Pavarësisht paradës së të sukseseve, dekoratave, inagurimeve dhe aeroporteve që shohim përditë në TV-të e propagandës, Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkanin perendimor. Ky është konkluzioni që del nga leximi i një raporti të FMN, i cili bazohet mbi të dhënat e Bankës Botërore ku të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.
Sipas kësaj renditjeje sot 30.8% të Shqiptarëve konsiderohen të varfër ndërkohë që vendi më pranë nesh është Kosova ku vetëm 20.9% konsiderohen të tillë. Më poshtë janë Serbia dhe mali i Zi në kufijtë e 17% ndërsa Maqedonia e veriut me 16.%.
Po ashtu interesant është edhe analiza që revista Monitor i bën shifrave të FMN-së. Sipas saj Shqipëria ka jo vetëm nivelin e varfërisë më të lartë në rajon, por qeveria e saj bën më pak se kushdo për mbrojtjen sociale të kësaj shtrese.
Në raport theksohet se pas pandemisë, qeveria u përpoq të zgjeronte programet e mbrojtjes sociale me rreth 1 për qind të PBB-së në 2020-2021. Por FMN vë në pah se ky zgjerim ishte ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor. Këto masa “nuk arritën dot të mbështesin gjerësisht popullatën e prekur” thuhet aty duke iu referuar fatkeqësive natyrore si tërmeti dhe më pas pandemia përgjatë të cilava qeveria nuk iu gjen dot në krah shtresave të margjinalizuara.
Sipas statistikave të Eurostat në vitin 2019, pra në kohën kur Rama ishte në mesin e mandatit të dytë 51.8% e shqiptarëve ishte në rrezik varfërie, ose përjashtimi social. Sipas dhënave të publikuara nga instituti europian i statistikave Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë për pasigurinë ekonomike të qytetarëve të saj.
Në këtë klasifikim që merr për bazë shkallën e punësimit, nivelin e arsimimit në familje për prindrit dhe fëmijët, llojin dhe përbërjen e familjes Shqipëria renditet me diferencë të madhe nga vendi që vjen menjëherë pas nesh, Mali i Zi (36.6).
Kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 ai afishoi një kredo. Uljen e pabarazisë nëpërmjet taksimit progresiv si një masë ndaj një padrejtësie ku 5% e shqiptarëve kishin të ardhura sa pjesa tjetër e 95%ve prej tyre. Por mënyra e shtrembër e taksimit, lehtësitë për më të pasurit dhe ligje si ato që i përgjysmonin atyre taksën për dividentin, bënë që në Shqipëri, edhe pse me taksë gjoja progresive pabarazitë të thelloheshin.
Me ardhjen e tij në pushtet, sipas Indeksit GINI, treguesit më serioz të matjes së pabarazisë në botë, dëshmohet se ajo u rrit. Vënia në funksionim e taksimit gjoja progresiv gjatë viteve 2014- 2018 tregon se pjesa e të ardhurave e përfituar nga 10%-shi më i varfër i popullsisë ra nga 3.7% në vitin 2012, në 2.9% në vitin 2014, në 3% gjatë viteve 2015- 2017. I njëjti tregues provon se 10%-shi më i pasur i popullsisë e rriti kontrollin e tij mbi të ardhurat që prodhon ekonomia nga 22.9% në vitin 2012 (niveli më i ulët që nga 1996) në 25.5% në vitin 2014, dhe 25% për vitet 2015- 2017.
Lapsi
Krijoni Kontakt