-
i/e regjistruar
Intervenimet “ Kirurgjike” Mbi Artin
Ese
INTERVENIMET “ KIRURGJIKE” MBI ARTIN
MUSTAFA FERIZI
Kur në dekadat e para të shekullit tashmë të ikur, artisti francez Tristan Cara tha se arti duhet të bëhët operacion, pra duket t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, askush nuk e mori me seriozitet. Mirëpo, ajo ndodhi, dhe arti, vepra artistike, përkatësisht objekti estetik, nuk u bë operacion një herë po shumë herë.
Çdo gjë filloi me gjeomtrizimin e objektit estetik
Thuhet se arti modern në kuptimin e mirëfilltë të fjalës e ka gjenezën në shprehjen impresioniste, ku nga mimetika, përkatësisht imitimi, kalohet në kreacione, respektivisht, nga narracionet, në imazhet poetike e impresive.
Sizifi i pikturës impresioniste, siç quhet Pol Sezani, krejtësisht i izoluar në provincën D’Estak të Francës Jugore, pikturonte peizazhe, zhanër skena, e herë pas herë edhe natyra të qeta. Ndërkohë që impresionistët ishin katandisur për problemet e dritës në natyrë, Sezani mendon se si të sintetizojë , si të sublimojë natyrën dhe elementet e saj organike. Kështu, objektin estetik, konkretisht natyrën e qetë, mollën, dardhën, vazon i projekton si forma gjeometrike, trajtash të topthit, konit, cilindrit, etj. Pra, përderisa impresionistet pikturojnë piktura që shquhen me forma të bukura, fluide, të buta, lirike e të brishta, Sezani sjellë piktura që kanë konstrukt dhe skelet të fortë gjeometrik.
Gjeometrizmin si parim estetik, siç dihet e aplikuan filozofët e antikës së hershme, Platoni e Aristoteli e me te edhe Ksenokrati e kjo duke trajtuar idealin e së bukurës. Mirëpo, në rastin konkret nuk është fjala për të bukurën, por për artin, veprën artistike, përkatësisht për objektin estetik, për strukturën e jashtme dhe të brendshme të tij. Sidoqoftë, duke e thjeshtësuar artin në forma gjeometrike, Sezani, filloi me procesin e intervenimit kirurgjik mbi artin e pikturës, që do të vazhdojë përgjatë tërë shekullit të XX, e tehu.
Fovizmi- arti i kulluqeve të rehatshme.
Pason pastaj fovizmi, që madje edhe sipas emërtimit (shtazë e egër) sugjeron se është fjala për një shprehje të lirë, apo të tillë që synon të lirohet nga rregullat dhe konvecat estetike të standardizuara, nga shija e skematizuar e kohës. Fovistët aplikojnë ngjyrën në akordet e saj më intensive, më të çiltra, më të hareshme, për të arritur një pikturë maksimalisht të rehatshme, komode. Dhe në këtë drejtim venë aq larg, sa as që hetojnë se pikturat e tyre ndonjëherë shndërrohen në imazhe ornamentale. Pikërisht në fillim të shekullit tashmë të ikur, ornamentet pikturale të fovistëve sikur behën modë dhe shije e eshtabilishtmentit estetik evropian, që synon të futet madje edhe në artin e arkitekturës. Këtij synimi i kundërvihet fuqishëm arkitekti austriak Adolf Los, ai i cili siç mësuam nga Ernest Ferizi, kishte projektuar projektin për vilën e aktorit të famshëm shqiptar, Aleksandër Moisiu, që kurrë nuk u ndërtua. (shih shkrimin “Vila e Aleksandër Miosiut” të botuar në “Koha ditore”, l9.lo.2000)
Ngjyra (e kuqja, e verdha, e blerta, e katërta, etj) e nxjerrë drejtpërdrejt nga tubeti, në pikturën foviste, ka për qellim të krijojë disponimi utilitar. Disponim të tillë shpreh edhe piktura “Odaliska”e Anri Matisit, i cili siç dihet, është përfaqësuesi më autoritativ i fovizmit. Kjo Piktura e tij, njëmend është “kolltuk për pushim” prehje, apo “këngë e haresë” (“The song of joy” ) siç e cilësoi piktori Pol Kle.
Ekspresionizmi- zëdhënës antonimesh imanente
Pason ekspresionizmi, ku forma artistike, thyhet, ndrydhet dhe deformohet në varshmëri me thyerjet, ndrydhjet dhe katandisjet e brendshme, imanente të subjektit estetik që merret në shqyrtim kreativ. Në të vërtetë, ekspresionizmit i paraprinë Van Gogu, i cili të thuash pa prek fare në shprehjen impresioniste, futet në ekspresionizëm. “U mundova të paraqes pasionet më të forta të njeriut përmes ngjyrës së kuqe dhe të blertës”- thoshte ai, duke mos pandehur se fliste për një shprehje e cila pos në Evropë do të gjejë ithtarë dhe përfillës të shumtë edhe në Amerikë. Van Gogu krijoi peizazh ekspresionist, kurse Gogeni, aktualizoi peizazhin sintetik. Si njeri ashtu edhe tjetri i takonin frymës impresioniste, megjithatë bën thyerje të formës duke e projektuar me shqetësime ekspresioniste. Ekspresionizmi është shprehje figurative, forma artistike e së cilës behët zëdhënëse e brendisë së objektit estetik, në rastin më të shpeshtë, të njeriut. Të përkujtojmë pikturat e Eduard Munkut, (Klithja) Xheims Ensorit, Oskar Kokoshkës, Haim Sutinit, etj, por edhe portretet dhe figurat e ekspresionistit tonë të ndier Muslim Mulliqi, apo ato të Tahir Emrës e Nebih Muriqit- fundekrye shqetësuese dhe të shqetësuara.
Nëse themi se fovistët ruajtën tërësinë dhe bukurinë shqisore të objektit estetik, ekspresionistet atë e deformuan, por megjithatë, nuk e copëtuan, nuk e dezintegruan, siç do të bëjnë pas tyre, kubistët.
Kubizmi- dezintegrimin i formës
Së këndejmi, atë që filloi Sezani, e vazhduan kubistët, konkretisht Pikaso dhe Braku. Duke bërë fjalë për kubizmin analitik të Pikasos, poeti dhe esteti i shquar Giom Apolonier shkruan: “Pikaso e studion objektin (estetik-M.F) njësoj si kirurgu që studion kufomën” (Guilliaumr Apollinaire :”Les peittres cubistes”, faqe 5-l8) d.m.th. e analizon, e zbërthen, pra e operon. Formën artistike, përkatësisht objektin estetik, kubistët e imtësuan, apo më mirë të themi, e coptuan në përbërësit e tij më të thjeshtë, e “inçizuan”nga të gjitha anët, nga të gjitha dimensionet. Në këtë mënyrë ata krijuan një formë tjetër, te re, të cilën e akcepton fryma, përkatësisht shpirti estetik. Është e njohur ajo thënia e Brakut: “Mendja e shkatërron formën ndërsa fryma e formëson”. Ky moment është karakteristik pra edhe për faktin se në universin e artit depërton edhe filozofia, konkretisht ajo e
Hegelit, sipas të cilit struktura reale e objektit estetik nuk gjendet në strukturën shqisore-materiale, por në horizontin imanent, në frymën dha habitusin e brendshëm.
Futurizmi, arti abstrakt, antiarti
Vjen pastaj futurizmi e me te, mbi artin e pikturës, bëhet edhe një intervenim kirurgjik, nga se objektin estetik, nuk paraqet si është, por si do të duhej të dukej - në lëvizje e në ritme vibruese. Edhe kjo shprehje mbështet në thyerjet gjeometrike por edhe në lëvizjet simultane të formës dhe figurës.
Nga shembujt e sipërcekur pamë se objekti, përkatësisht subjekti estetik i paraqitur si formë apo si përmbajtje, i nënshtrohet operimeve të pareshtura: gjeometrizohet, sintetizohet, deformohet, imtësohet, dezintegrohet, etj, por prapë disi e ruan tërësinë tematike konkrete, e ruan për më tepër integritetin formal e strukturor. Arti abstrakt sakaq, elementin tematik konkret, apo temën si të tillë e mënjanon fare nga piktura. Kështu, piktura e Kandinskit s’ka as objekt as subjekt estetik, ose ka edhe njërin edhe tjetrin por të shkrirë të inkarnuar në përmbajtjen shpirtërore, në brendi. Kandinski, madje është edhe më ekstrem më “idealist” se vetë Hegeli, nga se jo vetëm se nuk e pranon domosdoshmërinë shqisore për njohjen e brendisë së objektit estetik, por as domosdoshmërinë refleksive e inteligjibile pa të cilat arti, pra edhe piktura, nuk mund të njihet as të krijohet. Sipas tij, piktura nuk bën ti referohet mendjes e intelektit, por vetëm ndjenjës estetike, përkatësisht shpirtit të brendshëm estetik, apo “domosdoshmërisë shpirtërore” Abstraksioni është shembulli më eklantat i estetizmit që është parë ndonjëherë në artin pamor.
Dhe kështu, sa herë që në skenën artistike u paraqit ndonjë një vizion i ri shprehimor-estetik, ndonjë frymë artistike risimtare, arti gjithmonë iu nënshtrua intervenimeve kirurgjike, por i përballoi deri atëherë kur në galerinë e arteve u fut “Urinori” i dadistit francez Marsel Dyshan, pra kur filloi epoka e antiartit.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt