PËRGATITJA E LITURGJISË
E DIELA 5 VITI B
MË 4-2-2024.
UNGJILLI: Mk 1,29-39
29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.
30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë I treguan për të.
31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.
32 Nëmbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit.
33 Mbarë qyteti u mblodh para derës.
34 Ai i shëroi të sëmurit‑ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.
35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej.
36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë.
37 Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.”
38 Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afër meqë të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha”.
39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.
LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.
MBRETËRIA E ZOTIT KA FILLUAR.
Kjo faqe e ungjillit pothuajse duket si një raport gazetaresk: Mark na tregon vendet dhe kohët; megjithatë, meqë objektivat e ungjilltarëve nuk janë kurrë të një natyre gazetareske, duhet të besohet se të gjitha këto detaje të registruar me një përpikëri të jashtëzakonshme, kanë një vlerë teologjike; na mbetet që ne të dimë të lexojmë mes rreshtave.
Pra, ngjarja po ndodh në Galile, në Kafarnaum; në një ditë të shtunës, pastaj në mbrëmje dhe të nesërmen; si të gjithë e dinë, dita për Judenjtë nuk fillon nga mesnata, por nga perëndimi i diellit e deri në perëndimin e diellit; e shtuna fillon të premten në mbrëmje në perëndim të diellit dhe mbaron të shtunën në mbrëmje kur shfaqen yjet e parë.
Ne gjithashtu e dimë që e Shtuna është një ditë për lutje dhe studim të Tevratit, në sinagogë dhe në shtëpi. Kjo është arsyeja pse banorët e Kafarnaumit i sjellin të sëmurët e tyre Jezusit vetëm në mbrëmjen e të shtune pas perëndimit të diellit; Marku na thotë: " Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit" (Mk.1,32). Duke përcaktuar me saktësi që dielli ishte perënduar, Marku ndoshta dëshiron gjithashtu të tërheqë vëmendjen tonë në diçka: meqë dielli ishte perënduar, duhet të kuptohet se tashmë ka filluar dita e së dielës, dita e parë e javës. Dihet kuptimi që mori e diela për të krishterët e parë: simbolizon fillimin e krijimit të ri.
Gjatë pjesës së parë të ditës Jezusi bëri vetëm një gjë: shkoi në sinagogën e qytetit dhe menjëherë më pas ai u kthye në shtëpi. Nëse Marku e specifikon atë, është padyshim për të na kujtuar se Jezusi është një hebre besnik ndaj ligjit. Në mëngjes në sinagogë ai shëroi një "njeri të pushtuar prej një shpirtit të ndytë" (v. 23), siç e tha Marku; dhe lajmi që Jezusi u urdhëron shpirtrave të papastër, u përhap mënjëherë me shpejtësi ; nuk është çudi që në mbrëmje, pas mbarimit të së Shtunës, të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga shpirtra të ndytë sillen tek Ai. Në këtë mënyrë, Marku tashmë na tregon: këtu është Mesia, ai që lajmëron dhe e përmbush Mbretërinë.
Çuditërisht, demonët e njohin identitetin e Jezusit dhe Jezusi i ndalon ata të flasin: "Jezusi dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin" (1,34).
Demonët e dinin se çfarë u zbulua gjatë Pagëzimit të Jezusit nga Gjon Pagëzuesi dhe çfarë shpirti i papastër kishte shpallur po atë mëngjes në sinagogën e Kafarnaumit: "Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!” (1,24).
Pse nga Jezusi u urdhërua shpirtit të ndytë kjo heshtje?
Në fakt Jezusi nuk erdhi të fshihej ... Ndoshta sepse banorët e Kafarnaumit nuk ishin ende gati për këtë zbulesë: ka ende shumë për të bërë përpara se të zbulohet fytyra e vërtetë e Krishtit; nuk mjafton të dish të thuash: "Ti je i Shenjti i Zotit"; këtë edhe demonët e dinin shumë mirë.
Tani për tani, të sëmurët tërhiqen nga Jezusi, por a janë ata gati të besojnë që Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit që u bë njeri? Në këtë konsiston dykuptimësia e paqartësia e mrekullive: rreziku që të shëruarit të largohen pa u takuar me Zotin. Dhe kur Simoni donte ta mbante Jezusin duke thënë: " Të gjithë po të kërkojnë” (1,37), Jezusi ia përkujton atij çka ishte thelbësore për të: predikimi i Mbretërisë: "Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha” (1,38). Tani, nëse e rilexojmë fillimin e Ungjillit të Markut, për Jezusin, shpallja e ungjillit konsistonte në zbulimin se : "Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!” (1,15).
Mrekullitë janë një shenjë që zbulojnë se Mbretëria e Zotit është tashmë ndër nesh; rreziku dhe e keqija mund të jenë që të harrohet mbretëria dhe të jepet rendësi vetëm mrekullive.
URGJENCA E SHPALLJES SË LAJMIT TË MIRË.
“Të nesërmen, herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej" (1,35). Jezusi shkoi në shkretëtirë për të takuar Perëndinë; dhe posa erdhi te dishepujt e tij, ai tha:“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha” (1,38).
A është lutja që e shtyn atë të shkojë diku tjetër? Duket se kjo tërheqje në heshtje nuk e dobëson zellin e tij misionar; përkundrazi e ringjall atë dhe e bën më të frytshëm.
"Jezusi nuk do të kishte shkuar aq larg në ungjillizim nëse nuk do të kishte shkuar aq larg në lutje". Në thelb, dilema “Veprim ose Soditje” është një dilemë e rremë: njëri nuk mund të shkojë pa tjetrin. "Një ungjillëzues që nuk lutet, më shpejt nuk do të ungjillëzojë më".
“Prandaj edhe erdha” (1,38). Është e pamundur të mos mendohet për insistimin e Palit për ungjillëzimit në letrën drejtuar Korintasve që është leximi i dytë i kësaj së dielës së peste të vitit B: Jezusi dhe Pali kanë të njëjtin pasion për shpalljen e Lajmit të Mirë; për ta shpallja e Ungjillit është një urgjencë e vërtetë, duket sikur një emergjencë, gjeja e vetme që nevojtet për shëlbimin e botës.
Vërejtja e fundit: shërimet e kryera nga Jezusi, me sa duket, duhet të vënë në pikëpyetje disa ligjërime tanë mbi vuajtjet; nëse Jezusi shëron të sëmurët, kjo është për shkak se sëmundja është një gjë e keqe; nëse shëron në të njëjtën kohë kur lajmëron Mbretërinë, kjo është për shkak se e keqja prish planin e Zotit dhe për këtë arsye ne duhet ta heqim qafe atë. Në leximin e parë, dëgjuam Jobin që ulërinte për vuajtjet e tij dhe në fund të librit, Zoti e lavdëron sepse guxoi të bërtasë. Vuajtja është gjithmonë një gjë e keqe, duhet të thuhet kjo gjë. Do të ishte çmenduri të guxohet të thuhet përballë një personi të sëmurë: "Gjithçka të ndodhi, është shumë e mirë" ... Është e vërtetë që disa, me hirin e Zotit, gjejnë në vuajtje një ndihmë për të përparuar shpirtërisht, por vuajtja është gjirhmonë një gjë e keqe. Dhe të gjitha përpjekjet tona për të luftuar kundër vuajtjeve të njerëzve shkojnë në drejtim të planit të Zotit. Sepse Zoti do t'i shpëtojë njerëzit: jo vetëm shpirtrat e tyre pa trup, por njëkohësisht shpirtrat dhe trupat e tyre: predikimi i ungjillit nuk është vetëm fjalë që i drejtohen inteligjencës ose ndërgjegjes; është në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të pandashme një luftë kundër asaj që bën që njerëzit të vuajnë.
Krijoni Kontakt