PËRGATITJA E LITURGJISË.
E DIELA XVIII ORD. VITI B.
MË 4-8-2024.
Ps. 77, 3-4,23-24,25.52.54.
3 Ato që dëgjuam e mësuam,
çka na treguan etërit tanë,
4 nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,
veprat e bindshme që ai bëri.
23 Kështu u urdhëroi reve prej së larti,
i hapi pendët e qiellit,
24 porsi shi e lëshoi manën për ushqim,
u dha bukë nga qielli:
25 njeriu hëngri bukë engjëjsh,
u dha ushqim me mbushulli.
52 Porsi dele prej andej e nxori popullin e vet,
i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.
54 I çoi në Tokën e vet të shenjtë,
në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.
LECTIO DIVINA – MEDITIM – LUTJE.
BESNIKËRIA E ZOTIT,
MOSMIRËNJOHJA E POPULLIT.
Psalmi 77 është shumë i gjatë, por ne sot, në liturgjinë e fjalës, do të marrim në konsideratë vetëm disa vargje, që, kur lexohen, do të na paraqesin vetëm një aspekt: këtu gjithçka duket e mrekullueshme; populli i Izraelit është mirënjohës për dhuntitë e Zotit; dhe nëse ky psalm është zgjedhur për këtë të Dielë, është veçanërisht sepse falënderon për dhuratën e manës gjatë Eksodit: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit" (Dal 16,4). "... porsi shi e lëshoi manën për ushqim, u dha bukë nga qielli: njeriu hëngri bukë engjëjsh, u dha ushqim me mbushulli" (V. 24v).
Por pjesa tjetër e Psalmit tregon historinë e vërtetë të Izraelit, një histori që është shkruar midis dy aktorëve, në shekuj, në vazhdën e brezave. Zoti besnik përballë një populli që e njeh veten të paqëndrueshëm.
I paqëndrueshëm sepse i pavëmendshëm: Izraeli është shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e përkujtimit: "Ato që dëgjuam e mësuam, çka na treguan etërit tanë, nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre, do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme lavditë e Zotit e mrekullitë e tij, veprat e bindshme që ai bëri" (V. 3v).
Që besimi të transmetohet, dje si sot, nevojiten tre kushte: së pari, dikush ka pasur një ngjarje shpëtimi, një përvojë shpëtimi dhe mund të thotë: "Zoti më ka shpëtuar";
së dyti, ai ndan përvojën e tij, ai dëshmon;
së treti, komuniteti i tij kujton, e mban këtë dëshmi.
Ne mund të themi se besimi është një përvojë e shpëtimit e ndarë në komunitet. Pra, kjo prezupozon një jetë në komunitet ...
Populli hebre gjithmonë e ka ditur që besimi nuk është një bagazh intelektual, por një përvojë e përbashkët: përvoja e dhuratave dhe të faljes së Zotit. Ky psalm shpreh gjithë këtë: autori kujton në shtatëdhjetë e dy vargje përvojën e tij të shpëtimit; përvoja e madhe që themeloi besimin e Izraelit ishte ajo e çlirimit nga Egjipti, prandaj ky psalm është i mbushur me aludime për Eksodin në Sinai. Dhe baballarët u treguan këtë përvojë bijve të tyre të cilët nga ana tjetër u treguan djemve të tyre etj. Padyshim, nëse një brez neglizhon detyrën e tij të transmetimit, zinxhiri prishet. Djemtë duhet të jenë akoma të gatshëm të dëgjojnë dhe ta përmbajnë mësimin: përkthimi ynë "kemi dëgjuar" është shumë i dobët, gjuha shqipe nuk përcjell forcën e shprehjes biblike; të "dëgjosh", në Bibël do të thotë t'i përmbahesh me gjithë zemër Fjalën e Zotit.
Etërit ishin gjithashtu të detyruar t'u rrëfeheshin bijve të tyre se shpesh ishin ankuar kundër Zotit; me gjithë veprimet e tij të përsëritura për të shpëtuar popullin e tij, Zoti shpesh nuk kishte hasur asgjë tjetër përveç mosmirënjohjes. Pas çdo ndërhyrjeje të Zotit, ne fillojmë, natyrisht, duke kënduar, vallëzuar, në ekstazë; dhe pastaj ditët kalojnë dhe ne harrojmë; dhe nëse lind një vështirësi e re, ne zbulojmë se ky Zot me të vërtetë mungon ose është joaktiv. Dhe në atë moment, dikush tundohet të kërkojë ndihmë nga perënditë e tjera, siç është viçi i artë.
Kjo është ajo për të cilën flet psalmi kur akuzon njerëzit për pabesi, për paqëndrueshmëri: një nga vargjet që ne nuk e lexojmë këtë të diel thotë: " 34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin e përsëri ktheheshin tek Hyji;
35 u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre, Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.
36 Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre, e rrenin me gjuhën e vet:
37 zemra e tyre nuk ishte me të, besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij” (Ps 77, 34-37). Ajo që synohet këtu është idhujtaria e cila ka qenë shënjestra e të gjithë profetëve.
VETEM BESIMI NË ZOTIN NA BËN NJERËZ TË LIRË.
Pse ndodh kjo? Mund të jemi të sigurt se, nëse profetët sulmojnë idhujtarinë me kaq dhunë, kjo është për shkak se është një fatkeqësi e madhe për njerëzimin. Sepse derisa njerëzimi nuk do ta zbulojë Zotin, jo siç e imagjinon atë, (duhet të thuhet më mire si e karikaturon atë), por siç është ai me të vërtetë, sigurisht ai (njerëzimi) nuk do të jetë në gjendje të përparojë në marshimin e tij drejt lumturisë.
Çdo idhull na bën të tërhiqemi nga rruga e lirisë; ky është edhe përkufizimi i një idhulli: një idhull është gjithçka na pengon të jemi të lirë; kur Marksi tha: "Feja është opiumi i njerëzve", ai po thoshte me vrazhdësi se çfarë pushteti, unë duhet të them se çfarë diktature, çfarë manipulimi, çfarëdo feje mund të ushtrojë mbi njerëzimin. Supersticioni, fetishizmi, magjia na ndalojnë të jemi të lirë dhe të mësojmë të ushtrojmë lirisht përgjegjësitë tona, sepse ato na bëjnë të jetojmë në një regjim frike. Çdo adhurim idhulli na largon nga Zoti i gjallë dhe i vërtetë: dhe vetëm e vërteta mund të na bëjë njerëz të lirë; kulti i tepruar i një personi ose i një ideologjie na bën gjithashtu skllevër: thjesht mendoni për të gjithë fondamentalizmin, fanatizmat që na shpërfytyrojnë. Paraja, gjithashtu, shumë mirë mund të bëhet idhull ...
Në vargje të tjera, të cilat gjithashtu nuk janë pjesë e liturgjisë së kësaj të diele, psalmi ka një imazhe shumë të qartë, që në mendjen e autorit duhet të shpallin dashurinë e madhe të Zotit, që gjatë historisë bëri gjithçka ishte e mundur për të shpëtuar Popullin e tij të Zgjedhur, por mjerisht sytë e tyre ishin të verbër, të paaftë për të parë, dhe veshët e tyre të paaftë për të dëgjuar, njerëzit ishin absolutisht të mosmirënjohes. Populli i zgjedhur jepte përshypje që sillej si një adoleshent i sotëm që ndonjëherë harron gjithë dashurinë për të cilën ai ka qenë objekt, buzëqeshjet që prindërit e tij i dhanë atij, durimin, vigjiljet, kujdesin e të gjitha llojeve, lodhjen ... dhe me një bindje me të madhe dhe me të mirë në botë, ai mund të thotë: "mua, prindërit e mi nuk më kanë dashur kurrë" ...Por ishte pikërisht në mes të kësaj mosmirënjohjeje që Izraeli pati përvojën më të bukur, atë të faljes së Zotit.
Krijoni Kontakt