13 të martet e shën Antonit
Populli ynë tashmë tradicionalisht e praktikon përshpirtërinë e 13 të marteve të shën Antonit të Padovës. Në qendër të vëmendjes është mesha e shenjtë, e me mundësi edhe rrëfimi dhe kungimi. Shumë besimtarë edhe agjërojnë këto 13 të marte para festës së shën Antonit, megjithëse ky agjërim nga ana e Kishës nuk është i detyrueshëm, por besimtarët e mbajnë vullnetarisht, sipas “njetit” (qëllimit) të vet personal qoftë për vetvete, qoftë për të tjerët që kanë nevojë për lutjet dhe sakrificat e tyre. Kjo përshpirtëri ka dhënë fryte shumë të mira dhe dobi aq të madhe shpirtërore dhe fizike besimtarëve që e kanë praktikuar, saqë shumica nuk pyesin as pse shën Antonit i është kushtuar dita e martë, as pse pikërisht 13 të marte. Megjithatë mirë është të dimë të paktën shkasin e këtij përcaktimi. Në fakt, shën Antoni vdiq ditën e premte, më 13 qershor 1231. Ai, i sëmurë fort nga hidropizia, gjendej për shërim në Camposampiero. Pasi u bind se s'ka shërim dhe se iu afrua vdekja, e shprehi dëshirën që të vdiste në Padovë, ku ka kaluar një pjesë të bukur të jetës së vet. Mirëpo, para se arritën në Padovë, i shenjti vdiq në Arcella. Ende pa u shpallur lajmi për vdekjen e tij, fëmijët spontanisht dolën nëpër rrugët e qytetit duke bërtitur: “Vdiq i Shenjti, vdiq shën Antoni!” Kuptohet se qytetarët e Arcellës dëshironin që ta varrosnin në vend të vet, atje ku i shenjti vdiq, por Padova si qytet dhe ipeshkvi i Padovës si autoritet kishtar duke marrë parasysh edhe dëshirën e shën Antonit që të vdiste në Padovë arritën që ai të varroset në kishën e Shën Marisë, Nënës së Zotit, në Padovë. Derisa qytetet u morën vesh, e derisa u mundësua transporti i trupit të vdekur të shën Antonit kaluan disa ditë! Prandaj shën Antoni u varros në Padovë të martën, më 17 qershor 1231.
Posa i shenjti u varros në kishën e Shën Marisë, në varrin e tij filluan të ndodhin shumë mrekulli. Ai bënte mrekulli edhe gjatë jetës së vet tokësore, por tani, pas vdekjes, mrekullitë u bënë shumë më të shpeshta dhe më të mëdha, kështu që papa Gregori IX e ndërpreu procesin e zakonshëm të beatifikimit të tij dhe menjëherë vitin e ardhshëm (më 1232) e shpalli të shenjtë. Festën e tij festojmë çdo vit ditën e vdekjes së tij, më 13 qershor. Shën Antoni gjatë shumë shekujve nderohej kryesisht si mrekullibërës megjithëse ai ishte edhe teolog i madh. Prandaj nuk studiohej aq shumë mësimi i tij i lartë dhe i thellë, sa fuqia e ndërmjetësimit të tij tek i madhi Zot për çfarëdo nevoje. Vetëm shumë vonë, në vitin 1946, papa Pio XII e ka shpallur Mësues të Kishës universale titull që e meritonte që prej fillimit. Pra, pasi ky i shenjt i madh vdiq më 13 qershor 1231, numri 13 është marrë si numri simbolik i tij. E pasi ditën e martë u bë varrimi i tij dhe filluan shërime të mrekullueshme në varrin e tij dita e martë në çdo javë iu kushtua shën Antonit, e sidomos 13 të marte para festës së tij. Prandaj, besimtarët bëjnë mirë se e nderojnë Zotin dhe shërbëtorin e tij të mrekullueshëm me përshpirtërinë e 13 të marteve të shën Antonit.
Krijoni Kontakt