F. A. E DIELA E VIII ORD. VITI C. UNGJILLI.
PËRGATITJA E LËITURGJISË
E DIELA E VIII ORD. VITI C.
MË 2-3-2025.
UNGJILLI: Lk. 6. 39-45.
39 U tha edhe shëmbëlltyrën:
“A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë?
40 Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet.
41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd?
42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishtën, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd”.
43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë.
44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra.
45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra”.
LECTIO DIVINA – MEDITIM – LUTJE.
Për të dielën e tretë radhazi, liturgjia na ofron një pasazh që hiqet nga fjalimi me të cilin Jezusi përuroi predikimin e tij.
Le të kujtojmë, në Ungjillin e pesëmbëdhjetë ditëve më parë, se Jezusi i shpalli lumturitë e tij, domethënë propozimin e tij për një mbretëri të re në të ciën njerëzit natyrshëm nuk janë si ata që qarkullojnë në botë në të cilën kriteret për të vlerësuar një jetë të suksesshme nuk korrespondojnë me ata të Ungjillit, nuk përputhen me ata që shpalli vetë Jezusi.
Jezusi tha: “Të lumët ju, o skamnorë,
sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!” (Lk.6,20).
Por përballë të pasurit që arriti të grumbullojë shumë të mira, njerëzit dhe madje edhe shumë të krishterë, e konsiderojnë të lum këtë të fundit.
Të paktën ne do të prisnim që të krishterët të flisnin si Jezusi, dhe do të kishin thënë: “I mjerë ai!”.
Pastaj të dielën e kaluar dëgjuam Jezusin që tregonte se ku duhet të arrijë dashuria e dishepullit. Ai tha:
“‘Duajini armiqtë tuaj,
bëjuni mirë atyre që ju urrejnë,
bekojini ata që ju mallkojnë,
lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’.
Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë!
Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!” (Lk. 6,27-31).
Vetëm Jezusi tha këtë, askush tjetër.
Vetëm ata që hyjnë në këtë dashuri, janë bij të vërtetë të Perëndisë, domethënë ngjajnë me Atin e tyre qiellor, i cili për nga natyra e tij nuk bën dallime: sepse “Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët” (Mt.5, 45), sepse ai na do të gjithë.
Natyra jonë biologjike, ajo që vjen nga toka, nuk na çon drejt kësaj dashurie, na bën të duam ata që na bëjnë mirë dhe të urrejmë ata që na bëjnë dëm; natyra e Zotit është ndryshe, është si ajo e nënës që i do fëmijët e vet: atë që është i bukur, e atë që është i shëmtuar, atë që është i shëndetshëm, e atë që është i sëmurë... ajo i do të gjithë jo sepse e meritojnë, por për shkak se të gjithë janë fëmijët e saj dhe nuk mund të bëjë asgjë tjetër. Kjo është natyra e nënës ... natyra e Zotit është ashtu, dhe për këtë ai i do të gjithë fëmijët e tij pa dallim.
Ne tundohemi disa herë të përshtatim natyrën tonë me natyrën e Perëndisë dhe “besojmë” në një Zot që arsyeton si ne, do si ne, bën drejtësi si ne.
Jezusi erdhi të na thoshte se Ati ynë qiellor na komunikoi edhe natyrën e tij, prandaj ne jemi thirrur të jemi të mëshirshëm si Ai, domethënë të duam të ligjtë dhe të mirët pa dallim.
Epo, ne me të drejtë lavdërojmë veten, duke ditur se jemi mbajtës të një propozimi sublim për jetën dhe jemi gjithashtu përgjegjës për shpalljen e këtij propozimi për një jetë të re për të gjithë.
Në këtë pikë Jezusi ndjen nevojën të na paralajmërojë për një rrezik. Cili është ky rrezik? Që të jemi të sigurt se tashmë kemi kuptuar gjithçka dhe jemi gati të jetojmë një jetë në harmoni me Ungjillin, në mënyrë që të mund të paraqitemi para të gjithëve si udhërrëfyes të sigurt, si mësues që mund të na nxisim të njohim dhe të ndjekim Krishtin. Jezusi dëshiron të na paralajmërojë këtë rrezik shumë të madh, dhe e bën me një shëmbëlltyrë.
Le ta dëgjojmë:
“A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë? Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet” (v.39-40).
Kemi dëgjuar një frazë proverbiale që e përdorim edhe ne, me një logjikë elementare: një i verbër nuk mund të udhëheqë një të verbër.
Ka një verbëri të syve, por ka edhe një verbëri të mendjes, një verbëri të zemrës.
Profetët denoncuan verbërinë e popullit të tyre Izraelit, i cili nuk ndoqi rrugët e Zotit dhe as nuk e kuptoi se ecte jashtë rrugës pikërisht sepse të gjithë ishin të verbër, dhe për shkak të kësaj verbërie të mendjes e të zemrës nuk e ndoqën Fjalën e Zotit: sytë e tyre nukk ishin të hapur për ta parë. Sauli ishte një prej tyre, ai ishte i verbër dhe ishte i bindur se ai shihte, kështu që ai persekutoi Kishën e Perëndisë: përgjatë rrugës për në Damask një dritë që vinte nga qielli, i hapi sytë e ti, ai kuptoi se ishte jashtë rrugës.
Jezusi gjithashtu u drejtua njerëzve disa herë me metaforën e verbërisë, ai e përdori atë me skribët dhe me farisenjtë. Ungjilltari Marku na kujton se një ditë Jezusi pati një diskutim shumë të nxehtë me skribët dhe farisenjtë për shkak të pastrimeve para vakteve që Jezusi i la pas dore: ai thjesht nuk u interesua për këto praktika fetare të shpikura nga rabinët dhe kishte përdorur fjalë të forta: kishte thënë ai:
“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:
‘Ky popull më nderon me buzë,
kurse zemra e tyre është larg meje.
I kotë është kulti që më bëjnë,
kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit
‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’
Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve”.
Dhe u tha:
“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! E pra, Moisiu tha: ‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’ dhe: ‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’E ju përkundrazi thoni: ‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto” (Mk.7, 6-13).
Fjalë shumë të ashpra.
Dishepujt e kuptuan se Mjeshtri kishte ndoshta ekzagjëruar dhe kur ishin në shtëpi ia bëjnë Jezusit këtë verejtje: “Por ki kujdes se si flet, ata u skandalizuan, dhe janë udhëheqësit e popullit tonë”.
Jezusi u përgjigj:
“Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë... Ata janë të verbër dhe udhërrëfyes të të verbërve, vendosen veten si mësues, si udhërrëfyes dhe kështu i çojnë të gjithë në rrugë të gabuar”.
Edhe pas shërimit të njeriut të lindur të verbër, farisenjtë vijnë te Jezusi dhe i thonë:
“Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë:
“Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”
Jezusi u përgjigj:
“Po të ishit të verbër,
s’do të kishit mëkat.
Porse ju thoni: ‘Shohim!’
prandaj mëkati juaj mbetet” (Gj.9, 40-41).
Në letrën drejtuar Romakëve Pali, i cili kishte qenë një nga këta të verbër, përshkruan një pamje mbresëlënëse të mendjemadhësisë së skribëve dhe farisenjve të kohës së tij, ai që i njeh shumë mirë sepse ishte një prej tyre.
Në kapitullin 2, 17-24 të letrës drejtuar romakëve ai thotë:
“17 Nëse, pra, ti që quhesh jude, që pushon i qetë në Ligjin e që mburresh me Hyjin, 18 ti që ia njeh Vullnetin, ti që, i mësuar me anë të Ligjit, di të dallosh çka është më e mirë, 19 ti që ia ke mbushur mendjen vetes se je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata që janë në errësirë, 20 edukator i të padijshëmve, mësues i të vegjëlve, sepse në Ligj ke rregullën e dijes së vërtetë... 21 E mirë, ti që mëson tjetrin, veten pse nuk e mëson? Ti që predikon të mos vidhet, vetë pse vjedh? 22 Ti që ndalon kurorëthyerjen, vetë pse bën kurorëthyerje? Ti që urren idhujt, pse plaçkit tempujt? 23 Ti që mburresh me Ligjin, pse, duke shkelur Ligjin, fyen Hyjin? 24 Për të vërtetë: ‘Ju jeni ‑ siç është në Shkrimin e shenjtë ‑ shkaku që Emri im të shahet ndër paganë’”.
