Zvicra përfaqësohet në “Eurovision 2020” nga këngëtari shqiptar Gjon Muharremaj
Transmetuesi publik Zviceran SRF njoftoi sot se artisti Gjon’s Tears është zgjedhur të përfaqësojë shtetin helvetik në “Eurovision 2020” me këngën “Répondez-moi”. Ai do të performojnë në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj.
Gjon’s Tears, emri i vërtetë i të cilit është Gjon Muharremaj është këngëtar me prejardhje shqiptare. Babai i tij është nga Kosova, ndërsa mamaja e tij nga Shqipëria.
Kjo është hera e parë në historinë e shtetit zviceran në “Eurovision”, që përfaqësohet nga një këngëtar me prejardhje shqiptare.
Pas më shumë se 10 vjetësh, Zvicra ka zgjedhur një këngë franceze për konkursin e këngëve në “Eurovision”.
Muzikanti 21-vjeçar Gjon, me këngën e tij “Répondez-moi”, u zgjodh nga një panel i 100 anëtarëve të audiencës dhe një juri ndërkombëtare që përfshin 20 ekspertë të muzikës pasi paraqiti këngën e tij në një thirrje të hapur për hyrje në këtë garë. Paneli dhe juria secili mbartnin nga 50 për qind të vendimit, shkruan Eurovision.Tv.
Tema e këngës është shumë personale për këngëtarin shqiptar dhe është gjithashtu universale dhe flet për të gjithë. Gjon thotë për këngën e tij: “Të gjithë pyesin veten pse ne jemi saktësisht këtu, nga vijmë dhe ku po shkojmë. Këto janë pyetje kryesore, veçanërisht për njerëzit me prejardhje migrante. Prindërit e mi janë nga Shqipëria dhe Kosova. Jam rritur në Zvicër dhe është shtëpia ime, këto janë pyetje për të cilat mendoj shumë”.
Gjon’s Tears bashkë-shkroi këngën “Répondez-moi” me kantautorët Xavier Michel, Alizé Oswald dhe producentin Jeroen Swinnen si pjesë e një kampi të këngëtarëve në Zvicër. Kënga është përshkruar si kombinim i zërave, korëve dhe vargjeve të përziera me rrahje moderne që krijojnë një pamje të re dhe unike të tingullit.
https://telegrafi.com/zvicra-perfaqe...on-muharremaj/
Ruaj Lidhjet