Në kohën që po përgatitesha të shkruaja në Forumin Shqiptar temën e radhës, me titull “Vëllezërit Cici dhe shkrimi i tyre në gazetën Illyria 13-15, 2001, Volume 11, # 1089”, në lidhje me përdorimin e greqishtes në kishën e Sarandës, bie celulari dhe zëri pas tij më thotë se Fatmiri ka postuar sot një shkrim me titull: “Mbi informatorët”. Sipas tij, kërkon të na thotë diçka. Sigurisht që, përderisa ka rreth një muaj që ndihet tmerrësisht i terrorizuar, unë e mirëkuptoj nevojën e tij për të bërë një lloj rrëfimi nga thellësitë e shpirtit, një lloj apologjie, për të na mbushur mendjen se ushqen ndjenja dashamirëse ndaj Kishës sonë, se na do të mirën, prandaj dhe ato që shkruan kundër nesh nuk janë shpifje apo akuza, por pilula për të na shëruar nga sëmundjet!!! Madje, për të na mbushur mendjen se qëllimet e tij janë tepër fisnike kundrejt nesh, na vërvit tek këmbët dhe “kufomën” e një informatori, por pa na thënë se cili është.
Çfarë kërkon të na thotë z. Cici në këtë postim të tij? E para, se brenda Kishës Ortodokse, ose më saktë, brenda administratës së saj, ekzistojnë grupime rivale, që përplasen mes tyre me qëllim përfitimi dhe vjedhje. E dyta, se në këtë Kishë paska informatorë, të cilët komunikojnë me z. Cici, duke e nxitur të shkruajë kundër Kryepiskopit. Këtë të fundit e dimë mjaft mirë, ashtu siç dimë mjaft mirë se ata që fshihen pas këtyre informatorëve, e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin z. Cici për interesat e tyre. Shpresoj që ky ta ketë kuptuar se unë, në postimin e dytë të kësaj teme (02.03.2019 #2), jo më kot i kam shkruar tekstualisht: “Kutërbimi i atyre që e kanë ngarkuar me misionin e radhës është tepër i rëndë për të mos u nuhatur dhe tepër afër për të mos e kuptuar se cilët janë”. Pra, informacioni që po na jep z. Cici në këtë rast, nuk na bën aspak më të ditur. Atë kishim mangët, të mos dimë ato për të cilat ai shkruan. Dimë ato, dimë edhe shumë më tepër se ato! Gjithsesi, çështjes së informatorëve do t’i rikthehemi në vijim.
Le të shkojmë tani tek grupimet kundërshtare në administratën e Kishës. Nëse do të bëjmë një përqasje teologjike të këtij problemi, mund të themi se i gjithë njerëzimi, në të gjitha kohët, duke filluar nga momenti i rënies së njerëzve të parë e deri në daljen në dritë të të porsalindurit të fundit në glob, është pjesë e luftës mes Perëndisë dhe Djallit, mes së mirës e së keqes. Jashtë kuadrit të kësaj lufte nuk ka qenë asnjëherë, në asnjë kohë, as Kisha e Krishtit. Përkundrazi, Etërit e Mëdhenj theksojnë se prania e Djallit është mjaft intensive në gjirin e Kishës, përderisa qëllimi kryesor i tij është të luftojë këtë institucion hyjnor, të themeluar e të drejtuar nga vetë Zoti Krisht. Pra, është më se logjike që edhe Kisha jonë, si shfaqje në kohë e në vend e një Kishe të Shenjtë të Përgjithshme e Apostolike, të jetë objekt i sulmeve të Djallit. Është më se e natyrshme që dukuri të tilla, edhe pse të dënueshme, të jenë pjesë e pandashme e jetës së saj. Nëse do të ndodhte e kundërta, atëherë me të vërtetë duhej të shqetësoheshim për autenticitetin e saj.
Si përqasje sociologjike, po sjell shembullin e një profesori tim të sociologjisë, i cili na thoshte se shoqëri e shëndoshë konsiderohet ajo që ka një përqindje të caktuar kriminelësh. Kur kjo përqindje është më e lartë se ajo e caktuar, atëherë kjo shoqëri është problematike. Pastaj shtonte: Por edhe një shoqëri me zero përqindje kriminaliteti është po aq problematike! Donte të thoshte se një shoqëri që nuk është objekt i luftës mes së mirës e së keqes është njësoj sikur të mos ekzistojë. Pasiviteti absolut është karakteristikë e sendeve të pajetë e jo e qenieve inteligjente, me liri të plotë mendimi, veprimi e reagimi.
Për kushtet konkrete të Kishës sonë, ekzistenca e grupimeve rivale në administratën e saj mund të nxitet padyshim nga dëshira e Ramiz Alisë dhe e segmenteve të caktuara shtetërore pasardhëse për të mbajtur nën kontroll Kishën Orthodhokse të Shqipërisë pas ringjalljes së saj. Për të shtjelluar disi më qartë mendimet e mia, po sjell një pjesë të vogël të një dialogu që kam pasur para disa kohësh me Kryepiskopin Anastas:
Unë: Jeni personaliteti më tragjik që kam njohur në historinë e krishterimit modern.
