“Si u organizua vrasja e Vajdin Lames me shpërthim në ashensor. Kush e mori minën C4, roli i Shullazit dhe i Viktorit nga burgu”, rrëfimi i plotë i të penduarit të drejtësisë

Emri:  luftar-reci-vajdin-lame.jpg

Shikime: 307

Madhësia:  48.9 KB

SPAK ka mbyllur hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të cilët u ekzekutuan 15 vite më parë në dy atentate që ndodhën brenda 24 orëve.

Grupi i ekzekutorëve janë disa prej emrave më të njohur të botës së krimit në vend, si Emiljano Shullazi, Lul Berisha, Plaurent Dervishaj dhe të tjerë. SPAK ka hetuar ngjarjen duke u nisur nga dëshmia e një të burgosuri të quajtur Luftar Reçi, i cili është dëshmitari kyç për zbulimin e dy vrasjeve.

“Gazeta Shqiptare” zbardh dëshminë përpara SPAK të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, për dy nga atentatet e përgjakshme në Tiranë, eliminimi me tritol i biznesmenit Vajdin Lame në ashensorin e tij privat në një pallat shumëkatësh pranë Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, dhe ekzekutimin e Klodian Saliut në autostradën Tiranë-Durrës. Luftar Reçi deklaron se ai ka pasur një pakt me Lulzim Berishën. Ky i fundit do eliminonte hasmin e Luftar Reçit në Dibër dhe në këmbim, i penduari i drejtësisë do të bashkëpunonte për vrasjen e Klodian Saliut.

Luftar Reçi ka marrë tashmë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa nga dëshmitë e tij pritet që të hidhet dritë mbi një mori atentatesh të tjera të pazbardhura.

Emri:  Vajdin-Lamaj.jpg

Shikime: 293

Madhësia:  28.5 KB
Vajdin Lamaj

VRASJA E VAJDIN LAMES

Luftar Reçi rrëfen kronologjinë si u siguruan kallëpet e tritolit për vrasjen e Vajdin Lames. Ai implikon për atentatin mafioz Viktor Ymerin, daja i Edison Harizajt i ekzekutuar nëntorin e kaluar në Durrës, si organizator nga burgu. Viktor Ymeri e organizoi vrasjen duke gjetur njerëzit e duhur për krimin edhe pse vetë ndodhej në qeli.

Ndërsa Emiljano Shullazi ka bërë aktivizimin e lëndës shpërthyese që ishte vendosur në ashensor, pasi kishte marrë informacion se Vajdin Lame po ngjitej për në apartamentin e tij. Vajdlin Lame u vra mbrëmjen e 27 shkurtit 2005. 24 orë më parë, Banda e Durrësit kishte eliminuar Klodian Saliun.

Vajdin Lame ruhej për një kohë të gjatë nga vrasësit derisa u vra gjatë shpërthimit në ashensor. Po aty humbi jetën edhe një banor i pallatit, i cili nuk kishte lidhje me problemet mes Vajdin Lames dhe Bandës së Durrësit.

Dëshmia për Vajdin Lamen i ekzekutuar me tritol në 2005
“…Kam pasur lidhje shoqërore me shtetasit Lulzim Berisha, Indrit Taullai, Plarent Dervishi. Shtetasin Lulzim Berisha e kam njohur që në vitin 1994 ndërsa shtetasin Plarent Dervishi dhe Indrit Taullai i kam njohur më vone sepse ishin njohje dhe miqësi e Lulzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular tek numri im celular shtetasi Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” që ishin kallëpë tritoli, ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im ishte me fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijë.

Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje sepse i kisha treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J. më kishte pregatitur minat për ngjarjet e Dibrës dhe për këtë arsye me kërkoi një minë për veten e tij. Për të pregatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet…i cili është vrarë në vitin 2002 dhe J… për ngjarjen e Dibrës.

Pas kërkesës së bërë nga Luli unë mora në telefon A, i cili tregtonte armë dhe mina të ndryshme. I shkova te shtëpia A. dhe i thashë më duhet një minë me telekomandë dhe ai më tha prit se ta gjej unë. U fut në shtëpi dhe doli pas 45 minutash dhe më dha minën. A. përpara se të më jepte minën i bëri edhe provën duke thirrur një djalë nga Instituti Bujqësor që riparonte telefonat celularë. A. e bëri provën në një fuçi me ujë nëse ishte në gjendje pune kapsolla. Pasi mora minën, telefonova Lulin dhe i thashë hajde e merre. Luli më tha prit pak dhe do të marr unë për pesë minuta. Pas pesë minutash më mori Luli e më tha ku je, prit, se do të vijë një mik i joni të të marrë.

Pas pak erdhi një makinë “Mitsubishi Pajero” policie me sirenë sipër dhe me katër porta. Pasi më mori A. ikëm te piceria e Lulit në Durrës. Me vete kisha edhe minën me telekomandë që kisha marrë tek A. Për këtë minë kam paguar unë 1600 euro.

Kur kam vajtur te piceria e Lulit në Durrës kam gjetur Lulin, Lentin, Indritin dhe një person që qëndronte si roje te dera e picerisë së Lulit. Në piceri u ulëm në një nga tavolinat e saj dhe diskutuam për montimin e minës dhe për gjetjen e një eksplozivi të mirë. Për montimin e minës u ra dakord që të thërrisnim J. për të cilin fola më lart, e njihte edhe Luli nëpërmjet meje pasi kishte dëgjuar nga unë. Pasi ramë dakord, e kam telefonuar J. Pasi folëm me J. dhe ai konfirmoi ardhjen në Durrës, kam folur në telefon me shtetasin A.Z., i thashë që të gjejë ca brumë nga ai i miri, dhe të ma sillte në Durrës te lokali i atyre shokëve që ke shoqëruar nga Maqedonia. A. e dinte picerinë e Lulit ku do e sillte brumin. Rreth orës 10-11 të darkës kanë ardhur te piceria në Durrës J. dhe pas tij A.Z. Në prezencën time të Lulit, Plarentit, Indritit, dhe J. A. ka dorëzuar një pako me lëndë plasëse në një qese plasmasi ku ishin gjashtë ose tetë tubete me dinamit, brume me ngjyrë të kuqerremë…

Pas pak, Luli, Lenti dhe Indriti, J. dhe unë shkuam te shtëpia e motrës së Lulit që quhej J. ishte një shtëpi trekatëshe me shkallë nga jashtë në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMW X5 me ngjyrë të zezë me lëkurë të verdhë brenda. Në kat të parë të kësaj ndërtese ishte një garazh ku u futëm të gjithë ne që do të pregatisnim lëndën plasëse për të cilën nuk e dija se për çfarë do të përdorej…

U futëm në garazhin e shtëpisë së J. i kemi dhënë J. dinamitin dhe e kemi pyetur çfarë të duhet tjetër për ta pregatitur..J..na ka thënë se dua dy telefona celularë të ri dhe dy karta telefoni Duke qenë se ishte shumë vonë, rreth orës 23-24, Indrit ka telefonuar Ç… një ushtar të tyre, i cili bëntë shërbime për Lulin dhe Indritin dhe i kanë thënë e ke numrin e telfonit të një dyqani që shiste telefona celularë, person të cilin këta e kishin të njohur… Ç. i tha po e kam dhe Indritit i tha fol me të e shkoni të dyqani dhe merr dy telefona celular të ri të mirë se i kam për dy shoqe, telefonat të kenë dhe kartë shoqëruese.

Kartat e telefonit ishin Vodafone dhe telefonat me sa mbaj mend ishin “Siemens” të rinj të pa përdorur. Këta telefona ishin me përmasa jo të mëdha nuk e kujtoj ngjyrën, por kam parë një shirit anash me ngjyrë floriri. Me sa kujtoj këto telefona ishin paketuar me kartona dhe me karikuese me vete. Gjatë kësaj kohe u dhanë disa mendime se për çfarë do të duhej kjo minë me telekomandë dhe Indriti më tha se këtë tritol do e përdornin për ta vendosur në një makinë dhe ajo makina do të vendosej afër një makine tjetër që do e shpërthente. Pasi Ç. solli telefonat “Siemens” dhe dy karta telefoni, ia dhamë J. i cili në praninë tonë nisi të pregatiste minën plasëse.

Në garazh ishte dhe një makinë tip “Volkswagen Golf 3” me ngjyrë gri me targa gjermane. U hap Golfi dhe te dera e shoferit u bë çmontimi i derës nga brenda dhe u mbush me copa hekuri të vogla metalike të cilat i jepnin forcë dhe që do të shpërndaheshin pas shpërthimit Tani më kujtohet se dinamiti është futur në një bidon coca-cole bosh 1.5 litrash me qëllim që të ishte i sigurtë se ku do të vendosej. Gjatë kohës që po bëhej montimi i minës me telekomandë në të mjetin tip “Golf”, Indritit i telefonoi dikush.

Pas kësaj telefonate, Indriti na tha lërë montimin o lalë se ka ndryshuar plani dhe na tha të prisnim pak. Indriti na la në garazh dhe vetë doli jashtë duke u larguar për t’u kthyer pas 15-20 minutash. Kur u kthye Indriti kishte me vete një pako që ishte dy herë më e madhe se një paketë cigare. Marlboro ku sipër saj lexonte “Made in Cernagora”, Indriti na tha se është C4 dhe do të zëvëndësonte dinamitin që kishte montuar J. tek mina. Unë e pashë vetë se ishte tritol C4 të cilin e njihja se kisha parë edhe herë të tjera. Indriti i tha J. se puna jote është vetëm të montosh që të jetë në gjendje pune të gatshme për të shpërthyer. J. e montoi dhe filloi çkodimin e kartave të celularit të cilat nuk duhet të pranonin asnjë thirrje tjetër përvecse nga njëri numër te tjetri. Pasi u bë montimi i minës së telekomanduar me C4 dolëm nga garazhi i shtëpisë së J. unë Luli, Lenti, Indriti, J.Ç. ku do të iknim në drejtime të ndryshme.

Minën me telekomandë e kishte Indritit së bashku me telefonin tjetër u ishte vendosur karta që do të kryente kontaktin për shpërthimin e minës me kartën ku ishte vendosur C4.

Kur kemi dalë jashtë shtëpisë së J. në rrugë kishte parkuar një makinë e tipit “Peugeot”, ose “Reno”, me ngjyre që anonte nga e zeza, tip i ri ku pranë saj u afrua vetëm Indriti dhe takoi personin që ishte në timon.

Kur Indriti u afrua te mjeti në fjalë, shoferi hapi derën, dhe u ndez drita e brendshme e mjetit. Unë pashë se në këtë mjet ishin dy persona, shoferi që ishte Emiljano Shullazi, dhe një vajzë e cila ishte në vend të parë të mjetit. Unë isha në një largësi 15 metra nga mjeti i Emiljanos. Sqaroj se Emiljanon e kisha të njohur se e njihja më parë, ishte njohje e Indritit dhe Lulit. Unë pashë se Indriti ia dha minën me telekomandë që u pregatit në garazh, Emiljano Shullazit. Para se të ikte, Emiljano na u drejtua ne duke na thënë natën e mirë çuna.

Emiljano pasi mori minën u largua bashkë me vajzën që kishte në automjet dhe që e përshkrova më lart. Pastaj secili prej nesh u shpërnda në drejtimin e tij.

Dua të sqaroj edhe një detaj tjetër kur është bërë montimi i bombës te garazhi i J. është pregtaitur edhe një bombë tjetër me celular me telefon “Nokia”, tip i vjetër me ngjyrë gri, me kapsollë elektrike të cilën e mori Luli me vete pa kartë të çkoduar. Madje dua të shpjegoj edhe një incident me këtë bombë. Ç. futi kartë telefoni në telefonin që ishte ngjitur minës ku fatmirësisht e pa J. se çfarë po bënte dhe ia mori nga duart duke i hequr lëndën plasëse duke i thënë çfarë po bën. J. na shpjegoi se kjo minë mund të ishte aktivizuar vetëm nëse dikush bën një SMS apo thirrje te karta…

Gjatë muajit shkurt të vitit 2005, unë shkoja çdo ditë në Durrës ku takoja Lulin, Lentin, dhe Indritin sepse mes nesh kishte një marrëveshje ku Luli më kishte kërkuar të vrisja për llogari të tij, Klodian Saliun ndërsa Luli me njerëzit e tij do të vriste njërin nga hasmit e mi. Për të realizuar vrasjen e Klodian Saliut unë shkoja në Durrës e takoja Lulin. Lentin, Indritin, nga të cilët merrja informacion për lëvizjet e tij. Në një nga këto takime u hap biseda e minës që kishim pregatitur. Në këtë bisedë Indriti u shpreh se Tori, Viktor Ymeri, nga burgu, ka gjetur njeriun e duhur për t’ia vendosur minën personit m’u pas qafe, ai këtë e ka thënë në dialektin dibran, që të qeshja unë.

Indriti më tha se Tori ka gjetur njeriun e duhur… Brenda muajit shkurt të vitit 2005, është vrarë shpërthim shtetasi Vajdin Lame në ashensor. Këtë vrasje e kam marrë vesh në media të nesërmen në mëngjes kur jam zgjuar. Menjëherë kam telefonuar Lulin dhe i thashë se si u bë kjo punë kështu…

Luli më tha, “o lalë jam larg, këto janë punë Indriti, kur të vi do flasim“, sepse ishte jashtë ishte në Turqi… Në bisedë tavolinë është thënë nga Indriti me mburrje… se pordhën e madhe, “e bëmë cope copë”, duke e përmendur me emër se ishte vrasja e Vajdin Lames. Në bisedën e bërë është thënë nga Indriti se informacionet dhe mbikëqyrjen e Vajdinit e bëntë … kohët e fundit që ishte futur nga Viktor Ymeri. Në bisedën në tavolinë është thënë se…informonte Emiljano Shullazin si në kohën që është vendosur mina në ashensor ashtu edhe për kohën që duhej shpërthyer mina nga Emiljano.

Në vitin 2013, në burgun e Peqinit, Viktor Ymeri më ka thënë brenda burgut me mburrje se “ata, duke referuar Emiljano Shullazit dhe njerëzve të tij, dinë vetëm të hapen bythësh me makina e kurva duke ju vënë gjoba njerëzve se nuk kanë zgjuarsi tjetër“. Viktori më tha se “edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu e gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm me u hap bythësh…”

Dua të shpjegoj edhe një moment tjetër në marrëdhënie me Lulin, rast kur u plagos në dorë, jemi mbledhur te lokali i shtetasit A.B, që me sa mbaj mend ndodhej në Manzë ose në Shijak. Ky lokal zakonisht përdorej për disko, Luli me rastin që i shpëtoi atentatit ftoi të gjithë shokët e tij. Në këtë lokal kanë qenë nëpërmjet të tjerëve Luli, Lenti, Indriti, G.M, G.K., dhe disa të tjerë që nuk i njihja. Unë u ula në tavolinë me Lulin, Indritin, Lentin. Në biseda, Indriti u shpreh se na kishte ecur mbarë disa kohë kur e kishte fjalën për vrasjen e Vajdinit dhe të Klod Saliut.

Përgjim telefonik i Shullazit…
Nga përgjimi i numrit telefonik 06925XXXXX disponuar nga P.H me telefon nr. 06921XXXXX dyshuar se perdorej nga Emilano Shullazi.
B (Emiljano) – Kush ishte?
A – Po nuk i njoh po prej atij shoferit të vet e kapa muhabetin, ishte një i shkurtër dhe pak i shëndoshë
B – Po, po
A – Ishte aty ai ore vlla, mori një…bionde, e mori brenda…
B – E ku shkuan?
A – Hynë nga krahu tjetër tani ma do mendja do kenë ikur te lokali ata
B – Te kollonat i pe?
A – Eeeee
B – Nga je ti, e ke taku Xhemsin?
A – Jo se kam taku, e mora një cikë në telefon, ai se rru…qe do ai ka vetëm llafe më ka mërzit..
B – Pse?
A – Muhabetet e Xhemsit ben sikur i di te gjitha
B – Nga je ti?
A – Vërdallë qarkullova dhe një herë kështu kur më zuri syri këta aty thashë mos gjeja ndonjë Xake apo Pap…
B – Me një të dalme nuk ashtu ato, po hajde nejse..
A – Hajde pra…”

Emri:  Vrasja-e-Vajdin-Lames.jpg

Shikime: 282

Madhësia:  55.9 KB

Emri:  Vrasja-e-Vajdin-Lames1.jpg

Shikime: 276

Madhësia:  62.9 KB

Emri:  Vrasja-e-Vajdin-Lames3.jpg

Shikime: 280

Madhësia:  67.5 KB

Emri:  Vrasja-e-Vajdin-Lames4.jpg

Shikime: 292

Madhësia:  71.0 KB

VRASJA E KLODIAN SALIUT

Kastriot Reçi rrëfen se Klodian Saliu ishte mbajtur në vëzhdim disa ditë në qytetin e Durrësit. I penduari i drejtësisë thotë se ai bashkëpunoi në atentatin ndaj Saliut, pasi Lulzim Berisha i kishte premtuar se ai do të eliminonte hasmin e tij në Dibër. Përplasjet e Lulzim Berishës me Klodian Saliun dhe lufta e tyre për kontrollin e kontrabandës dhe trafiqeve përmes Portit të Durrësit, kanë qenë shkaku i konfliktit mes dy grupeve, pas ndarjes së Bandës së Durrësit.

Siç rrëfen, Luftar Reçi, Lulzim Berisha u informua nga një polic i dehur i Portit të Durrësit se Klodian Saliu kishte tentuar të ekzekutonte atë dhe kunatin e tij, Plarent Dervishaj, duke i ngritur pritë bashkë me dy persona të tjerë pranë shtëpisë së ish-kreut të Bandës së Durrësit, në qytetin bregdetar, por atë natë Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk kishin mbërritur aty, duke i shpëtuar kështu edhe atentatit.

Ky ka qenë edhe momenti kur Lulzim Berisha ka vendosur të eliminojë Klodian Saliu, duke përgatitur në detaje atentatin ndaj tij. Saliu do të eliminohej nga Indrit Taullau, Plarent Dervishaj dhe Luftar Reçi. Klodian Saliu u vra në 26 shkurt të vitit 2005, rreth orës 22:00, teksa udhëtonte nga Durrësi në drejtim të Tiranës, në shoqërinë e një personi tjetër, Osman Truma, i cili mbeti i plagosur. Saliu u qëllua teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C.

I penduari i drejtësisë rrëfen se Lulzim Berisha ishte larguar në Turqi kur ishte siguruar se ish-ortaku i tij, tashmë rival, do të ekzekutohej. Largimi i Berishës do të shërbente si alibi që ai të mos ishte person i dyshuar për atentatin.

Dëshmia e plotë

“Në fillim të muajit shkurt të vitit 2005 kam takuar në Tiranë, Lulzim Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur stacioni i trenit në Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Kazinoja ndodhej në bodrumin e një pallati të ndërtuar nga një ndërtues kosovar me emrin E.A. Ky pallat është pranë stacionit të trenit. Rreth orës 01.00 erdhi Luli së bashku me Lentin dhe Indritin.

Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu, dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim… Ata më thanë se Klodian Saliun e kishin kundërshtar dhe kishin frikë se mos i vriste. Gjithashtu ata donin ta vrisnin atë edhe në lidhje me kontrabandën dhe trafiqet që bëheshin në Portin e durrësit pasi e shihnin si rival… Sipas Lentit, një polic i Portit të Durrësit i kishte thënë Lentit se, “një natë Klodi me gjithë dy persona të tjerë ju kanë pritur te shtëpia e Lulit për t’ju vrarë“.

Sipas Lentit polici ishte i pirë tapë në momentin që kishte thënë këtë muhabet.

Pasi ramë dakord të shkëmbenim hasmit, unë pothuaj gjithë muajin shkurt të vitit 2005 nga mesi i ditës deri vonë në darkë shkoja në Durrës me qëllim që të shihja si fytyrë shtetasin Klodian Saliu. Si edhe të mësoja lëvizjet e tij. Kur shkoja në Durrës fillimisht takoja Lulin, Lentin, Indritin, dhe më pas me qëllim që të studioja lëvizjet dhe vendet ku rrinte Klodi ata më jepnin një djalë të ri rreth moshës 19 vjeç i cili e njihte Klodin si fytyrë. Nëpër Durrës lëviznim me një makinë tip “Benz 250” tip i vjetër me ngjyrë hiri me targa Durrësi që në dijeninë time ishin në pronësi të Indrit Taullaut.

Bashkë me ketë djalin lëviznim në të gjithë vendet ku mendohej se rrinte Klodi. Mbaj mend përshembull se shkonim diku te Vollga pasi dyshonim se aty kishte një lokal Klodi. Në këtë vend nuk e kemi parë asnjëherë. E kërkonim diku pas Bashkisë në një lokal në kat të dytë ku na tha një natë Indriti në telefon se më duket ishte atje… U futëm në lokal u ulëm në tavolinë dhe ai djali që ishte me mua pa se nuk ndodhej aty. Kemi kontrolluar në disa lagje të Durrësit ku dyshohej se rrinte Klodiani…

Unë Lenti dhe Indriti filluam të bëjmë prova se si do të bënim vrasjen e Klodian Saliut… Vendosëm që vrasja të bëhej gjatë kohës që Klodiani të shkonte të takonte…në Tiranë…

Në një javë rresht kemi pritur që të kalojë dhe jemi vendosur te një karburant rreth 1.5 kilometër në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Ndërsa personin të cilin e thërrisnim Ç. e linim te kryqëzimi i rrugës. Detyra e Çeços ishte që të mbante në vëzhgim automjetin e Klodianit nëse do të ikte nga Plepat, apo do të futej në autostradë për në Tiranë.

Luli sapo mori vesh që…do të na jepte informacion për lëvizjet e Klodit, u sigurua që do të bëhej vrasja dhe iku në Turqi me qëllim që të mos dyshohej.

Një natë para se të vritej Klodi unë kam fjetur në Durrës tek shtëpia e J. Ditën e vrasjes jam takuar te piceria e Lulit me Lentin dhe Indritin, ndërsa Luli ishte në Turqi. Brenda picerisë ishte një ambjent si zyrë më vete me kolltuqe të bardha dhe televizor.

Kishim informacion se Klodi lëvizte vetëm në darkë dhe ishim në pritje të informacionit konkret. Në momentin që ka filluar të errësohej kemi shkuar të shtëpia e J. dhe morëm një makinë BMW X 5 me ngjyrë të zezë në të cilën ishte vendosur një targë italiane. Me vete kishim armë zjarri dhe më konkretisht unë kisha një pistoletë të tipit Beretë marinsash e vitit 2002, me 15 fishekë, Lenti kishte një automatik të tipit Scorpion dhe dy karikatorë rezervë dhe Indriti kishte një pistoletë me 15 fishekë që ishte e kromuar ishte e Lulit dhe një pistoletë tjetër me mulli me gjashtë fishekë.

Në momnentin që është errësuar ne jemi parkuar te i njëjti karburant që përshkrova me sipër kurse Ç te kryqëzimi Gjithashtu Lenti dhe Indriti kishin siguruar informacion…e Klodit se ai lëvizte me një “Benz 300” me ngjyrë gri, tip i vjetër, me targë Durrësi. Nuk e mbaj mend orën e saktë, por pasi kishim 40-50 minuta që prisnim, Ç. telefonoi Indritin dhe i tha se Klodi ishte futur në autostradë dhe në maknë ishin dy veta. Ç, i tha Indritit se Klodi drejtonte makinën. Ne u bëmë menjëherë gati dhe ishim ulur në këtë mënyrë, unë isha shofer, Indriti ishte në vend të parë të pasagjerit, ndërsa Lenti në sediljen e pasme pas Indritit. Pasi kaloi “Benzi” në fjalë, unë ndeza makinën dhe u nisëm në ndjekje të makinës ku ishte Klodi.

E arritëm shpejt, por nuk e parakaluam dot për shkak të makinave të tjera. Diku mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar dhe kemi qëndruar paralel me makinën që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMW-së kanë qëlluar me armë Indriti dhe Lenti me pistoletë dhe Scorpion. Dua të theksoj se që në momentin që u vumë në ndjekje të makinës ku ishte Klodi, kemi mbajtur xhamat e makinës hapur.

Kemi ecur paralel rreth 10 sekonda, kohë gjatë së cilës Lenti dhe Indriti gjuanin në drejtim të makinës së Klodit. Më pas automjeti drejtuar nga Klodi është shmangur nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Pasi automjeti ka përfunduar në kanal, Indrit bërtiti me të madhe “o Lal mbaje pak“.

Hapa krahun dhe nga BMW-ja që drejtoja unë ka dalë Indriti dhe i është afruar makinës së Klodit dhe e ka goditur Klodin tre herë me pistoletën me mulli. Unë isha shumë afër dhe këtë moment e kam fiksuar shumë mirë… Indriti i ka thënë pasagjerit se nëse donte të shpëtonte të mbyllte gojën…”

Emri:  Vrasja-e-Klodian-Saliut.jpg

Shikime: 296

Madhësia:  56.6 KB

Emri:  vrasja-e-klodian-saliut1.jpg

Shikime: 281

Madhësia:  65.0 KB

Emri:  Vrasja-e-Klodian-Saliut2.jpg

Shikime: 276

Madhësia:  74.5 KB

Burimi: Gazeta Shqiptare