Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Qytetarët i pushton frika: Gripi i shpendëve i konfirmuar në Durrës, Dibër e Korçë

    Misteri mbetet, Ministria e Bujqësisë nuk shpjegon përse ngordhën 500 mijë pula në Durrës: Nuk është gripi i shpendëve

    Emri:  pula.jpg

Shikime: 230

Madhësia:  26.1 KB

    Ministria e Bujqësisë ka reaguar për ngordhjen e 500 mijë pulave në dy pulari në Durrës. Ministria bën të ditur se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

    Në një deklaratë, ministria thekson se pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.

    Sipas ministrisë, rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.

    Njoftimi i plotë:

    Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

    Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.

    Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.

    Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme.

    Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike.

    LAPSI.al

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: 500,000 pula ngordhin në pularitë e qytetit

    Gripi i shpendëve tremb konsumatorët dhe ngre akuza për reagim të vonuar

    Përhapja masive e gripit të shpendëve ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve, ndërsa kompani të biznesit të pularive akuzojnë institucionet për analiza të gabuara dhe reagim të vonuar, duke sjellë sipas tyre rëndimin e situatës.

    Emri:  pulat-e-ngordhura-dhe-te-infektuara-aiba-durres.jpg

Shikime: 184

Madhësia:  52.2 KB

    Në kapanonet e pularive në Xhafzotaj të Durrësit, prej dy ditësh hyjnë e dalin punonjës me maska mbrojtëse. Me një kamion të mbuluar, ata transportojnë nga kapanonet drejt periferisë së Shijakut mijëra shpendë të ngordhur për t’u groposur.

    Autoritetet informuan se pulat janë prekur nga gripi i shpendëve apo i njohur si “Influenca Aviare e tipit H5N8”, shumë vdekjeprurës për shpendët dhe i transmetueshëm edhe te njerëzit. Sipas zëvendësministres së Bujqësisë, Ermira Gjeci, deri të martën kishin ngordhur dhe ishin groposur rreth 340 mijë shpendë të fermave në Durrës.

    Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë nisur hetime për situatën e krijuar. BIRN mësoi se Policia e Durrësit po verifikon dy kompani private, por pa specifikuar vepra penale konkrete apo persona të dyshuar, ndërsa Prokuroria e Durrësit konfirmoi zyrtarisht se janë në fazën e kryerjes së veprimeve të para hetimore nga policia gjyqësore.

    Përhapja masive e gripit të shpendëve ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve si dhe ka ngritur pikëpyetje për reagim të vonuar të autoriteteve.

    Gladiola Hysenshahaj, shitëse në një dyqan përbri tregut të Fruta-Perimeve në Durrës që tregton vezë dhë nënprodukte të mishit të pulës i tha BIRN se po përballet si rrallëherë me zemërim nga njerëzit.

    “Ne i hamë mallkimet e njerëzve, vijnë këtu e na thonë se kanë frikë, na pyesin përse dalim, përse i shesim, mbyllni dyqanin na thonë që në mëngjes, do helmoni njerëzit që shisni vezë,” tha Hysenshahaj.

    Njëri prej bizneseve të pularisë në Durrës, kompania AIBA, akuzoi autoritetet se vonuan në marrjen e masave dhe gabuan me analizat, duke i detyruar ata që të mbanin në oborr për ditë me radhë pula të ngordhura, që nuk mund t’i groposnin.

    “Autoritetet pretenduan fillimisht se nuk kishim të bënim me “H5N8”, por me sëmundje të stinës. Përfaqësuesit e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë bënë analiza të gabuara,” tha Andi Duka, drejtor i përgjithshëm i kompanisë AIBA.

    Përfaqësues të Drejtorisë së Bujqësisë në Durrës, të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk ishin të arritshëm për të komentuar situatën.

    Frikë në treg

    Shqipëria është përballur edhe më herët me valë të gripit të shpendëve. Në vitin 2006, një varacion i virusit H5N1 preku masivisht pulat, por pa shkaktuar pasoja te njerëzit.

    Megjithatë, Gladiola Hysenshahaj thotë se kurrë nuk ishte përballur me diçka të tillë më herët.

    “Nuk ka qenë dyqani në këtë gradë në këto 25 vjet edhe gjatë pandemisë nuk ishte kështu. Sot nga 3 kuti fileto me mish pule që shiteshin në ditë, nuk po arrij të shes dot as gjysmë kutie,” tha ajo.

    Hysenshahaj thotë se situata është e tillë prej 10 ditësh dhe se njerëzit janë trembur nga lajmet.

    “Nëse shisja 5 arka në dy ditë, aq nuk i kam shitur dot për 10 ditë. Është një rënie, shkatërrim biznesi,”shtoi ajo.

    Tregtarë të tjerë i thanë BIRN se konsumi i mishit dhe i vezëve ka rënë në mënyrë drastike, por çmimi për këto produkte është rritur në mënyrë të çuditshme. Pas situatës së krijuar, çmimi i vezës për masën XL ka kapërcyer sipas tregtarëve nga 16 lekë në 25 lekë.

    “Ne furnizohemi me vezë në pularitë e Durrësit, ndërsa pulat e mishit dhe nënproduktet e tjera jo,” tha Hysenshahaj.

    Përveç rritjes së çmimit, konsumatorët të ndryshëm pohuan se shqetësimi kryesor lidhet me situatën shëndetësore dhe se ata presin ende sqarim nga autoritetet.

    “Edhe çmimi i vezës është rritur goxha, nuk e di si do bëjmë, do presim si do shkojë situata. Nuk do blej vezë sepse kam dyshim, të shohim si do vazhdojë, masat që do merren,” tha pensionistja Merita Fora.

    Dëmi nga reagimi i vonuar

    Pularitë në qarkun e Durrësit konsiderohen nga autoritetet si “vatra” kryesore e infektimit për gripin e shpendëve – por përfaqësues të këtyre bizneseve thonë se situata është shumë herë më e gjerë në territor dhe pretendojnë se institucionet po e minimizojnë atë.

    BIRN tentoi të kontaktojë me disa përfaqësues të pularive në zonën e Xhafzotajt, por përveç pretendimit se i kishin dorëzuar praktikat e tyre tek autoritetet e veterinarisë, refuzuan të bënin komente të tjera.

    Ndërsa përfaqësuesit e kompanisë “Aiba”, të vetmit që kanë folur publikisht për situatën, pretenduan se autoritet se kishin vonuar diagnostikimin, në përpjekje për të shmangur përgjegjësitë. Kjo ka sjellë sipas tyre rëndimin e situatës.

    Duka i tha BIRN se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ISUV, u kishte thënë në fillim që pulat nuk ishin prekur nga influenca aviare, por nga laringo-traketi. Ai shtoi se u ishin drejtuar analizave private dhe vetëm pas përgjigjes së tyre kishin dalë në konkluzionin se pulat ishin prekur nga gripi i shpendëve.

    Artan Luku, një tjetër përfaqësues tjetër i kompanisë “Aiba”, thotë se vetëm pas insistimit të tyre u bë një tampon që saktësoi se çfarë po ndodhte.

    “Ata përsëri nuk pranonin dhe pas insistimit tonë çuam karkasën, bëmë tamponin, në prezencën tonë, gjysma e mostrave i mbeti atyre dhe gjysma ne. 5 orë pasi ndodhi ky proces na erdhi përgjigja se kemi Influencë Aviare të tipit H5N8,” shpjegoi Luku.

    Përfaqësuesit e kompanisë “AIBA” thanë se kishin pasur rreth 300 mijë pula prodhimi dhe afro 150 mijë zogj, nga të cilat kanë ngordhur deri më tani rreth 150 mijë shpendë në total.

    Ata apelojnë për asgjësimin e të gjitha pulave të tyre, si e vetmja formë për largimin e virusit.

    “Ajo që sot është problem madhor, që është shumë e rëndësishme që të pastrohet zona, është çrrënjosja e virusit dhe ata duhet të japin urdhër ekzekutimi për shpendët e gjallë, sepse sa më shumë rrinë gjallë, aq më shumë kemi përhapje virusi,” tha Luku.

    Përfaqësuesit e kompanisë “AIBA” e lidhin refuzimin e autoriteteve për të njohur situatën dhe reagimin e tyre të vonuar me shmangien e e dhënies së dëmshpërblimit për pulat e ngordhura, që rrjedh sipas tyre nga ligji dhe plani i Kontrigjencës.

    “…Ne marrim kompensim për sëmundjet, të cilat janë të kompenueshme, siç është Influenca Aviare dhe nuk marrim kompensim kur është nga laringo traketi. Pra e gjithë lufta kjo është,” përfundoi Duka.

    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: 500,000 pula ngordhin në pularitë e qytetit

    Gripi i shpendëve i konfirmuar në Durrës, Dibër e Korçë



    Gripi i shpendëve është konfirmuar në Durrës, Dibër e Korçë. Kështu deklaroi zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci në një deklaratë për mediat.

    “Zonat në karantinë janë: Durrës, me qendër fshatin Rashbull. Dibër, me qendër në fshatin Rethkal.Është një rast pozitiv i konfirmuar mbrëmë. Korçë, në fshatin Prespë të Vogël, rasti pozitiv i pelikanit kaçurrel”, u shpreh ajo.

    Zv.ministrja tha se deri më tani raportuar të ngordhura 358.520 shpendë, nga të cilat vetëm ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39 mijë shpendë.

    Ajo paralajmëroi se do të shtojnë masat, pas identifikimit të vatrës së fundit për gripin e shpendëve.

    Të dielën u konfirmua rasti i parë i gripit të shpendëve në një pulari në Durrës.

    Për këtë situatë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës mori vendimin për ndalimin e importit të pulave nga qyteti i Durrësit.

    Euronews.al

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qytetarët i pushton frika: Gripi i shpendëve i konfirmuar në Durrës, Dibër e Korçë

    Gripi i shpendëve, 3 pelikanë të ngordhur në Liqenin e Prespës

    Emri:  Foto-nhga-Liqeni-i-Prespes.jpg

Shikime: 186

Madhësia:  56.1 KB

    3 pelikanë janë gjetur të ngordhur në pjesën shqiptare të Liqenit të Prespës. Pas analizave laboratorike, pelikanët rezultuan me gripin e shpendëve.

    Disa ditë më parë, Agjencia e Mbrojtjes dhe Ruajtjes të mjedisit në Shqipëri lajmëroi se gripi i shpendëve është aktiv në anën greke të Liqenit të Prespës.

    Të dielën u konfirmua rasti i parë i gripit të shpendëve në një pulari në Durrës. Ministria e Bujqësisë nënvizoi se hetimi epidemiologjik tregoi për rast të izoluar.

    Për këtë situatë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës mori vendimin për ndalimin e importit të pulave nga qyteti i Durrësit.

    Autoritetet nënvizojnë se virusi nuk kalon nga shpendët tek njerëzit, por specialistët këshillojnë që produktet e mishit të pulës të gatuhen në temperatura mbi 70°C.

    Euronews.al

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: 500,000 pula ngordhin në pularitë e qytetit

    Kosova ndalon importin e pulave nga Durrësi

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) ka marrë vendim për ndalimin e importit të pulave nga zona e prekur në Shqipëri, për shkak të gripit të shpezëve.

    Në Kosovë, aktualisht nuk ka asnjë rast të dyshuar me këtë virus. AUV thotë se kanë marrë të gjitha masat operative për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në fermat e Kosovës.

    Zyrtari për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi thotë për KosovaPress se pas raportimit të autoriteteve shqiptare për prezencën e gripit të shpezëve, kanë marrë vendim për ndalimin e importit nga zona e shpërthimit të sëmundjes.

    “Ne po punojmë aktivisht që të kemi sa më pak raste të prekura. Aktualisht që po flasim nuk e kemi asnjë rast të raportuar si të dyshimtë në prezencë të gripit të shpezëve H5N8. Por, jemi në terren dhe jemi duke marrë informata kudo që mund eventualisht të ketë ndonjë dyshim. Masa e vendosur ndaj Shqipërisë është masë e njëjtë që vendoset edhe nga ana e tyre në qoftë se kemi raste te ne. Dhe është masa që edhe vetë shteti kur ndodh shpërthimi i kësaj sëmundjeje nuk lejon lëvizje të shpezëve dhe lëvizje as brenda territorit të vet, e lëre më që të certifikojë ndonjë ngarkesë nga zona e shpërthimit që të dalë jashtë vendit”, tha Thaçi.

    Thaçi thekson se në masat e vendosura nuk përfshihen edhe zonat tjera. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas tij, ka qenë në komunikim me autoritetet në Shqipëri që nga java e kaluar dhe se të gjitha shtetet në rajon janë në situatën emergjente ku kanë ngritur nivelin e kontrollit.

    “Kjo është një sëmundje virusale që prek shpezët dhe përhapja e tyre zakonisht bëhet përmes kontaktit direkt mes shpezëve. Por, mund të përhapet edhe duke mos ndërmarrë masa të bio-sigurisë në fermat ku janë të prekura. Shtetet zakonisht pas konfirmimit të një rasti në një fermë, ndërmerren masat e karantinimit të fermës, kryhen asgjësimet në atë fermë dhe shpallet zona që duhet të monitorohet se a ka raste të tjera të dyshimta apo jo. Dhe në secilin rast që ka shenja klinike, ndërmerren veprimet e saj”, tha Thaçi.

    Përkundër numrit të vogël të inspektorëve, Lamir Thaçi shton se kanë marrë masa operative për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje veterinare në Kosovë. Sipas tij, kjo nuk mund të përjashtojë asnjë shtet, meqë përhapja mund të bëhet edhe përmes shpezëve të egra apo shtegtarëve.

    “Të gjithë fermerët në Kosovë janë të informuar për masat që duhet të ndërmerren. Ne këtë sëmundje e kemi pasur prezente në Kosovë, qysh në majin e vitit të kaluar dhe në vazhdimësi gjatë gjithë vitit, në mënyra të ndryshme kemi bërë lajmërime të rasteve. Shtabi emergjent i AUV-it ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në terren për parandalimin të përhapjes. Fillimisht kemi pasur raste të prekjes vetëm tek ekonomitë familjare, pulat, oborret që mbajnë fermerët. Ndërkaq, në shtator dhe tetor kemi pasur raste të prekjes së fermave komerciale”, tha Thaçi.

    Thaçi deklaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të marrë informacione në baza ditore lidhur me mundësinë e përhapjes në zona të tjera.

    Euronews.al

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,977
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Durrës: 500,000 pula ngordhin në pularitë e qytetit

    Gripi i shpendëve nuk transmetohet tek njeriu, thotë eksperti



    Gripi i shpendëve ka ngritur pikëpyetje nëse është i sigurt konsumimi i mishit të pulave apo vezëve.

    Por Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, në Universiteti Bujqësor, profesor Kapllan Sulaj thotë se nuk ka vend për panik. Gripi nuk transmetohet tek njeriu.

    “Publiku të jetë i qetë, natyrisht të konsumojë pa problem edhe mishin e pulës dhe vezët. Shtami që qarkullon në Shqipëri nuk ka të bëjë fare me njerëzit. Ai nuk transmetohet nga produktet e kafshëve tek njerëzit. Gjithsesi, duhet pasur kujdes”, thotë Sulaj.

    Megjithatë, sipas tij pularitë e prekura nga gripi duhet të tërheqin nga tregu produktet e tyre, qoftë mishin ashtu dhe vezët.

    Por a mund të dallohet me sy një pulë apo vezë e infektuar?

    “Me sy nuk identifikohet asgjë, e vetmja mënyrë është me analiza laboratorike”, tregon profesor Sulaj.

    Euronews.al

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-09-2015, 13:05
  2. A eshte e konfirmuar prejardhja arbereshe e Napoleon bonapartit
    Nga Inteligjentja në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 28-12-2008, 03:27
  3. Gripi i shpendëve mund të shkaktojë vdekjen e 62 milionëve
    Nga Humdinger në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 26-12-2006, 02:22
  4. Gripi i Shpendeve mbërrin në Shqipëri
    Nga iliria e para në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 49
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 06:30
  5. Shqipëria e rrezikuar nga gripi i shpendëve
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-02-2006, 07:41

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •