Shkova dhe u ktheva nga ferri
Plaku Efrem i Arizonës
Ishte një grua që kish bërë një gabim. Sigurisht, që sot bëhen shumë nga këto gabime, por në kohën e saj ishte e rrallë që të bëhej një gabim i tillë. Dhe sigurisht që kjo grua besimtare që e njihte frikën ndaj Zotit, e konsideronte këtë gabim të saj si një mëkat shumë të madh. dhe sipas devotshmërisë dhe dëlirësisë që ajo kish, i dukej si një pengesë e madhe dhe e pakapërcyeshme. Nuk do t’iu tregoj ekzaktësisht çfarë gabimi kish bërë ajo, por ju mund ta merrni me mend.
Ajo nuk e rrëfeu këtë mëkat pasi i vinte shumë turp t’ia thosh atit të saj shpirtëror. Kjo grua kish marrë një vendim që ta merrte këtë sekret me vete në jetën tjetër, pasi mendonte në mendjen e saj: “Nuk mundem ta them dot”. Aq i madh ishte turpi i saj. Megjithatë, ajo i vari shpresat tek e Tërëshenjta Mari. E mbante ikonën e saj dhe duke qarë i lutej dhe i përgjërohej të Tërëshenjtës që t’ia falte mëkatin. E Tërëshenjta e fali, por gruaja duhej që edhe ta rrëfente mëkatin duke shkuar tek ati i saj shpirtëror, dhe të bënte atë që Kisha Orthodhokse ka vendosur si të nevojshme në misterin e pendimit (rrëfimit). Duke qenë se kjo grua qau me vite të tëra për këtë mëkat të saj, ajo besonte me guxim të madh se mëkati i ishte falur.
I erdhi vdekja, dhe e gjeti me këtë mëkat që nuk ia kish rrëfyer atit të saj shpirtëror. Dhe në momentin kur vdiq, demonët duke u kapur pas këtij mëkati... Dhe duke e ditur se ishte një mëkat i serioz, vdekjeprurës, dhe si shpërblim kish Ferrin, dhe Krishti me drejtësinë e Tij do ta gjykonte drejt, demonët besonin se për këtë grua nuk kish shpresë shpëtimi. Dhe kështu ajo vdiq, demonët ia mbërthyen shpirtin, dhe po e çonin si skifteri tek foleja e tij për t’ia hequr pëndët që ta hanin shpirtin e saj; që ta shpinin në Ferr.
Teksa demonët po e merrnin poshtë, ajo po thërriste të Tërëshenjtën me besim, që ajo ta ndihmonte, sepse kish një besim shumë të madh tek Nëna e Zotit. Dhe kur arriti poshtë në Hadh, dhe filluan ta torturonin, ajo pa të gjitha gjërat e frikshme që ekzistojnë atje poshtë... Nuk hoqi kurrë dorë nga besimi i saj tek e Tërëshenjta, dhe e thërriste emrin e saj që ta ndihmonte që të falej nga Zoti e të shpëtonte.
Dhe teksa thërriste duke qarë emrin e të Tërëshenjtës, në një çast, i gjithë rajoni ku ajo ishte u ndriçua me dritë, dhe e Tërëshenjta iu shfaq, me shumë dashuri për këtë shpirt të gjorë; që ta ndihmonte. Kur të gjithë atje panë Mbretëreshën e Qiellit, ishin shumë të shqetësuar e po thoshin: “Ç’do ti këtu? Shpirti i asj që ti erdhe të ndihmosh është i rënduar nga një mëkat shumë i rëndë, nga një mëkat vdekjeprurës, etj.. dhe nuk mund ta marrësh dot prej këtu, sepse Biri yt dhe Zoti yt ka një Ligj, dhe ligji thotë kështu e ashtu. Kjo grua është e pashpresë!”
“Në rregull”, tha ajo, “Nuk kam asnjë kundërshtim”. Dhe në fakt, demonët kujtuan se e Tërëshenjta do t’ua merrte këtë shpirt, dhe i thanë: “Zonjë, mos e merr se kemi për t’u ankuar tek Gjykatësi”. Demonët ishin të sigurt se do të hasnin në ndershmërinë e Zotit, dhe Ai nuk kish si të shkelte Vetë Ligjin e Tij; kjo nuk do të ishte e drejtë. Ata e kishin të qartë se çfarë Zoti është Ai. Dhe i thanë së Tërëshenjtës: “Mos e prek atë, ne do të shkojmë në gjyq që të marrim një gjykim”, dhe Ajo u tha: “Në rregull, nuk do ta marr, hajde të shkojmë tek Gjykatësi i Drejtë.”
