PËRGATITJA E LITURGJISË
E DIELA E 3 E ARDH. VITI B.
MË 17 – 12 – 2023.
LEX. I PARË: Is. 61, 1-2A.10-11.
“1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua,
sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme,
t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur,
t’u shpall skllevërve lirinë,
të burgosurve, çlirimin;
2 të shpall vitin e hirit të Zotit…
10 Me gëzim të madh gëzohem në Zotin,
shpirti im galdon në Hyjin tim,
sepse më veshi me petkat e gëzimit,
ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë,
porsi dhëndër të stolisur me kezë,
porsi nuse me argjendari e stolisur.
11 Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi,
porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij,
kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia
edhe lavdi në sy të të gjithë popujve”.
LECTIO DIVINA – MEDITIM – LUTJE.
Ka dy pjesë në këtë tekst: në të parën, është vetë Isaia, si profet, që i predikon lajmin e mirë popullit hebre. Ndërsa në të dytën, janë vetë njerëzit ata që gëzohen sikur premtimet e pjesës së parë tashmë ishin përmbushur: atje jemi në pritje të plotë. Pjesa e parë janë vargjet:
" Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua… më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme”.
E dyta fillon me:
"10 Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim”.
Unë filloj me pjesën e parë:
VËSHTIRËSITË E KTHIMIT NË SHTËPI.
" 1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua,
sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme,
t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur,
t’u shpall skllevërve lirinë,
të burgosurve, çlirimin;
2 të shpall vitin e hirit të Zotit”.
Ai që flet, është profeti. Por për kë po flet? Kush janë këto zemra të thyera, këta robër, këta të burgosur, këta të varfër (fjalë për fjalë "kurrizet e harkuara")? Sigurisht, po flet për popullin e Jerusalemit dhe për gjithë popullin hebre.
Por, pse janë kaq të shqetësuar?
Pyetja duhet të bëhet sepse, pikërisht në momentin kur Isaia u flet atyre, banorët e Jerusalemit nuk janë më robër apo në burg: përkundrazi, ata janë kthyer nga mërgimi në Babiloni dhe madje kanë filluar punën për restaurimin e Tempullit të Jerusalemit. Le të kujtohet konteksti:
Mërgimit babilonas i erdhi fundi, thjesht sepse Babilonia, pas ditëve të saj të lavdisë, u pushtua nga Kiri, mbreti i Persisë. Megjithatë, ndryshe nga perandorët e tjerë që e pushtuan më parë Jeruzalemin dhe më pas rajonin, Kiri favorizoi kthimin e popullsive të zhvendosura. Kështu të dëbuarit u kthyen. Është e vërtetë se ata nuk janë një popull i lirë, pasi vendi i Izraelit tani është nën sundimin e mbretërve të Persisë, Kirit, dhe pastaj të pasardhëve të tij. Por në fund, nuk mund të flasim për burgun apo robërinë në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Vetëm, në fund, këta mërgimtarë që janë kthyer në vendin e tyre, janë tmerrësisht të zhgënjyer në kthimin e tyre: atje, në Babiloni, ata prisnin çlirimin e tyre si një lumturi të madhe... Ata shpresonin të dinin shkëlqimin e atij që ka qenë në një birucë të verbër dhe papritur del në dritë ditën kur i është hapur dera. Në fakt, ata zbulojnë se ka burgje të tjera, zinxhirë të tjera në jetën tonë, më pak materiale, por po aq shtypëse.
Sepse në këtë vend, ata nuk ishin mirëpritur me të vërtetë. Dhe ata u penguan në çdo mënyrë të mundshme që të mund ta rindërtonin Tempullin. Duhet thënë se në mungesë së tyre, popullata të tjera të shpërngulura edhe nga fitimtarët, u vendosën në Jerusalem dhe filluan të praktikonin fenë e tyre. Që këtej e tutje, nëpërmjet martesave (midis hebrenjve dhe të huajve), feja hebraike u bë minoritare. Kush i përmbahet ende ligjit? Pastërtia e praktikës fetare që shpresonin të rivendosnin, mbetet një iluzion, një mirazh!
Prandaj pyetja e përjetshme që ngrihet në çdo fazë të vështirë: A nuk e ka braktisur Perëndia popullin e tij? Dhe përgjigja gjithnjë e përtërirë e profetëve dhe këtu, në veçanti, e Isaisë: Perëndia nuk mund ta mohojë veten. Kini besim, ju jeni ende populli i zgjedhur nga Perëndia për një mision shumë të veçantë.
Si rezultat, mund të rilexojmë vargjet e para të tekstit të sotëm:
“1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua,
sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme,
t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur,
t’u shpall skllevërve lirinë,
të burgosurve, çlirimin;
2 të shpall vitin e hirit të Zotit”.
Kuptimi i parë i këtij teksti është: mos e lejo veten të humbasesh shpresën, të shkurajohesh: Perëndia nuk do të të braktisë kurrë.
Duke folur për vitin e hirit të Zotit, Isaia aludon në një zakon shumë të veçantë që pa dyshim është më pak i njohur për ne, por që bashkëkohësit e tij e njihnin shumë mire: Është pothuajse një term teknik: është viti sabatik apo edhe jubilar. Çdo shtatë vjet (viti sabatik), skllevërit hebrenj duhej të liroheshin pa kompensim. Çdo pesëdhjetë vjet (Viti Jubilar), të gjithë banorët duhej të liroheshin, të gjitha borxhet e falura, të gjitha pronat e restauruara për banorët e tyre të parë.
Në gojën e Isaisë mbetet një fjalë disi befasuese: “Zoti më ka vajosur”. Është vajosja me vaj që mbretërit morën ditën e kurorëzimit të tyre. Ai që kishte marrë mirosjen, tani quhet “mesia”, sepse fjala “mesia” në hebraisht do të thotë “i mirosur, i shenjtëruar”; dhe kjo mirosje nënkuptonte se personi i shenjtëruar (normalisht mbreti) kishte një mision për t'i sjellë lumturi popullit të tij. Dhe tani është një profet që flet për veten në mënyrë në të cilën deri tani flitej për mbretërit. Ai thotë: "Zoti më ka bërë Mesia". Domëthënë:
“Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua,
sepse Zoti më shuguroi”.
Kjo është prova se, në kohën e Isaisë së tretë (autorit të këtij teksti), pikërisht kur nuk ka më mbret në fronin e Davidit, pritja judaike e Mesisë po evoluon: nuk është më thjesht pritja e një mbreti, birit të Davidit, por Mesia i pritur fare mirë mund të jetë një profet.
“MË GËZIM TË MADH GËZOHEM NË ZOTIN”.
Për të përmbledhur shpalljen e Isaisë, lumturinë, të vërtetën, domethënë drejtësinë, ngushëllimi për të gjithë do të ngrihet mbi Jerusalemin. Pastaj pjesa e dytë e tekstit bëhet e qartë: është Jerusalemi (d.m.th. Populli i Hyjit) që flet. Jerusalemi tashmë gëzohet, sikur të ishte atje:
“Unë gëzohem në Zotin, shpirti im gëzohet në Perëndinë tim”.
Profetët shpesh i përdorin këto lloj pritjesh për të treguar se sa të sigurt mund të jemi nga premtimet e Perëndisë.
Fundi i tekstit është shumë i bukur: manteli i drejtësisë, stoli, një diadem:
"Zoti më veshi me petkat e gëzimit,
ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë,
porsi dhëndër të stolisur me kezë,
porsi nuse me argjendari e stolisur”.
Jo vetëm që është madhështor, por mesazhi teologjik është shumë i rëndësishëm: manteli i drejtësisë: është Perëndia që na mbështjell në të...
Kjo do të thotë se ëndrra jonë më e thellë, pastërtia e zemrës, është një dhuratë nga Perëndia. Është një dhuratë falas nga Perëndia, dhe kjo dhduratë është më madhështore se zbukurimet, më e bukura se bizhuteritë dhe diademët.
Teksti përfundon me atë që mund të quhet shëmbëlltyra e farës:
“…porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi,
porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij,
kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia
edhe lavdi në sy të të gjithë popujve”.
Mbirja është një imazh i bukur për të mbështetur shpresën: përktheu: besim, duhet kohë që çdo farë të rritet...
Krijoni Kontakt