Këta hebrenj që nga koha e Jezusit dhe Palit janë zhdukur, por Jezusi është i shqetësuar se kjo vetëkënaqësi mashtruese fariseike do të shfaqet mes dishepujve të tij... dhe mes mbarëstruesve të bashkësive të besimtarve të parë të krishterë. Rreziku ishte i mundur që ata do të konsideroheshin udhërrëfyes dhe mësues.
Në Kishën e shekujve të hershëm, të krishterët quheshin “të ndriquar” - “hoifotistentes”: atyre Krishti dhe Ungjilli u kishin hapur sytë për të parë dy realitete... së pari fytyrën e vërtetë të Perëndisë dhe më pas njeriun e vërtetë, autentik.
Por a janë dishepujt kaq të sigurt se e kanë fituar këtë dritë të re dhe që janë gati të jetojnë të udhëhequr nga kjo dritë?
Me parë ata besonin në një “Zot xhelat”, por tani e dinë se Zoti është dashuri dhe vetëm dashuri. Ai nuk dënon asnjë nga fëmijët e vet. Ai dënon atë që i lëndon... d.m.th. mëkatin. Dhe madje Zoti e ndalon dënimin e vetvetes, nuk do që të dënojmë veten, por do që, gjithmonë, të ndjehemi dashuruar nga Ai. Kjo është drita e re që kanë fituar me pagëzimin, sepse me këtë sacrament Ungjilli dhe Jezusi u kanë hapur atyre sytë.
Dhe madje edhe imazhi i një njeriu të mbyllur në realitetet e kësaj bote tokësore të konsideruar absolutisht të vërteta, u zhduk. Tani ata e dinë se cili është fati i tyre: ata që kanë marrë dritën e Krishtit dhe Ungjillit shohin shumë larg, janë të lumtur; edhe se gjithmonë mbetet rreziku, për të cilin kemi folur më parë, d.m.th. se këta të ndriquar të bëhen, më pas, udhërrëfyesit tamam si skribët dhe farisenjtë e kohës së Jezusit.
Dishepujt janë gjithmonë dhe vetëm dishepuj që ecin krah për krah me vëllezërit e tyre dhe ndihmojnë njëri-tjetrin që të mbajnë gjithmonë syrin të fiksuar në të vetmin udhërrëfyes që është Krishti me ungjillin e tij.
Le të përpiqemi të pyesim veten, për shembull, pse, kur i propozojmë dikujt zgjedhjen tonë të besimit, shumë e refuzojnë atë duke thënë: “Por priftërinj, por të krishterë...”
Ndoshta ne priftërinj, ne të krishterë e kemi krijuar keqkuptimin duke u paraqitur si mësues dhe modele të jetës ungjillore? Ne nuk jemi mjeshtër dhe modele! Në fakt, këta njerëz që do të donin të dëgjonin propozimin për një jetë të re, në fillim kishin besuar se duhet të bëheshin si ne. Por më pas duke vërejtur se kemi shumë të meta, shumë mospërputhje, shumë mjerime, largohen, sepse nuk dihen më mire, duke thënë: “Nuk jeni më mirë se ne!”. Dhe për fat të keq, ndonjëherë kjo është e vërtetë.
Ne duhet t'i ftojmë ata të përballen jo me ne, por me Jezusin: Ai është modeli i njeriut, Ai është i vetmi Mjeshtër.
Atyre që kërkojnë t'i japin kuptim të lartë jetës së tyre, ne mund t'u themi: “Hajde, le të sodisim së bashku modelin e vetëm të përsosur të njeriut që është Jezusi, le ta dëgjojmë së bashku Atë, të vetmen Mësues”.
Ne nuk mund të jemi mësues dhe udhërrëfyes sepse nuk jemi të përsosur. Brishtësia jonë duhet të merret parasysh, thotë Pali në letrën e dytë drejtuar Korintasve, 4,7-11:
“Por ne e mbajmë këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh. 8 Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar, 9 të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej‑këndej po, por jo të rrëzuar, 10 gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. 11 Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm”.
Ne mbajmë një thesar të madh që është Krishti, Ungjilli, në enë balte... Jemi të brishtë, të papastër, të papërsosur: kemi nevojë për ndihmën e Zotit. Edhe nëse Krishti e ka shëruar tashmë verbërinë tonë, ne nuk mund të konsiderojmë veten të shëruar përfundimisht: shpesh rishfaqen njolla që na pengojnë t'i shohim gjërat ashtu siç i shohin Krishti dhe Ungjilli i tij dhe Jezusi na fton të ndërgjegjësohemi për këtë brishtësi tonën.
Le të dëgjojmë:
“41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd? Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishtën, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd” (v. 41-42).
Sa herë shfaqet shprehja “vëllau yt” në disa vargje! Për çfarë arsye? Sepse Jezusi këtu nuk po u flet të gjithëve. Nuk u drejtohet paganëve. Ai u drejtohet dishepujve, pjesëtarëve të bashkësive të krishtera: ata quheshin njëri-tjetri vëllezër.
“Vëllau” ishte titulli më i zakonshëm me të cilin të krishterët e hershëm identifikoheshin me njëri-tjetrin.
Luka këtu po na përball me problemet e komuniteteve të tij, të bashkësive të krishtera të shekullit të parë: problemet e tyre nuk janë të ndryshme nga ato që regjistrojmë në komunitetet e sotme.
Çfarë bënin ata?
Ata shikonin lëmishtën, njollën që është në syrin e vëllait të tyre.
Vëmë re, Jezusi nuk thotë se ka vëllezër që shqetësohen sepse njëri prej tyre po bën një gabim, humbet dhe ka absolutisht nevojen për ndihmë... ai nuk e thotë këtë: thotë “e shikojnë lëmishtën, grimcën në syrin e vëllait të tyre, domethënë i shqyrtojnë me kujdes gabimet, të metat e vëllait të tyre, jo për ta ndihmuar, por për ta kontrolluar e për ta akuzuar, ta dënoncuar.
Kjo është një sëmundje malinje që Jezusi nuk mund ta durojë. Ishte një karakteristikë e farisenjve të kohës së Jezusit: ata mbanin një sy mbi këdo që shkelte traditat dhe Jezusi ishte viktimë e këtyre vëzhguesve.
Megjithatë, ky defekt shpesh rishfaqet edhe sot në bashkësitë e krishtera dhe ndonjëherë janë pikërisht njerëzit shumë të devotshëm që e kanë këtë problem: ata kontrollojnë jetën e të tjerëve, shohin gjithçka me dyshim dhe kështu lindin thashethemet që helmojnë jetën e komuniteteve tona të krishtera.
Jezusi na fton të shikojmë së pari në syrin tonë ...
“Jeni kaq të sigurt që mund ta shihni qartë?”
Jezusi thotë:
“Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!” (Mt. 23,23-24).
Është e lehtë të gjejmë në farisenjtë e kohës së Jezusit ato të meta... Farisenjtë pagonin të dhjetat për mendrën, murajen dhe kimin, por më pas neglizhonin drejtësinë dhe mëshirën.
Jezusi thotë:
“Ju jeni udhërrëfyes të verbër, filtroni mushkonjën dhe më pas gëlltisni kamel”.
Është e lehtë të flitet për farisenjtë e asaj kohe, ne e njohim menjëherë defektët e tyre. Është më e vështirë të japim shembuj konkretë të kohës sonë, sepse në bashkësitë tona të krishtera, për fat të keq, duhet të pranojmë, ky defekt është i pranishëm.
Sa here me siguri u imponuan të vërteta që nuk ishin të vërteta; u dënuan vëllezërit të cilët historia më pas na detyroi t'i njihnim si profetë; sa njolla kemi pasur para syve tanë që na penguan të kapnim të vërtetat më themelore që përmban Ungjilli.
Ajo e jodhunës për shembull; për shumë shekuj ne zhvilluam luftëra dhe madje folëm për “luftën e drejtë” deri në dekadat e fundit... çfarë kuptonim për Ungjillin?
A nuk ishin të gjithë ata që luftuan, të krishterë?
Çfarë kuptuam për Ungjillin?
Dhe në ato vite u diskutua nëse supa mund të bëhej vetëm me një copë ekstrakt mishi të premteve.
Kishte të krishterë të devotshëm në Shtetet e Bashkuara që bënin fushatë kundër vallëzimit në grupë, por më pas nuk kishin asgjë kundër pranisë së skllavërisë; njerëz të devotshëm edhe sot bëjnë thashetheme, dhe ndonjëherë edhe shpifje, por mjerë ata nga të cilët dëgjojnë fjalë sharje...
Le të përpiqemi të bëjmë dallimin midis njollave dhe trungjeve.
Kushdo që shqyrton me kujdes grimcën, të metën, gabimin e vëllait të tij, Jezusi e quan hipokrit, “hipokrit” është aktori, komedianti.
Atëherë pyesim: çfarë karakteri përfaqësojnë këta njerëz që shqyrtojnë vëllain e tyre?
Në këtë spektakël të padenjë, ata përfaqësojnë Zotin në të cilin besojnë, përfaqësojnë këtë imazh të Zotit.
Çfarë bën ai Zot, që ata kanë në mendje?
Pikërisht atë që ata bëjnë.
Ai është një Zot që dha Ligjin dhe pastaj kalon gjithë kohën e tij duke shqyrtuar ata që bëjnë mëkate dhe mban shënim në librin që do të hapet në fund të botës dhe aty do të dalin në dritë të gjitha gabimet e bëra dhe do të ketë dënimi i atyre që kanë mëkatuar.
Ky është Zoti i rremë që ata kanë në mendje dhe e përfaqësojnë shumë mirë sepse sillen ashtu si ky Zot: ata shqyrtojnë të metat e vëllait të tyre.
Sjellja e këtyre hipokritëve që shqyrtojnë të keqen kudo, ka pasur efekte shkatërruese në komunitetet e krishtera, ishte një nga arsyet pse kaq shumë janë distancuar nga Kisha.
Në këtë pikë një problem mbetet: si ti njohim në komunitetet e krishtera ata që nuk janë “mësues” (janë aktore), por ata vëllezër që me të vërtetë kanë lejuar t'u hapen sytë e tyre nga Ungjilli dhe për këtë arsye mund ta ndihmojnë vëllain e tyre të ndjekë Mjeshtrin e vërtetë që është Krishti?
Si mund të kuptohet nëse ata gjithashtu nuk kanë një njollë para syve të tyre? nëse këshillave të tyre mund t'u besohet? Nëse i kanë hapur vërtet sytë apo nuk shohin mirë as ata?
Me dy imazhet e fundit të Ungjillit të sotëm, Jezusi na ofron kriterin për të ditur se si të dallojmë ata që mund t'u besohet sepse na shohin mirë.
Këtu, le të dëgjojmë këta dy imazhe:
“Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra. Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra” (v. 43-45).
Si ta njohim dishepullin e vërtetë?
Është e thjeshtë, thotë Jezusi, ju e njihni menjëherë dishepullin e vërtetë sepse ai është një person “i bukur”.
Ne e dimë se çfarë do të thotë shprehja “person I bukur”. Ai mund të mos jetë edhe veçanërisht i bukur, por nëse është besnik, i besueshëm, i vëmendshëm ndaj të tjerëve, i dobishëm, bujar, nëse nuk përkujton ofendime që merr... të gjithë thonë: “Çfarë personi i bukur”.
Ja, është kjo bukuri që të bën të njohësh dishepullin e vërtetë të Krishtit.
Për çfarë arsye?
Jezusi na tregon këtë me një imazh tjetër... sepse pema “e mirë” mund të prodhojë vetëm fruta “të mira”, nëse fruti është i kalbur do të thotë se nuk vjen nga pema e bukur, por nga një pemë e keqe.
Dhe vërejmë finesën e tekstit origjinal grek, i cili nuk flet për “pemë të mirë që jep fryt të mirë (kështu thonë përkthimet), por teksti origjinal flet për pemën e bukur “dendron callon”.
Prandaj, kjo nuk ka të bëjë me mirësinë, por me bukurinë.
Pema e bukur sigurisht që është Krishti, më e bukur se Ai është e pamundur.
Nëse je një person i pabesë, i korruptuar, i shthurur, arrogant, i dhunshëm...nëse je i shëmtuar, prandaj një frut i kalbur, nuk mund të vish nga pema e bukur.
Ne të krishterët kemi qenë shumë të shqetësuar për ta paraqitur veten si njerëz të devotshëm, dhe kjo është mirë, Jezusi është mjaft i interesuar për bukurinë e dishepujve të tij.
Bukuria, ne e dimë, është e parezistueshme, tërheq menjëherë vëmendjen dhe vëmendjen e të gjithëve, dhe të gjithë pyesin: Por si u bë ky kaq i bukur?
Kisha duhet të jetë vitrina në të cilën Krishti ekspozon frutat e bukura që prodhohen nga Ungjilli i tij, njerëz që për këtë arsye rrezatojnë bukurinë e tij.
Dy pemët e përmendura nga Jezusi, fiku dhe hardhia, janë domethënëse sepse së bashku me ullirin janë tre pemët simbolike të popullit të Izraelit.
Fiku prodhon fiq dhe hardhia prodhon rrush dhe këto produkte janë imazhet e asaj që Zoti pret nga populli i tij.
Fiku tregon ëmbëlsinë dhe rrushi që jep verën, tregon gëzim; ky është kriteri për njohjen e dishepullit të vërtetë...dikush që komunikon ëmbëlsinë dhe gëzimin - dikush që përpiqet të ndërtojë vetëm gëzim në këtë botë.
Nëse i afroheni një vëllai dhe fjalët e tij nuk ngjallin gëzim dhe shpresë, nëse nuk ndiheni të mirëpritur, të kuptuar dhe të dashur prej tij, lëreni të qetë, ai nuk është një dishepull i vërtetë, ai vjen nga ferrat, nga pemët në të cilat lëngu i Shpirtit nuk qarkullon sigurisht.
Imazhi i dytë: thesari.
Jezusi thotë se në zemrën e të gjithëve ka një gjoks me një thesar brenda.
Si e dini se çfarë thesari ka brenda?
Është e lehtë - thotë Jezusi - fjalët e gojës së tij e zbulojnë, sepse goja flet nga plotësia e zemrës.
Nëse dikush flet vetëm për para, biznes, sport, marrëzi, thashetheme... do të thotë se zemra e tij është plot me ato gjëra.
Budisti ka mençurinë e budizmit në zemrën e tij dhe për këtë arsye do të flasë sipas kritereve të budizmit; muslimani ka në zemër thesarin e Kuranit dhe do të arsyetojë si musliman; një pagan do të arsyetojë si pagan... nuk është e mundur që këta njerëz të arsyetojnë sipas kritereve ungjillore.
Ju e njihni të krishterin e vërtetë jo vetëm nga veprat e tij, por edhe nga mënyra se si ai flet, ju e kuptoni menjëherë nëse fjalët e tij vijnë nga një zemër që vërshon me urtësinë e Ungjillit.
Pse?
Ju e ndjeni atë duke gjykuar sipas Ungjillit; kur duhet të japë këshilla i referohet asaj që i mësoi Ungjilli; kur ai gjithashtu duhet të sugjerojë zgjedhje të guximshme, kërkuese, ndonjëherë edhe heroike, ai e bën këtë sepse Ungjilli që ka në zemër i thotë kështu, dhe mbi të gjitha, vetëm fjalët e dashurisë vijnë nga buzët e të krishterit të vërtetë, sepse zemra e tij është një arkë thesari që vërshon nga dashuria si ajo e Atit tone qiellor.
Krijoni Kontakt