Emri:  -640-0-6082f8bda0f08.jpg

Shikime: 158

Madhësia:  22.1 KB

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dy ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në një video mesazh u është drejtuar qytetarëve që të mbështesin me votë tre kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosjes në Shqipëri.

Albin Kurti thotë se si kryeministër i Kosovës, do të respektoj maksimalisht dhe do të bashkëpunoj me cilëndo qeveri që populli i Shqipërisë do ta zgjedhë në zgjedhjet e 25 prillit. Kandiatët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri janë Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

Mesazhi i plotë i Albin Kurtit

Për Boikenin, Iliazin e Kreshnikun:

Të dashur Boiken, Iliaz e Kreshnik

Të dashur aktivistë të Lëvizjes që jeni mbledhur sot në Tiranë

Të dashura zonja e zotërinj që po na ndiqni nga rrjetet sociale

Do të kisha dashur të isha më shpesh i pranishëm në këtë fushatë, për të ndihmuar bashkëpunëtorët e miqtë e mi, Boikenin, Iliazin e Kreshnikun, por gjendja e vështirë në të cilën e gjetëm shëndetësinë publike në Kosovë na ka imponuar që, nga njëra anë, të kemi një agjendë intensive punësh, e nga ana tjetër, të marrim masa për të mbrojtur jetët e qytetarëve. Uroj që të gjithë ju të jeni mirë me shëndet, e ta kapërcejmë sa më shpejt këtë pandemi që po sfidon gjithë botën.

Por, me zemër unë kam qenë pranë fushatës suaj e pranë jush, ju kam mbështetur dje e sot, dhe sigurisht do t’ju mbështes dhe nesër. Ne na bën bashkë një ide e një projekt i cili as nuk nis e as nuk përfundon me ne. Është ideja kombëtare, e cila do të vazhdojë të bëjë bashkë shqiptarët e ndershëm e idealistë edhe kur ne të mos jemi më.

Ju, Vetëvendosja në Shqipëri, edhe pse në këto zgjedhje keni dalë me tre kandidatë, keni bërë një fushatë shembullore, për disa arsye të cilat unë dëshiroj t’i përmend këtu.

Së pari, keni bërë një fushatë të kulturuar, pa nxitur sharje e urrejtje për anëtarët e partive të tjera, pa kërkuar armiqësi të stisur apo spektaklin e brutalitetit verbal. Keni bërë mirë që nuk keni rënë në grackën e ofendimeve. Të gjitha partitë e tjera, edhe kur janë të vjetra, edhe kur nuk e dinë më se cili është misioni i tyre në shoqërinë tonë, edhe kur dëshirojnë të kontribuojnë me ide, program e moral në politikë, megjithatë janë pjesë e kombit tonë. Debati me to duhet të jetë argumentativ, i bazuar në kritikë objektive, e jo në sulme të ulëta. Kombi ynë, njerëzit tanë, e presin këtë standard prej nesh. Dhe ju në Shqipëri, e keni arritur këtë.

Të gjitha partitë e vjetra kanë brenda vetes shumë qytetarë, punëtorë, intelektualë, krijues, sipërmarrës të ndershëm. Ata jo vetëm që nuk janë armiqtë tanë, por janë bashkëpunëtorët tanë potencialë për zhvillimin që duam t’i sjellim vendit. Me sjelljen tonë korrekte do t’i ftojmë ata në radhët e Lëvizjes, e cila do të rritet në Shqipëri ashtu siç u rrit edhe në Kosovë. Një pjesë e madhe prej tyre, në të ardhmen, do të vijnë te ne, sepse do të gjejnë një organizim demokratik, të ndërtuar mbi parime e vlera, e jo një çerdhe thashethemesh, goditjesh të ulëta, bërrylash e ambiciesh të sëmura.

ORA NEWS