Shefi i policisë rreh dhe i thyen krahun një gruaje të opozitës, reagojnë Presidenti, shoqeria civile dhe Brukseli (VIDEO)
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur 1 ditë para zgjedhjeve. Elsa Bita, tha se është dhunuar nga shefi i Policisë në Divjakë, Altin Shehu.
Sipas denoncimit, shefi i policisë i ka thyer krahun të resë, e cila ndodhet në spital. Ajo thotë se u dhunua pasi filmoi edhe administratën dhe njerëzit e PS që ishin këtë të shtunë duke marrë pjesë në disa takime elektorale. gjë që nuk lejohet sipas Kodit Zgjedhor.
“Isha duke filmuar brenda një lokali, nuk e di kush i njoftoi, ishin 4 vetë. Shefi i komisariatit vetë më qëlloi më tha pse filmon. E mori telefonin, më kapi dhe masakroi. Vetëm ai ishte, të tjerëve iu thoshte shoqërojeni në komisariat. Të tjerët nuk po i bindeshin dhe më kapi vetë. Quhet Altin, mbiemrin s’ja di. Ka një muaj më duket që ka ardhur këtu”,-tha Elsa Bita.
Pas kësaj ngjarje të dhunshme kur rrihet një grua nga shefi i policisë kanë reaguar Presidenti Meta, shoqeria civile dhe shoqata për mbrojtjen e grave me qendër në Bruksel.
Ministria e Brendshme ka reaguar pas pretendimit të banores nga Divjaka Elsa Bita, e cila thotë se drejtori i Policisë së këtij qyteti e ka dhunuar.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjete sociale, Ministria e Brendshme sqaron se nën drejtimin e Prokurorisë dhe SHÇBA po kryhen veprimet hetimore për të gjithë rrethanat.
Gjithashtu sipas tyre, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Raportohet se në fund të hetimit, do të bëhen publike të gjitha masat që do të merren.
“ Njoftim – Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se:
Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat.
Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike”, thuhet në njoftim.
Koha Jonë
Krijoni Kontakt