Letra e Tetë
Zemra dhe Aspekti i Ndjesisë
Aspekti i ndjesisë - zemra.
Rëndësia e thellë e zemrës në jetën e njeriut.
Ndikimi i pasioneve mbi zemrën.
Aspekti i Ndjesisë: Zemra. Kush është ai njeri që nuk e di rëndësine e madhe që ka zemra në jetën tonë? Çdo gjë që hyn në shpirt nga jashtë, dhe që i jepet formë nga aspekti aktiv dhe intelektual, bie brenda në zemër; çdo gjë që shpirti vrojton nga jashtë gjithashtu kalon nga zemra. Prandaj zemrën e quajmë qendrën e jetës.
Detyra e zemrës është që të ndjejë gjithçka që ka lidhje me personin tonë. Pa pushim dhe në mënyrë të vazhdueshme ndjeson gjendjen e shpirtit dhe trupit, dhe së bashku me to edhe përshtypjet e ndryshme të lëna nga veprimet individuale të shpirtit dhe trupit, nga objektet përreth që has, nga rrethanat e jashtme, dhe përgjithësisht nga drejtimi që merr jeta, prej nga zemra e nxit dhe detyron njeriun ta furnizojë me gjithçka që është e këndshme për të, dhe t'iu qëndrojë larg gjërave të pakëndshme për të. Shëndeti dhe sëmundja e trupit, vitaliteti dhe lëngata, lodhja dhe fuqia, gjallëria dhe letargjia, së bashku me ato që janë parë, dëgjuar, ndjerë, nuhatur, shijuar, dhe atyre që kemi sjellë ndërmend dhe imagjinuar, ato që kemi bërë, dhe ato që jemi duke bërë apo kemi në plan të bëjmë, ato që kemi marrë apo jemi duke marrë, ato gjëra që na leverdisin apo nuk na leverdisin, ato gjëra që kanë lidhje me një person apo me një konvergjim rrethanash - të gjitha këto reflektohen në zemër dhe ndikojnë mbi të për mirë apo për keq. Duke pasur parasysh të gjitha këto, është e pamundur për zemrën që të çlodhet qoftë edhe për një moment të vetëm; përkundrazi, është gjatë gjithë kohës në një gjendje konstante shqetësimi dhe fluksi, tamam si ai barometri para se të fillojë stuhia. Por zemra ndjen shumë gjëra që kalojnë përmes zemrës pa lënë asnjë gjurmë. Këtë mund ta verifikosh për shembull kur jemi duke vizituar një vend për herë të parë: çdo gjë në atë vend na e tërheq vëmendjen, por kur e vizitojmë për herë të dytë apo të tretë, nuk ndodh më kështu.
Çdo ndikim mbi zemrën prodhon një ndjenjë unike brenda saj, por nuk kemi fjalë në gjuhën që përdorim për të bërë dallimin mes këtyre ndjenjave. Ne i shprehim ndjenjat tona në linja të përgjithshme: e këndshme / e pakëndshme; pëlqej / nuk pëlqej; i lumtur / i mërzitur; gëzim / vajtim; pikëllim / kënaqësi; qetësi / ankth; zhgënjim / kënaqësi; frikë / besim; apati / simpati. Vrojtoje veten dhe ke për të gjetur një ndjenjë brenda zemrës dhe pastaj një tjetër.
Sidoqoftë, rëndësia e zemrës në ekonominë e jetës sonë nuk është vetëm që të jetë objekt përshtypjesh pasive, dhe të na tregojë nëse këto prodhojnë kënaqësi apo pakënaqësi në gjendjen tonë. Zemra mirëmban edhe energjinë e gjithë fuqive të shpirtit dhe trupit. Shiko se sa shpejt arrihet të realizohet diçka kur e vëmë zemrën në punë! Por kur zemra nuk është në punë, duart na varen dhe këmbët nuk na lëvizin nga vendi. Kjo është arsyeja që vetëm ata që e kanë veten nën kontroll, kur përballen me diçka që duhet bërë, edhe nëse zemra nuk e miraton këtë gjë, nxitojnë që të gjejnë një anë të këndshme të saj, dhe pasi e kanë pajtuar zemrën me të, mbajnë brenda tyre energjinë e nevojshme për ta kryer detyrën. Zelli, që është forca motivuese e vullnetit, vjen nga zemra. Eshtë e njëjta gjë edhe për punët mendore; subjekti që vjen në zemër diskutohet urgjentisht nga të gjitha drejtimet. Në këtë rast, mendimet lindin vetvetiu, dhe puna, sado kohë të gjatë që mund të na kërkojë, nuk na duket si punë.
Jo të gjithë pëlqejnë të gjitha gjërat dhe jo kushdo e ka zemrën të dedikuar njësoj në të njëjtat gjëra; përkundrazi, disave u pëlqen një gjë më shumë se të tjerat, kurse disa të tjerë pëlqejnë më shumë diçka tjetër. Kjo ndodh në këtë mënyrë: çdo person ka shijen e vetë. Kjo varet nga një anë nga prirja natyrale e gjithësecilit, dhe nga ana tjetër - a nuk është kjo edhe ana më e madhe - nga përshtypjet e para, përshtypjet e krijuara nga rritja në familje dhe ngjarjet e jetës. Por pavarësisht se si janë krijuar këto shije, këto e detyrojnë njeriun që ta drejtojë jetën e tij në një mënyrë ku e rrethon veten me objekte dhe ndërmarëdhenie të tilla që shfaqin shijen e tij, dhe me të cilat ai është në paqe, i kënaqur prej tyre. Kënaqësia e dëshirave të zemrës së tij i fal qetësi, qetësi të ëmbël, e cila përfaqëson në vetvete masën matëse për çdo kënaqësi. Asgjë nuk e shqetëson; kjo është lumturia.
Nëse një person ruan kthejlltësinë në pjesët e tij mendore, dhe tregon maturi në veprimet e tij, ka për të hasur në jetë shumë pak ngjarje të pakëndshme për zemrën e tij, dhe kështu arrin një masë më të madhe lumturie. Por, ashtu edhe siç e kemi shpjeguar më lart, pjesa mendore shumë rrallë mbahet ashtu siç duhet, duke u dhënë pas ëndërrave boshe dhe shpërqëndrimeve, ndërsa pjesa aktive devijon nga puna normale, duke u joshur nga dëshira të paqëndrueshme, që lindin jo nga nevojat e natyrës, por nga pasionet e huaja. Kjo është arsyeja përse zemra nuk gjen prehje, dhe, për aq kohë sa këto aspekte janë në këtë gjendje, asnjëherë nuk ka për të gjetur prehje. Pasionet, më shumë se çdo gjë tjetër, e tiranizojnë zemrën. Po të mos kishim fare pasione, sigurisht që zemra do të haste prapë gjëra të pakëndshme për të, por këto nuk do ta mundonin zemrën aq shumë sa e mundojnë pasionet. Si e mbyt inati zemrën! Si e copëton urrejtja zemrën! Si e bluan zilia e keqe atë! Sa shumë shqetësime dhe mundime shkaktojnë pakënaqësi apo mashtrim të pahijshëm! Sa shumë hidhërim na krijohet kur na lëndohet krenaria! Me të vërtetë, po të shqyrtonim gjërat me pak më shumë imtësi, kemi për të kuptuar se të gjitha shqetësimet dhe dhimbjet e zemrës na shkaktohen nga pasionet tona. Këto pasione të djallëzuara, kur i përmbushim, na japin gëzim, por ky gëzim është jetëshkurtër; dhe kur këto pasione të djallëzuara nuk përmbushen, por përkundrazi hasin në kundërshtimin tonë, ato na krijojnë një hidhërim të gjatë e të padurueshëm.
Në këtë mënyrë, është e dukshme që zemra jonë është me të vërtetë rrënja dhe qendra e jetës sonë. Duke u informuar mbi gjendjen e mirë apo të keqe të një personi, zemra vë në lëvizje forca të tjera, dhe pret brenda vetes veprimet e kryera nga këto forca, që sjellin intensifikimin ose dobësimin e ndjenjës nëpërmjet së cilës përcaktohet gjendja e personit. Na duket sikur zemrës i duhet dhënë pushtet i plotë mbi drejtimin e jetës sonë, siç ndodh me të vërtetë me shumë njerëz; për shumë njerëz zemra ka kontroll të plotë, kurse për të tjerët ka kontroll vetëm mbi disa gjëra. Kështu na duket se - dhe mbase ky ishte funksioni natyral origjinal - pasionet na lindën dhe trazuan gjithçka. Në praninë e pasioneve, edhe gjendja jonë nuk tregohet siç duhet nga zemra, as përshtypjet nuk janë ato që duhet të jenë, dhe shijet na prishen, dhe shqetësimet e forcave të tjera shkojnë në drejtimin e gabuar. Kjo është arsyeja pse ne kemi atë rregullin e frenimit të zemrës sonë dhe ti nënshtrojmë të gjitha ndjenjat, dëshirat dhe prirjet tona ndaj një kritikimi strikt. Në diskush pastrohet nga pasionet, le t'ia japi vullnetin e tij zemrës; por për aq kohë sa pasionet janë në fuqi, ti japësh vullnetin zemrës do të thotë të dënosh me siguri vetveten për të provuar çdo lloj pasigurie. Më keq nga të gjithë është sjellja e atyre personave qëllimi i të cilëve në jetë është ti japin kënaqësi të ëmbla zemrës dhe aspirojnë, ashtu siç thonë edhe vetë, për jetën e mirë. Duke qenë se dëshirat e ëmbla dhe kënaqësitë trupore dhe shqisore bëjnë të ndihen fort, të tillë njerëz bien gjithmonë në ndjesi vullgare, ndjesi që janë më të ulëta se veçoria që e dallojn njeriun nga krijesat e tjera të gjalla.
Ky pra është shpirti dhe jeta noetike për ty, e parë nga të gjitha aspektet e saj! Qëllimisht të tregova gjërat që janë natyrale dhe të duhura për çdo aspekt, dhe çfarë nuk është natyrale dhe e duhur. Pa të kujtuar këto gjëra ty, shikoj fare mirë brenda teje një gadishmëri për të ndjekur të parën dhe për ti qëndruar larg së dytës! Zot, jepe bekimin!
Krijoni Kontakt