Kryepiskopi Anastas: Përse e thua këtë?
Unë: Sepse nuk ka pasur ndonjëherë në këtë periudhë të historisë kishtare misionar, që të ketë shkelur për herë të parë në një vend të krejt të izoluar, pa asnjë përkrahje, pa asnjë pikë të sigurt mbështetjeje, ku pjesa më e pastër e më dinamike e shoqërisë së saj të jetë larguar në shtete të tjera e ku në mes të të mbeturve, nuk mund të dallosh qartë se cilët janë ata që nuk i ka dërguar Sigurimi i Shtetit, cilët janë ata që duan të përfitojnë materialisht dhe cilët duan të ofrojnë me sinqeritet shërbimet e tyre për ringritjen e Kishës.
Kryepiskopi Anastas: Hmmm.....
Unë: Por ka edhe më keq se kaq! Jeni i vetmi personalitet në Shqipëri, që keni bashkuar në një aleancë të pazgjidhshme dy shërbime informative thellësisht armiqësore mes tyre, Sigurimin e Shtetit të Enver Hoxhës dhe SHIK-un e Gazidedes. Në këmbët tuaja duhet të ketë plot prej tyre.
Kryepiskopi Anastas: Ti i di se cilët janë?
Unë: Jo. Fortlumturi! Eshtë njësoj si të më pyesni se cila është vendndodhja e saktë e peshqve në një lumë që ka peshq. Unë mund t’ju siguroj se ky lumë ka peshq, por nuk mund të di se ku janë ata.
Pas këtij dialogu, dua të theksoj me shumë forcë se Shqipëria është i vetmi vend ish komunist, që nuk ka hapur ende, ashtu siç duhet, dosjet e spiunëve të regjimit. Kjo është një plagë e rëndë për Kishën tonë (por edhe për komunitetet fetare), sepse ende nuk dimë mirë jo vetëm se si dhe nga na erdhi e keqja, por edhe nga ku na vjen akoma. Të gjitha Kishat e tjera Ortodokse të ish Lindjes Komuniste i kanë ndarë hesapet me të kaluarën, kanë ndarë shapin nga sheqeri, prandaj dhe problemet e brendshme të tyre janë shumë më të vogla se tonat. Pa u hapur dosjet, do të vazhdojmë të përjetojmë situata të tilla. Madje nuk duhen hapur vetëm dosjet e komunizmit, por edhe ato të viteve 1992-1997, të cilat jam i sigurt se paraqesin edhe më shumë interes nga ato të viteve 1945 -1991.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, është vetëm një nga shkaqet serioze, të cilat mund të favorizojnë grupime. Ana tjetër e medaljes, d.m.th. një tjetër shkak po aq serioz, është veprimtaria ekonomike e Kishës sonë, e cila në vitet e para, ka pasur buxhet ndoshta edhe më të fuqishëm se edhe vetë shteti. Nuk e kam fjalën për para në bankë, por për ndihmat në ushqime, në medikamente e në plot mënyra të tjera, të cilat lëvroheshin prej Kishës sonë në favor të shqiptarëve, edhe pse e kishin prejardhjen nga Kisha të tjera e fondacione të ndryshme të botës. Por jo vetëm kaq. Vepra ndërtuese e kësaj Kishe, nëpërmjet kontributit personal të Kryepiskopit Anastas, presupozon fonde monetare të jashtëzakonshme, por edhe mundësi të jashtëzakonshme për shpërdorime. Por edhe sikur të mos ketë pasur shpërdorime, shfrytëzimi i pushtetit të dhënies së këtyre fondeve prej disave për të pasuruar disa të tjerë është një shkak tepër serioz për krijim grupimesh dhe klanesh në administratën kishtare.
Doja të përmendja edhe një shkak të tretë, por ja që medalja ka vetëm dy anë, të cilat, për fat të keq, i kam konsumuar tashmë të dyja në paragrafët e mësipërm. Them ta konsumoj në një moment tjetër, si temë më vete. Ka të bëjë me pasardhësin e Kryepiskopit Anastas, por kryesisht me shqetësimet e disave për administrimin e fondeve kishtare pas ndërrimit të stafetës. E kam fjalën për shqetësimet e atyre që flasin për “myslimanë” në Kryesinë e Kishës sonë, altoparlanti kryesor i të cilëve ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve z. Fatmir (Fotaq) Cici. Nëse është kaq burrë, le të përmendë emrin e atij që i dërgonte dhe vazhdon t’i dërgojë udhëzimet dhe informatat për llogari të tyre. Informatori që me shumë takt përmendi sot është thjesht një telefon i prishur, nga ata që përdoreshin në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Nuk na hyn në punë. Le ta mbajë për vete.
Krijoni Kontakt