PËRGATITJA E LITURGJISË
E Diela e 3 Kresh. VITI B
MË 7-3-2021
LEXIMI I 1: Da.20,1-17.
1 Atëherë Zoti i tha të gjitha këto fjalë:
2 “Unë jamë Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.
3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje.
4 Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. 5 Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.
7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.
8 Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: 9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; 10 kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.
12 Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.
13 Mos vra!
14 Mos bëj kurorëthyerje!
15 Mos vidh!
16 Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!
17 Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd.
Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij.”
LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA
UNË JAM ZOTI AI QË TË KA NXJERRË NGA EGJIPTI.
Vëllezërit tanë hebrenj e quajnë këtë tekst: "Dhjetë Fjalët", jo "Dhjetë Urdhërimet", sepse fjala e parë nuk është një urdhërim, por është më e rëndësishmja!
"Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë” (Da.20,2). Ky verset është prologu dhe urdhërimet vijojnë; është kjo hyrje, ky prolog që justifikon gjithçka tjetër, është kjo fjali që i jep kuptim çdo gjëje tjetër. Origjinaliteti i Ligjit në Izrael nuk është përmbajtja e tij: originaliteti i Ligjit në Izrael është para së gjithash një ndodhi, që është baza, pika fillestare, shkaku i Tij: çlirimi i Egjiptit. Izraeli e di përgjithmonë se Zoti çlirues e jep Ligjin si një rrugë për të mësuar të jetojë në liri.
Ja çfarë është shkruar në librin e Ligjit të Përtërirë, i cili është një meditim teologjik që u bë pas ngjarjeve të Eksodit, dhe pas kërkesave të Besëlidhjes me Perëndinë: "Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë ‑ e tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta jape”(Dt 4, 39-40).
Prandaj, ne mund të lexojmë secilin nga urdhërimet si diçka që Zoti ndërmerr për çlirimin e njeriut, me iniciativë të tij, ose, nëse preferojmë, si një metodë për çfarë duhet të njohë njeriu për të mësuar të jetojë në liri. E gjëra e pare që njeriu duhet të mësojë prej fillimit për të jetuar në liri është ndalimi i idhujtarisë: "Mos ki tjetër Zot, përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia" (20, 3-6).
Dhe gjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër profetët njëri pas tjetrit do të luftojnë kundër të gjithë idhujtarisë me shumë vështirësi sepse idhujtaria ishtë shumë e rrenjosur në kulturën e popullit.
Edhe sot, ata profetë do ta kishin të vështirë të kryejnë këtë punë, sepse, në fund të fundit, përkufizimi i një idhulli është që diçka na pushton deri në pikën që të na bëjë skllevër të tij: idhulli për ne sot mund të jetë një sekt, por edhe paraja, seksi, një ilaç ose diçka tjetër si televizioni, ose ndonjë profesion tjetër që përfundon duke mbushur fusha e mendimeve tona deri në pikën që na bën të harrojmë gjithçka tjetër.
"Nuk do të bësh asnjë idhull, asnjë imazh të asaj që është lart në qiej, ose poshtë në tokë, ose në ujërat poshtë tokës": çdo imazh i Zotit është i ndaluar, sepse çdo imazh do të ishte i rremë; një imaxhë nga ana tjetër nuk e përban realitetin hyjnor: ne nuk mund ta posedojmë Zotin; Zoti është Gjithë-Tjetri, i Pamundshëm. Është vetëm me hir të mirësisë së vet të shenjtë dhe të pastër, që krejtësisht falas ai e bën veten të afërt me ne: u bë njeri!.
LE TË MOS BIEM NGA NJË SKLLAVËRI NË NJË TJETRËN.
"Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar".
Përdoret këtu një fjalor tipik i të dashuruarve. Prandaj flitet këtu për atë dashuri pasionante të kërkuar nga Zoti që dëshiron që populli i tij të jetë i lirë dhe i lumtur. Një dashuri që nuk mund të ketë rivalët: Zoti nuk është xheloz për ne, por për lirinë tonë; ai dëshiron të na mbrojë nga nisja në shinat false.
Unë jam ai " që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia".
Në mentalitetin e kohës, nuk mund të konceptohej një Zot që nuk do të ndëshkonte; por teksti tashmë pohon shumë më fort besnikërinë e përhershme të premtuar nga Zoti për ata që janë në procesin e bërjes së Besëlidhjes me të.
Zoti ia ka zbuluar njeriut emrin e vet: kjo do të thotë në gjuhën biblike "Zoti e ka bërë të njohur veten njeriut". Do të ishte një gjë monstruoze të përpiqemi ta përdorim këtë dhuratë të mrekullueshme për të keqen. Dhe meqenëse Zoti nuk ka asnjë kontakt me të keqen, kjo gjë monstruoze do të ishte më ne fund një ndarje nga Zoti, një dënim i vetvetes . Ky është kuptimi i shprehjes: "Sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet" (v.7). 2
Urdhërimet e para kishin të bënin me marrëdhënien tonë me Perëndinë. Pastaj vijnë urdhërimet në lidhje me marrëdhënien tonë me të tjerët: prindërit dhe pastaj të gjithë të tjerët. "Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt...Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!".
Sepse marrëdhënia me Zotin dhe marrëdhënia me të tjerët janë të lidhura ngushtë. Urdhërimet e fundit janë në formë negative: udhëzime të thjeshta për jetën në shoqëri; na mbetet të gjëjmë një mënyrë konkretë e pozitivë për t' i vënë në praktikë në jetën tonë e prëditëshme. Secili prej këtyre urdhërimeve, në mënyrën e vet, na ndihmon në punën për çlirimin e vetvetes dhe e të tjerëve. Veçanërisht, e bëjnë këtë punë ata urdhërime që na çlirojnë shikimin: të mos lakmojmë atë që nuk na takon. është me të vërtetë një nga rrugët për lirinë shpirtërore.
Mund të shtohet vetëm se mirësia e premtuar atyre që e zbatojnë ligjin, është shumë e fortë dhe ripërsëritur shumë herë në Librin e Ligjit të përtërirë: Ja një shëmbull: “E kur nesër yt bir të të pyesë e të të thotë: ‘Ç’kuptim kanë këto rregullore, urdhërime e ligje që jua dha Zoti, Hyji ynë?’, ti përgjigjju: ‘Ishim skllevër të faraonit në Egjipt, dhe Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit dhe bëri shenja të mëdha e mrekulli ndër sy tanë në Egjipt kundër faraonit dhe mbarë shtëpisë së tij. Ne na nxori prej andej, që të na shpjerë e të na e japë tokën, të cilën me përbetim ua premtoi etërve tanë. Asohere Zoti na urdhëroi t’i vëmë në zbatim të gjitha këto urdhërime e të druajmë Zotin, Hyjin tonë, që të jemi të lumtur gjatë gjithë jetës sonë siç jemi edhe sot. Ne do të jemi të drejtë nëse do t’i zbatojmë të gjitha këto urdhërime në praninë e Zotit, Hyjit tonë, ashtu siç na ka urdhëruar” (LP. 6,20-25).
Krijoni Kontakt