Qerbelaja: një vështrim historik
Dr. Ibrahim Ajati
Përmbajtja:
- Regjimi i Muavijes
- Sundimi i Jezidit
- Letrat e banorëve të Kufes për Imam Husejnin
- Shkuarja e Muslim ibn Akilit në Kufe
- Vrasja e Muslim ibn Akilit
- Muhammed ibn Hanefijje
- Shkaqet e kryengritjes së Imam Husejnit
- Marrëveshja për paqe e Imam Hasanit
- Kush ishte Jezidi?
- Përse Imam Husejni nuk e njohu Jezidin si Kalif?
- Shkaqet kryesore të kryengritjes së Imam Husejnit
- Nisja e Imam Husejnit nga Medineja
Tema e këtij libri është kryengritja e shenjtë e Imam Husejnit, njëri nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së Islamit. Para se të fillojmë me përshkrimin e kësaj ngjarjeje, do të bëjmë një shpjegim të shkurtër të ndodhive të rëndësishme të asaj periudhe njëvjeçare, e cila ndonse tejet e kufizuar në aspektin kohor, ka patur një ndikim të përjetshëm dhe jashtëzakonisht të madh në histori.
Modifikime të ndryshme i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen çdo kapitulli të historisë së Islamit dhe të historisë në përgjithësi. Këto dëmtime e ndryshojnë formën e ngjarjeve dhe e bëjnë të vështirë detyrën e hulumtuesit. Kryesisht, ndryshimet dhe dëmtimet e tilla bëhen ose nga simpatizantë fanatikë ose nga armiq të përbetuar të një personi ose të një kauze. S’ka asnjë faqe të historisë së Islamit, e cila i ka shpëtuar dëmtimit. Ajo që mund të shohim është se shumë duar dashakeqe i kanë ndryshuar tiparet e vërteta të fakteve historike.
Megjithatë, mund të thuhet se kryengritja e Imam Husejnit ka qenë e mbrojtur nga dëmtimet e tilla dhe ka qenë aq e qartë, e kuptueshme, e shenjtë dhe e padëmtueshme, sa as edhe vetë armiqtë e Imam Aliut dhe të Imam Hasanit nuk kanë mundur të bëjnë tjetër veçse të përkulen para kësaj ngjarjeje me respektin e tyre më të madh. Rrethanat në të cilat u zhvillua kjo ngjarje dhe qeverisja e asaj periudhe ndihmojnë mjaft në të kuptuarit e nevojës së kësaj lëvizjeje. Gjithkush që ka shkruar për të, e ka pranuar madhështinë, guximin, sinqeritetin dhe dashurinë për liri të prijësit të saj.
Megjithatë, është tejet e dhimbshme që shumë tregime vulgare dhe gënjeshtra të ndryshme janë bërë pjesë e rrëfimeve të kësaj ngjarjeje nga shumë përkrahës injorantë dhe simpatizues fanatikë të Imam Husejnit. Njëri nga shërbimet më të mëdha që mund t’i bëhet “Prijësit të Dëshmorëve” (Imam Husejnit) është që ngjarja e Qerbelasë të ruhet nga gënjeshtrat, nga mitet dhe nga fjalët e pabaza. Megjithatë, kjo është një detyrë, të cilën nuk mund të pritet ta bëjnë njerëzit e rëndomtë dhe të pashkolluar. Njerëzit e tillë e dëmtojnë lëvizjen e këtij Imami, duke menduar se e vërteta mund të promovohet nëpërmjet gënjeshtrave dhe miteve.
Mbrojtja e lëvizjes së Imam Husejnit nga të gjitha dëmtimet e mundshme dhe kënaqja me shkrimet e autorëve të shekullit të tretë dhe të katërt është detyrë e dijetarëve të virtytshëm, të cilët nëpërmjet fjalëve dhe pendës së tyre mund ta promovojnë të vërtetën dhe t’i eliminojnë ndryshimet dhe dëmtimet e ndryshme. Është e mundur që një ditë, ky kapitull i shenjtë dhe i qartë i historisë së Islamit, i denjë për madhështinë e prijësit të kësaj lëvizjeje, të shkruhet dhe të shpjegohet vetëm duke u mbështetur në të vërtetën. Vetëm në këtë mënyrë, vlerat e kësaj lëvizjeje dhe madhështia e prijësit të saj do të dalin në dritë.
1. Regjimi i Muavijes
Pesëdhjetë vite pas vdekjes së Profetit të Shenjtë, njëzet vite pas rënies dëshmor të Imam Aliut dhe dhjetë vite pas vrasjes së Imam Hasanit, Muavije ibn Ebu Sufjani vdiq në mes të muajit Rexheb të vitit 60 pas Hixhrit. Ai kishte qenë guvernator dhe Kalif në Damask për 42 vite me rradhë. Ai e kishte mbajtur postin e guvernatorit të Sirisë për pesë vite gjatë sundimit të Kalifit të dytë dhe dymbëdhjetë vite gjatë sundimit të Kalifit të tretë. Ai mbeti sundues i Sirisë edhe për më pak se pesë vite të Kalifatit të Imam Aliut dhe gjatë gjashtë muajve të Kalifatit të Imam Hasanit, duke luftuar kundër të dyve. Pas kësaj, ai e mbajti postin e Kalifit të muslimanëve për njëzet vite me rradhë dhe kur tashmë i afrohej vdekjes dalngadalë, e siguroi bindjen e popullit ndaj të birit Jezidit, si Kalif të rradhës.
Muavije ishte nismëtari i dinastisë umajjade me katërmbëdhjetë sundues që do të vinin njëri pas tjetrit dhe që ishin pasardhës të Ebu Sufjanit ose të Mervanit. Sundimi i tyre do të zgjaste rreth njëmijë muaj, nga viti 41 deri në vitin 132 pas Hixhrit.
Gjatë Kalifatit të tij, Muavije kishte një sundim dhe kontroll absolut mbi shtetin. Kjo i lejonte që lirisht të mund ta zhvleftësonte marrëveshjen që kishte me Imam Hasanin, një kusht i të cilës ishte që ndjekësit e Aliut të mos përndiqeshin dhe të ishin të sigurt.
Emri i Huxhr bin Adi el-Kindiut, i cili ishte njëri nga shokët (sahabet) e Profetit dhe përkrahës i Imam Aliut, është përmendur në veçanti në marrëveshjen e tyre. Megjithatë, siç kanë shkruar unanimisht historianët muslimanë, Muavije e vrau Huxhr bin Adiun dhe gjashtë miqtë e tij, ndër të cilët Abdurrahman bin Hannan Ghazniu u varros i gjallë nga ana e Zijad ibn Abihut në Irak. Fuqia dhe dominimi i Muavijes kishte arritur nivele të tilla sa ai ishte i lirë të bënte ç’të kishte dëshirë, pa u mërzitur se dikush do të mund ta kundërshtonte.
Ali ibn Husejn Mesudiu, njëri nga historianët dhe gjeografët më të mëdhenj muslimanë të shekullit të katërt, në librin e tij “Muruxhu’dh-Dheheb”, shkruan:
Gjatë kohës pas betejës së Siffinit, një qytetar i Kufes shkoi në Damask, i hipur mbi devenë e tij. Njëri nga sirianët filloi të zihej me të dhe i tha: “Kjo deve femër është e imja. Ajo u morr si pre lufte në Siffin dhe ty të ka rënë si hise.” Ky diskutim i tyre u zgjat dhe që të dy shkuan tek Muavijeja. Njeriu prej Damasku solli pesëdhjetë dëshmitarë, të cilët betoheshin se deveja i takonte atij. Duke u mbështetur në numrin e madh të dëshmitarëve, Muavije vendosi se burrit prej Damasku i takonte kjo deve femër. Njeriut nga Kufeja ia morën me devenë. Më në fund, ai u tha: “Por e keni gabim. Nuk është femër. Është një deve mashkull.” Përgjigja e Muavijes ishte: “Unë kam marrë një vendim tashmë dhe kjo nuk do të ndryshojë.” Kur njerëzit u shpërndanë, Muavije e thirri njeriun nga Kufeja dhe e pyeti për çmimin e devesë. Më pas i dha pak më tepër se çmimi normal dhe i tha: “Shko thuaji Aliut se për të luftuar kundër tij, unë kam 100,000 vetë që s’bëjnë dallim ndërmjet një deveje femër dhe një deveje mashkull” (dmth. po t’u them se është femër ose mashkull, asnjëri nuk kundërshton dot).
Pas përcjelljes së këtij rrëfimi, Mesudiu shkruan se Muavije pati një kontroll aq të fuqishëm mbi pushtetin, sa para nisjes për në betejën e Siffinit, i mblodhi njerëzit dhe e fali namazin e Xhumasë me ta, ndonse ishte e mërkurë. Edhe përkundër kësaj, askush nuk kundërshtoi dhe nuk pyeti përse bëhej diçka e tillë.
Më pas, Mesudiu ka përcjellur një ndodhi tjetër, të cilën po e përcjellim në hollësi nga vepra “En-nesajah el-kafija li mun jetevelle Muavija”:
Ammar bin Jasiri u vra në betejën e Siffinit, nga ana e ushtarëve të Muavijes. Siç përcjell Buhariu në Sahihun e tij, Ammari kishte punuar më tepër se të tjerët gjatë ndërtimit të Xhamisë së Profetit në Medine. Profeti e pati vërejtur këtë dhe i tha: “Mjerë Ammari! Një grup i devijuar ka për ta vrarë, ndërkohë që ai do t’i ftojë drejt Parajsës kurse ata do ta ftojnë drejt zjarrit.” Vrasja e Ammarit vërtetoi se në cilën anë ishte e vërteta dhe u vendos se grupi i devijuar ishte ushtria e Muavijes. Për të shpëtuar nga kjo pozitë e vështirë, Muavije tha: “Ne nuk e vramë Ammarin. Ai u vra nga personi, i cili e solli në fushëbetejë (dmth. nga Aliu).” Kur Imam Aliu u informua në lidhje me këto fjalë, ai u përgjigj: “Në është ashtu, atëherë Hamzën, Prijësin e Dëshmorëve, e vrau vetë Profeti, sepse ishte pikërisht ai që e solli në luftë kundër idhujtarëve.”
Megjithatë, ngase Muavije ishte i sigurt se miqtë e tij do të pranonin çdo fjalë që do të thoshte, ai vazhdoi: “Është e vërtetë se ne e vramë Ammarin por fjala “baghija” e përdorur nga Profeti s’do të thotë i devijuar ose i padrejtë. Përkundrazi, kjo fjalë përdoret për atë që kërkon diçka dhe ne jemi pikërisht ata që kërkojnë hakmarrje për vrasjen e Osmanit. Andaj, kuptimi i thënies së Profetit është se Ammari do të vritej nga ata që do të kërkojnë hakmarrje për vrasjen e Osmanit. Në gjithë këtë s’ka asgjë të keqe.”
Ky argument i Muavijes ishte absurd sepse vazhdimi i atij hadithi të Profetit ishte një përgjigje për fjalët e tija. Profeti kishte thënë se Ammari do të vritej nga njerëz, të cilët ai do t’i ftonte drejt Parajsës, ndërkohë që ata do ta ftonin drejt Zjarrit. Megjithatë, Muavije ishte bërë aq i fuqishëm dhe dominues mbi popullin, sa ndjekësit e tij nuk mund të bindeshin nga asnjë argument i arsyeshëm.
Qëllimi ynë nuk është hulumtimi i periudhës së Muavijes. Përshkrimi i shkurtër, i dhënë më sipër, shërben vetëm sa për t’ia tërhequr vërejtjen lexuesit drejt kushteve sociale dhe fetare të asaj kohe.
2. Sundimi i Jezidit
Kur Jezidi erdhi në fron, guvernatorët e Medines, Mekkes, Kufes dhe Basrës ishin Velid bin Utbe bin Ebu Sufjani, Amr bin Saidi, Nuaman bin Beshiri dhe Ubejdullah ibn Zijadi respektivisht. Në fillim, Jezidi kërkoi të merrte betim për besnikëri nga Husejn ibn Aliu, Abdullah ibn Zubejri dhe Abdullah ibn Umari, të cilët nuk e kishin njohur si trashëgimtar të fronit që në të gjallë të Muavijes.
Me këtë qëllim, ai i shkroi një letër Velid bin Utbes, guvernatorit të atëhershëm të Medines, dhe i kërkoi që sa më parë, të kërkonte betim besnikërie nga këta tre vetë, pa pranuar kurrfarë arsyetimi. Për ta kryer këtë detyrë, Velidi e thirri Mervan bin Hakemin për t’u këshilluar me të, ndonse deri atëherë kishin patur marrëdhënie të tensionuara me njëri-tjetrin. Mervani i tha:
“Mblidhi menjëherë dhe kërkoju atyre që t’ia shprehin besnikërinë Jezidit! Nëse pajtohen, bukur e mirë. Por nëse jo, atëherë ekzekutoji para se të kuptojnë se Muavije ka vdekur, sepse sapo ta kuptojnë këtë gjë, secili do të bëhet një pretendues për Kalifatin dhe nuk do të pranojë të bindet, përveç Abdullah ibn Umarit, prej të cilit s’kemi pse druhemi. Ai nuk është një njeri që mund të kryengritet ose të kundërshtojë.”
Velidi e dërgoi Abdullah bin Amr bin Osmanin tek Imam Husejni dhe tek Abdullah ibn Zubejri. Ky i fundit, i gjeti që të dy në xhami dhe ua përcolli porosinë e Velidit. Ata iu përgjigjën duke i thënë se do të takoheshin së shpejti me të. Më pas, Imami i tha Abdullahut:
“E kam përshtypjen se Muavijeja ka vdekur dhe se arsyeja e kësaj thirrjeje të pakohë, është që ne t’i bindemi Jezidit për besnikëri.”
Imam Husejni mblodhi një grup nga njerëzit e tij dhe u kërkoi të armatoseshin. Ai u tha:
“Velidi më ftoi pak më parë dhe mendoj se do të më kërkojë diçka të cilën nuk mund ta pranoj kurrë. Në rrethana të tilla, nuk mund t’i besoj atij. Andaj, ju duhet të vini me mua dhe kur të hyj në shtëpinë e tij, të prisni jashtë. Nëse më dëgjoni duke folur me zë të lartë, atëherë hyni në shtëpi dhe më mbroni!”
Imami shkoi për t’u takuar me Velidin dhe pa se edhe Mervani ishte atje. Velidi e informoi për vdekjen e Muavijes dhe ia përcolli urdhrin e Jezidit. Imam Husejni u përgjigj:
“Ju me siguri nuk do të kënaqeni nëse unë ia shpreh bindjen fshehurazi Jezidit dhe do të kërkoni që këtë ta bëj para popullit.” Velidi iu përgjigj pozitivisht. Më pas, Imami tha: “Atëherë më prisni deri nesër, që unë të mund të marr një vendim në lidhje me këtë gjë.” Velidi u pajtua me këtë dhe i tha se do t’i lejonte të largohej, që të mundej nesër ta shprehte besnikërinë e tij bashkë me të tjerët. Atëherë Mervani ndërhyri dhe tha: “Betohem në Zotin se nëse Husejn bin Aliu largohet tani pa u betuar, kurrë s’ke për t’i marrë një premtim të tillë pa ia derdhur gjakun. Andaj burgose tani dhe mbaje derisa t’ia shprehë bindjen Jezidit dhe nëse nuk pranon, preja kokën!”
Me ta dëgjuar këtë, Imami u ngrit në këmbë dhe tha:
“O i poshtër! Mos vallë ti mund të më vrasësh ose Velidi? Betohem në Zotin se thua veç gënjeshtra dhe je mëkatar!” 1
Pas kësaj, Imami u ngrit dhe shkoi në shtëpinë e tij bashkë me njerëzit që e kishin shoqëruar. Mervani i tha Velidit:
“Sa keq që s’e dëgjove këshillën time! Tani kurrë më s’do të arrish ta prekësh atë.” Velidi ia ktheu: “Ç’po thua o Mervan? Ti më kërkon një gjë që do të ma shkatërrojë besimin. Për Zotin, edhe sikur gjithë pasuria e botës të më jepej mua, s’do ta vrisja Husejn ibn Aliun. A duhet ta vras vetëm ngase s’i bindet Jezidit? Për Zotin, gjithkush që ia derdh gjakun Husejnit, nipit të Profetit, do të jetë fatkeq dhe i pashpresë para Zotit në Ditën e Gjykimit.” Mervanit nuk i pëlqyen fjalët e Velidit dhe ia preu shkurt: “Atëherë bëj si të duash!”
Ditën e ardhshme, më 28 Rexheb të vitit 60 pas Hixhrit, Velidi e ftoi sërish Imamin që t’ia shprehte bindjen Jezidit. Megjithatë, Imami i kërkoi sërish kohë lajmëtarit të Velidit, duke i thënë se do të mendohej edhe atë natë. Gjatë natës, bashkë me gratë, vëllezërit dhe pjesën më të madhe të familjes të tij, Imam Husejni u nis nga Medineja drejt Mekkes, duke i përmendur gjithë kohës fjalët e Profetit Musa:
Dhe u largua nga qyteti, plot kujdes dhe frikë, duke thënë: “Zoti im! Më mbro kundër mizorëve!” (Kur’an 28:21)
Kur iu tha Imam Husejnit se do të ishte më mirë që të shkonte përgjatë ndonjë rruge tjetër dytësore që të mos e ndiqnin armiqtë, ai u përgjigj: “Për Zotin s’kam për të shkuar rrugëve të fshehta. Le të ndodhë ajo që ka dashur Zoti!” Më në fund, Imami arriti në Mekke të premten, natën e tretë të muajit Sha’ban. Duke e kujtuar tregimin e Profetit Musa, ai e recitoi vargun:
Dhe kur u nis drejt Midianit, ai tha: “Mbase Zoti im ka për të ma treguar rrugën e drejtë.” (Kur’an 28:22)
Pelegrinët e ardhur në Mekke e vizitonin vazhdimisht Imamin. Edhe Abdullah ibn Zubejri, i cili e dinte se askush nuk do t’i bindej dikujt tjetër derisa ishte i pranishëm nipi i Profetit, vinte për ta vizituar përditë.
Lajmi i vdekjes së Muavijes u përhap nëpër Irak dhe njerëzit e kuptuan se Imam Husejni dhe Abdullah ibn Zubejri nuk kishin pranuar t’ia shprehnin besnikërinë Jezidit, duke u larguar më pas drejt Mekkes.
Përkrahësit e zgjedhur të Imam Aliut në Kufe u mblodhën në shtëpinë e Sulejman bin Surd Khuzaiut dhe e falënderuan Zotin për vdekjen e Muavijes. Sulejman bin Surdi më pas u tha:
“Muavije është larguar nga kjo botë dhe Husejn bin Aliu nuk ka pranuar t’ia shprehë besnikërinë Jezidit, duke shkuar menjëherë drejt Mekkes. Ju jeni përkrahës të Husejnit, njësoj siç keni qenë përkrahës të babait të tij Aliut. Nëse mendoni se jeni të gatshëm ta ndihmoni dhe të luftoni kundër armiqve të tij, nëse mendoni se mund ta jepni jetën tuaj për të, atëherë lajmërojeni për këtë gjë. Por nëse dyshoni se mund ta bëni këtë, atëherë mos e mashtroni me pretendime të kota se jeni përkrahës dhe ndjekës të Husejnit.”
Kur Sulejman bin Surdi i thoshte këto fjalë, ai e kishte parasysh se derisa nuk u kërkohej të bënin ndonjë sakrificë të madhe, njerëzit ishin të aftë të bënin dallim ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës. Ata kuptonin qartë se kush ishte në rrugë të drejtë dhe kush ishte gënjeshtar, ku fshihej e vërteta dhe ku ishte gënjeshtra. Ata e dinin mirë se ku ishte urtësia dhe dituria dhe ku ishte injoranca. Megjithatë, njerëzit janë kaq të mprehtë vetëm derisa nuk ekziston pyetja e fitimit dhe humbjes dhe derisa janë të sigurt se nuk kanë për të pësuar humbje gjatë luftës së tyre me padrejtësinë. Por kur kjo siguri të humbet dhe e vërteta dhe gënjeshtra të qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, pjesa më e madhe e njerëzve rradhitet në anën e gënjeshtrës. Ngase e vërteta nuk mund të përkrahet pa bërë sakrificë, shumica e njerëzve ndahen prej saj dhe marrin pjesë në anën e gënjeshtrës dhe të padrejtësisë.
Sulejman bin Surdi e dinte se nuk mund të mbështetej tek ndjenjat e njerëzve të asaj kohe. Mund të ngjante që Husejn ibn Aliu të rebelohej kundër fisit Umejje dhe këta të fundit ta kundërshtonin atë me gjithë fuqinë e tyre. Në një rast të tillë, ngase të ndihmuarit e Husejnit do të ishte një gjë e rrezikshme, shumë njerëz do të distancoheshin prej tij, do t’i shpërfillnin letrat e dërguara, do t’ia mbyllnin derën dhe madje do t’u bashkangjiteshin armiqve të tij. Ata madje mund ta shihnin si një detyrë fetare vrasjen e tij, me të cilën do ta fitonin kënaqësinë e Zotit dhe të Profetit. Dhe më pas, pikërisht këta njerëz do të bërtisnin se “s’ka zot tjetër veç Zotit dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij”, sikur të mos kishin kryer kurrfarë mëkati. Pikërisht për këtë arsye, ai u shpjegoi njerëzve me kujdes dhe u tha: “Tani duhet të mendoheni mirë dhe ta imagjinoni gjendjen që mund të shkaktohet. Pastaj vendosni a mund t’i premtoni përkrahje dhe ta ftoni drejt Irakut me besim dhe vendosmëri të përsosur. Të mos ndodhë që sot, me ndjenjat tuaja t’i shkruani letra, t’i jepni premtime dhe nesër, kur armiqtë ta kenë rrethuar dhe t’i kenë vënë kusht ta pranojë bindjen ndaj Jezidit ose të vdesë, ju ta lini vetëm dhe ta harroni premtimin e dhënë.”
Që të gjithë njerëzit e mbledhur iu përgjigjën njëzëri se ishin të gatshëm për të bërë xhihad, për të sakrifikuar dhe për ta dhënë jetën për hir të Imamit. Më pas, Sulejmani tha: “Atëherë dërgojini letra!” Pas kësaj, ata shkruan:
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!
Kjo letër është nga Sulejman bin Surdi, Musajjab bin Nexhbahu, Rafa bin Shaddad Bexhaliu, Habib bin Mezahiri dhe nga muslimanë të tjerë të Kufes, pëkrahës të Husejn ibn Aliut. Kjo letër i drejtohet Husejn ibn Aliut:
Paqja qoftë mbi ty! Ne të bashkangjitemi në të lëvduarit e Zotit, përveç të cilit s’ka zot tjetër! I lëvduar është Zoti, i cili e ka shkatërruar armikun tënd shtypës, njeriun që e shtypi këtë popull, i mori në mënyrë të palejuar frerët e pushtetit, e uzurpoi pasurinë e muslimanëve dhe u bë sundues i tyre pa dëshiruar ata një gjë të tillë. Ai pastaj vrau njerëz të virtytshëm dhe i la gjallë të ligët, duke ua dhënë shtypësve dhe të pasurve pasurinë e Zotit. Zoti e largoftë nga mëshira e Tij, njësoj siç i largoi njerëzit e Themudit!
Ne, njerëzit e Irakut, nuk kemi ndonjë udhëheqës dhe Imam. Andaj, të kërkojmë ty që të vish tek ne. Mbase Zoti i Gjithëfuqishëm do të na udhëzojë drejt të vërtetës nëpërmjet teje. Ne s’kemi lidhje me Nuaman ibn Beshirin, kur bëhet fjalë për namazin e Xhumasë dhe të Bajramit. Ai është i vetëm në pallatin e guvernatorit. Nëse nisesh për t’u bashkuar me ne, atëherë do ta nxjerrim që atje dhe në dashtë Zoti, do ta përzëmë deri në Siri.
Këtë letër e dërguan nëpërmjet Abdullah bin Suba Hamedaniut dhe Abdullah bin Valit, të cilëve u kërkuan që menjeherë të niseshin drejt Mekkes. Në ditën e dhjetë të Ramazanit të vitit 60, ata arritën në Mekke tek Imam Husejni dhe ia dorëzuan letrën.
1: (shënim i përkthyesit) Sipas versionit të përcjellë në vëllimin e tretë të veprës “Imam Husejni dhe Qerbelaja” të Murteza Mutahhariut, fjalët e Imamit në këtë rast ishin: “Ti je më i vogël se këto fjalë që i thua.”
3. Letrat e banorëve të Kufes për Imam Husejnin
Pas dy ditësh, banorët e Kufes dërguan rreth 150 letra, secila prej të cilave ishte nga një, dy ose katër vetë. Shumë nga këto letra u sollën nga Kufeja në Mekke nëpërmjet Kajs bin Mashar Saidaviut, Abdurrahman bin Abdullah bin Shaddadit dhe Ammare bin Abdullah Saluliut. Edhe dy ditë të tjera kaluan dhe banorët e Kufes i dërguan Imamit edhe një letër tjetër nëpërmjet Hani bin Hani Sabiiut dhe Said bin Abdullah Hanefiut. Përmbajtja e këtyre letrave ishte si vijon:
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!
Kjo letër është për Husejn ibn Aliun nga përkrahësit e tij muslimanë dhe besnikë. Shpejto sepse njerëzit të presin dhe nuk e presin askë tjetër. Shpejto! Shpejto! Paqja qoftë mbi ty!
Pas kësaj, Shabath bin Rabia, Haxhar bin Abxhar, Jezid bin Harith, Urva bin Kajs, Amr bin Haxhaxh Zubejd dhe Muhammed bin Amr Tajmiu ia shkruan letrën në vijim:
“Kopshtet dhe shkretëtirat janë gjelbëruar dhe frytet janë pjekur. Eja këndej kur të duash! Ushtarët e tu prej Iraku janë të gatshëm për të të pritur. Paqja qoftë mbi ty!”
Letrat e drejtuara Imamit u mblodhën në Mekke, bashkë me lajmëtarët e popullit të Kufes. Imam Husejni ua dërgoi përgjigjen në vijim:
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!
Nga Husejn ibn Aliu, besimtarëve dhe muslimanëve të Irakut:
Haniu dhe Saidi, lajmëtarët tuaj më të fundit, i sollën letrat tuaja. Unë i lexova ato dhe jam menduar në lidhje me fjalët tuaja. Ju keni shkruar se nuk keni një Imam dhe më keni kërkuar të vij tek ju, me shpresën se Zoti do t’ju udhëzojë nëpërmjet meje. Unë po jua dërgoj kushëririn tim Muslim ibn Akilin, tek i cili kam besim të plotë. Nëse ai më shkruan se pleqësia dhe të urtit e vendit tuaj i konfirmojnë fjalët e lajmëtarëve dhe gjërat që i thoni në letrat tuaja, atëherë unë do të vij së shpejti drejt juve. Betohem në jetën time se Imam i vërtetë është vetëm ai që merr vendime sipas Kur’anit, që vepron me drejtësi, e përhap fenë e Zotit dhe i dedikohet rrugës së Tij. Paqja qoftë mbi ju!
Këtë letër, Imami e dërgoi nëpërmjet Haniut dhe Saidit. Më pas, i urdhëroi Muslim ibn Akilit të nisej drejt Irakut bashkë me Kajs bin Mash’ar Saidaviun, Ammare bin Abdullah Saluliun dhe Abdurrahman bin Abdullah Araxhiun. Ai i këshilloi që të ishin të virtytshëm, ta ruanin fshehtësinë e misionit të tyre, të ishin modestë në të vepruar dhe ta lajmëronin menjëherë atë vetë, në rast se populli i Kufes vërtet ishte i gatshëm për ta përkrahur një kryengritje të tillë.
Vazhdon...
Krijoni Kontakt