Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,026
    Postimet në Bllog
    22

    Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për shembjen e Teatrit Kombëtar

    Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin special dhe vendimin të qeverisë, që i hapën rrugën shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe në cenim të parimit të shtetit të së drejtës.

    Emri:  Shembja-e-teatrit-Kombetar-Nensi-Bogdani-768x512.jpg

Shikime: 516

Madhësia:  56.1 KB

    Gjykata Kushtetuese rrëzoi të premten si antikushtetuese një seri vendimesh të qeverisë shqiptare, të cilat i hapën rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar në maj të vitit të shkuar.

    Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Presidentit të Republikës, duke shfuqizuar si antikushtetues ligjin special nr. 37/2018 si dhe vendimin e 8 majit 2020 të qeverisë, që e kaloi Teatrin në pronësinë e Bashkisë së Tiranës.

    Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur dakordësi dhe nuk ka arritur shumicën prej 5 votash ndaj kërkesës për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për shembjen e godinës së teatrit sa i përket juridiksionit. Për pasojë, kërkesa për shfuqizimin e VKB është rrëzuar.

    Në përfundim, Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe pezullimin e zbatimit të ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar –duke i dhënë një fitore morale protestuesve për çështjen e teatrit.

    Gjykata Kushtetuese vlerëson se Ligji nr.37/2018, i cili përcaktonte një procedurë të veçantë negocimi për lidhjen e kontratës për projektin urban dhe godinën e re të teatrit, cënon lirinë e veprimtarisë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të decentralizimit dhe të autonomisë vendore. Gjykata Kushtetuese shton gjithashtu se edhe vendimi i qeverisë cenon parimin e shtetit të së drejtës.

    Tetatri Kombëtar u shëmb në orët e para të mëngjesit të 17 maj 2020, duke shënuar fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës nga njëra anë dhe aktivistëve nga ana tjetër, të cilët e denoncuan atë njëkohësisht si një shembull tipik i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe memories historike të vendit.

    Kundër shembjes së Teatrit Kombëtar reagoi edhe Bashkimi Europian, përmes Komisioneres Mariya Gabriel, e cila mbulon mes të tjerash çështjet e kulturës.

    Kryeministri Edi Rama mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar atëherë se shembja u krye për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa shau mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin.

    Në maj të vitit 2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi se kishte nisur hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, AMT ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku, por sipas SPAK, nuk kishte person nën hetim dhe ende nuk është njoftuar ndonjë konkluzion lidhur me këtë padi.

    Edmond Hoxhaj
    BIRN
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 03-07-2021 më 23:34

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,026
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë për shembjen e Teatrit Kombëtar

    Vendimi i GJK për Teatrin, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depoziton ankesë në SPAK

    Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, njofton se nësër në orën 11:00 do të depozitojë në SPAK vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe formalizimin e kërkesave legjitime nga ky vendim.

    Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë thënë më herët se do të padisin në SPAK kryeministrin Edi Rama, kreun e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë, të akuzuar për prishjen e Teatrit.

    Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjitha veprimet e qeverisë dhe bashkisë së Tiranës në shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas gjykatës, të gjitha vendimet e marra janë anti kushtetues.

    Gjykata është shprehur se Bashkia nuk mund të jetë pronare e truallit të tokës së Teatrit Kombëtar dhe në këtë mënyrë, nuk mund të bëjë asnjë veprim.

    Interpretimi në mënyrë të thjeshtë i vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese:

    Presidenti Republikës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar triumfojnë në çështjen e Teatrit Kombëtar.

    Gjykata Kushtetuese pranoi të dy kërkesat e Presidentit të Republikës të bëra në 24 korrik 2019 dhe 14 maj 2020.

    Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin special nr.37/2018 ‘Për ndërtimin e Teatrit te Ri, me Kulla, sipas projektit Fusha’.

    Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 8 maj 2020 që i kaloi në pronësi Bashkisë Tiranë, Teatrin Kombëtar me qëllim prishjen e tij dhe ndërtimin e Teatrit të Ri.

    Bashkia Tiranë sot nuk është më pronare e truallit të Teatrit Kombëtar.

    Shembja e Teatrit Kombëtar, tashmë faktohet se ishte një krim i rëndë kushtetues dhe ligjor.

    Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Këshilli Bashkiak nuk respektoi kërkesat e Kontrollit të Larte të Shtetit, të datës 14 maj 2020 që i kërkonte PEZULLIMIN e çdo veprimi dhe vendimi mbi Teatrin Kombëtar derisa sa të përfundoje shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të dy kërkesat e ngritura nga Presidenti për Ligjin Special dhe VKM.

    Kryeministri sot u faktua se e prishi Teatrin Kombëtar në kundërshtim me Kushtetutën.

    Sot u faktua se Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë shkelen Kushtetutën dhe Ligjin në bashkëpunim për të fshirë nga memorja kolektive identitetin tonë kulturor kombëtar.

    Sot SPAK duhet të veprojë.

    Sot Kryeministri, kreu i Bashkisë dhe ministri i Kulturës duhet të merren te pandehur. Ata prishën Teatrin në kundërshtim me Kushtetutën.

    Krimi tashmë është faktuar.

    SPAK dhe KLSH duhet të veprojnë. Asnjë veprim mbi truallin e Teatrit derisa të përfundojë çështja penale dhe te zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

    Asnjë veprim nuk legjitimohet më.

    Bashkia Tirane nuk mund të ndërtojë aty asgjë, pasi pronësia e saj u shpall antikushtetuese.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:

    - Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’’ (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

    - Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë’(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

    - Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, ‘Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit ‘Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar’ (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.

    - Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

    Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

    - Ligji nr. 37/2018 cenon:

    Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;

    Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;

    Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.

    - VKM-ja nr. 377/2020 cenon:

    Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

    Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

    Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

    VENDOSI:

    1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

    2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

    3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

    4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, ‘Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar’, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit ‘Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

    5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

    Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar.

    Syri

Tema të Ngjashme

  1. Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon marrëveshjen me Serbinë
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 28-12-2015, 21:30
  2. Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PS për ndarjen e mandateve
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 09-03-2013, 01:09
  3. Dekretet, Gjykata Kushtetuese rrëzon Presidentin Topi
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 13-04-2012, 14:04
  4. Parlamenti i ri tek Piramida - Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PS
    Nga Edvin83 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 395
    Postimi i Fundit: 29-03-2012, 17:30
  5. Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimin e kombësisë
    Nga baaroar në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 17-09-2011, 10:43

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •