lirisë së mediave në vend, është më vështirë t’i besohet një politikani sesa një organizate të pavarur që bën prej 20 vjetësh pasqyrën botërore të raporteve të shtypit me shoqërinë. Pra këtu nuk është fare diskutimi se kush ka të drejtë dhe kush gënjen. Pyetja që shtrohet është tjetër: Pse Rama reagoi në mënyrë kaq të dhunshme sa edhe vetë e pranoi se ky do të konsiderohej një tjetër atak ndaj lirisë së gazetarëve.

    Arsyeja nuk duhet kërkuar vetëm se vendi, qeverinë e të cilit ai drejton, renditet i fundit në rajon. As tek fakti se vetëm brenda një viti Shqipëria ka humbur plot 20 vende. Por ka një fakt tjetër edhe me domethënës.

    Ndonëse siç u pa, liria e mediave varet nga shumë faktorë, nga konteksti social, nga kriminalizimi i mjedistit që mund të kërcënojë gazetarët, nga niveli i pronësisë së oligarkëve në media, raporti i Reporterëve pa kufij bën një konstatim. Në ato vende të ngjashme me ne si Bullgaria apo Moldavia, vetëm njëri nga faktorët, ai i rotacionit politik, ka shënuar hop të madh cilësor në lirinë e mediave.

    “Moldavia (e 40-ta) dhe Bullgaria (91) dallohen këtë vit falë ndryshimit të qeverive të tyre dhe shpresës që u ngjall për një përmirësim të situatës së gazetarëve, ndonëse oligarkët ende zotërojnë ose kontrollojnë mediat”. I njëjti fenomen u vu re edhe në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi. Pra ndryshimi politik në krye të qeverisë, edhe si faktor i vetëm, shërben për të krijuar një frymë të re lirie.

    Pranadaj në këtë kuptim ajo që Yuri Kim, e cilësoi si mandati i tretë historik i Edi Ramës, nuk qe një dhuratë aq bujare për gazetarët. Dhe është ndoshta ky konstatim që e ka bërë kryeministrin të reagojë sot me tërbim.

    Lapsi

Tema të Ngjashme

  1. Shqipëria e dyzuar përballë Lirisë së Fjalës dhe Lirisë së Disinformimit
    Nga pirro2020 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-10-2021, 03:49
  2. Freedom House: Shqipëria e 97-a në botë për lirinë e medias
    Nga Wrangler në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-04-2015, 06:14
  3. Liria e medias, ‘Reporterë pa Kufij’: Shqipëria ka zbritur 16 vende
    Nga iliria e para në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 26-01-2012, 13:41
  4. Reporter Pa Kufij: Liria E Shtypit, Shqiperia ne vend te 88
    Nga Ujku'80 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 29-10-2009, 06:32
  5. A kan vene pasuri Boset e Gazetaret e Medias?
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 31-03-2009, 12:48

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •