Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 40
  1. #1
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    Në fillim të këtij shtatori, pak ditë para se të fillonte sesioni i ri parlamentar, shumëkush mbeti i çuditur kur dëgjoi se deputeti i sapo zgjedhur i PS-së, Lefter Koka kishte dhënë dorëheqjen. Kjo habi bëhej edhe më e madhe nga mungesa e arsyetimit të këtij akti në njoftimin që vetë Koka bëri në Facebook. Shprehja se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël,” nuk i thoshte asgjë kureshtarëve.


    Por, për ata që i njohin kulisat dhe prapaskenat e politikës nuk kishte asnjë mister. Lefter Kokën po e lëshonin ata që e kishin mbrojtur dhe përdorur, për ta hedhur në kthetrat e drejtësisë. Edi Rama ia kishte rrëmbyer atë Ilir Metës, e kishte përdorur për ta lënë LSI-në pa deputet në Durrës, e kishte bërë pjesë të listës përkrah me emrin e tij në këtë qytet, tani ia kishte hequr vështrimin dhe mbështetjen. Ashtu si me skenarin e arrestimit të zyrtarëve të uniformave të policisë, që u pushuan nga puna para se të prangoseshin edhe me Kokën u ndoq e njëjta linjë. Kryeministri që kontrollon gjithçka edhe në SPAK, e mënjanoi Kokën nga grupi parlamentar në mënyrë që kur të vinte ora e spektaklit me drejtësinë, ai dhe partia në pushtet të njolloseshin sa më pak.

    Ky moment mbërriti tre muaj më pas dhe sot ish ministri, kryebashkiaku dhe deputeti 57 vjeçar akuzohet nga SPAK për veprat penale: “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion” në mega aferen e inceneratorëve.

    Pak a shumë, në sferat e larta të politikës të gjithë e dinin se kjo do të ndodhte. Rreth një muaj para zgjedhjeve, edhe e hidhëruar që Koka e kishte tradhëtuar, shefja e LSI-së, Monika Kryemadhi e denoncoi atë në prokurorinë speciale për aferën e inceneratorëve. LSI e akuzoi Kokën si përfitues të 3.3 milionë eurove nga koncesionari i incineratorit të Elbasanit, një kontratë që u lidh nga vetë Koka si Ministër i Mjedisit.

    Sipas denoncimit, ish ministri kishte ngritur një skemë kompanish fantazëm me të afërm të tij, ku këto lekë paguheshin nga kompanitë e incenerattorëve. Denoncimet e bëra me gojën e Kryemadhit shkuan edhe më tej. Sipas tyre, Lefter Koka si ish ministër i Mjedisit është vetëshpallur si autoriteti nënkontraktor që do të negocionte me kompaninë e inceneretaorit të Tiranës, ndërkohë që këtë tagër e ka vetëm Këshilli i Ministrave. Gjithashtu Koka nuk ka lënë gjurmë vetëm me këtë veprim. Ai dyshohet se ka gënjyer Këshillin e Ministrave duke nënshkruar me dorën e tij se ngritja e inceneratorit nuk do të kishte impakt mbi buxhetin e shtetit. Këtë deklarim ai e ka paraqitur edhe pranë Këshillit të Ministrave gjatë procedurës së miratimit të VKM për Dhënien e Bonusit prej 8% të pikëve shoqërisë “Integrated Energy BV”. Po Lefter Koka ka shkelur ligjin duke mos organizuar një garë ndërkombëtare me investitorë të huaj, sikurse kërkohet.

    Natyrisht e gjithë kjo panoramë e zymtë nuk ka qenë e tillë vite më parë, kur Rama e falenderonte Lefter Kokën teksa me një ceremoni pompoze e inaguroi inceneratorin e parë të Elbasanit duke e shpërngulur gjithë qeverinë në kantierin e tij. “I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit (Lefter Koka) dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…,” tha Rama nga podiumi i përurimit në Prill 2017.

    Dy vjet më pas, Lefter Koka do të bëhej edhe më i domosdoshëm. Kur e gjithë opozita dogji mandatet, i shantazhuar me nënshkrimet që pati hedhur për inceneratorët, Koka nuk pranoi ta linte parlamentin. Ai u bë një nga deputetët e perferuar të ambasadave perëndimore që i përshëndetën të gjithë ata që nuk shkuan pas interesave personale të liderëve që “për interesat e tyre personale minonin të ardhmen e vendit”.

    Por Ramës, Lefter Koka nuk iu desh vetëm për të bërë rolin e opozitarit fallco. Për të gjithë është tashmë e njohur ajo video e kryeministrit me “Terin”, në të cilën, nën avujt e disa shisheve verë, ftonin dhe Nasip Naçon të braktiste LSI-në dhe t’i bashkohej fushatës zgjedhore të PS-së.

    Ajo që u pa në ato imazhe vulgare dhe të neveritshme për këdo që ka një koncept normal për politikën, pas pak kohësh u bë realitet. Edhe Koka edhe Naço konkuruan me PS-në dhe arritën t’i heqin LSI-së dhe opozitës më së paku një mandat në Durrës dhe një mandat në Berat.

    Dhe këtu misioni i Lefter Kokës mbaroi. Firmat e tij të dikurshme, që shërbyen për ta shantazhuar qoftë për të bërë opozitën fallco, qoftë për ta përdorur si rilindas në zgjedhje, tani mund t’i shpiheshin drejtësisë. Kujdesi i fundit duhej të ishte që pasi e përdorën si mish për top në garën elektorale, tani Koka as mos e njolloste PS. Ai u detyrua të japi dorëheqjen në shtator, tre muaj para se SPAK ta akuzonte për korrupsion dhe pastrim parash. Tani mbi të rëndojnë firmat që ka hedhur për shpënien përpara të aferës së inceneratorëve, një mega skandal për të cilin Edi Rama ka vënë të nënshkruajnë vetëm vartësit.

    ©Lapsi.al
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Historia/ Si e përdori Rama limonin e shtrydhur Lefter Koka

    Dosja e inceneratorëve/ SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion

    Emri:  Lefter-Koka-1-768x512.jpg

Shikime: 886

Madhësia:  19.7 KB

    TIRANË
    Arrestohet nga SPAK ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Sipas burimeve, bëhet fjalë për hetimin e nisur për çështjen e inceneratorëve, një kallëzim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Raportohet se Koka, akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

    Koka, ka qenë Ministër i Mjedisit nga LSI në vitet 2013-2017, më pas deputet i PS, 2017-2021. Ai fitoi mandatin në 25 prill, por më pas hoqi dorë. Urdhër-arresti për të u firmos nga prokurorët Dritan Premci dhe Vladimir Mara.

    (BalkanWeb)

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    “Lefter Koka, peshku i vogël, maja e ajsbergut”, Klodiana Lala zbulon: Zyrtarë të niveleve të larta, ministra dhe deputetë, gati të arrestohen nga SPAK

    Gazetarja e ‘News24’ Klodiana Lala deklaroi se të tjerë zyrtarë të lartë, në novel ministrash dhe deputetësh priten që të arrestohen nga SPAK.

    E ftuar në “Opinion’ Lala tha se arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka, është vetëm maja e ajsbergut, pasi sipas saj, ai është vetëm peshku i vogël në këtë skemë të madhe abuzimi me inceneratorët.

    “Pak para zgjedhjeve, LSI, pas një ‘divorci’ të vështirë që pati me zotin Koka, dërgoi një kallëzim të detajuar, që në thelb është konfuzioni i ditës së sotme. LSI ngrinte pretendime në atë kohë se Lefter Koka asokohe ministër i Mjedisit, ka përfituar nga dy kompanitë koncensionare, rreth 3.6 mln euro. Pardje u firmos urdhri i arrestit ka një vendim të marrë në mungesë nga gjykata. Dje është bërë sekuestrimi i inceneratorit të Elbasanit, një kompani e zotit Koka. SPAK ka nën hetim dhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë, të cilët në fakt, nuk mund ta aludojë me emra, janë gati duke u arrestuar. Zyrtar të niveleve të lartë, ministra dhe deputetë. Janë dy inceneratorë të tjerë që nuk janë prekur. Janë duke u hetuar. Po të shihni sot varësit e zotit Koka, ata janë deputetë të Kuvendit. Nuk është peshku i madh Lefter Koka. Ai ka qenë ministër i Mjedisit, si autoritet, që firmoste kontratat e koncensionit, Por shumat e parave, lidhjet e biznesmenëve me zyrtarët, zoti Koka është pjesë e një afere shumë të madhe. është goditje e SPAK që duhet përgëzuar. Nëse ngelet në këtë nivel, është goditje gjysmake. Është maja e ajsbergut.”, tha Lala.

    Kujtojmë se biznesmeni Klodian Zoto dhe Stela Gugalli janë shpallur në kërkim, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa ‘arrest me burg’.

    (BalkanWeb)

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    'E dinim prej 4 ditësh që do arrestohej'/ Artan Hoxha tregon bisedën me Nard Kokën, vëllanë e Lefter Kokës

    Emri:  auto_2qwshdfn1639518374.jpg

Shikime: 878

Madhësia:  39.6 KB

    Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar bisedën me Nard Kokën, vëllanë e ish-ministrit Lefter Koka, pas arrestimit të këtij të fundit lidhur me aferën e inceneratorir rë Elbasanit.

    Hoxha thotë se ish-ministri i Mjedisit e dinte prej 4 ditësh që do të arrestohej por nuk ishte arratisur.

    Një gjë të tillë atij ia ka pohuar në bisedë e sipër Nard Koka.

    Në emisionin 'Log' në ABC, gazetari Artan Hoxha tha se pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Stela Gugalja ndodhen brenda Shqipërisë, pasi nga sistemi TIMS nuk rezultojnë të jenë larguar.

    Sipas tij, ata janë informuar për arrestimin, duke theksuar se operacioni i SPAK është dekonspiruar.

    "Një nga pronat e sekuestruara është kantina e pijeve "Skënderbeu". Unë dua të jap vetëm dy gjëra që më ranë në sy, së pari këto lloj arrestimesh kryhen me një skuadër të ngushtë të BKH me njësi të caktuara të policisë kryesisht janë njësi civile që marrin një objektiv dhe e mbajnë në vëzhgim para se të marrin vendimin e gjykatës.

    Koka u kap sot në mëngjes në një lokal. Ndërkohë, Klodian Zoto nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria, pra, ai është në Shqipëri. Edhe fakti që, policia s’e ka gjetur dot, por nga kërkimet e tjera rezulton se ai është në Shqipëri.

    Personi i 3-të, Stela, thuhet se është brenda Shqipërisë, por nga informacionet që kam unë, ajo është jashtë.

    Nëse u arrestua i pari Koka, pse duhet të dilte kaq shpejt lajmi pa u arrestuar dy të tjerët? A ka ndonjë rrjedhje informacioni që këta dy të tjerët i morën masat?

    Nga kontakti me Nard Kokën, një personazh shumë kontravers e kam pyetur në lidhje me arrestimin, atij i kanë thënë kemi këtë urdhër duhet të shkojmë në shtëpi, atje është bërë kontrolli i shtëpisë nja dy orë. E pyeta a keni pasur dijeni? Nardi më tha “na thanë po na ka ardhur një informacion para katër ditësh dhe vëllai zgjodhi këtë, që të mos largohej”, tha Hoxha.

    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    VIDEO-SYRI TV/ Rama mbrojti inceneratorin e Elbasanit kur u pyet nga Shkullaku

    1 vit më parë, kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje publikisht procedurat e ndjekura nga qeveria për inceneratorin e Elbasanit. Në përgjigje të pyetjeve te ngritura nga gazetari Armand Shkullaku, Edi Rama ka justifikuar shumë fakte që lidheshin me dhënien e koncesioneve pa garë, procedura të kryera brenda një dite të vetme apo për kompani që nuk kishin kapitalin e nevojshëm për sipërmarrje të tilla si inceneratori i Elbasanit

    SYRI TV

    Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje publikisht procedurat e ndjekura për inceneratorin e Elbasanit, të cilat rezultuan një skemë e mirëfilltë korrupsioni pas arrestimit nga SPAK të ish-ministrit Lefter Koka dhe shpalljes në kërkim të biznesmenëve të përfshirë në këtë afere. Jo më larg se në tetor të vitit të kaluar, Edi Rama u dha përgjigje pyetjeve të ngritura nga gazetari Armand Shkullaku ku ngriheshin dyshime të forta mbi procedurat e dhënies së koncesioneve pa garë apo me një ofertues të vetëm.



    1) Përse procedura e dhënies së koncensioneve PPP u bë pa garë, me një ofertues të vetëm dhe fituesit nuk kishin as kapitalin e nevojshëm dhe ekspertizën (ose punë të ngjashme) për një ndërmarrje të tillë që na kushton dhjetëra-milionë euro?

    Procedura për Ndërtimin e Impiantit të Prodhimit të Energjisë nga Mbetjet në Fier dhe në Tiranë është zhvilluar nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, ku për mbi 50 ditë i është dhënë mundësia çdo operatori vendas apo të huaj të paraqesë ofertën e tij.

    Sipas legjislacionit në fuqi, kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të pjesëmarrjes në tender kanë qenë të tilla që i jepnin mundësinë çdo operatori vendas apo të huaj me eksperiencën e nevojshme dhe aksesin në burimet e nevojshme financiare për të marrë pjesë. Prezantimi ose jo i një oferte është më pas zgjedhje individuale e çdo operatori dhe s’mund të imponohet nga qeveria.

    Ndërkohë, procedura e ndjekur për ndërtimin e impiantit të prodhimit të energjisë Elbasan është ajo e negociimit pa shpallje paraprake, ku kontrata është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, procedurë e bazuar tërësisht në ligj, ardhur si rezultat i shpalljes së gjendjes së emergjencës mjedisore nga Këshilli Bashkiak Elbasan, si fillim, edhe më pas nga Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve, i cili është organi më i lartë për menaxhimin e mbetjeve në vend.

    Në çdo rast ofertuesi, referuar legjislacionit në fuqi, ka provuar shkresërisht se ka të gjithë ekspertizën e nevojshme si dhe aksesin në burimet financiare të nevojshme për të ndërtuar një kryevepër të tillë inxhinierike.

    Kapitali të cilit ju i referoheni nuk është i konglomeratit të shoqërive që kanë marrë përsipër ndërtimin e këtyre veprave, por i shoqërisë koncensionare, e cila është një SPV (Special Purpose Vehicle) e cila krijohet dhe regjistrohet vetëm mbas shpalljes së fituesit sipas kërkesave të ligjit për koncensionet.

    Janë shoqëritë themeluese të kësaj SPV-ve që kanë edhe eksperiencën e nevojshme dhe aksesin në burimet financiare për një sipërmarrje të tillë.

    Kryeministri Rama ka justifikuar në këtë mënyrë, procedurat e ndjekura nga qeveria e tij për shpalljen e fituesit për inceneratorin e Elbasanit, pas shqetësimeve që brenda një dite mbyllet e gjithë kjo procedurë, përfshirë transfertat e parave drejt kompanisë private.

    2) Si ka mundësi që brenda një dite të vetme, shpallet fituesi, mbyllen ankimimet, negociohet një kontratë 40 faqe, nënshkruhet, bëhen disa VKM dhe nisin transfertat e parave nga buxheti drejt kompanisë private?

    Komenti në formë pyetje është tërësisht i pavërtetë! Procedura për Impiantin e Prodhimit të Energjisë Fier ka filluar në datën 5 Tetor 2015 kur është paraqitur dhe propozimi i pakërkuar dhe ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në datën 24 Tetor 2016.

    Pra, një procedurë e cila ka kaluar nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar dhe ka zgjatur plot 12 muaj. Gjatë kësaj procedure është miratuar vetëm një VKM, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, nëpërmjet së cilës i jepen pikët bonus shoqërisë që ka paraqitur propozimin e pakërkuar.

    Procedura për Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Sharrë ka filluar në datën 23 Qershor 2016 kur është paraqitur dhe propozimi i pakërkuar dhe ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në datën 31 Gusht 2017.

    Pra dhe kjo një procedurë ka kaluar nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar dhe ka zgjatur plot 14 muaj. Gjatë kësaj procedure është miratuar vetëm një VKM, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, nëpërmjet së cilës i jepen pikët bonus shoqërisë që ka paraqitur propozimin e pakërkuar.

    Procedura e ndjekur për Impiantin e Elbasanit ka qenë ajo Negociimit pa shpallje paraprake ku kontrata është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, procedurë kjo e parashikuar plotësisht në ligj dhe miratuar si rezultat i shpalljes së gjendjes së emergjencës fillimisht nga Këshilli Bashkiak Elbasan dhe më pas nga Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve si organi më i lartë përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve.

    Kur aplikohet procedura e negociimit në kushtet e emergjencës, të gjitha institucionet e përfshira janë të detyruara/angazhuara të japin kontributin e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Në situata të emergjencës së shpallur, angazhimi për të mbyllur të gjitha proceset e parashikuara në ligj në një kohë sa më të shpejtë është detyrim ligjor dhe jo shkelje.

    Gjithashtu, duhet sqaruar se për Impiantin e Elbasanit, qeveria shqiptare i ka filluar pagesat 7 muaj mbas fillimit të punimeve, kur subjekti koncensionar kishte bërë një sasi të konsiderueshme të punimeve. Në momentin e përfundimit tërësor të impiantit me vlerë 21 milionë euro pa tvsh, qeveria kishte paguar vetëm 5.57 milionë euro ose 26.5%.

    Gjithë pjesa tjetër e investimit ishte mbuluar nga vetë koncensionari. Prej vitit 2017 e deri sot koncensionari po vazhdon ta mirëmbajë dhe operojë këtë impiant pa asnjë të ardhur shtesë nga shitja e energjisë, duke mbuluar vetë të gjitha kostot operative, ndryshe nga sa ishte parashikuar në studimin e fizibilitetit.

    Por prokuroria e posaçme, me arrestimin e Leftër Kokës dhe shpalljen në kërkim të biznesmenëve të përfshirë në këtë aferë korruptive multimilionere, ka rrëzuar justifikimet e sipërpërmendura të Kryeministrit Edi Rama. Transparenca e pretenduar nga Edi Rama, vetëm për inceneratorin e Elbasanit ka rezultuar në 5 milion euro abuzim nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

    Syri

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    “Po Alqi po vrapon?”/ Ish-deputetja e LSI denoncon deputetin socialist: Babai i tij është paguar nga inceneratorët 10 mln lekë në muaj

    Emri:  silva-caka.jpg

Shikime: 922

Madhësia:  23.3 KB

    Në një postim në rrjetet sociale, duke publikuar edhe dy dokumente, Silva Caka pyet “a po fshihet babai i Alqit?”.

    “Po babai Alqit që është paguar nga Inceneratorët 10 mln leke/muaj po fshihet??”.

    “Po Alqi po vrapon??? Apo është ulur këmbëkryq në Parlamentin Shqiptar??? Nëse doni prova, i keni mu në mes të Kuvendit!!!”, e mbyll reagimin ish deputetja e LSI-së.

    Reagimi i saj vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arrest ndaj ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Ndërsa GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për dy administratorët e kompanive të përfshira në inceneratorin e Elbasanit, Klodian Zoto dhe Silva Gugallia.

    “Po Alqi po vrapon?”, është pyetja e ish deputetes, e cila lidhet me reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim pas veprimet të SPAK.

    “Veprimet e SPAK, sidomos këtë javë, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Mund të vraponi por nuk mund t’i fshiheni më ligjit. Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete”, shkruajti ambasadorja Yuri Kim në Twitter.

    Emri:  silva-caka.jpg

Shikime: 897

Madhësia:  100.5 KB




    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    Zbardhet skema/ Si i përfitoi Lefter Koka 3,6 milionë euro nga dy kompanitë e inceneratorëve! Ja pronat që u vendosën në sekuestro

    SPAK ka zbardhur skemën se si ish-ministri Lefter Koka është paguar nga dy kompanitë koncensionare të Inceneratorëve, të drejtura nga Klodian Zoto dhe nga Stela Gungallia.

    Sipas SPAK ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka përfituar rreth 3, 685, 000 euro nga kompanitë “Albtek Energy me administatore dhe ortake të vetme Stela Gugallia dhe “Integrated Technology Services”, e drejtuar nga Klodian Zoto.

    Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion bën të ditur se paratë ndaj ish-ministrit janë dhënë tërhorazi nga kompani të të afërmëve të tij dhe janë maskuar sikur këto të fundit kanë ofruar shërbime.

    “Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

    Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).

    Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

    Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

    Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

    Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G. dhe K.Z. kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal”, thekson SPAK.

    Po ashtu SPAK bën të ditur se ka vënë në sekuestro disa prona të Leftër Kokës.

    “ Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

    Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

    Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.

    Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 14.12.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit L.K., si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të tre personave juridikë për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.”, thekson SPAK.

    Panorama

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    Afera e inceneratorëve/ Basha paralajmëron: Duhen gjetur ata që janë në kërkim përpara se t’i vrasë dikush, në veçanti Stela Gugallja, se ata të tjerët janë ustallarë

    TIRANË
    Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se dy personat e shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja duhen gjetur përpara se t’i vrasë dikush duke theksuar se në krye të skemës është kryeministri Edi Rama. Ai tha se PD është në ballë të betejës me denoncimet, me kallëzimet, me kërkesën për vettingun e politikanëve, dhe do të vazhdojë të jetë në ballë të betejës derisa drejtësia t’i shkojë deri në fund.

    “Komisioni hetimor do vazhdojë punën, jo për të hetuar, por për të ndihmuar. Komisioni parlamentar ka kërkuar transparencë, ata që pengojnë transparencën duhet të merren forcërisht dhe të çohen para komisionit”, tha Basha.

    I pyetur nëse PD ka të tjera dosje dhe denoncime për afera korruptive, Basha pohoi, por deklaroi se sot thelbi është mafia e inceneratorëve dhe se nuk do të devijojë nga kjo çështje.

    “Përgjigjja është po, por nuk kam ndërmend t’i jap kënaqësinë askujt të devijojë nga thelbi, thelbi sot është mafia e inceneratorëve, që beteja jonë është e drejtë, që duhet vazhduar me arrestime të tjera. Që duhet vënë në ndjekje penale kryeministri, sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë etj. Duhen gjetur këta që janë në kërkim përpara se t’i vrasë dikush, në veçanti kjo Stela, se ata të tjerët janë ustallarë. Të gjenden llogaritë jashtë shtetit, pagesat.

    Pa diskutim që ka afera të tjera, do vazhdojmë t’i diskutojmë dhe aferat e tjera, por sot do bëj gjithë përpjekjet e mia që t’ju jap fuqi ju si gazetarë dhe mediave tuaja që të mos i ikin as sot, as nesër, as pasnesër këtij skandali, kësaj mega afere që do të kishte çuar 4-5 drejtues të qeverisë në pranga”, tha kreu i PD.

    Duke u kthyer tek korrupsioni në kohën e qeverisjes së PD, Basha garantoi se “jemi të vetëdijshëm dhe për gabimet tona dhe nuk do të bëhemi mburojë dhe nuk do ndalemi së pastruari brenda vetes këdo që ka shfrytëzuar pushtetin në kohën tonë për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit”.

    “Kam thënë fare qartë që pa diskutim ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion dhe që ne jemi të vendosur ta luftojmë atë për të ecur përpara për të ardhmen e shqiptarëve. Ta luftojmë atë brenda partisë sonë. Kemi gjëra për t’u krenuar, por edhe gjëra që na vjen turp.

    Disa prej protagonistëve të këtyre aferave i tha thithur Rama si lubi, disa i ka bërë aleatë, disa në strukturat e tij, sepse ndajnë të njëjtat vese.

    Nuk jemi të pavetëdijshëm që ka ndodhur korrupsion dhe në kohën tonë dhe që kjo plagë e madhe për shoqërinë nuk është krijuar vetëm nga Rama dhe PS, pa diskutim afera e inceneratorëve dhe afera të tjera, si në raportet ndërkombëtare tregojnë që qeveria Rama është qeveria më e korruptuar e 31 viteve tranzicion dhe më e korruptuar e Europës. Ne do bëjmë gjithçka për ta pastruar Shqipërinë nga kjo plagë, për ta luftuar armikun e mirëqenies së shqiptarëve. Po e bëjmë këtë me ata që kanë 8 vjet që qeverisin. Ka 4 vite që i ka çelësat e gjithçkaje. Kjo është detyra e parë, e dytë dhe e tretë, por ju garantoj se jemi të vetëdijshëm dhe për gabimet tona dhe nuk do të bëhemi mburojë dhe nuk do ndalemi së pastruari brenda vetes këdo që ka shfrytëzuar pushtetin në kohën tonë për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit”, deklaroi Basha.

    Balkanweb

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    Arrestimi i Lefter Kokës, reagon Rama: Çështja e ish-ministrit me SPAK, nuk është politike dhe partiake, por individuale

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, si i përfshirë në aferën e inceneratoreve

    Kreu i qeverise i ka kthyer përgjigje ndjekësve në rrjetin social ‘Facebook’, duke theksuar se çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike dhe as partiake, as kolektive, po çështje individuale.

    “Çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësin, nuk eshte as ceshtje politike, as ceshtje partiake, as ceshtje kolektive, po ceshtje individuale. Ne nuk e kemi udhehequr dhe nuk e mbeshtesim pa kushte Reformen ne Drejtesi, si pale politike po si force udheheqese politike e morale e shqiptareve pa dallim, keshtu qe per mua e per Partine Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e dites se pare ne detyre”, përgjigjet Rama.

    Sipas kryeministrit, cilidoqoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë.

    REAGIMI I RAMËS

    Syrja Islami halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngjan thote populli��

    Por qe t’i përgjigjem thelbit te komentit tënd, edhe impiantet moderne te përpunimit të mbetjeve, që i kane hapur rrugën e shpëtimit afatgjate nga ndotja e rende e plehrave zonës se Elbasanit, Tiranes e Fierit gjithashtu, edhe Reforma ne Drejtesi po se po, jane vepra te shumices sone qeverise per te cilat une jam e do te jem gjithnje krenar, keshtu qe euforia baltosese e atyre qe bejne politike me akuza e me moton shpif e shpif se dicka do mbetet, per arsye te ndalimit dje nga SPAKU te ish-ministrit te mjedisit, nuk me ben asnje përshtypje, sepse nga njera ane investimi ne Elbasan eshte aty, ne syte e te gjitheve e ne baze te kontrates tanime ai eshte prone publike e bashkise se Elbasanit qe do te sherbeje per te vazhduar mbrojtjen e zones nga ndotja, ndersa nga ana tjeter ceshtja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtesine, nuk eshte as ceshtje politike, as ceshtje partiake, as ceshtje kolektive, po ceshtje individuale. Ne nuk e kemi udhehequr dhe nuk e mbeshtesim pa kushte Reformen ne Drejtesi, si pale politike po si force udheheqese politike e morale e shqiptareve pa dallim, keshtu qe per mua e per Partine Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e dites se pare ne detyre: Cilidoqofte, pa dallim partie duhet te perballet vete me drejtesine! Dhe cilindoqofte nder ne, qe merret si i pandehur nga organet e pavarura te drejtesise, duhet te ballafaqohet me drejtesine bashke me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk eshte zyre avokatie e askujt prej nesh dhe deri ne vendimin perfundimtar gjyqesor, askush nder ne qe ka pune me drejtësinë nuk mund te jete pjese e familjes sone politike. Kaq.

    Kjo eshte Partia Socialiste. Ky jam une miku im. Te pershendes ��

    Emri:  rama-reagim.jpg

Shikime: 888

Madhësia:  85.4 KB

    ARRESTIMI

    Skuadra e Policisë Speciale e mbështetur edhe nga efektivë të Policisë së Durrësit zbarkuan paraditen e të martës në lagjen 1 të qytetit bregdetar për të vënë në pranga një nga individët më me influencë të zonës dhe jo vetëm, Lefter Kokën.
    Pa shumë bujë, disa efektivë u ngjitën në pallatin ku banon familja Koka dhe bashkë me të u larguan.

    “Pashë disa efektivë të Policisë që parkuan aty dhe pak minuta më vonë dolën bashkë me Lefterin. S’na shkoi mendja fare, pasi ishte pa pranga dhe fare i qetë si ai edhe policët që e shoqëronin. Menduam se mos kishte ndodhur ndonjë gjë nga bizneset e tij, pastaj mësuam se e kishin arrestuar. Nëpërmjet televizorit e morëm vesh. Na erdhi shumë keq pasi Teri (Lefter Koka) është një njeri me reputacion të mirë jo vetëm këtu në zonën e Vollgës, por në të gjithë Durrësin”, u shpreh një banor për “Panorama.al“.

    Panorama

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja e inceneratorëve: SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka

    Monika Kryemadhi dorëzon në SPAK materiale shtesë për aferën e inceneratorëve

    Dy ditë pas arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) materiale të tjera shtesë, të cilat sipas saj provojnë abuzimet në lidhje me aferën e inceneratorëve.

    Materialet shtesë që i dorëzohen SPAK-ut janë për inceneratorin e Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit.

    Në shkresën dorëzuar SPAK, Kryemadhi shprehet se mbetet e hapur për të bashkëpunuar që të kontribuojë për një hetim sa më objektiv të kësaj çështjeje.

    Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar më herët tre padi, të shoqëruara me dokumente për inceneratorin e Tiranës, të Elbasanit dhe Fierit.

    Emri:  lsi.jpg

Shikime: 860

Madhësia:  32.0 KB

    Koha Jone

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Haxhiu tregon sa miliona euro janë shpenzuar për liderët e UÇK-së
    Nga Akuamarini në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-01-2023, 15:09
  2. PD: Në dogana u vodhën 17 milionë euro në vitin 2015
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-01-2016, 14:16
  3. Dy banda në Shqipëri vidhnin miliona euro në banka të BE dhe SHBA
    Nga ATMAN në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-10-2012, 15:27
  4. Financuesit e PDK-së përfitojnë miliona euro tenderë publikë
    Nga fattlumi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 27-02-2011, 13:35
  5. Piratët e internetit, vjedhje miliona euro filmave shqiptarë
    Nga Cimo në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 16-09-2007, 17:04

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •