Lirimi nga detyra i guvernatorëve të Osmanit
Kur Aliu e mori në duar qeverisjen, guvernatorët dhe tatim-mbledhësit e Osmanit po e plaçkisnin popullit, pa frikën se mund t’u kërkohej llogari nga pushteti qendror. Dekreti i parë i Aliut ishte në lidhje me lirimin e tyre nga detyra.
Mughire bin Shaaba ishte njëri nga shokët e Profetit (sahabet). Umari e kishte emëruar për guvernator të Kufes por Osmani e kishte liruar nga detyra. Ai nuk ia kishte shprehur besnikërinë Aliut por e këshilloi atë që të mos ndërmerrte ndryshime radikale në politikë dhe në rradhët e qeveritarëve. Ai thoshte se sikur guvernatorët e emëruar nga Osmani të mos e pranonin Kalifatin e tij, Aliu kurrë nuk do të mundej t’i largonte nga detyra. Ai e paralajmëroi Aliun se sikur t’i lironte nga detyra para se ta përforconte njëherë pushtetin e tij, guvernatorët do të rebeloheshin.
Edhe kushëriri i parë i Aliut, Ibn Abbasi, e këshilloi për të njejtën gjë. Sipas tij, Aliu duhej të ishte i kujdesshëm.
Por një këshillë e tillë ishte e papranueshme për Aliun. Ai besonte se ishte përgjegjës ndaj Zotit për të gjitha veprimet e tija dhe si pasojë, nuk mund të lejonte që njerëz të pavlerë dhe të korruptuar t’i sundonin muslimanët. Në të vërtetë, ai e mbante veten përgjegjës jo vetëm për veprat e tija, por edhe për veprimet e guvernatorëve të tij. Andaj, ai i refuzoi këto këshilla, duke u mbështetur në Zotin dhe duke qenë i bindur se e bënte atë që ishte e drejtë.
Disa njerëz kanë thënë se sikur Aliu të mos i lironte nga detyra guvernatorët e Osmanit, ata nuk do të rebeloheshin kundër tij. Por ky mendim është tejet naiv. Guvernatorët e Osmanit do ta sfidonin domosdo Aliun, pavarësisht si do të vepronte Aliu. Ata ishin armiqtë e tij të vjetër:
Në vijim, do të japim disa arsye përse Aliu i liroi nga detyra guvernatorët e Osmanit:
1. Qëllimi i Aliut ishte ringjallja e qeverisjes së Muhammedit dhe përforcimi i sistemit islam. Për ta bërë këtë, ai duhej ta “pastronte” qeverisjen e trashëguar nga Osmani, duke e shpëtuar fillimisht nga kthetrat e umajjadëve. Në vend të tyre, ai emëroi njerëz që i druheshin Zotit dhe që besonin sinqerisht se mbanin përgjegësi para Tij në gjithçka që bënin.
2. Muslimanët i kishin kërkuar Osmanit që t’i largonte guvernatorët e tij të korruptuar dhe në vend të tyre, të emëronte njerëz të virtytshëm. Por Osmani u bë i shurdhër përballë kërkesave të tyre dhe ata ndërmorrën hapa drastike për ndërrimin e guvernatorëve. Sikur Aliu të bënte manovra të ngjashme me Osmanin, edhe qeverisja etij do të përfundonte njësoj si ajo e Osmanit.
3. Po të mos i lironte nga detyra guvernatorët e Osmanit, Aliu do të vinte në pozitën e bashkëpunëtorit në bëmat e tyre.
4. Muavije nuk ishte i kënaqur thjesht me sundimin e Sirisë. Ai dëshironte ta sundonte gjithë perandorinë dhe të bëhej Kalif i muslimanëve. Kur vërejti se Osmani i kishte krijuar shumë armiq vetes, ai provoi të përfitonte nga rasti. I sugjeroi Osmanit që të largohej nga Medineja dhe të shkonte bashkë me të në Siri, ku e siguroi se do të mund të jetonte i sigurt, ndërkohë që në kryeqytetin e tij (në Medine), mund të vritej çdo çast. Po të shkonte në Damask, Osmani do të bëhej një “kukull” e Muavijes. Muavije do ta merrte në duar gjithë pushtetin e Osmanit dhe do të ishte Kalifi de facto i muslimanëve. Por Osmani nuk shkoi në Siri dhe strategjia e Muavijes nuk funksionoi. Kur Osmani u vra më pas, ai filloi një ekspeditë kundër Aliut, me pretekstin se po kërkonte hakmarrje për gjakun e Osmanit. Përballë Muavijes, Aliu s’kishte mundësi tjetër veçse ta lironte nga detyra.
5. Osmani nuk i kishte emëruar guvernatorët e tij sipas aftësive ose sipas vullnetit të tyre për t’u shërbyer muslimanëve. Ai emëroi njerëz për guvernatorë vetëm ngase ishin të afërt me të. Sipas Aliut, ky ishte një diskriminim i atyre që ishin të kualifikuar për të qenë guvernatorë, duke u mbështetur në aftësitë e tyre, në virtytet dhe në shërbimet e bëra për Islamin. Për këtë arsye, ai i liroi nga detyra guvernatorët e Osmanit.
6. Osmani i kishte emëruar vetëm pjesëtarët e familjes së tij si guvernatorë të provincave. Të gjithë guvernatorët kishin njerëz dhe materiale të mjaftueshme për luftë. Osmani ishte në gjendje rrethimi në pallatin e tij për 49 ditë. Ai u dërgoi shumë thirrje ndihme atyre, por asnjëri nuk erdhi për ta shpëtuar. Më në fund, Osmani u vra. Nëse këta njerëz ishin të gatshëm ta linin në baltë personin që ua kishte falur atë pozitë, si mundej Aliu të mbështetej në ta?
Njëfarë Ebu Tufajl Kinaniu, një banor i Medines, një ditë shkoi në Damask për t’u takuar me Muavijen. Kur erdhën ballë për ballë, dialogu në vijim u zhvillua mes tyre:
Muavije: Ku ishe kur u vra Osmani?
Kinaniu: Isha në Medine.
Muavije: A bëre diçka për t’ia shpëtuar jetën nga armiqtë?
Kinaniu: Jo!
Muavije: Përse jo? E dije se ishte detyra jote të bëjë ç’mos për ta shpëtuar.
Kinaniu: Mbase ishte. Por e njejta gjë që s’të lejoi ty të vije për t’ia shpëtuar jetën, s’më lejoi edhe mua ta bëja të njejtën.
Guvernatorët e ri
Në muajin Muharrem të vitit 36 pas Hixhrit, Aliu i emëroi guvernatorët në vijim:
1. Kajs ibn Saad Ensari, guvernatori i Egjiptit
Kajsi hyri në Egjipt pa u përballur me rezistencë dhe e mori kontrollin e qeverisjes. Në Egjipt, ai i gjeti muslimanët të ndarë në tre grupe. Njëri grup ishin përkrahësit e tij, tjetri ishte grupi i kundërshtarëve të tij (dmth. i pëkrahësve të Osmanit) dhe i treti ishte grupi i të pavendosurve. Kajsi vendosi që të mos i ngacmonte dy grupet e fundit dhe u përqëndrua vetëm në administrimin sa më cilësor të provincës. Përnga pamja fizike, Kajsi ishte njeriu më mbresëlënës në Medine. Ishte shtatlartë, me trup të zhvilluar dhe të fuqishëm dhe ishte mjaft i njohur për diturinë, për moralin dhe për oratorinë e tij. Kajsi ishte një njeri i zgjuar dhe largpamës, i denjë për t’u bërë ballë në mençuri tipave si Muavije, Amr bin As dhe Mughire bin Shaaba. Por njësoj si udhëheqësi i tij Aliu, edhe ai nuk besonte se qëllimi i arsyeton mjetet. Filozofia e tij ishte se principet e politikës duhet t’i bindeshin etikës së Kur’anit.
2. Osman bin Hunejf, guvernatori i Basrës
Edhe Osmani arriti të hynte në Basra dhe ta merrte në dorë kontrollin e qytetit. Njësoj si Kajsi në Egjipt, edhe ai i gjeti njerëzit të ndarë në tre grupe. Edhe ai ndoqi një strategji të ngjashme me atë të Kajsit.
Osman bin Hunejfi i takonte një familjeje të shquar medinase. Ai ishte një shok i afërt i të Dërguarit të Zotit dhe gjatë Kalifatit të Umarit, kishte qenë përgjegjës financiar i Irakut.
3. Ammare bin Shihab Ensari, guvernatori i emëruar i Kufes
Ammareja u nis nga Medineja për ta marrë në duar administrimin e Kufes. Por kur arriti në Zabala, një ndalesë në mes të rrugës, u takua me njëfarë Talha bin Huvejlid Esadi, që vinte nga Kufeja. Ai e këshilloi që të kthehej në Medine, duke i thënë se në Kufe mund të vritej. Pas kësaj, Ammare u kthye në Medine.
4. Sehl bin Hunejf Ensari, guvernatori i emëruar i Sirisë
Sehli u nis nga Medineja dhe para se të hynte në kufijtë e Sirisë, u ndal nga një grup kalorësish. Ata i thanë se ishin sirianë dhe se nuk do ta njihnin askë si sundues, përveç Muavijes. Ata e paralajmëruan se po të shkonte një hap më tej, do ta vrisnin sakaq. Pas kësaj, Sehli nuk hyri dot në Siri dhe u kthye në Medine.
Sehli ishte vëllai i Osman bin Hunejfit. Edhe ai ishte nga shokët e Profetit dhe kishte luftuar në të gjitha betejat e tija, duke u dalluar me guximin e tij.
5. Ubejdullah ibn Abbas, guvernatori i Jemenit
Ubejdullahu ishte kushëriri i parë i Muhammedit dhe i Aliut. Ai hyri në Jemen pa u përballur me rezistencë dhe e mori në duar qeverisjen. Jajla bin Umejje, i cili kishte qenë guvernatori i Osmanit në Jemen, kishte ikur para se të vinte ai dhe e kishte marrë me vete edhe thesarin.
6. Kathm ibn Abbas, guvernatori i emëruar i Mekkes
Kathmi ishte vëllai i vogël i Ubejdullahut. Thuhet se ai kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me Profetin. Ai ishte akoma në Medine, kur Mekkeja u kthye në një qendër të kundërshtuesve të Aliut. Andaj, ai priti derisa gjendja në Mekke të qetësohej. Pas vdekjes së Aliut, ai u largua nga Arabia, shkoi në Semerkand, në Azinë Qendrore dhe atje vdiq.
Disa muaj pas ardhjes në pushtet, Aliu u nis nga Medineja për në Basra, për t’u përballur me sfidën e rebelëve të atjeshëm. Si mëkëmbës të tij në Medine, e emëroi Sehl bin Hunejf Ensariun.
Pas betejës së Basrës, Aliu e emëroi Abdullah ibn Abbasin (përkthyesi: të mos përzihet me Ubejdullah ibn Abbasin e përmendur më sipër) si guvernator të ri të qytetit. Abdullahu ishte një “prodhim” i mësuesit të tij, Aliut dhe ishte tejet i njohur për diturinë që kishte. Ai ishte njëri nga zërat më autoritarë në lëminë e komentimit të Kur’anit. Vdiq në Taif kur ishte 70 vjeç.
59. Preludi luftës
Siç u tha edhe më sipër, guvernatorët e Aliut nuk arritën të hynin në Siri dhe në Kufe për shkak të kundërshtimeve të guvernatorëve të Osmanit që gjendeshin atje. Por Siria dhe Kufeja nuk ishin qendrat e vetme të trazirave. Edhe në vetë Medinen ishin shfaqur probleme, të cilat mund ta rrezikonin sigurinë e Shtetit. Andaj, ai u detyrua që ta shtynte për një kohë zgjidhjen e problemeve nëpër provinca.
Siç thamë, kur Aliu e mori postin e Kalifit të muslimanëve, dy nga njerëzit më me ndikim në Medine, Talha dhe Zubejri, ishin të parët për t’ia shprehur besnikërinë. Që të dy, si shumë të tjerë, ishin pasuruar mjaft gjatë sundimit të tre Kalifëve para Aliut. Ata u bënë gjithë më të pasur dhe tani, me ardhjen e Aliut në fron, dëshironin të bëheshin guvernatorë të Kufes dhe të Basrës. Kur ia shprehnin besnikërinë Aliut, ata shpresonin fshehurazi se Aliu, si një falënderim për besnikërinë e tyre, do t’i emëronte në këto poste. Por Aliu zgjodhi njerëz të tjerë dhe nuk u dha atyre asgjë. Kjo i dëshpëroi mjaft që të dy. Ndonse mbetën zemërthyer, ata nuk e shprehën hapur zemërimin e tyre dhe si njerëz pragmatikë që ishin, vendosin të vepronin.
Talha dhe Zubejri bënë një plan për t’iu shmangur Aliut. Ata shkuan tek Aliu dhe i thanë se do të shkonin në Mekke për të bërë Umre (pelegrinazhi i vogël). Por sapo arritën në Mekke, këta dy veteranë të Islamit e thyen betimin e tyre për besnikëri ndaj Aliut dhe thanë se ishin betuar për besnikëri me shumë pikëpyetje në kokë. Në këtë kohë, Aisheja, e bija e Ebu Bekrit dhe njëra nga të vejat e Profetit, ishte gjithashtu në Mekke. Ajo e kishte kryer haxhxhin por nuk ishte kthyer në Medine, me të dëgjuar se Aliu ishte bërë Kalif. Ajo shpalli se do të kërkonte hakmarrje për vrasjen e Osmanit. Tek Talhaja dhe Zubejri, ajo gjeti përkrahës për këtë “sipërmarrje” të saj. Kështu u krijua treshja e përbërë nga Aisheja, Talhaja dhe Zubejri, e cila do të përballej me Aliun, pasardhësin e Muhammedit dhe sovranin legjitim të muslimanëve. Boshti i kësaj tresheje s’ishte tjetër veçse antipatia ndaj Aliut.
Një përshkrim i shkurtër i secilit pjesëtar të “treshes” do të ishte i dobishëm për t’i kuptuar ndodhitë që sollën deri në këtë luftë civile.
Talha bin Ubejdullah
Ubejdullahu (babai i Talhasë) dhe babai i Ebu Bekrit, Ebu Kuhafeja, ishin vëllezër. Nëna e Talhasë ishte e bija e Hadhramit dhe babai i tij, Ubejdullahu, ishte burri i saj i dytë. Për një kohë të shkurtër, ajo kishte qenë edhe e shoqja e Ebu Sufjanit, i cili ishte divorcuar prej saj më pas.
Talha u martua me Umm Kulthumin, të bijën e Ebu Bekrit dhe kjo e bënte atë kunat të Aishes. Kur Ebu Bekri e emëroi Umarin si pasardhës, Talhaja kundërshtoi ashpër dhe ia tërhoqi vëmendjen drejt ashpërsisë së Umarit. Më pas, kur vetë Umari ishte duke vdekur, ai e bëri Talhanë pjesëtar të këshillit zgjedhës.
Talhaja e theu premtimin që ia kishte dhënë Aliut sepse ky i fundit nuk e bëri guvernator të Basrës. Me shumë gjasa, edhe kundërshtimet e tij ndaj Osmanit ishin të motivuara nga e njejta gjë. Balad’huriu, historiani arab, në veprën e tij “Enseb’ul-Eshref”, në faqen 113 të vëllimit të parë, shkruan:
“Në mesin shokëve të Profetit, kishte pak njerëz që i nxisnin njerëzit kundër Osmanit sa Talhaja...”
Kur pallati i Osmanit u rrethua nga rebelët, ishte Talhaja që nuk u lejoi skllevërve të Osmanit që t’i sillnin ujë. Natën, ai hidhte shigjeta drejt pallatit të tij dhe Osmani e dinte këtë gjë. Taberiu thotë: Osmani shpesh lutej:
“O Zot! Më mbro nga e liga që Talhaja mund të ma bëjë. Ai është personi që i nxit njerëzit kundër meje dhe ai bëri që të më rrethohej shtëpia. (“Historia”, vëll.3, fq.411)
Urrejtja e Talhasë për Osmanin duhet të ketë qenë shumë e madhe. Reagimet e tija ndaj Osmanit nuk morrën fund as me vdekjen e këtij të fundit. Ai urdhëroi që të goditej me gurë arkivoli i Osmanit dhe personat që e mbanin atë. Osmanit nuk iu lejua që të varrosej në varrezën muslimane. Si pasojë, ai u varros në varrezën e hebrenjve.
Zubejr bin Avvami
Nëna e Zubejrit ishte Safijeja, e bija e Abdul Muttalib bin Hashimit. Ajo, pra, ishte halla e Muhammedit dhe e Aliut.
Edhe Zubejri u martua me njërën nga vajzat e Ebu Bekrit dhe kjo e bënte edhe atë një kunat të Aishes. Njësoj si Talhaja, edhe ai e kundërshtoi vjehrrin e tij kur ky i fundit e emëroi Umarin si pasardhës të vetin. Dhe kur Umari po vdiste, ai e emëroi edhe Zubejrin si pjesëtar të këshillit zgjedhës. Në veprën “Tabakaat”, Ibn Saadi thotë se edhe Zubejri ishte shumë i pasur, njësoj si Talhaja.
Zubejri e ndante me Talhanë dëshirën për pasuri dhe ambicjen për pushtet politik. Ai shpresonte se Aliu do ta trajtonte njësoj siç i kishte trajtuar Osmani kushërinjtë e tij dhe se do ta bënte guvernator të ndonjë province. Në fund të fundit, ai ishte kushëriri i Aliut.
Por Aliu nuk kishte ndërmend të sillej me Zubejrin si ishte sjellur Osmani me kushërinjtë e tij. Kur Zubejrit s’i mbeti kurrfarë dyshimi se Aliu nuk do ta emëronte si guvernator, ai e theu premtimin për besnikëri dhe u rebelua kundër tij.
Njësoj si Talhaja, edhe Zubejri e urrente Osmanin dhe i nxiste njerëzit kundër tij. Ibn Kutejbeja, një historian arab, thotë se disa ditë pas ardhjes në pushtet të Aliut, Talhaja dhe Zubejri erdhën për ta parë dhe mes tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Talhaja dhe Zubejri: A e di përse t’u betuam për besnikëri?
Aliu: Për arsyen e njejtë për të cilën muslimanët e tjerë m’u bindën.
Talhaja dhe Zubejri: Jo! Ne ta shprehëm besnikërinë me shpresën se ti do ta shpërbleje këtë gjest tonin, duke nga dhënë një hise në qeverisjen tënde. Në fund të fundit, me përkrahjen tonë ti u bëre Kalif.
Aliu: E shumta, unë mund të konsultohem me ju në çështjet e qeverisjes por nuk ekziston një “hise” për ju në qeverisje.
Talhaja dhe Zubejri u dëshpëruan thellë nga refuzimi i Aliut për ta ndarë fuqinë me ta dhe komenti i tyre pas këtij takimi ishte:
Talhaja: Në Medine, janë tre pjesëtarë të këshillit zgjedhës. Njëri prej tyre (Saadi) nuk ia shprehu besnikërinë Aliut. Por unë dhe Zubejri e bëmë këtë gjë. Ne dy i mundësuam të bëhej Kalif dhe ai tani ka harruar se ç’kemi bërë për të.
Zubejri: Ne i mblodhëm rrethuesit e Osmanit dhe ne e dënuam atë, të gjitha për hir të Aliut. Në këtë kohë, Aliu qëndroi në shtëpi. Pastaj, me ndihmën tonë u bë Kalif. Por menjëherë pasi e mori Kalifatin, ai i harroi shërbimet tona dhe të gjitha postet ua dha njerëzve të tjerë.
Fjalët e tyre arritën deri tek Aliu. Ai e thirri Abdullah ibn Abbasin dhe i kërkoi një këshillë për këtë rast. Në veprën, “Kitab’ul-Imama ve’s-sijasa”, përcillet se Abdullah ibn Abbasi tha:
“Për mendimin tim, ti duhet ta emërosh Talhanë si guvernator të Basrës dhe Zubejrin si guvernator të Kufes. Kjo do t’i kënaqë dhe do t’i heshtë që të dy.”
Aliu heshti për një çast për të menduar në lidhje me këshillën e kushëririt të tij dhe më pas tha: “Nuk pajtohem me ty në lidhje me këtë. Unë i njoh mirë që të dy. Po t’i bëj guvernatorë, tirania, shtypja dhe shfrytëzimi do të përhapen në Basra dhe në Kufe dhe sërish do të lartësohen klithmat e të shtypurve. Po t’i bëj guvernatorë njerëzit si Talhaja dhe Zubejri, atëherë do të duhet të lejoj që edhe Muavije të mbetet guvernator i Sirisë.”
Më tej, Ibn Kutejbe shkruan:
“Amr bin As, Talha dhe Zubejri ishin të parët që e kritikuan hapur Osmanin. Ata ishin të parët që u kërkuan njerëzve ta vrisnin atë. Talhaja dhe Zubejri ishin të parët që ia shprehën besnikërinë Aliut dhe të parët që e thyen premtimin e tyre. “
Qëkur Umari i kishte caktuar për këshillin zgjedhës, Talhaja dhe Zubejri kishin ushqyer ambicje për t’u bërë Kalif. Në vend të tyre, Abdurrahmani e kishte bërë Osmanin Kalif.
Një mundësi e dytë erdhi menjëherë pas vdekjes së Osmanit. Por kësaj rradhe ata e ndjenin se muslimanët nuk i donin. Ata kuptuan se pavarësisht se ç’do të bënin, muslimanët nuk do ta pranonin ndonjërin prej tyre si Kalif. Gjithkush në Medine e kishte parë sjelljen e tyre ndaj Osmanit gjatë rrethimit të pallatit të këtij të fundit.
Talhaja dhe Zubejri gjithashtu panë se nuk ishte Aliu që përpiqej të ngjitej në pushtet por ishin vetë muslimanët, që përpiqeshin ta vendosnin atë në postin e Kalifit. Zgjedhja e Aliut si Kalif ishte një proces spontan dhe rezistenca e vetme kundër këtij procesi ishte nga vetë Aliu. Talhaja dhe Zubejri e dinin gjithashtu se sikur të mos ia shprehnin besnikërinë Aliut, do të dukeshin tepër të dyshimtë. Duke mos dashur një gjë të tillë, ata ia shprehën Aliut besnikërinë.
Duke parë se Kalifati u kishte rrëshqitur nga duart, Talha dhe Zubejri vendosën se të qenit guvernatorë të Basrës dhe të Kufes respektivisht, do të ishte një dhuratë e mjaftueshme ngushëlluese për ta. Ata shpresonin se Aliu nuk do ta shpërfillte statusin e tyre të lartë në shoqëri, si pjesëtarë të këshillit zgjedhës që kishin qenë. Ata gjithashtu mendonin se Aliu nuk do të mundej ta shpërfillte prestigjin dhe ndikimin që kishin në Basra dhe në Kufe. Por Aliu nuk ndikohej fare nga statusi dhe nga prestigji i tyre dhe nuk ua dha postet e kërkuara në Basra dhe në Kufe. Talhaja dhe Zubejri kuptuan se Medineja ishte një tokë shterrpë për ambicjet e tyre. Andaj vendosën që të shkonin në Mekke dhe të provonin atje. Aliu nuk bëri asgjë për t’i ndalur. Të dy u nisën nga Medineja me tradhëti në zemrat e tyre. Sikur Aliu t’i kishte emëruar për guvernatorë të Basrës dhe të Kufes, ata do t’i përforconin pozitat e tyre në këto vende dhe do ta tërhiqnin premtimin për besnikëri ndaj pushtetit qendror. Në këto rrethana, shoqëria do të ishte e sunduar nga katër sundues të ndryshëm dhe armiqësorë me njëri-tjetrin. Talhaja në Basra, Zubejri në Kufe, Muavijeja në Siri dhe Aliu në Hixhaz. Në një luftë potenciale civile të këtyre katër sunduesve, Shteti Islam do të ishte mbytur në anarki dhe sërish do të ishte kthyer në “qeverisjen” e fiseve arabe si në kohën e Injorancës. Ishte pikërisht vizioni dhe gjenialiteti i Aliut që e shpëtoi Islamin nga një katastrofë e tillë.
Është shumë e qartë se vendimet qeveritare zakonisht përpilohen në bazë të shtypjeve të grupeve të ndryshme të interesit. Talhaja, Zubejri dhe pëkrahësit e tyre formonin pikërisht një grup të tillë. Ata krijuan shtypje por kur kjo shtypje e tyre u përball me rezistencë, iu drejtuan luftës.
Vazhdon...
Krijoni Kontakt