Dhe kështu shkuan në gjykatë para Krishtit, dhe e Tërëshenjta tha para Zotit, “Biri im dhe Zoti im, të kërkoj që shpirti i ... E di që ka bërë mëkat, dhe ka bërë këtë dhe atë, por për vite të tëra është lutur para ikonës sime të shenjtë, me shumë besim dhe me shumë dashuri, dhe dua që Ti ta ndihmosh që të shpëtojë.”
Demonët thirrën “Zot mos e shkel drejtësinë Tuaj. Ky është Ligji Juaj dhe ju nuk mund ta shkelni, pasi je i drejtë.” Dhe me të vërtetë Ai është i drejtë pas vdekjes. Tani, sa jemi gjallë, Ai është i plotmëshirshëm karshi nesh.
Zoti foli, “Nënë, Unë e pranoj kërkesën tuaj, por Unë jam i drejtë, dhe Unë e kam nxjerrë Ligjin e Unë e praktikoj Ligjin.”
E Tërëshenjta i tha, “Biri im, bëj çfarë të mundësh që ta shpëtosh atë grua. Falë gjithë atyre lotëve që ky shpirt më ka derdhur mua, unë duhet t’i përgjigjem asaj.”
Krishti i tha: “Asgjë nuk mund të bëhet.”
Ajo i tha, “Ti ke për të gjetur një mënyrë. Ti je i gjithëditur dhe e ke mundësinë për ta shpëtuar.”
“Të vetmen gjë që mund të bëj për të o Nënë është ta dërgoj shpirtin e saj prapë poshtë në tokë, që ajo të thërrasë atin e saj shpirtëror dhe të rrëfejë mëkatin, dhe pas tre ditësh Unë do ta marr atë.”
“Ashtu bëje”, tha Ajo.
Kur demonët i dëgjuan këto fjalë, ata u stepën. Dhe thanë: “Drejtësinë e Tij e mbajti, dhe prapë e gjeti një mënyrë!”
Po.
Dhe poshtë në tokë, kishin kaluar dy tre ditë nga vdekja dhe nuk e kishin varrosur akoma gruan pasi prisnin të vinte motra e saj nga një fshat, dhe motra ishte vonuar, dhe kështu nuk e kishin varrosur akoma.
Dhe, në një çast kur po e lanin nën dritën e qirinjve, me gojën mbyllur dhe me sytë po të mbyllur, në një moment gruaja i hapi sytë. Gratë që ishin prezente u tmerruan por gruaja vetë nuk kish frikë dhe u tha: “Jam mirë”. Ju lutem merrni në telefon atin tim shpirtëror, kam nevojë për të. Pas tre ditësh do të vdes, mos u mërzitni. Kam për të jetuar vetëm për tre ditë”.
Kur gratë e dëgjuan të fliste kaq paqësisht, u qetësuan edhe vetë. Pastaj erdhi ati i saj shpirtëror, dhe ajo e rrëfeu mëkatin, ai ia fali mëkatin, i lexoi edhe lutjen e ndjesës, dhe në ditën e tretë ekzaktësisht, ajo vdiq dhe jeta e saj mori fund.
Një gjë dua që t’iu them, shikoni se si kjo grua kish vetëm një mëkat, dhe gjithë mëkatet e tjera i kish rrëfyer. Vetëm një mëkat vdekjeprurës! Dhe është njësoj si të jesh komplet i shëndetshëm e të kesh vetëm një tumor të vogël kancerogjen.
Kur një person i ri në moshë, sa është ende gjallë, ka një djall (mëkat) të vogël që hedh rrënjë brenda tyre, ka të ngjarë që janë duke ecur më këmbë dhe pengohen e godasin kokën dhe papritur përfundojnë në atë vend. Prej nga nuk e pret, mund të të godasi një motoçikletë, ashtu siç u godit edhe një i ri në Greqi këto kohët e fundit, dhe vdiq! Vdekja nuk dihet dhe është e papritur! Dhe nëse vdekjen nuk e njohim dhe ky mëkati vdekjeprurës është si kanceri, atëherë përse nuk duhet ta nxjerrim prej nesh këtë kancer? Pse të mos bëjmë një operacion dhe ta heqim atë? Duke e rrëfyer mëkatin tonë, duke marrë ndjesën e mëkatit, dhe duke u bërë gati për vdekjen.
Shënim: Përktheu nga anglishtja, Ilirjan Papa.
Krijoni Kontakt