SHIKONI SE C'BEHET!!!
Biznesmenët serbë pushtojnë Shqipërinë!
AKTUALITETI
Sipas “Nedelni telegraf”-it të Beogradit
Biznesmenët serbë pushtojnë Shqipërinë!
Moto: Bogolub ****ç, i njohur për transaksione të dyshimta jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi e në Rusi gjatë periudhës së sundimit të Millosheviçit, do t’i deklarojë “Nedelni telegraf”-it se “u treguam të gjithë skeptikëve se nuk ka asgjë të pamundur dhe se kapitali i flet të gjitha gjuhët”. Gazeta shton se “… në fillim të këtij muaji në Tiranë shkoi delegacioni i industrialistëve dhe biznesmenëve serbë, kapitali i të cilëve, sipas llogarisë që e ka bërë dikush, “është i rëndë” rreth 10 miliardë dollarë dhe përbën një të tretën e fuqisë financiare të Serbisë”
E përjavshmja e Beogradit, “Nedelni telegraf”, ka dhënë një njoftim mbi “pushtimin e Shqipërisë nga biznesmenët serbë”. Vetë fillimi i shkrimit në 3 faqe dhe me shumë ilustrime, sikur i sugjeron opinionit serb se edhe njëherë “ua luajtëm shqiptarëve”. Me elemente fyese, jepet hyrja si një barcoletë: “Invazionit të biznesmenëve serbë në Shqipëri, shqiptarët i përgjigjen me dërgimin e pesëdhjetë grave të veta (…), të cilat gjatë uikendit të shkuar papritmas “pushtuan” Beogradin”.
Gazeta jo pa entuziazëm, thotë se derisa tregu i Bashkimit Europian është i mbyllur për bizneset serbe, është hapur pa rezerva ai i Shqipërisë. “Kur vitin e kaluar shkoi në Tiranë delegacioni i Shoqatës së Industrialistëve dhe i Biznesmenëve të Serbisë dhe të Malit të Zi, askush nuk kishte besuar se pas gjashtë muajsh do të mposhten shumë barriera, se tregu shqiptar do të hapet për biznesmenët serbë dhe se drejtorët tanë do të zgjedhin hapësirat, të zgjedhin partnerët dhe pa probleme të marrin dritën e gjelbër të qeverisë shqiptare të futen në biznes. Shkurt, ekonomisë serbe i është hapur rruga që eksportin e tashëm nga 7-8 milionë dollarë ta rrisë në disa qindra milionë dollarë, meqë tregu shqiptar është bosh dhe i pambuluar”. Bogolub ****çi, një biznesmen me origjinë nga Kosova, i cili në sajë të transaksioneve të dyshimta, u bë njëri nga “kapitalistët e kuq” dhe që, në sajë të mbështetjes materiale e politike që i dha Millosheviçit dhe regjimit të tij (këto ditë emri i tij në shtypin e Beogradit, në fushatën kundër vrasësve të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç, përmendet dendur si një nga financuesit e “Beretave të kuqe” famëkëqija), pastaj “shpërtheu” kufijtë e Kosovës dhe depërtoi edhe në Serbi e në Rusi, do t’i deklarojë kësaj gazete se “U treguam të gjithë skeptikëve se nuk ka asgjë të pamundur dhe se kapitali i flet të gjitha gjuhët dhe shemb dogmat kur gjenden interesat e përbashkëta… me qëllim të qartë të hapjes së tregut të Europës Juglindore, të cilin bota dhe Bashkimi Europian e kanë lënë të vetëfarkohet para dyerve të tyre”. Pasi njofton se gjithë kësaj i kishte paraprirë “përgatitja e terrenit” në disa takime me biznesmenët shqiptarë, me Bashkimin e Odave Tregtare të Shqipërisë, me në krye Luan Bregasin, me Ministrin e Ekonomisë e të Financave, Arben Malaj, gazeta shton “… në fillim të këtij muaji në Tiranë shkoi delegacioni i industrialistëve dhe biznesmenëve serbë, kapitali i të cilëve, sipas llogarisë që e ka bërë dikush, “është i rëndë” rreth 10 miliardë dollarë dhe përbën një të tretën e fuqisë financiare të Serbisë”. Në delegacionin që i printe Bogolub ****ç, ishin edhe bankari i parë serb, kryetari i Bankës Komerciale a.d (shoqëri aksionare) të Beogradit, Lubomir Mihailoviç (një nga ata bankarët, po ashtu nga Kosova, që ka mbështetur politikën dhe regjimin e S. Millosheviçit), drejtori i NIS (Industria e Naftës e Serbisë) Dimitrije Vukçeviç, drejtori i përgjithshëm i sistemit të marketeve “C Market”, Sllobodan Raduloviç, drejtori i përgjithshëm i Habit-farma, Radoslav Sekuliç (këta dy të fundit me origjinë nga Kosova, që kanë zhvilluar fushata antishqiptare nëpër Serbi e në Kosovë), pronari i Kompanisë Vujiç të Valevës, Vidoje Vujiç (Valeva ka qenë një nga bastionet e fuqishme të regjimit të Millosheviçit) dhe zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm të Kompanisë “Simpo” të Vranjës, Serbolub Manasijeviç (udhëheqja e Simpos është e njohur për angazhimet antishqiptare në Luginën e Preshevës, sidomos në Bujanovc). “Dhe, ajo që për botën e biznesit është më e pabesueshme, që të gjithë janë kthyer të kënaqur me punën e kryer, meqë kanë lidhur marrëveshje konkrete mbi bashkëpunimin afarist me partenerët shqiptarë” – vazhdon gazeta. “Qëndrimi im i tretë në Tiranë do të thotë tre hapa më afër qëllimit që “C Marketi” shumë shpejt të ketë supermarketet, kurse në perspektivë edhe hipermarkete në Tiranë dhe në qendrat e tjera të mëdha të Shqipërisë”, thotë Sllobodan Raduloviç drejtori i firmës më të madhe tregtare në Serbi. … Mikpritësit, thotë ai, e kanë shëtitur nëpër objekte në qendër të Tiranës, që është shumë tërheqës për hapjen e supermarketeve dhe të hapësirave të tjera afariste… I kënaqur nga Shqipëria është kthyer edhe njeriu i parë i Habit-farmës, Radoslav Sekuliçi. Atë që e kam ëndërruar me vite, vetëm brenda një dite u bë realitet. Autoritetet shqiptare dhe partnerët shqiptarë të gjitha m’i sollën në shuplakë të dorës. Ia dola që pa kurrfarë pengesash të organizoj regjistrimin e barërave, gjeta distributerin dhe, nuk do të më besoni, zhvillova bisedën me partnerin shqiptar për ndërtimin e fabrikës së përbashkët të barërave në Tiranë. Me përshtypje të ngjashme nga Tirana është kthyer edhe naftëtari i parë i Serbisë, drejtori i NIS Dimitrije Vukçeviç: … Nuk mund të flas për hollësitë e vetë punës, por që të dihet më mirë rëndësia punës, të them se këmbimi tregtar i deritashëm vjetor ndërmjet Serbisë e Shqipërisë ishte ndërmjet 7 e 8 milionë dollarëve, kurse vetëm ai që kam kontraktuar, nëse realizohet, e nuk ka arsye të mos realizohet, do të kapë më shumë se 50 milionë dollarë. Kaq për fillim. Biznes konkret dhe partnerë afaristë konkretë ka gjetur në Tiranë edhe biznesmeni i Valevës, Vidoje Vujiç. … Për z. Vujiç, tregu shqiptar paraqet një sfidë të madhe. Jo vetëm pse Tirana është një kantier i madh ndërtimesh, por pse partnerët janë të gatshëm për investime të përbashkëta… Biznes të mirë ka bërë sidomos zëvendësdrejtori i përgjithshëm i “Simpos” së Vranjës, Serbolub Manasijeviç”. Sipas gazetës “Nedelni telegraf” të Beogradit, partneri i tij në Tiranë është një “…tregtar i madh që vetëm në Tiranë ka tri sallone për shitjen e mobilieve, kurse në gjithë Shqipërinë edhe 42 dyqane… Ky është rast për ne… Në qendër të Tiranës kemi parë një lokal shumë atraktiv. Fjala është për një objekt në tri nivele, me sipërfaqe 8 mijë metra katrorë… ky lokal nuk është kryer dhe duhet të investohen nga 100 euro për metër katror që të vihet në funksion. Këtë e kanë ofruar mikpritësit”, i ka thënë Vujiç “N. telegrafit”, kurse drejtori i Bankës Komerciale a.d. të Beogradit, Lubomir Mihailoviç ka sqaruar rolin e tij: “Detyra ime ka qenë të përgatis dhe të siguroj bashkëpunimin me bankat në Tiranë… Tashmë kemi vendosur bashkëpunim afarist me Bankën Kombëtare Tregtare, më të madhen në Shqipëri, pastaj me American Bank of Albania dhe me Bankën e Tiranës.
(E përgatiti: Zenun Çelaj)
Gazeta Tema (24 prill)
----------------------
Kjo eshte cmenduri!
Kjo eshte tradheti!
Kjo eshte shitje!
Krijoni Kontakt